Ballina Blog

A bën me e marr internetin me wireless  prej komshiut pa e pyet atë, a është haram një punë e tillë?

Përgjigja e kësaj pyetje lidhet me njohjen e rrethanave të pronarit të internetit.
  1. Nëse pronari i internetit është i njoftuar se wireless-i mund të mbyllet me shifër, mirëpo qëllimisht e le të hapur, atëherë themi se lejohet ta përdorë komshiu i tij pasi që nënkuptohet se pronari s’ka asgjë kundër.
  2. Nëse pronari i internetit nuk është i njoftuar se wireless-i i tij mund të mbyllet me shifër, atëherë nuk lejohet të përdoret nga të tjerët sepse është pasuri e huaj që s’guxon ta përvetësosh pa të drejtë dhe pa marr leje prej pronarit.
  3. Në raste kur nuk i dimë rrethanat e pronarit të internetit, atëherë veprimi më i shëndoshë është të ruhemi dhe të mos përdorim wireless-in e tjetërkujt sepse siç ka thënë i Dërguari, salallahu alejhi ve selem “kush ruhet nga gjërat e dyshimta, ai ka ruajtur fenë dhe dinjitetin e tij”

Burimi: albislam.com

10 SEKRETE PËR NJË JETË PA BORXHE

1. Shpenzo më pak se sa fiton. Një rregull i vogël, por më i vështirë se një mal për ta bart mbi supe. Nëse shpenzon më shumë se sa fiton, do të futesh në varrezat e borxheve.

2. Mos i ble gjërat dytësore (luksi), duke u privuar nga gjërat themelore. Një telefon i shtrenjtë ose një makinë e shtrenjtë mund të të rrëmbejë fitimet e tua dhe të të shpie drejt borxheve për të paguar faturat.

3. Bëj kursim si zakon, jo si vendim të rastësishëm. Mos prit fundin e muajit për të parë se çfarë të ka mbetur.

4. Mbyll derën e borxheve të reja. Çdo borxh i ri pa shlyer atë të vjetrin është kurth dhe zinxhir në këmbët e tua. Çlirimi nga to arrihet kur thua “Jo” pa dyshim.

5. Ndërto një fond emergjence. Një sëmundje apo sfidë e vogël mund të të detyrojë të hysh në borxh. Fondi emergjent nuk është luks, por armë shpëtimi.

6. Bëje parën të punojë për ty. I varfëri punon për paratë, kurse i pasuri bën që paratë të punojnë për të. Investo, edhe nëse është pak – logjika e investitorit nuk njeh borxhe.

7. Mos u mashtro nga formalitetet e rreme. Çdo hap për t’u lavdëruar para të tjerëve me dukjen tënde është një hap drejt varfërisë.

8. Hap rrugë të reja financiare. Mbështetja vetëm në një burim financimi është si të mbështetesh në një shkop të thyer. Kërko burime të reja sot, qofshin edhe të vogla, që nesër të bëhen të mëdha.

9. Ndrysho qasjen ndaj parave. Paraja nuk është armiku yt, as lojë për formalitete. Paraja është fuqi – mund ta përdorësh për lirin ose për robërin tënde.

10. Borxhet nuk ti sjell askush në jetë, por janë rezultat i zgjedhjeve të tua.

Përblodhi dhe përshati: Rashit ZYLFIU

A lejohet të mbajë fitimin nga bixhozi pas humbjes?

Pyetja:

Ekziston një aplikacion për baste, ku thuhej se nëse depoziton një shumë të caktuar, të jepet një shpërblim i madh. E depozitova shumën, dhe qëllimi im ishte të mos luaja asnjë bast; doja të merrja shpërblimin dhe t’ia dhuroja ndonjë spitali. Mendova: edhe nëse është haram, unë nuk do ta mbaj paratë për vete dhe nuk kërkoj shpërblim për këtë. E konsiderova se spitalet dhe pacientët kanë më shumë nevojë sesa aplikacioni i basteve.

Pasi depozitova shumën, nuk më dhanë shpërblimin. Për të tërhequr paratë e mia, ishte e nevojshme të luaja një bast. Luajta dhe humba disa herë, por vazhdova derisa riktheva shumën që kisha depozituar, me një shtesë të vogël. Sidoqoftë, tërhoqa vetëm shumën që kisha depozituar, pa marrë asnjë fitim shtesë, dhe lashë shtesën në aplikacion. Më pas, e fshiva aplikacionin.

A është bërë haram kjo shumë që kisha depozituar? Deri tani nuk kam shpenzuar asgjë prej saj dhe e kam vendosur në një llogari të veçantë. Nëse është haram, çfarë duhet të bëj me këtë shumë?

Përgjigja:

Së pari:

Është e ndaluar të hysh në baste, edhe nëse qëllimi është që fitimet e tepërta t’u jepen të varfërve ose të sëmurëve, sepse kumari është i ndaluar, dhe ajo që është haram nuk bëhet e lejueshme për arsye të tilla. Përndryshe, do të legjitimonim marrëveshjet e ndaluara për të marrë fitimet dhe për t’ua dhënë të varfërve, gjë që nuk është e pranueshme. Pejgamberi ﷺ ka urdhëruar të derdhet vera që ishte trashëguar nga jetimët dhe nuk e lejoi që të shndërrohej në uthull, e aq më pak të shitej për hebrenjtë apo të tjerët.

Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të)se: “Ebu Talha pyeti Pejgamberin ﷺ për jetimët që kishin trashëguar verë. Pejgamberi tha: ‘Derdhe!’ Ai pyeti: ‘A mund ta kthej në uthull?’ Profeti u përgjigj: ‘Jo.’1

El-Khatabi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kjo është një dëshmi e qartë që trajtimi i verës për ta shndërruar në uthull nuk lejohet. Nëse kjo do të ishte e lejueshme, atëherë prona e jetimëve do të kishte më shumë përparësi, për shkak të detyrimit për ta ruajtur dhe shtuar. Por Pejgamberi ﷺ ndaloi humbjen e pasurisë, dhe derdhja e saj përfaqëson humbje. Kështu, u kuptua që trajtimi i saj nuk e pastron atë dhe nuk e kthen atë në një pronë të vlefshme në asnjë rast.”2

Për ndalimin e kumarit, Allahu në Kuran thotë:

O ju që keni besuar, vërtet vera, bixhozi, altarët (e idhujve) dhe shigjetat (për short) janë ndyrësi prej veprave të djallit, ndaj shmanguni atyre që të jeni të shpëtuar.”     (El-Maide: 90)

Pejgamberi ﷺ gjithashtu ka thënë:
Kushdo që i thotë mikut të tij: ‘Eja të luajmë bixhoz,’ le të jep lëmoshë.3

Ibn Haxher el-Hejtemi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Kumari është nga mëkatet e mëdha, qoftë ai i pavarur ose i shoqëruar me lojëra të tjera të ndaluara. Arsyeja e ndalimit të tij është sepse përfshin përvetësimin e pasurisë së të tjerëve padrejtësisht, gjë që Allahu e ndalon në ajetin: ‘’Mos e përvetësoni pasurinë tuaj në mënyrë të padrejtë.’’4

Përfundimisht, duhet të pendohemi tek Allahu për atë që është bërë dhe të marrim vendimin që të mos e përsërisim më kurrë.

Së dyti:

  1. Pasuria që ke humbur në kumar është e humbur dhe nuk mund të
  2. Pasuria që ke tani dhe që është fituar nga kumari konsiderohet si haram.

Çfarë të bësh me këtë pasuri?

  • Kjo pasuri duhet të hiqet duke ia dhënë të varfërve, të sëmurëve ose duke e përdorur për interesa publike.
  • Nëse ke qenë injorant për ndalimin e kësaj vepre dhe ke menduar se ishte e lejueshme, atëherë mund të mbash atë që ke rikthyer, bazuar në fjalën e Allahut:

E kushdo që i vjen këshillë nga Zoti i tij dhe heq dorë, atëherë atij i takon ajo që ka marrë më parë.” (El-Bekare: 275)

  • Nëse je në nevojë të madhe për atë pasuri, atëherë lejohet të marrësh aq sa të mbulosh nevojat e tua bazike.

Allahu e di më së miri.

Referenca online https://islamqa.info/ar/ pyetja nr. 537170

Përktheu dhe përshtati: Sejfulla Sejfuli / https://www.rizgjimi.com/

 

  1. Ebu Davudi (3645) dhe Tirmidhiu (1293),Ky hadith është vlerësuar i saktë nga Albani ↩︎
  2. Shih: Me’alim es-Sunen, 4/263 ↩︎
  3. Transmeton Buhariu ↩︎
  4. Shih: Ez-Zeuaxhir ‘an Iktiraf el-Kebair, 2/328 ↩︎

Aksidentet e Automjeteve

Përplasjet e automjeteve – Aksidentet rrugore

Paraqitja e Çështjes: Nëse ndodh një aksident për shkak të përdorimit të automjeteve, cilat janë dispozitat që rrjedhin prej tij, qoftë në lidhje me personat apo pronën? Kush është përgjegjës për dëmin e shkaktuar? A konsiderohet ky veprim i qëllimshëm apo i paqëllimshëm (gabim)? A mban përgjegjësi shoferi për atë që ka ndodhur, pavarësisht nga qëllimi apo vullneti i tij?

