Ballina Blog Faqe 70

SFIDA E DËSHPËRIMIT

People with sad and angry emojis illustration

Mos humbni shpresën në mëshirën e Allahut!”(Jusuf: 87)

Çdo njeri në jetë ka dëshira dhe ëndrra, të cilat dëshiron t’i realizojë,por ekzistenca e dëshirave dhe ëndrrave tona nuk do të thotë se ato duhet të realizohen në kohë dhe vend të caktuar. Ne duhet të kuptojmë një çështje shumë të rëndësishme, se kjo botë ka rregullat e veta dhe ato funksionojnë sipas vullnetit të Allahut e jo sipas dëshirave dhe vullnetit tonë.

Çdonjëri prej nesh ka shumë kujtime në jetë, mes tyre edhe momente kur na ka kapluar dëshpërimi. Po të fillojmë t’i shfletojmë këto kujtime, nuk do të kemi mundësi të ndalemi te të gjitha, por na mbetet këshilla si alternativa më e mirë për t’i ndihmuar njerëzit.

Të këshilloj…

Të themi që jeta është  e lehtë, pa sfida, se jemi të dobët, jo të mirë, nuk kemi fat,është mashtrim djallëzor. Sfidat me të cilat ballafaqohemi janë ato përmes të cilave Allahu dëshiron të nxjerrë forcën e fshehtë te ne, se gjërat mund të bëhen edhe ndryshe. Allahu përmes sfidës në jetë dëshiron që ti një ditë të mos mendosh se sukseset në jetën tënde vijnë nga aftësia dhe shkathtësia jote, por nga suksesi i dhuruar nga Allahu.

Allahu për ty ka thënë:
“Ti bëj durim në vendimin e Zotit tënd, se ti je nën mbikëqyrjen Tonë.”
(Tur: 48)

Apo do të jesh si ata për të cilët Zoti tha:
E, kur Ne i japim dhunti njeriut, ai shmanget dhe largohet anash, e kur e godet e keqja është i dëshpëruar.”(Isra: 83)

  • Çfarë është dëshpërimi?

Dëshpërimi shkaktohet kur njeriu planifikon gjëra në jetë dhe i vë ëndrrat e tij në një drejtim duke harruar se ato mund të shkojnë edhe në kah tjetër. Ai verbohet pas pasioneve të kësaj jete, por në një moment zbulon se nuk mund t’i realizojë apo nuk është i prirë për to.

Dëshpërimi shkaktohet edhe kur dashuron diçka çmendurisht dhe në një moment zbulon se gjithçka ka qenë një iluzion. Dëshpërimi ndodh gjithashtu kur mendon se problemet e tua janë fundi i botës dhe ndien se je i dobët përballë sfidave, i fundosur thellë, se nuk ka shpresë për shpëtim, kur mendon se je njeri që dështon në jetë kur të tjerët korrin sukses. Këto kuptime janë fillimi i dëshpërimit apo vetë dëshpërimi yt në jetë.

  • Pse ekziston kjo sfidë në jetën tonë?

Shpeshherë në jetë gjërat jemi të prirë t’i shohim vetëm nga një këndvështrim duke harruar se ekziston edhe ana tjetër e të lexuarit të mesazhit.

Cilat janë ato dobi që mund të nxjerrim në momentin që ndihemi të dëshpëruar nga ndonjë sfidë në jetë?

  • Dëshpërimi është momenti kur ne kuptojmë se nuk ia dalim dot pa Allahun, pra na rikthen tek Krijuesi.
  • Dëshpërimi që për rezultat ka kthimin tonë tek Allahu na dhuron një jetë të re, sikur kemi rilindur.
  • Dëshpërimi është zbulimi apo identifikim i vetvetes. Kapacitetet njerëzore janë të kufizuara, mundësitë tonë kanë kufij, ne nuk mund të pavarësohemi dot nga Krijuesi.

 

  • Dëmet dhe pasojat e dëshpërimit në jetën tonë

Nuk ka dyshim se gjërat jo të mira në jetë janë ato që na sjellin pasoja dhe dëme, nganjëherë aq të mëdha saqë vështirë është për t’i shëruar. Dëshpërimi është atribut i jobesimtarëve.

