Ballina Blog Faqe 698

Prishtina e Suhareka përfitueset kryesore të donacioneve nderkombetare

Komuna e Prishtinës dhe ajo e Suharekës sivjet kanë përfituar më së shumti grante nga donatorët në nivel vendi. Këto donacione janë përqendruar në shërbimet publike dhe në bujqësi. Përderisa në raportet financiare të Ministrisë së Financave nuk jepen detaje për orientimet e granteve të donatorëve nëpër komuna, burime të “Kohës Ditore” bëjnë të ditur se dy komunat e përmendura kanë përfituar më së shumti nga donatorët.
Drejtues të dy Komunave kanë konfirmuar se janë përfituese të donacioneve disamilionëshe për projekte të ndryshme. Por, vlera e donacioneve që janë dhënë për Komunën e Suharekës rezulton të jetë shumë më e madhe krahasuar me kryeqytetin.
Drejtori i Shërbimeve Publike, në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, tha se sivjet kanë përfituar donacione në vlerë prej afro 2 milionë eurosh për projekte të ndryshme, siç është përfitimi i dhjetë kamionëve për transportin e mbeturinave nga një organizatë japoneze, së bashku me një makineri për ndërrimin e gomave, që kapin vlerën prej mbi një milion eurosh, pastaj është financimi i fushatës së vetëdijesimit për ndarjen e mbeturinave, që po e financon GIZ-i gjerman, i cili po ashtu ka kontribuar edhe me blerjen e shportave të mbeturinave, për të cilin projekt ka dhënë donacione edhe USAID-i amerikan.

Gashi tutje ka pohuar se GIZ-i gjerman, po ashtu ka financuar edhe rregullimin e zyrave të kompanisë “Pastrimi”, si dhe projektin e instalimit të sistemit elektronik të financave dhe kontabilitetit në këtë kompani, i cili ka kushtuar afro 200 mijë euro.

Si projekt tjetër, i përfituar nga donatorët, ai ka përmendur edhe rregullimin e parkut të “Arbërisë” nga Komisioni Evropian, të cilin e ka implementuar IOM-i, si dhe projekti tjetër, mirëmbajtja e varrezave të qytetit dhe rregullimi i oborreve të dy shkollave: “Xhevdet Doda” dhe “Naim Frashëri”- donacion nga Banka Botërore.

Kurse, kryetari i Komunës së Therandës, Blerim Kuqi, i cili ka pohuar se në këto dy vjetët e fundit Komuna që ai drejton ka përfituar 15 milionë euro, të cilat janë implementuar edhe sivjet. “Kemi fituar donacione që kalojnë vlerën prej mbi 15 milionë eurosh, për projekte të filluara para dy vjetësh dhe që janë në proces e sipër të realizimit “, tha Kuqi.

Ai ka saktësuar se donatorët kanë financuar më së shumti projektet në bujqësi dhe donatori më i madh në këtë komunë, sipas tij, është ADA (Agjencia për Zhvillim e Austrisë), e cila ka dhënë së paku 3 milionë euro në projektet e kësaj fushe. “Pastaj kemi projekte të financuara nga Komisioni Evropian, USAID-i, Banka Gjermane për Zhvillim, etj”, ka theksuar Kuqi.

Një pjesë e këtyre mjeteve të donatorëve janë investuar në ujësjellës, dhe shumica prej tyre në bujqësi, ka bërë të ditur ai. “Në politika zhvillimore janë investuar shumë pak, përveç bujqësisë, e cila megjithatë është një sektor tepër me interes për komunën, dhe këto investime i duhen këtij sektori”, është shprehur Kuqi. /Koha Ditore

Zonat e lira ekonomike kanë një efekt pozitiv në ekonomitë rajonale

Zonat e lira ekonomike mund të qenë rëndësishme për mbijetesën e rajonit nga kriza ekonomike dhe një udhëdalje për stabilitetin.

Shumica e prodhimit industrial në vitet e ardhshme do të jetë në zonat e lira ekonomik, gjë që do të ndikojë ekonominë, thanë ekonomistët.

