E vetmja mënyrë për të fituar tender në institucionet e shtetit në Kosovë është ryshfeti dhe zhvatja. Këtë e thonë vetë bizneset në një raport mbi prokurimin publik të Odës Amerikane. Ata madje vlerësojnë se prokurimi publik është zinxhiri më i korruptuar i sistemit.
Me ryshfet e zhvatje. Vetëm në këtë mënyrë mund të fitohet një tender në institucionet publike.
Këtë e thonë vetë bizneset në një raport mbi prokurimin publik të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, shkruan gazeta Express. –
Bizneset kanë deklaruar se në marrjen e tenderëve po favorizohen kompani të caktuara të afërta me Qeverinë. Ndërkaq, ryshfeti e zhvatja janë format korrputive përmes të cilave mund të arrihet deri në një kontratë.
Në këtë raport, bizneset madje janë deklaruar se nuk po ushtrojnë ankesa fare kur ka parregullsi, me frikën se ndëshkohen në tenderët e tjerë nga autoritetet kontraktuese. Dyshime kanë edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit, për të cilin thonë se po i favorizon kompani të caktuara.
“Të anketuarit besojnë se prania e korrupsionit (ose të paktën perceptimi që ai ekziston) është e lartë në rastet e prokurimit publik. Disa kompani shkojnë aq larg sa që thonë se prokurimi publik është zinxhiri më i korruptuar i ”sistemit”, gjë që duhet të adresohet menjëherë”, thuhet në ketë raport.
Përqindja e të anketuarve, sipas raportit, që pohojnë të kenë hasur në korrupsion në aktivitetet e prokurimit është 58 për qind.
Sipas bizneseve, llojet e korrupsioneve në të cilat hasin më së shumti janë favorizimi, ryshfeti dhe zhvatja.
“Ngjashëm, 52,4 për qind e të anketuarve pohojnë të kenë dëgjuar raste kur kompanitë brenda sektorit të tyre kanë bërë pagesa jo zyrtare për të garantuar suksesin e ofertave të tyre në aktivitetet e prokurimit”, thuhet aty.
Krahas korrupsioni, probleme të tjera që kanë konstatuar bizneset janë edhe varshmëria e tepërt në kriterin e çmimit më të ulët dhe specifikacionet teknike, të cilat përpilohen në atë mënyrë që favorizojnë në operator të caktuar.
Sa i përket përpilimit të specifikimeve teknike, fakti që ndonjëherë ato përpilohen në mënyrë që favorizuese për një operator ekonomik të caktuar tregon që jo gjithmonë kompania më e mirë fiton një projekt të caktuar. Kjo mund të çojë në një kualitet jo të kënaqshëm të punës dhe si rezultat tenderët duhet të ri-shpallen nga agjencitë e prokurimit, duke çuar në shpenzime të panevojshme për shtetin, një barrë kjo që bie mbi tatimpaguesit.
“Sipas përgjigjeve të të anketuarve, në mesatare, përqindja e herëve kur specifikacionet teknike janë të përgatitura në këtë mënyrë është 39 për qind, ndërsa në 61 për qind të rasteve, specifikimet teknike nuk janë të të përgatitura të favorizojnë një kompani specifike, e para në kundërshtim me ligjin mbi prokurimin publik”, thuhet në raport.
Probleme tjera vleresohën të jenë anulimi i paarsyeshëm i tenderëve, prania e korrupsionit dhe problemet lidhur me vetë ligjin.
Bizneset nuk janë të kënaqura as me punën e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Për më tepër bizneset po ngurojnë të ushtrojnë ankesë në OSHP, për shkak të frikës se mos ndëshkohen nga autoritetet kontraktuese në tenderë të tjerë.
“Rreth 52 për qind e të anketuarve kanë thënë se janë të brengosur se ankesa mund të rezultojë me probleme në të ardhmen gjatë aplikimeve për aktivitete prokuruese”, thuhet në raport.