Allahu thotë:
“O bijtë e mi, shkoni dhe interesohuni për Jusufin dhe vëllanë e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Vetëm jobesimtarët e humbin shpresën në mëshirën e Allahut.”(Jusuf: 87)

  • Njeriu i dëshpëruar fillon të kundërshtojë caktimin e Allahut.
  • Ai mund të ketë mendim të keq për Allahun apo edhe t’i shkëpusë lidhjet me Krijuesin.
  • Dëshpërimi sjell dobësim të mbështetjes tek Allahu, shkëputje të shpresës dhe bindje se Allahu është i pafuqishëm për ta ndryshuar gjendjen e tij.
  • Njeriu goditet nga pesimizmi dhe përtacia.
  • Zhgënjehet, ka ankesa të panevojshme dhe është joproduktiv në jetë.

 

  • Ilaçi i dëshpërimit

Kur’ani, libri i shenjtë,çdo herë mbjell te besimtarët shpirtin e shpresës dhe optimizmit duke mos i lënë vend dëshpërimit apo pesimizmit.

“… mos e këputni shpresën te mëshira e Allahut!” (Zumer: 53)

 

Njeriu derisa ka mundësi të lëvizë në këtë jetë është i gjallë dhe nuk duhet ta kaplojë dëshpërimi sepse kështu na ka udhëzuar e mësuar Krijuesi i gjithësisë dhe pastaj i Dërguari i njerëzisë, Muhamedi (alejhi selam).

Nuk ka dyshim se në jetë shpeshherë dështojmë. Njeriu duhet të mbjellë shpirtin e shpresës duke kërkuar shkaqet e dështimit, që të largohet në të ardhmen prej tyre dhe të kërkojë nga Allahu ndihmë për t’i realizuar qëllimet e tij duke pasur si moto fjalët “jeta ime është pa dëshpërim”.

Kjo është metodë më e mirë sesa të drejtosh gishtin drejt të tjerëve duke ua lënë fajin e më pas të dështosh dhe të të kaplojë dëshpërimi.

Një nga emrat e Allahut është “El Fetah”. Allahu nuk i mbyll dyert e pendimit për shkak të mëkateve tona. Nuk ka dyshim se dëshpërimi është një sëmundje e rëndë në jetën e njeriut, e cila e lë të gjymtë e pasiv përballë ambicieve në jetë. Në fund do të mundohemi të sjellim edhe ilaçin e kësaj sëmundjeje:

  • Imani në caktimin e Allahut, me koncept të qartë dhe të drejtë.
  • Edukimi i vetvetes për t’iu mbështetur Allahut, veprimi i shkaqeve të nevojshme dhe përpjekja për t’i realizuar qëllimet në jetë.
  • Vetëbesimi dhe marrja e përgjegjësive.
  • Bindja drejt ndryshimit për të mirë në çdo sferë të jetës duke mësuar edhe nga përvojat e njerëzve të suksesshëm.
  • Të lexuarit për jetën e Pejgamberëve,sepse ata ndryshuan historinë e njerëzimit, për vështirësitë me të cilat ata u ballafaquan, si i luftuan me vendosmëri e sinqeritet dhe si ia arritën të kishin sukses me ndihmën dhe fuqinë e Allahut.
  • Bindja se t’i dorëzohesh dëshpërimit nuk është më shumë sesa t’i shtosh vetes dhembje, dështim, lodhje e sëmundje. Alternativa e vetme është serioziteti dhe shpresa.

 

Lutja përmbyllëse

Zoti im, të lutem! Mos lejo që jeta e kësaj bote të na dëshpërojë.
Mos na bëj nga ata të cilët për shkak të dëshpërimit e meritojnë hidhërimin Tënd!
Bëje jetën tonë plot kuptime, hare, lumturi e buzëqeshje!

