Ballina Blog Faqe 708

Në Kosovë, nuk ka përmirësim ekonomik dhe social

Qytetarët e Kosovës edhe për një periudhe shumë të gjatë nuk mund të presin që gjendja e tyre ekonomike e sociale do të përmirësohet, pasi që zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk po reflekton rritje të mjaftueshme ekonomike, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.Rritja ekonomike për vitin 2012, e cila ishte parashikuar të jetë mbi 5 për qind ka rënë në 3.8 për qind, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Përderisa gjatë vitit 2011 rritja ekonomike në Kosovë ishte 5 për qind.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në perspektivën afatshkurtër, kjo rritje ekonomike nuk është e mjaftueshme, duke pasur parasysh, siç thekson Rukiqi, që Kosova ka nevojë për dyfishin e rritjes ekonomike aktuale.

“Unë, gjithmonë duke pasur një optimizëm të matur, mendoj që mbajtja e ritmit të rritjes është me rëndësi, po duhet përfundimisht të bëhen përpjekje që të dyfishohet kjo, dhe tash perspektiva mund të jetë në implementimin e suksesshëm të projekteve në energji dhe telekomunikacion, perspektiva mund të jetë në anëtarësimin në BERZH, për shkak se anëtarësimi në BERZH mundëson qasjen e fondeve zhvillimore”, thotë Rukiqi.

Raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës kishte treguar trend negativ në ekonominë e Kosovës. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, sipas BQK-së, ka pasur rënie të eksporteve për 24.4 për qind, ngritje të importeve, rënie të dërgesave të emigrantëve për 4.8 për qind, e po ashtu rënie të investimeve të huaja direkte prej 27.6 për qind.

Sipas Rukiqit, këto të dhëna janë treguesi më i mirë për gjendjen, në të cilën ndodhet ekonomia e Kosovës. Kjo rritje ekonomike, thotë Rukiqi, nuk mund ta zbusë papunësinë. Rënia e remitencave, rënia e investimeve ndikojnë që Kosova edhe për një kohë të gjatë të ketë këtë gjendje të vështirë ekonomike, shton Rukiqi.

“Duke pasur parasysh tani që ne kemi nevojë për dyfishim të rritjes ekonomike në mënyrë që të mund ta akomodojmë numrin e madh të punëkërkuesve në një anë, që mund të jenë potencial për destabilizim në nivele apo në aspektin social, dhe të njëjtën kohë të kemi një rritje të të ardhurave dhe të mos mbetet vendi me të ardhurat më të vogla për kokë banori në këtë pjesë të Evropës”, thekson Rukiqi.

Trendët aktual makroekonomikë edhe sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Ismail Kastrati nuk janë të favorshme. Rënia e remitencave dhe investimeve të huaja direkte, kanë ndikuar në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Kjo detyrimisht ndikon në rrjedhat ekonomike, e në veçanti në situatën sociale, e cila dita-ditës po rëndohet nga shkaku se papunësia jo që po zvogëlohet, por nuk po mund t’i inkuadrojë as kontingjentin e ri të punëtorëve. Në gjendje të keqe do të jenë kategoria sociale dhe pensionistët, por edhe të tjetër sa i përket mirëqenies ekonomike dhe sociale”, vlerëson Kastrati.

Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, në vitin 2009, varfëria ishte 34 për qind e gjithë popullsisë.

Sipas këtij raporti, pak më shumë se një e treta e popullsisë jetonin nën vijën e varfërisë absolute me 1.55 euro në ditë, ndërsa 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme me 1.02 euro.

Ndërkaq, papunësia thuhet të jetë mbi 48 për qind.

Kastrati thekson se edhe për një kohë të gjatë Kosova do ta ketë këtë gjendje.

