Ballina Blog Faqe 694

Resorti i ri turistik i multimiliarderit indian në Maqedoni

Projekti i një multimiliarderi indian i planifikuar për Liqenin e Ohrit do të krijojë vende pune dhe mund të shërbejë si një trampolinë për investime të huaja shtesë.

Njoftimi i fundit se multimiliarderi indian Subrata Roy planifikon të ndërtojë një resort të klasit botëror në liqenin e Ohrit shihet edhe si nxitje për industrinë e turizmit të Maqedonisë dhe një hap i madh në përpjekjen e vazhdueshme të vendit për të tërhequr investime ndërkombëtare.

Saharayan Macedonia e Rojit do të zërë 240 hektarë prona në fundin jugor të liqenit, ngjitur me Ljubanishtën, dhe rreth 10 kilometra nga qyteti i Pogradecit në Shqipëri. Resorti do të përfshijë hotele, kazino, një port dhe një kurs golfi dhe pritet të ketë një ndikim të madh në ekonominë e Maqedonisë.

Në shtator, Roji bleu Slavia Hotel në Ohër dhe është duke e përdorur atë si një bazë për arkitektët dhe inxhinierët që do të punojnë mbi resortin, i cili do të ndërtohet gjatë 5-6 viteve të ardhshme.

“I gjithë projekti do të ketë një efekt të madh në ekonominë e vendit dhe është nisur nga pikëpamja e interesave të biznesit”, tha Roji. “Përpjekjet tona nuk janë të jetë një resort mesatar, por një destinacion që do të jetë në mesin e pesë deri dhjetë më të mirave në këtë fushë në gjithë botën”.

Resorti do të jetë një nga investimet më të mëdha turistike në Ballkan, si dhe afërsia e saj me Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë do ta bëjë atë një destinacion të lehtë për qytetarët e vendeve të ndryshme.

Donço Tanevski, kryetar i Shoqatës së Hoteleve të Maqedonisë, tha se resorti do t’i lejojë sezonit turistik të shtrihet gjatë gjithë vitit.

“Projekti do të sjellë klientë të kategorisë së lartë të cilët ne dëshirojmë t’i kemi, por tani nuk kemi kushte për t’u [shërbyer],” tha Tanevski, duke shtuar se zgjidhja “do të ketë një ndikim të madh në ekonominë rajonale, sepse kjo do të jetë një nga komplekset më të mira në Ballkan”.

Viktor Mizo, drejtor i zhvillimit të zonave teknologjike industriale të Maqedonisë tha për SETimes se kompanitë vendase do të përfshihen shumë në ndërtimin e resortit, i cili pritet të punësojë rreth 1000 vetë pasi të hapet.

“Me siguri do të ketë nevojë për firma me përvojë ndërkombëtare, sepse kompleksi do të ketë përmbajtje që nuk gjendet në vende të tjera në botë, por shumica e aktiviteteve do të kryhen nga firmat vendase”, tha Mizo.

Anastas Dzurovski, profesor i financave publike në Universitetin e Shën Kliment Ohridski në Manastir, tha për SETimes se lidhja ekonomike e Maqedonisë me Indinë është e rëndësishme.

“Marrëdhëniet politike, ekonomike dhe kulturore me Indinë do të përmirësohen seriozisht. Prurjet e një investimi të tillë të madh do të kontribuojë në krijimin e kontakteve të reja ndërmjet subjekteve ekonomike të të dy vendeve si një dobi e madhe”, tha Dzurovski.

Ai shtoi se ardhja e Sahara Group e Rojit në Maqedoni do të tërheqë kompani të tjera indiane dhe Maqedonia mund të ndihmojë të bëhet një trampolinë për kompanitë indiane që kërkojnë të arrijnë tregjet më të gjera, duke përfshirë BE-në.

“Ata do të jenë më afër Evropës, një nga tregjet më të rëndësishme, ku ata zor se vijnë”, tha Dzurovski. “Ne jemi një treg i vogël, por për shkak të marrëveshjeve të tregtisë së lirë ne kemi me vendet evropiane … ne ofrojmë një mundësi të madhe”.

