Ballina Blog Faqe 166

Si t’i qaseni negociatave në një bisedë

Negocimi mund të jetë stresues. Pothuajse askujt nuk i pëlqen që të vihet përballë situatave me presion të lartë, veçanërisht kur këtu përfshihen paratë dhe reputacioni juaj. Megjithatë, kur bëhet fjalë për t’u përgatitur për negociata, shmangia e frikës dhe e emocioneve nuk funksionon. Lajmi i mirë është se ju mund t’i përdorni ato në të mirën tuaj. Këtu janë tre hapa për të mposhtur rezistencën dhe për të pasur sukses në negociatat tuaja të ardhshme.

  1. Bëni kërkimet e nevojshme

Nëse doni t’i qaseni negociatave si një bisedë (dhe jo si një sesion marrjesh në pyetje), është e rëndësishme të kuptoni bashkëbiseduesin tuaj. Ju duhet të futeni në kokën e tyre për të kuptuar se nga vijnë dhe  cili është formimi i tyre, stili, interesat, etj. Në mënyrë që të mendoni se si mund të gjeni zgjidhje të favorshme.

  • Kë ose çfarë priret që të mbështesë ose të kundërshtojë ai ose ajo?
  • Si i pëlqen këtij personi që të komunikohet me të?
  • Pse ky person nuk e ka bërë më parë atë gjë që unë do t’i kërkoj tani? Çfarë po e shtyn atë që të mos e bëjë këtë gjë akoma?
  • Cili është stili dominues i komunikimit të këtij personi? Faktet? Ndjenjat? Anekdotat?
  • Çfarë di unë lidhur me mënyrën se si ai ose ajo i merr vendimet?
  • Çfarë mund të bëj unë që ata ta kenë më të thjeshtë të thonë “po”?
  • Me cilin person tjetër në rrjetin tim të njohjeve mund të flas? Kë njoh që ka negociuar më parë me këtë person? Çfarë kundërshtimesh apo pengesash kanë hasur?
  1. Bëni pyetje më të thella

Tani që jeni të përgatitur ashtu siҫ duhet, është koha për të zhvilluar bisedën. Mos filloni menjëherë me një mori kërkesash. Kaloni pak kohë duke biseduar dhe duke qenë më personal me bashkëbiseduesin. Tregoni anën tuaj njerëzore.

Negociatorët më të mirë bëjnë gjithashtu shumë pyetje diagnostikuese gjatë procesit, të tilla si “Cilat janë mendimet tuaja për …?”. Pyetjet e hapura ju ndihmojnë të gërmoni më thellë për të gjetur më shumë informacion rreth perspektivave dhe rezistencës së mundshme që do të vijë nga pala tjetër. Kjo ju ofron një mundësi për të identifikuar kompromiset fitimprurëse dhe për të ndërtuar raporte.

Ja disa pyetje që do t’ju ndihmonin për ta arritur këtë:

  • A mund të më shpjegoni se si arritët në këtë zgjidhje?
  • A mund të më shpjegoni procesin tuaj të vendimmarrjes?
  • Çfarë mendoni se po na pengon që të arrijmë në një marrëveshje? Si mund t’ju ndihmoj të ndiheni më komod me këtë kërkesë? Cila është mënyra më e mirë për ne që të…?
  • Sa i gatshëm jeni për ta negociuar këtë pikë?
  • Cila është gjëja më e rëndësishmja për ju? Mund të më thoni pse?
  • Si mund të ecim përpara?
  • Si mund të fitojmë të dy nga kjo marrëveshje?
  • A mund të më ndihmoni të kuptoj se çfarë po përpiqeni të arrini?
  1. Bëhuni gati për kundërshtime

Është e rëndësishme të kuptojmë se “jo” është një mundësi, jo një fund. Qëndroni në kursin tuaj, jini të angazhuar dhe vazhdoni të dalloheni nga të tjerët duke ofruar vlerë me kalimin e kohës. /Forbes

“Qytetarët nuk do të ikin me liberalizimin e vizave, por me viza pune”

Liberalizimi i vizave, sipas analistëve, nuk po konsiderohet si rrezik i migrimit të qytetarëve të Kosovës drejt shteteve të Bashkimit Evropian, pasi ata tani kanë mundësi që të largohen nëpërmjet vizave të punës. Ndërsa, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kanë thënë për Portalin Dukagjini se Kosova është duke u zbrazur nga mungesa e kushteve të punës për punëtorët e sektorit privat dhe nuk e sheh liberalizimin e vizave si rrezik.

