Ballina Blog Faqe 712

Industria e hallallit ne Malajzia ka tërhequr 270 milion Euro në investimet e huaja direkte

Kuala Lumpur: Industria e hallallit ne Malajzia ka tërhequr 270milion në investimet e huaja direkte në mes të janarit dhe qershorit dhe ka eksportuar prodhimet hallall me vlerë 4miliard Euro në të njëjtën periudhë.

Ministri Ndërkombëtar i Tregtisë dhe Industrisë Datuk Seri Mustafa Mohamed tha se Industria e Hallallit dhe e Zhvillimit Corp së bashku me agjencitë e tjera kanë punuar shumë për të zgjeruar kontributin e industrisë përmes programeve të ndryshme dhe aktiviteteve. Sipas Industrisë se Hallallit dhe e Zhvillimit Corp, produktet hallall të eksportura në mes janarit dhe dhjetorit të vitit të kaluar arritën 10 miliard Euro, u tha ne hapjen e Fiesta Halal Malaysia (Halfest 2012).
Ne Halfest 2012 po marrin pjesë me shumë se 600 kompani në mbar vendin duke shfaqur produktet dhe sherbimet hallall. Kjo ekspozit pritet të tërheqë mbi 70.000 vizitorë gjatë 5 ditëve sa do te zgjas kjo ekspozite në Qendrën Botërore të Tregtisë Putra.
/mesazhi/G.Koprani/kohaislame

NVM-të në zor!

Tash sa vjet po bëhet përpjekje formale të mbështetet zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të promovuara si gjenerueset kryesore të zhvillimit ekonomik, të cilat ofrojnë mundësinë më të lehtë për të hapur vende të reja të punës. Qeveria ka nxjerrë strategji, zyrtarisht janë përkrahur edhe parqet e biznesit, por që në fund të ditës ato po dalin të jenë projekte të dështuara.

Në mungesë të një strategjie të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik, pjesë e së cilës duhet të ishte edhe mbështetja e NVM-ve, deri më tash ky sektor vetëm sa është përballur me sfida të tmerrshme duke i stagnuar në vazhdimësi. Korrupsion, trajtimi i pabarabartë në treg, ekonomia informale, shkelja me çmimet e ulëta nga importuesit e mallrave të dyshimta, janë duke i dëmtuar në vazhdimësi NVM-të.
Zyrtarët qeveritarë zyrtarisht janë thirrur në krijimin e disa mundësive financiare por që gjendja reale e NVM-ve në treg tregon se ato ballafaqohen me vështirësi të mbijetesës. Ndërkohë që miliona euro të investuara në parqet e biznesit siç është ai i Drenasit i promovuar me të madhe ka mbetur “zonë e vdekur”.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ditë më parë për gazetën “Zeri” ka thënë se kanë punuar në krijimin e mundësive për hapjen e tregut bankar, duke eliminuar disa pengesa në këtë fushë dhe që do të bëjnë përpjekje edhe në të ardhmen për zvogëlimin e kamatave të kredive.
Ai ka pranuar se normat e interesit në kredi në Kosovë janë të larta dhe, sipas tij, politikëbërësit, Banka Qendrore e Kosovës duhet të angazhohen që kostoja e financimit të jetë e pranueshme për bizneset dhe qytetarët. Barrierat në qasjen e kredive me norma të volitshme krijojnë në start një ngecje në zhvillim të biznesit.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në janar të këtij viti ka futur në fuqi Strategjinë për Zhvillimin e Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme 2012-2016 ka për qëllim përmirësimin e mjedisit të biznesit. Duke u bazuar në të dhënat statistikore të Qeverisë rreth 99,9 % e bizneseve janë ndërmarrje Mikro, të Vogla dhe të Mesme, por që deri më tash nuk shihet ndonjë efekt në këtë drejtim.
Qeveria ka premtuar Përforcim të Kornizës Legjislative dhe Rregullative për Krijimin dhe Zhvillimin e NVM-ve, 12 ligje për lehtësimin e ambientit për të bërë biznes.
Por zyrtarët ekonomikë edhe ata të Odës Ekonomike të Kosovës, si shpëtim për NVM-të shohin qasjen në kreditë për biznes nëpër bankat komerciale.
Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës, ditë më parë ka thënë se bankat komerciale kreditë për biznesin duhet t’i shohin si investime, pasi që, sipas tij, të gjitha bizneset mund të jenë klientë potencialë të tyre.
Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të krijojnë skema përkrahëse për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM), jo vetëm për sektorin e bujqësisë, mirëpo edhe për sektorët tjerë, me ç’rast do të rritej edhe numri i të punësuarve në vend.
“Ky do të ishte një potencial i mirë për zhvillimin e biznesit në vend”, thotë Rukiqi. Ai shton se fakti që Kosova posedon numrin më të vogël në rajon të kredive për sektorin e biznesit është se këto të fundit shihen nga bankat si klientë me rrezik më të lartë, i cili përceptim, sipas tij, nuk është i drejtë dhe është shumë larg realitetit./Ind/kohaislame

SHBA-të me rezervat më të mëdh të arit në botë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë sasinë më të madhe të rezervave të artit në botë, ato kryesojnë listën me 8.133.5 tonelata ar. Pastaj renditen gjermania dhe Italia.