Fakti që kompanitë duhet të paguajnë një tarifë prej 500 eurosh për çdo ankesë të bërë në OSHP është marrë si problem, posaçërisht në rastet kur vetë projekti është i një vlere të ulët. Sidoqoftë, ata respondentë vlerësuan se OSHP në të shumtën e rasteve jep përgjigje në kohë ndaj ankesave.
Bizneset e vlerësojnë shumë ulët OSHP-në për transparencë. Por, këtë në raport e kanë mohuar përfaqësuesit e këtij institucioni. /Indeksonline/
Ja si fitohen tenderët
Stambolli, qyteti më i vizituar në Evropë më 3.2 milion tursitë në ditë
Organizata Evropiane e Turizmit për vitin 2012-2013 Stambollin e shpall qytetin më shumë të vizituar në Evropë, më 3.2 milion tursitë në ditë.
Kjo shifër cilësohet si rekord më vetë dhe një rritje galopante e vizitorëve në krahasim me vitin e shkuar kur u vizitua nga 2.7 milionë banorë.
Qyteti historik është shtëpia e rreth 19 milionë banorëve dhe vazhdon të rritet, Stambolli në një rritje të shpejtë ekonomike dhe për më tepër në një vetësiguri të madhe, që vjen prej tregut të tyre të stërmadh.
Shteti turk me gjithë kritikat që merr nga Bashkësia Evropiane për probleme të ndryshme, vazhdon i qetë rrugën e tij dhe më tepër akoma mëton ta qesëndisë tani Evropën. Simboli i këtij zhvillimi është vetë qyteti i tyre simbol i njerëzimit… Stambolli, i cili nga 29 maji i 1453 është pjesë e civilizimit.
Por një gjë dihet “Stambolli është shumë i bukur”.
Në shqip: Petrit Kelmendi
Berisha: Fond për biznesin social
Qeveria do të krijojë fondin e biznesit social si një mënyrë për t’u dhënë të varfërve mundësi të dalin nga varfëria nëpërmjet kreditimit të një aktiviteti privat.
Kryeministri Berisha tha se ky vendim i pritshëm bën pjesë në zbatimin e skemave të nobelistit Mohamed Jusuf, i cili fitoi çmimin Nobel për idetë e tij në uljen e varfërisë dhe papunësisë.
Sipas kryeministrit Berisha, në fondin e biznesit social, që do të financohet nga qeveria, edhe biznesi do të ketë mundësi pjesëmarrjeje. Kjo mundësi do të krijohet nga një ligj i ri, ku qeveria do të propozojë që taksën e dividentit, pra
Taksa më afër optimales është taksa e sheshtë. Nëpërmjet taksës progresive, ti vetëm sa në pamje të parë përpiqesh të arrish në një barazi, por në të vërtetë e thellon më shumë këtë pabarazi të fitimeve që u shpërndahen aksionerëve, biznesi ta derdhë menjëherë në fondin e biznesit social.
“E tha shumë bukur profesori, që bankat u japin atyre që kanë, kurse ky sistem u jep kredi atyre që s’kanë. Pra, vendimi i ardhshëm i yni për të kaluar taksën e dividentit tek sipërmarrjet që duan, se natyrisht ne nuk i imponojmë, në fondin e biznesit social është një hap tjetër shumë i rëndësishëm i yni për një shpërndarje më të mirë, sepse në fund të fundit e tërë problematika e taksës thjeshtohet në mbledhjen dhe shpërndarjen e saj. Ky ekuilibër përcakton përpjekjen tënde për mirëqënie, si shndërron ti këtë të ardhur më mirëqenie”, deklaroi Berisha.
Kryeministri u shfaq entuziast kur në mbledhjen e qeverisë prezantoi një studim të Universitetit të Harvardit, ku tre ndër ekonomistët më të njohur në botë sugjerojnë taksën e sheshtë dhe jo taksën progresive si rrugën më të mirë të kapërcimit të krizës ekonomike.