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: Libri “10 Sfidat e jetës”

Ruhuni nga zjarri duke dhenë lëmoshë qoftë një gjysëm hurme – Hadith

Nga Adi ibn Hatim-Allahu qoftë i kënaqur prej tij! Transmetohet se  i Dërguari i Allahut-alejhi salatu ue selam e kujtoi një dite zjarrin e Xhehenemit dhe fytyrën e çoi mënjanë duke iu lutur Allahut ta ruaj nga zjarri. Pastaj sërisht e përmendi zjarrin e Xhehenemit dhe fytyrën e ktheu mënjanë duke e lutur Allahun ta ruaj nga zjarri. Pastaj tha:
اتقوا النار ولو بشق تمرة، فمن لم يجد، فبكلمة طيبة
“Ruhuni nga zjarri duke dhenë lëmoshë qoftë një gjysëm hurme, e kush nuk gjen as këtë atëherë le të flasë fjalë të mira”.(Buhariu dhe Muslimi)

 AJO QË PËRFITOJMË NGA HADITHI ËSHTË:

Nxitja për të dhënë sadaka(lëmoshë) qoftë ajo e pakët apo e shumtë.
Njeriu nuk duhet ta nënçmojë asnjë fjalë e asnjë vepër, që mund t’i duket e vogël.
Fjala e mirë konsiderohet sadaka si ajo që jepet përmes pasurisë, sepse sikurse me dhënien e lëmoshës që e gëzon zemrën e marrësit dhe ia largon atij vrazhdësinë, po kështu ndodh edhe me fjalën e mirë, e cila e gëzon dhe e qetëson zemrën.
Fjala e mirë të fut në Xhenet, ndërsa fjala e keqe është shkak për t’u futur në Xhehenem.
Fjala e mirë ngjitet tek Allahu i Madhëruar, e bën njeriun të ngjitet në shkallë lartë, ia largon atij armiqësitë dhe e bën të jetë i nderuar.

Përzgjedhja e haditheve të normave dhe moraleve

/MESOFENETENDE

Mes lotësh ai njoftoi se tashmë NOKIA u ble nga Microsoft – Disa mësime pse deshtoi Nokia

” Asgjë nuk e vepruam gabim, por gjithsesi, ne humbëm”

Me këto fjalë përmbylli njoftimin e tij drejtori ekzekutiv i ikonës së kompanive celulare NOKIA.
Mes lotësh ai njoftoi se tashmë NOKIA u ble nga Microsoft dhe, kjo bëri që i gjithë stafi drejtues të lotojnë gjithashtu.

Në fakt NOKIA nuk bëri asgjë gabim dhe deri në atë kohë, produktet e saj qëndronin në krye.

Por, edhe pse tregu global tashmë i ishte nënshtruar një dinamike ndryshimesh drastike e të shpejta, NOKIA nuk përditësoi njohuritë, humbi shansin dhe, dështoi të shfrytëzojë mundësinë e artë për t’u shndërruar në lider botëror.
Jo vetëm që humbën shansin e përfitimeve të mëdha financiare, por, akoma dhe më keq, shansin për të mbijetuar.

Me pak fjalë:
– Nëse nuk ndryshon, do të të eliminojë konkurrenca,
– Nëse nuk përditëson njohuritë, me kalimin e kohës të vjen dhe dështimi,
– Suksesi i njeriut lidhet ngushtë me njohuritë, e nëse mendon se është i ditur, e ke vendosur veten përballë dështimit.

21 shtete heqin zyrtarisht dorë nga dollari amerikan

Dollari amerikan po përballet me sfida nga vendet në zhvillim që po kërcënojnë statusin e tij si monedhë rezervë globale.

Një pjesë e vogël e aleancave në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut po kërkojnë t’i japin fund varësisë nga SHBA. Grupet BRICS dhe ASEAN qëndrojnë në krye të sfidimit të statusit të dollarit amerikan.

Vendet në zhvillim druhen se sanksionet e SHBA-së mund të dëmtojnë ekonomitë e tyre dhe, për rrjedhojë, duan të forcojnë monedhat dhe ekonomitë e tyre lokale.

Dy aleanca të ndryshme kanë rënë dakord zyrtarisht të heqin dorë nga dollari amerikan për tregtinë globale në vitin 2023.

Në mars 2023, blloku ASEAN ishte i pari që vendosi të mos përdorte dollarin amerikan për transaksionet ndërkufitare. Udhëheqësit e 10 vendeve të Azisë Juglindore nënshkruan një deklaratë për të ndaluar përdorimin e dollarit amerikan dhe për të promovuar monedhat e tyre lokale.