“Angazhimi i strukturave qeverisëse nuk është në favor të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, por kryesisht është i interesuar të realizojë privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe investime në sektorin publik, të cilët nuk kanë punësim të qëndrueshëm, por e zgjedhin përkohësisht problemin e punësimit dhe atë në parametra mjaft të vegjël”, potencon Kastrati./koha/kohaislame

Ulet përqindja e mallrave serbë, rritet ajo nga Shqipëria

Që nga vendosja e masave të reciprocitetit, Serbia nuk po arrin të kthejë të njëjtin eksport të prodhimit në Kosovë. Zyrtarë të Doganave të Kosovës konfirmojnë se importet e Serbisë po vazhdojnë të karakterizohen me rënie dhe se kompanitë kanë ndërpre importin pas vendosjes së bllokadës nuk janë kthyer më bashkëpunimit të mëhershëm me kompanitë serbe.

“Mas reciprocitetit që u ndërmor në vitin e kaluar ne kemi parë një rënie të importit nga Serbia, e cila po vazhdon edhe tash të ketë më pak importe, ndërsa shtetet e tjera kanë pasur rritje. Si Shqipëria vitin e kaluar ka pasur ngritje thuajse për 60 për qind më shumë se një vit më parë dhe se eksportet shqiptare kanë arritur vlerën mbi 90 milion euro”, ka thënë një zyrtarë i doganës.

I vetmi prodhim që nuk ka pësuar ndryshim nga shteti fqinjë është gruri dhe mielli, mirëpo pavarësisht këtij fakti pozitiv të humbjes së tregut nga kompanitë serbe, importi po e mbytë vazhdimisht eksportin e vogël të vendit tonë. Sipas të dhënave të doganave të Kosovës, karburantet, cigaret dhe një numër i madh i ushqimit po vazhdon të importohet, transmeton KohaVision.

Vendet të cilat po vazhdojnë të shënojnë ngritje të eksportit në Kosovë duke zëvendësuar prodhimet serbe në Kosovë janë Shqipëria, Italia, Gjermania dhe Turqia./indeksonline/kohaislame

“Kosovës B” i zgjatet jeta deri në vitin 2040, me investime private

Brenda muajit gusht pritet të qartësohen hapat që Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë rreth rehabilitimit të termocentralit “Kosova B” dhe mënyrën e përfshirjes së sektorit privat në termocentralin ‘Kosova B’.

Anëtarët e Komiteti Drejtues pritet të njihen me opsionet për rehabilitimin e këtij termocentrali që këshilltarët e transaksionit do t’i prezantojnë në mbledhjen e radhës që të mbahet brenda muajit gusht.Në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës rivitalizimi i këtij termocentrali nuk do të bëhet me mjetet nga buxheti i Kosovës, por duke e futur kapitalin privat në këtë termocentral.

E Komiteti Drejtues i projektit është obliguar nga Qeveria e Kosovës që të analizojë dhe të paraqesë opsionin më të mirë për përfshirjen e sektorit privat në termocentralin “Kosova B” me qëllim të përmbushjes së obligimeve të cilat dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Edhe pse nuk janë bërë të ditur opsionet që janë duke u diskutuar, përfshirja e kapitalit privat do të bëhet duke u bazuar në Ligjin për partneritetin publiko-privat.

“Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) ka kërkuar nga këshilltarët e projektit të analizojnë opsionet për përfshirjen e sektorit privat në termocentralin “Kosova B”, duke u bazuar në spektrin e mundësive që ofron kuadri ligjor në Republikën e Kosovës”, ka thënë Lorik Haxhiu, menaxher i projektit “Kosova e Re”.

Ligji për partneritet publiko-privat ka hyrë në fuqi më 15 nëntor të vitit 2011. Në këtë ligj është përcaktuar se një partneritet publiko–privat mund të realizohet përmes formës së koncesionit dhe të kontratës publike me kusht që operatori privat të realizojë një shërbim publik, apo në rastet kur merr përsipër rrezikun dhe përgjegjësitë financiare, teknike, ndërtimore dhe/ose operative në lidhje me ofrimin e shërbimit publik ose infrastrukturës publike.

