Ballina Blog

Blerja e tokës dhe shitja e saj para se të paguhet çmimi i plotë?!

Pyetje: Kam bërë një marrëveshje me një person për të blerë një copë tokë prej tij dhe i kam dhënë një shumë parash paraprakisht. Pjesa e mbetur do të paguhet në një datë të caktuar dhe pastaj toka do të regjistrohet në emrin tim.

Tani një person tjetër më ka kërkuar që t’ia shes tokën atij me një çmim më të lartë, në mënyrë që ditën e regjistrimit toka të regjistrohet në emrin e tij në vend të emrit tim. Pronari i parë i tokës do ta marrë shumën që është përmendur në marrëveshje, ndërsa diferenca do të jetë fitimi im. Të gjitha këto do të bëhen me dijeninë e pronarit të tokës.

A lejohet kjo marrëveshje në Islam?

Përgjigje:
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguari i Tij.

Ju thatë se keni bërë marrëveshje me një person për të blerë një tokë prej tij. Nëse me këtë nënkuptohet se kontrata e shitblerjes dhe kalimi i pronësisë nuk do të plotësohen derisa të paguhet i gjithë çmimi, atëherë nuk keni të drejtë ta shisni tokën para se ta zotëroni plotësisht.

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos shit atë që nuk e posedon.”
(E transmeton Ebu Davudi dhe të tjerë)

Edhe nëse kontrata e shitjes është bërë, por ju nuk e fitoni pronësinë e plotë derisa të paguani të gjithë shumën, atëherë nuk lejohet shitja e tokës, sepse nuk lejohet shitja që mbetet pezull deri në të ardhmen.

Por nëse keni për qëllim se e keni blerë tokën dhe jeni bërë pronari i saj, vetëm se ende nuk është regjistruar zyrtarisht në emrin tuaj, sepse shitësi ende e mban dokumentin dhe do t’jua japë pasi të paguani pjesën e mbetur, dhe ai ju ka dhënë leje ta shisni, atëherë nuk ka problem në këtë.

Prandaj, gjykimi varet nga natyra e marrëveshjes që është bërë mes jush dhe pronarit të tokës.

Nëse ju e keni blerë tokën dhe jeni bërë pronari i saj, por ai e mban dokumentin si garanci derisa të paguani të gjithë çmimin, dhe ju ka lejuar ta shisni, atëherë kjo lejohet.

Por nëse ende nuk jeni bërë pronar i saj dhe kjo do të ndodhë vetëm pasi të paguani të gjithë shumën, atëherë nuk lejohet ta shisni tani, sepse ndalohet shitja e asaj që njeriu nuk e posedon realisht dhe nuk mund ta dorëzojë.

Është më mirë të konsultoheni drejtpërdrejt me një dijetar, që t’ju pyesë për hollësitë e kontratës dhe çështjet që lidhen me të.

Allahu e di më së miri.

Burimi: islamweb.net /
Solli në gjuhën shqipe: pergjigje.net

Te banesa me qera a duhet të paguaj për dëmtimet?

Pyetje: Te banesa me qera a duhet të paguaj për dëmtimet?

Përgjigje: Nuk ka mospajtim mes dijetarëve të fikhut se banesa që i jepet qiramarrësit konsiderohet amanet (besim), prandaj ai nuk mban përgjegjësi për dëmtimin e pronës së marrë me qira, përveç nëse ka tejkaluar kufijtë ose ka treguar neglizhencë.

Tejkalimi këtu nënkupton që ai përdor pronën në një mënyrë që shkon përtej asaj që i është normale dhe e lejuar – sipas ligjit fetar, zakonit apo praktikës së zakonshme.

Ndërsa neglizhenca është mungesa e kujdesit të duhur që ai duhet të tregojë për ruajtjen e pronës.

