Përkufizimi i tregtisë në Islam
Shitblerja është njëra nga fushat më të rëndësishme me të cilën njerëzit sigurojnë jetesën dhe mirëqenien e tyre. Jurisprudenca islame e ka vërtetuar këtë veprimtari si formën më të mirë të fitimit, kurse dijetarët islam nënvijëzojnë se tregtia është rruga kryesore e sigurimit të të ardhurave.
Përkufizimi i tregtisë
Me tregti ose shitblerje në Islam nënkuptojmë shkëmbimin e pasurisë me pasuri me pëlqim të dyanshëm, ose kalimin e diçkaje që ke në pronësi te dikush tjetër, në mënyrë të përhershme, kundrejt një vere, me pëlqim të dyanshëm.
Ligjshmëria e saj
Shitblerja është e lejuar me citate kuranore, me hadithe profetike dhe me konsensusin e dijetarëve islamë.
Si argument nga Kurani përmendim:
“Porse Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar.” (Bekare: 275)
“O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm.” (Nisa: 29)
Ndërsa nga hadithet që flasin për tregtinë zgjedhim:
Thënia e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur u pyet: “O i Dërguar i Allahut, cili fitim është më i mirë?” Ai u përgjigj: Fitimi që e realizon njeriu nga puna me duart e tij, si dhe çdo tregti e çiltër, pa mashtrime.”(Ahmedi)
Hakim bin Hizami transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Të dy, shitësi dhe blerësi, janë të lirë në zgjedhje para se të ndahen (gjatë tregtimit). Nëse ata të dy janë të sinqertë dhe ia sqarojnë të gjitha njëri-tjetrit, në tregtinë e tyre do të ketë bereqet. Nëse gënjejnë dhe fshehin diçka (ndonjë mangësi apo diçka tjetër), atëherë do të largohet bereqeti nga tregtia e tyre.”(Buhariu dhe Muslimi)
Juristët islam transmetojnë gjithashtu konsensusin se tregtia në Islam është e lejuar në formë të përgjithshme. Urtësia në bërjen e saj të ligjshme, qëndron në faktin se nevojat e njerëzve shpesh lidhen me diçka që gjendet në duart e dikujt tjetër dhe rruga më e përsosur për ta siguruar atë është shkëmbimi.
Ndarja e shitblerjeve nga aspekti i përcaktimit të çmimit
Tregtia në Islam mund të ndahet në disa klasifikime dhe kjo varet edhe nga cili aspekt e bëjmë ndarjen. Kështu, nëse e bëjmë ndarjen nga aspekti i mallit që shitet, atëherë ajo mund të ndahet në shitblerje të lejuara dhe shitblerje të ndaluara; nëse e bëjmë ndarjen nga aspekti i formës së shitblerjes, atëherë kemi ndarje tjetër, mirëpo pasi në këtë studim do të flasim rreth shitblerjes murabaha, e cila ndërlidhet me çmimin se si paguhet, atëherë në këtë rast ndarjen do ta bëjmë nisur nga caktimi i çmimit të mallit gjatë shitjes.
Para kësaj, ndoshta është e nevojshme të sqarojmë edhe atë se dijetarët islamë pajtohen se nuk ka ndonjë limit të caktuar se me ç’përqindje fitimi tregtari ka mundësi ta shesë mallin që tregton, përderisa ajo tregti realizohet drejt, duke mënjanuar tradhtinë, mashtrimin dhe gënjeshtrën, posaçërisht që tregtari të mos shfrytëzojë padijen e njerëzve që nuk i njohin çmimet në treg.
Vërtetohet me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, i dha një shoku të tij me emrin Urve el Bariki një dinar për t’i blerë një dele. Ai shkoi në treg dhe me atë dinar bleu dy dele, pastaj e shiti njërën për një dinar dhe u kthye te Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me delen dhe dinarin. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, e pyeti se çfarë bëri dhe Urveja ia sqaroi. Muhamedi, lavdërimi dhe paqia qofshin mbi të, u pajtua me këtë veprim, pasi ishte tregti e lejuar dhe fitimi ishte njëqind për njëqind. Këtë hadith e shënon Buhariu, giithashtu një version tjetër e përcjell edhe Ebu Davudi dhe këtë version e cilëson të saktë Albani.
Shitblerja për nga aspekti i përcaktimit të çmimit mund të ndahet në tre lloje:
1. Shitblerje me ujdi – Bej’u musauemeh
2. Shitblerje me ankand – Bej’u muzajedeh
3. Shitblerje me besë – Bej’u emaneh
Në vazhdim do të sqarojmë në pika të shkurtra secilin prej llojeve.
