Shitblerja murabaha në terminologjinë e dijetarëve të hershëm (forma që përdoret nga mikrofinancat islame)

Termi murabaha është një term shumë i vjetër mes juristëve islamë dhe përmendet pothuajse në të gjithë librat e jurisprudencës islame që trajtojnë problematikat e shitblerjes.

Fjala murabaha rrjedh prej foljes rebiba, që nënkupton shtim dhe profit. Edhe fjala murubaha nga aspekti gjuhësor ka këto domethënie. Ndërsa në terminologjinë e shkencës së fikhut, termi murabaha ka disa përkufizime, mirëpo ne do të përmendim nga një përkufizim për secilën shkollë juridike islame:
Përkufizimi i dijetarëve hanefi: “Shitja e mallit me çmimin e parë, duke i shtuar një përfitim të caktuar atij.”
Përkufizimi i dijetarëve maliki: “Shitje e asaj që tregtari e ka blerë, për aq sa e ka blerë dhe me një fitim.”
Përkufizimi i dijetarëve shafi: “Tregtari e sqaron çmimin e mallit dhe sasinë e përfitimit, kështu që thotë se çmimi i tij është njëqind (derhemë) dhe unë po ta shes me këtë vlerë, duke përfituar në çdo dhjetë dërhemë një derhem, pra njëqind dërhemë sa e ka blerë dhe dhjetë dërhemë për fitim.
Përkufizimi i dijetarëve hanbeli: “Shitje me çmimin e mallit dhe përfitim të caktuar.”

Këto përkufizime, edhe pse ndoshta dallojnë për nga formulimi, që të gjitha synojnë të njëjtën formë të shitblerjes, e cila realizohet duke u bazuar në çmimin e parë të blerjes së mallit dhe fitimin e caktuar që i shtohet këtij çmimi. Pra, murababa është rishitje e mallit duke e deklaruar çmimin sa është blerë dhe duke i shtuar një fitim të caktuar atij çmimi (resale with a stated profit).

Dispozita e murabahasë së hershme

Kio formë shitblerjeje është e lejuar nga pothuajse të gjithë dijetarët islamë, madje disa prej tyre kanë thënë se ka ixhma (konsensus) në këtë çështje. Ndër ata që kanë transmetuar ixhmain në këtë problematikë janë Kasani nga dijetarët hanefi,Ibën Hubejre e Ibën Kudame nga dijetarët hanbeli dhe dijetarë te tjerë. Megjithatë, megjithëse ka ixhma të përcjellë, disa dijetare e kanë urryer këtë formë shitblerjeje, sikurse Imam Ahmedi, pastaj kjo transmetohet edhe nga disa shokë të Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, sikurse Ibën Abasi dhe Ibën Omeri.

Arsyeja pse e kanë trajtuar mekruh këtë formë shitblerjeje, qëndron në faktin se gjatë thënies: “po ta shes këtë mall me çmimin që e kam blerë, plus dhjetë për qind fitim”, në këtë rast blerësi mund të ballafaqohet me paqartësi, posaçërisht kur nuk e njeh llogarinë dhe kështu nuk mund ta kuptojë qartë sasinë e fitimit apo edhe çmimin e mallit.
Mirëpo, kjo dilemë nuk është e qëndrueshme pasi përmes llogaritjes largohet padituria, ndërsa forma e shpjegimit të largon paqartësitë, prandaj themi se nuk ka asnjë pengesë që të kemi rezerva përballë kësaj forme shitblerjeje.

Shevkani thotë: “Ketë lloj shitblerjeje e lejoi Allahu i Lartmadhërishëm me fjalen e Tij kur thotë: ‘…tregti me pëlqim të dyanshëm…’(Nisa 29) dhe me thënien e Tij: ‘Porse Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar’.(Bekare 275).Këto ajete përfshijnë çdo lloj tregtie, nëse nuk shoqërohen me ndalesat sheriatike dhe nuk shpërfillet dakordimi i palëve (shitësit dhe blerësit).
Për lejimin e kësaj forme shitblerjeje aludon edhe hadithi i Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në të cilin kur është pyetur se cili fitim është më i miri për besimtarin, ai është pergjigjur: ‘Të punojë njeriu me dorë të tij dhe çdo tregti e drejtë’(Ahmedi, Taberaniu).
Qëllimi me shprehjen ‘tregti e drejtë’ është ajo tregti që realizohet larg çdo tradhtie, gënjeshtre, mëkati, etj.
Sidoqoftë, konkluzioni rreth dispozitës së kësaj çështjeje është se edhe pse nuk mund të thuhet se në të ka ixhma, ashtu si kanë pretenduar disa prej fukahave, vërehet shumë qartë se nuk ekziston asnjë pikë e cila do ta trajtonte këtë formë tregtie si të urryer (mekruh), e aq më pak të ndaluar (haram). Ky është mendimi i shumicës dërrmuese të dijetarëve islamë.

Dobia e shitblerjes murabaha

Krahas argumenteve që përmendëm më lart për lejimin e shitblerjes murabaha, dijetarët hanefi përmendin edhe faktin se kjo formë tregtie është më se e nevojshme në shoqeri, per faktin se jo çdo njeri di të bëjë tregti, prandaj kush nuk i njeh çmimet dhe ka frikë se mos e mashtron dikush, ka nevojë të mbështetet tek ai që e zotëron zanatin e tregtarit, prandaj blen prej tij në mirebesim, duke i paguar edhe një shumë si fitim. Kjo është edhe arsyeja pse kjo tregti është prej llojeve të tregtisë në besë, pasi realizohet me besim të ndërsjellë dhe transparencë të plotë, rreth çmimit të mallit dhe fitimit të tregtarit. Në këtë lloj shitblerjeje largohen të gjitha mundësitë për mashtrimin e blerësit dhe shfrytëzimin e paditurisë së tij, rreth çështjeve të tregtisë nga ana e tregtarit.

Alaudin Abazi

 

Artikulli paraprakTregtia, përkufizimi i saj dhe llojet e shitblerjeve në Islam
Artikulli tjetërA është tregtia njësoj si kamata?