Sipas zyrtarëve të Shkupit, marrëveshjet e investimit të Maqedonisë me kompanitë e huaja në katër vitet e fundit arritën në 1,55 miliardë euro — dyfishi i shumës së investuar nga periudha 1990 – 2005.

Midis kompanive janë Kemet Electronics, Johnson Matthey, Kromberg & Schubert, Johnson Controls dhe Drexler Mayer.

“Këto investime do të krijojë direkt vende të reja pune dhe do të ndikojnë direkt në eksportet nga Maqedonia, në bilancin e përgjithshëm tregtar dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Mizo.

Si vendasit dhe turistët presin të shohim një ndikim nga resorti Saharayan Macedonia.

“Shpesh kemi ardhur në Ohër, i cila është i bukur gjatë gjithë vitit. Kemi dëgjuar për investimin e miliarderit indian që besojmë se nëse realizohet do të ndryshojë karakterin e qytetit, i cili më pas do të jetë i gjallë gjatë gjithë vitit”, tha për SETimes Snezhana Milloshevic Baranac, një turiste nga Beogradi.

“Unë mendoj se Pogradeci në Shqipëri si qyteti fqinj i Ohrit do të përfitojë shumë nga ky investim”, tha për SETimes banori i Pogradecit Rasim Çala. “Shumë prej turistëve që vijnë në Ohër do të vijë një ditë në Pogradec, i cili gjithashtu është qytet turistik”./set

Si të tërhiqen ndërmarrësit nga diaspora?

Kërkohet krijimi i një grupi punues për të gjetur format e tërheqjes së ndërmarrësve nga diaspora. Ministria e Diasporës thotë se është e hapur të bashkëpunojë me të gjithë të cilët mund të japin kontributin e tyre në tërheqjen e investimeve.
Nga mërgata në Kosovë hynë shumë mjete financiare, por pjesa më e madhe e tyre del jashtë vendit, pasi produktet në treg janë kryesisht të importit. Prandaj, kërkohet të gjenden format që afro 600 milionë euro në vit të mbeten në Kosovë dhe në këtë mënyrë të krijohet vlera e shtuar e atyre mjeteve.

Bardhyl Meta nga Oda Ekonomike Gjermane propozon të krijohet një grup punës për këtë qëllim.

“Është mirë të krijohet një grup i cili do të na përgjigjej brenda tre muajsh, si mund t’i tërheqim 10 mijë ndërmarrës nga diaspora, çka duhet të bëjmë, cila është pjesa e infrastrukturës ligjore që duhet ta ndërrojmë që ta arrijmë këtë stimulans dhe cilat janë efektet që na i sjell ajo”, tha Meta për Radio Kosovën.

Meta thekson se nuk është vështirë të sillen 10 mijë ndërmarrës në Kosovë, sepse sipas tij, janë 100 mijë që presin të vijnë.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli thotë se është i hapur të bashkëpunojë me të gjithë të cilët mund të kontribuojnë në shfrytëzimin më të mirë të remitancave. Në këtë aspekt Makollit i pëlqen ideja e Metës.

“Pse jo, jo vetëm që e përkrahu, por e mbështes krijimin e një grupi të tillë, i cili do të ishte në gjendje që brenda një periudhë të shkurtë kohore, të identifikojë edhe në rrafshin lokal, edhe në rrafshin qendror të hulumtojë infrastrukturën ligjore që ne e kemi në vend në të gjitha fushat për t’i dhënë institucioneve tjera rekomandime”, theksoi Makolli. /Telegrafi/

Shpëtimi është në sistemin bankar islam

Bankat nëpër tërë botën po ballafaqohen me kriza dhe pasojat e tyre që nga viti 2008, përderisa në shtëpitë islame, paraja shkon plotësisht në drejtim të kundërt.

Pasuritë e tyre vazhdimisht po rriten në mënyrë të qëndrueshme, dhe sipas ekspertëve, ato kanë arritur në 1.800 miliardë dollarë.

Sistemi Bankar Islam është duke u forcuar në 2-3 dekadat e fundit, dhe norma mesatare e saj prej rreth 15 për qind rritje brenda vitit në kohët e fundit, e ka bërë tashmë atë një nga fenomenet më të famshme të shekullit të 21-të.