Duke krijuar punë dhe duke rritur eksportet, zonat e lira ekonomike do të rritin begatinë e brendshme dhe do të frenojnë rrjedhjen e trurit, i tha SETimesViktor Mizo, drejtor i Zonave të Lira Ekonomike në Maqedoni.

Për Evropën Juglindore, që ka rreth 10 zona me taksa të posaçme anembanë Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë, kjo do të thotë më shumë stabilitet rajonal.

“Zonat ekonomike në vende si Maqedonia, Shqipëria, Serbia [do të fitojnë] mjaft, jo vetëm ekonomikisht por edhe politikisht. [Zonat] sollën mjaft punë të reja në vend, kanë [rritur] sektorin e ndërtimit…dhe do të rritin prirjen e përgjithshme pozitive [në të ardhmen],” i tha SETimesShenaj Haxhimustafa, profesor i financave publike në Universitetin e Evropës Juglindore.

Maqedonia aktualisht ka katër zona teknike industriale: zonat 1 (Bunarxhik) dhe TIRZ 2 në Shkup dhe nga një në Shtip dhe Tetovë.

Investitorët në zonat e lira nuk paguajnë TVSH dhe janë të përjashtuar nga taksa mbi të ardhurat dhe taksa mbi të ardhurat personale për dhjetë vjet që nga fillimi i tyre. Investitorët e huaj në zonat janë gjithashtu të përjashtuar nga pagimi i 5 deri 20 përqind të detyrimeve doganore për importin e mallrave, materialet e papërpunuara dhe pajisjet.

Vlera totale e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara vitin e kaluar në zonat e lira në Maqedoni u rrit nga 29.13 përqind vitin e kaluar, duke arritur në 1.3 milion euro.

Aktualisht në fabrikat e katër zonave punojnë 1,150 njerëz, por ky numër pritet të rritet në 3,500 punonjës në katër vitet e ardhshme,” i tha Mizo SETimes.

“Unë gjeta një punë në zonën ekonomike të Shkupit. Qeshë pushuar më parë nga një kompani shtetërore dhe kisha 8 vjet pa punë. Tani mund të jem i qetë se kam një punë të sigurt në një nga fabrikat,” i tha SETimesStevan Todorovski, nga Shkupi.

Investitorët i shohin zonat e lira ekonomike si një parajsë investimi ku prodhimi është më i lirë.

“Ne e shohim Maqedoninë si një qendër në rritje. Ajo lidh lindjen dhe perëndimin dhe tani Evropën dehe SHBA,” tha Filip Van Hall, CEO i kompanisë Van Hall që ka qenë një fabrikë që prodhon autobusë në zonën e Bunarxhik. Fabrika 20 milion euro punëson 400 deri 500 vetë.

“Zonat do të paraqiten si projekte të suksesshme [nga] autoritetet e tanishme dhe kjo do të jetë arma e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Nga këtu, mund të pritet një lloj stabilizimi i të gjithë shoqërisë,” i tha SETimesKatherinë Kostovska, një sociologe nga Shkupi.

Sipas Drejtorisë së Maqedonisë për Zonat e Zhvillimit Teknologjik e Industrial, plani është të hapen shtatë zona të tjera të lira ekonomike në Prilep, Gevgelija, Strumicë, Kërçovë, Rankovce, Strugë dhe Radovish.

“Zonat do të kontribuojnë në rritjen e ardhshme ekonomike në vendet. Në zonat e reja, ato do të sjellin teknologjitë e reja dhe do të modifikojnë strukturën e eksporteve, por gjithashtu vendet ku ato eksportojnë. me këtë ndryshim, ato nuk do të jenë më të varura nga BE,” i tha Haxhimustafa SET.

Turqia e paguan Iranin me ar

Daljet në sasi të mëdha të arit nga ekonomia turke, të regjistruara në vitet e fundit, kanë shërbyer si formë pagese për gazin iranian, çka është konfirmuar nga Zëvendëskryeministri turk Ali Babacan, njofton sot gazeta “The Wall Street Journal Europe”.