Gjykimi i Çështjes: Akademia e Fikhut Islam e ka marrë në shqyrtim këtë çështje pasi ka konstatuar shtimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e rreziqeve të tyre për jetën dhe pronat e njerëzve. Por nisur edhe nga interesi i përgjithshëm (maslaha), që kërkon vendosjen e rregullave në lidhje me licencimin e automjeteve, mënyrën si përmbushen kushtet e sigurisë, siç janë gjendja teknike e pajisjeve, rregullat e transferimit të pronësisë, lejet e drejtimit dhe masat e duhura paraprake duke dhënë leje drejtimi me kritere të veçanta për moshën, aftësinë, shikimin, njohjen e rregullave të trafikut, respektimin e tyre, caktimin e shpejtësisë së arsyeshme dhe ngarkesës. Akademia vendosi si më poshtë:

Së pari:

A – Respektimi i këtyre rregulloreve, të cilat nuk bien ndesh me dispozitat e Sheriatit Islam, është obligim (uaxhib) sipas Sheriatit, sepse është pjesë e bindjes ndaj prijësit (ulul-amr) në atë që ai rregullon, bazuar në parimin e interesit të përgjithshëm (maslaha mursala). Këto rregullore duhet të përfshijnë dispozitat e Sheriatit që zbatohen në këtë fushë.

B – Ndër kërkesat e interesit të përgjithshëm është edhe vendosja e rregulloreve frenuese në të gjitha format e tyre, duke përfshirë sanksionet financiare, për ata që shkelin udhëzimet e trafikut, me qëllim që të pengohen ata që rrezikojnë sigurinë e njerëzve në rrugë, tregje dhe të shkaktojnë dëme te pronarët e automjeteve dhe mjeteve të tjera të transportit, duke marrë parasysh dispozitat e ndalimit të së keqes të vendosura nga Sheriati.

Së dyti:

Aksidentet që vijnë si pasojë e qarkullimit të automjeteve u nënshtrohen dispozitave për krimet (xhinajet) të përcaktuara në Sheriatin Islam. Edhe pse në shumicën e rasteve ato janë të paqëllimshme (gabim), shoferi është përgjegjës për dëmin që i shkakton të tjerëve, qoftë dëm shëndetësor apo material, nëse plotësohen elementet e tij (gabimi dhe dëmi). Ai nuk përjashtohet nga kjo përgjegjësi, përveçse në rastet e mëposhtme:

A – Nëse aksidenti ka ndodhur si pasojë e një force madhore që ai nuk mund ta parandalonte dhe nga e cila ishte e pamundur të mbrohej. Kjo përfshin çdo çështje të jashtëzakonshme që është jashtë kontrollit të njeriut.

B – Nëse aksidenti është shkaktuar nga veprimi i palës së dëmtuar dhe ky veprim ka qenë faktori kryesor në shkaktimin e pasojës.

C – Nëse aksidenti është shkaktuar nga gabimi i një pale të tretë, atëherë pala e tretë mban përgjegjësinë.

 

Së treti:

Dëmet e shkaktuara nga kafshët shtëpiake të lëna pas dore nëpër rrugë, si rezultat i aksidenteve rrugore, duhet të kompensohen nga pronarët e tyre nëse ata kanë qenë neglizhentë në mbikëqyrjen e tyre. Zgjidhja e çështjes i takon gjykatës.

Së katërti:

Nëse në shkaktimin e dëmit marrin pjesë bashkërisht shoferi dhe i dëmtuari, përgjegjësia për dëmin e shkaktuar ndahet mes tyre, në varësi të dëmit që secili i ka shkaktuar tjetrit, qoftë në vetë personit apo pasurisë.

Së pesti:

A – Parimi bazë është se shkaktari i drejtpërdrejtë është përgjegjës (për kompensim), edhe nëse nuk ka pasur qëllim. Ndërsa shkaktari jo i drejtpërdrejtë nuk mban përgjegjësi, përveç rasteve kur ka vepruar me dashje ose ka qenë neglizhent.

B – Nëse shkaktari i drejtpërdrejtë vepron bashkë me atë jo të drejtpërdrejtë, përgjegjësia i takon shkaktarit të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur shkaktari jo i drejtpërdrejtë ka vepruar me dashje dhe ai i drejtpërdrejti jo.

C – Nëse bashkohen dy shkaqe të ndryshme, ku secili prej tyre ka ndikuar në shkaktimin e dëmit, atëherë secili prej dy shkaktarëve mban përgjegjësi sipas masës së ndikimit të tij në dëm. Nëse masa e ndikimit të secilit prej tyre është e barabartë ose nuk dihet, atëherë përgjegjësia ndahet mes tyre në mënyrë të barabartë.

 

Burimi: el-Meusuatu el-Mujesere fil fikh el-Kada uel Alakat ed-Deulije 9/255.

/https://lidhjaehoxhallareve.com/

Si e shkatërron droga individin dhe shoqërinë?

Pse droga është e ndaluar?

Përgjigje:

Qëllimet bazike të Islamit përfshijnë ruajtjen e fesë, të shpirtit njerëzor, të nderit, të mendjes dhe të pasurisë. Çdo substancë ose veprim që dëmton ndonjërën nga këto pesë shtylla konsiderohet i ndaluar në Islam.

Armiqtë e Islamit dhe të njerëzimit kanë luftuar kundër kësaj feje dhe janë përpjekur të largojnë muslimanët nga feja e tyre nëpërmjet mjeteve të ndryshme. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Të pyesin ty për luftën në muajt e shenjtë. Thuaj: ‘Lufta në to është mëkat i madh, por ndalesa nga rruga e Allahut, kufri në Të, pengimi nga Mesxhidul-Haram dhe dëbimi i banorëve të tij janë më të mëdha tek Allahu. Fitneja (kufri) është më e rëndë se vrasja.’ Ata nuk do të pushojnë së luftuari kundër jush derisa t’ju kthejnë prej fesë suaj, nëse munden. Dhe kushdo nga ju që kthehet nga feja dhe vdes si jobesimtar – atyre u janë prishur veprat në këtë botë dhe në botën tjetër…” (Bekare 217)

Armiqtë e Islamit e dinë mirë se burimi i vetëm i forcës së muslimanëve është përkushtimi i tyre ndaj Islamit. Prandaj ata përdorin mjetet më të ulëta dhe djallëzore për të kontrolluar dhe prishur, sidomos rininë. Ata e dinë se mënyra më e shpejtë për të shkatërruar të rinjtë muslimanë është përmes armës së epsheve: gratë joshëse, alkooli dhe droga.

Më e keqja dhe më efikasja nga këto ka qenë arma e drogës, sepse është e drejtuar ndaj zemrës së umetit dhe mburojës së tij mbrojtëse – të rinjve, të cilët mbajnë mbi supe përgjegjësinë për të mbrojtur dhe zhvilluar umetin në rrugën e përparimit. Kur të rinjtë shkatërrohen, i gjithë umeti shkon drejt shkatërrimit, dhe bëhet një pre e lehtë për këdo që dëshiron të shfrytëzojë burimet dhe pasuritë e tij.

Islami ndalon përdorimin e të gjitha llojeve të dehësve, qoftë në formë pijesh, tabletash, pikash, substancash që thithen, injeksionesh etj.

Thotë Allahu (subhanehu ue teala):

Ata që ndjekin të Dërguarin, Pejgamberin analfabet, të cilin e gjejnë të shkruar tek ata në Teurat dhe Inxhil , ai i urdhëron për të mirën, dhe i ndalon nga e keqja, u lejon atyre gjërat e mira dhe ua ndalon të ndyrat, u lehtëson barrët e rënda dhe zinxhirët që ishin mbi ta. Pra, ata që besojnë në të, e nderojnë, e ndihmojnë dhe ndjekin dritën që i është shpallur (Kur’anin), ata janë të shpëtuarit.” (A’rafë 157)

Dhe nuk ka dyshim se drogat hyjnë te gjërat e ndyra që Islami i ka ndaluar.

Allahu i Madhërishëm thotë : “O ju që besoni! Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të padrejtë, përveç nëse është tregti me marrëveshje të ndërsjellë. Dhe mos e vrisni vetveten (dhe mos vrisni njëri-tjetrin). Me të vërtetë, Allahu është i mëshirshëm ndaj jush.” (Nisa 29)

Poashtu edh shkenca ka vërtetuar se përdorimi i drogës çon në vdekje dhe mvarësi që është shkatrimtare si për individin, por edhe më gjerë.

Ummu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton:

“Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) e ndaloi çdo gjë që deh ose bën njeriun të paaftë për të menduar (ose që mpin trurin).” (Imam Ahmedi)

Dijetarët muslimanë ndër shekuj kanë dënuar përdorimin e substancave dehëse dhe halucinogjene dhe kanë dhënë fetva për ndalimin e tyre, thotë ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë):“Hashashi (kanabisi) është i ndaluar, qoftë edhe nëse nuk e humb plotësisht mendjen. Ai është më i merituar të ndalohet se sa alkooli, sepse dëmi i tij është më i madh.”

