Si të ndërtoni një model biznesi të ekonomisë qarkulluese që funksionon

Ekonomia qarkulluese – gjetja e mënyrave për të rifutur produktet, komponentët dhe materialet në zinxhirin e furnizimit, në vend që të përfundojnë të groposura pas përdorimit të tyre të parë – është kthyer në një strategji biznesi që po bëhet gjithnjë e më e domosdoshme.

Ky model është një diferencues strategjik shumë i rëndësishëm për drejtuesit e bizneseve dhe një kërkesë kryesore nga klientët, konsumatorët dhe rregullatorët.

Ata që zgjedhin të mos ndjekin modelin e ekonomisë qarkulluese dëmtojnë veten e tyre në strategjinë afatgjatë, por tranzicioni drejt kësaj ekonomie dhe gjetja e modeleve që funksionojnë me sukses ka provuar të jetë e vështirë.

Bazuar në një sondazh të vitit 2021 të kryer nga Bain & Company, afërsisht 33% e drejtuesve presin që industria e tyre të pësojë ndryshime rrënjësore nga startup-et që bazohen te modelet e ekonomisë qarkulluese, ndërsa 50% e tyre presin që modelet e ekonomisë qarkulluese të kthehen në normalitet për të gjitha kompanitë në dekadën e ardhshme.

Një model qarkullues biznesi nuk është një trend, por një strategji thelbësore. Kjo do të kërkojë mënyra të reja të të menduarit, aftësinë për të ndërtuar partneritete të reja në zinxhirin e vlerave të biznesit dhe me konkurrentët, si dhe prirjen për të përshtatur dhe shkallëzuar operacionet ekzistuese për të ndërtuar zinxhirë të rinj furnizimi që do të mundësonin krijimin e modeleve qarkulluese të biznesit.

Kompanitë po bëhen pjesë e ekonomisë qarkulluese në shumë mënyra. Ato po pilotojnë programe të ndryshme të fokusuara në gjetjen e më shumë materialeve të ricikluara, prodhimin me më pak mbetje dhe implementimin e qasjeve të “ciklit të dytë të jetës” për produktet që kanë prodhuar më parë.

Shumica e bizneseve po bëjnë përmirësime në zinxhirët e tyre ekzistues të furnizimit, në vend që të krijojnë një model të ri biznesi. Ato kanë pritshmëri të larta për rezultatet që do të arrijnë dhe motivohen nga qëndrueshmëria mjedisore, fitimet financiare afatshkurtra dhe përmirësimet e performancës së tyre operacionale.

Megjithëse rrugëtimi ka filluar, 46% e iniciativave që u përfshinë në anketim janë ende në fazat e hershme dhe suksesi ka rezultuar të jetë i vështirë: gjysma e të anketuarve në këtë studim raportojnë një vlerë të ulët financiare nga iniciativat që kanë ndërmarrë.

Pse ka qenë kaq i vështirë suksesi? Zbatimi i modeleve të ekonomisë qarkulluese te bizneset kërkon një ndryshim thelbësor në mënyrën se si veprojnë kompanitë, duke përfshirë ndryshime në modelet e tyre ekonomike dhe kalimin në mënyra të reja për të siguruar fitime.

Operacionet e reja dhe zinxhirët e furnizimit krijojnë hapa të rinj në këtë proces dhe ka shumë prova që tregojnë qëndrueshmërinë dhe përfitimet financiare që vijnë nga këto ndryshime. Të gjithë e mbështesin konceptin e ekonomisë qarkulluese, por realiteti operacional i zbatimit të tij është një pengesë që duhet kapërcyer dhe që renditet vazhdimisht nga drejtuesit si vështirësia më e madhe për suksesin e këtyre modeleve.

Për të kryer operacionet e duhura, kompanitë duhet t’i përgjigjen disa pyetjeve kritike, si “Ҫfarë mallrash më duhen përsëri për t’u ripërdorur?”, “Ku ndodhen ato?” dhe “Si mund t’i marr ato?”. Këtu lind nevoja që kompanitë të kuptojnë se cilat janë produktet që ata do të ripërdorin me fitimin që kanë pasur pikërisht nga këto produkte.