World Gold Council ka publikuar listën e vendeve që disponojnë me më shumë rezerva të arit. Sipas “ËGC”, Bankat qendrore gjerë e gjatë botës në kuartalin e dytë të këtij viti kanë blerë 157.5 tonelata ar, që është 65 për qind më shumë se sa në kuartalin e parë dhe për 137.9 për qind më shumë se sa vitin e kaluar.

Nga vendet e rajonit, më shumë rezerva të arit ka Greqia e cila gjendet në vendin e 32 me 111.8 tonelata ar, pastaj Serbia e cila gjendet në vendin e 59 me 14.8 tonelata ar, Sllovenia me 3.2 për qind, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 93 me 2 tonelata ar.

Ndërsa, Maqedonia gjendet në vendin e 75 me rezerva ari prej 6.8 tonelata, ndërsa përqindja e rezervave të arit arrin 13,6 për qind.

Ndryshe, në bazë të të dhënave zyrtare, SHBA disponon me 8.133.5 tonelata ar që është sasia më e madhe që nga viti 1952, kur ka pasur më shumë se 20.000 tonelata, pason Gjermania me 3.395.5 tonelata ar, Italia me 2.451.8 tonelata, Franca, Kina, Zvicra. /Tg/kohaislame

Shtohen investimet gjermane në Kosovë

Gjermania është donatori i dytë më i madh në Kosovë. Qysh prej përfundimit të luftës, ajo ka investuar në Kosovë 230 milionë euro në sektorë të ndryshëm ekonomik dhe shoqëror.

Rajonit të Pejës në perëndim të Kosovës, shtrirja gjeografike rrëzë Bjeshkëve të Nemura i ka mundësuar furnizimin e vazhdueshëm me ujë nga burimet natyrore. Nevojiteshin vetëm investime për sistemimin e ujit nëpër gypa, që furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm të sigurohej njëherë e përgjithmonë. Këtë u përpoq ta bëjë qeveria gjermane, e cila vetëm prej vitit 2007 në rregullimin e rrjetit të ujësjellësit në rajonin e Pejës ka investuar rreth 4 milionë euro. Sipas Agron Tiganit, drejtor i kompanisë rajonale për ujë dhe kanalizim “Hidrodrini” në Pejë, ky investim ka ndihmuar në shërbimin me ujë të pijshëm për 185.000 banorë dhe në shërbime te ujërave të zeza për 60,000 banorë të komunës së Pejës, Istogut, Klinës dhe Junikut.

“ Investimet totale gjatë këtyre viteve kanë qënë afërsisht 4 milionë euro vetëm në rrjetin e ujësjellësit. Kemi pas projekte të shumta që nga rehabilitimi i ujësjellësit në Istog, rehabilitimi i gypësjellesit në zonat urbane në Pejë, Klinë, Junik, ndërtimi i stacionit të ri të pompimit në Pejë, vendosja e valvulave të ajrit, vendosja e pusetave në Klinë. Një projekt shumë i rëndësishëm është edhe ndërtimi i dy rezervuareve në Pejë nga Banka Gjermane me një kapacitet prej 3 milionë litra ujë, i cili sivjet ka hyrë në funksion dhe ka zgjidhur problemin e ujit të pijes sidomo në sezonin e verës dhe në zona të larta“, thote Tigani.

4 milionë euro vetëm në ujësjellësin e rajonit të Pejës

Agron Tigani, drejtor i kompanisë “Hidrodrini” Pejë
Mirëpo, përkundër investimeve të tilla kapitale, ende ka qytetarë të cilët ankohen për mungesën e ujit të pijshëm dhe reduktimeve drastike.

“Ne jemi të informuar mirë për investimet gjermane në rajonin e Pejës, Por ne ende nuk e kemi të qartë përse gjithë kjo mungesë uji, kur në lagjen time, megjithëse banoj në katin e tretë kemi vetem 6 orë ujë, nga 12 deri në 6 të mëngjesit, ndërsa në orët e tjera nuk ka. Pra, një jetë tërësisht e çrregulluar”, thotë Nezir Balaj, me banim në një lagje të Pejës.

