Secili njeri vendos dhe bën zgjedhjen e tij.

Vallë si dëshiron ti të jetosh, i lumtur apo i pakënaqur?

– Pyeti njerëzit, dhe pyete veten tënde… dhe nuk do të gjesh askënd të thotë se dëshiron të jetojë i pakënaqur, ose, se i pëlqen të qenit i sëmurë ose spitalet… Në fakt, do të gjesh se të gjithë njerëzit dëshirojnë të jenë të lumtur.

Pastaj, bëj pyetjen e dytë: Vallë, ajo që ti bën, a të çon në lumturi?

Kur dikush të thotë se ai dëshiron të hyjë në Xhennet, ti pyete nëse ajo që ai bën në e çon vërtetë në Xhenet?

Nëse ai merret me punë jo të mira, përgojon të tjerët, mashtron e gënjen, e të tjera punë të pahijshme, këto mund ta çojnë në zjarr atë. Dhe, përderisa ajo që ti bën nuk të çon atje ku ti dëshiron, atëherë do të biesh në depresion, sepse të gjitha këto janë reflektime shpirtërore.

Duhet të mendosh në diçka që ti vërtet e dëshiron dhe e zgjedh dhe kur ta zgjedhësh, të fillosh ta vësh në kornizën e zbatimit, sepse kjo është zgjedhja.

Secili njeri vendos dhe bën zgjedhjen e tij.

Ti je ai që vendose dhe bërë zgjedhjen që të më dëgjosh, dhe je ti ai që vendose dhe zgjodhe të lexosh librin tim dhe je ti ai që vendose dhe zgjodhe të nervozohesh… vendose dhe zgjodhe të flesh… vendose dhe zgjodhe të shash njerëzit… Vendimi dhe zgjedhja jote përcaktojnë fatin e së ardhmes tënde, prandaj që të vendosësh, duhet ta pranosh plotësisht veten tënde, dhe të arrish t’i percep tosh dhe t’i njohësh aftësitë e tua të pakufishme.

Pra, kemi:

Perceptimin… pranimin… vendimin… dhe zgjedhjen.

A mjaftojnë këto për t’i zgjuar aftësitë tona?! Absolutisht që jo!… Pas kësaj vjen përgjegjësia që duhet ta mbash në jetën tënde, sepse me mbajtjen e përgjegjësisë, fillon forcimi i personalitetit.

Dikur kam qenë shef ekzekutiv diku në Montreal, dhe kisha më shumë se 2,000 punëtorë nën drejtimin tim. Unë vendosja ide të reja, dhe punët nuk shkonin gjithmonë siç doja unë, prandaj një ditë, kur ndodhesha në makinën time, i thashë vetes: Pse këta njerëz nuk më kuptojnë siç duhet?! Do ta përzë nga puna këdo që nuk ma dëgjon fjalën!

Kështu po mendoja me veten time, e ndër kohë në kasetofonin e makinës kisha vënë një CD të regjistruar të njërit nga personat më të fuqishëm në botë në fushën e Zhvillimit Njerëzor. Fjalët që po thoshte ai në këto momente, m’u dukën sikur po më drejtoheshin pikërisht mua. Ai po thoshte: “As nëna as babai jot, as motra dhe as vëllai jot, as drejtori yt, as roja tek porta, nuk janë ata përgjegjësit për idetë dhe ndjesitë e tua. Ti duhet ta mbash vetë përgjegjësinë e jetës tënde.”

Këto fjalë të tij ma freskuan mendjen dhe trupin. Shikova veten në pasqyrë, dhe e ndjeva se shkaku i gjithë kësaj isha unë vetë, dhe jo njerëzit. Isha unë ai i cili nuk po arrija t’i kuptoja ata njerëz; isha unë ai që po u caktoja atyre një afat i cili nuk u mjaftonte, dhe që u jepja ide për të cilat ata nuk ishin trajnuar për t’i zbatuar… e pastaj unë fajësoja ata… Si rezultat, isha unë ai që duhej ta pranoja përgjegjësinë e jetës sime personale.

Edhe fëmijës së sapolindur i duhet të mësojë të pijë tek e ëma, dhe pi vetë gji tek ajo… dhe kur e ëma i mëson atij të ecë, ai duhet ta bëjë vetë lëvizjen e parë… Pra, që kur Zoti na ka krijuar në këtë botë, na ka bërë përgjegjës për vetveten tonë.

Njëherë, një mbret donte të zbulonte nëse populli i tij ishin apo jo të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Kështu ai i urdhëroi rojat që të vendosnin një gur të madh në mes të rrugës, dhe të shikonte se çfarë do të bënin njerëzit. Guri ishte shumë i rëndë, dhe një person i vetëm nuk e lëvizte dot. Kur andej kaloi personi i parë me makinë, dhe e gjeti atë gur të madh në mes të rrugës, ai zbriti nga makina dhe filloi të shante mbretin dhe njerëzit, pastaj hipi sërish në makinë dhe u kthye të gjente një rrugë tjetër.

Pastaj erdhi një tjetër i cili kur e gjeti gurin në mes të rrugës, zbriti dhe u përpoq ta shtynte vetë atë gur në anë të rrugës, por kur nuk mundi ta bënte këtë, pastaj edhe ai filloi të shante mbretin edhe njerëzit. Pastaj erdhi i treti dhe e gjeti gurin në rrugë… zbriti nga makina dhe u përpoq ta shtynte, por nuk mundi, prandaj filloi të mendohej se si ta largonte atë pengese nga rruga në të cilën kalonin njerëzit. Ai u përpoq ta shtynte me diçka si një levë druri, por druri u thye, prandaj kërkoi ndihmën e njerëzve. Atij iu bashkuan edhe disa persona, të cilët të gjithë së bashku e morën atë gur, derisa arritën më në fund ta largonin nga rruga.

Në këtë moment, nga prapa një peme doli një person i cili e thirri burrin iniciator për largimin e gurit, dhe i dha një çek ku shkruhej shuma 2 milion dollarë. Burri mbeti i habitur. Pastaj, ky person që kishte qëndruar i fshehur pas pemës gjatë gjithë kohës, i tregoi se vetë mbreti e kishte urdhëruar vënien e gurit në mes të rrugës vetëm për të parë se sa janë njerëzit të përgjegjshëm për çështjen publike, dhe se për këtë, mbreti kishte përgatitur një shumë prej 2 milion dollarësh si shpërblim për atë person që do ta largonte gurin nga rruga.

Në fakt, çështja s’ka të bëjë thjeshtë me dhuratën prej 2 milion dollarësh, por me mbajtjen e përgjegjësisë. Përderisa ai person u tregua i përgjegjshëm, kjo dhuratë ishte rezultat i punës së tij.

Pra, së pari kërkohet “perceptimi” i aftësive të pakufishme, më pas kërkohet “pranimi” i vet vetes, dhe pas kësaj vjen radha e marrjes “vendim” për t’i përdorur këto aftësi të pakufishme…. pastaj vjen “zgjedhja” e mënyrës së përshtatshme për zbatimin, e më pas “mbajtja e përgjegjësi së”… pastaj vjen “pastrimi i së kaluarës”.

Dr. Ibrahim el-Fekij
Zgjoji aftësitë dhe ndërto të ardhmen tënde

Artikulli paraprakSi të keni një ditë produktive në punë
Artikulli tjetërSi ta përmirësosh aftësinë për të dëgjuar të tjerët, sidomos atë që ka probleme në jetën e tij, dhe që të tjerëve nuk u duket gjë e këndshme ta dëgjojnë kur flet për to?