Në “Enciklopedinë e Fikhut” (13/277) thuhet: “Dijetarët janë pajtuar se sendi i dhënë me qira është amanet në dorën e qiramarrësit. Nëse ai dëmtohet pa tejkalim apo neglizhencë nga ana e tij, atëherë ai nuk mban përgjegjësi. Por nëse ai tejkalon ose neglizhon ruajtjen e tij, atëherë ai është përgjegjës për çdo dëmtim apo pakësim që i ndodh sendit. Po ashtu, nëse ai e përdor përtej të drejtës së tij dhe ndodh dëmtimi, atëherë mban përgjegjësi.”

Po ashtu në (1/286) thuhet: “Nuk lejohet që mirëmbajtja e sendit t’i kushtëzohet qiramarrësit, sepse kjo çon në paqartësi të qirasë, dhe kontrata e qirasë bëhet e pavlefshme me këtë kusht, sipas të gjitha shkollave juridike.”

Në vendimin e ‘’Mexhma’ el Fikhij’’ thuhet: përgjegjësia për sendin e dhënë me qira bie mbi pronarin, jo mbi qiramarrësin; kështu që pronari mban dëmet që nuk vijnë nga tejkalimi apo neglizhenca e qiramarrësit.

Nëse qiradhënësi i kushtëzon qiramarrësit mirëmbajtjen (pra shpenzimet e detyrueshme për riparim), kjo nuk është e vlefshme; dhe nëse këto shpenzime i konsideron si qira, kjo gjithashtu nuk është e vlefshme, sepse janë të paqarta.

Prandaj, çdo dëmtim që ndodh nga përdorimi i zakonshëm nuk kërkon dëmshpërblim, si p.sh. përlyejra e mureve ose tymosja e tyre, çarja e bojës, ose prishja e pajisjeve si lavamanët, ceshmat etj.

Ndërsa çdo dëmtim që nuk vjen nga përdorimi normal duhet kompensuar, edhe nëse ka ndodhur pa qëllim, si p.sh. thyerja e lavamanit pa dashje, rënia e një objekti të rëndë që dëmton dyshemenë, qoftë nga një fëmijë apo dikush tjetër, apo vizatimet e fëmijëve në mure apo dyer. Në këto raste, qiramarrësi duhet të kompensojë dëmin, të zëvendësojë të thyerat, të riparojë dëmtimet dhe të pastrojë vizatimet, përveç nëse pronari ia fal atij.

Përktheu: Enis Arifi / https://www.rizgjimi.com/

Tregtia apo kamata?!

Tregtia lejohet në Islam sepse krijon vlerë dhe i sjell dobi shoqërisë, ndërsa kamata është e ndaluar sepse nxit shfrytëzimin.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet, sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si kamataria. Porse Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar. Ai të cilit i vjen këshilla nga Zoti i tij dhe i shmanget kamatës, le ta mbajë atë që tashmë ka fituar dhe fati i tij është në duart e Allahut. Ndërsa ata që i kthehen kamatës sërish, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.”
(Kur’an 2:275)

Dhe poashtu në një ajet tjetër Allahu jep një paralajmërim të fortë:

“O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë.”
(Kur’an 2:278–279)

Koment

Dallimi midis kamatës dhe tregtisë është dallimi midis shfrytëzimit dhe krijimit të vlerës.

  • Tregtia bazohet në rrezik, përpjekje dhe aktivitet real ekonomik. Ajo tërheq të gjitha palët e përfshira, ndërton komunitete dhe krijon mirëqenie.
  • Ndërsa kamata siguron fitim pa përpjekje; ajo shfrytëzon ata që janë në nevojë, përqendron pasurinë te të pasurit dhe krijon një cikël të pafund pabarazie.

Sot, shohim dëmet e sistemeve të bazuara në kamatë kudo: borxhe në rritje, kriza financiare dhe pabarazi në pasuri, ku të pasurit bëhen më të pasur ndërsa të varfrit vuajnë.

Kamata nuk është vetëm një çështje financiare, por është një katastrofë shoqërore dhe morale.

Mësim praktik:

Dil nga sistemi i kamatës duke e larguar paranë tënde nga llogaritë me interes dhe vendose pasurinë tënde në asete reale; investo në biznese, prona, ar dhe fusha të tjera hallall.

