Ballina Blog Faqe 713

Kosova në presion social

Papunësia në Kosovë, e cila ka arritur në shkallën 44.9 për qind, është si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale dhe procesit të privatizimit, i cili si i tillë nuk gjeneron vende të reja pune, por i reduktoi edhe atë që ishin, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Ata thonë se në një periudhë të gjatë kohore, rritja ekonomike ne Kosovë nuk u shndërrua në zhvillim ekonomik. Sikur rritja ekonomike do të ishte shndërruar në zhvillim ekonomik, sipas tyre, do të kishte një zbutje të papunësisë dhe zbutje të varfërisë në vend.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkalla e lartë e papunësisë ndërlidhet me zhvillimin e deritashëm të sektorit privat. Siç thekson Sadiku, sektori privat ka pasur pengesa në zhvillim. “Një prej problemeve më serioze për rritjen e punësimit në Kosovë, mbetet mungesa e mbështetjes institucionale, mungesa e mbështetjes për të përmirësuar mjedisin biznesor dhe inkurajimi e iniciativave private për të gjeneruar më shumë vende pune”, thekson ai.

Pritje për krijimin e vendeve të reja të punës ka pasur gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, por që edhe në këtë rast, sipas profesor Sadikut, ndodhi e kundërta. “Procesi i privatizimit me të gjitha problemet e veta, me te gjitha pritjet që i kemi pasur, vërtetë nuk është dëshmuar si nj prej politikave për uljen e papunësisë në Kosovë. Prandaj, mbetet obligim i institucioneve që të punojnë më me ngulm të promovojnë politika te reja, sektorë të ri të ekonomisë, të aktivizojnë potencialet të cilat mund të shndërrohen në punësim, sepse Kosova gjendet në një presion të madh social”, shprehet Sadiku.

Ndërkohë, ulja e shkallës së papunësisë deri në vitin 2015, edhe sipas zhvillimeve në sektorin publik, nuk pritet të shënojë rënie, pasi që korniza afatmesme e shpenzimeve 2013-2015, e miratuar nga Qeveria e Kosovës, nuk parasheh punësim të ri.

Sipas kësaj kornize, zëvendësime dhe pranime të punëtorëve të rinj do të bëhen vetëm atëherë kur kërkohet me ligj, ose kur punëtorët aktualë pensionohen, apo nuk janë të gatshëm për punë.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri thotë se institucionet e Kosovës do të duhej të ishin më të organizuara për moskrijimin e kësaj përqindjeje të papunësisë. “Ekzistojnë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm për ngritjen e numrit të të punësuarve në Kosovë, është organizimi i qeverisë se sa duhet të jetë numri i studentëve për kokë banori në Kosovë”, bën të ditur Tahiri.

Orientimi i punësimit në sektorin privat, thekson Tahiri, është mënyra më e mirë e zvogëlimit të shkallës së papunësisë në Kosovë. “Nuk ka prodhueshmëri brenda Kosovës, pjesa dërmuese e tatimeve që i mbledh Kosova është në kufi. Kosova duhet të ndryshojë politikat, duhet t’i aktivizojë resurset dhe faktorët që shndërrohen në punësim më të madh dhe duhet të zgjidhen sektorët e ekonomisë që mund të jenë më prodhues, më të sigurt për një punësimi të qëndrueshëm”, thotë Tahiri.kohaislame

Turqia heq nga qarkullimi makinat mbi 20 vjeçare

Ministri turk i transportit, Ali Jellderem, deklaroi se është vendosur që të gjitha makinat që kanë mbi njëzet vjet në qarkullim, do të ndalohen të qarkullojnë në rrugët e vendit. Sipas tij, kjo bëhet për lehtësimin e trafikut.

Ai shtoi se makinave mbi 20 vjeçare, do u vihet një çmim dhe do të shiten për skrap. Për ti nxitur qytetarët që ti heqin makinat e tyre të vjetra, do u falen të gjitha gjobat dhe taksat pronarëve që i heqin makinat me dëshirën e tyre nga qarkullimi. /A.online/kohaislame

Sistemi Bankar, pengesë serioze karshi biznesit

Normat e larta të interesit dhe qasja e ulët në financa për biznese janë duke penguar në mënyrë serioze zhvillimin e sektorit privat, rrjedhimisht zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kështu thuhet në një analizë të quajtur Sektori Privat – Ndihmesë apo Barrierë, publikuar mërkurën nga Instituti “Riinvest” dhe Fondacionit i Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Kjo analizë përfshin hulumtimin e shërbimeve bankare, në theks të veçantë normat e interesit, si dhe një anketë me 600 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, lidhur me kamatat e kredive.

