Erë e re në energjetikën kosovare: Në prag të finalizimit të tërësishëm Shala e Bajgorës

Parku i energjisë me erë, i përbërë nga 27 turbina me fuqi secila nga 3,45 megavatë, ose i tërë projekti me fuqi prej 105 megavatësh, i ndërtuar në Shalë të Bajgorës, praktikisht është fare në fund të finalizimit. Projekti pritet të jetë tërësisht i gatshëm për prodhim në muajin nëntor të këtij viti.

 

Tashmë nuk ka më skepsë, dyshime dhe as dilema e frikë për mundësitë e prodhimit të energjisë me erë edhe në Kosovë, që është një nga burimet e qenësishme të energjisë së ripërtëritshme, aq të kërkuar dhe sugjeruar nga bota energjetike dhe ajo financiare.

Projekti 105 megavatësh, ose Parku i energjisë me erë, i përbërë nga 27 turbina me fuqi secila nga 3,45 megavatë, ose i tërë projekti me fuqi prej 105 megavatësh, i ndërtuar në Shalë të Bajgorës, praktikisht është fare në fund të finalizimit. Tashmë janë kryer në tërësi të gjitha punët, pra janë finalizuar dy faza tërësisht dhe në to ka ditë që kanë filluar testimet dhe provat për t’ia nisur prodhimit, ndërsa faza e tretë, poashtu thuaja se është e rrumbullaksuar si projekt.

Aktualisht për fazën e tretë po pritet të lëshohen të gjitha lejet e nevojshme për të nisur prodhimin nga ministria përkatëse e Kosovës, në mënyrë që pastaj të fillojnë provat dhe testimet edhe për këtë fazë, e cilat pritet të jetë tërësisht e gatshme për prodhim në muajin nëntor të këtij viti.

Projekti i energjisë elektrike në bazë të erës në Shalë të Bajgorës ka nisur të jetësohet nga Kompania gjermane ‘NOTUS ENERGY’, që është kontraktuesi kryesor, praktikisht, më 2016. Kompania gjermane është kontraktuar t’i bëjë të gjitha punët, që do të thotë ta dorëzojë projektin me “çelsa në dorë”.

Fillimisht janë sheshuar idetë, mundësitë e prodhimit të rrymës me erë këtu te ne, më saktësisht në Shalë të Bajgorës, pastaj ka nisur jetësimi i projektit aq të dëshiruar nga kosovarët, që në nëntor të këtij viti do të prodhojë energji për sistemin elektroenergjetik të Kosovës.

Sipas Atlasit të Erës të KFW-së, në Kosovë ka mundësi relativisht të mira për prodhimin e energjisë elektrike.

Pos Shalës janë identifikuar me kohë si vende potencialisht të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike edhe 5 vende të tjera, e që janë Çyçavica, Zatriqi, Budakova, Kitka dhe Kozhica, ku do të kishte mundësi reale të ndërtohen kapacitete prodhuese të energjisë elektrike me fuqi diku rreth 600 megavatë.

Sipas kritereve e standardeve botërore, mundësitë e prodhimit të energjisë elektrike me erë kategorizohen në tre kategori dhe atë në A,B dhe C.

Projekti i Shalës së Bajgorës, në bazë të këtyrë standardeve, hynë në kategorinë C, ka shpjeguar për Buletinin Ekonomik, Ilir Grapci, drejtor menaxhues i projektit të Shalës që nga fillimi i këtij projekti.

Shpejtësia e erës në Shalë të Bajgorës sillet nga 7,2 në 11,2 metra në sekondë. Kjo shpejtësi relativizohet paksa për shkak se në këtë rajon frynë nga të gjitha anët, e jo në një drejtim të caktuar. Në bazë të të gjithë parametrave, vlerësohet se produktiviteti i turbinave të instaluara në Shalë të Bajgorës do të jetë diku rreth 40 për qind e fuqisë së instaluar. Produktiviteti, pra varet shumë nga sasia dhe koha që do të mbajë era.

Kostoja e Projektit të Shalës së Bajgorës për ndërtimin dhe implementimin e projektit të energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës me “çelsa në dorë”, janë investuar gjithsej 185 milionë euro. Kjo shumë mjetesh financiare ka qenë vlera totale e realizimit në tërësi të këtij projekti.

Nga investimet e tërësishme, 35 për qind e mjeteve financiare janë ekuitet privat, ose saktësisht këto mjete financiare i ka siguruar ‘ENLIGHT’, kompania izraelite që është prezente në Berzhën e Tel Avivit, ndërsa 65 për qind financim i projektit nëpërmes bankave.

Më konkretisht, 65 përqindëshi i mjeteve financiare të siguruara nga bankat janë siguruar nag BERZH-I, ERSTE Bank e Austrisë dhe NLB-ja Sllovene, kryesisht kredi me kamata të buta, thekson Grapci.

Projekti është ngritur në prona private, të cilat janë blerë nga investitorët, ose janë marrë me qera nga ta për 30 vjet. Po ashtu, 30 vjet e kanë afatin e punës edhe turbinat e instaluara në Shalë të Bajgorës. Këto stabilimente pas 30 vjetësh mund të riparohen tërësisht, ose në vend të tyre të instalohen turbina fare të reja, varësisht sipas marrëveshjes me autoritetet zyrtare të Kosovës.