“Në studimin e tyre për taksën optimale, pasi tani nuk ka asgjë më të rëndësishme se të gjejmë cila është taksa optimale, dhe për ta, taksa më afër optimales është taksa e sheshtë. Së dyti, për kuriozitetin tuaj, për ata rëndësi kapitale ka heqja e taksës së makinerive, pra atë që bëmë ne tre muaj më parë”, nënvizoi Berisha.
Duke vënë në dukje rëndësinë që i jep studimi i Harvardit mënyrës sesi shpërndahen të ardhurat nga qeveria, kryeministri Berisha theksoi se edhe në këtë aspekt, qeveria e tij është në drejtimin e duhur, sipas analizës së grupit të Bostonit, që e rendit Shqipërinë të 4-ën në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike të vendit në mirëqënie për qytetarët e saj.
“Unë e kuptoj që kjo e irriton zotin Rama. E irriton shumë atë, por kjo është e vërteta dhe të vërtetat duhen pranuar. Ajo çka ky studim fakton është se një taksë është e rrezikshme dhe kjo është taksa “Koleka”, apo taksa progresive. Sipas studimit, nëpërmjet kësaj takse, ti vetëm sa në pamje të parë përpiqesh të arrish në një barazi, por në të vërtetë e thellon më shumë këtë pabarazi. Prandaj ky parim thotë duhet harruar”, shtoi Berisha.
Reagimi i Rames në Twitter
“Pardje ne SHBA u betua Presidenti qe mori voten per te ulur taksat e 95% te amerikaneve dhe bere qe kush fiton me shume te paguaje me shume. Sot Kryeministri ynë thote qe dhe Amerika e ka kapur qe taksa e sheshte eshte optimale kurse progresivja eshte dordolec!Kush eshte dordoleci mes tyre?”.
Beqja: Taksimi, kush fiton më shumë paguan më shumë
Deputeti Ilir Beqja i cilësoi si fjalë “rroma për toma” deklaratat e kryeministrit Berisha për taksën e sheshtë, e cila sipas kreut të qeverisë është optimalja. Në një deklaratë për shtyp, Beqja tha se taksa e sheshtë vetëm sa ka varfëruar shqiptarët dhe i mëshoi opsionit të taksës progresiste, sipas të cilës kush fiton më shumë paguan më shumë.
“Saliu iu kthye sot historisë së taksës së sheshtë. Ka disa javë që përpiqet të kapet si i mbyturi pas fijes barit nëpër raporte të ndryshme ndërkombëtare, që, për fat të keq, as nuk arrin t’i kuptojë apo ata që ia thonë ia thonë së prapthi. Prandaj vijon të flasë rroma për toma.
Ku jemi sot pas 5 vjetësh zbatim të taksës së sheshtë në Shqipëri? Rritja ekonomike, edhe sipas ministrit të Financave, është 5 herë më e ulët se sa kur u vendos taksa e sheshtë. Familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike janë disa mijëra më shumë se kur u vendos taksa e sheshtë.
Borxhi publik që rëndon mbi supet e çdo shqiptari është shtuar më shumë se 50 % edhe pse shumë pasuri publike u shitën për të mos u vënë kurrë në punë me efiçiencë. Konsumi i familjeve shqiptare, sipas burimeve zyrtare, në 9 muajt e 2012-ës është më i ulëti në 5 vitet e fundit. Kreditë me probleme kanë kaluar 23 % të portofolit të kredive dhe janë rreth 10% e GDP-së.
Ne nuk mund ta pranojmë këtë situatë, e vlerësojmë të padrejtë dhe jemi të vendosur ta ndryshojmë. Ne do të zëvendësojmë taksën e sheshtë me taksimin e ndershëm. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë taksa”, deklaroi Beqja.
Berisha me investitorët e huaj
Debati rreth taksave ishte në qendër të fjalës së kryeministrit Berisha, edhe gjatë konferencës së “Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipërisë”, të organizuar me rastin e fillimit të aktivitetit për vitin 2013.
