Përkufizimi i murabahasë bankare

Përkufizimi i murabahasë bankare

Gjatë sqarimit të historikut se si është formuar emërtimi i kësaj shitblerjeje bashkëkohore, kemi përmendur se ekzistojnë disa terma dhe më i përhapuri është Murabaha lil amiri bish shira.
Gjithashtu, kemi sqaruar se gjithë këta terma kanë për qëllim të njejtin lloj tregtie që aplikojnë bankat dhe institucionet financiare islame bashkëkohore.
Edhe në përkufizimin terminologjik të këtij transaksioni te dijetarët bashkëkohorë, ka pasur ndryshim në mënyrën e formulimit të definicionit, edhe pse përmbajtja është e njëjtë.
Po përmendim disa prej tyre:
1. Dr. Refik el Misri e përkufizon kështu: Me kërkesë të klientit banka blen një artikull me çmimin e pagesës së gatsbme, pastaj të njejtin artikull ia shet klientit me çmimin e pagesës së vonuar. Kjo realizohet në bazë të premtimit paraprak mes klientit dhe bankës, i cili në disa banka (islame) është obligues (të përfillet), ndërsa në disa të tjera nuk është.
2. Dr. Muhamed Sulejman Eshkar thotë: “Banka dhe klienti bien dakord qe banka të blejë një mall të caktuar, ndërsa klienti merr përsiper ta blejë atë nga banka. Banka gjithashtu zotohet që atë mall do tia shesë klientit me pagesë të gatshme ose të vonuar duke i shtuar një përqindje fitimi, çmimit të blerjes.
3. Edhe një përkufizim tjetëri cili jep më shumë detaje: “I interesuari për të blerë një artikull të caktuar i bën kërkesë bankës, sepse ai nuk ka mundësi materiale të mjaftueshme që ta bëjë pagesën në para të gatshme, kurse shitësi (tregtari) nuk ia shet atij me pagesë të vonuar, qoftë për shkak se tregtari nuk praktikon shitje me pagesë të vonuar, qoftë për shkak të mos njohjes së blerësit ose sepse ka nevojë për para të gatshme. Atëherë, banka e blen artikullin me çmimin e pagesës së gatshme, pastaj ia shet klientit me çmimin e pagesës së vonuar.”
Nga përkufizimet e lartpërmendura shohim se dijetarët janë munduar që së bashku me përkufizimin të përmendin edhe disa elemente që e sqarojnë më me detaje këtë transaksion, duke e dalluar nga murabaha e thjeshtë tradicionale.
Nëse mundohemi të japim një përkufizim më të shkurtër dhe përmbledhës rreth këtij termi, atëherë themi se shitblerja murabaha është:
Me kërkesë të një personi, blihet një artikull në para te gatshme, pastaj i njëjti i rishitet personit që ka bërë kërkesën me pagesë të vonuar, duke i shtuar një fitim të ditur çmimit me të cilin është blerë në fillim.

Alaudin Abazi

Artikulli paraprakMurabahaja, alternativa islame e financimit bankar
Artikulli tjetërShembulli i shitblerjes murabaha