Kreditë janë rritur nga viti në vit, vetëm në vitin 2011, kreditë kanë shënuar rritje vjetore prej 16.6 për qind, ndërkaq kamatat për kredi individuale ishin 14.2 për qind, kurse për biznese 16.65 për qind, duke shënuar kështu normat më të larta të kredive në rajon.

Alban Zogaj, nga instituti “Riinvest” tha se rezultatet në këtë hulumtim tregojnë se sistemi bankar në Kosovë karakterizohet me një prezencë të madhe të kapitalit të huaj, ku 89.2 për qind e aseteve totale janë të menaxhuara nga bankat e huaja.

“Të gjitha kreditë më mbi 10 mijë euro janë të garantuara me kolateral, dhe kolatarali në Kosovë është 263 % e vetë kredive të lëshuara nga bankat. Do të thotë, bankat në Kosovë garantohen me një kolateral që ka një vlerë shumë më të madhe, e që në rajon është 126 për qind të vlerës. Dhe në konsiderojmë që kjo i bën me risk më të ulët kreditë e lëshuara në Kosovë”, tha Zogaj.

Ai tha se për shkak të hipotekës dhe normës sw lartë të kredive, bizneset hezitojnë të aplikojnë për kredi në bankat komerciale në vend.

Mbi 70 për qind e ndërmarrjeve të anketuara, tha ai, kanë deklaruar se shërbimet në sistemin bankar janë të pafavorshme për zhvillimin e veprimtarive të tyre.

“Rezultate e anketës tregojnë se vetëm 12 për qind e bizneseve të anketuara, kanë marrë kredi nga bankat, dhe kjo përqindje me të vërtetë është shumë e ulët dhe meriton një vëmendje të shtuar”.

“74 për qind e firmave në Kosovë nuk kanë aplikuar për kredi në vitin 2010, arsyet kryesore janë normat e larta të interesit, disa kanë thënë që nuk kanë nevojë për kredi pasi nuk kanë ndonjë vizion zhvillues, nuk besojnë dhe kolaterali është i pamjaftueshëm”, theksoi Zogaj.

Instituti “Riinvest” rekomandon ekzekutivin e vendit që të ndërmarrë masa për përmirësimin e sistemit ligjor dhe instrumentet e tij lidhur për mbrojtjen e sigurimin e kolateralit kreditor dhe njëherësh të gjejë forma për uljen e normave të kredive.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se kanë punuar në krijimin e mundësive për hapjen e tregut bankar, kenë eliminuar disa pengesa në këtë fushë, dhe që do të bëjnë përpjekje për zvogëlimin e kamatave të kredive.

“Besoj që raporti i publikuar sot është një kontribut shtesë në drejtim të gjetjes se shkaqeve për këto norma të larta të interesit duke ofruar edhe rekomandimet konkrete që duhet të merren nga politikbërësit, Banka Qendrore e Kosovës, dhe në mënyrë që kostoja e financimit të jetë e pranueshme për bizneset dhe qytetarët”, u shpreh ministri Hamza.

Ndryshe, në Kosovë veprojnë tetë banka komerciale. Normat e kredisë i përcaktojnë vetë bankat në bazë të politikave të tyre ekonomike. Banka Qendrore e Kosovës, ndërkaq vetëm i menaxhon dhe nuk ka të drejtë të ndërhyjë në politikat afariste të tyre./BS/kohaislame

Dy Sudanët, pakt për eksportin e naftës

Sudani dhe Sudani i Jugut kanë arritur një marrëveshje për sigurinë e kufijve dhe prodhimin e naftës, që do të mundësojë rifillimin e eksporteve nga Jugu i Sudanit përmes Sudanit.

Lajmin e ka konfirmuar një zëdhënës. Liderët e dy vendeve fqinje arritën marrëveshjen pas katër ditësh bisedime në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Abeba.

Por një numër çështjesh të tjera mbeten të pazgjidhura, përfshirë këtu rajonet e diskutueshme, për të cilat dy vendet arritën në prag të luftës më herët gjatë vitit.

Pasi luftimet për impiantet dhe territoret e diskutueshme shpërthyen, Kombet e Bashkuara kërcënuan me sanksione të dyja palët nëse nuk do të arrinin një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ndërmjetësit e Unionit Afrikan duhet ende të konfirmojnë se një marrëveshje është arritur, por presidenti i Sudanit, Omar al Bashir dhe ai i Sudanit të Jugut, Salva Klir pritet të hedhin firmën gjatë ditës së enjte.