“Sistemi i taksës së sheshtë është sistemi më i përshtatshëm i taksimit dhe jemi të kënaqur, që po e aplikojmë prej vitesh”, tha kryeministri. “Shqipëria është, gjithashtu, ndër të paktat vende, që ka hequr TVSH-në për makineritë që përdoren në prodhim, në të gjitha kategoritë e biznesit në vend”, theksoi kreu i qeverisë.
Ai vlerësoi punën e investitorëve të huaj në Shqipëri, duke deklaruar se projektet e tyre kanë kontribuar, që ekonomia shqiptare të mbetet jashtë recensionit dhe të ketë rritje të sigurt.
Kreu i qeverisë ftoi investitorët, që të nxisin bashkatdhetarët e tyre të sjellin investimet në Shqipëri, duke i garantuar se do të kenë mbështetjen e padiskutueshme të qeverisë./tch
Banka e Rusisë do të emetojë një monedhë prej ari me peshë 1 kg
Banka Qendrore e Rusisë më 23 janar do të hedhë në qarkullim një monedhë ari me vlerë 10.000 rubla dhe me peshë 1 kg.
Monedha do të ketë formën e një rrethi me diametër 10 cm. Në njërën anë të saj do të jetë gdhendur shqiponja dykrenare, ndërsa në anën e kundërt – përfaqësuesit e llojeve të ndryshme të sportit: futbollit, basketbollit, volejbollit, gjimnastikës artistike, hokejit në bar, hedhjes në ujë nga trampolina, atletikës dhe kanotazhit.
Monedha emetohet në kuadër të serisë “Universiada Verore Botërore e XXVII e vitit 2013 në Kazan”. Në qarkullim do të hidhen 100 monedha të tilla.
OKB paralajmëron për rritje të papunësisë
Agjencia për punë e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se efektet e vazhdueshme të krizës globale ekonomike bëjnë të kuptojnë se papunësia do të vazhdojë të rritet, edhe pse ekonomitë e botës presin përmirësim.
Organizata Ndërkombëtare për Punë, në një raport të lëshuar sot, ka thënë se numri neto i të papunëve është rritur për 4 milionë në vitin 2012, përkatësisht në 197 milionë.
Organizata në fjalë pret rritje të kësaj shifre për 5.1 milionë në këtë vit dhe për 3 milionë në vitin 2014.
Shkalla globale e papunësisë ka arritur në 6.21 për qind në vitin 2009, ndërsa më 2012 ka qenë 5.93 për qind. Ajo pritet të rritet në 6.01 për qind më 2013 dhe 2014.
Pas BiH dhe Shqipërisë, Emiratet e Bashkuara Arabe investojnë 200 milionë në Serbi
Një kompani nga Abu Dhabi që premtoi se do të investojë rreth 200 milionë euro në industrinë bujqësore të Serbisë është shembulli i fundit i investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe në Ballkan.
Investimi i Al Dahra pritet të rrisë eksportet serbe një vit pas dëmit të shkaktuar nga thatësira prej deri në 1,5 miliard euro. Vendi ka një sipërfaqe të vogël të tokës së pajisur me sistem vaditjeje gjë që kufizon të ardhurat bujqësore serbe, duke e bërë atë të ndikueshme ndaj fatkeqësive natyrore.
“Al Dahra do të investojë 100 milionë euro në sistemin e ri të ujitjes, në mënyrë që të rritet prodhimi, dhe 100 milionë në blerjen e 80 për qind të aksioneve në tetë kompani shtetërore bujqësore, nga të cilat Serbia do të mbajë 20 për qind”, tha Mladjan Dinkiç, ministër i financave dhe i ekonomisë.
Ekspertët thanë se Serbia do të duhet të pajisë me sisteme vaditjeje rreth 500 000 hektarë tokë. Aktualisht vaditen rreth 150 000 hektarë, por sipërfaqja aktuale është 40 000 hektarë. Investimi i ri duhet të shtojë 14 000 hektarë të tjerë për vaditje.
