Dëmtimi i myshterisë duke e lavdëruar vlerën e mallit – sipas Imam Gazaliut

Pjesa e dytë

Secili veprim që mund t’i shkaktojë dëm personit me të cilin tregtari punon, është padrejtësi.
Drejtësia kërkon që myslimani në asnjë mënyrë të mos e dëmtojë vëllanë e vet mysliman. Princip i përgjithshëm është se ai me vëllanë do të veprojë vetëm ashtu si do të donte të veprohej edhe ndaj vet atij. Siç nuk të pëlqen kur ty të bëhët padrejtësi dhe zemra vështirë ta pranon, aso padrejtësie myslimani nuk guxon t’i bëjë tjetrit. Për të, paratë e veta dhe të huajat, duhet të jenë të njëjta.

Dikush ka thënë: “Ai që vëllait të vet i shet diçka për një dërhem, e po ta blente për vete të njëjtën nuk do të paguante më shumë se pesë danekë (qindarka e dërhemit), ai nuk është duke vepruar sipas principit që na është urdhëruar, dhe nuk po ia dëshiron vëllait atë që e do për vete.”

Kjo është një përmbledhje, ndërsa shpjegimi i hollësishëm përfshihet në katër pika:
1. Të mos lavdërohet shumë vlera e mallit;
2. Të mos i fshehen të metat që malli i ka;

3. Të mos mashtrohet për sasinë dhe peshën; dhe
4. Të mos fshehet diçka lidhur me çmimin.

Pra, informata të cilat, po t’i dinte myshteriu, nuk do ta blente mallin.

1.Lavdërimi i tepruar i mallit
Nëse lavdërohet malli me cilësi që nuk i ka, kjo është gënjeshtër.
E nëse myshteriu blen duke u mashtruar me fjalët e tij, shitësi pos që po gënjen, gjithashtu edhe po e dëmton myshteriun.
E nëse myshteriu nuk blen, mbetet si gënjeshtër dhe shpirtligësi, sepse gënjeshtra del në shesh. Në fakt, çdo lloj gënjeshtre është shpirtligësi.
E nëse duke e lavdëruar mallin përmend gjithçka që mund të thuhet, e që nuk kanë ndonjë rëndësi të posaçme – qofshin ato edhe të vërteta, kjo paraqet fjalë të panevojshme dhe del nga korniza e asaj që i kërkohet shitësit, sepse për secilën fjalë që e thotë, do t’i duhet të japë përgjegjësi pse e ka thënë.
Allahu Teala thotë: “…dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” 50-Kaf: 18

Ai mund t’i tregojë myshterisë cilësitë e mallit që myshteriu nuk i di dhe cilësitë e  përgjithshme të mallit. Për shembull tregon pa lavdërim dhe shkurt natyrën e kafshës.
Nuk është dëm të përmendet sa i vlefshëm është ai lloj i mallit, pa e tepruar, dhe me qëllim që vëllanë mysliman ta njoftojë me mallin dhe ta zgjojë te ai dëshirën për ta blerë, e kështu t’i sigurojë vetes mjete për jetesë.
Krahas kësaj, assesi nuk bën të bëjë bé, sepse po të gënjejë – bën bé të rrejshme, që është nga gjynahet e mëdha që çojnë në shkatërrim.
E nëse e thotë të vërtetën, dhe bën bé në Allah, është gabim sepse kjo botë nuk është mjaft e vlefshme e të lavdërohet me emrin e Allahut, pa kurrfarë nevoje.
Në një transmetim, thuhet:
“Mjerë tregtarit që thotë ‘vallahi po’ e ‘vallahi jo’ e mjerë edhe zanatlia që thotë ‘nesër (vij e rregulloj)‘ e ‘masnesër (vij e rregulloj)’.”39, (Ebu Mansur Dejlemi në ‘Musned-i Firdevs’, përmend një hadith të ngjashëm, nga Enesi.)

E në një transmetim tjetër:
“Beja e rrejshme e shet mallin lehtë, por e shkatërron bereqetin e fitimit.”(Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre r.a..)
Ebu Hurejre tregon se Resulallahu s.a.v.s., ka thënë:
“Në ditën e Kiametit, Allahu as nuk do t’i shikojë tre persona: të varfrin mendjemadh, atë që kur jep diçka -vazhdimisht e përmend, dhe atë që e shet mallin duke bërë bé.”(Muslimi nga Ebu Hurejre dhe Ebu Dherr, si edhe Buhariu.)

Pra, lavdërimi i tepërt i mallit, qoftë kjo edhe e vërtetë nuk është i pëlqyer sepse paraqet fjalë të panevojshme e pa kurfarë shtimi të riskut, prandaj është i kuptueshëm dënimi i rreptë për të bërit bé.
Junus b. Ubejde ishte tregtar i një lloj kumashi, dhe i erdh një myshteri. Punëtori i Junusit e solli kumashin, e duke e shpalosur, tha: “O Allah, na e fal xhenetin”. Junusi menjëherë e urdhëroi që kumashin ta kthejë në vend, dhe nuk e shiti. Frikësohej se mos kjo kuptohet sikur punëtori e lavdëroi mallin.
Eh, të tillët duhet që në dynjallëk të merren me tregti, duke mos e shitur imanin e vet dhe duke e ditur që më e rëndësishme është të sigurohet fitimi për ahiret, se sa për dynja.

Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu

Shpjegimi i hollësishëm pikës së dytë (Të mos i fshehen të metat që malli i ka): https://ekonomiaislame.com/?p=150450

Artikulli paraprakKlientët e lumtur shumëfishohen
Artikulli tjetërSi të qëndroni optimistë në kohë të vështira