/IslamicFinanceGuru/

Frika nga varfëria

Shejtani përdor frikën nga varfëria për të të mashtruar, por Allahu premton falje dhe begati.

Allahu (SWT) thotë:

“Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.”

(Kur’an 2:268)

Koment

Është diçka shumë domethënëse. Shejtani na frikëson me varfëri kur i bindemi Allahut (p.sh. duke dhënë sadaka ose duke lënë kamatën), megjithatë janë taktikat e tij (grumbullimi i pasurisë, kamata, koprracia, bixhozi) që në të vërtetë çojnë në varfëri dhe shkatërrim. Premtimet e tij janë boshe.

Shejtani gjithashtu urdhëron për vepra të ulëta (imoralitet dhe mëkat), të cilat sjellin turp, dëm dhe humbje afatgjatë si në këtë botë ashtu edhe në ahiret.

Në kontrast, Allahu premton dy gjëra:

  • Falje – një fillim i pastër, edhe nëse gabojmë.
  • Mirësi (Fadl) – begatia e Tij e pafund, që përfshin jo vetëm pasuri, por edhe paqe të brendshme, bereqet dhe sukses.

Allahu nuk urdhëron asgjë që çon në dëm; rruga e Tij është gjithmonë e bazuar në mëshirë, dinjitet dhe begati.

Në thelb të këtij ajeti është një zgjedhje:

  • Ndiq gënjeshtrën e Shejtanit – kërko pasuri përmes mosbindjes dhe përfundo në varfëri, stres dhe shkatërrim shpirtëror.
  • Beso në premtimin e Allahut – fito falje dhe bereqet përtej asaj që mund të japë vetëm pasuria.

Mësimi praktik:

Refuzo taktikat frikësuese të Shejtanit dhe beso se begatia e Allahut është më e madhe se çdo kërcënim.

/IslamicFinanceGuru/

Shpenzo pasurinë tënde në rrugën e Allahut para se të jetë tepër vonë

Allahu i Lartësuar thotë:

“O besimtarë! Jepni pa u kursyer nga të mirat që ju kemi dhënë Ne, para se të vijë Dita (e Gjykimit) në të cilën nuk ka shit-blerje, as miqësi, as ndërmjetësi! Jobesimtarët janë keqbërësit e vërtetë.”

(Kurani 2:254)

Koment

Ky ajet na kujton se mund të shpenzosh për ahiretin tënd sot, por kur të përfundojë koha jote, nuk do të kesh mundësi të “blesh” shpëtimin tënd.

  • Pasuria jote nuk do të ketë vlerë në Ditën e Gjykimit; vetëm veprat e tua do të qëndrojnë për ty.
  • Miqësitë apo lidhjet nuk do të ndërmjetësojnë për ty, por sadakaja jote mund të ndihmojë.
  • Mos e vono dhënien. Çdo vepër bamirësie, sado e vogël, ka më shumë vlerë sesa mendojmë.

Mësime praktike

  1. Jep vazhdimisht: Bëje zakon.
  2. Kujto se koha jote po mbaron: Jep sa ke ende mundësi.

/IslamicFinanceGuru/

Shpenzimi në rrugën e Allahut është investim

Shpenzimi në rrugën e Allahut e shumëfishon pasurinë tënde shumë më tepër sesa mund të premtojë ndonjë treg financiar.

Allahu i Madhëruar e përshkruan bukur sadakanë:

“Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.”
(Kur’an 2:261)

Dhe Ai gjithashtu premton:

“Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish? Allahu e shtrëngon (riskun) dhe e liron; tek Ai do të ktheheni.”
(Kur’an 2:245)

Koment

Imagjino një investim ku të garantohet një kthim 100-fish. Jo nga lëvizjet e tregut, por nga premtimi Hyjnor.

Kurani paraqet një parim financiar që tejkalon çdo strategji të aksioneve, kriptovalutave apo pasurive të paluajtshme: pasuria e dhënë në rrugën e Allahut shumëfishohet pa masë.