Pasi të jetë vendosur kjo, ata duhet të kuptojnë se si të gjurmojnë fizikisht një produkt dhe duhet të identifikojnë mënyrën më të mirë për ta rimarrë atë.

Kompanitë që deklaruan në sondazhin e vitit 2021 se e kishin kapërcyer vështirësinë e gjurmueshmërisë së produkteve të tyre, kishin 30% më shumë gjasa të deklaronin se kishin kthime financiare mesatare ose të larta nga një iniciativë e tillë, krahasuar me ato kompani që nuk e kishin zhvilluar aftësinë për të gjurmuar produktet e tyre.

Ekonomia qarkulluese mund të krijojë mundësi për modele të reja biznesi, të tilla si zgjatja e jetës së një produkti duke e verifikuar dhe më pas duke e rishitur atë në tregjet dytësore. Një shembull i këtij modeli është programi pilot që Ralph Lauren, EVRYTHNG dhe Vestiaire Collective po lançojnë përmes Forumit Ekonomik Botëror. Ky program do të testojë vlerën që krijohet kur këto marka përdorin teknologjinë dhe platformat e duhura.

Për të ndërtuar një strategji gjurmueshmërie të produkteve të tyre që do të krijonte mundësitë për implementimin e modeleve të ekonomisë qarkulluese, kompanitë duhet të konsiderojnë pesë faktorë kryesorë: të kuptojnë dinamikën e tregut; të vendosin qëllimet e biznesit; t’i japin përparësi të dhënave dhe të zgjedhin teknologjinë e duhur; të zhvillojnë partneritete; dhe të testojnë, mësojnë dhe të shkallëzojnë iniciativat e tyre.

Një shembull i suksesshëm është CaaStle, i cili u mundëson shitësve me pakicë të ofrojnë “Clothing as a Service” (CaaS) si një alternativë për blerjen e veshjeve. Ata bashkëpunojnë me kompani të tilla si Express për të ofruar veshje me qera, si një alternativë ndaj blerjes së një veshjeje.

Procesi i gjurmueshmërisë së CaaStle përfshin gjurmimin e produktit dhe të gjithë logjistikën e kthimit për kompanitë që do të kthejnë veshjet pas marrjes me qera. Në fillimet e veta, CaaStle përdorte etiketa dhe lapustila për të gjurmuar produktet, më pas filloi të përdorte barkodet, ndërsa tani përdor etiketa RFID (identifikimi i radio-frekuencave) për të gjurmuar veshjet.

Teknologjia RFID ofron pjesët më të rëndësishme të procesit të gjurmueshmërisë – qëndrueshmërinë, lexueshmërinë dhe shpejtësinë – duke i dhënë mundësi CaaStle që të gjurmojë itinerarin e secilit artikull.

Zbatimi i modeleve qarkulluese në biznese sjell shumë përfitime: sipas sondazhit, më shumë se 80% e atyre që kanë pilotuar ose shkallëzuar iniciativat e modeleve qarkulluese thonë se do ta bënin përsëri këtë gjë. Megjithëse pengesat operacionale nuk duhen anashkaluar, gjurmueshmëria mund të jetë një komponent kritik i suksesit të iniciativave të modeleve të ekonomisë qarkulluese te bizneset.

Kërkesa për të zbatuar modelet e ekonomisë qarkulluese do të vazhdojë të rritet; kompanitë mund të pozicionohen më së miri duke identifikuar modelin qarkullues të biznesit që dëshirojnë të zbatojnë, si dhe duke ndërmarrë hapa të vegjël tani (që lidhen me rezultatet e prekshme afatshkurtra) për të rritur aftësitë e tyre të një modeli qarkullues dhe të gjurmueshmërisë së produkteve.

Kompanitë duhet të veprojnë për të testuar, mësuar dhe shkallëzuar sa më shpejt, si dhe për të ndërtuar zinxhirët e ardhshëm të furnizimit. /World Economic Forum/

Artikulli paraprakIdetë kryesore nga libri “To-Do List Formula” – Damon Zahariade / PJESA E DYTË
Artikulli tjetërÇfarë është stagflacioni dhe si duhet të parandalohet?