Kjo ndodh për shume arsye dhe ky problem pritet të zgjidhet nga investime të tjera, shpjegon Tigani.

“Mungesa e e rreshjeve, keqperdorimi i ujit nga popullata, kyçjet ielgale dhe shfrytëzimi i ujit të pijshëm për ujitje, janë disa nga arsyet. Ndërkohë që kemi ndërmarrë aksione me policinë për 30-40 shkyçje brënda muajit. Pagesa nuk bëhet me kohë. Gjatë vitit të kaluar shkalla e arkëtimit ka qënë 63-64 per qind, edhe pse kompania “Hidrodrini” e ka tarifën më të ulët në Kosovë, me vetëm 0.27 cent për nje meter kub ujë. Ndërsa, falë qeverisë gjermane Rrafshi i Dukagjinit e ka të hartuar fizibilitetin për trajitmin e ujërave të zeza, për çfarë presim edhe ndarjen e donacioneve për rrjetin e kanalizimit si dhe për trajtimin e ujërave të zeza, i cili nuk është bërë ndonjëherë dhe ujërat e zeza derdhen në lumenj”.

Gjermania ka investuar 230 milionë euro për zhvillimin e Kosovës

Ende në Kosovë ka mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët
Qeveria e Gjermanisë është donator i rëndësishëm për Kosovën, i cili që nga përfundimi i luftës ka ofruar mbështetje në sektorë të shumtë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, thotë Menderes Ibra, këshilltar i ministrit për ekonomi dhe financa në qeverinë e Kosovës.

“ Zotimet e përgjithshme të qeverisë Gjermane për bashkëpunim me Kosovën për këto 12 vite deri në takimin e shtatorit janë rreth 230 milionë euro. Projekte të shumta janë zhvilluar dhe po zhvillohen me përkrahjen e Gjermanisë, për të cilat qeveria është shumë mirënjohëse dhe falenderuese“, thotë këshilltari Ibra.
28.3 milionë euro shtesë për sektorë të ndryshëm.

Në konsultimet e përvitshme ndërqeveritare për bashkëpunim politik zhvillimor në mes të Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë -të pestat me radhë që nga pavarësimi i Kosovës me 2008 – Gjermania si donatori i dytë më i madh pas SHBA-ve, premtoi mbështetje të metutjeshme për Kosovën.

“Me qëllim të implementimit të reformave të nevojshme në kuadër të procesit të përafrimit të Kosovës me BE-në, gjatë këtyre konsultimeve janë zotuar mjete në vlerë prej 28,3 milionë eurove, të cilat i shërbejnë implementimit të projekteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, në fushën e energjetikës dhe ujërave, si dhe të arsimit të ulët”,njoftoi Ambasada Gjermane në Prishtinë me anë të një komunikate.

Sipas Ibraj, qeveria gjermane deri me tani ka kontribuar në fushën e ekonomisë, financave, energjisë, bujqësisë dhe zhvillimit rural, sektorin e ujërave, të arsimit dhe edukimit, rritjen e punësimit, në ngritjen e kapaciteteve si dhë në projekte të shoqërinë civile.

“Ndërsa, shuma prej 28.3 milionë eurosh është planifikuar që të orientohet në: infrastrukturë – 18 milion euro; në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe promovimin e punësimit -7.2 milion euro; në arsim -2.5 milion euro si dhe 0.6 milionë euro në zhvillimin demokratik, shoqëri civile dhe në administratë publike”.kohaislame

Bankat 37 milionë fitim e për këtë pëson populli

Në vititn 2005 sektori bankar në Kosovë ka pasur fitim 13.5 milionë euro kurse gjashtë vjet më vonë ai është rritur në 37 milionë euro, kjo për shkak të kamatave dhe shërbimeve bankare më të larta në rajon.

Të gjitha analizat tregojnë se kamatat e bankave në Kosovë janë më të larta në rajon, bile në krahasim me Shqipërinë janë qind për qind më të larta, bankat më të mëdha komerciale thonë se kamatat e tyre nuk dallojnë nga rajoni.
Ata arsyetohen se ato duhet të jenë të tilla për shkak të mjedisit ekonomik në Kosovë duke u thirrur edhe në rrezikun e moskthimit të kredive.
Mesatarja e kamatës së kredive në Kosovë është 14 për qind. Shifrat e publikuara ditët e fundit nga Instituti “Riinvest”, tregojnë se normat e matura të kredive në Kosovë shënonin dyfishin e kredive të bankave komerciale në rajon, shkruan “Zëri”.

