Ballina Blog Faqe 693

Qeveria merr hua për t’i shlyer borxhet e vitit paraprak

Qeveria e Kosovës ka vendosur të marrë borxh nga buxheti i vitit 2013, për t’i mbuluar obligimet e pashlyera financiare të bartura nga viti 2012. Pavarësisht kësaj, ekzekutivi nuk e di saktë vlerën e borxheve që duhet paguar për vitin e kaluar, ani pse u ka dhënë urdhër zyrtarëve të Ministrisë së Financave që t’i kryejnë këto obligime.

Në një vendim të datës 30 janar, ekzekutivi i ka kërkuar kësaj ministrie mjete shtesë për mbulimin e borxheve të bartura për investime kapitale. E zyrtarë të Ministrisë së Financave nuk kanë pranuar ta bëjnë publike borxhin e bartur.

Në vendimin e Qeverisë thuhet se mjetet duhet të merren nga linja buxhetore për investimet kapitale të planifikuara për këtë vit.

“Aprovohen ndryshimet për përmbushjen e obligimeve të pakryera financiare nga vitit paraprak për projekte kapitale shumëvjeçare në bazë të nenin 7 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, ‘ në Tabelën 3.2 Projektet kapitale për vitin 2013”, thuhet në vendimin e Qeverisë në mbledhjen e mbajtur në fund të janarit.

Këtë veprim të Qeverisë, përfaqësuesit e institucioneve që “monitorojnë” lëvizjet financiare të shtetit, e konsiderojnë të papranueshëm meqë i njëjti vendim ngrejë shqetësime mbi trendin në rritje të borxheve të bartura të Qeverisë nga viti në vit.

Ali Sadrija, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, gjatë një interviste të dhënë për gazetën, ka thënë se viteve të fundit është në rritje dukuria e Qeverisë për bartjen e borxheve nga vitit në vit.

“Në vitet e fundit e kemi një dukuri të cilën po e përjetoj me shqetësim. Në vitin 2009 i kemi pasur 4 milionë euro borxhe të bartura, vitin 2010 i kemi 28 milionë, vitin 2011, 40 milionë euro. Nëse vazhdon kështu, sipas kësaj logjike këtë vit do të jenë 80 deri 90 milionë euro borxhe të bartura, që tregon se institucionet u kanë hyrë obligimeve pa mbulesë financiare”, ka thënë gjatë intervistës, deputeti Ali Sadrija.

Në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Sadrija është shprehur se njëri prej rasteve konkrete që dëshmon tendencën e Qeverisë për rritjen e borxheve të paplanifikuara, është ajo për çështjen e pajisjes së nxënësve me libra shkollorë.

“Ministria e Arsimit nga viti në vit ka pasur investime pa mbulesë.

Është fjala për projektet për tekste shkollore, ku Ministria hyn me projeksion prej 500 mijë eurosh dhe realizon investim prej 7 milionë e 500 mijë deri në 8 milionë e 500 mijë euro. Këso raste ka edhe në institucionet e tjera”, ka thënë Sadrija.

Sipas tij, Kosova duhet t’i ketë parasysh raportet me institucionet financiare ndërkombëtare, por edhe mangësitë në sigurimin e rezervave financiare.

Mbi vlerat financiare të borxheve të bartura nga vitit 2012 nuk është ofruar përgjigje nga Ministria e Financave.

Menderes Ibra, këshilltar për media në këtë ministri, në vend se të japë përgjigje për borxhin e bartur, ka kërkuar sqarime për publikimin e artikujve, të cilët gazeta është duke i trajtuar. Në përgjigjen zyrtare, Ibra ka thënë se përgatitja e përgjigjeve të tilla kërkon edhe kohë, edhe angazhim të stafit, dhe se të njëjtët zyrtarë komunikojnë edhe me dhjetëra mediume të tjera në vend./koha/kohaislame

Alpet shqiptare mes 12 destinacioneve turistike në botë

Alpet shqiptare renditen mes 12 destinacioneve të zgjedhura turistike për vitin 2013, nga një prej organizatave më të njohura botërore të turizimit, “World Travel and Tourism Council”. Turizmi malor shqiptar ende i paeksploruar ka sjellë në Tiranë përfaqësuesit e kësaj organizate, të cilët kanë diskutuar rreth projektit “Majat e Ballkanit” me ministrin e Turizmit, Aldo Bumëin.

