Zekati i arit dhe argjendit

Zekati i arit dhe argjendit

Këtu kemi të bëjmë me vlerat e arit dhe argjendit apo me paratë bashkëkohore, të cilat e zënë vendin e tyre.
Argumentet për këtë janë të shumta, porse këtu po e përmendim Fjalën e Allahut të Madhëruar, përmes së cilës u kërcënohet atyre që nuk e japin zekatin e pasurisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që grumbullojnë ar e argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji
me dënim të dhembshëm.”(Et Tewbe, 34)
Vlera e nisabit (mendimet e dijetareve rreth nisabit) dhe sasia e nxjerrjes.
Nisabi apo kufiri i arit që duhet arritur është 85 gramë, kurse nisabi i argjendit që duhet arritur është 595 gramë.
Ndërkaq, vlera e zekatit që duhet nxjerrë prej pasurisë është 2.5%.
Për shembull, nëse një person ka 200 gramë ar, atëherë ky e ka arritur nisabin. Pastaj, prej ditës që e ka arritur nisabin, kjo pasuri duhet t’i qëndrojë një vit hënor, e në fund të nxirret 2.5% i saj. Për ta gjetur më lehtë këtë 2.5%, shikojmë vlerën që kemi dhe e pjesëtojmë me 40, barazimi i së ciles na jep vlerën që duhet ta japim per zekat. Në rastin tonë është 200:40=5. Pra, duhet të jepen vetem 5 gramë ar, prej gjithsej 200 gramë ar që kishim.
Kur jemi te paratë, duhet shikuar vlera e arit ose argjendit në monedhat bashkëkohore (bie fjala, në euro).
Nëse çmimi i arit për një gram eshtë 37 euro, atëherë shumëzojmë: 85 x 37 = 3145 euro. Domethënë, nisabi i parave, sipas arit, është 3145 euro.
Nëse çmimi i argjendit për një gram është 0.5 euro, atëherë shumëzojmë 595 x 0.5 = 297.5 euro. Domethënë, nisabi i parave, sipas argjendit, është 297.5 euro.
Duhet pasur kujdes që të shikohet çmimi i arit apo argjendit, ashtu që të dihet saktë nisabi i tyre. Kjo, se çmimi i tyre ndryshon dhe varion pothuajse përditë.
Në kohët e mëhershme vlera e 85 gramëve ar ka qenë e barabartë apo e përafërt me 595 gramë argjend, andaj cilado prej tyre që arrihej, arrihej edhe nisabi.
Mirëpo, në kohën tonë, siç pamë më lart, dallimi mes dy vlerave është shumë i madh, ngase nisabi i arit është përafërsisht 2970 euro (më 27.3.2018), kurse nisabi i argjendit është përafërsisht 260 euro (në po të njëjtën datë).
Nisur nga kjo, se cila vlerë duhet marrë për bazë, e arit apo e argjendit, dijetarët kanë dhënë tri mendime:

Mendimi i parë
Duhet shikuar vlera apo çmimi i arit, ngase çmimi i tij është më i qëndrueshëm sesa i argjendit dhe se është i lartë (rreth 2970 euro në kohën tonë). Dhe, ai që e arrin atë, metë vërtetë hyn në kategorinë e të pasurve që duhet ta japin zekatin. Po ashtu çmimi i arit është më i afërt me nisabet e tjera, bie fjala, nisabi i lopëve (30 copë), deleve (40 copë) etj.
Këtë mendim e kanë: Jusuf Kardavi, Abdulkerim Zejdani, Vehbe Zuhejli (ky i fundit pohon se, sa i përket argumentimit, ky mendim është më i saktë, porse mendon se duhet të kapemi për mendimin e tretë, që do ta përmendim në vijim,
ngase është më i përshtatshëm për të varfrit).

Mendimi i dytë
Duhet shikuar vlera apo çmimi i argjendit.

Mendimi i tretë
Duhet shikuar vlera më e përshtatshme apo vlera që është në favor të të varfërve, e që në kohën tonë është vlera apo çmimi i argjendit, që është shumë më i ulët sesa çmimi i arit.
Sipas këtij mendimi numri i dhenësve të zekatit rritet gjë e cila është në favor të nevojtarëve. Këtë mendim e kanë shumë dijetarë bashkëkohorë, siç janë: Komisioni i Përhershëm për Fetva i Arabisë Saudite, Sad Hathlani
Abdullah Gufejli, Halid Mushejkih etj.
Ky mendim është më i saktë për disa arsye:
1. Nëse themi se duhet shikuar vlera më e ulët apo më e përshtatshme për të varfrit, atëherë ne e kemi arritur nisabin e të dy monedhave (arit dhe argjendit) dhe punojmë me atë që na ka urdhëruar feja: të arrijmë nisabin e arit ose argjendit, pa e përjashtuar asnjërën.
Ndërkaq, nëse merret parasysh vetëm vlera e arit, ne e përjashtojmë tërësisht vlerën e argjendit, e që zekati për vlerën e argjendit (dërhemit) është më i fortë për nga argumenti se dhe i vetë arit (dinarit).
2. Edhe për dispozita të tjera të zekatit dijetarët kanë përmendur se duhet shikuar ajo që është më e përshtatshme për të varfrit, sic është rasti i nisabit në mallrat tregtare, se a duhet shikuar me ari apo argjend. Ebu Hanife dhe dijetarët hanbeli kanë thënë se duhet të shikohet nisabi më i përshtatshëm për të varfrit.
3. Është më i sigurt, ngase, nëse e jep me vlerë të
argjendit, lirohesh prej obligimit, veçanërisht kur e dimë se vlera e cila do të jepet është shumë e vogël dhe jepet vetëm një herë në vit.
4. Kur jemi tek argumenti i mendimit se nisabi i arit është më i afërt me nisabet e tjera (bie fjala, nisabi i kafshëve), themi se këto nisabe nuk bën t’i krahasojmë mes vete, sepse janë të përcaktuara me hadithe. Po ashtu, nëse punojmë sipas këtij krahasimi, themi se nisabi i grurit (miellit) është i afërt me nisabin e argjendit, mbase edhe më i vogël në çmim (612 kg grurë janë më pak se 300 euro).
Së këndejmi, nëse një person ka një shumë prej 1000 eurosh, atëherë, sipas mendimit të parë, nuk e ka obligim ta japë zekatin, sepse nuk e ka arritur nisabin.
Ndërkaq, sipas mendimit të dytë apo të tretë (që është me i sakti), ky person e ka arritur nisabin, andaj duhet ta japë zekatin (pasi të kalojë një vit hënor).
Per shembull, një person posedon 1500 euro. Atëherë, sipas mendimit të parë nuk obligohet ta japë zekatin porse sipas mendimit të dytë duhet ta japë.
Po ashtu, kjo shumë prej 1500 eurosh duhet të qëndrojë një vit hënor, e pastaj të jepet zekati i saj.
Llogaria bëhet në këtë mënyrë: 1500 : 40 = 37.5 euro.
Domethënë, duhet të japë vetëm 37.5 euro në vit.
Nese pasuria e arrin nisabin, mirëpo pa e arritur vitin zbret nën nisab.