Thonë se nuk janë më të shtrenjtit

Zyrtarë të bankave në Kosovë pranojnë se kamatat e kredive janë të larta, por, sipas tyre, nuk dallojnë shumë nga rajoni.
“Ne edhe më herët kemi deklaruar se normat e interesit për kredi në Kosovë janë të larta, por në përgjithësi, nëse i krahasojmë me normat e interesit të vendeve të rajonit, shumë nga kreditë që ofrohen në Kosovë ofrohen me norma të interesit të krahasueshme me ato të rajonit. Gjithashtu, dëshirojmë të përmendim se në krahasim me vendet e rajonit, Kosova si shtet i ri është përballur me shumë sfida”, ka thënë Iliriana Tahiraj, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Raiffeisen Bank.
Sipas saj, përcaktimi i normave të interesit në Raiffeisen Bank në Kosovë varet nga risku, shuma dhe afati i kredisë, qëllimi i kredisë, historia e klientit me bankën, plani i biznesit dhe i investimeve.
“Nëse i krahasojmë normat e interesit që janë ofruar nga banka jonë kur kemi filluar punën në Kosovë me normat e interesit që i ofrojmë tani, vërehet një rënie e vazhdueshme e këtyre normave”, ka përfunduar ajo.

Numërojnë rreziqet

Drejtori Gjeneral i ProCredit Bank-ës, Ilir Aliu, ka thënë se portofoli i kredive në Kosovë dallon nga përmbajtja me ato të rajonit pasi që, sipas tij, në Kosovë kreditë afatgjata hipotekare ende nuk janë të zhvilluara duke marrë parasysh kushtet e tregut që në shtetet e rajonit ndikojnë në mesataren e kredive.
“Sa u përket kredive për ndërmarrjet e vogla e të mesme, besojmë që nuk ka ndonjë dallim të madh. Procesi i uljes së kamatave bazohet në rregulla që marrin në konsideratë riskun e përgjithshëm të industrisë bankare, riskun e secilës kredi të shqyrtuar, mbështetjen ligjore për sigurimin e kredisë, koston e fondeve, koston e kapitalit, koston e procesimit të kredisë, kërkesën dhe ofertën, pastaj faktorët e jashtëm si zhvillimi ekonomik, inflacioni e të tjera”, ka thënë Aliu.
“Vitin e kaluar ProCredit Bank ka zbritur normat e interesit për kredi biznesi deri në 2 %. Ky lehtësim për bizneset vendore është bërë për të mbështetur dhe stimuluar afaristët kosovarë në zgjerimin e bizneseve të tyre. ProCredit Bank ka ndërmarrë këtë hap pasi është e bindur se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme krijojnë numrin më të madh të vendeve të punës në Kosovë dhe stimulojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, ka thënë ai.

Gazeta ka insistuar të marrë përgjigje edhe nga bankat tjera që operojnë në Kosovë por nuk i janë përgjigjur pyetjeve./Indeksonline/.
Sipas Riinvest:

Profiti i bankave 2005 – 13.5 milionë euro
2011 – 37 milionë euro

Normat:

Shqipëri – 6,88 %
Mal të Zi- 9,2 %
Serbi- 11 %
Kosovë – 14 %

Bujqësia shqiptare tërheq vëmendjen e zviceranëve

Itinerari i specialistëve nga Zvicra përmbante kryesisht vizita në vreshta, sera, kopshte perimesh dhe ferma kafshësh.

Një grup me 20 specialistë të bujqësisë organike nga Zvicra po zhvillojnë një vizitë 6 ditore në Shqipëri për të parë nga afër prodhimet bio të saj, dhe për të studiuar mundësitë e zhvillimit më të madh të kësaj fushe.

Specialistët zhvilluan një tur në një mori fermash dhe njësi të prodhimeve bio në Tiranë, Durrës, Lushnje, Vlorë, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë. Shumë prej tyre erdhën fillimisht me ndrojtje në Shqipëri me informacionin e pakët mbi një vend jo shumë të njohur në Zvicër. “Besoj se Shqipëria ka potenciale të mëdha dhe të pashfrytëzuara për të zhvilluar bujqësinë organike dhe turizmin – thotë specialisti Eric Meili. – Në sipërfaqe të vogla prodhimet organike dalin me cilësi të shkëlqyer”.