Kjo organizate i ka perfshire Alpet shqiptare në një konkurs botëror për destinacionin më të bukur turistik, në të cilin marrin pjesë 46 shtete të tjerë nga 6 kontinente.

Zonat turistike të Alpeve, pjesë e këtij projekti janë Thethi,Valbona, Rragami, Çeremi si dhe Bjeshkët e Doberdolit.

Mbështetja fillestare për këtë projekt është dhënë nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Shtegu “Majat e Ballkanit” konkurron për kategorinë e menaxhimit të destinacionit. Fituesi do të shpallet në samitin global të Ëorld Travel& Tourism Counsil, i cili do të mbahet në prill në AbuDhabi./koha/kohaislame

Kosova vend i bizneseve fiktive

Në Kosovë që nga viti 2000 janë regjistruar më shumë se 120 mijë biznese, por numri i atyre që paguajnë tatime në arkën e shtetit nuk e tejkalon as 50 mijë biznese. Ekspertë të ekonomisë thonë se në vend janë krijuar shumë biznese fiktive, pasi nëpërmjet kësaj forme synohet ikja nga pagesa e tatimeve.
Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë (MTI), Arta Istrefi ka thënë për Telegrafin se që nga vitit 2000 në Kosovë janë të regjistruar mbi 120 mijë biznese. “Sipas statistikave të agjencisë për Regjistrimeve të Bizneseve e cila funksionon në kuadër të MTI-së, numri total i bizneseve ne Kosovë është 120.570”, tha Istrefi për Telegrafin.

Sipas saj, numrin më të madh të bizneseve të regjistruar në Agjencinë për regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), janë bizneset individuale.

“Sipas statistikave 106858 biznese janë individuale, ortakëri e përgjithshme 3440, ortakëri e Kufizuar 86, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar 9060, shoqëri aksionare, 391, kompani të huaja 599, ndërmarrje shoqërore 23, ndërmarrje publike 10, kooperativa bujqësore 76 kurse nënë Juridiksionin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, janë 33 biznese”, ka treguar zëdhënësja e MTI-së Arta Istrefi.

Pavarësisht statistikave të MTI-së për numër kaq të madh të bizneseve të regjistruara, në Administratën tatimore të Kosovës (ATK), thonë se numri i bizneseve të cilët kanë paguar tatime gjatë vitit të kaluar ka qenë vetë rreth 50 mijë biznese.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyçi – Sefa ka treguar për Telegrafin se gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë paguar tatimet më pak se 50 mijë biznese, me një shumë rreth 284 mijë euro. “Vitin 2012, kanë deklaruar dhe paguar tatimet rreth 50.000 tatimpagues dhe shuma e mbledhura është 283.9 milionë euro”, ka thënë ajo.

Bytyçi – Sefa tha se shuma e pagesave që kryej tatimpaguesit në bazë të periudhave, varet prej statusit që kanë ato.

E ekspertë të ekonomisë thonë se numri kanë i madh i bizneseve është edhe për shkak se pronarët e tyre mundohen tu ikin tatimeve nga krijimi i bizneseve të reja. Po ashtu sipas tyre edhe shpresa për afarizëm mbanë numrin kaq të madh të bizneseve.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka deklaruar për Telegrafin se numri kaq i madh i bizneseve në Kosovë është për shkak se sistemi i regjistrimit të bizneseve nuk është aq i përparuar.

“Sistemi i regjistrimit të bizneseve në Kosovë na ka krijuar shuam biznese fiktive pasi nuk ka pasur mundësin të llogariten bizneset të cilat kanë falimentuar apo nuk kanë funksionuar”, ka thënë Rukiqi.

Por ai, vlerëson se pas pajisjes me numra fiskal ka mundësuar të identifikohet saktë numri i bizneseve.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve ekonomike Alejtin Berisha thotë për Telegrafin se regjistrimi kaq i madh i bizneseve dhe mos funksionimi i tyre, bëhet më shumë për t’u ikur pagesës së taksave. “Njerëzit hapin biznese por nuk kanë aktivitete, ata shpresojnë se në të ardhmen do të kenë ndonjë aktivitet”, thotë Berisha.

