Për 30% të familjeve kosovare gjysma e të hyrave mujore shkon në pagesën e kësteve kreditore

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka paralajmëruar për rrezikun e mbingarkesës me borxh të ekonomive familjare në Kosovë.

Siç thonë ata, me rritjen e vazhueshme të kreditimit nga ekonomitë familjare, e veçanërisht në kohën e fundit, kur bankat janë duke lëshuar më shumë kredi, ajo paralajmëron se është rritur edhe më shumë rreziku i mbingarkesës me borxh të familjeve dhe pamundësisë së tyre për t’i paguar këstet mujore.

Në një publikim të BQK-së, rrethNgarkesës me borxh të ekonomive familjare në Kosovë”, të publikuar në këtë muaj, ata vlerësojnë se ngarkesa me borxh e ekonomive familjare gjithnjë e më shumë po paraqet rrezik direkt në qëndrueshmërinë e borxhit të ekonomive familjare dhe në stabilitetin e sistemit financiar si tërësi.

Ngarkesa e akumuluar e borxhit shkakton pasoja të mirëqenies sociale

Sipas tyre, ngarkesa e akumuluar e borxhit mund të shkaktojë edhe pasoja të tjera të mirëqenies sociale të huamarrësve duke rritur kështu ndjeshmërinë e tyre ndaj rrezikut të varfërisë dhe përjashtimit social, përcjell Buletini Ekonomik.

Në bazë të raportit, me ç’rast BQK-ja ka marrë për studim gjithsej 1,805 mostra, mbingarkesa me borxh për huatë varion nga 27.4 përqind, kur merren për bazë vetëm të hyrat e huamarrësit, ndërsa bie në 11.7 përqind kur merren për bazë të hyrat e gjithë njësisë familjare. Mbingarkesa nënkupton rastet kur niveli i borxhit mujor vetëm për huatë, tejkalon 50 përqind së të hyrave mujore.

Por, mbingarkesa me borxh bazuar vetëm në të hyrat e huamarrësit mund të reflektojë në mbivlerësim të gjendjes së ngarkesës, për shkak të bashkë-huamarrjeve dhe faktit se ekonomitë familjare bashkojnë të hyrat për të mbuluar shpenzimet.

Mirëpo, në këtë raport BQK-ja thekson se në vlerësimin e mbingarkesës me të hyra të ekonomisë familjare, për shkak të mungesës së informacionit për borxhin e mundshëm të huave të anëtarëve tjerë të familjes, mund të kemi pasqyrë të nënvlerësuar të nivelit të ngarkesës, andaj, edhe rezultatet e mbingarkesës të publikuara në këtë raport, nuk duhet të interpretohen si vlerësim absolut i gjendjes faktike, por si indikacion i nivelit të përafërt të mbingarkesës së ekonomive familjare me hua në sektorin financiar në Kosovë, i cili konsiderohet të jetë në intervalin ndërmjet rezultateve të lartcekura nga të dy indikatorët (me të hyra të huamarrësit dhe atij me të hyra të njësisë familjare).

Ndërkohë, në fazën e parë të mbingarkesës – në rrezik për mbingarkesë në rastet kur kësti mujor i huasë përbën 50 deri në 75 përqind së të hyrave mujore, janë 21.8 përqind të huamarrësve. Ndërsa, kur merren parasysh të hyrat e gjithë njësisë familjare, në rrezik për mbingarkesë janë 8.2 përqind të ekonomive familjare, kurse në fazën kritike – me raport të borxhit ndaj të hyrave në intervalin 75 deri 100 përqind – rezultojnë 3.8 përqind e huamarrësve dhe 2.0 përqind e ekonomive familjare. Rastet kur shpenzimet e kësteve të huamarrësit tejkalojnë plotësisht të hyrat mujore bruto duke kaluar në gjendje jo-solvente, paraqiten në 1.8 përqind të mostrës së huamarrësve dhe 1.4 përqind të ekonomive familjare, sipas BQK-së.

Niveli i ngarkesës me borxh rritet me huamarrjen e shumëfishtë

Niveli i ngarkesës me borxh të huamarrësve rritet zakonisht me huamarrjen e shumëfishtë, në veçanti me posedimin e shumë kontratave aktive kreditore në institucione të ndryshme.

Huamarrësit e shumëfishtë që kanë pasur kredi aktive në institucione të ndryshme, kishin pothuajse dy herë më shumë raste të mbingarkesës me borxh, përkatësisht 40.5 përqind e tyre (22.2 % e ekonomive familjare) ishin të mbingarkuar me borxh, krahasuar me 24.2 përqind të huamarrësve të shumëfishtë që kishin dy e më shumë kredi në institucionin e njëjtë (7.5 % për ekonomitë familjare). Gjithashtu edhe probabiliteti i të qenit në fazë kritike të ngarkesës dhe në gjendje jo-solvente për të paguar detyrimet, ishte dukshëm më i lartë për huamarrësit e shumëfishtë dhe atë në disa institucione.

Pra, rrjedhimisht tendencat më të larta të vonesave në pagesën e kësteve të kredive, ishin në mesin e huamarrësve të shumëfishtë (më shumë se një kontratë kreditore aktive), por nga institucione të ndryshme, ku në bazë të analizës së BQK-së, rreth një çerek i huamarrësve të shumëfishtë, me produkte kreditore në institucione të ndryshme, janë në vonesë, krahasuar me vetëm 2.0 përqind të huamarrësve të shumëfishtë por në të njëjtin institucion. Pjesëmarrja e huamarrësve me vonesa për më shumë se 2 muaj ishte 8.5 përqind, shumica e të cilëve (74.4%) ishte në vonesë në vetëm një kontratë kreditore.

“Probabiliteti i vonesave të huamarrësve rritet me rritjen e numrit të kontratave kreditore, me ç’rast huamarrësit me katër e më shumë kontrata kreditore kishin më së shumti vonesa”, theksohet tutje në raport.

Sipas këtij studimi, ekonomitë familjare, në mesatare, kishin të hyra mujore prej 1,084 euro, kurse mediana e të hyrave mujore ishte më e ulët, përkatësisht 830.5 euro. Të hyrat në ekonomitë familjare me më shumë anëtarë të punësuar ishin më të mëdha, por dallimet përgjithësisht bien me rritjen e numrit të të punësuarve. Mesatarisht, të hyrat rriten për 350 euro me rritjen e numrit të një të punësuari, deri në katër të punësuar. /Buletini Ekonomik/

Artikulli paraprakDispozitat e falimentimit në Islam
Artikulli tjetërIdetë kryesore nga libri “The Startup Owner’s Manual” -Steve Blank, Bob Dorf / PJESA E DYTË