MARRËVESHJET sipas rregullave Islame- Mesh’hur Hasen

 

MARRËVESHJA NË KULTIVIMIN E TOKËS

Ç’është marrëveshja në kultivim. Në kuptimin gjuhësor është të kultivosh tokën dhe të marrësh një pjesë të fitimit. Këtu është për qëllim me kultivimin, “el Muzareah”: T’i japësh tokën dikujt për ta punuar e mbjellë, me kusht që fitimi të ndahet përgjysëm ose afër saj.

 

Gjykimi për të

Transmeton Nafi se Abdullah bin Umer i ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) bëri marrëveshje me çifutët e Hajberit që t’i japin atij gjysmën e prodhimeve bujqësore dhe të pemëve.” .Mutefekun alejhi.

Kajs bin Muslim transmeton nga Ebi Xheafer se ka thënë: “Të gjithë muhaxhirët në Medine kultivonin tokën dhe merrnin gjysmën e fitimit apo një të tretën e tij. Këtë e ka bërë edhe Aliu, Sead bin Malik, Abdullah bin Mesudi, Umer bin Abdulaziz, El Kasim, Urueh dhe familja e Ebu Bekrit, Umerit dhe e Aliut.” Përmblodhi Buhariu

 

Kujt i takojnë shpenzimet.

Nuk ka problem që shpenzimet e tokës t’i paguajë pronari i tokës ose punëtori, ose të dy së bashku.( .Dhe sigurisht që fitimi do të ndahet pasi të jenë ndarë shpenzimet e tokës dhe t’i jenë dhënë atij që i ka shpenzuar )

Buhariu thotë: “Umeri i merrte në punë njerëzit me kusht që nëse farën e sillte ai, atëherë do të marrë gjysmën e fitimit dhe nëse e sillnin ata, atëherë do të marrin kaq e aq.” Buhariu thotë se: ka thënë Haseni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk ka problem që toka të jetë e njërit prej atyre dyve dhe shpenzimet e atë që del t’i ndajnë të dy”.

Çfarë nuk lejohet në këtë lloj tregtie.

Nuk lejohet kultivimi me kusht që një pjesë e tokës të jetë për pronarin dhe tjetra për punëtorin. Gjithashtu, nuk lejohet për pronarin e tokës të thotë se unë do të marr nga fitimi një numër të caktuar kuintalësh.

Transmeton Handhaletu bin Kajs nga Rafi bin Hadixh se ka thënë: “Më kanë treguar dy xhaxhallarët e mi se ata punonin tokën në kohën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe merrnin prodhimin e anës së kanalit apo një pjesë të cilën ua ndante pronari. Atëherë i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i ndaloi nga kjo gjë”. I thashë Rafiut: “Po nëse kjo bëhet me dinar e dirhem, a lejohet?” Tha: “Nuk ka problem të paguhen me dinar e dirhem (të holla)”.

 

Lejthi ka thënë: “Ajo që ndalohej prej kësaj tregtie, ishte ajo në të cilën po të shihte ai që e kupton të lejuarën dhe të ndaluarën, nuk do ta lejonte atë., për shkak të rrezikshmërisë që ka (sepse nuk i dihet nëse do të ketë fitim apo jo, madje mund të ketë humbje nëse prodhimin e zë sëmundja apo ndonjë gjë tjetër).” Buhariu,

Nesai Transmetohet gjithashtu, nga Handhale se ka thënë: “Pyeta Rafi bin Hadixh për të punuar në tokën e dikujt me të holla( Siç ndodh përgjithësisht sot nëpër firmat, të cilat kanë blerë toka dhe punësojnë punëtorë me pagesë për mbjelljen dhe kultivimin e tyre ) dhe më tha: “Nuk ka problem për këtë, …nëse është diçka e ditur dhe e siguruar (për të cilën kanë rënë në një mendje), nuk ka problem në të.” Muslim, Ebu Daud, Nesai (sahih).

 

MARRËVESHJA NË PËRKUJDESJEN E PEMËVE

Ç’është marrëveshja në përkujdesjen e pemëve.

Ajo është të ngarkojë një pronar dikë që të kujdeset për një numër të caktuar të pemëve të tij, me kusht që t’i japë atij gjysmën e frutave apo afër gjysmës.

 Gjykimi për të:

Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i vuri kusht çifutëve të Hajberit që t’i paguajnë muslimanëve gjysmën e të korrave dhe gjysmën e frutave të pemëve.”

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se ensarët i thanë të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “Ndaji pemët e hurmave mes nesh dhe mes muhaxhirëve!” Ai tha: “Jo. Atëherë hiqni ju shpenzimet e shërbimit dhe i ndajmë frutat e tyre”. Thanë: “Dëgjuam dhe u bindën.” Mutefekun alejhi.

 

NGJALLJA E TOKËS SË VDEKUR

Ç’është toka e vdekur. Toka e vdekur është ajo tokë e pabanuar (djerrë). Banimi është krahasuar me jetën, ndërsa djerra me vdekjen.

Ngjallja e tokës së vdekur është që të shkojë dikush te një copë tokë, të cilës nuk i njihet ndonjë pronar dhe ta ngjallë atë me pastrim, mbjellje, vaditje apo ndërtim, duke e bërë kështu pronë të tij.

Nxitja e Islamit për ngjalljen e tokave.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmeton se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush ngjall një tokë e cila nuk i përket askujt, atëherë ajo bëhet pronë e tij.” Mutefekun alejhi.

Urvatu thotë: “Kështu gjykoi Umeri në kohën e hilafetit të tij”. Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush ngjall një tokë të vdekur, ajo është e tij.” Buhariu. Transmeton gjithashtu, Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kush e rrethon një tokë (me gardh a diçka tjetër), ajo është e tij.” Tirmidhiu (sahih).

LIBRI : Meshhur Hasen,Rregullat e shitblerjes.

 

 

 

 

Artikulli paraprak4 arsye pse duhet ta merrni seriozisht sipërmarrjen si musliman
Artikulli tjetërNga frenimi i konsumit, tek kujdesi për të tjerët, Ramazani ka mësime për të gjithë ne