Ai rekomandon që të përmirësohet sistemi i regjistrimit të bizneseve. “Duhet të përmirësohet edhe sistemi i regjistrimit të bizneseve. Në disa vende të botës kur nuk është biznesi aktiv atëherë paralajmërohet personi se a donë të vazhdojë me biznes apo ta çregjistrojë”, thekson Aljetin Berisha nga Kolegji Universum. /Telegrafi/

Alpet shqiptare mes 12 destinacioneve më të zgjedhura turistike në botë

Alpet shqiptare renditen mes 12 destinacioneve të zgjedhura turistike për vitin 2013, nga një prej organizatave më të njohura botërore të turizimit, “World Travel and Tourism Council”.

Turizmi malor shqiptar ende i paeksploruar ka sjellë në Tiranë përfaqësuesit e kësaj organizate, të cilët kanë diskutuar rreth projektit “Majat e Ballkanit” me ministrin e Turizmit, Aldo Bumçin.

Kjo organizate i ka perfshire Alpet shqiptare në një konkurs botëror për destinacionin më të bukur turistik, në të cilin marrin pjesë 46 shtete të tjerë nga 6 kontinente.

Zonat turistike te Alpeve, pjesë e këtij projekti janë Thethi,Valbona, Rragami, Çeremi si dhe Bjeshkët e Doberdolit.

Mbështetja fillestare për këtë projekt është dhënë nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Shtegu “Majat e Ballkanit” konkurron për kategorinë e menaxhimit të destinacionit.

Fituesi do të shpallet në samitin global të World Travel& Tourism Counsil, i cili do të mbahet në prill në AbuDhabi.kohaislame

Pesë vjet pas, Kosova me ekonomi të dobët

Në vigjilje të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë flasin për të arriturat dhe ngecjet në ekonominë e Kosovës. Sipas tyre, lista e ngecjeve në ekonomi vazhdon t’i prijë listës së sukseseve që mund t’i ketë një shtet i pavarur.

Edhe pas pesë vjetësh, ata thonë se ekonomia e Kosovës ka nivel të ultë të zhvillimit dhe me një problem të madh, siç është papunësia, në shkallë prej 44.9 për qind.

Një problem tjetër që e ka përcjellë Kosovën, ata e theksojnë edhe deficitin e lartë tregtar. Sipas të dhënave zyrtare, shkëmbimet tregtare në arrijnë vlerën mbi 2 miliardë euro në vit, ku kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ultë, rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e mbi 1 miliard euro.

Ndërkaq, si e arritur gjatë këtyre pesë vjetëve, vlerësohet të jetë anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, siç është Fondi Monetarë Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe anëtarësimi në Bankën Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ky anëtarësim në këta mekanizma financiarë ndërkombëtarë, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka mundësuar internacionalizmin e integrimit ekonomik.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, duke i bërë një përmbledhje ekonomisë së Kosovës gjatë këtyre viteve, vlerëson se është shënuar një ecje e ngadalshme progresive dhe pamjaftueshme për nevojat zhvillimore ekonomike të vendit.

“Nëse do të bëja një përmbledhje të zhvillimit të ekonomisë së Kosovës gjatë këtyre viteve, atëherë do të thosha se vendi ynë ka bërë një shënim mjaft të ngadalshëm progresiv. Pra, në një farë rrethane mjaft të vështirë ekonomike ne kemi arritur të mbajmë një status quo të ecjes sonë larg çdo nevoje dhe larg çdo parashikimi apo pritjeje që kemi pasur në vitin 2008”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Abdixhiku.

Politikat ekonomike, gjatë këtyre viteve, sipas Abdixhikut, nuk kanë adresuar problemet ekonomike thelbësore që ka pasur Kosova dhe në këtë mënyrë shteti ka humbur shumë gjasa për të bërë një rigjenerim ekonomik çfarë është pritur në vitin 2008.