Të enjten 13 tetorit pritet që raporti i Komisionit Evropian të jetë në rend të ditës, ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do ta shqyrtojnë mundësinë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë që nuk kanë lirinë e lëvizjes në Bashkimin Evropian (BE).

Vendimet e shteteve janë sovrane dhe për t’u hequr vizat për Kosovën duhet që të gjitha shtetet anëtare të BE-së të votojnë pro, sepse vendimet merren në mënyrë unanime.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka folur lidhur me ikjen e punëtorëve pas liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas tij, do të ketë ikje të punëtoreve të cilët nuk kanë një kualifikim, por jo aq sa është duke u pritur.

“Punëtorët e kualifikuar nuk po e kanë telashin e liberalizimit të vizave, sepse pronarët e kompanive me plot dëshirë janë duke i marrë këta punëtorë”, ka thënë ai.

Azemi ka ngritur alarmin e zbrazjes së Kosovës nga të rinjtë.

“Kosova është në prag të zbrazjes, realisht liberalizimi i vizave nuk do të jetë një ikje fushatë qysh është menduar, pasi njerëzit vetëm kanë ikur, tani do të ikin disa punëtorë të cilët nuk kanë ndonjë kualifikim të caktuar”, ka theksuar Azemi.

Më tej, ai ka treguar se si Kosova ka ardhur në gjendje që të marrë punëtorë nga vendet e tjera.

“Me futjen e punëtorëve nga jashtë është dëmtuar edhe fuqia punëtore e sektorit privat brenda Kosovës”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Azemi ka shtuar se kjo i dëmton kompanitë, dhe në vitet e ardhshme do të përballen me situatën të cilën e kanë krijuar duke mos i vlerësuar punëtorët.

”Do të jetë situatë shumë e rëndë për kompanitë, sepse në 2-3 vitet e ardhshme nuk do të kenë fuqi punëtore nën moshën 50 vjeçare, dhe dihet produktiviteti që mund të japë kjo moshë në kompani”, ka theksuar Azemi.

Ndërsa, analisti Arbnor Sadiku ka treguar se si do të ndikojë liberalizimi i vizave.

“Në fillim të liberalizimit të vizave mund të ketë një shtytje të qytetarëve për të dalë jashtë, por më vonë situata do të qetësohet”, kështu ka vlerësuar ai, teksa ka shtuar se këtë që e ka thënë e ka bazuar në statistikat e vendeve të rajonit, të cilat ishin përballur me emigrim pas liberalizimit të vizave, te të cilat pas një kohe gjendja përsëri ishte normalizuar.

Më tej, Sadiku ka sqaruar se liberalizimi i vizave nuk nënkupton të drejtën e punës dhe kjo është një nga arsyet sipas tij që diçka e tillë nuk do të ketë shumë ndikim në Kosovë.

“Liberalizmi i vizave është vetëm një e drejtë e qytetarëve që mund të shfrytëzohet për 3 muaj deri në 6 muaj, pastaj sërish duhet të rikthehesh në vendin nga ke ardhur”, ka shtuar ai.

Sadiku gjithashtu ka treguar se pse janë duke ikur qytetarët nga Kosova.

“Ikja e qytetarëve të Kosovës ndodh për shkak të mungesës së punësimit, dhe kompanitë nuk ofertojnë përshtatjen e pagesës me kushtet e jetesës, ku për çdo ditë kemi vështirësi me rritjen e çmimeve”, ka thënë Sadiku.

Kështu, ai ka përfunduar duke thënë se qytetarët e Kosovës më shumë do të largohen nga Kosova me viza të punës, sesa me liberalizimin e vizave.

Brenda vitit 2021, Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar, gjithsej, 34 mijë viza të të gjitha kategorive, nga të cilat 4 mijë e 442 ishin viza pune.

Kështu ka njoftuar ambasada në një përgjigje me shkrim për Portalin Dukagjinin, ku tregohet se në mesin e këtyre vizave, 17 mijë prej tyre janë lëshuar për qëndrime afatgjata.