Ndërsa aksionet dhe kriptovalutat janë të paqëndrueshme, të rrezikshme dhe të pasigurta, ky investim është i sigurt, i qëndrueshëm edhe në kohë krize dhe ka përfitim të pakufishëm.

Shpesh hezitojmë para se të japim, duke pasur frikë se pasuria jonë do të pakësohet, por Allahu na kujton se bujaria sjell shumëfishim, jo pakësim.

Mësimi praktik

1. Ndrysho mënyrën e të menduarit:
Shihe sadakanë si investim, jo si shpenzim.

2. Jep vazhdimisht:
Dije se pasuria jote po shumëfishohet në mënyra që ti nuk mund t’i shohësh.

3. Mendo afatgjatë:
Suksesi i vërtetë financiar nuk është vetëm kthimi i investimit në këtë botë, por arritja e shpërblimeve të përjetshme.

/IslamicFinanceGuru/

Fito dhe konsumo hallall

Allahu i Madhëruar na urdhëron:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ كُلُوا مِمَّا فِي الْأَرْضِ حَلَالًا طَيِّبًا وَلَا تَتَّبِعُوا خُطُوَاتِ الشَّيْطَانِ ۚ إِنَّهُ لَكُمْ عَدُوٌّ مُّبِينٌ

“O njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato gjëra të lejuara e të mira që gjenden në Tokë dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur.”

(Kurani 2:168)

Koment

Islami vendos kufij të qartë midis fitimit hallall dhe haram. Ky ajet nuk flet vetëm për ushqimin; ai trajton edhe mënyrën se si ne fitojmë dhe shpenzojmë pasurinë tonë.

I Dërguari ﷺ ka thënë:

“Përmendi një njeri që udhëton shumë, është i rraskapitur dhe i mbuluar me pluhur, i cili ngre duart drejt qiellit dhe thotë: ‘O Zoti im, o Zoti im!’ ndërkohë që ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, rrobat e tij janë haram dhe është ushqyer me haram. Si mund t’i pranohet lutja?”

(Muslimi)

Nga ky hadith kuptojmë se fitimet haram mund të bëhen pengesë për pranimin e duave. Prandaj, nëse kjo është diçka që lidhet me ty, kërko falje sa më shpejt dhe fillo të marrësh hapa për të pastruar financat e tua.

Mësimi praktik

Para se të pranosh një punë, marrëveshje biznesi ose investim, pyete veten:

A është kjo para vërtet hallall?

Nëse jo, është më mirë ta lësh dhe t’i besosh Allahut për diçka më të mirë.

Ja disa burime që mund të ndihmojnë:

  1. Karriera: Nëse puna jote përfshin praktika të dyshimta, kërko alternativa hallall. Mund të hulumtosh dhe të eksplorosh një listë punësh hallall me paga të mira.
  2. Hipotekat (kreditë për shtëpi): Hipotekat konvencionale nuk janë të lejuara; në vend të tyre kërko alternativa hallall.
  3. Llogaritë e kursimit: Shmang kursimet që bazohen në interes; në vend të tyre përdor llogari islame ose opsione hallall me të ardhura fikse.

 

/IslamicFinanceGuru/

Mos u shqetëso për problemet financiare

Allahu i Madhëruar na kujton:

وَلَنَبْلُوَنَّكُم بِشَىْءٍ مِّنَ ٱلْخَوْفِ وَٱلْجُوعِ وَنَقْصٍ مِّنَ ٱلْأَمْوَٰلِ وَٱلْأَنفُسِ وَٱلثَّمَرَٰتِ ۗ وَبَشِّرِ ٱلصَّٰبِرِينَ

ٱلَّذِينَ إِذَآ أَصَـٰبَتْهُم مُّصِيبَةٌ قَالُوٓا إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّآ إِلَيْهِ رَٰجِعُونَ

“Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!””

(Kurani 2:155–156)

Koment

Humbja e pasurisë, vështirësitë financiare ose përballja me pasiguri ekonomike nuk është vetëm një sprovë; ajo është një mundësi e madhe për të cilën ndoshta në moment nuk kemi njohuri.