Investimet e huaja shënuan rënie

Shkalla e lartë e korrupsionit, po ashtu gjatë këtyre viteve, vlerësojnë ekspertët, ka pasur ndikime negative në ekonomi e në veçanti tek investitorët e huaj të cilët kishin hezituar që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.

Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës këto investime kishin shënuar rënie nga viti në vit.

Që nga viti 2008 kur Kosova ishte shpallur shtet i pavarur deri në fund të vitit 2012 investimet e huaja në Kosovë kapin shifrën prej mbi 1 miliardë euro.

Sektori privat, i cili ishte konsideruar si element i fuqishëm për zhvillim ekonomik të Kosovës po ashtu vlerësohet se nuk ka pasur përkrahje institucione dhe ambient të favorshëm afarist.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe pas pesë vjetësh, bizneset në Kosovë kanë probleme të mëdha për të zhvilluar veprimtarinë e tyre. Rukiqi bën një krahasim të zhvillimit të sektorit privat të Kosovës më atë të vendeve të rajonit.

Sipas tij, derisa vendet e rajonit kanë krijuar politika më të mira për bizneset private në Kosovë nuk janë bërë hapa të tillë.

“Duke pasur parsh që sektori privat, së paku është proklamuar edhe nga ana e institucione, se është bartës i zhvillimit ekonomik, ne mendojmë se nuk është bërë sa duhet për zhvillimin e sektorit privat. Mendojë se kjo çështje duhet të kthehet si prioritet në punë dhe jo vetëm në dokumente”, thotë Rukiqi.

Reformave fiskale të cilat do të duhej të bëheshin nga institucionet e Kosovës, sipas Rukiqit nuk janë bërë. Derisa siç thotë ai, disa barriera tregtare nuk kanë arritur të eliminohen gjatë këtyre viteve.

“E para, duhet të ketë forcim të sundimit të ligjit që është një problem permanent edhe për sektorin privat. E dyta ndoshta duhet të mendohet edhe në aspekte buxhetore të ketë një përkrahje për zhvillimin e infrastrukturës që përkrah sektorin privat . Do të duhej që nga konkurrenca e padrejtë më vendet e rajonit të ketë masa të duhura që e mbron prodhuesin tonë nga konkurrenca e padrejtë”, shton Rukiqi.

Forcimi i ligjit edhe sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Lumir Abdixhiku duhet të jetë njëra nga angazhimet e institucioneve të Kosovës.

“Ta bëjnë atë që nuk e kanë bërë në pesë vitet e kaluara e që është forcimi i rendit dhe ligjit. Pra, Kosova duhet t’i forcojë gjykatat e veta duhet të krijojë një ambient të sigurt për bizneset e brendshme dhe të huaja. Ne nuk kemi një ambient të sigurt përkundrazi  kemi një ambient të qarë i cili vazhdimisht prodhon skandale korruptive. Ne duhet të bëjmë një ndërrim radikal të paradigmës sonë ekonomike në shfrytëzimin e parasë publike”, thekson ai.

Sidoqoftë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës vazhdimisht kishin folur për të arritur të mëdha në ekonominë e Kosovës dhe përmirësim të dukshëm në gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve./rel

Shqipëri: Turqit blejnë edhe 4 hidrocentrale

Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës të Shqipërisë, ka nënshkruar me shoqërinë “Kurum International” sha, marrëveshjet përkatëse për blerjen e aksioneve të shoqërive “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2” sha dhe “HEC Ulëz Shkopet” sha.Marrëveshja është mbyllur pas miratimit të ofertës nga Këshilli i Ministrave për blerjen e 100 për qind të aksioneve të katër HEC-ve.
Që marrëveshja të marrë formën e prerë, ajo tashmë pritet të miratohet nga qeveria dhe parlamenti, transmeton Shekulli online.
“Kurum International” ofroi 109.5 milionë euro për HEC-et, përkatësisht 52 milionë euro për HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, dhe 57.5 milionë euro për HEC, Ulëz – Shkopet./IO