Per ta kuptuar këtë çështje më mirë, po e ilustrojmë me një shembull: nëse një person posedon 4000 euro (në muajin muharrem, muaji i parë hënor), atëherë themi se e ka arritur nisabin. Mirëpo, ende pa kaluar një vit (bie fjala, në muajin e shtatë hënor), i shpenzon këto para,
ashtu që i mbesin vetëm 50 euro, pastaj, pak kohë para se të kalojë viti hënor (muaji i dymbëdhjetë hënor), atij i bëhen 3500 euro.
Se a duhet dhënë zekatin e këtyre parave apo jo, kemi dy mendime të dijetarëve:
Mendimi i parë
Shumica e dijetarëve, Zuferi (prej hanefive), shafitë dhe hanbelitë thonë se, nëse pasuria që e ka arritur nisabin, pas një kohe (më pak se një vit) bie nën kufirin e nisabit, atëherë nuk duhet të nxirret zekati për këtë pasuri, sepse nuk është përmbushur kushti i dytë, që është qëndrimi i
kësaj pasurie një vit të plotë hënor.
Në rastin tonë, ky person prapë e fillon llogaritjen e kohës që kur e ka arritur nisabin për herë të dytë, domethënë në muajin e parë është arritur nisabi, pastaj në muajin e shtatë ka rënë nën kufirin e nisabit, pastaj prapë e ka arritur nisabin në muajin e dymbëdhjetë, atëherë themi:
Llogaria e kohës prej muajit të parë është anuluar, porse ka filluar llogaria e kohës prej muajit të dymbëdhjetë.
Mendimi i dytë
që është mendimi i dijetarëve hanefi, se, në këtë rast duhet të shikohen vetëm dy skajet e vitit, skaji i parë, kur është arritur nisabi, dhe skaji i dytë, pas një viti hënor.
Ndërkaq, që çdo ditë të shikohet se sa para i ka dhe a kanë rënë nën nisab, është shumë e vështirë.
Pra, shikohet muaji i parë (muharrem) që e ka arritur nisabin dhe prapë e shikojmë pas një viti muajin muharrem se sa para i ka, pa marrë parasysh nëse kjo pasuri ka rënë apo nuk ka rënë nën kufirin e nisabit përgjatë muajve të kaluar.
Mendimi i parë është më i sakte për shkak se kushti i qëndrimit të kësaj pasurie për një vit nuk është përmbushur. Në hadithin e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të) qëndron: “Nëse ke dyqind dërhemë dhe atyre u kalon një vit…”(ebu Davudi, 1573). Pra, parave duhet t’u kaloje një vit, e, nëse ato janë harxhuar, nuk mund të themi se kanë qëndruar një vit.
Shembulli i parë: nëse një person ka një pagë mujore prej 500 eurosh, atëherë themi:
Ky person e ka arritur nisabin.
Shikohet kjo pasuri a e kalon një vit pa u harxhuar (zakonisht në shoqërinë tonë pagat sikurse kjo jo që nuk qëndrojnë një vit, porse harxhohen ende pa përfunduar muaji).
Prandaj, themi se ky person nuk e jep zekatin, sepse paga të cilën e mer, nuk i qëndron një vit, do të thotë nuk e plotëson kushtin e dytë.
Shembulli i dytë: nëse një person ka një pagë mujore prej 630 eurosh dhe se për çdo muaj arrin të mbledhe diç prej të ardhurave të tij dhe se pas disa muajsh ky person e arrin nisabin pa rënë nën të. Atëherë prej muajit qe e ka arritur nisabin, bie fjala, prej muajit Ramazan, presim një vit hënor dhe në fund llogarisim:
1.Shumën e mbledhur pas një viti, ta zëmë, 1250 euro.
2.Plus shumat e tjera që i ka në llogaritë bankare, në xhep etj., bie fjala, 115 euro.
Pra kemi (1250 + 115) : 40 = 34.13 euro.

Përmbledhje e dispozitave të zekatit nga Flamur Kabashi

Artikulli paraprakSerbia u ka borxh 1 miliard euro pensionistëve të Kosovës
Artikulli tjetërZekati i stolive