Në këtë ligj është paraparë edhe mundësia e ndarjes së rrezikut dhe e obligimeve financiare me rastin e arritjes së një partneriteti publiko-privat.

E në nenin 6, pika 2.2 është paraparë që një proces i partneritetit publiko-privat të përshijë: riparimin, modernizimin, financimin, zgjerimin, mirëmbajtjen dhe operimin e infrastrukturës ekzistuese publike.

Kompetencat kryesore për realizimin e një partneriteti publiko-privat, në bazë të këtij ligji, i ka Komiteti për Partneritet Publiko-Privat i (KPPP), i cili duhet të përbëhet nga 5 ministra dhe krijohet me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Menaxheri i projektit “Kosova e Re”, Haxhiu, nuk ka dashur të tregojë për opsionet dhe mënyrën e përfshirjes së kapitalit privat në këtë termocentral, duke përfshirë nivelin e hises së shtetit.

“Opsionet do të paraqiten në takimin e radhës të Komitetit Drejtues të Projektit, i cili planifikohet të mbahet gjatë muajit gusht. Nga ky takim pritet të qartësohen hapat e mëtutjeshëm lidhur me ecurinë, kushtet dhe procesin e përfshirjes së sektorit privat në termocentralin ‘Kosova B’”, ka thënë Haxhiu.

Por ai ka shpjeguar se çka do të kërkojë Qeveria e Kosovës nga investitori.

“Nga sektori privat do të kërkohet të analizohet gjendja e objektit, të vlerësohen investimet e domosdoshme për përmbushjen e obligimeve, të realizohet projekti i rehabilitimit para viti 2018 dhe të operohet termocentrali në përputhje me standardet teknike dhe me rregullat e tregut konkurrues”, ka shpjeguar Haxhiu.

E obligimet që Kosova i ka marrë me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë pritet të reflektohen edhe në tarifat e energjisë elektrike, pasi për të plotësuar kriteret ambientale nevojiten 300 milionë euro investime në TC “Kosova B”. Këto investime duhet të kthehen përmes tarifave të energjisë elektrike.

Haxhiu thotë se obligimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE) me ndikim më të dukshëm nga pikëpamja e kostos janë ato që kanë të bëjnë me përmbushjen e kërkesës për të garantuar emetimet e termocentralit në limitet e përcaktuara me direktivën e Komisionit Evropian 2001/80/EC mbi kufizimin e emetimit të ndotjes së ajrit.

“Sipas studimeve, vlerësohet se kostoja e përmbushjes së kësaj direktive për njësitë e termocentralit “Kosova B” do të jetë rreth 300 milionë euro. Në këtë vlerë janë përfshirë elektrofiltrat e rinj, desulfurizimi, zvogëlimi i oksideve të azotit, trajtimi i ujërave nga procesi i prodhimit, etj.”, ka thënë ai. “Kosto tjetër e lidhur me njësitë e TC “Kosova B” kanë të bëjnë me investimet e domosdoshme për zgjatjen e jetës operative deri në vitin 2030 apo edhe deri në vitin 2040”.

Përveç investimeve prej 300 milionë eurosh në aspektin mjedisor, zyrtarë brenda KEK-ut thonë se për operim të këtij termocentrali deri në vitin 2030 janë të nevojshme edhe 100 milionë tjera investime. E nëse realizohet opsioni që TC “Kosova B” të jetë në funksion deri në vitin 2040, atëherë do të duhet të investohen në total rreth 500 milionë euro.

Kujtojmë që me propozim të Qeverisë së Kosovës ishte futur në pakon tenderuese të projektit “Kosova e Re” edhe termocentrali “Kosova B”, për të bërë pakon më atraktive për investitorë. Por kanë qenë këta të fundit ata që kanë kërkuar që ky termocentral të hiqet nga pakoja tenderuese. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 19 korrik që ky termocentral të hiqet nga pakoja, ndërsa në një proces të ndarë të përgatitet futja e kapitalit privat në termocentralin “Kosova B”.