Përmblodhi: Enis Arifi / https://www.rizgjimi.com/

Roli dhe aftësitë e një prijësi fetar si lider social

Në shoqëritë e shumta, roli i prijësve fetarë ka qenë dhe mbetet  pjesë thelbësore e strukturës sociale dhe kulturore. Në këtë artikull, do të hulumtojmë rolin e një prijësi fetar, veçanërisht të një imami, si një lider social dhe se si ato aftësi dhe karakteristika e bëjnë atë të përshtatshëm për këtë rol të rëndësishëm. Për këtë qëllim, do të analizojmë një rast-studimor të një imami të një xhamie të një qyteti të mesëm, duke shqyrtuar se si ai e ushtron lidershipin social dhe si mund të kultivohen këto aftësi në zbatimin e detyrave të një lideri social.
  1. Ndërtimi i lidhjeve dhe bashkëpunimi: Një imam shpesh e fillon rolin e tij duke ndërtuar lidhje të ngushta me komunitetin e tij. Kjo përfshin të qenit i pranishëm në evente familjare dhe sociale, të vizitojë familjet në momente të vështira dhe të ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve. Në rastin tonë-studimor, imami vëmendje të veçantë i jep të qenit pjesë e jetës së përditshme të banorëve të xhamisë dhe të përqendrohet në forcimin e lidhjeve mes tyre.
  2. Komunikimi efektiv: Aftësia për të komunikuar me efektivitet është thelbësore për një lider social. Një imam i suksesshëm duhet të jetë në gjendje të komunikojë mesazhe të rëndësishme morale dhe fetare në mënyrë që të arrijë të kuptoj, të kuptohet dhe të ndikojë në mendimin dhe veprimet e të tjerëve. Duke përdorur këto aftësi, imami ynë në rastin e studimor ka arritur të motivojë komunitetin për të marrë pjesë në veprimtari sociale, të cilat kanë pasur një impakt pozitiv në mjedisin e tyre.
  3. Zhvillimi i besimit dhe ndihma morale: Një imam shpesh luan rolin e një këshilluesi dhe mbështetësi në kohëra të vështira për anëtarët e komunitetit. Përmes predikimeve të tij dhe ndihmës së individëve në kohëra të vështira, ai mund të ndërtojë një marrëdhënie të ngushtë me besimtarët dhe t’i ndihmojë ata të përballen me sfidat e tyre personale dhe shoqërore.
  4. Përfaqësimi i drejtësisë dhe barazisë: Një imam i suksesshëm duhet të përfaqësojë vlera të drejtësisë dhe barazisë në shoqëri. Duke folur kundër padrejtësive dhe duke përkrahur drejtësinë sociale, ai mund të ndërtojë besim në rolin e tij si një lider që i përfaqëson interesat e gjithë komunitetit, duke ndihmuar në përmbushjen e nevojave të të varfërve dhe të shtypurve.
  5. Përkushtimi për zhvillimin e komunitetit: Një imam i shquar është i përkushtuar për zhvillimin e përgjithshëm të komunitetit të tij. Kjo përfshin edhe angazhimin për të adresuar çështje si arsimi, shëndetësia, dhe punësimi në nivel komunitar. Në rastin tonë-studimor, imami ka organizuar fushata për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin, për edukimin në mesin e anëtarëve të komunitetit dhe për çasjen në tregun e punës dhe në ekonomi.

Për të kultivuar lidershipin social në rolin e një prijësi fetar, është e rëndësishme që individët të punojnë në zhvillimin e aftësive komunikuese, të ndërtojnë lidhje të forta me komunitetin, të angazhohen në ndihmën morale dhe të përfaqësojnë vlerat e drejtësisë dhe barazisë. Duke mbajtur përparësitë e këtyre aftësive dhe karakteristikave në mendje, një imam mund të jetë një lider social i shquar, duke u angazhuar në përmirësimin e jetës së komunitetit të tij dhe duke ndihmuar në ndryshimin pozitiv të shoqërisë në tërësi.

Izolimi i së keqes

Ligji i Zotit xh.sh. në këtë botë është që konflikti ndërmjet së vërtetës dhe përkrahësve të saj nga njëra anë, dhe gënjeshtrës dhe përkrahësve të saj nga ana tjetër, të mbetet i ndezur deri në Ditën e Kiametit. Që kur Ademi a.s. dhe gruaja e tij zbritën nga Xheneti, shejtani zbriti me ta, në cilësinë e përgjegjësit kryesor për përhapjen e së keqes.

Ekzistimi i mundësisë për të kryer një vepër të keqe dhe për të rënë në vese përbën një aspekt të rëndësishëm të sprovës së Zotit xh.sh. ndaj robërve të Tij. Sa herë që njerëzimi përparon drejt zhvillimit dhe qytetërimit, aq më shumë zgjerohen mundësitë përpara përkrahësve të së mirës dhe përkrahësve të së keqes. Por, duke qenë se jemi duke jetuar nën hijen e një qytetërim ateisto-materialist, atëherë zbulimi i mundësive dhe hapësirave për përhapjen e mirësisë kërkon një lloj kreativiteti, përkundër të keqes e cila na troket në dyer dhe shpesh hyn edhe pa leje!

Përvoja jonë e kaluar në rezistencën ndaj së keqes bazohej në ndalimin, qortimin, shëmtinë dhe ndëshkimin e njerëzve të këqij. Kjo metodë kërkohet ende që të praktikohet, por, përvoja historike na ka mësuar se nëse presioni shoqëror nuk shoqërohet me edukim të mirëfilltë dhe zhvillim më të mirë të motivimit të brendshëm (ndërgjegjes), atëherë efektet e tij do të jenë më afër negative sesa pozitive. Sepse kjo metodë mundëson të formojmë-edukojmë një shoqëri e cila në dukje të parë dhe të jashtme është e përkushtuar, e drejtë dhe në pajtueshmëri me parimet e Sheriatit, por brendësia dhe esenca e saj është një shoqëri e devijuar dhe imorale.

Nëse duam trajtim-shërim të qartë të devijimit, atëherë kjo çështje kërkon një trajtim të bazuar me butësi, tërheqje dhe mirëkuptim, si dhe një përdorim minimum të forcës.

Çështja e përparimit dhe qytetërimit ndikon në zgjerimin e hapësirës së lirisë personale për secilin individ, dhe kështu ajo që, në të kaluarën, mendohej të ishte një gjë me interes të përgjithshëm e që ndikon në jetën shoqërore për këtë arsye edhe ke mundur ta kritikosh – sot është bërë çështje individuale.

Në ditët e sotme po dalin zakone të cilat e bëjnë të padëshirueshme që fqinji të këshillojë fqinjin e tij ose, që një person ta këshillojë të afërmin e tij. Prandaj, hapësira për të folur për izolimin e së keqes po ngushtohet dita-ditës. Me këtë tkurrje, parimi i madh islam (urdhri për të mirë dhe ndalimi nga e keqja) fillon të vyshket e të humbasë logjikën dhe përkrahësit e tij në mënyrë të frikshme dhe të turpshme!

Në të kaluarën, një numër i madh i myslimanëve mbështeteshin te shteti për të frenuar të keqën dhe për të kufizuar përhapjen e devijimit, pasi ai ishte i vetmi organ me një autoritet të njohur parandalues dhe të organizuar. Shteti në fakt po bënte diçka për këtë, por ne duhet të vërejmë një sërë gjërash, prej tyre: Kur shteti është legjitim, ai mund të zvogëlojë shumë përhapjen e së keqes, por siç e përmenda pak më parë, parandalimi i së keqes me forcë ka pak dobi nëse nuk shoqërohet me veprime udhëzuese pozitive.

Ne e dimë që shumë devijues janë kthyer në kriminelë të mëdhenj pasi që ata janë burgosur me një grup të përfshirë në krim apo me persona me të kaluar kriminale.

Ndërsa, nëse shteti nuk ka legjitimitet ose nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes së popullit, atëherë aftësia e tij për të mbrojtur moralin publik dhe për të ruajtur shoqërinë është pothuajse inekzistente. Sepse ai vetë ka nevojë për shumë riparim.

Ekziston një pikë e rëndësishme që ne zakonisht nuk i kushtojmë vëmendje, fjala është për atë se të kërkosh nga shteti të ndërhyjë më shumë për të mbrojtur moralin, etikën dhe zakonet e mira, kjo automatikisht do të thotë t’i japësh atij më shumë autoritet dhe ndikim për të ndërhyrë në jetën e njerëzve. Si rezultat, kjo kërkon zgjerim të aparatit shtetëror, dhe një gjë e tillë nuk është as në interes të tij dhe as në interes të popullit të tij.

Shteti është si zemra dhe mëlçia, nëse zmadhohet, prishet dhe nëse prishet, zmadhohet. Kishte të drejtë kur njëri tha: Shteti është rezultat i gabimeve tona, ndërsa shoqëria është rezultat i virtyteve tona.

Një shoqëri e virtytshme sipas vizionit islam është ajo që kryen shumicën e punëve të saj pa kërkuar ndihmë nga ndonjë pushtet apo autoritet, sepse është e vetëmjaftueshme me iniciativat, institucionet dhe lidhjet e saj civile dhe popullore.

Besoj se tani kemi arritur në pikën esenciale çka duam të themi përmes kësaj trajtese. Bota, sot po jeton në një gjendje unike të presionit dhe rivalitetit konkret, dhe në një gjendje të tillë vlera e veprimit maksimalizohet, ndërsa pesha e fjalës venitet. Gjithashtu, bollëku i joshjeve dhe stimujve për t’u përfshirë në punët e kësaj bote ka dobësuar aftësinë e njerëzve për t’u rezistuar epsheve, ashtu siç ka dobësuar frikën e tyre për jetën e përtejme dhe për botën reale në përgjithësi.

Në të ardhmen, inkurajimin, influencën, pengimin dhe dekurajimin (në masën më të madhe) do ta ketë ambienti, atmosfera, kontekstet e ndryshme dhe rrethanat e përgjithshme. Një mjedis i mirë ndikon në personalitetin e njeriut në mënyrë të (pa vetëdijshme) dhe redukton pa probleme prirjet drejt së keqes në mënyrë të sistemuar.