“Ambasada Gjermane në Prishtinë i ka lëshuar rreth 34 mijë për të gjitha kategoritë. Këtu përfshihen 17 mijë viza afatshkurtra dhe rreth 17 mijë viza për qëndrime afatgjata për qëllime të bashkimit familjar, viza të punësimit, studimit, etj. Në shifër përfshihen edhe 4 mijë e 442 viza pune”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Sipas statistikave të dërguara nga ambasada, shumica e vizave të tjera nacionale të lëshuara në vitin 2021 kanë qenë për qëllime të bashkimit familjar.

Amazon do të investojë 1 mld euro në automjete elektrike për shpërndarjen në Europë

Amazon ka planifikuar të investojë 1 miliard euro, ose 972 milionë dollarë, për automjetet elektrike për flotën e saj europiane.

Kjo do të rrisë flotën e kompanisë në të paktën 10,000 furgona shpërndarje elektrike deri në vitin 2025, nga 3,000 që operon tashmë, dhe më shumë se 1,500 kamionë elektrikë për distanca të gjata. Kjo është pjesë e qëllimit të Amazon për të prodhuar emetime neto zero karbon deri në vitin 2040.

Amazon parashikon të dorëzojë shumë dërgesa përmes biçikletave elektronike dhe në këmbë, duke përdorur stacionet e dërgesave, që i quan “qendër të mikro-lëvizshmërisë”. Kompania operon qendra të tilla në 20 qytete të mëdha europiane, duke përfshirë Londrën, Mynihun dhe Parisin. Amazon pret të dyfishojë numrin e këtyre qendrave deri në fund të vitit 2025.

Sipas Amazon, “investimi do të ndihmojë në nxitjen e inovacionit në të gjithë industrinë dhe do t’i mundësojë industrisë të reduktojë më shpejt emetimet”.

Prodhuesit e shumtë të automjeteve po rrisin planet e prodhimit për automjetet e shpërndarjes elektrike. Një prej tyre është kamioni elektrik Rivian, në të cilin Amazon ishte një investitor kryesor. Rivian njoftoi muajin e kaluar se kishte nënshkruar një “memorandum mirëkuptimi” me Mercedes për të punuar së bashku në prodhimin e furgonëve elektrikë në Europë.

Automjetet e dorëzimit, të cilat kryejnë rrugë të shkurtra në orare të rregullta, janë relativisht të lehta për t’u rimbushur plotësisht çdo natë në depon e një kompanie./Reuters

Qeveria ndan mjetet për shtesat prej 100 eurove për pensionistët

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve financiare për zbatimin e masës 3.2, Mbështetja për Pensionistët dhe Familjet me Asistencë (MFPT).

Sipas kësaj mase, të gjithë pensionistët në Kosovë dhe familjet që janë nën asistencë sociale, këtë muaj do të përfitojnë edhe nga 100 euro shtesë përpos pensionit bazë.

Zëvendëskryeministri i parë i vendit, Besnik Bislimi, që foli në emër të Ministrisë së Financave, tha se për këtë masë, që është pjesë e Pakos për përballimin e inflacionit, janë ndarë mbi 28 milionë euro. /Buletini Ekonomik/

Inflacioni vjetor në Kosovë arrin në 12.7 për qind deri në shtator

Inflacioni vjetor në Kosovë deri në muajin shtator 2022, ka arritur në 12.7 për qind, nga 13% sa ishte në muajin gusht, bën të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Mirëpo, kjo rënie e ndjeshme në normën e inflacionit nuk është vërejtur pothuajse fare, pasi edhe në shtator është shënuar rritje enorme e çmimeve të shumë produkteve ushqimore në Kosovë.

Në krahasim me një muaj më herët, inflacioni në shtator ra për vetëm -0.2 për qind, përcjell Buletini Ekonomik. Pra, sipas të dhënave në raportin e ASK-së, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.2%) në muajin shtator 2022, krahasuar me muajin gusht 2022.