1. Shitblerje me ujdi – Bej’u musauemeh
Shitblerja me ujdi ose me pazarllëk është forma më e përhapur e tregtisë te njerëzit, sikurse shitja e mallrave në tregje, dyqane, firma, fabrika, etj.. Në këtë mënyrë shitblerjeje nuk kihet parasysh se me çfarë çmimie ka blerë tregtari mallin që po shet, ashtu siç nuk shikohet sa është përqindja e fiimit të tregtait në atë shitblerje. Pra, kjo formë shitblerjeje realizohet me rënien dakord mes tregtarit dhe blerësit për çmimin e mallit, pa shikuar çmimin e parë, me të cilën e ka blerë mallin tregtari.
2. Shitblerje me ankand – Bej’u muzajedeh
Tregtia me ankand është shitja e një malli duke i ftuar të interesuarit të japin çmimin me të cilin do ta blinin atë. Pas bërjes së ofertave nga të interesuarit, në fund i jepet e drejta e blerjes se mallit atij blerësi që ka dhënë çmimin më të lartë.
Kjo lloj shitblerjeje është e lejuar dhe prej argumenteve qe pemendin ulematë për të, është ngjarja që transmeton Enes Iben Maliku, në të cilin thuhet: “Muhamedi, lavderimi dhe paqja e Allahur qofshin mbi të, me një rast ka shitur një shtrojë (që mund të përdorej për të mbuluar trupin ose për ta shtruar në tokë) dhe një enë duke thënë: “Kush dëshiron ta blejë këtë shtrojë dhe këtë enë?” Njeri nga ata që ishin prezent tha: “Unë do t’i marr për një dërhem.”
Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Kush po jep më shumë se një dërhem?” Një person tjetër i dha dy dërhemë dhe i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ia shiti atij.
Kasaniu, nga dijetarët hanefi, kur flet rreth këtij hadithi thotë: Po të ishte e urryer kjo lloj shitblerjeje, nuk do të shiste Resulullahi,lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në këtë formë.”
3. Shitblerje me besë – Bej’u emaneh
Është ajo lloj shitblerjeje, në të cilin tregtari gjatë shitjes së mallit e tregon çmimin me të cilin e ka blerë vetë mallin dhe kështu dihet edhe përqindja e fitimit të tij.
Është quajtur shitblerje në besë, pasi tregtia realizohet në transparencë dhe besim të plotë mes dy palëve; shitësit dhe blerësit, ku secili është në dijeni se sa është shuma e përfitimit të tregtarit në atë shitblerje. Këtu duhet të kihet parasysh se tregtarit në asnjë rast nuk i lejohet të mos jetë i çiltër, kur e tregon çmimin me të cilin e ka blerë mallin, pastaj duhet të japë me detaje edhe harxhimet e tjera, nëse ka pasur, sikurse kostoja e transportit, qiraja, tatimet, etj.. Për këtë arsye, disa dijetarë islamë, sikurse Imam Ahmedi, e urrenin këtë formë shitblerjeje, pasi është e vështirë që njeriu t’i përmbahet precizitetit në sqarimin e çmimit të blerjes myshteriut, pastaj sa ka qenë pagesa e punëtorëve,pagesa e tatimeve. Është e mundur që nëse i sqarohen këto blerësit, ai mund të mos e pranojë çmimin që i ofrohet. Për këto shkaqe, disa dijetarë kanë rekomanduar formën e shitblerjes me ujdi në vend të shitblerjes me besë.
Sidoqoftë, shitblerja në besë është njohur nga muslimanët shumë herët dhe është aplikuar në disa forma, disa prej të cilave janë të aplikueshme edhe në kohën bashkëkohore. Ndër më të njohurat janë:
a. Bej’u teulijeh: shitja e mallit me të njëjtin çmim që është blerë; që nënkupton shitjen e mallit nga ana e tregtarit me çmimin e blerjes, pa fitim fare. Kjo ndodh në disa rrethana, kur tregtarët dëshirojnë të përmbyllin një fazë të shitjes dhe
bëjnë likuidimin e mallit.
b. Bej’u uediah: shitja me çmim më të lirë se ç’është blerë; kur tregtari e shet mallin me çmim më të lirë se ç’e ka blerë nuk ka si qëllim fitimin, por dëshiron vetëm të lirohet nga malli që i ka mbetur nëpër depo apo për ndonjë arsye tjetër.
c. Bej’u murabaha: kjo është forma e cilin ka për qëllim shitjen e mallit, duke përmendur saktësisht çmimin me të cilin është blerë dhe shumën që fiton tregtari në këtë rishitje.
Alaudin Abazi