Vetëm pak detaje janë publikuar për paktin, por negociatorët nga të dyja palët thonë se ato kanë rënë dakord për krijimin e një zone të çmilitarizuar.

Të njëjtat burime thanë gjithashtu se është arritur edhe një marrëveshje ekonomike, për të mundësuar rifillimin e prodhimit të naftës në Sudanin e Jugut.

Por një zgjidhje nuk është gjetur ende për rajonin e Abieit, që është bërë skenë e luftimeve të përgjakshme për shkak të pretendimeve për sovranitet të dy palëve./tch/kohaislame

SHBA mbështesin programet për zhvillimin e bujqësisë së Kosovës

Washingtoni dhe Prishtina nënshkruan një marrëveshje, e cila ofron kredi për bujqit dhe agrobizneset, me një vlerë prej 26 milion dollarësh
Në Kosovë, qeveria amerikane dhe ajo në Prishtinë nënshkruan një marrëveshje me të cilën mundësohet ofrimi i kredive për bujqit dhe agrobizneset, me një vlerë prej 26 milion dollarësh amerikan. Përfaqësuesit e të dyja vendeve e vlerësuan këtë marrëveshje si një ndihmesë të madhe për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, që shihet si një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik, por që kishte mbetur nën hijen e sektorëve të tjerë./voa

Merkel – Evropa të vazhdojë me reformën e dhembshme

Kancelarja Angela Merkel u ka tërhequr vërejtjen haptas fqinjëve të Gjermanisë në eurozonë, që kanë probleme, duke u thënë atyre se vazhdimi i reformave të dhembshme dhe politikat e ashpra buxhetore, janë e vetmja mënyrë për zgjidhjen e krizës së vështirë ekonomike në Evropë, e cila po thellohet, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze, Independent.

Këto komente kancelarja gjermane i bëri në fjalimin e saj në Federatën e Industrisë Gjermane, në një ditë të trazirave në bllokun euro.

Qeveria në Spanjë u ballafaqua me protesta masive në kryeqytetin Madrid, kundër kursimeve, ndërsa raportohet se Greqia ka mungesë prej miliarda eurosh në plotësimin e kushteve të ndihmës financiare.

Njëherësh, agjencia e rejtingut, Standard and Poor’s, përsëri e ka theksuar gjendjen e zymtë të ekonomisë së Bashkimit Evropian, duke parashikuar se eurozona nuk mund të kthehet në rritje deri së paku në vitin 2014.

Kundër këtij sfondi të errët, zonja Merkel ka këmbëngulë se “duhet të marrim frymë thellë për ta kapërcyer krizën” dhe ka shtuar se “duhet të bëjmë përpjekje që Evropës t’i mundësojnë dalje nga kriza më e fortë se kur ajo filloi”.

E përditshmja londineze, Independent, shkruan se kancelarja gjermane e ka pranuar se disa reforma të rënda në Evropën Jugore kishin ndihmuar, por tha se atje ka ende punë për tu bërë.

Tregjet, theksoi ajo, kanë dyshime lidhur me aftësinë e tyre për t’i paguar borxhet.

Komentet e saj ishin disi nën hije të vazhdimit të krizës në Spanjë dhe Greqi.

Qeveria në Athinë të martën e ka pranuar se do t’i duhen ndërmjet 13 e 15 miliardë euro fonde më tepër, nëse i jepet zgjatje dyvjeçare për planin e borxhit, të cilin ajo e ka kërkuar.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar, po ashtu, një raport të fundjavës, i cili pretendon se kushtet e ndihmës për Greqinë ishin në rrezik, për shkak të deficitit prej 20 miliardë eurosh, shumë dy herë më e madhe se sa mendohej.

“Disa thonë se kjo shumë është 14 miliardë, disa 20, e disa të tjerë thonë 30 miliardë”, ka thënë një zyrtar, shkruan e përditshmja Independent.

Sipas tij, shuma e vërtetë do të mund të dihej, pasi i ashtuquajturi “treshi” i inspektorëve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisioni Evropian, ta përfundoj vlerësimin për progresin e Greqisë në plotësimin e synimeve të reformave të veta.

Vendimi ndoshta mund të merret në nëntor të këtij viti.

Nëse Spanja do të kërkoj një ndihmë të re, që shkon mbi 100 miliardë euro, e premtuar nga ministrat financiar të eurozonës, për ta mbështetur sektorin e sëmurë bankar spanjoll, mbetet çështje kryesore.