Rritjen më të madhe në çmim këtë shtator, në krahasim me shtatorin e vitit 2021, e kanë pësuar lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. që u rritën me gjithsej 60.2%, vajrat dhe yndyrnat ushqimore me 49.7%, buka dhe drithërat me 33.5%, qumështi, djathi dhe vezët me 25.8%, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal u rritën me 24.7%, gazi me 23;9%, mishi me 22.3%, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollatat dhe ëmbëlsirat me 21.1%, kafeja, çaji dhe kakao me 17.9%, prodhimet e ndryshme ushqimore, salcat, erëzat, kripa, ushqimi për fëmijë etj. me 16.7%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 16.2%, shërbimet për transport u rritën me 15.7%, shërbimet hoteliere me 14.2%, mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit me 13.3%, vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht me 10.9%, kujdesi personal me 8.3%, gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare me 7.3%, mobilet dhe orenditë, qilimat dhe mbulesat e tjera dyshemeje me 6.7%, pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal me 6.4%, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 6.2%; pajisjet shtëpiake me 5.9%; blerjet e automjeteve me 5.5%; duhani me 5.4%, pijet alkoolike me 5.2%, produktet farmaceutike me 4.9%, dhe qelqurina, takëme dhe mjetet e kuzhinës me 4.4%.

Ndërsa, rënie e çmimeve gjatë kësaj periudhe është vërejtur te nëngrupi i COICOP-it: pemët ranë në çmim me -6.8%, perimet me -1.9%, dhe energjia elektrike që ra me -1.4%, me një ndikim prej (-0.3 për qind) në IHÇK.

Ndërkaq, norma mujore e inflacionit e matur në muajin shtator 2022, me muajin gusht 2022 ishte -0.2%. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it, si: pushime të organizuara që ranë me -13.0%, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me -5.9%, shërbimet për transport me -4.7% (rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror), pemët me -3.2%, dhe energjia elektrike me -1.1%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.6 për qind) në IHÇK.

Ndërsa, ngritje e çmimeve në muajin shtator u vërejt më së shumti tek lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. që u rritën me 9.2% në krahasim me muajin gusht, tek mobilet dhe orenditë, qilimat dhe mbulesat e tjera dyshemeje me 2.5%, tek perimet me 2.0%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 1.5%, bukë dhe drithëra me 0.7%, dhe mishi që pësoi rritje për 0.6%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK. /Buletini Ekonomik

Cilat janë rreziqet e inflacionit?

Për të rregulluar problemin e inflacionit të Amerikës, Rezerva Federale duhet të ndërmarrë hapa të mëdhenj. Shanset që një recesion i dhimbshëm të shmanget, duken të vogla

Gjatë verës, një shpresë e madhe nisi të rritej mes investitorëve. Inflacioni dukej se po binte butësisht edhe pse ekonomia e Amerikës ishte në gjendje të keqe.

Ndoshta po afrohej fundi i periudhës më të keqe të inflacionit që nga vitet 1980, pa rritur më tej normat e interesit dhe pa dhimbje të mëtejshme ekonomike.

Por tani, kjo ëndërr ka marrë fund. Shifrat e publikuara më 13 shtator, tregojnë se ritmi i inflacionit bazë në gusht ishte i shpejtë dhe i furishëm.

Tregjet e aksioneve ranë në nivelin më të lartë që nga muajt e parë të pandemisë; çmimi i bonove junk ka rënë dhe yield-et afatshkurtra të Thesarit u rritën. Amerika ka ende një problem inflacioni. Për ta rregulluar atë, Rezerva Federale duhet të marrë masa të konsiderueshme, shkruan The Economist.

Lajmi i mirë është se vendi është kursyer nga kriza e gazit që po bën kërdinë në Europë. Ndërsa Vladimir Putin po ndërpret furnizimet me gaz, inflacioni në disa vende ka arritur në nivele dyshifrore. Amerika nuk varet nga furnizimet ruse me energji.

Norma e saj e inflacionit arriti kulmin në nivelin 9.1% në qershor dhe ra në 8.3% në gusht, pasi u ulën çmimet e naftës. Çmimet e benzinës kanë rënë për 13 javë rresht. Kjo, nga ana tjetër, ka ndihmuar në uljen e pritshmërive të konsumatorëve për inflacionin.

Megjithatë, po të mos marrim parasysh çmimet e paqëndrueshme të ushqimit dhe energjisë, inflacioni “bazë” është ende i lartë.