“Kalimi midis dy vendeve në pagesat me ar për furnizimet me gaz vjen si pasojë e sanksioneve të SHBA-ve, të cilat kërcënojnë me masa të ashpra vendet e treta që përdorin dollarin në tregtinë me Teheranin. Kalimi në pagesën me lingota ari i ka mundësuar Ankarasë shmangien e “ndëshkimit” nga Uashingtoni. Një tregti e tillë gjithashtu nuk shkel regjimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit”, – shkruan gazeta.

Për nëntë muajt e parë të këtij viti daljet e arit nga Turqia arritën shifrën rekord prej 10,7 miliardë dollarësh. Në Iran është dërguar ar me një vlerë prej 6,4 miliardë dollarësh. Në bilancin energjetik të Turqisë gazi iranian përbën 18% të burimeve të energjisë.

Bota myslimane thellon bashkëpunimin ekonomik

Liderët e tetë vendeve myslimane janë pajtuar për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe rritjen e bashkëpunimit.

Presidentët e Pakistanit, Iranit, Indonezisë dhe Nigerisë, ashtu si edhe kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe liderët e Egjiptit, Malajzisë dhe Bangladeshit kanë ndjekur samitin e Tetëshes Zhvilluese (D-8) në Islamabad.

Në deklaratën e përbashkët të samitit thuhet se shtetet anëtare të D-8 –ës janë zotuar se do të ndjekin zhvillimin përmes dialogut që kundërshton ndikimin e globalizmit.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, ka marrë përsipër kryesimin e grupit D-8 për dy vjetët e ardhshëm nga homologu i tij nigerian.

D-8 është themeluar në vitin 1997 për të krijuar lidhje më të ngushta ekonomike në mesin e vendeve në zhvillim të botës myslimane. Shtetet anëtare kanë një popullsi të kombinuar prej rreth 1 miliard banorësh.

Rusët po eksplorojnë naftën e Irakut

Pas “Lukoil” që është përfshirë prej kohësh në përvetësimin e vendburimit të lëndës hidrokarbure në Kurna Perëndimore-2 në Irak, në këtë vend po vjen edhe një kompani tjetër ruse“Bashneft”. Në Bagdad u nënshkrua kontrata për eksplorimin me pjesëmarrjen e saj të vendburimeve të hidrokarbureve dhe nxjerrjen e naftës në krahinat e Al-Naxhaf dhe Al-Muthanna.
Këto territore janë pjesë e rajonit të paeksploruar – shkretëtirës Perëndimore me rezervat më të mëdha të naftës në Irak. Kompensimi për naftën e nxjerrë do të përbëjë 5 $ për fuçi, kurse pagesat do të fillojnë kur vëllimi i nxjerrjes të arrijë 25 për qind. Qëndrimi pozitiv i Bagdadit ndaj kompanive ruse mund të shpjegohet me vetë faktin se ato ofrojnë kushtet më të leverdisshme dhe eksplorim cilësor gjeologjik, tha analisti i pavarur rus Dimitri Ljutiagin:
– Në këtë preferencë luan rolin e vet faktori i lidhur me përvojën e kompanive ruse në eksplorimin dhe krijimin e infrastrukturës përkatëse për nxjerrjen e naftës. Plus mundësia e tyre për të tërhequr kapitale në vend . Kompanitë ruse të tilla si “Lukoil” dhe “Bashneft” kanë mjete të mjaftueshme financiare për të dalë në rajone të reja.

Kompanive të huaja, që dëshirojnë të punojnë në një vend si Iraku, në mënyrë të pashmangshme u lindin pyetje në lidhje me rreziqet, me të cilat është e mbarsur kjo punë. Pak kohë më parë Kryetari i Komisionit Kombëtar të Investimeve të Irakut (National Investment Commission of Iraq, NIC) Sami al-Araji deklaroi, se autoritetet e vendit po bëjnë zgjedhjen e vet në favor të rritjes së shitjeve të burimeve të energjisë dhe përmirësimit të klimës së biznesit për tërheqjen e investimeve. Udhëheqësit irakianë janë duke u përpjekur për ta pozicionuar veten si drejtues të besueshëm dhe të përgjegjshëm.