Marrëdhëniet-kontekstet e mira ndërtohen përmes mijëra veprave dhe nismave të mira, dhe për këtë arsye ata që predikojnë dhe që janë dertli për të ardhmen e popullit duhet të mendojnë në mënyrë serioze dhe praktike se si të kenë një prani të shkëlqyer në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet.

Natyra, siç thonë ata, e urren vakumin. Prandaj, duhet ta kemi në konsideratë se çdo vakum politik, edukativ, ekonomik apo mediatik … që nuk plotësohet nga njerëz të drejtë dhe kompetent, do të mbulohet në mënyrë të jashtëzakonshme nga të tjerët.

Në këtë aspekt ne mund të mësojmë nga lëvizja hebreje në botë më shumë se një mësim elokuent, pasi ata ishin në gjendje që me një heshtje mahnitëse dhe me punë të zellshme të transformoheshin, nga një pakicë e persekutuar dhe e urryer në një pakicë dërrmuese, të frikësuar dhe kontrolluese. Dhe sado që themi në lidhje me favorizimin e Perëndimit ndaj tyre, është gjithashtu e vërtetë se ata kanë demonstruar një zgjuarsi të rrallë në organizim, planifikim dhe përpjekje të vazhdueshme në shqyrtimin e pikave të forta dhe pikave mbështetëse, shto kësaj ndjenjën e tyre të hershme ndaj rëndësisë së shkencës në ndërtimin e ndikimit.

Kur ke një shkallë të lartë kompetence, rritet numri i njerëzve që kanë interes për ty si dhe numri i atyre që kanë nevojë për ty. Nëpërmjet nevojës së tyre për ju, ata ju japin mundësinë dhe rastin që të keni ndikim tek ata dhe të jenë efektiv. Edhe armiqtë tuaj janë të detyruar t’ju paraqiten si dashamirë, për të përfituar nga ju.

Mbushja e zbrazëtirës dhe krijimi i një ndikimi të veçantë kërkon një sërë gjërash të rëndësishme, prej tyre:

  1. Aftësi ose kualifikim të lartë, shumica e këtyre aftësive vijnë nga mësimi i mirë, specializimi, trajnimi i shkëlqyer dhe këmbëngulja në fitimin e përvojës.
  2. Ndershmëria, integriteti dhe ndjenja e përgjegjësisë morale nga ana e personit për punën që i besohet.
  3. Sakrifica dhe krijimi i shprehisë së dhënies me qëllim të pritjes së shpërblimit nga Zoti i Madhëruar.
  4. Arti i dallimit ndërmjet thelbësores dhe dytësores, ndërmjet sëmundjes dhe simptomave të saj. Besoj se përhapja e të këqijave në shoqëritë islame është për shkak të një sërë arsyesh thelbësore, prej tyre: dashuria ndaj kësaj bote, edukimi i dobët familjar, dobësimi i imanit dhe aspektit shpirtëror, refuzimi për të lexuar dhe vazhdueshmëria për të mësuari, mos efikasiteti i ligjeve dhe i sistemeve administrative.
  5. Ndjenja e përgjegjësisë fetare përballë përhapjes së veprimeve të neveritshme dhe shtrirjes së akteve të pamoralshme, lidhur me këtë mund të meditojmë rreth ajetit kuranor ku Allahu xh.sh. ka thënë:

“Ata që mohuan të vërtetën nga Beni Israilët, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua sepse kundërshtuan dhe e tepruan. Ata ishin që nuk ndalonin njëri tjetrin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar.” (El Maide, 78-79).

Ndërsa prej haditheve, hadithi që transmetojnë imamët Buhariu dhe Muslimi, se Pejgamberi a.s. një ditë kishte shkuar i frikësuar te Zejnebja e bija e Xhahshit r.a. duke thënë:

“Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, mjerë për arabët nga sherri- e keqja që është ofruar”

Zejnebja me këtë rast e pyeti Pejgamberin a.s. duke i thënë:
“O i Dërguari i Zotit, a do shkatërrohemi nëse në mesin tonë ka të mirë?”

Pejgamberi a.s. iu përgjigj duke thënë:
“Po, nëse e keqja është më e madhe.”

Sikur në çdo epokë, edhe në epokën tonë, indirektja do ta ketë ndikimin më të madh sesa ajo që është direkte. Pengimi i ndonjë fenomeni nëpërmjet veprimit është më i fuqishëm sesa përmes fjalës. Gjithashtu lëvizja pozitive është më e rëndësishme sesa një pozicion i zbehtë protestues. Qëllimet e mira dhe aktiviteti intensiv kanë vlerë në çdo kohë, nuk ka shpërblim për virtytin e sinqeritetit përveç suksesit të bekuar.


Prof. dr. Abdulkerim Bekkar
Përktheu: Mr. Vedat Shabani

Si ndodhi që familja të jetë viktima e parë e liberalizmit dhe teknologjisë?

Gjatë ligjërimit tim para studentëve për kohën e Revolucionit Industrial, përskaj efekteve pozitive që dha ky revolucion në zhvillimin ekonomik, tekniko-teknologjik, urbanizimin, arsimimin, braktisjen e zakoneve dhe zhbërjes së familjes klasike për llogari të ligjit abstrakt dhe familjes moderne, gjithmonë ua potencojë edhe efektet anësore. Ndër ta i numëroj divorcet, alkoolizmin, prostitucionin dhe shtresimet e mëdha shoqërore, që prodhuan lum proletariatin, i cili u ngrit në revolucione deri në përmbysjen e një sistem politik, për ta sjellë komunizmin. Për ta kontekstualizuar me kohën në të cilën jetojmë, i pyes: me çfarë sfida ballafaqohemi sot? Cilat janë përfitimet dhe çka mund të jenë pasojat negative nga interneti dhe Inteligjenca Artificiale (IA)? Si do të ndikojë IA në rregullimin shoqërorë dhe më gjerë? Çka mendoni për idenë e profesorit Varufakis se Inteligjenca Artificiale do të na feudalizojë?

Në frymën e kësaj që u tha do të mundohem të pasqyroj situatën në shoqërinë shqiptare në kohën e transformimit të madh që ndodhi me kalimin nga një sistem komunist në një sistem pluralist, kur demokracia liberale është pranuar si vlerë pa të cilën nuk mund të ecim në rrugën e “shpëtimit”, UE-në si qëllim të fundit. Të entuziazmuar nga efektet pozitive që i solli demokracia, u dëgjuan zëra se ky është shekulli i shqiptarëve, një rilindje e re shqiptare dhe ngjashëm. Por, para se të arrijmë në destinacionin e preferuar na arriti digjitalizimi, interneti dhe, së fundi, IA, që pa hezitim i përqafuam, por nuk dimë kush çka do të përfitojë nga kjo “dashuri në shikim të parë”.

Në mbështetje të qëndrimit se kemi përjetuar shumë efektet pozitive nga dy “revolucionet”, të demokracisë dhe teknologjisë, do të numërohen: shqiptarët e përjetuan për së pari herë lirinë pas dekadave e shekuj me radhë ngujimi. Së bashku, liria dhe teknologjia na ka mundësuar që pjesa dërrmuese e popullatës të dalë nga varfëria dhe t’i plotësojë nevojat elementare ekzistenciale. Gruaja shqiptare tanimë ec krah për krah me burrin në gjitha poret e jetës, që bën të kuptosh se paternalizmi është shporrur nga familjet tona. Shkollat dhe universitetet janë përplot me vajza dhe djem, gjë që nuk e kishim më parë. Atomizmi i familjes, një indikator i modernizimit dhe çrrënjosjes së traditave patriarkale, mund të shihet përmes mikrofamiljeve që shfaqen çdo ditë, bile edhe përmes shkurorëzimeve. Institucione relevante të Shqipërisë bëjnë të ditur se numri i divorceve gjatë viteve 2018-2021 është në rritje dhe në 100 martesa 16 deri në 26 mbarojnë me shkurorëzime. Nga Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës për vitin 2023 nuk mund të nxirret ndonjë përqindje e saktë e kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve, por vërehet një tendencë në rritje të shkurorëzimeve të bashkëshortëve me 2, 3 e më tepër fëmijë. Kjo flet për lirinë e gruas, e cila është në gjendje e pavarur ta garantojë ekzistencën dhe ta mbajë familjen.

Por, a është kjo e tëra? Çka flasin të dhënat tjera empirike krahasuar me popujt përreth dhe më gjerë? Sa e ndritur është e ardhmja nën hijen këtyre statistikave? Nëse janë dëshpëruese, pse janë të tilla? Ku gabuam apo e kaluam kufirin?

Para disa ditësh mediat në Maqedoninë e Veriut u prezantuan të dhënat e studimit të “World Population Review” për koeficientin e inteligjencës sipas shteteve. Maqedonia zë vendin e parafundit në Ballkan, me koeficient 81.91, dhe pas saj është vetëm Shqipëria, me koeficient 81.75. Nga shtetet e Ballkanit më së mirë qëndron Kroacia, me 95.75 koeficient të inteligjencës dhe ndiqet nga Bullgaria me 90.99 dhe Greqia me 90.77. Shtete e tjera, si Serbia, kanë koeficient mesatar të inteligjencës – 89.6, Bosnja me 88.54 dhe Mali i Zi me 85.57. Këto të dhëna nuk flasin për perspektivë të ndritur, por tejet e zymtë, bile edhe shqetësuese.

Që të mund ta shohim se kush i gjeneron këto rezultate dhe a janë pasoj e nivelit të ulët të zhvillimit apo ende jemi shtet konservator e jodemokratik, përskaj bindjeve tona se e kemi tejkaluar atë fazë, gamën e analizës do ta zgjerojmë duke e trajtuar listën si tërësi edhe jashtë regjionit.