2/3 E punëtorëve mbeten pa punë nga privatizimi në distribucion e miniera

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në një tryezë diskutoi rreth projekteve energjetike në Kosovë dhe ndikimit të tyre në punësim. Kjo tryezë kishte për qëllim shtjellimin e shqetësimeve të punëtorëve dhe banorëve të Obiliqit në lidhje me gjendjen aktuale dhe krijimin e vendeve të punës në sektorin energjetik.
“Krijimi i vendeve të punës është një çështje veçanërisht e ngutshme për Kosovën si vend i cili po përballet me normë papunësie të lartë (prej 46%), andaj duhet adresuar sa më parë ndikimi që projektet energjetike do kenë te punëtorët dhe në punësim në përgjithësi,” ka thënë Rinora Gojani, hulumtuese në INDEP, shkruan Koha ditore.
Me një normë papunësie prej 46% dhe një normë të ulët punësimi (29 %), Kosova ka ritmin më të dobët të punësimit në Evropë. Me këtë trend dhe me projektet e deritashme energjetike, me privatizimin e distribucionit dhe minierave, deri në dy të tretat e punonjësve të tanishëm do të mund të largohen nga puna.
Ndërsa Edmond Nulleshi, nga KEK, potencoi se nga 7500 të punësuarit në Korporatën Energjetike të Kosovës, 2730 parashihet të kalojnë në distribucion. Këtyre punëtorëve i është garantuar punësim për tri vitet e ardhshme në marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me kompanisë privatizuese.
Izet Mustafa, Kryetar i SPEK, foli në lidhje me mungesën e debatit të mirëfilltë për shqetësimet e punëtorëve të cilat vijnë si rezultat i zhvillimeve të projekteve energjetike në vend. Mustafa gjithashtu tha se me projektet e privatizimit në fushën e energjisë është duke u rrezikuar numri i punëtorëve të tanishëm. Ai veçoi brengat rreth marrëveshjes së Qeverisë me kompaninë privatizuese për garantimin e punësimit për tri vite duke theksuar se duhet të mendohet se çfarë do të ndodhë me këta punëtorë pas kësaj periudhe.
Diskutimi është organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe është mbështetur nga Ambasada Holandeze në Kosovë. /Indeksonline/

Rryma do të shtrenjtohet, pavarësisht a prodhohet nga qymyri, era, uji apo dielli

Si u prodhua nga qymyri, si nga era, uji apo dielli, një gjë është e sigurt. Rryma do të shtrenjtohet. Por i mbetet Qeverisë së Kosovës të mos i ngarkojë qytetarët me tarifa më të larta se që mund t’i përballojnë. Shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, në një intervistë për gazetën “Tribuna” tregon se debatit për shfrytëzimin e energjisë alternative apo qymyrit po i vije fundi.
Sipas Jan Peter Olters, Kosova ka nevojë për energji dhe tashmë pothuajse është arritur një konsensus me të gjitha palët, si me shoqërinë civile ashtu edhe me institucionet vendimmarrëse që të zgjidhet ky problem sa më shpejtë. Për institucionin që ai përfaqëson zgjidhja, është kjo: “Të përdoret aq qymyr që është e nevojshme dhe sa më shumë energji alternative që është e mundur të prodhohet”.

Olters thotë se duhet të ndërtohet Termocentrali Kosova e Re, me kapacitet 300+300 megavat që kërkon rreth 1 miliard euro investim dhe t’i hapet rrugë sektorit privat për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë alternative. Kështu, vendi sipas tij, i jep fund ndotjes së ambientit nga termocentrali dhe mbetet në linjë me direktivat ambientaliste të Bashkimit Evropian.

“Kosova është zotuar që të përshtat politikat e saj të energjisë në linjë me ato të Bashkimit Evropian dhe traktatit të komunitetit për energji, i cili do të kërkojë që Kosova A të mbyllet deri në vitin 2017 dhe Kosova B të rehabilitohet dhe të jetë brenda standardeve të kërkuara me direktivat e BE-se aki komunitae”, thekson Olters.

Arsyet përse është vonuar kaq shumë ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike ai thotë se janë të shumta, por më kryesore kanë qenë diskutimet për ndikimin në ambient dhe kriza financiare.
“Pra, gjatë kësaj kohe të krizës është bërë më e vështirë tërheqja e investimeve në masën e nevojshme për ndërtimin e një termocentrali të madh. Termocentrali i ri llogaritet do që të kushtojë rreth 1 miliard euro”, thotë Olters.