Itinerari i specialistëve nga Zvicra u përgatit nga Shoqata Shqiptare e Marketingut dhe përmbante kryesisht vizita në vreshta, sera, kopshte perimesh dhe ferma kafshësh. “Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje – thotë specialisti Peter Kuchler – është se të gjithë këta përpunues e kanë filluar prodhimin e tyre me sasi të vogla, me punishte dhe sipërfaqe të vogla dhe më pak bashkëpunëtorë, dhe kjo do të thotë se ruhet cilësia e produktit. Duhen vetëm dy orë fluturim për të ardhur në Shqipëri dhe europianët duhet të mësojnë mbi këto potenciale bujqësore të këtij vendi. Një tjetër cilësi e veçantë e prodhimeve bio shqiptare është se ato edhe shërbehen me shumë kulturë e dëshirë nga prodhuesit e tyre”.

Agjencitë turisitike shqiptare po krijojnë tani edhe një hartë me shtëpitë e agriturizmit, e cila po zmadhohet me shpejtësi. “Gjëja më mbresëlënëse është që në praktikë bujqësia organike shqiptare është zhvilluar shumë – thotë specialisti Martin Lichtenhalm. – Fermerët kanë fituar shumë njohuri dhe i kan zbatuar në praktikë, por janë krijuar edhe institucionet e para që hapën rruëgn për zhvillimin e bujësisë organike. Është ngritur Instituti i Bujqësisë Organike, kemi një trupë certifikimi, që quhet Albinspekt, për certifikimin e fermerëve dhe produkteve organikë, kemi edhe një organizatë tjetër Shoqata Shqiptare e Marketinugt (AAM) që shpërndan shumë informacion në Europë”.

Sipas Institutit të Statistikave, eksportet bujqësore shqiptare po shtohen nga viti në vit drejt vendeve të BE-së, megjithëse Shqipëria i ka kufijtë e hapur për çdo import bujqësor nga vendet fqinje për shkak të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Prodhimet shqiptare pëlqehen kryesisht prej faktit se janë bio dhe të pamodifikuara genetikisht. Ky origjinalitet, pohojnë ekspertët, ka rritur mjaft vlerat konkurruese të prodhimeve shqiptare./voa

Të rinjtë shpenzojnë 2 – 10 euro në ditë

Çmimet e larta në tregun e artikujve të konsumit të përditshëm, përballë pagave mesatare që në Kosovë sillen rreth 360 euro, përcaktojnë edhe mundësitë e shpenzimeve nga ana e të rinjve në vend, varësisht nga ajo se a varen nga buxheti i familjes apo nga të ardhurat që fitojnë me punën e tyre.

Kështu vlerësojnë disa të rinj, të cilët thonë se karshi nevojave të tyre, mundësitë e shpenzimeve nuk janë të mjaftueshme, si pasojë e pafuqisë së tyre blerëse.

Në rubrikën tonë të përjavshme për të rinjtë VOX, ata thonë se gjatë një dite shpenzojnë prej 2 deri në 10 euro, ndonëse jo të gjithë shpenzojnë njëjtë dhe në kushte të njëjta.

Dren Krasniqi, është nxënës i shkollës së mesme, shpreh mendimin se shpenzimet mesatare që ai i bën brenda një dite, nuk janë edhe aq të mëdha.

“Mua dita më kushton rreth dy deri tri euro. Varet, të premteve kur dalim, kushton më shumë, prej 5 deri në 6 euro. Ditëve të tjera shpenzojmë për bukë, të premteve dalim në kafene. Shpenzimet për kolegj i paguan babi”.

Edhe Fitore Avdiu është nxënëse e shkollës së mesme. Por, sipas saj, dita i kushton më shumë se 5 euro dhe kjo është, siç thotë ajo, pasojë e të mos kursyerit të parasë nga vet ajo.

“Një ditë e imja, diku arrin maksimumin deri në 10 euro. Minimumi, 4 ose 5 euro. Të gjitha këto para shkojnë në telefon, ushqim, në shëtitje me shokë e me shoqe. Duhet të kursejmë më shumë, por ne nuk po kursejmë. Mundësitë i kam dhe nuk i kam, sepse punon vetëm prindi im. Të kisha punuar vet nuk kisha harxhuar kaq shumë. E kemi gabim, sepse duhet t’i kuptojmë prindërit dhe të mos harxhojmë kaq shumë”.

Por, studentët thonë se nevojat dhe obligimet e tyre janë shumë më të mëdha se sa të nxënësve të shkollës së mesme.

Por, a shpenzojnë më shumë se ata?

Jo të gjithë studentët kanë përgjigje të ngjashme. Visar Bajraktari, student i Fakultetit Ekonomik, thotë se jeton në Prishtinë dhe se lehtësim për të është se nuk paguan për banimin.