Për më tepër, aleanca BRICS arriti të ndalonte zgjidhjen e tregtisë ndërkombëtare duke përdorur dollarin amerikan në samitin e gushtit të këtij viti.

BRICS do të përdorë monedhat vendase për tregti dhe po kërkon gjithashtu të krijojë një monedhë të përbashkët midis vendeve anëtare. Tregtia do të zgjidhet brenda bllokut ekzistues të 10 vendeve dhe jo me kombe të tjera jashtë aleancës.

Grupi ASEAN përbëhet nga 10 vende dhe aleanca BRICS tani është një grup prej 11 anëtarësh. Si përfundim, gjithsej 21 vende kanë rënë dakord zyrtarisht të heqin dorë nga dollari amerikan për tregtinë globale në vitin 2023.

Ruajtja e grurit brenda kallirit të tij – Disa fakte shkencore

Zoti i Plotfuqishëm thotë në Kuran: “Dikush tha: Jusuf, o njeri i drejtë, na e shpjego ëndrrën që flet për shtatë lopë të majme, të cilat i hanë shtatë lopë të dobëta dhe për shtatë kallinj gruri të njomë dhe shtatë të tjerë të thatë. Na trego që të kthehem te njerëzit e ta dinë edhe ata. Jusufi tha: Do të mbillni shtatë vjet rrjesht. Prodhimin që do ta korrni lëreni në kallinj, përveç një pakice që do t’ju shërbejë për të ngrënë, sepse pastaj do të vijnë shtatë vite të thata, të cilat do t’i harxhojnë ato që i keni ruajtur ju, përveç një pakice që mund të kurseni. Pastaj, pas këtyre do të vijë një vit plot shi për njerëzit, vit në të cilin ata do të shtrydhin (ullinj dhe rrush)”[1]

Fakte shkencore:

Ruajtja e grurit dhe e drithërave të tjera në kallinjtë e vet është një mënyrë e thjeshtë e rujtjes së tyre. Dr. Abdulmexhid Baladid dhe bashkëpunëtorët e tij në Universitetin Rabat të Marokut filluan të studionin kokrrat e grurit, që i kishin lënë në kallinjtë e tyre për afro dy vjet dhe të tjerat që ishin të nxjerra nga kalliri. Të dhënat fillestare treguan se kokrrat e grurit të ruajtura në kallinjtë e tyre nuk kishin pësuar asnjë ndryshim dhe ishin 100% në gjëndje për të mbirë, pa marrë parasysh që kushtet e temperaturës dhe të lagështisë në magazinë nuk qenë përshtatur. Shkenctarët gjithashtu arritën në përfundimin se kokrrat e grurit në kallzat e tyre humbasin një pjesë të mirë të ujit në brendësi dhe bëhen më të thata sesa ato që janë vlejur nga kallinjtë e tyre. Gruri i vjelur nga kalliri përmban 20.3% ujë. Kjo ndikon në aftësinë e tij për të mbirë, ngaqë thjesht uji që përmbajnë kokrrat e grurit i bën ato më të dobëta kur ballafaqohen me mykun dhe sëmundje të tjera.

Hulumtuesit më vonë krahasuan aftësinë e rritjes midis kokrrave të grurit të ruajtura në dy mënyra të ndryshme. Ata arritën në përfundimin se ato kokrra që ishin ruajtur në kallzat e tyre, e kishin aftësinë për t’u rritur, më të mirë sesa ato të vjelurat. Pastaj ata matën nivelin e proteinave dhe sheqerit. Një vit pas vjeljes nga kallzat vëllimi i grupit të ruajtur në magazinë kishte rënë mbi 20% dhe pas dy vjetësh 32%. Megjithatë kokrrat e grurit të ruajtur në kallinjtë e tyre nuk kishin humbur asgjë.

Mrekullia shkencore:

Në këto vargje kuranore na jepen dy përfundime shkencore:

1 – Mënyra e ruajtjes së grurit në kallzat e veta është mënyra më e mirë e mundshme. Kjo na u dha nga Profeti Jusuf (a.s) me diturinë dhe frymëzimin e Zotit. Është e provuar historikisht, që kjo mënyrë ruajtjeje nuk njihej më parë, veçanërisht nga egjiptianët e lashtë, të cilët e ruanin grurin pasi e vilnin nga kallzat e veta.