Investitorët e këtij projekti e kanë të kontraktuar shitjen e energjisë në sistemin elektroenergjetik të Kosovës për 12 vjet.

Në bazë të marrëveshjes paraprake energjia e prodhuar nga era do të shitet nga 85 euro për megavatë, ndërsa pas 12 vjetësh kur skadon afati i kontratës ndërmjet firmës gjermane NOTUS ENERGI dhe asaj kosovare SOWI ENERGI, dy partnerët ndërtues të parkut energjetik në Shalë, sistemi elektroenergjetik i Kosovës, përkatësisht KOSTT-i do ta blejë energjinë siç tregtohet ajo në tregun e lirë, përcjell Buletini Ekonomik.

Komandimi i punës së turbinave dhe të stabilimenteve të tjera bëhet në tërësi nga Zyra e NOTUS ENERGI nga Gjermania. Gjatë realizimit të projektit, në të shumtën e kohës kanë qenë të angazhuar rreth 400 punëtorë, qoftë të angazhuar drejtpërdrejt nga investitori, qoftë punëtorë të ndërmarrjeve kosovare nënkontraktuese për shumë punë në terren.

Tani, këto ditë, janë të angazhuar gjithsej 350 punëtorë, ndërsa kur të lëshohen në prodhim të gjitha fazat, që do të thotë 27 turbinat, në punë të përhershme në këtë kompleks energjetik do të mbesin gjithsej 300 punëtorë.

Turbinat e instaluara në Shalë, fjala e fundit e teknologjisë

Sipas Ilir Grapcit, teknologjia e instaluar në parkun e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, në tërësi është shumë moderne dhe e sofistikuar. Është fjala e fundit teknologjike, thotë Grapci.

Turbinat janë autorësi e prodhuesit të njohur amerikan GE, të prodhuara në Gjermani. Transportin e tyre nga Gjermania në vendin e instalimit e ka bërë Zagrebtrans, kompania e mirënjohur kroate dhe e vetmja që bën këtë lloj të transportit për shtetet e Evropës Juglindore.

Duhet thënë se projekti i parkut energjetik në Shalë të Bajgorës hynë në projektet goxha të vështira për t’u ndërtuar për shkak të lartësive të mëdha të terrenit dhe punëve të rënda dhe të kushtueshme rreth përgatitjes së terrenit.

Lartësia mbidetare e sipërfaqeve ku janë instaluar turbinat në Shalë sillet nga 1740 në 1820 metra. Vetëm punët e nevojshme infrastrukturore për t’u kyqur në rrjetin elektroenergjetik të Kosovës kanë kushtuar rreth 28 milionë euro.

Është investuar pra, në rrugë të nevojshme, në instalimin e kabllit nga Shala në Vushtrri, ku gjendet trafostacioni i KOSTT-it për kyqjen në sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Distanca nga Shala deri te trafostacioni i KOSTT-it në Vushtrri është 27 kilometra.

Kompania Soëi Energi e Kosovës ka bërë një përvojë të mirë dhe të vlerësuar nga partnerët në fushën e instalimit të turbinave me erë. Kjo kompani në partneritet me kompani të dëshmuara në këtë fushë nga bota, siç thotë drejtori menaxhues Ilir Grapci, është e gatshme për të vazhduar me projekte të reja në vendet e identifikuara si të mundshme për të ngritur turbina të reja.

Mirëpo, skema mbështetëse për energji me erë nga institucionet hë për hë është 150 megavatë, që do të thotë se praktkisht kjo skemë ka përfunduar pasi që tashmë parku energjetik me erë në Shalë ka kapacitetin 105 megavatë, ndërsa 9 turbinat e ndërtuara para dy vjetësh në Kitkë të Gjilanit nga ndërmarrja ‘Gurish Holding’ nga Turqia, kanë kapacitet gjithsej 36 megavatë, ose bashkarisht që të 36 turbinat kanë kapacitetin 141 megavatë. Kanë mbetur nga skema mbështetëse vetëm 9 megavatë, që praktikisht e bën të pamundshme vazhdimin e invsetimit në kaq pak megavatë.

SoWi Energi ka kohë që ka shfaqur interesimin për të vazhduar ndërtimin e kapaciteteve të tjera të energjisë elektrike me erë në ndonjërin nga vendet e identifikuara si të mundshme, dhe për këtë ka paraqitur kërkesën në Ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës dhe është në pritje të një përgjigjgjeje.

Projektet eventuale të reja do të shtonin ndjeshëm pjesën e energjisë elektrike të gjeneruar nga energjia e erës në Kosovë, që ndryshe është kryesisht e varur nga gjenerimi i energjisë me thëngjill.

Edhe një apo dy parqe eventuale të energjisë me erë do të krijonin mundësi të mira për të shtuar dhe zhvilluar burimet e ripërtëritshme të energjisë në Kosovë, do të shtonte efiçiencën energjetike dhe do të pastronte lakmueshëm gjenerimin ekzistues të energjisë nga qymyri. /Buletini Ekonomik/

Artikulli paraprak7 gjëra që nuk na mungojnë aspak nga ambienti i punës
Artikulli tjetërPegasus: Programi izraelit dhe lufta kibernetike