Ballina Blog Faqe 697

Mundësitë e pashfrytëzuara ekonomike

Kosova edhe pse është anëtare e disa mekanizmave ndërkombëtarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, dhe së fundi anëtare edhe e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për ekspertët e çështjeve ekonomike, autoritetet kosovare nuk po i shfrytëzojnë mundësitë për të përfituar nga këto institucione të rëndësishme.

Eksperti Muhamet Sadiku, thekson se mekanizmat financiarë ndërkombëtarë kanë ndihmuar Kosovën në ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe financiar, por që Kosovës i mbetet ende punë për të bërë që të përftojë më shumë nga ajo se çfarë ofrojnë këta mekanizma ndërkombëtarë. “Kosova është anëtarësuar në këto vitet e fundit në institucione financiare ndërkombëtare, dhe Kosovës do t’i duhet përvojë e madhe që të behet një shfrytëzues më i madh mbështetjes dhe shfrytëzimit të kësaj mbështetjeje me projektet konkrete, me projekte të cilat do ta ndryshojnë situatën socio- ekonomike në Kosovë”.

“Prandaj, kuptohet se ky është një proces i gjatë, por Kosova në anën e vet duhet t’i kryejë detyrat të cilat i takojnë, e ajo ka të bëjë kryesisht me fuqizimin e administratës publike në të gjitha nivelet”, tha Sadiku.

Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore, në BERZH, është parë si mundësi e mirë për ta rritur besimin e investitorëve dhe të komunitetit ndërkombëtar, që Kosova është një vendi i mirë për të investuar.

Por, eksperti për çështje ekonomike Safet Gërxhaliu, thotë se nuk mjafton vetëm të jesh anëtar i një mekanizmi ndërkombëtar, por edhe të dish ta shfrytëzosh atë. “Nuk ja vlen të jemi vetëm pjesë ose partner i këtyre institucioneve, nëse benefitet nga ky partneritet nuk reflektohen në ambientin ekonomik në Kosovë. Dua ta tërheq një paralele, Kosova e ka pasur një konferencë të donatorëve para ca viteve, dhe zotimet për ndihmë Kosovës kanë qenë më tepër se një miliard e 200 milionë euro”, thekson Gërxhaliu.

Ai, shprehet kritik ndaj punës se institucioneve të vendit në këtë drejtim, duke theksuar se tash është koha kur duhet të ketë një qasje tjetër të komunikimit profesional me mekanizmat ndërkombëtarë, ku Kosova është anëtare.

Erdoan: FMN-së do t’i japim borxh edhe 5 miliardë dollarë

Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan i ka bërë një vlerësim rendit të ditës.

Kryeministri Erdoan në Këshillin e Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë dha informacione në lidhje ambasadat, dhe konsulencat tregtare dhe vuri në dukje se në vitin 2012 vendet ku nënshtetasit turq mund të udhëtojnë pa vizë janë ngritur në 64.

Kryeministri Erodan gjithashtu theksoi se ndërkohë që rezervat e Bankës Qendrore 10 vjet më parë kanë qenë 27,5 miliardë dollarë, tashmë ato kanë arritur në 120,2 miliardë dollarë.

Ai tha se edhe borxhi i Turqisë në FMN ka rënë në nivelin 890 milionë dollarë dhe se ky borxh do të jetë eliminuar deri në muajin mars të vitit 2013. “Ne do t’i japim borxh FMN-së edhe 5 miliardë dollarë”, tha kryeministri turk.

Kryeministri nënvizoi se Turqia do të vijojë të thyejë rekorde në çdo fushë dhe tha: “Politika jonë e ekonomisë është testuar disa herë. Ekonomia jonë doli me sukses në 3 zgjedhje të përgjithshme, 2 vendore dhe 2 referendume.

Erdoan në vlerësimin e tij vuri në dukje se të gjitha agjencitë ndërkombëtare kanë folur me lëvdata për Turqinë dhe duke e kritikuar Agjencinë Ndërkombëtare të Vlerësimit të Kredisë Standard& Poor’s e cila e ka rritur 6 shkallë notën e Greqisë tha se këto janë qëndrime politike.

Lidhur me objektivat e vitit 2023 Kryeministri Erdoan tha se ata duhet të realizojnë reforma edhe më të mira për çështjet e teknologjisë dhe demokracisë së avancuar.

Ai shtoi se ata kanë arritur të lëshojnë me sukses në hapësirë Satelitin Göktürk 2 prej të cilit kanë filluar të marrin edhe sinjalet e para.

Duke rikujtuar se inflacioni ka rënë në një numër me një shifër, Kryeministri tha: “Ne do të prodhojmë avionin, automobilin dhe raketat tona” dhe dha sihariqin se së shpejti do të fillojnë punimet për “Kanalin Stambolli”./trt/kohaislame

MBI 1.9 MILIONË EURO GRANTE PËR 369 FERMERË

Mbi 1.9 milionë euro është vlera e granteve investive, të cilat sot janë ndarë për 369 prodhues të pemëve, perimeve dhe vreshtave. Ministria e Bujqësisë, përmes këtyre granteve, synon të rrisë kapacitetet prodhuese dhe përpunuese në sektorin e hortikulturës, i cili konsiderohet si njëri nga sektorët me potencialin më të madh zhvillimor në vendin tonë.