Ekspertet patën kërkuar që të shqyrtohet edhe mundësia që rehabilitimi i këtij termocentrali të bëhet nga shteti i Kosovës. Ka qenë Muhamet Mustafa ai që ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ketë një studim të fizibiliteti, i cili do të tregonte se cili është opsioni më i mirë për rehabilitim të këtij termocentrali, apo nëse investimi në termocentral është më dobiprurës së investimi në Autostradën në drejtim të Shkupit. /koha/kohaislame

Të papunët, të pa interesuar për punë

Në kohën kur papunësia në Kosovë po shënon gjithnjë rritje, në komunën e Ferizajt po ndodh një situatë e pazakontë për kohën. Janë 578 vende të lira punë të shpallura në Qendrën për Punësim, për të cilat fare nuk shprehë interesim askush.

Drejtues të kësaj qendre, e cila edhe ndërmjetëson në punësimin e atyre që kërkojnë punë, kanë thënë të enjten se në këtë qendër vazhdimisht ka kërkesa nga subjektet afariste për të punësuar fuqi punëtore, por që interesimi i punëkërkuesve është i vogël. Se ku është arsyeja e vërtetë e këtij mosinteresimi edhe zyrtarët nuk janë në gjendje ta thonë.

Drejtori i QRP-së në Ferizaj, Luan Jahiri, tha për Kosovapress, se kjo më të vërtetë përbën shqetësim për kohën, kur vendet e shpallura kryesisht u takojnë profileve që janë joshëse për fuqinë punëtore që aktualisht mbahen në evidencat e qendrës. “Kemi kërkesën e një biznesi për t’i punësuar 20 zdrukthëtarë me kushte të mira. Fatkeqësisht askush nuk lajmërohet. Kërkesa kemi edhe për profilet tjera si saldator, murator, kamarierë e punëtorë fizikë, por që ja nuk ka të interesuar. Arsyet e punëkërkuesve janë të ndryshme, disa i lidhin me kushtet e punës, udhëtimin e pagën. Ne apelojmë të punëkërkuesit që të vijnë në qendër dhe të njoftohen me këto vend të punës”, theksoi Jahiri.

Por, ata të cilët janë më të interesuarit për të gjetur një vend të punës, nuk mendojnë njësoj sikurse zyrtarët, duke thënë se në të shumën e rasteve punëdhënësit nuk sillen edhe ashtu siç thuhet dhe prezantohet në publik. “Ka raste kur nuk shpërblehesh sa duhet për punën e bërë, e mos të flasim edhe për kushtet e punës dhe orarin e gjatë”, thotë Qamil Xhema, punëkërkues që më shumë e preferon tregun e fuqisë së krahut, se sa të kërkoj ndonjë punë në Qendrën e punësimit.

Së fundi, kjo Qendër do të jetësoj dy projekte të punëve publike, të cilat parashohin punësimin e 60 punëkërkuesve për një kohë të caktuar.

Drejtori i Qendrës, Luan Jahiri, shpjegon se këto dy projekte, njëri që parasheh rregullimin e shtigjeve të ecjes dhe trotuareve në Parkun e Lirisë dhe tjetri që ka të bëjë me mirëmbajtjen dhe kultivimin e zonave rekreative në komunën e Ferizajt, do të angazhoj kryesisht fuqinë punëtore që hëpërhë ndodhën në skemën sociale të kategorisë së dytë. “Ky projekt i cili financohet nga Banka Botërore dhe implementohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) synon që të kontribuoj në buxhetin e Kosovës, ngase të punësuar do të jenë përfituesit e skemës sociale, të cilët derisa të jenë të përfshirë në këtë projekt nuk do të marrin asistencën”, tha Jahiri.

Ndryshe, zyrtarisht në komunën e Ferizajt si të papunë janë të evidentuar 15 471 persona të të dy gjinive, shifër kjo që krahasuar me periudhën e njëjtën të vitit të kaluar është më e vogël po thuajse për rreth 3000 persona.