Vlerësimi i rritjes së aktivitetit të bankave islame në 1.800 miliardë dollarë në këtë moment, e cila është paraqitur nga studimi më i ri i shtëpisë konsultative Ernst & Young , shënoi ngritjen e saj aq të lartë në 38.5 për qind në krahasim me fundin e vitit 2011.

Sekreti nuk është, siç mendohet zakonisht, me fitime të mëdha të naftës. Ose të paktën jo e tëra nga ajo. Sistemi i financimit “hallall” fillon nga disa premisa bazike në të cilat nuk ka asnjë sekret të madh, por edhe asnjë manipulim perëndimor të interesit.

Financat Islame janë të bazuara në parimet e ndalimit të pagesës ose pagesës së interesit, në çfarëdo forme, në kushtin e ndarjes së përbashkët të fitimit ose humbjes, në pamundësinë për të fituar pa marrë përsipër rreziqet, dhe në ndalimin e investimeve në armatim, pornografi, alkool, bixhoz e lotari.

Duke pasur parasysh suksesin e kësaj metode të financimit, një temë (pyetje) e zakonshme për ekspertët është pse sistemi “hallall” nuk ka kapur (lëshuar) rrënjë më të thella në Perëndim.

Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, e cila është një nga të parat që ka kuptuar përfitimet dhe përparësitë e këtij sistemi, vlera e investimeve tashmë ka arritur 19 miliardë dollarë. Në Francë, principet e financave islame janë ende në një nivel modest, përkundër nevojave të theksuara të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të llojeve të reja të investimeve, publikuar nga portali prestigjioz Klubi i Biznesit (Business Club de France).

Disa vende, të tilla si Pakistani, Irani dhe Sudani, sistemet e tyre ekonomike konvenciale të dikurshme i kanë kthyer plotësisht në sisteme islame.

Në zhvillimin e sistemit financiar islam, institucionet financiare islame kanë rolin kyç. Sot në botë veprojnë mbi 200 institucione të ndryshme islame financiare, komerciale banka investuese, kompanitë financiare dhe të sigurimeve, në më shumë se 50 vende në të gjitha pesë kontinentet.

Më të përhapura janë në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe në Azinë Juglindore, dhe gjithnjë e më prezente në Amerikën Veriore dhe në Evropë.

Sistemi përbëhet edhe nga një numër i institucioneve financiare jobankare, tregu monetar islam, berzat islame, fondet e përbashkëta islame dhe kompanitë islame të sigurimeve që operojnë me parimet e Sheriatit.

Grupi më i madh bankar islam në botë është “Al Rajhi Banking & Investment Corp.”, me seli në Arabinë Saudite. Krahas saj është edhe “Albaraka & The International Investor Dar Al-Maal Al-Islami-“, me seli në Gjenevë, si dhe “Kuvajt Finance House” dhe “Katar International Islamic Bank”.

Banka e parë e këtij lloji është themeluar në Luksemburg në vitin 1978 – “Islamic Finance House”, ku përveç kësaj pastaj janë hapur edhe një numër i institucioneve që veprojnë në mënyrë të njëjtë edhe në vendet e tjera evropiane. Përveç kësaj, disa banka konvencionale perëndimore ofrojnë shërbime sipas parimeve të sheriatit sipas nevojave të klientëve të tyre.

Interesimi i bankave perëndimore për të krijuar marrëdhënie dhe bashkëpunim biznesor me bankat islame është në rritje të vazhdueshme.

ICKosovo, ofron këshilla për financimin e biznesit

“Business Tuesday” organizuar nga Innovation Centre Kosovo (ICK) do të ofrojë një diskutim dhe disa prezantime të rëndësishme për të gjithë ata që duan të dinë më shumë mbi qasjen në financim për biznesin e tyre.
Pavarësisht se për çfarë lloji të biznesi bëhet fjalë vështirë që mund të shmangët nga diskutimi çështja e financimit – që është element tejet thelbësor në arritjen e suksesit. Gjetja e fondeve të duhura në tregun e sotëm mund të jetë një objektiv i vështirë dhe tejet kompleks, që kërkon kohë dhe njohuri specifike mbi mundësitë e ndryshme të financimit.