Në ceremoninë e ndarjes së këtyre granteve, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se po e realizojnë premtimin për rritjen e përkrahjes financiare për fermerët kosovarë, të cilin e kishin dhënë vitin e kaluar. Përmes këtyre granteve, ai tha se po i përkrahin në mënyrë të drejtpërdrejtë qindra familje kosovare, të cilët tashmë kanë mundësi të krijojnë edhe vende të reja të punës. “Që nga fillimi ne kemi premtuar se do të ketë rritje të buxhetit për sektorin e bujqësisë dhe më shumë përkrahje për fermerët kosovarë. Për të realizuar këtë premtim tonin ne jemi orientuar nga njëra anë në rritjen e buxhetit shtetëror për bujqësinë dhe në anën tjetër, gjatë gjithë kësaj kohe jemi munduar t’i bindim edhe donatorët e ndryshëm që të investojnë në bujqësi. Ndarja e këtyre granteve për 369 fermerë tregon se ne po e realizojmë njërin prej premtimeve që kemi dhënë vitin e kaluar, sepse dukshëm është rritur edhe niveli përkrahjes, edhe numri i përfituesve”, tha ministri Stavileci.

Përpos këtyre granteve, ministri tha se pas disa javësh do të ketë edhe masa tjera përkrahëse për fermerët kosovar, të cilëve krahas ofrimit të shërbimeve këshillimore, do t’ju ndahen edhe grante investive për mekanizëm bujqësor. “Me hartimin e strategjisë së re për bujqësinë, të cilën kemi filluar ta përgatisim qysh tash, ne synojmë që buxheti për sektorin e bujqësisë bashkë me mjetet e donatorëve të arrijë deri në 100 milionë euro”, tha ministri Stavileci.

Në anën tjetër, Neriman Ismaili, përfitues e një granti në vlerë prej 10 mijë euro, duke treguar mirënjohje për mbështetjen institucionale, tha se ndarja e granteve investive nuk është vetëm përkrahje materiale, por edhe përkrahje morale dhe motivuese për të vazhduar edhe më tej punën në sektorin e bujqësisë. “Përmes përkrahjes së vazhdueshme që kam marrë nga Ministria e Bujqësisë, kam arritur të zgjerojë veprimtarinë time bujqësore, pasi subvencionet dhe grantet e kësaj ministrie na kanë mundësuar ta rrisim dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore dhe në këtë mënyrë, po bëhemi edhe më konkurrent me rajonin”, tha ai.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes këtyre granteve për sektorin e hortikulturës, ka mbështetur 369 fermerë me 1,989.654 euro për ngritjen e pemishteve, vreshtave dhe serrave të reja, si dhe për infrastrukturën e tyre përcjellëse.

Vlera minimale e lejuar për të përfituar nga skema e granteve investive të MBPZHR-së ka qenë 1500 euro, ndërsa ajo maksimale 40 mijë euro.kohaislame

Banka Botërore do t’i japë Irakut 900 milionë $

Bordi drejtues i Bankës Botërore (BB) premtoi t’i japë Irakut 900 milionë dollarë. Programi i ndihmës financiare, i planifikuar për katër vitet e ardhshme, u zhvillua së bashku me ekspertë nga qeveria e Irakut, njoftuan në Bankë.

Fondet do të përdoren për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për forcimin e instituteve të shoqërisë civile. Banka Botërore vëren, në veçanti, se Iraku duhet të rrisë efektivitetin e menaxhimit të burimeve të veta, të sigurojë diversifikimin e madh të ekonomisë dhe të mbështesë sektorin privat.

Erdoan: Rezerva valutore e Bankës Qendrore ka arritur në 119 miliardë dollarë

Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdoan, deklaroi se rezervat e Bankës Qendrore të Turqisë në valutë kanë arritur në 119 miliardë dollarë. Numri 1 i Ankarasë zyrtare nënvizoi se ky sukses është shënuar duke e shpëtuar shtetin nga korrupsioni.

Erdoan mbajti një fjalim drejtuar qytetarëve të Konjës, ku shkoi për të marrë pjesë në ceremonitë e Sheb-i Arusit (Nata e Bashkimit) dhe përuruar disa vepra.

Pjesën kryesore të fjalimit të kryeministrit turk e përbënte ekonomia. Ai ndau për herë të parë me opinionin publik disa të dhëna mbi rezervat e Bankës Qendrore të Turqisë.

“Këto shifra po i bëj publike për herë të parë. Rezervat e Bankës Qendrore arritën nivelin më të lartë të historisë, 119 miliardë dollarë. Ja pra, këtu mbërrini duke e shpëtuar shtetin nga korrupsioni. Ne këtë e arritëm me sukses, ia premë rrugën korrupsionit dhe e flakëm tutje”, tha shefi qeverisë turke.