Turistët publikojnë direkt ndotjet mjedisore

Sezoni turistik dhe përpjekjet e administratës për të përmirësuar kushtet e jetesës në zonat bregdetare kaë nxitur edhe ide të reja të shoqërisë civile për të dhënë ndihmesën e tyre në zgjidhjen e problemeve dhe për të pasqyruar realisht situatën. Instituti Shqiptar i Shkencave sapo ka nisur një projekt ku i fton të gjithë pushuesit që të denoncojnë problemet mjedisore dhe të turizmit shqiptar.

Instituti ka hapur për këtë qëllim një faqe në internet dhe menjëherë dhjetëra pushues vendas dhe të huaj publikuan aty foto dhe video, ku pasqyrohen djegia e mbeturinave dhe derdhja e ujërave të zeza në det nga shumë pallate të reja. Drejtuesja e Institutit, Aranita Brahaj, thotë se “Smart Tourist Albania” është një media qytetare për të bashkëpunuar të gjithë në zbardhjen e të vërtetave mbi mjedisin dhe mbrojtjen e natyrës.

Nga çdo telefon celular çdo pushues mund të fotografojë dhe filmojë pamje problematike nga zonat turistike dhe t’i hedhë ato në faqen e përbashkët, siç kanë disa dhjetëra prej tyre qysh në ditët e para. Aranita thotë se “pushuesit po denoncojnë ndotjen e plazheve jo vetëm në zonat e mirënjohura turistike por edhe në plazhet e reja ku abuzimi sapo ka filluar dhe duhet parandaluar”.

“Smart Tourist Albania” u bë menjëherë një nismë e dobishme qytetare në ndihmë të pushtetit vendor dhe autoriteteve të mjedisit për të njohur realisht gjendjen dhe për të bërë përmirësime të vërteta të situatës dhe parandalime të akteve që shkatërrojnë natyrën shqiptare. Ujërat e zeza janë ndotja më e madhe e plazheve shqiptare, raportojnë vetë qytetarët.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka aktualisht 800 mijë qytetarë me telefona të lidhur në internet dhe mbi 200 prej tyre përdorin rrjetin 3G. Aranita Brahaj thotë se “kjo nismë nuk synon publicitete negative por përpiqet të ndërgjegjësojë qytetarët për mjedis të pastër, dhe që fillimisht ata të zbulojnë zonat e ndotura dhe t’u kërkojnë autoriteteve që të vënë dorë”.

Nga të dhënat e vetë qytetarëve, Instituti Shqiptar i Shkencave do të krijojë në fund të sezonit turistik hartën e ndotjeve mjedisore, e cila do t’u jepet autoriteteve vendore për ndërhyrje, dhe vitin tjetër do të bëjë një hartë promovuese me zona turistike të pastra./voa

Medeleine Albright në garë për PTK-në

Dy liderët Medeleine Albright dhe Wesley Clark, të cilët janë interesuar më përpara për pavarësinë e Kosovës, kësaj here janë interesuar për diçka tjetër në Kosovë.

Ata siç raporton KTV-ja, kanë shfaqur interesim për të bërë biznes në Kosovë.Kompania e drejtuar nga ish sekretarja e shtetit Medeleine Albright, po garon për të blerë PTK-në ndërsa ish gjenerali i NATO-s, Wesley Clark po interesohet për investime në prodhimin e naftës sintetike nga thëngjilli i rajoneve të Dukagjinit.

Futja e këtyre po shihet me sy të mirë nga përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, te cilët kanë thënë se kjo do tr3ë ndryshonte rrjedhjen e investimeve të jashtme në Kosovë./koha/kohaislame

TAP – ITALIA, GREQIA DHE SHQIPËRIA, MARRËVESHJA DETARE BRENDA TRI MUAJVE

Mediat greke theksojnë se marrëveshja për delimitimin e kufirit detar me Greqinë mund të kthehet në një pengesë serioze për avancimin e bisedimeve dypalëshe lidhur me projektin e gazësjellësit TAP.