Në edicionin e pestë të Business Tuesday do të diskutohet më detajisht lidhur me gjetjen e financimit përmes pjesëmarrjes së ekspertëve të kualifikuar nga fusha e industrisë së financimit. Në këtë takim do të ofrohen më shumë detaje mbi qasjen në mundësitë e financimit të biznesit, mbi kushtet ekzistuese, grantet e mundshme, etj.

Pjesëmarrësit gjatë Business Tuesday #5 do të kenë mundësinë që të marrin informata mbi shërbimet e ofruara nga institucionet bankare, organizatat e ndryshme, të informohen mbi përfitimet e mundshme nga këto opsione të financimit, çka duhet të bëjnë që të kualifikohen për të përfituar financimin, si dhe do të kenë mundësinë që drejtpërdrejtë të bisedojnë me folësit.

“Business Tuesday” i pestë me radhë mbahet më 5 shkurt 2013 në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK) prej orës 17:15, ndërsa pjesëmarrja është e lirë për të gjithë të interesuarit.

“Business Tuesday” është i inspiruar nga praktika e ngjarjeve të ngjashme që organizohen në Skandinavi.

Athene Prosjektledelse, nga Norvegjia dhe Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), janë themeluesit e ICK-së, kurse Crimson Capital është partner kryesor bashkëpunues. ICK-ja financohet nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme. /Telegrafi/

Kosova mund të prodhojë 780 MW energji të ripërtërishme

Në muajin shtator të vitit 2012, Banka Botërore publikoi një raport alarmant me të dhëna mbi ndikimet e ndotjes në shëndetin e kosovarëve.

Gjysma e këtyre të dhënave iu atribuuan ndotjes së ajrit nga djegia e qymyrit në vend, gjegjësisht shfrytëzimi i kësaj lënde për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa gjysma tjetër vjen si pasojë e ndotjes së ajrit nga gazrat që lirohen nga automjetet e vjetra dhe shfrytëzimi i burimeve të tjera për ngrohje.

Sipas këtij raporti, vetëm në vitin 2010, nga ndotja e mjedisit në Kosovë, janë regjistruar: 835 vdekje të parakohshme; 310 raste të reja të bronkitit kronik; 22 900 raste të reja të sëmundjeve respiratore ndër fëmijë (astma ndër rastet më të shpeshta); 11 600 vizita emergjente në spitalet e vendit , thuhet në një komunikatë të KOSID –it ( Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm).

Më shumë se 100 milionë euro shpenzime, direkt nga xhepi i varfër i kosovarëve, për t’u ballafaquar me këtë problem.

Sipas shënimeve zyrtare, e tërë kjo ka ndodhur në një vit kur si pasojë e paaftësisë shtetërore, rreth 40% e energjisë së prodhuar në vend ka humbur në rrjetin elektrik (rreth 17% humbje teknike dhe pjesa tjetër humbje komerciale, respektivisht vjedhje e saj nga konsumatorët) dhe kur kërkesa për energji ka qenë për rreth 30% më e lartë se normalja, si pasojë e mungesës së programeve shtetërore për efiçiencë të energjisë.

Nëse Qeveria e vendit dhe palët e tjera të interesit, të cilat e përkrahin sektorin energjetik në vend, do të investonin në këto dy fusha problematike, atëherë Kosova do të mund të mbulonte kërkesën për energji elektrike nga konsumatorët, vetëm me termocentralin “Kosova B”. Përmes kësaj forme do të kurseheshin jetët e qytetarëve, do të mbrohej shëndeti i fëmijëve tanë dhe do të kursehej shumë xhepi i kosovarëve.
Një projekt tjetër shumë i vonuar, që do të ndihmonte kosovarët është ai i interkonjeksionit me Shqipërinë. Kosova duhet të zhvillojë sistemin e transmisionit me Shqipërinë për të shkëmbyer energji me Kosovën. Me këtë lidhje, sistemet energjetike të dy vendeve do të komplementonin njëra-tjetrën dhe do t’iu mundësonin të dyja vendeve menaxhim shumë më të mirë të sistemit energjetik, në një kohë kur qytetarëve të të dyja vendeve do t’iu kushtonte shumë më lirë energjia që e shfrytëzojnë nëpër shtëpitë e tyre.
Për më tepër, tash e dy vjet, investitorë potencialë, të huaj e vendas, presin për licencim të projekteve të energjisë së ripërtërishme nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Një gjë e tillë ka ndodhur si pasojë e mosinteresit të Qeverisë së vendit për të përkrahur projektet e tilla. Investitorët kanë dorëzuar kërkesa për licencim për projekte që sikur të zbatoheshin do të rezultonin në shtimin e rreth 160 MW të rinj në vend. Realizimi i këtyre projekteve, do të trefishonte numrin e vendeve të punës për kosovarë dhe do të mbronte shëndetin dhe mjedisin tonë.
Kosova deri në vitin 2025 mund të zhvillojë projekte në fushën e energjisë të ripërtërishme deri në 780 MW. Kjo është vërtetuar nga një nga laboratorët më prestigjioz në botë, ai i Universitetit të Kalifornisë Berkeley. Këta Megavatë do të vinin nga projekte:
• Të ujit (hidrocentrale) – 140 MW nga projektet e vogla dhe 300 MW energji piku nga HC Zhuri;
• Era – 300 MW; Biomasa – 165 MW ; Gjeotermika – 100 MW; Solare – 75 MW.