Në fund të fjalimit të tij drejtuar banorëve të qytetit Konja, Kryeministri Erdoan përsëriti dëshirën e tij që çdo çift turk të bëjë të paktën tre fëmijë dhe shtoi: “Ne do të rrisim një gjeneratë dinamike.”/trt/kohaislame

“Gazprom” shënoi rekordin historik të eksporteve në Evropë

“Gazprom” ditën e djeshme shënoi një rekord historik të furnizimeve të gazit në Evropë, njoftoi Kryetari i bordit drejtues të kompanisë ruse të gazit Aleksei Miller.

“Që në fillim të dhjetorit vihet re një rritje e pashembullt e furnizimeve në tregun evropian, ndërkohë gjatë ditës së djeshme u vendos rekordi historik i vëllimeve të furnizimeve të gazit rus në Evropë – 550.1 milionë metra kub. Kjo është edhe një dëshmi tjetër e kërkueshmërisë dhe imperativitetit të projekteve të tilla si “Nord Stream” dhe “South Stream”, – tha Aleksei Miller.

Moska u barazua me Chicago-n për nga numri i milionerëve

Hulumtuesit e kompanisë së konsultimeve WealthInsight përqendruan vëmendjen e tyre në segmentin e të pasurve, pasuria e të cilëve i kalon 30 milonë $.

Në Pekin jetojnë 1318 persona të tillë. Në Shanghai – 2028. Los Anxhelos, një nga qytetet e argëtimit shtrenjtë, nuk arrin të matet dot me asnjërin prej qyteteve të mëdha kineze, duke numëruar 950 super të pasur. 2929 persona me një kapital prej më shumë se 30 milionë $ jetojnë në Nju Jork.

Por vendet e BRICS-it janë duke i arritur në mënyrë aktive vendet e zhvilluara.

Sao Paulo në Brazil numëron 1310 persona super të pasur. Moska u barazua me Chicago-n për nga numri i multimilionerëve – 821, ndërsa Mumbai arriti Dallas-in (577 të pasur).

Gjithsej në vendet anëtare të BRICS-it në fund të vitit 2011rezultonin 1.9 milionë persona super të pasur.

Shitjet e makinave dhe produkteve të naftës rrisin eksportet e Serbisë

Eksportet serbe janë rritur me 3,4 përqind nga vitin i kaluar. Gjithashtu në lajmet nga biznesi: Qiproja do të shkurtojë pagat e sektorit publik dhe parlamenti i BiH miratoi buxhetin e vitit 2013.

Eksportet serbe pritet të rriten me të paktën 25 përqind në vitin 2013 falë rritjes së shitjeve së makinave dhe produkteve të naftës jashtë vendit, tha ministri i financave Mladjan Dinkiç. Në 10 muajt e parë të këtij viti, eksportet e Serbisë arritën në 7,24 miliardë euro, 3,4 përqind më shumë nga e njëjta periudhë e një viti më parë.

14 qytete turke konkurojnë me ekonomi të fuqishme botërore

Konfederata e Sipërmarrësve dhe Botës Turke të Biznesit (TÜRKONFED) deklaroi se 14 qytete të Turqisë në total kanë lënë prapa gjigande botërore si Zvicra, Singapori.

Sipas një raporti të përgatitur nga kjo konfederatë (TÜRKONFED) Turqia ka 14 qytete të industrializuara dhe të zhvilluara që konkurrojnë me ekonomitë më të mëdha të botës.

Qytete si Stambolli, Ankaraja, Izmiri, Bursa, Koxhaeli përveçse kontribuojë në produktin kombëtar, me pjesën e madhe të popullsisë që jeton në këto qytete ato janë kthyer edhe në qendra të fuqishme administrative, politike, ekonomike, tregtare, mediatike dhe industriale.

Kurse kontributi i qyteteve Stamboll, Ankara, Bursa, Eskishehir, Bilexhik, Koxhaeli, Sakarja, Bolu, Dyzxhe dhe Jallova në shumë totale të të ardhurave kombëtare arrin deri në 376 miliardë dollarë. Kurse ekonomia e këtyre qyteteve të marra të gjitha së bashku, është më e madhe se sa ekonomia e vendeve më të pasura të botës, si Singapori, Norvegjia dhe Zvicra./trt/kohaislame

Pas tre muajsh, 70 për qind e TVSH-së për serbët

Përafërsisht të hyrat nga TVSh-ja nga pikat doganore në kufirin me Serbinë në veri sillen nga 20 deri në 23 milionë euro në vit.

Nëse llogaritet 70 për qind ndarja buxhetore për veriun atëherë kjo i bie afro 15 milionë euro në vit.
Shtatëdhjetë për qind e të TVSH-së, pritet t’u ndahen serbëve, shkruan Kosova Sot.
Për këtë janë marrë vesh kryeministrat e dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.
Marrëveshja, sipas gazetës, do të hyjë në fuqi pas tre muajsh./Ind/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
27.5 ° C
27.5 °
27.5 °
51 %
1.5kmh
0 %
Sun
27 °
Mon
35 °
Tue
36 °
Wed
27 °
Thu
30 °