Deklaratat politike, sigurisht, që janë shumë të rëndësishme, por fillimisht duhet parë se sa realisht do të mishërohen ato në jetë, thekson Drejtori i Fondit rus të Zhvillimit të Energjisë Sergei Pikin:

– Nëse kjo gjë arrihet të perceptohet prej udhëheqjes së vendit, atëhere natyrisht shanset ekzistojnë. Dhe vetë fakti që kompanitë po rikthehen në këtë vend dëshmon për atë se ndryshimet po ndodhin tashmë realisht atje, se situata po përmirësohet. Kompanitë ruse tradicionalisht kanë punuar në Irak. Duke pasur parasysh faktin se situata është stabilizuar disi, kjo favorizon vazhdimin e investimeve dhe eksplorimit gjeologjik në këtë vend.

Sipas parashikimeve të ekspertëve, në Irak janë përqendruar rezerva shumë të mëdha nafte. Dhe nuk është aspak rastësi që këtu janë të pranishëm lojtarët kryesore të tregut të naftës. Përsa i përket kompanive ruse, ato janë duke zgjeruar prezencën e tyre në Irak. Përveç “Lukoil” dhe “Bashneft”, kompania ruse “Gazprom-neft” është duke eksploruar dhe zhvilluar gjithashtu vendburimin e hidrokarbureve Badra. Qeveria e Irakut po shqyrton tani çështjen e zëvendësimit të mundshëm të kompanisë amerikane Exxon Mobil me një nga kompanitë ruse në projektin Qurna Perëndimore-1. Se me cilën konkretisht, tani për tani nuk dihet me saktësi. Por nuk përjashtohet mundësia që ajo të jetë “Lukoil”, e cila punon aktualisht në vendburimin Qurna Perëndimore-2.

Vendet myslimane nisin forumin ekonomik

Tetë vendet më të mëdha myslimane kanë nisur sot bisedimet që kanë për qëllim të rrisin lidhjet ekonomike.

Në hapje të takimit, kryeministri i Pakistanit, Raja Pervez Ashraf, ka thënë se aksionet e grupit D-8 në tregun global duhet të arrijnë 500 miliardë dollarë në vitin 2018.
Presidentët e Turqisë, Egjiptit, Indonezisë dhe Nigerisë, së bashku me liderët e Bangladeshit dhe të Malajzisë, do të marrin pjesë në samitin e lidershipit të D-8–ës, të enjten në Islamabad.
Krerët e bankave qendrore të këtyre vendeve do të diskutojnë po ashtu mënyrat e bashkëpunimit.
D-8 është themeluar në vitin 1997 për të krijuar lidhje më të ngushta ekonomike në mesin e vendeve në zhvillim të botës myslimane. /a.online/kohaislame

Eleven përzgjedh vëzhgues për Kosovë

Akseleratori i njohur për biznese të reja nga Bullgaria, Eleven ka njoftuar se Çelik Nimani, Menaxher i Trajnimeve dhe Ngjarjeve në Innovation Centre Kosovo, por edhe përfaqësues i Startup Weekend për Kosovë dhe një prej personave më aktiv në skenën e ndërmarrësisë, do të jetë vëzhgues i talenteve dhe bizneseve të reja në Kosovë, të cilat do të mund t’i referojë më pas direkt në Ditën e Përzgjedhjes.
Vëzhguesit e Eleven, që ka partneritet me akseleratorin në Britani të Madhe Springboard dhe kompaninë e njohur botërore Google, do të gjejnë startups të talentuar dhe t’i referojnë ato tek Eleven, ku secili vëzhgues do të jetë në gjendje të dërgojë një startup direct në një “Eleven Selection Day” që ndodh 3 herë në vit, në të cilin 10 deri në 15 startup prezantojnë për tu pranuar në Eleven.

Eleven investon 25,000 dollarë në 3 muajt e pare të përshpejtimit, dhe më pas mund të ketë edhe 25,000 dollarë investime tjera për 3 muaj tjerë shtesë. Startups gjithashtu mund të marrin investime tjera shtesë në vlerë prej 150,000 dollarë, gjersa punojnë nën kulmin e Eleven që gjendet në Sofie.