Investimi në këto projekte, në fund të vitit të zbatimit të tyre, do t’i kushtonte xhepit tonë më lirë sesa energjia e bazuar në linjit, në një kohë kur jeta e qytetarëve të Kosovës do të mbrohej, së bashku me mjedisin në të cilin jetojmë dhe do të krijoheshin tri herë më shumë vende pune, në një treg ku më shumë se 40% e popullatës është e papunë.
Banka Botërore do të tentojë të japë një kredi të majme deri në 1 miliard dollarë për një termocentral të ri në Kosovë. Megjithatë, kjo kredi është paraparë të jepet për të ndihmuar procesin e privatizimit, dhe në asnjë mënyrë t’iu ndihmojë kosovarëve në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit të tyre. Ky institucion ndërkombëtar financiar nuk e ka të njëjtin interes e përkushtim për të zhvilluar fushën e energjisë së ripërtërishme në vend. Në planin e tyre trevjeçar ata nuk parashohin më shumë se 32 milionë dollarë për këtë fushë, e cila si e tillë për ta as që është elaboruar në planin e tyre se çfarë në të vërtetë nënkupton ka raportuar për kohen.
Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore, edhe pse janë në dijeni me këto fakte, vazhdojnë të përkrahin një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri në vend, i cili nëse ndërtohet, do ta burgoste Kosovën edhe për 40 vitet e ardhshme në një mjedis të ndotur, ku jeta e fëmijëve tanë do të jetë e kërcënuar nga ndotja në oborrin ku jetojnë.

KOSID-i, me qëllim të ngritjes së vetëdijes publike për këtë problem dhe kanosjes së rrezikut për jetën e çdonjërit, lanson një fushatë mediale me të dhënat e publikuara nga vetë Banka Botërore. Kjo fushatë kërkon përgjigje nga institucionet që e përkrahin këtë projekt se pse vazhdojnë të investojnë në projekte që marrin jetë njerëzish, varfërojnë edhe më shumë dhe shkatërrojnë mjedisin ku jetojmë, kur opsionet më të mira janë të realizueshme, janë ekologjike dhe nuk kushtojnë më shumë për xhepin tonë, theksohet në këtë komunikatë.

KOSID-i shpreson që kjo fushatë mediale do të vetëdijesojë edhe aktorët e përfshirë në këtë projekt shkatërrues dhe që ata do të ndryshojnë qasjen e tyre karshi zhvillimit të sektorit energjetik në vend.
Fushata është punuar me përkrahjen nga Asociacioni Amerikan i Pulmologëve, Asociacioni Kosovar i Pulmologëve, Sierra Club, European Climate Foundation dhe Forumi për Iniciativa Qytetare./Indeksonline/.kohaislame

