Sqarime rreth tregtisë së makinës

Makina ime, në bagazh, ka zmadhues të zërit, tani, a është e ndaluar haram që unë ta shes makinën ashtu me ata zmadhues, kur dihet se dikush mundet t’i perdorë ata për dëgjimin e muzikës?

Pyetja:

E kam blerë një veturë, e cila mbrapa – në bagazh, ka zmadhues të zërit, të cilët i ka vendosur enkas personi që ma ka shitur veturën. Tani, a është e ndaluar (haram) që unë ta shes makinën ashtu me ata zmadhues, kur dihet se dikush mundet t’i perdorë ata për dëgjimin e muzikës?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit të Tij.

Së pari: Është me rëndësi të dihet se kur shesim diçka, në akt të shitblerjes hyjnë edhe elementet e përcjellëse të saj në suaza normale, kuptohet nëse ato ekzistojnë. Fjala vjen: Nëse shesim veturë, në akt të shitblerjes me automatizëm futen edhe gjërat e saj shoqëruese si: Kasetofoni, goma rezervë, mjeti për ndrrimin e gomave, zmadhuesit e zërit që janë vendosur me prodhimin e veturës e të ngjashëm, gjithsesi nëse ato ekzistojnë ne veturë.

Përcaktues i asaj se çfarë futet në kontratë të shitblerjes dhe çfarë nxirret prej saj nga elemntet përcjellës, është zakoni i tregtarëve të artikullit përkatës, gjithsesi nëse nuk ka ndonjë dakordim ndryshe nga palët kontraktuese, me ç’rast duhet të veprojmë sipas dakordimit të palëve dhe jo sipas zakonit të tregtarëve. Sipas këtij rregulli qartësohet se nëse në veturë është vendosur diçka ekstra nga pronari i saj, këto elemente mund të largohen nga shitësi pa problem. Fjala vjen nëse ka vendosur edhe një tjetër kasetofon, ka vendosur zmadhues zëri ekstra. Si rezultat, pyetësi ka të drejtë heqjen e këtyre zmadhuesve të zërit nga akti i shitblerjes, sidomos nëse mund t’i shfrytëzojë për gjëra të lejuara.

Së dyti: Këta zmadhues zëri, në parim nuk janë të ndaluar, pra shitblerja e tyre, mirëpo është i ndaluar përdorimi i tyre në formë të ndaluar (haram), sikurqë mund të përdorën për dëgjim të muzikës me zë të lartë, e që dëgjimi i saj nuk lejohet as me zë të lartë as me zë të ulët, siç e kemi treguar te përgjigjja në pyetjen: “A është e vërtetë se një njeri që e shijon muzikën ai në atë moment ka bërë kufër?”

Së treti: Largimi i këtyre zmadhuesve të zërit, nëse mendon se blerësi i veturës do t’i përdorë për gjëra të ndaluara, do të ishte i preferuar, përndryshe shitja e veturës ashtu siç është (me zmadhues zëri), nuk do të konsiderohej e ndaluar, përderisa përdorimi i tyre nuk është i specifikuar vetëm me haram, porse përdorimi i tyre mund të jetë edhe më i gjerë, pra, mund të përdoren edhe në gjëra të lejuara. Shtoja kësaj edhe elementin tjetër që, shitja e zmadhuesve të zërit nuk bëhet ndaras nga vetura, porse këtu bëhet shitja e veturës, ndërsa zmadhuesit e zërit, sikurse edhe elementet tjera të saj, futen në kontratë të shitblerjes së makinës dhe nuk bëhen me kontratë të veçantë. Allahu e di më së miri!

Artikulli paraprakAnija e Ismail Qemalit në një monedhë Austriake
Artikulli tjetërShenjat që tregojnë se një ditë do të bëheni të pasur