Literatura makroekonomike është mjaft e pasur me diskutime mbi politikën fiskale (pra, politikat e taksave, shpenzimeve dhe borxhit të qeverisë) si në ekonomitë e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim me treg të lirë. Qëllimi i këtij punimi është të tregojë se politika fiskale në ekonominë islame [pra, ekonomitë që do të drejtoheshin rreptësisht nga ligjet islame të nxjerra nga mësimet e Kuranit të Shenjtë, traditat e Profetit, Muhamed (paqja qoftë mbi të), dhe praktikat e myslimanëve të hershëm] do të ndryshonte në rolin, objektivat, masat dhe mekanizmin e saj nga ajo në ekonomitë jo islame.
Politika fiskale do të luante një rol shumë më të rëndësishëm në një ekonomi islame sesa në një ekonomi jo islame me treg të lirë për arsyet e mëposhtme.
- Roli i politikës monetare do të ishte relativisht shumë më i kufizuar në një ekonomi islame sesa në një ekonomi jo islame me treg të lirë për të paktën dy arsye
a) Norma e interesit nuk luan asnjë rol në një ekonomi islame. Myslimanëve u ndalohet të marrin ndonjë interes mbi çfarëdo lloj huaje (personale ose të tjera). Kështu, në një ekonomi islame, ndryshimi i normave të interesit si një mjet i rëndësishëm i politikës monetare nuk ekziston.
b) Islami nuk lejon bixhozin. Kjo zbatohet jo vetëm për garat, lojërat me letra dhe aktivitetet e tjera konvencionale të bixhozit, por edhe për shumë lloje spekulimesh dhe disa transaksione të ardhshme që ndodhin në ekonomitë jo islame. Kjo ka dy pasoja: (i) Operacionet në treg të hapur nuk do të ishin shumë efektive në një ekonomi islame. Bursa e aksioneve me siguri nuk do të luante një rol aq të madh në këto ekonomi sa në ekonomitë jo islame me treg të lirë, ku spekulimi është pjesë integrale e jetës ekonomike, (ii) Nuk do të kishte kërkesë spekulative për para në kuptimin keynesian. Megjithatë, mundësia për të mbajtur para kesh në pritje të një mundësie më fitimprurëse është e lejuar. Kjo kërkesë për para për mundësi do t’i nënshtrohej si Zekatit, ashtu edhe detyrimeve mbi paratë e papërdorura. Mungesa e “kërkesës spekulative keynesiane” për para dhe mos ekzistenca e interesit nënkuptojnë që tregu i obligacioneve nuk do të luante një rol të rëndësishëm në ekonomitë islame.
2. Pavarësisht nga kushtet ekonomike në një ekonomi islame, një qeveri qe ndjek parimet islame duhet të sigurojë që taksa e Zekatit të mblidhet nga çdo mysliman, pasuria e të cilit tejkalon një vlerë minimale specifike, dhe që të ardhurat të përdoren për qëllimet e përcaktuara në Kapitullin (ose Suren) 9, vargu 60 i Kuranit të Shenjtë. Kjo politik fiskale është unike për ekonomitë islame. Megjithatë, siç do ta shohim më vonë, taksa e Zekatit, edhe pse ka pasoja të rëndësishme mbi variablat kryesore ekonomike, nuk mund të përdoret në ekonomitë islame si një mjet diskrecional fiskal në të njëjtën mënyrë si taksat e tjera. Detyrimet ekonomike përveç Zekatit janë thelbi i politikës fiskale në ekonomitë islame.
3. Ka dallime të konsiderueshme midis ekonomive islame dhe atyre jo islame sa i përket rolit dhe menaxhimit të borxhit publik. Meqenëse të gjitha huatë në Islam janë pa interes, shumë nga shpenzimet qeveritare financohen ose nga të ardhurat e taksave dhe detyrimeve ose (në rastin e projekteve prodhuese) mbi bazën e ndarjes së fitimit. Prandaj, madhësia e borxhit publik është shumë më e vogël në ekonomitë islame sesa në ekonomitë jo islame.