Çmimi i arkave fiskale dhe i çimentos, më i larti në rajon

Kosovarët paguajnë më shumë se qytetarët e vendeve të rajonit për t’u furnizuar me çimento, apo të t’u pajisur me një arkë fiskale.
Ky është konstatimi që ka dalë nga raporti: “Taksa’ e fshehur: Pse kosovarët paguajnë më shumë“, i publikuar të mërkurën nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim (D4D).
“Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Doganat e Kosovës, ky produkt importohet nga Bullgaria me çmimin fiks prej 138 eurove. Në anën tjetër, shfrytëzuesit e fundit, ndërmarrjet dhe bizneset, duhet të paguajnë një çmim i cili është 4 herë e gjysmë më i shtrenjtë, pra 665 euro”, thuhet në këtë raport, shkruan “Koha Ditore”.
Po ashtu edhe çimentoja është më e shtrenjtë në Kosovë sesa në vendet tjera të Ballkanin./IO

SES mbush 30 vjet

30 vjet më parë u themelua qendra Senior Experten Service (SES). Ai ndërmjetëson pensionistë për institucione arsimore dhe ndërmarrje brenda dhe jashtë vendit. Shërbimi honorifik konsiderohet si model i suksesshëm.
Para pesë vjetësh Siegfried Müller nuk e dinte se ku gjendej Kigali, kryeqyteti i Ruandës, vendit në lindje të Afrikës. Kjo gjë ndryshoi kur e shoqja e regjistroi tek Senior Experten Service (SES) [Shërbimi për ekspertë në moshë pensioni]. Pas shkurtesës SES qëndron një fondacion, i cili u ofron pensionistëve mundësinë që të përcjellin dijet e tyre, brenda dhe jashtë vendit. Siegfried Müller, i cili para pensionit ka punuar si kasap, e mori detyrën e tij të parë në SAS nga Kigali.
Pronari i një supermarketi në Ruandë donte të shtonte në asortimentin e tij sallam dhe pensionisti u ngarkua t’iu tregonte punëtorëve se si prodhohet sallami. Mirëpo fillimisht ai e kishte të vështirë ta përfytyronte që të punonte në Ruandë. “Njëherë për njëherë pësova shok”, i kujtohet 65-vjeçarit. “Çfarë asociohet në Gjermani me Ruandën? Gjenocidi i hutuve dhe tucive. Pas kësaj nuk dëgjohej më gjë për Ruandën”, thotë në bisedë me DW-në pensionisti. U informua në Ministrinë e Jashtme, për të mësuar më shumë për këtë vend dhe në fund vendosi ta ndërmerrte udhëtimin. Në janar 2009 shkoi pastaj për të parën herë në jetë në Afrikë, me avion, dhe qëndroi për gati pesë muaj në Kigali. Qysh atëherë ka qenë herë pas here atje, edhe në 

Angazhim në më shumë se 160 vende
Shërbimi për ekspertë në moshë pensioni u krijua në 31 janar 1983 në Bon. Ai ishte fillimisht një projekt eksperimental i Shoqatës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Gjermani (DIHK) dhe i Ministrisë për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (BMZ). „Ato e themeluan SES-in, në mënyrë që të mos humbasë përvoja profesionale e çmuar e ekspertëve gjermanë, kur këta dalin në pension“, shpjegon Ute Sonnen. Në SES ajo është zëvendësdrejtore e sektorit të marrëdhënieve me jashtë. Projekti eksperimental u kthye shpejt në një programm të suksesshëm dhe në 30 vitet e fundit u arrit të kryen më shumë se 25.000 projekte në 160 vende.
Eksperti i SES, Bernd Vermehr në Namibi, 2012
SES-i nuk zbaton projekte të vetat, po vetëm reagon ndaj kërkesave. Dhe sapo gjehet një vullnetar, i cili përmbush kushtet e kërkesës, dërgohet jashtë vendit. Shpenzimet e fluturimit i merr përsipër SES-i, në këtë mes ai mbështetet edhe prej BMZ-së. Pastaj institucioni që e fton kujdeset për ushqimin dhe fjetjen. Drejtuesja e projekte të SES-it për sektorin e Afrikës, Anja Tenambergen, nuk ka dyshime se mos të moshuarit e shfrytëzojnë qëndrimin jashtë vendit për të bërë pushime. „Porosidhënësit na njoftojnë që shpesh të moshuarit janë aq të motivuar saqë në rast nevoje punojnë edhe në fundjavë”./dw

Tkurret ekonomia amerikane

Ekonomia amerikane u tkurr paksa në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, për shkak të shkurtimit të shpenzimeve qeveritare dhe ngadalësimit të eksporteve.