Miladin Sevarliç, profesor në fakultetin e bujqësisë në Beograd, tha se investimet në sistemet e vaditjes janë të nevojshme, sidomos për shkak të ndryshimeve klimatike.
“Ky investim në vaditje do të paguhet nga 3-5 vjet”, tha Sevarliç për SETimes.
Bujku Mileta Vojnov tha se ai pret që investimi arab të ndihmojë prodhuesve e vegjël si ai.
“Së pari ne duhet të zgjerojmë tokën tonë, sepse askush nuk dëshiron të vadisë parcela të vogla, dhe shumë më tepër duhet të bëhet me pastrimin e kanaleve të vaditjes, në mënyrë që ne mund të përdorim atë që kemi”, tha Vojnov për SETimes.
Sidoqoftë Miroslav Grubanov, kreu i shoqatës së fermerëve Paor nga Crepaja shprehu një shqetësim që shteti favorizon investitorët e huaj, dhe se nuk u ka ofruar fermerëve vendas tokën me kushte të tilla aq të favorshme.
Grubanov tha për agjencinë e lajmeve Beta të Beogradit se fermerët ankohen se nuk u është ofruar të marrin me qira tokën në kushte të tilla të favorshme, sepse ata paguan deri në 900 euro për hektar në ankand, ndërkohë investitorët arabë do ta marrin atë për 250 euro.
Serbia nuk është vendi i vetëm rajonal ku po investojnë investitorët e Emiratet e Bashkuara Arabe.
Pas konfliktit të armatosur në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH), Emiratet e Bashkuara Arabe u fokusuan në ndihmën financiare për kthimin e refugjatëve dhe rindërtimin, dhe gjithashtu duke investuar në kredi të favorshme për bizneset e vogla dhe të mesme dhe arsimin. Të gjitha investimet janë bërë përmes Bosnia Bank International të themeluar nga Dubai, banka e vetme e BiH që vepron sipas parimeve islamike.
Tregtia midis BiH dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, është rreth 4 milionë euro. Numri i kompanive emirate që kanë hyrë në tregun e BiH-së në tri vitet e fundit është rritur në 15, duke përfshirë tre kompani në pronësi të qeverisë.
Disa nga më të mëdhatë janë investimet e Abu Dhabi Islamic Bank dhe Dubai Islamic Bank, duke u fokusuar në sektorët e financave dhe pasurive të patundshme. BiH eksporton mish “hallall” në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Tre vjet pas hapjes së ambasadës shqiptare në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rritur investimet në Shqipëri. Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe po investon 51 milionë euro në ndërtimin e autostradës 32 km të gjatë Tiranë-Elbasan. Të dy vendet nënshkruan në vitin 2012 një marrëveshje të përbashkët për shërbimet ajrore midis territoreve përkatëse.
Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe ka dhënë gjithashtu 17 milionë euro në ndërtimin e aeroportit të Kukësit në veri të Shqipërisë.
Të dy vendet themeluan një Komitet të përbashkët mbi bashkëpunimin ekonomik në fillim të janarit.
Në Bullgari, investimet e drejtpërdrejta të Emirateve të Bashkuara Arabe ishin 0,3 milionë euro në vitin 2000, ndërsa ato arritën 34,4 milion euro në vitin 2012.
Korrespondentët Anes Aliç në Sarajevë, Erl Murati në Tiranë dhe Svetla Dimitrova në Sofje kontribuuan në këtë raport.
A po i bie vlera Arit në bursë?
Çmimi i arit po reduktohet në mënyrë jo fort të ndjeshme gjatë tregtimeve të fundit të kësaj jave në bursa në sfondin e rënies së kërkesës për asete të sigurta pas publikimit të të dhënave mbi zhvillimin ekonomik të Kinës – një nga konsumatoret më të mëdha të metalit të çmuar. Sipas të dhënave të bursave, më 14:41 me orën e zonës +4, çmimi i futures të arit për muajin shkurt në bursën Comex të New York është reduktuar me 0.7 $, ose 0.04% duke arritur në 1.690.10 dollarë për 1 lingotë (ounce – anglisht) ari.