Spanja është nën presion për të kërkuar program ndihmës të kufizuar nga Banka Qendrore Evropiane, e cila do të lejoj që banka të blej fletobligacione spanjolle dhe ta ulë çmimin e borxhit afatshkurtër.

Nga ana tjetër, kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, e ka hedhur poshtë idenë për uljen e pensioneve, që llogaritet se është ngarkesa më e madhe financiare e Spanjës.

Njëherësh, kundërshtimi i furishëm ndaj intervenimit të Bankës Qendrore Evropiane në tregun e fletobligacioneve, i paraqitur nga anëtaret e Parlamentit gjerman dhe Jens Weidmann, shef i lartë në Bundesbank, ka sinjalizuar se Gjermania nuk dëshiron që Spanja të vazhdoj me kërkesën për ndihmë të BQE-së./rel

Shqipëria me 55 multimilionerë, Maqedonia me 35

Shqipëria rezulton me numrin më të madh të multi – milionerë në Ballkan, ndërsa Maqedonia ka 35 multi-milionerë.

Kjo bëhet e ditur përmes një studimi mbi pasurinë të “World Ultra ëealth 2012-2013”, ku Shqipëria radhitet e 37-ta në Evropë sa i përket numrit të të pasurve milionerë, duke lënë pas shumë vende të Evropës dhe Ballkanit. Sipas raportit, Në Shqipëri janë 55 multi – milionerë, ndërsa vlera e përbashkët e pasurisë së tyre arrin në mbi 7 miliardë dollarë amerikan.

Raporti bën të ditur se në Maqedoni ka 35 multimilionerë, por edhe kjo shifër nuk është e pakët, pasi që Maqedonia radhitet në kuotat e larta, para Malit të Zi me 21 multi – milionerë, dhe pas Bullgarisë dhe Qipros që numërojnë nga 45 multi – milionerë.

Studimi ka përfshirë 53.441 persona të tillë që numërohen aktualisht në mbarë Evropën, ndërsa për Shqipërinë nuk ka pasur lëkundje sa i përket numrit të multi – milionerëve, për shkak se nuk ka lëvizur pasuria dhe bizneset e tyre. Derisa në shumë vende të tjera të Evropës, janë larguar nga lista e multi – milionerëve mbi 1.050 veta, që nuk gëzojnë epitetin multi – milionerë, për shkak të krizës financiare dhe ekonomike.

Numrin më të madh të multi-milionerëve në Europë e ka Gjermania, e cila renditet në vendin e parë në raport me 15 770 multi-milionerë, e ndjekur nga Britania, Zvicra dhe Franca, ndërsa në vendin e fundit është Malta me 16 super të pasur. (INA)/kohaislame

Banka Islamike në Xheda premton ndihmë për financim të projekteve në Kosovë

Një delegacion ndërministror i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, vizitoi Bankën Islamike për Zhvillim në Xhide, Mbretëria e Arabisë Saudite, me ç`rast zhvilloi bisedime përmbajtësore rreth mundësive të kësaj Banke për financimin e projekteve zhvillimore të Kosovës, veçmas në fushën e shëndetësisë, infrastrukturës dhe programeve humanitare.

MSH përmes një njoftimi lëshuar për media bën të ditur se është mbështetur pjesëmarrja në realizimin e projektit të Qendrës Emergjente Klinike Universitare, Projekti i ndërtimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë si dhe disa qasje konkrete humanitare. U dakordua që një delegacion i Bankës Islamike për Zhvillim, të vizitojë Kosovën në javën e parë të nëntorit, për tu njohur më afër me detajet e projekteve dhe marrjen e obligimeve konkrete për realizimin e tyre si dhe të hulumtohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të Kosovës me këtë institucion të rëndësishëm financiar, për çka nga ana e Kosovës nevojat janë të mëdha ndërsa nga Banka Islamike për Zhvillim u tregua një gatishmëri e madhe për ndihmë. Pas bisedave intensive me nënkryetarët e Bankës, me drejtorë dhe ekspertë të departamenteve, delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës, u prit edhe nga Kryetari i Bankës Islamike për Zhvillim, Dr. Ahmad Mohamed Ali Al-Madani./kosovasot/kohaislame

Në Kosovë, 44 për qind të papunë

Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë dhe familjeve, në Kosovë 44 për qind e popullatës është e papunë.