Sipas tyre një investim i përmasave të tilla mund të kthehej në një shans të mirë që dy vendet që të përmbyllin në kohë marrëveshjen për kufirin detar dhe atë për zonën ekskluzive ekonomike në Detin Jon.

Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Italisë, Dimitris Avramopulos dhe Xhulio Terci u takuan javën e kaluar në Romë dhe shprehën vullnetin për nënshkrimin e marrëveshjes lidhur me gazësjellësin TAP, një projekt tejet i rëndësishëm për hartën energjetike të Ballkanit dhe Evropës.

Mediat greke raportojnë se delegacionet e tri vendeve mund të takohen në tetor në Tiranë për të diskutuar lidhur me modalitetet për nënshkrimin e një marrëveshje tripalëshe, që do t’i hapte rrugë projektit TAP dhe do të përçonte një mesazh të fortë në Azerbajxhan.

Sipas tyre, mbështetja politike që Tirana, Roma dhe Athina do të tregojnë ndaj këtij projekti të madh energjetik do të jetë vendimtar për të ardhmen e tij. Brenda vitit 2013 konsorciumi që menaxhon rezervat e gazit në Shah Deniz do të vendosë përfundimisht për projektin fitues që do të sjellë gazin në Evropë.

-TAP, 204 km kalon në Shqipëri-

TAP do të jetë rreth 800 kilometra në gjatësi (afërsisht: në Greqi 478 km, në Shqipëri 204 km, në det të hapur në Adriatik 105 km dhe në Itali 4 km). TAP-i do të nisë në Greqi, do të kalojë nëpër Shqipëri dhe nëpër Detin Adriatik dhe do të përfundojë në brigjet e Italisë Jugore. Kjo do të jetë rruga më e drejtpërdrejtë dhe me kosto më efektive që lidh fushën e Shah Deniz në Azerbajxhan me tregjet evropiane, duke u lidhur me rrjetet ekzistuese, të cilat do të përmirësohen. Gazsjellësi do të ketë një kapacitet transporti prej 10 mmk (miliard metër kub) gaz të ri në vit drejt Evropës, duke filluar që nga viti 2017 dhe do të ketë mundësi që ta rrisë kapacitetin deri në 20 mmk sipas nevojës.

-Shqipëria eksportuese gazi në rajon-

Projekti i TAP-it parashikohet që të jetë deri tani, investimi i drejtpërdrejtë më i madh në Shqipëri dhe që do të rrisë aktivitetin ekonomik, duke krijuar punësim dhe duke zhvilluar talentet dhe aftësitë vendore. Përveç krijimit të të ardhurave vjetore të qëndrueshme dhe të parashikueshme kur gazsjellësi të jetë në përdorim, TAP-i gjithashtu mund të plotësojë nevojat energjetike vendore të Shqipërisë, sepse aksionerët e tij parashikojnë të ofrojnë deri në 2 mmk (miliardë metër kub) gaz nga gazsjellësi në vit.

Shitësit e gazit të Shah Denizit dhe aksionerët e TAP-it kanë parashikuar të lënë 1 deri në 2 mmk (miliardë metër kub) të gazit për vit në tregun shqiptar dhe atë të Evropës Juglindore. Kjo do të ndihmojë në rritjen e mëtejshme të zhvillimit ekonomik të vendit dhe është një përpjekje për nxitjen e krijimit të një tregu rajonal të energjisë. TAP-i gjithashtu mund të ndihmojë në transportimin e gazit shtesë në treg, nëse shoqëritë transportuese kanë interes tregtar për të bërë një gjë të tillë.

TAP-i ka mundësi që të hapë tregje të reja të gazit në Evropën Juglindore nëpërmjet marrëveshjeve me operatorë të tjerë në rajon dhe nëpërmjet një angazhimi për të kanalizuar një pjesë të kapacitetit të TAP-it në rajon.