Ari vlerësohet nga investitorët si një prej alternativave më të besueshme kundrejt valutave të paqëndrueshme dhe aksioneve të luhatura të kompanive. Çmimi i këtij metali të çmuar është në rritje për të 12-in vit radhazi. Në vitin 2012 rritja ka qenë minimale në krahasim me 4 vitet e fundit – 7%. Gjatë muajit dhjetor vlera e arit ra me 2.1%.
Nivelet e rënies së lindjeve nëpër botë, të pandryshuara
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nivelet e mosshtimit të popullsisë në botë kanë mbetur relativisht të pandryshuara që prej vitit 1990, me një përjashtim të rëndësishëm, Afrikës nën-Sahariane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Joe De Capua sjell hollësi.
Punonjësja e sektorit të statistikave në OBSH, Gretchen Stevens drejtoi studimin lidhur me nivelet e rënies së lindjeve.
“Ky studim mat përqindjen e atyre që nuk lindin në vend të nivelit të lindjeve dhe këtë e bëmë pasi arritëm në përfundimnin se në fushën e shëndetit riprodhues nuk i është kushtuar rëndësi studimit të pakësimit të lindjeve”.
Studimi analizoi qindra familje në 190 vende në periudhën 1990-2010. Zonja Stevens thotë
“Në përgjithësi, njerëzit shqetësohen për vënien në dispozicion të kontraceptivëve që të parandalohen shtatzanitë e padëshiruara. Dhe vemendja nuk është përqëndruar, për shembull, tek çiftet që duan të kenë fëmijë dhe nuk munden. Ky është në fakt studimi i parë që shqyrton nivelet e mosshtimit të popullsisë në vende të ndryshme dhe në gjithë botën. Dhe këtë e bëmë me shpresën që të mësohet më shumë rreth këtij aspekti”.
Rezultatet e studimit u botuan në revistën online, PLOS Medicine. Studimi u përqëndrua tek paaftësia e grave të reja për të pasur fëmijën e parë dhe të dytë.
“Në shumicën e vendeve të botës nivelet e lindjeve nuk ndryshuan, me përjashtim të Afrikës nën-Sahariane, ku mësuam një rënie të madhe. Lindjet e para në këtë rajon ranë nga 2.7 për qind në vitin 1990 në 1.9 për qind në vitin 2010. Dhe lindjet e dyta ranë nga 13.5 për qind në vitin 1990 në 11.6 për qind në 2010-tën”.
Zonja Stevens thotë se studimi nuk shqyrtoi arsyet e këtyre rënieve në Afrikën nën-Sahariane.
“Ne kemi disa ide rreth arsyeve, por nuk kemi prova për këtë. Disa studime kanë treguar se në Afrikën nën-Sahariane një prej arsyeve kryesore të rënies së lindjeve ka të bëjë me infeksionet e transmetuara nga marredhëniet seksuale. Një prej hipotezave është se ndoshta disa prej ndryshimeve në përgjigje të epidemisë nga virusi HIV mund të ketë shkaktuar rënien e shtatzanive”.
Ndryshime të tilla do të përfshinin përdorimin e kontraceptivëve të ndryshëm dhe praktikave të sigurta seksuale. Studjuesja e Organizatës Botërore të Shëndetsisë thotë se kujdesi shëndetsor gjatë shtatzanisë mund të ketë qënë faktor dhe kjo sepse numri i vdekjeve mes grave shtatzanë ka rënë në Afrikën nën-sahariane. Por për t’u siguruar, thotë ajo, duhet të kryhen studime në këtë aspekt.
“Disa herë pamundësia për të mbetur shtatzënë shkaktohet nga faktorë tek femrat, disa herë tek faktorë tek meshkujt dhe herë të tjera nga faktorë tek të dy gjinitë. Mendoj se në shumë rajone të Afrikës nën-Sahariane, prirja ka qënë që të fajësohen femrat dhe ky nuk duhet të jetë presupozimi fillestar”.