2 – Fara e grurit për mbjellje mund të ruhet deri në pesëmbëdhjetë vjet. Kjo llogari është e bazuar në faktin se njerëzit u urdhëruan të mbjellin grurë sa më shumë, gjatë kohës shtatë vjeçare të lulëzimit dhe të shpenzojnë grurë sa më shumë gjatë kohës shtatë vjeçare të thatësirës, e ndjekur nga një vit shtesë. Hulumtimet kanë treguar se kokrrat e grurit e ruajnë aftësinë për të mbirë deri në pesëmbëdhjet vjet.

Autor: Dr Itidal Albanaui

Përshtati në shqip: Astrit Hykaj.

[1] – Sure Jusuf: 46-49.

Si të bëhëni punëtorë të pavarur?

Puna si punëtor i pavarur ose freelancer është një mënyrë e lehtë e po ashtu edhe e shpejtë për të siguruar të ardhura. Kjo mund të realizohet në rast se keni aftësi në një drejtim të caktuar. Ju mund t’i ofroni shërbimet tuaja kompanive të ndryshme, duke punuar edhe nga shtëpia.

Çka është një punëtor i pavarur (freelancer)?

Një punëtor i pavarur është një punëtor që bën punë të veçantë për organizata apo biznese të ndryshme, dhe nuk punon gjatë gjithë kohës për një organizatë të vetme.

Pse duhet të punoni si i pavarur?

Ka një mori arsyesh se pse është frytdhënëse nëse keni një punë si freelancer. Me një punë të tillë, ju do të keni një metodë për të siguruar të ardhura shtesë. Përpos kësaj, e mira e kësaj pune është se mund ta nisni në çdo kohë dhe shumë shpejt. Krejt çka nevojitet është të bëni hulumtimin e saktë rreth klientëve për të cilët mund të kryeni shërbime. Puna si punëtor i pavarur është edhe fleksibile dhe gjithmonë iu lë kohë edhe për ta bërë nëj punë tjetër, me gjysmë orar.

A ka mangësi ky lloj i punës?

Ndonëse të mirat e kësaj pune janë shumë, duhet ta keni parasysh se mund të shoqëroheni edhe me disa mangësi.

  • Pagesat ndonjëherë janë të çrregullta
  • Menaxhimi i klientëve dhe projekteve kërkon shumë anagazhim
  • Ka raste kur paga mund të jetë e ulët

Cilat shërbime mund t’i kryejë një punëtor i pavarur?

Ka shumë prej shërbimeve të cilat mund t’iu ofohen bizneseve apo organizatave si punëtor i pavarur.

Disa prej profesioneve janë si vijojnë:

  • Shkrimtar i pavarur
  • Dizajner grafik
  • Kontabilist
  • Shërbime në marketing ose marrëdhënie me publikun
  • Menaxher i rrjeteve sociale

Si mund t’ia filloni?

FIllimisht, ju duhet të zbuloni se cila është ajo aftësi e juaja të cilën mund t’ua ofroni kleintëve.

Ju duhet të kujdeseni që ta keni një plan biznesi, një plan ku i nënvizoni shërbimet që mund t’i ofroni dhe një portfolio me punën tuaj.  Gjithashtu, një profil në LinkedIn është po ashtu shumë i nevojshëm në ditët e sotme, është një vend ku mund të gjeni shumë mundësi për punë të pavarura.

Suksesi dhe realizimi i tij

-Dikush e sheh si sukses marrjen e diplomave, bërjen magjistër e doktor etj. Dikush e sheh si sukses punën (të ketë arritje në punë). Dikush e sheh si sukses pasurinë, biznesin. Dikush e sheh si sukses familjen e shëndoshë.

-Përkufizimi i suksesit vetëm për nga ana materiale e kësaj dunjaje nuk është sukses sipas këndvështrimit islam. Sukses në këndvështrimin islam është e përtejmja, “kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet)”, Ali Imran 185. Suksesi i vërtetë peshohet me përfundimin e njeriut. Sukses është shpëtimi prej zjarrit të xhehenemit dhe bërja banor i xhenetit.