Besimtari i vërtetë nuk e sheh vështirësinë si një pengesë, por si një mundësi për të fituar shpërblime të mëdha përmes durimit, falënderimit dhe mbështetjes tek Allahu.

I Dërguari ﷺ ka thënë:

“Sa i mrekullueshëm është rasti i besimtarit! Në çdo gjë për të ka mirësi, dhe kjo i takon vetëm besimtarit. Nëse i ndodh diçka e mirë, ai falënderon dhe kjo është mirë për të. Nëse i ndodh diçka e keqe, ai duron dhe kjo është mirë për të.”

(Muslimi 2999)

Kjo do të thotë se edhe vështirësitë financiare mund të sjellin bekime (bereqet), nëse ne reagojmë me mendësinë e duhur. Çelësi është të mbetemi të durueshëm, të ruajmë besimin tek Allahu dhe të vazhdojmë të veprojmë me përgjegjësi; të gjitha këto sjellin shpërblime të mëdha shpirtërore dhe materiale.

Mësimi praktik

Në kohë vështirësish:

  1. Kthehu tek Allahu: Shto duatë, kërko falje dhe beso se ditë më të mira do të vijnë.
  2. Vazhdo të japësh: Edhe një sadaka e vogël në kohë vështirësie mund të sjellë bereqet të madh.
  3. Zhvillo qëndrueshmëri: Shihe këtë si një mundësi për të rishikuar shpenzimet, për të zhvilluar aftësi dhe për të kërkuar mundësi të reja hallall.
  4. Qëndro falënderues: Përqendrohu në atë që ende ke, dhe Allahu do t’i shtojë begatitë e tua. (Kurani 14:7)

 

/IslamicFinanceGuru/

KURANI SI UDHËZUES PËR FINANCAT TONA

Allahu xh.sh. qysh në ajetet e para e paraqet Kuranin si udhëzim:

ذَٰلِكَ ٱلۡكِتَٰبُ لَا رَيۡبَۛ فِيهِۛ هُدٗى لِّلۡمُتَّقِينَ (2)

ٱلَّذِينَ يُؤۡمِنُونَ بِٱلۡغَيۡبِ وَيُقِيمُونَ ٱلصَّلَوٰةَ وَمِمَّا رَزَقۡنَٰهُمۡ يُنفِقُونَ (3)

وَٱلَّذِينَ يُؤۡمِنُونَ بِمَآ أُنزِلَ إِلَيۡكَ وَمَآ أُنزِلَ مِن قَبۡلِكَ وَبِٱلۡأٓخِرَةِ هُمۡ يُوقِنُونَ (4

أُوْلَٰٓئِكَ عَلَىٰ هُدٗى مِّن رَّبِّهِمۡۖ وَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡمُفۡلِحُونَ (5)

“Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit,të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe të cilët besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.” 

Surja El-Bekare 2-5

Koment

Si myslimanë, ne besojmë se Islami është një mënyrë e plotë jetese me udhëzime në të gjitha fushat e saj, përfshirë edhe financat tona.

Kurani (së bashku me librat e hadithit) përcakton kornizën se si duhet t’i menaxhojmë paratë tona në një mënyrë që përputhet me parimet hyjnore. Kurani na mëson se pasuria jonë është një besim (amanet) nga Allahu, dhe mënyra se si e trajtojmë atë pasqyron vetëdijen tonë për Të.

Ndërsa lexoni Kuranin, filloni të vini re se donacioni (sadakaja dhe zekati) përmendet shpesh së bashku me namazin. Ashtu siç jemi të qëndrueshëm me lutjet tona, duhet të jemi të qëndrueshëm në dhënie, duke pranuar se gjithçka që kemi është në fund të fundit nga Allahu.

Një mënyrë tjetër për ta parë është se ashtu siç namazin na lidh me Allahun, zekati na lidh me komunitetin.

Përmbledhje praktike:

Sigurohuni që baza për çdo vendim financiar që merrni vjen nga Kurani (qoftë mënyra se si i fitoni paratë tuaja, si i shpenzoni dhe si i investoni).