Eleven përveç pranisë në nivel ndërkombëtar po shfaq pasionin e saj edhe në përkrahje të startups dh ndërmarrësve në rajon, në mënyrë që të arrijnë sukses global ndërsa Çeliku, shprehet se startups nga Kosova do të kenë rastin që të jenë në një positë edhe më të mire dhe të gjejnë shtegun e duhur për të depërtuar aty ku nuk kanë pasur mundësi të jenë më herët. Në rajon Elevne ka përzgjedhur edhe vëzhgues të tjerë si Bogdan Iordache nga How to Web për Rumani, Vukasin Stojkov bashkë-themelues i SEE ICT për Serbi dhe Ivan Berzak Brkan, themelues dhe redactor i Netocratic për Kroaci.

Si do ta ndryshojë SHBA sektorin energjetik global?

Në pesë vjetët e kaluara, përparimi në nxjerrjen e gazit dhe naftës sintetike e ka revolucionarizuar industrinë e energjisë në SHBA.

Tash, një raport i ri i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji(IEA) me seli në Paris, tregon se sa do të shkundet tregu global energjetik.

Agjencia parashikon në pasqyrën botërore energjetike të lëshuar këtë javë, se SHBA do të bëhet prodhuesi më i madh në vitin 2017, duke e kaluar Rusinë që aktualisht mban vendin e parë dhe Arabinë Saudite në vendin e dytë.

IEA, një organizatë ndërqeveritare që punon për të siguruar furnizime energjetike për më shumë se 28 shtete anëtare perëndimore, gjithashtu parashikon që në vitin 2030, SHBA do të bëhet eksportuesi më i madh i naftës dhe në vitin 2035 do të jetë pothuajse shtet i vetë-mjaftueshëm në energji.

Të gjitha këto përbëjnë një rikthim dramatik të pozicionit aktual të SHBA-së në tregun e energjisë. Sot, SHBA importon më shumë se 20 për qind të nevojave energjetike.

Richard Child, botues në revistën për energji me seli në Londër, “Petroleum Argus,” tha se një kthim i tillë dramatik në pasurinë e SHBA-së do ta ndryshojë tregun global të energjisë.

“Derisa rritet prodhimi amerikan i naftës dhe rritja e kërkesave kufizohet nga përmirësimi i efikasitetit të energjisë – kryesisht përmes karburanteve të makinave- ajo që do të shohim, do të jetë një zhvendosje e importeve të naftës, që përndryshe do të shkonin në SHBA”, tha Child.

Rusia, OPEC-u dhe Evropa janë në mesin e atyre që do ta ndjejnë ndryshimin.

Aktualisht, Evropa është thellësisht e varur në naftën ruse dhe atë të Lindjes së Mesme, sepse alternativa tjetër më e afërt e burimeve të naftës së papërpunuar- Afrika Perëndimore- eksporton kryesisht në SHBA. Por, kur SHBA të ndalojë importimin e naftës së papërpunuar nga Afrika Perëndimore, Evropa do jetë e vetmja që do blejë më shumë.

Kjo, jo vetëm që do t’i ndihmojë diversitetit të burimeve energjetike të Evropës, por, gjithashtu do të bëjë që Rusia dhe OPEC-, të kërkojnë tregje të reja në Azi.

IEA parashikon që në vitin 2035 pothuajse 90 për qind e naftës nga Lindja e Mesme të shkojë në Azi, krahasuar me 60 për qind të sasisë së sotme.

John Mitchell, një ekspert i energjisë në Chatham House me seli në Londër, tha se kjo do të mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të furnizimit të dobët me energji të Azisë.

“Ne tashmë jemi në një situatë kur, suficitet e eksporteve të Lindjes së Mesme nuk janë të mjaftueshme për ta mbuluar deficitin në tregun aziatik”, tha Mitchell.

Diçka, që analistët e industrisë nuk presin të shohin, është shndërrimi i SHBA-së së pasur me rezerva nga të cilat krijohet nafta sintetike, në eksportues të madh të naftës.

Një nga arsyet është ajo ekonomike. Një nga nxitjet e lulëzimit të naftës sintetike janë çmimet e naftës së rëndomtë në mbi 80 dollarë për fuçi, për çka kjo lloj nafte bëhet profitabile.