Kjo e dhënë është nxjerrë nga totali i asaj që llogaritet si popullsi ekonomikisht aktive. 61 % e popullatës jeton në fshatra, që është larg nga përqindja mesatare e shteteve të BE-së nga viti 2010, e cila arrin në 20 %. Nga të dhënat e regjistrimit për përqindjen e të emigruarve në vendet e jashtme, të bëra nëpërmjet një formulari, i cili nuk ishte standard, del se ka emigruar 22 % e popullatës.

Një familje mesatare kosovare ka 5.85 persona, ndërsa në shtete të BE-së ky numër është ndjeshëm më e ulët dhe ka mesatare prej 2.4 personave.

Për dalim nga dekadat e shkuara, shkalla e lindjeve në dekadën e fundit është zvogëluar ndjeshëm. Por, prapëseprapë, Kosova mund të krenohet se ka gjysmën e popullatës më të re se sa 26 vjeçare, kurse në vende të Bashkimit Evropian kjo mesatare para dy vjetësh ishte 40 vjeç./koha/kohaislame

Rashiq pasuron kishën serbe me buxhetin e Kosovës

Në konton e kishës ortodokse serbe çdo muaj dredhen mijëra euro nga buxheti i Kosovës në emër të qirasë mujore për objektin 804 metra katror ku është e vendosur Agjencia Kosovare Kundërkorrupsion(AKK), i cili nuk është pronë e kishës, por e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq i jep këto para në emër të një shtëpie të vogël prej 203 metra katror pronë e kishës e cila gjendet në oborrin e kësaj prone që e shfrytëzon një departament i Ministrisë së Punës.

Ministria për çdo muaj në llogari të kishës derdh hiq më pak se 9 mijë e 63 euro, por në realitet kjo shumë është dashur të jetë shumë herë më e vogël. Madje edhe vetë përfaqësues të kishës kanë kërkuar kompensim shumë më të vogël se sa ajo që po i bën ministri Rashiq.

Nga dokumentet që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se kisha ortodokse serbe përmes një dokumenti ka kërkuar nga AKK-ja pagesën e qirasë lidhur me shfrytëzimin e parkingut pesë ari nga parcela 5141-1 me sipërfaqe prej 12.54 ari dhe atë për 3 euro në muaj për metër katror.

Ndërkaq Ministria e Punës që drejtohet nga Rashiq ka vendosur që të paguajë qira mujore në vlerë prej 9 euro për metër katror për shfrytëzimin e objektit që gjendet në parcelën 5127-3 në të cilën është shtëpia 203 metra katror si dhe hapësirën prej 804 metra katror në parcelën 5127-2 në të cilën është vendosur AKK-ja.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni thotë për gazetën “Zëri” se pagesa e qirasë për objektin prej 804 metra katror që është ndërtuar në parcelën 5127-2 është e pajustifikueshme, ngase për një gjë të tillë nuk është kërkuar një gjë e tillë, madje as nga vetë kisha. “Një përcaktim i tillë i çmimit nuk është i bazuar as ne vlerën e tregut për lokacionin ku ndodhet objekti. Gjithashtu duhet të theksohet se sa i përket hapësirës ku është e vendosur AKK-ja është kontestuese dhe si i tillë vendimi i Ministrisë së Punës paragjykon të drejtën pronësore të kishës në këtë rast si qiradhënës për hapësirën kontestuese”, tha ai.

Në vendimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të nënshkruar nga Nenad Rashiq thuhet se caktohet shuma për pagesën e qirasë mujore në vlere prej 9 euro për shfrytëzimin e objektit që ndodhet në rrugën “Nazim Gafurri”. “Në parcelën 5127-3 gjendet sipërfaqja prej 203 metra katror si dhe në parcelën 5127-2 gjendet parcela prej 804 metra katror të cilën momentalisht e shfrytëzon AKK-ja”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga ministri Rashiq.

Më tej në këtë vendim thuhet se qiraja ndaj Kishës Ortodokse serbe për shfrytëzimin e objektit në vlerë prej 9063 euro në muaj duhet të paguhet nga një janari i këtij viti.
Në anën tjetër zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP), kanë thënë se objekti për të cilin ministria i paguan qira kishës është pronë e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike. “Ngastra 5127-2 me kulturë-ndërtese në sipërfaqe prej 440 metra katror është në emër të Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike”, thuhet në shkresën që drejtori i AKP-së Xhevat Azemi i ka dërguar drejtorit të AKK-së Hasan Pretenit. /Zëri/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
16.1 ° C
16.1 °
16.1 °
66 %
2.6kmh
2 %
Sat
27 °
Sun
30 °
Mon
29 °
Tue
30 °
Wed
30 °