-Kur shohim se si i ka përshkruar Allahu njerëzit e shpëtuar të suksesshëm, shohim shumë rrallë apo fare të ketë përmendur suksesin e kësaj dujaje. Në fillim të sures Bekare thotë: “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.” Të suksesshmit janë pikërisht këta persona të cilët realizojnë këto cilësi. Dhe thotë: “LE TË DALË PREJ JUSH NJË GRUP QË TË THËRRASË PËR NË MIRËSI, TË URDHËROJË PËR VEPRA TË MIRA E TË NDALOJË PREJ VEPRAVE TË SHËMTUARA! KËTA NJERËZ DO TË JENË TË SHPËTUARIT.” ALI IMRAN 102.

-Nëse do të jesh i suksesshëm, bëhu i sinqertë e i drejtë, edhe kundër vetes tënde. Allahu thotë: “Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshtet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe!” Maide 119.

-Njeriu është i suksesshëm dhe i shpëtuar kur kërkon çdo punë të mirë që e afron tek Allahu dhe kur largohet prej çdo gjëje që e largon prej Tij. Allahu thotë: “O besimtarë! Kini frikë Allahun, përpiquni që t’i afroheni Atij me vepra të mira…”. Maide 35.

Kur shohim tek Kurani e suneti gjejmë se koncepti i suksesit është i ndërtuar mbi tri kritere:

  1. Teuhidi, besimi në Allahun. Pa këtë kriter nuk ka sukses. “Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.” Furkan 23. Sepse i kanë bërë pa teuhid e pa sinqertitet.
  2. Devotshmëria, veprimi i veprave të mira. “Sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit do të rëndojnë në peshore, ai do të ketë një jetë të kënaqur (në Xhenet).” Kariah 6-7.
  3. Dhënia maksimalisht prej vetvetes. “dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar” Nexhm 39.

Është gabim mendimi se suksesi në ahiret fitohet duke shkatërruar suksesin në këtë dunja. Besimtari kërkohet të jetë i suksesshëm edhe në këtë jetë. Mirëpo, suksesin ta lidhë me shpërblimin në Ditën e Gjykimit. Le të jetë i suksesshëm në familje, në shkollë, në punë etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimtari i fortë është më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, edhe pse tek të dytë ka hajr.” Ta ketë synim ahiretin, mirëpo të mos e lër pas dore as dunjan.

Bëhu i suksesshëm, mirëpo mos të kesh qëllim final këtë dunja, shtoja këtij suksesi synimin tek Allahu dhe zgjedhjen e metodës së devotshmërisë (dhe jo çdo rrugë për të ardhur tek suksesi).

Ne kemi njeriun më të suksesshëm që ka njohur historia, që është Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, qoftë si lider shpirtëror, qoftë si burrë shtetas, qoftë si kryefamiljar etj.

Dr. Gazmend Mehmeti

Kujdes prindër! Mos u rrini në kokë fëmijëve kur bëjnë detyrat e shtëpisë

Kthimi në shtëpi nga shkolla është një nga momentet më të mira për një fëmijë, mirëpo kjo lumturi zgjat pak kur ai do duhet që t’iu rikthehet detyrave. Kjo shërben edhe si një arsye për zënka mes prindërve dhe fëmijëve. Aq, sa ka raste kur prindërit detyrohen që të ulen së bashkë me djalin ose vajzën e tyre për të bërë detyrat, mirëpo ekspertët sugjerojnë se është gabim. Studimi në shtëpi është përgjegjësi e fëmijëve dhe nëse prindi “i rri te koka” atëherë kontribuon që fëmija të mos jetë i përgjegjshëm dhe as i pavarur.

Përcaktoni një hapësirë fikse, pa shumë shpërqendrime, bini dakord së bashku për një kohë të caktuar, pa pushime apo ndërprerje dhe sqaroni rolet: fëmija lexon ose bën detyra, prindi kontrollon ose në fund jep një zgjidhje për një problem të vështirë.