Çmimet u rritën me një normë vjetore prej 7.4% në gusht, duke tejkaluar parashikimet e ekonomistëve dhe shumë më lart se objektivi i Rezervës Federale për inflacionin e përgjithshëm prej 2%. Është tunduese të analizohen përbërësit e shportës së inflacionit në përpjekjen për të gjetur shenja ftohjeje.

Në një pikë, inflacioni u nxit nga çmimet stratosferike të makinave të përdorura dhe nga zinxhirët e dëmtuar të furnizimit, ndërsa amerikanët e mbyllur në karantinë, po blinin mallra pa fund. Që nga ajo kohë, këto presione janë zbutur. Sot, rritja e inflacionit po ndodh, për shkak të rritjes së çmimeve të disa shërbimeve, si për shembull të banesave, por edhe rritja e këtyre çmimeve mund të ngadalësohet në të ardhmen.

Megjithatë, në një kohë kur inflacioni bazë ka qenë aq i lartë për kaq shumë kohë, shpjegimi më i thjeshtë është më i dukshëm, pavarësisht se çfarë ndodh me komponentët individualë: ekonomia është ende duke u mbinxehur. Efektet e stimulit fiskal mjaft bujar, i cili nxiti kërkesën gjatë pandemisë, vazhdojnë të mbeten edhe sot.

Sipas Bankës Goldman Sachs, në total, familjet kanë ende më shumë se 2 trilionë dollarë kursime të tepërta që i kishin grumbulluar gjatë karantinave, dhe kjo shumë është e barasvlefshme me 10% të PBB-së vjetore.

Tregu i shtrënguar i punës po e rrit kërkesën edhe më tepër. Shkalla e papunësisë prej 3.7%, mbetet jashtëzakonisht e ulët, megjithëse ende ka rreth dy vende të lira pune për çdo person të papunë. Mungesa e madhe e punëtorëve ka çuar në rritjen e mprehtë të pagave, gjë që, nga ana tjetër, ka nxitur shpenzimet e konsumatorëve.

Sipas një treguesi, të ardhurat mesatare në Amerikë po rriten me 7% në normë vjetore, një ritëm që nuk është vënë re të paktën në dy dekadat e fundit. Ndërsa inflacioni në Europë pritet të ulet me zbehjen e goditjes energjetike, inflacioni amerikan, i cili është tepër i varur nga rritja e kërkesës në vend, është shumë më i vështirë për t’u ulur.

Detyra e Rezervës Federale është të përcaktojë normat e interesit në një mënyrë që inflacioni të arrijë objektivin. Ekonomia është ende e mbinxehur, çka tregon se Rezerva nuk e ka kryer punën e saj.

Megjithëse Banka Qendrore i ka rritur normat e interesit më shpejt se në ciklet e kaluara të shtrëngimit, ajo ka ngelur aq shumë mbrapa, sa që çdo tregues i rritjes së inflacionit, po trondit tregjet, pra e kundërta e asaj që pritet të arrijë një politikë e mirë monetare.

Në vend që të vazhdojë ciklin e vonesave dhe surprizave, Rezerva Federale duhet të ndërmarrë hapa më të mëdhenj, duke i rritur normat e interesit këtë vit, aq sa ç’kishte planifikuar për vitin 2023.

Shanset që një recesion i dhimbshëm të mund të shmanget, duken tepër të vogla. Vetëm në skenarët më pozitivë dhe të pagjasë, do të mjaftonte një rritje e lehtë e papunësisë, për të ngadalësuar ndjeshëm rritjen e çmimeve. Faza më e keqe në betejën për të zbutur inflacionin, nuk ka ardhur ende.

5 arsye pse marketingu është kaq i rëndësishëm

Formimi i një biznesi të mahnitshëm është thjesht hapi i parë. Tërheqja e klientëve kërkon marketing. Ndërsa shumë biznese të vogla besojnë se marketingu është i ngjashëm me reklamimin, ai në fakt është shumë më i gjerë. Marketingu përfshin të gjithë procesin e ofrimit të një produkti ose shërbimi te një klient: nga zgjedhja e produkteve për t’i shitur dhe ku t’i shisni ato, deri tek mënyra e çmimit dhe promovimit të tyre.