Zonja Stevens thotë se u befasua që rezultatet e përgjithshme të studimit treguan se nivelet e mosshtimit të popullsisë mbetën të njëjta. Dhe kjo sepse në vendet me të ardhura më të larta ka pasur shqetësime rreth faktorëve të mjedisit, që mund të ndikojnë në cilësinë e spermës dhe rreth rritjes së moshës së shtatzanisë mes grave. Por ajo thotë se studimi nuk gjeti prova që të mbështesin idenë se këta faktorë ndikojnë në shkallën e rënies së lindjeve.
Turkmenistani mund të bëhet një nga furnizuesit kryesorë të gazit natyror
Në parashikimin për zhvillimin e energjetikës globale, të përgatitur nga kompania britanike e naftës British Petrolium (BP), theksohet në mënyrë të veçantë se Turkmenistani gjatë viteve të ardhshme do të luajë një rol në rritje në tregun ndërkombëtar të energjisë. Duke komentuar parashikimet britanike Ashgabad-i deklaroi pa modesti false: vëllimi i burimeve të vendit është i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e Kinës, Rusisë, Iranit dhe Evropës të marrë së bashku.
Kjo në vetvete është një deklaratë mjaft absurde, meqenëse Turkmenistani renditet në vendin e katërt përkatësisht rezervave zotëruese të lëndës djegëse blu (gazit natyror) – të tilla janë të dhënat e po asaj kompanie British Petrolium (BP). Prodhuesit më të mëdhenj të gazit natyror në botë janë Rusia dhe Irani. Sipas llogaritjeve të ekspertëve ndërkombëtarë, Ashgabad-i kontrollon rreth 12% të rezervave globale të gazit. Megjithatë, shumica e ekspertëve kanë vënë në pikëpyetje edhe këto shifra. Midis tyre është analisti rus i Fondacionit të sigurisë energjetike Aleksandër Paseçnik:
– Po, me të vërtetë, Turkmenistani ka gaz natyror. Rezervat e tij janë të mëdha, por nuk kanë gjasa megjithatë që vëllimi i tyre të përkojë me vlerësimet e bëra nga auditorët e huaj. Këto vlerësime janë seriozisht të ekzagjeruara. Të konfirmohet se Turkmenistani do të mund të zerë ato tregje ku është prezent gazi rus, kjo do të ishte krejtësisht e pabesueshme. Sepse, së pari, Turkmenistani ka kapacitete të kufizuara prodhimi. Dhe, së dyti, ka tejet të kufizuara kapacitetet e tranzitit dhe transportimit të lëndës djegëse blu.
Tani Ashgabad-i po mishëron në jetë projektin e ndërtimit të gazsjellësit më të gjatë në vend – “Lindje-Perëndim” (russ. «Восток-Запад»). Tubacioni me një shtrirje prej gati një mijë kilometra destinohet të bashkojë në një rreth (unazë) të vetëm të gjitha rrjetet lokale të gazit dhe të krijojë sistemin e daljes së burimeve turkmene të energjisë në tregjet ndërkombëtare. Autoritetet lokale janë mëse të bindura se projekti i ri do t’i hapë gazit vendas në vitin 2015 dy rrugë të reja: në Lindje dhe në Evropë. Megjithatë, duhet thënë, se shumë ekspertë i vlerësojnë me skepticizëm këto plane. Sepse në të vërtetë Turkmenistani, siç ironizojnë ekspertët, ka marrë statusin e “përrallëtarit” që në vitin 2009. Atëhere vendi u përpoq të argumentojë se vendburimi i hidrokarbureve Jolotan-Osmani Jugor (russ. Южный Иолотань-Осман) është i katërti në botë përkatësisht madhësisë së vet. Por më vonë u zbulua se të dhënat mbi rezervat e deklaruara të gazit ishin të falsifikuara, kurse shifrat të zmadhura të paktën 2-3 herë. Megjithatë vendburimi i sipërpërmendur mban me të vërtetë më shumë gaz se të gjitha vendburimet e tjera të Turkmenistanit të marra në total. Por çështja nuk qëndron vetëm tek vëllimet disponuese të gazit natyror, – shprehet me bindje Drejtori i Institutit të Energjetikës Kombëtare, Sergei Pravosudov:
– Problemi kryesor i rezervave të gazit të Turkmenistanit qëndron në cilësinë e tij. Rezervat e reja, të cilat janë gjetur kohët e fundit në këtë vend, ndodhen në një thellësi prej më shumë se tre ose katër kilometrash dhe ky gaz përmban sulfide hidrogjeni. Për nxjerrjen e tij do të duhet, së pari, të shpohen puse shumë të thella, dhe, së dyti, të instalohen pajisje për pastimin e tij prej sulfideve të hidrogjenit. Kurse kjo është një punë fort e kushtueshme. Kështu që gaz në Turkmenistan, natyrisht, ka shumë, por ai do të kenë gazin më të shtrenjtë në botë.