Për t’i bindur investitorët për një investim të tillë, qeveris i është dashur të rishikoj projektin, në mënyrë që të ketë mirëkuptim edhe për investitorët edhe për interesat e vendit.

“… debati po vazhdon dhe mendoj se nga të gjitha palët ka një shkallë të lartë të mirëkuptimit, çka është ideja, çfarë kërkohet, çfarë është e mundur dhe çfarë mund të realizohet financiarisht”. /Telegrafi/

40 vende evropianë të gatshme për të bojkotuar produktet izraelite?

Kundërshtarët e importit të produkteve izraelite në Evropë, me anë të protestave kanë kërkuar vendosjen e bojkotit ndaj këtyre produkteve.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia Imemc e lajmeve sipas të cilës në 40 qytete të Evropës janë organizuar protesta kundër mallrave të regjimit sionist. Pjesëmarrësit në këto protesta u kanë kërkuar vendeve evropiane të bojkotojnë mallrat dhe të shpallin të ndaluar importin e mallrave nga kompania Mehadrin, sidomos importin e hurmave dhe të produkteve ushqimore. Ata gjithashtu e akuzojnë regjimin sionist se ka vjedhur territorin palestinez. Protesta më e madhe është përqendruar përballë ndërtesës së kompanisë Mehadrin në Zvicër, mirëpo tubime ka patur edhe në Francë, Itali, Belgjikë, Luksemburg, Gjermani, Suedi dhe Holandë.

Fluks turistësh të huaj në Valbonë

Vetëm pak ditë me mot të mirë kanë mjaftuar që dhjetëra turistë të huaj të vizitojnë pikën turistike të Valbonës.

“Këto ditë kemi një fluks të madh turistësh të huaj. Janë rreth 350 turistë nga Gjermania, Polonia, Çekia, etj, që prej disa ditësh janë të pranishëm në Valbonë”, bën të ditur kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj.

Edhe pse janë vetëm ditët e para të këtij viti, në pikën turistike të Valbonës turistët e huaj janë të pranishëm, madje në numër të shtuar në krahasim me praninë e tyre në natën e vitit të ri.

Prej disa vitesh, prania e turistëve të huaj në pikën turistike të Valbonës edhe në periudhën e dimrit është bërë e zakonshme.

Valbona pa mysafirë të huaj tashmë rrallë herë gjendet. Kryesisht në ditët e fundit të janarit e të fillim shkurtit. Më pas ashtu si gjithnjë numri i mysafirëve të huaj vjen duke u rritur.

Ndërkohë, për shkak të të ftohtit, kryesisht turistët strehohen në shtëpitë e banorëve vendas, ku gjejnë gatimin karakteristik. “Në këtë periudhë fjetja e turistëve kryhet kryesisht në banesat e banorëve vendas, ku gjejnë mikpritjen karakteristike dhe gatimin vendas, që i tërheq aq shumë”, thotë Biberaj.

Ndërsa moti i mirë i këtyre ditëve ka ndikuar në afrimin e një numri të konsiderueshëm vizitorësh ditorë nga Kosova. “Numri i tyre për shkak se lëvizin çdo ditë nuk është i verifikueshëm, ndonëse çdo ditë numri i tyre lëviz nga 50-80 vizitorë”,- thotë Biberaj.

Numri në rritje i turistëve në këtë fillimviti është një ogur i mirë i rritjes së interesit të turistëve të huaj për Valbonën, një tregues që do të vijë në rritje me ardhjen e pranverës.

Ka ardhur nga viti në vit në rritje numri i turistëve të huaj, që vizitojnë Valbonën. Kështu vitin e kaluar numri i turistëve, që kanë vizituar pikën turistike të Valbonës ka arritur në rreth 35 mijë turistë gjithsej./trt

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
32.5 ° C
32.5 °
32.5 °
35 %
5.7kmh
0 %
Mon
34 °
Tue
35 °
Wed
27 °
Thu
30 °
Fri
30 °