Analiza tregon se 10 shtetet që kryesojnë listë janë Japonia, me koeficient të inteligjencës 106.48, e ndjekur nga Tajvani me 106.47, Singapori me 105.89, Hong Kongu me 105.37, Kina me 105.1 e Koreja e Jugut me 102.35. Për çudi, nga shtetet e Europës prin Bjellorusia me 101.6, pastaj vijon Finlanda me 101.2, Lihtenshtajni me 101.07 dhe Gjermania 100.74.

Duke krahasuar listën e shteteve sipas përqindjes që ata kapin me mesataren botërore BPV për kokë banori me listën e koeficientit të inteligjencës, na rezulton se koeficienti i inteligjencës duhet të jetë në ndonjë relacion me zhvillimin ekonomik, por jo detyrimisht. Singapori, që është i dyti në listë sipas koeficientit të inteligjencës, është i pari në këtë listë me 618% prej mesatares botërore të BPV-së. Pastaj Hon Kongo me 334%, Gjermania me 306%, Finlanda me 286%, Japonia me 221%të janë mbi mesataren botërore të BPV-së për kokë banori. Por, për dallim prej tyre, Kina dhe Bjellorusia, që gjenden në dhjetëshen e parë të mesatares sipas inteligjencës, janë vetëm pak mbi mesataren, me 104%, respektivisht 109% të mesatares botërore të BPV.

Për ta analizuar lidhshmërinë e nivelit të demokratizimit dhe liberalizimit me nivelin e inteligjencës së një populli morëm në shqyrtim rangimin e shteteve më konservatore në botë që bën wisevoter. Dy shtetet që gjenden në dhjetëshen e parë të popullatës me inteligjencë më të lartë në botë, Bjellorusia dhe Kina, janë të radhitura në dhjetë shtetet më konservatore në botë. Ndër shtetet me popullatë më inteligjente, Hong Kongu dhe Singapori janë më konservatore se shtetet e Ballkanit dhe regjionit, që kanë popullatë me inteligjencë shumë më të ulët. Çka mund të konstatojmë. Niveli i zhvillimit ka një varësi të theksuar prej nivelit të inteligjencës së një shteti, por nuk është i lidhur drejtpërsëdrejti me atë nëse është apo nuk është konservator. Gjegjësisht, sistemi arsimor, kultura dhe tradita e një populli është shumë më përcaktues nëse do të kemi një popullatë inteligjente, gjegjësisht perspektive, pa marrë parasysh sa është liberale.

Nëse konstatimin e mësipërm e marrim për relevant, kurse neve edhe me tutje jemi të bindur se demokracia liberale dhe ekonomia e tregut janë rruga e suksesit, ndërsa të dhënat empirike nuk na mbështesin, shtrohet pyetja se pse demokracia liberale, aq e pritur, nuk dha rezultate dhe nuk pritet të japë as në perspektivë? Pastaj, si mundet japonezët tradicionalë e konservatorë të kenë zhvillim dhe të jenë inteligjentë?

Njohësit e kësaj çështje do të thonë se gabimi është në gjykim. Tek vendet e zhvilluara evropiane dominon bindja se të kesh më tepër arsim nënkupton të jesh “më liberal”. Ndërkaq, në Azinë Lindore nuk vlen ky konstatim. Arsyeja, si gur themeltar i filozofisë së konfuçionizmit, nënkupton se tradita dhe njohuritë stërgjyshore janë burim i dijes, ndërsa rendi shoqëror është prioritet i parë. Andaj, japonezët nuk janë të prirë të ndryshojnë status quo-në për një gjendje sado premtuese të jetë nëse nuk kanë të dhëna empirike se në shoqërinë e tyre do të funksionojë. Për ta vlen thënia se “gozhda që del jashtë është e goditur me çekiç” ose çdo valë që e godit varkën, nuk duhet të na argëtojë.

Bazuar në këtë urtësi, shtrohet pyetja: a thua tek ne liberalizmi është ngulitur me çekiç? Apo, ndoshta shikimi perëndimor, që e kemi pranuar si të mirëqenë, se energjia e ndrydhur nën sqetullat e zakoneve, kulturës kolektive dhe religjionit mund të lirohet vetëm nëse çlirohet nga këto forca shtrënguese, nuk është krejt e saktë? A mund të jemi tërbuar për këto qëllime të mira në emër të demokracisë liberale, shtetin shekullar, ashtu që bashkë me ujin e turbullt të legenit ta hedhim edhe foshnjën? Apo ndoshta pa vetëdije, në përpjekje për t’u çliruar nga zakonet dhe ngërçet tradicionale, si sakrificë të parë e kemi bërë familjen? A është e arsyeshme kjo sakrificë nëse nuk kemi zhvillim ekonomik sot dhe as mund ta kemi në perspektivë me këtë nivel të inteligjencës?

Përgjigja më bazike në pyetjet e shtruar është: ideja e demokracisë liberale, si sinonim për lirinë individuale si forcë motorike të zhvillimit të perëndimit, te neve nuk është një tranzicion i natyrshëm, por një ideal i ngritur në dogmë, “fe”, sinonim për integrimin europian. Si popull që nuk e kemi tejkaluar primitivizmin, nuk bëjmë vlerësim elementar kritik, por ngremë mite e krijojmë tabu për zgjedhje që duhet të jenë krejt racionale dhe në vend se t’i kuptojmë. i besojmë. Kështu, nga një i bëmë dy “fe”: fenë tradicionale që besojmë se do të na ofrojë shpëtim në botën tjetër dhe “fenë” e re, integrimet europiane, që do të na ofrojë “shpëtim” në këtë botë. Me kapacitet të vaktë të mendimit kritik, ne nuk e dallojmë çlirimin prej lirisë dhe jemi pak të papërgatitur për inovacionet marramendëse që ndodhin gjithandej.

Sipas ligjeve të entropisë, e përbëra kalon në të thjeshtë vetvetiu, shkon në drejtim të forcave natyrore. Prandaj më lehtë e pranojmë të thjeshtën, antivlerën, që është karakteristikë e shtresave të ulëta, sesa të përbërën, vlerën, që vështirë përkapet, pasi kërkon angazhim kundër forcave natyrore. Ne nuk bëjmë përpjekje së paku të mendojmë nëse ekuilibrimi i vlerave të vërteta perëndimore me ato tradicionale të përdëftuara në praktikë do të ishte më mirë se të mbetemi vetëm me antivlerat europiane. Më së paku e kultivojmë “qenin” kujdestar në qarqet intelektuale dhe ato politike, që do t’i ruajë vlerat tradicionale, si parakusht për vlerësim kritik se çka mund ta kalojë dhe çka nuk mund ta kalojë filtrin e dinjitetit tonë kombëtarë. Ne jemi larg kërkimit të përgjigjes në pyetjen se si mund të kemi recepcionin për “zhvillim” përderisa faktet flasin për “degradim”. Çka ndodhë me ne, ku jemi?

Kemi demokraci të deformuar si rezultat i urbanizimit pa industrializim, edukim verbal pa mendim kritik e kreativ, shekullarizim pa shkencëtarizim dhe lakmi kapitaliste pa disiplinë kapitaliste[i]. Duket sikur kemi mbetur varur në mes ose jemi në stadin që Rexhep Qosja disa dekada më parë e quante “primitivizëm i patejkaluar dhe civilizim i pranuar mbrapsht”.

Lufta që shprehet përmes gjitha formave të ankthit, nga kërkimi i një note më të mirë e deri te të qenit në kohë dhe përpjekjeve për t’i bërë përshtypje personit që i pëlqen, janë simptoma të ankthit që e kërcënon humbjen e kuptimit të ekzistencës si komb. Disa njerëz përfshihen aq shumë në “fenë” e re, dogmën e ofruar, saqë e mohojnë aftësinë për të kultivuar vlera autentike edhe në këto rrethana.

Në përpjekje për t’u pëlqyer nga ata tek të cilët pretendojmë të jemi të pranuar përvetësojmë çdo gjë që na servohet. Perceptimi është se kemi një mirëqenie më të mirë sa i përket plotësimit të nevojave ekzistenciale, gjë që na shtyn të ngjitemi lart e më lart në përpjekje për të arritur lirinë absolute, që është sinonim për Europën, por kur e kthejmë kokën poshtë, shohim një gjendje tmerri, që e lëmë pas, dhe rrezikojmë të gllabërohemi nga ai: migrim, divorce, rënie rapide të natalitetit, fëmijë jashtëmartesorë që hidhen në drogë e prostitucion i përcjellë me shumë krim. Një nënë e barabartë në punë dhe karrierë, e angazhuar në jetën shoqërore, publike dhe intelektuale, është arritja kulmore, por çmimi është se foshnjat mbeten pa gji që në muajin e tretë e disa bile edhe në të parin. Fëmijët e mbetur vetë, pa infrastrukturë përcjellëse që duhet të kujdeset për ta, i kanë përvetësuar kompjuteri dhe inteligjenca artificiale, duke i bërë të varur deri në robërim. Si rezultat i kësaj, paraqitet vonesa në të folur dhe paaftësia për formulim të mendimit dhe gjykimit deduktiv e kreativ. A është familja viktima e parë e liberalizmit dhe teknologjisë?