Nëse prodhuesit e naftës amerikane e mbushin tregun global me naftë, ata do të rrezikojnë që ta ngrisin çmimin e naftës nën këtë nivel të përcaktuar.

Por, ekziston edhe një shqetësim tjetër. Për të shtuar kërkimet për depozitat nga të cilat krijohet nafta sintetike, do të pasojnë shpime të panumërta, sepse disa puse nuk janë produktivë:

“Një pus mesatar në Arabinë Saudite prodhon 26 herë më shumë sesa një në Dakotën Veriore, që është rajoni kryesor me këto rezerva aktualisht”, tha Child.

Kjo nënkupton se SHBA do të konkurrojë me eksportuesit tjerë të mëdhenj, vetë duke zgjeruar kërkimet, të cilat mund të rrisin shqetësimet e ambientalistëve.

“Teknologjia e nxjerrjes është duke u zhvilluar me shpejtësi për të prodhuar metoda që janë më pak të dëmshme, pra ka një përparim teknologjik. megjithatë, mendoj se do të ketë çështje dhe shtete që do të kundërshtojnë hapjen e derës për gërmimin e depozitave për të krijuar naftën sintetike”, tha Mitchell.

Raporti tha se SHBA do të jetë vetëm përkohësisht lider në prodhuesit e naftës në botë.

Në të thuhet se prodhimi i naftës në SHBA do të bie nga kulmi prej 11.1 milionë fuqi në ditë sa do jetë në vitin 2020 në 9.2 milionë në vitin 2035. Ndërkohë, Arabia Saudite parashihet që të prodhojë 12.3 milionë fuçi në vitin 2035, derisa prodhuesi më i madh në botë, Rusia diku mbi 9 milionë fuçi.

Sipas çfarëdo matjeje, do të ketë më shumë naftë në ditë sesa më parë në dekadat e ardhshme.

Por, çmimet do të mbesin të larta për shkak se kërkesa pritet të rritet gjithashtu.

IEA parashikon se rritja prej 1.8 miliardë e popullsisë në botë, duke arritur numrin e përgjithshëm në 8.6 miliardë do të çojë në rritjen globale të kërkesës së naftës për më shumë se 10 për qind në vitin 2035.(a.i.)/rel

Potenciali i industrisë së rëndë

Krijimi i një mjedisi ku industria e rëndë mund të rimëkëmbet, do të rrisë konkurrencën e industrisë në rajon, do të rrisë punësimin dhe do t’i jape shtytje ekonomisë së përgjithshme, vlerësojnë përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

“Ferronikeli”, “Trepça”, “Sharrcemi”, “Llamkosi”, “Fabrika e Tubave”, industria e gomës “Ballkani”, janë vetëm disa kompani, të cilat hyjnë në kategorinë e industrisë së rëndë.

Sipas hulumtimeve të bëra, shfrytëzimi i potencialit të tyre mbetet larg asaj që ato kanë.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku, thotë se Kosova duhet të krijojë politika që bëjnë tërheqje të investimeve të mëdha për industrinë e rëndë.