Marketingu përmbush këto pesë funksione kryesore:

1. Marketingu informon

Për të tërhequr konsumatorët në një treg të mbushur me njerëz, audienca juaj e synuar duhet të dijë pse ata duhet të zgjedhin biznesin tuaj dhe jo biznesin e dikujt tjetër. Këtu hyn marketingu i cili bind klientët aktualë dhe potencialë të biznesit tuaj. Se si dhe ku mund të përmbushin një nevoje që ata kanë. Përmbajtja në faqen tuaj të internetit që komunikon misionin e biznesit tuaj, videot e demonstrimit të produktit që postoni, fotot që shfaqni që tregojnë saktësisht se si duken produktet tuaja dhe elementë të tillë u mundësojnë klientëve të dinë se kush jeni dhe çfarë ju bën unik.

2. Marketingu mban të angazhuar si ju, ashtu edhe klientët

Për t’i kthyer klientët për herë të parë në fansa të përjetshëm që do të mbështesin biznesin tuaj, ju duhet të krijoni dhe të ndërtoni marrëdhënie me njerëzit që kanë ndërvepruar me biznesin tuaj. Mediat sociale janë një vend i mrekullueshëm për të filluar. Pasi ndjekin një markë në mediat sociale, 91% e ndjekësve vizitojnë faqen e internetit ose aplikacionin e markës.Rrjedhimisht pas kësaj rritet edhe numri i shitjeve. Dërgimi i emaileve pas blerjes dhe dërgimi i kartolinave me oferta speciale ose informacione për shërbimet e reja janë vetëm disa mënyra të tjera që marketingu mund t’ju ndihmojë të qëndroni në kontakt me audiencën tuaj të synuar.

3. Marketingu ndërton reputacionin tuaj

Si pronar biznesi ose sipërmarrës aspirues, ka të ngjarë që tashmë e kuptoni se sa i rëndësishëm është reputacioni juaj për suksesin që pretendoni të arrini. Reputacioni mund të jetë faktori vendimtar nëse një konsumator zgjedh të kontaktojë me ju apo një nga konkurrentët tuaj. Për shkak se marketingu përhap fjalën për biznesin tuaj, ai është një faktor kryesor në reputacionin që merr biznesi juaj . Marketingu i fortë dhe profesional tregon që ju jeni një biznes me reputacion.  Pavarësisht nëse është një fushatë emaili e dizajnuar mirë, imazhe me cilësi të lartë në të gjitha materialet tuaja të marketingut, apo thjeshtë një kopje tërheqëse e websajtit që pasqyron zërin tuaj unik të markës tuaj marketingu mund t’ju ndihmojë të krijoni besueshmëri tek klientet tuaj.

4. Marketingu shet

Është një logjikë e thjeshtë nuk mund të bësh një shitje nëse askush nuk di për produktet ose shërbimet tuaja. Dhe ndërkohë që ngritja e një dyqani në lagjen tuaj mund të sjellë një biznes të hapur, marketingu zgjeron shtrirjen tuaj dhe tërheq vëmendjen tek ajo që po shitni, në mënyrë që njerëzit ta blejnë atë. Email-et që shfaqin publikimet e reja, postimet e mediave sociale që paralajmërojnë klientët për një shitje të ardhshme dhe listat e biznesit në internet që i ndihmojnë konsumatorët vendas t’ju gjejnë, janë disa shembuj se si mund të përdorni marketingun për të ndërtuar llojin e ndërgjegjësimit që gjeneron të ardhura.

5. Marketingu i rrit bizneset

Ky funksion i marketingut është pjesërisht kulmi i katër të parave. Marketingu strategjik shpesh rezulton në rritje për biznesin tuaj. Nëse i edukoni me sukses klientët, i mbani ata të angazhuar, krijoni një reputacion të fortë në mendjet e tyre dhe u shisni atyre me zgjuarsi, biznesi juaj ka shumë të ngjarë të ecë mirë. Për më tepër, shumica (nëse jo të gjitha) bizneset lulëzojnë në blerjen e klientëve të rinj. Marketingu është mënyra se si i tërheq ata klientë në radhë të parë. /business-m/deluxe/

Disa gabime të zakonshme që bëjnë udhëheqësit kur u japin detyra vartësve të tyre!

Komunikimi është një nga vlerat më të larta të çdo njeriu, mënyra se si duhet të sillemi dhe ndërtojmë urat e komunikimit në punë duhet të jetë universale kur bëhet fjalë për sipërmarrje. Që një biznes të jetë i suksesshëm duhet të ketë njerëz që e drejtojnë mbi baza të mira komunikimi.