Qëndrim i shprehur nuk është antifeminizëm dhe më së paku ludizëm e çartizëm i kohës së revolucionit industrial që prirej t’i shkatërrojë makinat si përgjegjëse për rrëmujën e krijuar, por refleksion mbi pasojat e kohës së inteligjencës artificiale, me të cilët do të bashkëjetojë rinia dhe fëmijët tanë. Ky është një apel për ta vënë në rend dite dhe për ta trajtuar pyetjen se pse shoqëria jonë prodhon aq shumë analfabetë funksional e instrumentalë, që shihet edhe përmes testeve të PISA, por edhe nga treguesit e nivelit të inteligjencës si popull? Çfarë ardhmërie kemi me një shkallë të tillë të inteligjencës dhe me këtë nivel të ulët të mendimit kritik, kreativ dhe deduktiv? A jemi materiali i parë që i ofrohet inteligjencës artificiale për të krijuar robëruarit e kohës sonë, për të cilën flet profesori grek Varufakis? A ka ende ndonjë gur të çmuar në thesarin e traditës dhe urtësisë popullore që mund të na ndihmojë të dalim nga situata? Unë mendoj se po. Por, duhet gjurmuar. Të fillojmë nga familja. Ta ribëjmë familjen si qelizën kryesore të shoqërisë. Ta aplikojmë të rejën pa e përbuzur të vjetrën. Familja e shëndoshë, shoqëri e shëndoshë.

[i] Moataz Bellah Mohamed Abdel Fattah, “ISLAM AND DEMOCRACY: AN EMPIRICAL EXAMINIATION OF MUSLIMS’ POLITICAL CULTURE”A Dissertation Submitted to the Faculty of The Graduate College in partial fulfillment of the requirements for the Degree of Doctor of Philosophy Department of Political Science, Western Michigan University Kalamazoo, Michigan, June 2004, faq. 57

 

Rizvan SULEJMANI, Shkup

Abdurrahman ibn Aufi(radijallahu anhu) modeli i të pasurve

Në këtë temë, do të flasim mbi një figurë tjetër të përgëzuar me xhenet nga Profeti (a.s), dhe ai është Abdurrahman ibn Auf (r.a)

Abdurrahman ibn Auf, është një nga shokët dhe miqtë e Profetit (a.s) dhe ishte nga shtresa e pasanikëve të Mekes. Pasuria e tij arrinte në disa mijëra dinarë floriri. Jetëshkrimi i tij është një shkollë nga e cila do të përfitojmë suksesin, arritjet, shërbimin ndaj komunitetit, miqësinë, heroizmin, kalorësinë, interesin për edukimin e fëmijëve dhe komunikimin me bashkëshorten. Nëse do të depërtonim brenda familjes së tij, do e gjenim se ai ishte një yll, model dhe shëmbëlltyrë për muslimanët.

Konvertimi i Abdurrahman ibn Auf në Islam

Ishte Ebu Bekri ai që e bindi Abdurrahmanin të pranojë Islamin, duke e bërë personin e tetë që pranonte Islamin në Meke. Asokohe, Abdurrahmani ishte vetëm 22 vjeç. Para se të pranojë Islamin, ai i kërkoi kohë Ebu Bekrit që të mendohet dhe vetëm pasi e pleqëroi dhe u sigurua, pranoi Islamin.

Emri i tij nuk ishte Abdurrahman, por Abdu Amr. Ishte vetë Profeti (a.s) ai që ia ndryshoi emrin dhe e thirri Abdurrahman. Ishte në traditën e Profetit (a.s) që t’i thërriste të tjerët me emra ogurmirë. Ai largohej dhe urrente çdo emër që ishte ogurzi dhe shprehte pesimizëm. Diçka të tillë, Profeti (a.s) nuk e bënte vetëm me Abdurrahman ibn Aufin, por me këdo që kishte emër që shprehte dobësi dhe cilësi negative. Një ditë, hyri një burrë tek Profeti (a.s) të cilin e pyeti: “Si e keni emrin?” Ai iu përgjigj: “Zejdul Hajl (kalë)” Profeti a.s i tha: “Që tani e tutje do të jesh Zejdul Hajr (mirësi)”. Ishte traditë e tij (a.s) që të ishte i qartë në terminologji.

Abdurrahman ibn Aufi, emigroi fillimisht në Abisini me muslimanët e tjerë dhe më vonë emigroi dhe në Medine me Profetin (a.s). Kur emigroi për në Medine, ai ishte i varfër dhe nuk posedonte asgjë përveç rrobës që kishte veshur.

Abdurrahman ibn Aufi në shtëpinë e Sa’d ibn Rebi

Kur Profeti (a.s) i vëllazëroi mekasit me medinasit, vëllau i Abdurrahman ibn Aufit ishte Sa’d ibn Rebi. Me ta dërguar në shtëpinë e tij, Sa’d u ul me Abdurrahmanin dhe i tha: Kam pasuri, të cilat do i ndaj përgjysmë me ty. Kurse Abdurrahmani iu përgjigj: Zoti të dhashtë begati në familjen dhe pasuritë e tua. Gjëja e vetme që dua prej teje, është të më tregosh tregun.

“Më trego tregun!” ishte motoja e Abdurrahman ibn Aufit, gjë e cila tregon edukimin e mirë. Ai nuk e pranonte përtacinë dhe dembelizmin, edhe pse gjithçka e kishte të garantuar nga vëllai i tij në fe, Sa’d ibn Rebi.

Vallë si do të sillej ndonjëri nga ne, po t’i ofrohej gjysma e pasurisë dhe një grua për t’u martuar, ndërkohë që ishte i përzënë nga vendlindja, duarbosh dhe i varfër në kulm? A do të kishte njerëz të tillë që mund t’a refuzonin një ofertë të tillë?

Abdurrahmani nuk e pranoi një ofertë të tillë, edhe pse gjendej në pikën e hallit.

Motoja e tij “Më trego tregun” edhe pse kanë kaluar mbi 1.400 vite, ajo vazhdon të jetë e freskët për të gjithë muslimanët dhe e kujtojmë atë me krenari.

Me t’i treguar Sa’d ibn Rebi tregun, Abdurrahmani filloi ta studiojë atë. Ai ishte rritur në treg dhe e njihte shumë mirë artin e shit-blerjes. Menjëherë ai filloi të blejë dhe të shesë dhe për një kohë të shkurtër u bë një nga tregtarët më të mëdhenj në treg. Më vonë ai filloi dhe udhëtimet e gjata tregtare duke arritur të bëhej një nga tregtarët më të pasur mes muslimanëve.

Duke parë sinqeritetin dhe zemërbardhësinë e tij, Zoti i dha sukses në këtë fushë. Çdo i ri dhe e re, nëse i vendosin vetes një synim dhe janë të sinqertë, Zoti do u japë sukses dhe do i ndihmojë në realizimin e tij.

Abdurrahman ibn Auf ishte mishërim i gjallë i lutjes së Profetit (a.s): “O Zot më mbro nga dështimi, përtacia…” 

Ai është një model dhe shembull për çdo të varfër nga muslimanët dhe për çdo të papunë. Çdo sukses fillon me një ide, bisedë, lëvizje etj… Abdurrahman ibn Aufi ngacmon dhe stimulon vullnetet e fjetura. Ai është simbol i suksesit dhe simbol i luftës kundër fukarallëkut dhe papunësisë.

Të tillë ishin shokët e Profetit (a.s), secili prej tyre ishte një shkollë nga e cila mëson dhe edukohesh me moralet dhe virtytet më të larta.

Ndërkohë që flasim mbi dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, shumë njerëz i imagjinojnë ata si të varfër, të papunë, që nuk dinë gjë tjetër përveç namazit, agjërimit dhe vajtjes në xhami. Vetëm kështu – sipas tyre – mund të fitohet Xheneti.

Një mendim dhe opinion të tillë e rrëzon Abdurrahman ibn Aufi. Ai sikur i thërret secilit prej nesh, duke thënë: Unë jam i pasur dhe jam nga të përgëzuarit me Xhenet.

Një ditë, Bilali ndodhej në shoqërinë e Profetit (a.s) Të dy ishin të ulur dhe Profeti (a.s) i tha: “O Bilal! Kam dëgjuar kërcitjen e këpucëve të tua në Xhenet. Çfarë bën që ke fituar një gradë të tillë?” Bilali iu përgjigj: O i dërguar i Zotit! Sa herë më prishet abdesi, unë shpejtoj dhe marr abdes sërish. Me të marrë abdes, fal dy rekate nafile për çdo abdes që marr.  Pas pak çastesh, Profeti (a.s) pyeti sërish:Po Abdurrahman ibn  Aufi ku ndodhet? Pasi erdhi Abdurrahmani, Profeti (a.s) e pyeti: Ku ishe o Abdurrahman?” Ai i tha: O i Dërguar i Zotit! Isha duke numëruar paratë. Profeti (a.s) i tha: O Abdurrahman! Ti do të jesh nga banorët e Xhenetit, por në Xhenet do të hysh këmbadorazi. Më pas, Profeti (a.s)  i tregoi se si mund të hynte në Xhenet  duke ecur në këmbë. Ai i tha: Duke i dhënë Allahut hua të bukur.” Abdurrahmani filloi të japë pasuri duke ndimuar të varfërit, me qëllim që të hyjë në këmbë në Xhenet.

Një ditë, në Medine arriti një karvan prej shtatëqind devesh të ngarkuara me mallra të ndryshme dhe ushqime. Kur karvani hyri në Medine, të gjithë banorët dolën jashtë për të parë. Mes njerëzve ishte dhe Aisheja, gruaja e Profetit (a.s), e cila vajti tek Abdurrahmani, pronari i këtij karvani dhe i kujtoi hadithin e Profetit (a.s): “Duke i dhënë Allahut hua të bukur.”