“Unë këtu kam shpenzime më pak se sa ata që janë të ardhur prej vendeve tjera, sepse unë banoj këtu. Mesatarisht 3 euro në ditë i shpenzoj. Tamam, për një student, kisha për të thënë se nevojiten 5 euro në ditë. Për shembull, ke ligjërata gjithë ditën. Një porcion bukë të hash, më i thjeshti, kushton 1 euro e gjysmë. Edhe 1 euro e gjysmë për kafe. Sigurisht që shkaqet ekonomike ndikojnë në këto gjëra”.

Ndryshe mendon Erxhan Tërpeza, student në Fakultetin të Muzikës. Ai thotë se shpenzimet brenda një ditë i ka mjaft të mëdha.

“Të themi të drejtën, vetëm bukë për të ngrënë, është vështirë ta kalosh ditën vetëm me 3 euro. Për një student është vështirë, sepse gjithë ditën lexon, lodhet dhe truri kërkon. Afërsisht, aty rreth 7 deri në 10 euro shkojnë për një ditë, ushqim dhe gjëra tjera. Ndonjëherë dalim të pijmë kafe. Më shumë janë kërkesa ditore se sa diçka tjetër. Ushqimi është shumë i shtrenjtë dhe ndonjëherë edhe qejfi për të dalë. Për ne është shumë shtrenjtë”.

Fatbardha Arifi studente në drejtimin e ekologjisë, po ashtu mendon se mesatarja e shpenzimeve ditore për një student që vjen në kryeqytet për të studiuar është 10 euro.

“Unë jam studente dhe natyrisht jetoj larg familjes dhe shkollohem. Kështu që duke marrë parasysh ushqimin, ndonjë libër ose ndonjë gjë që duhet fotokopjuar, afërsisht, ndodhë që brenda ditës t’i harxhojmë deri në 10 euro. Ndonjëherë na bie që të shpenzojmë më shumë, e ndonjëherë më pak, por mesatarisht na bie rreth 10 euro në ditë”.

Diferenca e shpenzimeve nuk është e madhe as ndërmjet studentëve dhe të rinjve që kanë përfunduar studimet dhe tash janë të punësuar.

Edhe atyre, dita ju kushton ngjashëm, varësisht nga rrethanat.

Por, ata thonë se krahasuar me të ardhurat e tyre, çmimet janë të larta dhe kjo reflekton edhe në atë se sa shpenzojnë ata. Kështu thotë edhe Heroid Qorolli, i punësuar si kontabilist.

“Harxhimet janë të përditshme, do të thotë, gjërat elementare si ushqimi dhe pijet, por që nëse i krahasojmë në bazë të të ardhurave dhe rrogave që i kemi janë shumë të shtrenjta. Brenda ditës unë nuk harxhoj më shumë se 4 euro për përmbushjen e nevojave elementare. Unë kam pak fat sepse e kam rrogën pak më të lartë se sa zakonisht në Kosovë, por për shumicën e të rinjve janë shumë. Do të thotë, me pagat e tyre nuk arrijnë asgjë më shumë. Me atë pagë nuk mund t’i përmbushin nevojat që i kanë”.

Liridona Stublla, thotë se është studente dhe njëkohësisht edhe e punësuar. Por, mundësitë e shpenzimeve të atyre që punojnë dhe të atyre që studiojnë, ajo nuk i sheh të njëjta.

“Ndoshta ditën e mbylli me 7 deri në 10 euro. I plotësoj kërkesat e mija, shumicën po, duke marrë parasysh që edhe punoj. Por, një student që nuk punon, normal, ndoshta me 2 euro e kalon ditën dhe nuk mund t’i plotësojë kërkesat e veta. Çdo ditë është rutinë. Është ushqimi, transporti, e ndoshta ndonjë herë edhe me dalë”.

Ndërkaq, Marigonë Krasniqi, është e punësuar në një bankë në kryeqytet. Por, sipas saj, shpenzimet ditore i ka modeste dhe vetëm për gjërat elementare.

“Unë që punoj, arsyetohet të harxhoj deri në 5 euro, po mendoj, për kafe, ushqim, transport. Aq janë limitet dhe aq arsyetohet me rrogat që i kemi”.

Çmimet e ushqimeve në Ballkan arrijnë rekorde të reja

Artikujt ushqimorë arritën çmime rekord në shtator pas thatësirës së verës e kostoja në rritje e ushqimit në tregjet botërore pati ndikimin e saj edhe në Ballkan.

Në tregun e Shkupit, qytetarët po blejnë zarzavate e fruta për t’u përgatitur për dimrin, por thonë se çmimet tani janë shumë më të larta se më 2011 e nuk do të jenë në gjendje të përgatisin gatimet tradicionale.

Tregtarët pranojnë se çmimet janë rritur këtë vjeshtë, por si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve në tregjet botërore.