Perspektivat e Ekonomisë Globale 2013
Banka Botërore po u bën thirrje vendeve në zhvillim të ruajnë rritjen ekonomike ndërsa ekonomia globale për vitin në vazhdim mbetet e paqëndrueshme. Në një raport të ri të publikuar të martën me titull “Prespektivat e Ekonomisë Globale 2013”, Banka Botërore thotë se Shqipëria ishte mes vendeve të rajonit të Evropës dhe Azisë Qëndore që patën një rritje prej më pak se një përqind, ndërsa pritshmëria për vitin 2013 mbetet subjekt i rreziqeve serioze rajonale dhe globale.
Raporti i Bankës Botërore, Prespektivat e Ekonomisë Globale 2013 i bën një analizë situatës ekonomike të vendeve në kushtet e sfidave si kriza në Eurozonë, ngadalësimi i rritjes ekonomike në vendet me zhvillim të shpejtë dhe paqëndrueshmëria e tregjeve financiare.
Sipas raportit, rritja në Evropë dhe Azinë Qëndore ku bën pjesë edhe Shqipëria ra ndjeshëm në vitin 2012 pas një rritje të fuqishme një vit më parë. Për Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë dhe Rumaninë pritet që rritja ekonomike gjatë 2012 të ketë qënë më e vogël se një përqind. Vendet e Ballkanit Perëndimor thotë raporti, me lidhje të forta ekonomike dhe bankare me Evropën, vuajtën pasojat e rënies së kërkesës për eksporte, pakësimit të hyrjes së kapitalit të huaj dhe të ardhurave nga imigracioni.
Ndërkohë konsumi i brendshëm, i cili ka qënë motori i rritjes në rajon, u pakësua gjatë krizës financiare. Raporti përmend Shqipërinë ndër vendet që patën një ulje të ndjeshme të konsumit të brendshëm, nivelit të kreditimit dhe të të ardhurave nga imigrantët, ndërkohë që papunësia mbetet e lartë. Të gjitha këto zhvillime shkaktuan ngadalësim në gjysmën e parë të 2012 ndërsa treguesit për muajt e fundit të vitit janë të ndryshëm për vende të ndryshme të rajonit.
Prodhimi i Përgjithshëm i Brendshëm në rajon pritet të jetë ulur me 3 përqind në vitin 2012, ndërsa për këtë vit, ai parashikohet të ketë një rritje të lehtë në 3 presje 6 përqind ndërkohë që faktorët që ndikuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike gjatë 2012-ës do të vazhdojnë të jenë të pranishëm.
Prespektiva për rajonin në vitin 2013, thotë Banka Botërore, do të varet shumë nga menaxhimi i borxhit, papunësia e lartë dhe inflacioni, mungesa e konkurrencës dhe kufizimet e tjera strukturore të ekonomive. Banka Botërore thotë se rritja ekonomike për Shqipërinë gjatë 2012 pritet të ketë qënë 0,8 përqind, ndërsa parashikon që për vitin 2013 ajo të jetë 1 presje 6 përqind./voa