A e dini si veproi Abdurrahmani? Me këtë, ai u bë shembull dhe model për të gjithë biznesmenët në botën arabe dhe islame, numri i të cilëve arrin 35 milionë biznesmenë. Kurse numri i dhomave të tregtisë në vendet arabe dhe muslimane arrin në shtatëqind. Të gjithë biznesmenët dhe dhomat e tregëtisë islame, unë i këshilloj që ta studiojnë jetëshkrimin e Abdurrahman ibn Aufit.

Me të dëgjuar fjalët e Aishes, e cila i kujtoi thënien e Profetit (a.s), Abdurrahmani u kujtua dhe i tha: Oj Aishe! Ji dëshmitare që ky karvan me gjithë mallin, është dhuratë për t’u shpenzuar në rrugë të Zotit.

Abdurrahman ibn Aufi filloi të shquhej për shpenzimin e pasurisë në rrugë të Zotit dhe në ndihmë të vobektëve, saqë shumë munafikë filluan ta akuzojnë se diçka të tillë e bën sa për sy e faqe dhe që të lëvdohet nga njerëzit.

Po ta studiojmë jetën e tij nga aspekti shoqëror, ai është simbol i punës, përpjekjeve dhe dhënies së pasurisë në rrugë të Zotit.

Thotë Zoti në Kuran: “Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës.”[1] E Abdurrahman ibn Aufi ishte nga ata që i dhanë besën Profetit (a.s) nën hijen e pemës dhe sinqertitetin dhe besnikërinë e tij e dëshmoi vetë Zoti në ajetin e mësipërm.  A ka nder dhe privilegj më të madh se të dish që Zoti është i kënaqur me ty?

Të gjithë ne e adhurojmë Zotin me qëllim që të fitojmë kënaqësinë e Tij

Në betejën e Tebukut që u zhvillua pranë kufijve të Shamit, merrte pjesë dhe vetë Abdurrahman ibn Aufi. Një ditë në mëngjes, Profeti (a.s) bashkë me Muadh ibn Xhebelin dolën për të marrë abdes që të faleshin. Ata të dy u vonuan, saqë muslimanët e tjerë u frikësuan se mos lind dielli pa u falur. Ata filluan të diskutojnë mbi mundësinë e faljes së namazit, pa ardhur Profeti (a.s). Por kush mund të dilte të falej si imam, në vend të Profetit (a.s)? Ishte Abdurrahman ibn Aufi ai që guxoi dhe doli imam. Pasi falën rekatin e parë, Profeti (a.s) u kthye dhe i gjeti shokët e tij duke u falur. Ai u bashkua me ta dhe kur Abdurrahmani dha selam, Profeti (a.s) u ngrit dhe plotësoi rekatin e humbur. Pasi e përfundoi Profeti (a.s) namazin e tij, Abdurrahmani iu afrua dhe i kërkoi falje për atë që kishte ndodhur. Ai kishte frikë se mos kishte vepruar diçka që e kishte zemëruar Profetin (a.s), por Profeti (a.s) i tha: “Ke bërë mirë o Abdurrahaman.”

Mes tregtisë dhe familjes

Edhe pse ishte i zënë dhe i angazhuar me tregëtinë dhe udhëtimet e shumta, po ta studiojmë jetëshkrimin e tij do të shohim që ai nuk kishte konflikte dhe probleme familjare me gruan dhe fëmijët. Përkundrazi, jetëshkrimi i tij zbulon marrëdhëniet e shkëlqyera mes tij, gruas dhe fëmijëve.

Të tillë ishin shokët e Profetit (a.s). Ata dinin si t’i ruanin ekuilibrat mes detyrave familjare dhe aktivititetit të tyre të përditshëm tregtar.

Mënyrën e ekuilibrave mes kësaj bote dhe botës tjetër, ne e mësojmë më së miri nga shokët e Profetit (a.s) dhe muslimanët e parë.

Për këtë, orientalistët mbeten gojëhapur dhe të mahnitur kur studiojnë jetëshkrimet dhe marrëdhëniet e shokëve të Proetit (a.s) me familjet e tyre, pasi kishin studiuar gjithë civilizimet dhe historitë e popujve të mëparshëm.

Ata hasnin në dallimet e thella mes romakëve që kishin udhëhequr botën dhe shokëve të Profetit (a.s), të cilët sundonin vetëm rajonin përreth. Madje një nga mendimtarët dhe studiuesit perëndimorë në librin e tij  “Vlerat e përjetshme të Islamit” thotë: “Civilizimi islam bazohet në mesazhin hyjnor, ku sistemi shoqëror bazohet në një familje të fortë dhe të qëndrueshme. Ndërkohë që sistemi ekonomik konsiderohet mjet dhe jo qëllim.”

Kështu, Abdurrahman ibn Aufi nuk i neglizhonte detyrat që kishte ndaj familjes, edhe pse ishte i angazhuar me tregëti dhe shit-blerje.

Doktor Gustav Libon, në librin “Qytetërimi arab” thotë: “Filozofët arabë dhe muslimanë, janë të parët ata që i mësuan botës pajtueshmërinë mes lirisë së mendimit dhe praktikimit të fesë.”

Padyshim që vlerat tona të rralla, civilizimi ynë islam, trashëgimia jonë e lavdishme, biografia e të parëve tanë të ndershëm, jetëshkrimi i Profetit tonë, janë ato që na orientojnë dhe udhëzojnë mbi mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve tona me njerëzit, shoqërinë që na rrethon dhe Krijuesin e Madhëruar. Janë pikërisht këto që e bëjnë muslimanin të ndihet i lumtur dhe i qetë gjatë jetës dhe në familje.

Është jetëshkrimi i Abdurrahman ibn Aufit që na mëson ekulibrin mes detyrave të familjes dhe angazhimeve të aktiviteteve të përditshme. Me moton e tij “Më trego tregun” ai u bë modeli dhe shembulli më i mirë për këdo që kërkon të jetë i suksesshëm. Ai është modeli më i mirë për biznesmenët, mbi mënyrën si fitohet dhe shpenzohet pasuria në udhën e Zotit. Ai ishte model jete në çdo vepër bamirësie.

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Autor:  Xhasim El-Mutava

 

Ebu Bekri(radijallahu anhu) iniciator në shërbimet sociale

Në këtë temë, ne do të trajtojmë disa fragmente nga jetëshkrimi i Ebu Bekrit. Këtë do e bëjmë duke nxjerrë në pah, nismat dhe iniciativat e tij për t’i shërbyer shoqërisë dhe komunitetit.

Iniciativat dhe sakrificat e Ebu Bekrit në ndihmë të komunitetit dhe shoqërisë janë një nga  cilësitë shumta e tij.

Ebu Bekri në shërbim të një moshuare:

Gjatë kohës së Kalifatit të Ebu Bekrit, në Medine jetonte një grua e moshuar dhe njëkohësisht e verbër. Edhe pse Halife i muslimanëve, ishte Ebu Bekri ai që e vizitonte dhe i shërbente gjithmonë.

Tregon Umer ibn Hattabi:”Sa herë që shkoja për t’i shërbyer kësaj gruaje të verbër, konstatoja se dikush tjetër kishte qenë para meje dhe I kishte përfundur të gjithë punët e shtëpisë. Me qëllim që të zbuloja kush ishte burri që I shërbente të verbërës, një ditë dola më herët dhe pashë Ebu Bekrin të hynte në shtëpinë e saj.”

Ai ishte iniciator në çdo gjë që e mendonte se është e mirë dhe pozitive. Siç e ngjasonte dhe Profeti a.s besimtarin me palmën, I tillë ishte dhe Ebu Bekri. Ai ishte I dobishëm për shoqërinë dhe nevojtarët në çdo kohë, siç është palma e dobishme për njerëzit si dimrit ashtu dhe verës. Trungu I palmës është shumë rezistent dhe vetë ajo jep fruta të ëmbël.

Muslimani është si palma:

Ngjashmëritë mes muslimanit dhe palmës janë të shumta. Trupi i palmës është shumë iqëndrueshëm dhe rezistent ndaj temperaturave të larta dhe ndryshimeve atmosferike. Po ashtu dhe besimtari është i qëndrueshëm dhe I durueshëm në raste fatkeqësish dhe sprovash.

Të gjitha këto shërbime dhe sakrifica, e bënë një nga shokët dhe miqtë më të ngushtë të Profetit a.s.

Një ditë, Profeti a.s emëroi Amr ibn Asin si komandant të një njësie ushtarake, ku ndodhej dhe Ebu Bekri me Umer ibn Hattabin. Kur u kthyen, e gjetën të dërguarin e Zotit duke predikuar në xhami. Me të hyrë në xhami, Amr ibnul Asi vërejti se Profeti a.s ia hidhte vështrimin herë pas here. Kjo e bëri të mendojë se ai ishte njeriu më i dashur tek Profeti a.s se të gjithë të tjerët. Vetë fakti që e kishte caktuar si komandant të një njësie ku ndodhej Ebu Bekri dhe Umeri, tregonte mbi një hamendje të tillë. Tregon Amr ibnul Asi:”Me të përfunduar Profeti a.s nga predikimi, i shtyrë nga një dëshirë e madhe, unë vajta tek Profeti a.s dhe e pyeta:”Kush është njeriu më i dashur për ty o i dërguar i Zotit?” Unë isha i sigurtë që ai do të përgjigjej:”Je ti o Amr.” Por ai u përgjigj:”Është Aisheja.”

Unë e pyeta:”Po nga burrat, kë don më shumë?”