Thatësira në SHBA e Kanada ka shkaktuar prodhim më të ulët të misrit e sojës këtë vit, ndërsa prodhimi i ulët në Ukrainë, Rusi e Kazakistan ka shkaktuar rritjen e çmimet të grurit, thanë tregtarët maqedonas.

Jordan Iliev, 55 vjeç ka shitur vezë në tregun e Shkupit prej vitesh. Ai tha se është i detyruar të ngrejë çmimet këtë muaj e pret që t’i rrisë sërish së shpejti.

“Ka një rritje të madhe të ushqimeve bazë,” tha ai. “Për shembull, ferma jonë bleu misër për ushqim dje me çmimin 0.303 euro për kilogram, që është jashtëzakonisht i lartë. Në supermarkete çmimet e vezëve janë edhe më të larta se këtu, në tregun fshatar. Dhe ndoshta do të shohim rritje të mëtejshme të çmimeve.”

Ministri maqedonas i Bujqësisë, Pyjeve e Furnizimit me Ujë Ljupco Dimovski tha për SETimes se qeveria po vëzhgon nga afër rritjen e çmimet të ushqimeve bazë e po përgatit masat ndihmëse.

“Maqedonia nuk është një ishull i izoluar,” tha Dimovski. “Vendi është pjesë e ekonomisë e tregjeve botërore dhe duhet të pritet që rritja botërore e çmimeve do të pasqyrohet në tregun vendas. Qeveria është këtu për të ndërhyrë me disa masa e për të ndaluar këtë prirje të rritjes [së çmimeve] ose të neutralizojë ndikimin e saj.”

Çmimet e ushqimeve në tregjet botërore u rritën me një mesatare prej 10 përqind nga qershori në korrik, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore. Të dhënat e Agjencisë Maqedonase të Statistikave tregojnë se çmimet e ushqimeve në gusht, të krahasuara me të njëjtin muaj vitin e kaluar, u rritën me 2.8 përqind. Çmimet e frutave, zarzavateve e peshkut u prekën më rëndë./set

Kush detyron bizneset të falimentojnë?

Në Kosovë, vetëm gjatë këtij viti kanë falimentuar 714 biznese private, ndërsa janë regjistruar 6 mijë e 960 biznese. Sipas autoriteteve kompetente, arsyeja e shuarjes së bizneseve, është vullnetare.

Por, njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se numri i bizneseve të shuara është më i madh, por për shkak të procedurave të tepërta, për shuarjen e tyre, pronarët hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë.

Naser Graiçevci, ekspert i ekonomisë, njëherazi ish drejtor në agjencinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, thotë arsyet janë të shumta.

Ai, prej se nuk punon në institucionet shtetërore, thotë se i vëren elementet negative që pengojnë zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Sipas tij, disa pengesa në këtë fushë fillojnë që nga Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës. Për të funksionuar një biznes, thotë ai, duhet gjithsesi të kenë lidhje më inspektorët e këtyre institucioneve.

“Një ndërmarrje, për të prosperuar, duhet të këtë një inspektor ‘të njohur’ në Administratën Tatimore dhe doganat, nëse nuk dëshiron të dënohet. Dhe, automatikisht kjo ndikon në krijimin e një konkurrencë jolegale. Do të thotë, të gjitha pikave prej doganës, ATK-së, janë procedura të stërzgjatura, që unë mendoj se inspektorët i bëjnë në krye në vete, por prapë përgjegjësia bie mbi ata që udhëheqin këto institucione. Sepse duhet të ketë sistem të monitorimit dhe kontrollimit”, deklaron Graiçevci për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai përmend edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në shuarjen e bizneseve në Kosovë.

“Faktorët janë të shumtë, ndikimet e krizës globale ekonomike që po vijnë te ne, politikat jo të favorshme financiare, procedurat e tepërta edhe më tutje, përkundër që thuhet se është bërë eliminimi i disa lejeve dhe licencave. De fakto niveli lokal ka zgjedhur format tjera, me të cilat ngarkon biznesin me këto çështje dhe në përgjithësi ky është ai ambienti që bizneset, falë gjeturisë së tyre mbijetojnë, jo nga fakti që është krijuar një ambient prosperues apo ambient që nxitë zhvillimin ekonomik”, thekson Graiçevci

Naim Gashi, konsideron se shuarja e bizneseve paraqet sinjal jo të mirë për përmirësimin ekonomik të Kosovës.

“Klima e bizneseve në Kosovë nuk është e favorshme për t’u rritur numri i bizneseve, për t’u zgjeruar dhe zhvilluar, pasi që trendi i zhvillimit ekonomik në përgjithësi ka shënuar një ngadalësim të zhvillimit ekonomik gjatë këtij viti, dhe këto janë pasoja anësore të cilat reflektojnë edhe përmes shuarjes së bizneseve”, shprehet Gashi.