Në raportin që Departamenti i Tregtisë publikoi sot, thuhet se ekonomia u tkurr me 0,1 për qind në tremujorin e katërt. Kjo është shifra më ulët për ekonominë amerikane, që nga viti 2009, gjatë recesionit.

Raporti del ndërsa konsumatorët amerikanë ndeshen me taksa më të larta dhe Washingtoni është duke shqyrtuar shkurtime të tjera buxhetore. Po ashtu eksportet janë pakësuar për shkak të recesionit në Evropë, duke ulur kërkesën për mallra amerikane.

Rritja ekonomike u dëmtua gjithashtu kur bizneset amerikane i pakësuan rezervat, pasi menaxherët shqetësoheshin se nuk do të ishin në gjendje të shisnin të gjithë mallin. Por nuk kemi vetëm lajme të këqia sot nga ekonomia amerikane. Në raport thuhet se rritja e përgjithshme për vitin 2012 ishte 2,2 për qind, pak më e lartë se sa vitin e kaluar.

Numri i udhëtimeve turistike në botë për herë të parë rezultoi më shumë se një miliard

Vitin e kaluar numri i turistëve që kanë kryer udhëtime jashtë vendit për herë të parë në botë rezultoi më shumë se një miliard njerëz. Këto të dhëna përmbahen në raportin vjetor të Organizatës Botërore të Turizmit, të botuar ditën e martë. Sipas të dhënave të kësaj organizate, numri i atyre që udhëtuan jashtë vendit vitin e kaluar u rrit me 4% në krahasim me vitin 2011.

Sipas parashikimeve të organizatës, rritjen më të madhe të fluksit të turistëve në vitet e ardhshme do ta demonstrojnë vendet e Azisë dhe rajoneve të Oqeanit Paqësor, Afrikës, Amerikës dhe Evropës. Në të njëjtën kohë vendet e Lindjes së Mesme, që po përjetojnë aktualisht konflikte të brendshme, ka shumë mundësi të përballen me stagnim ose rënie të fluksit turistik.

Dhjetëra zyrtarë braktisën biznesin

80 zyrtarë të lartë janë hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Të gjithë zyrtarët që janë evidentuar nga AKK–ja në konflikt interesi, rezultojnë pronarë apo menaxherë të bizneseve të ndryshme private. Bëhet fjalë për drejtues të institucioneve publike, zyrtarë qeveritarë nga legjislativi apo nga niveli komunal, të cilët i kanë dhënë përparësi postit publik, duke lënë mënjanë bizneset private. Dy zyrtarë të lartë deri më tani i kanë kontestuar vendimet e dhëna nga AKK–ja, duke pretenduar se nuk janë në konflikt interesi.
Përmes kontrollit të drejtpërdrejtë të deklarimit të pasurive, Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur hetimet administrative për disa raste të dyshuara si konflikt interesi. Siç raporton gazetar Kosova Sot, protagonistët e këtyre hetimeve janë zyrtarë të lartë të nivelit qendror dhe atij vendor.

Nga kontrollet e ushtruara nga AKK–ja në institucionet publike, janë evidentuar dhe trajtuar 80 raste përgjatë vitit 2012, prej të cilave, 78 janë parandaluar, ndërsa dy të tjera kanë përfunduar në gjykatën kompetente. Të paktën këto janë të dhënat e publikuara deri më tani nga AKK–ja, raporton gazetar.

Pothuajse të gjithë zyrtarët që janë evidentuar nga AKK–ja në konflikt interesi, rezultojnë pronarë apo menaxherë të bizneseve të ndryshme private. Të paprekur nga kriza ekonomike dhe bazuar në deklarimet e pasurive, rezultojnë më së shumti drejtues të departamenteve apo të institucioneve të ndryshme shtetërore. Pas nuk mbeten edhe zyrtarë të Qeverisë, të cilët janë pajtuar me gjetjet e Agjencisë Kundër Korrupsionit, shkruan në numrin e sotëm gazeta Kosova Sot.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
32.5 ° C
32.5 °
32.5 °
25 %
3.6kmh
0 %
Mon
35 °
Tue
35 °
Wed
27 °
Thu
30 °
Fri
30 °