Ai më tha:”Babanë e saj, Ebu Bekrin.”

Ebu Bekri, njohës i gjenealogjisë së familjeve arabe:

Ebu Bekri ishte njohësi më i mirë i gjenealogjisë së fiseve dhe familjeve arabe ndër të gjithë kurejshët. Ai i njihte mirë lidhjet e familjeve me njëra-tjetrën, paraardhësit dhe pasardhësit e tyre. Por përse e përmendim këtë fakt dhe çfarë lidhjeje ka diçka e tillë me shërbimet sociale dhe publike?

Njohuri të tilla janë shumë të rëndësishme, nëse përdoren në respektin dhe ruajtjen e lidhjeve të gjakut dhe farefisnore. Diçka e tillë i shtohet vlerave të tjera të Ebu Bekrit. Do të ishte shumë mirë që fëmijëve tanë t’ua tregonim të gjithë të afërmit e tyre, që në moshë të re. Kjo, pasi vihet re që kohët e fundit shumë fëmijë në moshat shtatë dhe dhjetë vjeçare nuk njohin kushërinjtë e tyre. Ne duhet të përpiqemi që të mos ndikohemi nga edukimi dhe idetë individuale që importohen nga perëndimi.

Edukata islame bazohet në aspektin shoqëror dhe këtë e shohim të manifestuar më mirë në namazet ditore të cilat pëlqehet të kryhen në xhami bashkë me muslimanët e tjerë. Xhamia është qendra ku mblidhen dhe ku i jepet mundësia individit musliman të njihet me të afërmit dhe shoqërinë në tërësi.

Edhe pse ana individuale ka rëndësinë e saj, lidhjeve shoqërore duhet t’ju kushtohet më shumë rëndësi.

Ebu Bekri mes Profetit a.s dhe Aishes:

Kur Profeti a.s dhe gruaja e tij Aisheja, patën disa mosmarrëveshje, Profeti a.s i tha:”Kë pranon si gjykatës, që ta ndajë këtë çështje? A e pranon Umerin?” Aisheja iu përgjigj:”Jo, ai është i ashpër.” Atëherë Profeti a.s i tha:”A e pranon babanë tënd?” “Po” iu përgjigj Aisheja. Me të ardhur Ebu Bekri, Aisheja iu drejtua Profetit a.s me fjalët:”Tregoji se çfarë ka ndodhur dhe mos thuaj veçse të vërtetën!” Këto fjalë e zemëruan Ebu Bekrin, i cili se mbajti veten dhe e goditi vajzën e tij, duke i thënë:”Pse a thotë gjë tjetër veç të vërtetës i dërguari i Zotit?!” Në atë çast, Profeti a.s hyn mes tij dhe Aishes duke i thënë:”Nuk të ftuam për diçka të tillë o Ebu Bekr. Më mirë na lër vetëm!”  Ndërkohë, Aisheja ishte ngjitur pas shpinës së Profetit a.s nga frika prej babait të saj. Me të dalë Ebu Bekri, ajo u largua nga Profeti a.s. Pasi doli Ebu Bekri, Profeti a.si tha Aishes:”Eja dhe ngjitu pas shpinës time siç bëre më parë!” Aisheja i tha:”Jo.” Profeti a.s i tha:”A harrove që isha unë që të mbrojta nga babai yt?!”

Ebu Bekri, u kthye më pas dhe e gjeti Profetin [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem] duke qeshur me Aishen. I habitur nga ajo që po shihte, i tha Profetit [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem]:”O i dërguar i Zotit! Më bëni të marr pjesë në gëzimin tuaj, ashtu siç më bëtë të marr pjesë në hidhërimin tuaj më parë!”

Zoti e mëshiroftë Ebu Bekrin, Halifen e muslimanëve. Ai gjendej kudo që kishte nevojë komuniteti dhe shoqëria, duke qenë nismëtar dhe iniciator në çdo moral të mirë. Thotë Zoti në Kuran:”Për këtë, le të garojnë ata që garojnë.”

(Mutaffifin: 26)

Shpiriti i konkurrencës dhe garimit nuk ekziston vetëm në aktivitetet sportive, por dhe në çështjet e besimit, afërsinë me Zotin, veprat e mira, shërbimet ndaj komunitetit, edukimin e fëmijëve, qetësinë familjare etj…

Thotë imam Hasen El-basrij:”çdo ditë e re që agon, thërret një zë:”Unë jam një ditë e re dhe jam dëshmitare për veprat e tua. Prandaj më shfrytëzo pasi unë nuk kthehem deri në Ditën e Kijametit.”

Koha është diçka shumë e rëndësishme, por më e rëndësishme se vetë koha, është shfrytëzimi i kohës. Ebu Bekri na jep modelin më të mirë për shfrytëzimin e kohës në vepra të mira dhe shërbim të komunitetit. Nëse dikush prej nesh do të hartonte një orar që nga mëngjesi deri në darkë për veprimtarinë e Ebu Bekrit, do shihte që orari do të mbushej me aktivitet dhe shërbime në favor të komunitetit.

Begatia e Ebu Bekrit dhe familjes së tij:

Vetë Ebu Bekri dhe familja e tij ishin të begatë dhe gjithë bereqet. Një herë, gjatë një udhëtimi, gruaja e Profetit a.s Aisheja humbi një varëse të saj. I gjithë karvani, bashkë me Profetin a.s u ulën diku për të pushuar. Pasi të gjithë u çlodhën, kërkuan që të vazhdonin udhëtimin, por Profeti a.s nuk po jepte asnjë shenjë. Ndërkohë po kalonte dhe koha e namazit, por nuk kishte ujë për të marrë abdes. Atëherë muslimanët i kërkuan Ebu Bekrit që t’i flasë Profetit a.s mbi këtë shqetësim. Ebu Bekri hyri në çadrën ku ndodhej Profeti a.s dhe e gjeti atë duke fjetur, me kokë të mbështetur në prehërin e gruas së tij. Duke mos dashur ta zgjojë Profetin a.s, ai e lajmëroi Aishen që muslimanët duan të falen por nuk kanë ujë për të marrë abdes, më pas doli jashtë. Pasi priti pak, hyri përsëri në çadrën e Profetit a.s dhe pa që Profeti a.s ishte zgjuar tashmë. Profeti a.s i tregoi se sapo i ishte shpallur ajeti i tejemumit, gjë e cila e gëzoi Ebu Bekrin dhe të gjithë muslimanët. Të gjithë pohonin se diçka e tillë ishte bereqeti i Ebu Bekrit dhe familjes së tij.

Pasi u falën, të gjithë filluan të mbledhin plaçkat për rrugë. Me t’u ngritur deveja e Aishes, ajo gjeti varësen e saj të humbur. Ebu Bekri i buzëqeshi dhe i tha:”O bija ime, ti je gjithë bereqet.”

Si të jem iniciator për t’i shërbyer komunitetit?

Të gjithë ne dëshirojmë dhe urojmë të japim kontributin tonë në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë mes të cilës jetojmë, por lind pyetja:” Si mund të jem iniciator në lëvizje të tilla?”

Për të na ndihmuar në projekte të tilla, Profeti a.s na mëson një lutje të veçantë, ku besimtari i kërkon ndihmë Zotit që ta mbrojë nga dobësia, përtacia dhe pesimizmi.

Vetë Profeti a.s lutej:”O Zot! Unë të lutem të më mbrosh nga dobësia dhe përtacia.”

Kurse shokët e Profetit a.s luteshin:”O Zot! Ne të lutemi të na japësh jetë të gjatë dhe të na orientosh drejt veprave të mira.”

Ata i kërkonin Zotit një jetë të gjatë, por të mbushur me aktivitet dhe vepra të mira.

Muslimani duhet të nxjerrë mësime dhe dobi edhe nga jeta e krijesave të tjera. Le të shohim milingonën p.sh. Që në pamjen e parë ajo të lë përshtypjen e një krijese shumë të dobët dhe të pafuqishme. Megjithatë, ajo është model për aktivitetin dhe përpjekjet që bën për të siguruar ushqimin e dimrit.

Njeriu është në fenë e mikut të tij:

Nëse dikush nga ju shoqërohet me ndonjë shok përtac dhe dembel, unë e këshilloj që të largohet dhe të distancohet menjëherë nga ai. Në një shoqëri të keqe jo vetëm që përvetëson veset e këqia, por mëson dhe dembelizmin dhe përtacinë në çdo gjë. Është plotësisht e vërtetë që dikush që shoqërohet me breshkën nuk mund të ecë më shumë se ajo, ndërkohë që dikush që shoqërohet me pëllumbat do të fluturojë si ata.

Dijetari musliman Ibn Xheuzij, vuri re një ditë një sorrë që shoqërohej me një pëllumb, gjë që e habiti tejmase. Për të mësuar më shumë, ai qëndroi duke i vëzhguar dy shpendët dhe pa që si sorra ashtu dhe pëllumbi çalonin. Atëherë tha thënien e tij të njohur:”Çdo zog qëndron me llojin e tij.”

Nëse duam të kemi kontributin tonë në shërbimet publike dhe shoqërore siç ishte Ebu Bekri, patjetër që duhet të zgjedhim një mik dhe shok të mirë. Thotë Profeti a.s:”Njeriu ndjek fenë e mikut të tij, prandaj i zgjidhni miqtë.”

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Autor: Xhasim Mutawa

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
overcast clouds
15.2 ° C
15.2 °
15.2 °
72 %
0.9kmh
100 %
Sun
15 °
Mon
21 °
Tue
22 °
Wed
22 °
Thu
19 °