Klasa e parë, si çdo fillim, është gjysma e gjithçkaje. Është koha e duhur për t’i mësuar fëmijët se si të bëhen të përgjegjshëm dhe të pavarur. Mësoni pak nga pak se si duhet të përgatiten.Fillimisht përgatitjani ju çantënduke shpjeguar se si duhet të përshtatet çdo gjë. Më pas ndërroni rolet, ata përgatisin çantën dhe ju jini në rolin e shikuesit. Në fund, ata do të dinë se çfarë duhet të ketë në çantë dhe mund të marrin më lehtë përgjegjësinë. Le të mos jetë gjithçka perfekte. Besim, stabilitet, dhe qëndrueshmëri. Këta janë përbërësit bazë për një fëmijë të përgjegjshëm dhe të pavarur!

Kurimi për shtyrjen e veprave të mira

1- Braktisja e dembelisë.
Allahu thotë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit…” Ali Imran 133. Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shpejtoni drejt veprave të mira para se të vijnë fitnet e sprovat!” Muslimi.

2- Kujtimi i vdekjes.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Kur të ngrihesh për të falë namaz, fale atë sikur pas tij do t’ia japësh lamtumirën njerëzve (të dashurve).” Ibn Maxhe.

3- Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu nga kjo gjë.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem lutej: “O Allah kërkoj mbrojtje tek Ti nga shqetësimet, pikëllimit e ankthit dhe paaftësia e dembelia!” Imam Neveviu thotë: “Paaftësia është kur njeriu nuk ka aftësi, forcë e mundësi (edhe pse ka dëshirë) për të kryer vepra të mira.” Ndërsa disa dijetarë kanë thënë: “Braktisja (e qëllimshme) e gjërave të obligueshme (duke thënë “ka kohë“).”

5- Mos pasja fantazira dhe shpresa të kota.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “I paaftë është ai i cili ndjek dëshirat e nefsit e megjithatë ka shpresa tek Allahu (se Ai do ta falë, do ta shpërblejë).” Tirmidhiu. Ibn Kajjim ka thënë: “Ai që ka fantazira e shpresa të kota është njeriu më i dështuar…”

6- Mosvazhdimi në mëkate.
Allahu thotë: “dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë” Ali Imran 135. Kurtubiu thotë: “Vazhdueshmëria në mëkate është zvarritja e pendimit për to dhe kjo është kur thotë: Do të pendohem nesër. Kjo është thirrje e nefsit që është i prirë për gjëra të këqija.” Hasan el Basriu ka thënë: “Ke kujdes nga shtyrja e veprave të mira dhe pendimit. Ti i takon të sotshmes (të nesërmen nuk e di a do ta arrish).”

 

Hoxhë Lulzim Perçuku

MENDIMI I MIRË

Në terminologjinë sheriatike “Husnu Dhann” (Mendimi i mirë) don të thotë: Të dhënurit përparsi apo të anuarit kah mendimi pozitiv kundrejt mendimit negativ.

Kur’ani nxit dhe obligon mendimin e mirë

Thotë Allahu i Lartësuar:

"E përse kur e dëgjuan atë (shpifje) besimtarët dhe besimtaret të mos mendonin të mirën si për vete dhe të thonin: "Kjo është shpifje e qartë?!" (en Nur, 12)

Thotë ebu Hajjan el Andalusi në komentimin e Ajetit në fjalë:
“Këtu ka tërheqje të vërejtjes se është e drejtë e besimtarit që kur të dëgjon ndonjë fjalë (jo të mirë) për vëllanë e tij të ndërton mendimin e tij në baza pozitive dhe në bazë të këtij mendimi të thotë: Kjo është një shpifje e qartë, dhe ta pastron vëllain e tij nga ajo që thuhet për të. Kjo është prej edukatës së lartë”.

Thotë Allahu i Lartësuar:

"O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i All-llahut, e All-llahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin." (el Huxhurat, 12)

Thotë Imam et Taberij në lidhje me këtë Ajet: “Iu është drejtuar Allahu atyre që besuan Atë dhe Pejgamberin e Tij që të largohen prej dyshimeve, nëse këto dyshime janë prej dyshimeve negative apo të këqija për vëllain e tij, sepse dyshimet nuk janë gjëra të vërteta, ndërsa në pjesën ku Allahu thotë: “meqë disa dyshime janë mëkat” , nuk ka thënë: “të gjitha dyshimet janë mëkat”, ngase u është lejuar që besimtarët të dyshojnë në njëri tjetrin për gjëra të mira”.