“Kosova gjatë viteve ‘90 ka kaluar nëpër një proces të de-industrializimit dhe de-investimeve dhe nëse një industri ka pësuar nga ky proces, është industria e rëndë. Tani duhet një politikë që të bëhen investime masive, pasi që nga natyra ato kërkojnë më tepër investime dhe më tepër para, e që fatkeqësisht ne nuk i kemi ato politika”, vlerëson Abdixhiku.
Për të ndihmuar sektorin e industrisë së rëndë, ditë më parë Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë krijuar Komitetin e përbashkët të industrive të rënda.
Qëllimi kryesor i komitetit është që ky sektor të bëhet më konkurrues dhe më produktiv, në zhvillimin ekonomik të vendit, raporton Radio Evropa e lirë.
Drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se potenciali i këtyre industrive të rënda duhet të shfrytëzohet.
“Disa prej problemeve, me të cilat përballen kompanitë e industrisë së rëndë janë ato që lidhen me Ligjin për miniera dhe minerale. Ekzistojnë disa kufizime brenda ligjit, i cili nuk lejon zhvillimin e mirëfilltë ose implementimin e projekteve nga fusha e minierave, ekzistojnë edhe disa kufizime”.
“Ekziston një sistem burokratik i sigurimit të lejeve dhe licencave që parashihet të jepen nga agjenci të ndryshme, të cilat shumë shpesh nuk janë të koordinuara me njëra-tjetrën”, thekson Zeka.
Zeka thotë se Ligji për miniera dhe minerale duhet të lejojë sipërfaqe dhe periudhë më të madhe për eksplorim dhe eksploatim.
Ndërkaq, Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve, sipas Zekës, duhet të shërbejë si “one-stop-shop”, në dhënien e licencave dhe lejeve, si dhe në shpronësime në raste kur një zonë është shpallur si zonë me interes nacional.
Një praktikë e tillë, thekson Zeka, do të ishte në harmoni të plotë me politikat qeveritare për të reduktuar dhe minimizuar burokracinë.
Industria e rëndë në Kosovë, sipas Zekës, krahasuar me atë të rajonit nuk është aspak konkurrente, pasi që, siç thotë ai, vendet e rajonit kanë bërë lehtësira të shumta për këtë sektor.
“Çështje e rëndësishme është se ndërmarrjet e rajonit janë më konkurruese se kompanitë e industrisë së rëndë në Kosovë. Vende e rajonit zbatojnë lehtësira fiskale, mallrat e caktuara të lëndës së parë, të cilat përdoren për industrinë e rëndë, janë të liruara nëpër vendet e rajonit nga detyrimet doganore, derisa kjo ende nuk po ndodh te ne, pavarësisht potencialit që kanë këto industri që duhet të shfrytëzohen”, konsideron Zeka.
Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku, thekson se funksionalizimi i industrisë së rëndë nuk do të mund ta zgjidhte problemin thelbësor të qytetarëve të Kosovës, që është papunësia.
“Kosova ka potencial në këtë drejtim, sidomos në fushën e mineraleve, megjithatë në termat e punësimit për Kosovën është shumë e rëndësishmezhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, meqenëse sado që e funksionalizojmë industrinë e rëndë, problemet e papunësisë me fluksin e tanishëm të fuqisë punëtorëve, nuk do të zgjidhen”, thekson Abdixhiku.

Ndryshe, në një hulumtim të bërë nga Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, thuhet se në të kaluarën në strukturën e përgjithshme ekonomike, metalurgjia merrte pjesë me 25.1 për qind, në kuadër të saj, metalurgjia e zezë 13.3 për qind dhe përpunimi i metaleve -17.6 për qind.
“Sado që kjo ishte një strukturë e rëndë, megjithatë, ato kishin ndikim të madh në bilancin tregtar të Kosovës, pasi që në shkëmbim me jashtë metalurgjia e zezë merrte pjesë 8 deri 30 për qind, makinat dhe aparatet elektrike 31 – 28 për qind, përpunimi i kauçukut – goma 4.1 për qind – 6.0 për qind etj”.
“Për më shumë, kjo industri kishte shtrirje në tërë vendin, çka do të thotë se ka pasur ndikim edhe në zhvillimin harmonik të tij”, thuhet në hulumtimin e kësaj organizate.kohaislame

Rënie në tregjet evropiane,arsyeja?SHBA dhe Greqia!

Rënie pësoi indeksi ndër-evropian FTSEurofirst 300,për arësye të pasigurisë në situatën fiskale të SHBA-së,por edhe nga zhvillimet e fundit,kryesisht rreth Greqisë,në pritje të takimit të Eurogrup-it ditën e martë.

Indeksi ndër-evropian pësoi një rënie rreth 1%,duke arritur në 1 068,34 pikë.

Rënie pësoi dhe indeksi i përgjithshëm dhe në shumë tregje evropiane.

-Në Londër indeksi i përgjithshëm pësoi rënie rreth 1,27%.
-Në Frankfurt indeksi XEDRA D pësoi rënie rreth 1,31%.
-Në Paris indeksi CAC 40 pësoi rënie rreth 1,21%.

/BS/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
23.5 ° C
23.5 °
23.5 °
69 %
0kmh
0 %
Sun
36 °
Mon
36 °
Tue
36 °
Wed
28 °
Thu
22 °