Çfarë ndodh me “Shefat” pse gabojnë ata?

Dhënia e udhëzimeve të paqarta.

Punonjësit tuaj nuk mund të lexojnë mendjen tuaj. Gabimi kryesor që bëjnë shpesh udhëheqësit është caktimi i detyrave të punonjësve pa ofruar pritshmëri të qarta.Kur i ngarkoni një detyrë të paqartë,ka të ngjarë që punonjësit të ngatërrohen dhe t’ju ndërpresin edhe juve me shumë pyetje. Ose të bëjnë gabime të paqëllimshme, sepse ata nuk e kuptojnë se çfarë dëshironi prej tyre.

Përdorimi i delegimit për të shmangur vendimet e vështira.

Një studim i botuar në Organizatën e Sjelljes dhe Proceset e Vendimeve Njerëzore zbuloi se njerëzit priren të delegojnë vendime që përfshijnë opsione jo tërheqëse dhe ka të ngjarë të krijojnë rezultate të dobëta për të tjerët. Këto janë llojet më të këqija të detyrave që duhen ngarkuar.Ju jeni përgjegjës për punën tuaj strategjike. Caktimi i detyrave kritike njerëzve të tjerë shpesh çon në rezultate të këqija dhe krijon pakënaqësi ndaj jush dhe punës së deleguar në përgjithësi.

Delegimi i detyrave te personi i gabuar.

Nëse i caktoni punë një profesionisti të nivelit të mesëm dhe të lartë, i cili është i stresuar me punën e tij , ai nuk ka gjasa t’i japë detyrës suaj përpjekjen e nevojshme dhe mund t’ju marrë inat sepse i keni shtuar më shumë ngarkesës së tyre të punës. Po kështu, nëse i ngarkoni një projekt të komplikuar një punonjësi në një rol të ri ose të stafit mbështetës, ata kanë të ngjarë të dështojnë.

Të presësh derisa të përfundojë një detyrë për të kontrolluar progresin.

Edhe nëse udhëheqësit kujtojnë se kujt ia delegojnë detyrat , ata shpesh harrojnë punën ndërsa ajo është në zhvillim e sipër. Kur nuk e kontrolloni një punë gjatë proccesit të realizimit të saj, ju nuk keni kohë për të identifikuar dhe korrigjuar gabimet përpara se ato të ndikojnë në të gjithë projektin.Edhe nëse delegoni detyra të vogla në mënyrë të vazhdueshme, si planifikimi dhe menaxhimi i shpenzimeve , është jetike që të keni sinkronizime të shkurtra me ekipin tuaj për t’u siguruar që ata të përmbushin pritshmëritë./prialto/

Gjashtë vendet e BE-së ku viza e punës mund të merret më lehtë

Lëvizja në një vend tjetër, gjetja e një pune dhe fillimi i një jete të re sigurisht që nuk është një nismë e thjeshtë, edhe kur bëhet fjalë për të lëvizur në vendet e afërta evropiane.

Disa vende të Bashkimit Evropian, si Lihtenshtajni dhe Vatikani, kanë disa nga rregullat më të rrepta të imigracionit në botë.

Por, derisa vendet anembanë Evropës tani përballen me mungesa të rënda të fuqisë punëtore, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha muajt e fundit, shumë qeveri po kërkojnë ta bëjnë më të lehtë për punëtorët e huaj gjetjen e punësimit në BE.

6 vendet të cilat e bëjnë shumë të lehtë marrjen e një vize pune, janë:

Gjermania

Austria

Danimarka

Irlanda

Portugalia

Finlanda

/albinfo/

Çmimi i lëndëve djegëse “në qiell”: 60% më shtrenjtë se në shtatorin e vitit të kaluar

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin shtator 2022.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në muajin shtator 2022 është 12.7%.

Ngritje më së shumti është vërejtur të lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet e të tjera në 60.2%.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12.7% në muajin shtator 2022, krahasuar me muajin shtator 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (60.2%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
26.5 ° C
26.5 °
26.5 °
44 %
7.2kmh
0 %
Sun
27 °
Mon
37 °
Tue
38 °
Wed
39 °
Thu
37 °