Pyetje: Te banesa me qera a duhet të paguaj për dëmtimet?
Përgjigje: Nuk ka mospajtim mes dijetarëve të fikhut se banesa që i jepet qiramarrësit konsiderohet amanet (besim), prandaj ai nuk mban përgjegjësi për dëmtimin e pronës së marrë me qira, përveç nëse ka tejkaluar kufijtë ose ka treguar neglizhencë.
Tejkalimi këtu nënkupton që ai përdor pronën në një mënyrë që shkon përtej asaj që i është normale dhe e lejuar – sipas ligjit fetar, zakonit apo praktikës së zakonshme.
Ndërsa neglizhenca është mungesa e kujdesit të duhur që ai duhet të tregojë për ruajtjen e pronës.
Në “Enciklopedinë e Fikhut” (13/277) thuhet: “Dijetarët janë pajtuar se sendi i dhënë me qira është amanet në dorën e qiramarrësit. Nëse ai dëmtohet pa tejkalim apo neglizhencë nga ana e tij, atëherë ai nuk mban përgjegjësi. Por nëse ai tejkalon ose neglizhon ruajtjen e tij, atëherë ai është përgjegjës për çdo dëmtim apo pakësim që i ndodh sendit. Po ashtu, nëse ai e përdor përtej të drejtës së tij dhe ndodh dëmtimi, atëherë mban përgjegjësi.”
Po ashtu në (1/286) thuhet: “Nuk lejohet që mirëmbajtja e sendit t’i kushtëzohet qiramarrësit, sepse kjo çon në paqartësi të qirasë, dhe kontrata e qirasë bëhet e pavlefshme me këtë kusht, sipas të gjitha shkollave juridike.”
Në vendimin e ‘’Mexhma’ el Fikhij’’ thuhet: përgjegjësia për sendin e dhënë me qira bie mbi pronarin, jo mbi qiramarrësin; kështu që pronari mban dëmet që nuk vijnë nga tejkalimi apo neglizhenca e qiramarrësit.
Nëse qiradhënësi i kushtëzon qiramarrësit mirëmbajtjen (pra shpenzimet e detyrueshme për riparim), kjo nuk është e vlefshme; dhe nëse këto shpenzime i konsideron si qira, kjo gjithashtu nuk është e vlefshme, sepse janë të paqarta.
Prandaj, çdo dëmtim që ndodh nga përdorimi i zakonshëm nuk kërkon dëmshpërblim, si p.sh. përlyejra e mureve ose tymosja e tyre, çarja e bojës, ose prishja e pajisjeve si lavamanët, ceshmat etj.
Ndërsa çdo dëmtim që nuk vjen nga përdorimi normal duhet kompensuar, edhe nëse ka ndodhur pa qëllim, si p.sh. thyerja e lavamanit pa dashje, rënia e një objekti të rëndë që dëmton dyshemenë, qoftë nga një fëmijë apo dikush tjetër, apo vizatimet e fëmijëve në mure apo dyer. Në këto raste, qiramarrësi duhet të kompensojë dëmin, të zëvendësojë të thyerat, të riparojë dëmtimet dhe të pastrojë vizatimet, përveç nëse pronari ia fal atij.
Përktheu: Enis Arifi / https://www.rizgjimi.com/