/IslamicFinanceGuru/

Arroganca shkencore

Dituria në kohën tonë bashkëkohore cenohet nga një problematikë, e cila gjendet shpesh në qarqet akademike, e ajo është arroganca shkencore. Arroganca shkencore paraqitet në të gjitha format e saj, si:
– nxitimi për të nxjerrë vendime fetare/fetva dhe kërkimi i meritave,
– të folurit për çështje të mëdha nëpër tubime e forume,
– qasja kundërshtuese ndaj çështjeve, kapja pas mendimit të vet dhe kundërshtimi i çështjeve konsensuale;
– dëshira për bajraktarizëm, për famë, për lavdërime, për lajka dhe llajka (likes),
– refuzimi për ta pranuar të vërtetën;
– përçmimi i të tjerëve;
– kritikimi i çdo mendimi tjetër dhe konfrontimi me oponentët,
– konsiderimi i vetes si përtëritës i kësaj feje dhe si një muxhtehid i kualifikuar për të ofruar justifikime të pavarura sheriatike,
– gjykimi i njerëzve si heretikë dhe jashtë kufijve të ligjit islam,
– pastaj mjerë e mjerë për ata që nuk pajtohen me të, sepse ata i trajton si të shkatërruar, si ata mbi të cilët ka zbritur zemërimi i Allahut, apo si të devijuar.

Nëse arroganca i kap kokën një të vetmashtruari,
Ai e imagjinon shpatullën e tij si një krah që fluturon.
Arroganca është shkak i privimit nga suksesi, i mungesës së bukurisë dhe shkëlqimit të dijes si dhe përfitimit nga ajo. Arroganca shkakton rënien intelektuale, shkencore dhe metodologjike, Pengon në arritjen e objektivave dhe ta humbë rrugën në oborr, duke pretenduar arroganti se po merret me infrastrukturën e dijes. Ata mendojnë se po bëjnë punë të mirë, por në realitet po shkatërrojnë projektet e ummetit, po rrënojnë themelet e fesë, po baltosin unitetin e ummetit dhe po dobësojnë themelet e tij. Ndërkohë, të tjerët janë ata që po angazhohen me ndërtimin dhe bashkimin e ummetit, duke e çuar përpara dhe duke i përgatitur njerëzit për të përmbushur detyrat e tyre ndaj fesë dhe popullit të tyre.
Kush ndihet i sigurt nga fatkeqësitë, për shkak të vetmashtrimit me mendimin e tij,
Fatkeqësitë do ta rrethojnë kah ai nuk e pret.
Arsyet kryesore për këtë gjendje janë:
– dobësia e edukimit moral dhe shpirtëror, i cili është lënë pas dore në shumë institucione arsimore dhe forume akademike,
– vendosja e liderëve jokompetentë në krye të institucioneve për shkencë dhe për predikim të Islamit.
– lavdërimet dhe lajkat e tepërta,
– etj.
Prandaj, vëmendja ndaj zhvillimit moral dhe shpirtëror është thelbësore. Allahu i Plotfuqishëm e përmendi atë në dy vende në Librin e Tij, duke filluar me zhvillimin moral përpara arsimimit në thirrjen e profetëve. Gjithashtu, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kërkoi mbrojtje te Allahu nga dija që nuk sjell dobi.

O brez i dijes!
Pajisuni me modesti teorike dhe praktike në të gjitha format e saj të ndritshme dhe të bukura, dhe kini kujdes nga arroganca intelektuale në të gjitha format e saj të mjerueshme, dobësuese dhe të shëmtuara. Jini shembuj të shquar të përulësisë intelektuale.
Allahu na dhëntë përulësi e modesti dhe na mbroftë nga arroganca dhe rreziqet e saj!

Fehd El-Ammari, gjykatës i Apelit në Meke

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
21.5 ° C
21.5 °
21.5 °
49 %
4.1kmh
0 %
Fri
21 °
Sat
27 °
Sun
26 °
Mon
28 °
Tue
28 °