Gjithashtu edhe sunneti nxit në mendim të mirë dhe ndalon nga mendimi i keq

Transmetohet se Pejgamberi (salaAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kini kujdes nga dyshimet sepse ato janë gjërat më të pavërteta” (Ahmedi, Buhariu, AbdurRrezaku)

Thotë imam en Nevevi se këtu është për qëllim ndalesa nga mendimi i keq. Thotë el-Khattabi: “Ndalesa ka ardhur për të marrurr dyshimet (e këqija) si të vërteta dhe të besuarit e tyre, duke përjashtuar atë që vjen si vesvese në mendje dhe luftohet për ta larguar, sepse këtu nuk kemi dorë dhe nuk jemi të ngarkuar me këtë”.

Thotë Imam el Gazalij: “Nuk duhet që besimtari të merr si të vërtetë dyshimin as në zemrën e tij duke e besuar e as në vepër. Sa i përket zemrës, ajo duhet ta luftoj dhe urrej atë mendim, e sa i përket gjymtyrëve ai duhet të vazhdon t’i kryen obligimet e tij ndaj vëllait të tij për të cilin i kanë ardhur dyshime. Shejtani këto dyshime mundohet t’i kthen tek ti si shkathtësi dhe t’i paraqet ato si mencuri, mirëpo besimtari i cili shikon me dritën e Allahut të Lartësuar, i sheh ato si mashtrime të shejtanit”.

Transmetohet nga Ibn Abasi (radijAllahu anhu) se Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) në një hadith të gjatë vec tjerash ka thënë: “Allahu ia ka ndaluar besimtarit për besimtarin tri gjëra: gjakun e tij, pasurinë e tij si dhe mendimin e  keq për të”.

Thotë eGazalij: “Nuk e lejon mendimin e keq për vëllain përvec se ajo cka e lejon pasurinë e tij”.

Thënie të selefit dhe dijetarëve rreth mendimit të mirë: 

Ka thënë Omer ibn ul Hattabi (radijAllahu anhu)”: Nuk i lejohet muslimanit që kur të dëgjoj ndonjë fjalë prej vëllait të tij të mendoj keq për të, duke pasur mundësi që prej saj (fjalës) të nxjerr ndonjë të mire”.

Ka thënë Ali ibn ebi Talib (radijAllahu anhu): “Kush e njeh një vëlla për moral të mirë nuk duhet t’i degjoj thëniet e njerëzve për të (thashethemet), dhe kush njihet me të jashtmen e mirë, ne për të fshehtën mendojmë edhe më mirë”.

Transmetohet nga Seid ibn el Musejjib se ka thënë: “Disa prej vëllezërve të mi që ishin shokë të Dërguarit të Allahut më kanë shkruar dhe më thanë: Lëre cështjen e vëllait tënd duke menduar më të mirën për të derisa të vjen dicka që e vërteton të kundërten, dhe mos e mendo si të keqe fjalën që vjen prej vëllait tënd duke pasur mundësi të gjesh e të nxjerresh dicka të mirë prej saj”.

Dobitë e mendimit të mirë

Po të mos kishte asnjë dobi tjetër nga kjo cilësi, përvec rehatisë dhe paqes së zemrës, do të mjaftonte.

Prej dobive të mendimit të mirë janë:

  1. Mendimi i mirë është shenjë e plotësimit të Imanit, sepse nuk mendon për muslimanët mirë porpos atij që është prej tyre.
  2. Mendimi i mirë e mbyll derën e fitnes dhe të keqes që vjen nga shejtani i mallkuar sepse prej dyerve ku depërton ai ështe mendimi i  keq për muslimanët.
  3. Është mënyra më e mirë për të shtuar dashurinë mes pjestarëve të shoqërisë muslimane.
  4. E mbron shoqërinë nga përhapja e të keqës dhe antivlerave të ulëta, dhe me të mbrohen të drejtat e njerëzve si dhe nderi i tyre.
  5. Është shenjë e pastërtisë së zemrës dhe shpirtit.

/Përktheu: E. Kosumi – rizgjimi.com/

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
21.5 ° C
21.5 °
21.5 °
64 %
1kmh
0 %
Tue
37 °
Wed
38 °
Thu
39 °
Fri
42 °
Sat
34 °