Tregtia dhe investimi jashtë vendit janë shtylla kryesore të panteonit imperial, gurë themel të grumbullimit kapitalist në shkallë botërore. Vendet dominuese imperialiste gjithmonë kanë argumentuar se tregtia e lirë është në interes të të gjithëve dhe, brenda mundësive të tyre, i kanë imponuar këto ide mbi ekonomitë më të cenueshme. Mendimi im është se këto argumente janë të rreme dhe dihet që janë të rreme. Megjithatë, institucionet më të fuqishme sot po i shtyjnë përpara këto argumente.
Të gjitha fuqitë e mëdha sot e kanë zhvilluar bazën e tyre industriale pas mureve tarifore, pa përjashtim. Japonezët u shkëputën nga bota e tregtisë dhe fuqitë imperialiste në vitet 1860 për katër dekada, amerikanët kishin avantazhin të zhvillonin industrinë e tyre në vend për shkak të kostos së transportit përtej Atlantikut dhe nuk i hapën kufijtë për tregtinë e lirë deri në vitin 1945, gjermanët u mbrojtën në mënyrë të vetëdijshme pas bashkimit në vitet 1870, dhe kështu me radhë. Gjermanët dhe amerikanët kishin teoricienët e tyre, Frederick List dhe Daniel Raymond, që në atë kohë argumentonin për barriera mbrojtëse.
Është vërtet shumë e thjeshtë: vendet kryesore fillojnë të promovojnë tregtinë e lirë kur industritë e tyre përdorin teknologjinë më të përparuar dhe industritë e vendeve më të dobëta nuk mund të konkurrojnë.
Argumentet janë haptazi hipokrite. Si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja kanë dështuar të kalojnë në tregti të lirë për produktet bujqësore, ndërkohë që shumë ekonomi më të dobëta janë detyruar të ndjekin këtë rrugë.
Sot, organizatat ndërkombëtare më të fuqishme, Banka Botërore, FMN-ja dhe OBT-ja, të gjitha mbështesin argumentet për tregtinë e lirë. Këto institucione kanë forcë pas tyre. Pasi një vend has vështirësi me bilancin e pagesave, politikat e tyre të huadhënies varen nga hapja e vendeve më të dobëta ndaj tregtisë së lirë.
Dëshmia është e qartë. Argumenti paraqitet kështu: nëse e hapni ekonominë tuaj për tregti të lirë, ajo do të rritet. Në vitet 1960 dhe 1970, kur shumica e vendeve ende përdornin shumë forma të proteksionizmit, ekonomia botërore u rrit me 3 për qind dhe të gjitha rajonet e botës u rritën me 2 deri në 3 për qind.
Në vitet 1980 dhe 1990, kur politikat e tregtisë së lirë filluan të ndikojnë, rritja botërore ra në përgjithësi në 2 për qind dhe rajonet më të dobëta të botës po binin edhe më shumë prapa. Amerika Latine po rritej me 0.6 për qind, kontinenti afrikan me -0.7 për qind, dhe Lindja e Mesme me -0.2 për qind. Tregtia e lirë ishte katasrofale për shumë vende dhe rajone më të dobëta të botës.
Argumenti për tregtinë e lirë do të vazhdojë të na shoqërojë për shumë vite në të ardhmen. Këto argumente janë me rëndësi botërore. Nuk është për t’u habitur që gjatë tre dekadave të fundit vendi më i suksesshëm në termat e rritjes vjetore të rregullt ka qenë Kina. aPo aq pak për t’u çuditur është fakti që Kina ka pasur një bilanc pozitiv të pagesave dhe, për këtë arsye, nuk ka qenë nën presion për të hapur kufijtë e saj dhe nuk ka ndjekur parimet e fuqive të mëdha imperialiste të kohës.
Së fundmi, le të flasim për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale të Lidhura me Tregtinë (TRIPs), që janë fjalë për fjalë një formë e re prone. Do të vini re që në fillim të këtij dokumenti ka një njoftim për të drejtën e autorit që më jep mua, autorit, pronësinë mbi dokumentin, të cilën më pas i jap leje të tjerëve ta printojnë dhe ta shesin ose ta japin falas. Shkrimtarët prej kohësh janë njohur nga ligjet e patentave në mbarë botën.
Ligjet e patentave tani janë zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme për të mbuluar botën digjitale, duke mbrojtur industrinë digjitale. Nuk supozohet të huazoni apo të dhuroni softuer që keni blerë. Sigurisht që nuk supozohet ta shisni atë. Natyrisht, TRIPs ka bërë që një numër i madh njerëzish të veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe është krijuar për të monopolizuar prodhimin e botës digjitale. Dhe, për ta bërë edhe më keq, monopoli në botën mjekësore, medikamentet, po vjen menjëherë pas. Këto industri janë kryesisht amerikane.
Tregtia e lirë është për të varfrit; të pasurit monopolizojnë kur gjejnë se është në interesin e tyre, siç ilustron qartë TRIPs.
Roger van Zwanenberg