Gashi, ndërkaq vlerëson se sektori privat në Kosovë duhet të jetë promotor i zhvillimit ekonomik, kështu që ky sektori kërkon vëmendje të shtuar nga autoritet kompetente.

Ai thotë se sektori privat në Kosovë është i interesuar prej vendimmarrësve vetëm nga këndvështrimi i vjellës se taksave të tyre, ndërsa nuk ka ndonjë politikë fiskale favorizuese karshi tyre.

“Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, në çdo vend në tranzicion, siç është Kosova, kanë gjeneruar vende pune, kanë gjeneruar zhvillim. Prandaj, fokusi dhe krijimi i privilegjeve ndaj tyre, lehtësirave të ndryshme, përmes kamatave, politikave fiskale, do të ishte një injeksion shumë i mirëpritur për zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë Gashi.

Sidoqoftë, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, prej vitit 2000 e deri më tani, janë regjistruar gjithsej 117.153 biznese private.

Mollët vendore në treg

Sezona e vjeljes së mollëve ka filluar. Kultivuesit e kësaj peme, tashmë i kanë plasuar prodhimet e tyre në tregun vendorë. Ata thonë se sivjet rendimenti dhe cilësia e mollëve është pak më e mirë se sa viteve të kaluara dhe kjo falë ngritjes së pemishteve të reja dhe falë përforcimit të kapaciteteve të tyre teknike për kultivimin e kësaj peme.

Safet Blakaj nga shoqata e mollëve “Pema” në Kovragë, tha se sivjet kultivuesit e mollës janë të kënaqur me rendimentin, që përkundër thatësisë që ka mbretëruar gjatë kësaj vere, ka shënuar një rritje të vogël. Sipas tij, viteve të fundit ka pasur një rritje përreth 25 për qind në prodhimtarinë e mollëve. “Brenda një viti, anëtarët e shoqatës “Pema” prodhojnë rreth 1500 tonë mollë, gjë të cilin e presim edhe sivjet, pasi që është ngritur edhe cilësia e kësaj peme dhe në prodhim dalin edhe pemishtet e reja të mollës, të cilat i kemi ngritur me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë. Zgjerimi i pemishteve tona, ka ndikuar që viteve të fundit të na rritet prodhimtaria e mollës për 25 për qind”, tha Blakaj.

Isuf Cikaqi, drejtor i Departamentit të Prodhimtarisë së Bimëve në Ministrinë e Bujqësisë, thotë se për të rritur prodhimtarinë e mollës, Ministria e Bujqwsisw ka investuar në shumë projekte përmes të cilave ka shtuar sipërfaqet e mbjella, por ai, pranon që në nivel vendi ka edhe shumë hapësirë për t’i rritur kapacitetet prodhuese të mollës. “Duke parë interesimin e fermerëve për kultivimin e mollës, Ministria e Bujqësisë që tre vite radhazi i përkrah fermerët në shtimin e sipërfaqeve me mollë dhe në rregullimin e infrastrukturës përcjellëse të pemishteve, të cilat arrijnë vlerën në rreth një milionë euro, ndërsa në tërë territorin e vendit tonë, sipërfaqet e mbjella me mollë arrijnë në mbi 1530 hektarë dhe prodhimi i mollës arrin në mbi 30 mijë ton në vit”, thotë Cikaqi.

Ai tha se fermat tradicionale me mollë përfshijnë një sipërfaqe prej 800 hektarësh, fermat gjysmë-komerciale 480 hektarë dhe ato komerciale një sipërfaqe prej 250 hektarë me mollë. Ndërsa, në bazë të numrit të fidanëve të prodhuar dhe importuar në vendin tonë, çdo vit në Kosovë mbillen mbi 100 hektarë të rinj me mollë.

Ministria e Bujqësisë, gjatë viteve të kaluara ka investuar në 297 projekte të fermerëve për ngritjen e pemishteve dhe rregullimin e infrastrukturës përcjellëse, në vlerë prej rreth 932 mijë euro, përmes së cilave ka arritur t’i shtojë dhe rregullojë 223 hektarë të mbjellë me mollë. Ndërsa, deri më tani, në kuadër të programit të sivjetmë, Ministria e Bujqësisë ka miratuar edhe 65 projekte të reja për pemishte, që arrin vlerën në rreth 603 mijë euro.kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
18 ° C
18 °
18 °
61 %
1.8kmh
1 %
Sat
27 °
Sun
30 °
Mon
29 °
Tue
30 °
Wed
30 °