Për më tepër, rajoni do të furnizohet me burime të reja të gazit, të cilat do të përmirësojnë sigurinë e energjisë në rajon. TAP-i do të zhvillojë infrastrukturën energjetike të Shqipërisë dhe do të tërheqë investime të mëdha nga jashtë. Nëpërmjet ndërlidhjeve me sisteme të tjera gazsjellëse përgjatë shtrirjes së tij, TAP-i do të ketë mundësinë për të siguruar gaz për tregjet kryesore në Evropën Juglindore, duke përfshirë Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Bullgarinë, Serbinë, Rumaninë dhe Hungarinë. Për shembull, një lidhje me gazsjellësin e propozuar Jonian-Adriatik (GJA) do të bëjë të mundur që volumet e transportuara përmes TAP-it të rrjedhin drejtpërsëdrejti në shumë prej këtyre vendeve.

MTI shet Golf 5 për 1300 euro

Përmes një ankandi publik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), e cila drejtohet nga Mimoza Kusari-Lila, ka nxjerrë në shitje 283 vetura, ku për shumicën prej tyre, ministria ka caktuar çmime qesharake. Në ankand një Golf 5 i prodhuar në vitin 2008, po shitet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për 1300 euro.
Këto vetura që janë nxjerrë në shitje nga MTI-ja, deri më tash janë përdorur nga Policia e Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Drejtësisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Kurse Policia e Kosovës, prin për numrin e xhipave të nxjerrë në shitje në ankandin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Konkurrencë e padrejtë në ekonomi

Në Kosovë kompanitë bëjnë marrëveshje për fiksim çmimesh dhe ndarje të tregut, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve duke shtuar se kjo konkurrencë e padrejtë vazhdon ta dëmtojë ekonominë e vendit. Për këto parregullsi që bëjnë disa kompani, në vitin 2008 është formuar Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Që nga themelimi, ky mekanizëm ka hetuar disa kompani që kanë bërë vepra të tilla.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është organ i pavarur publik, dhe është krijuar në bazë të Ligjit mbi konkurrencën. Në bazë të këtij ligji, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës parasheh gjoba nga 10 mijë euro për menaxherët e kompanive, deri në 200 mijë euro për kompani.

Anëtari i këtij mekanizmi, Halit Shabani, thotë se janë duke bërë përpjekje maksimale që ta luftojnë konkurrencën e padrejtë që bëhet në Kosovë. “Realisht, fiksimi i çmimeve, ndarja e tregut, konkurrenca e padrejtë po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës, dhe në bazë të ligjit jemi duke e luftuar këtë dukuri. Konform ligjit edhe i ndëshkojmë bizneset që bëjnë këtë vepër”, thotë Shabani.

Por, pavarësisht, se dukuria e konkurrencës së padrejtë është mjaft e pranishme në Kosovë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që nga viti 2010 nuk ka gjobitur ndonjë kompani. “Në realitet, është vështirë të luftohet kjo dukuri, duke pasur parasysh rrethanat ekonomike dhe politike që gjendet Kosova. Duke pasur parasysh edhe pjesën veriore të Mitrovicës është e vështirë të luftohet kjo dukuri, por ne po bëjmë përpjekje që brenda mundësive që i kemi, të kontrollojmë dhe të veprojmë”, thekson Shabani.

Mjaft shqetësuese, sipas Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë është fiksimi i çmimeve. Ata thonë se ditë më parë kanë evidentuar një grup operatorësh ekonomikë, të cilët bëhen bashkë dhe caktojnë një çmim të një artikulli apo shërbimi. “Nëse flasim në terma absolut, mund të themi se nuk ka konkurrencë të lirë, apo të plotë në Kosovë. Por, gjithsesi besoj se Kosova ka krijuar një sistem të mirëfilltë dhe është duke i zbatuar ato parime kushtetuese për një ekonomi të lirë, janë themeluar institucione që të bëjnë respektimin e këtyre parimeve”, shprehet Zeka.

Ekonomia e Kosovës, shton Zeka, po dëmtohen jashtëzakonisht shumë nga konkurrenca e padrejtë. Për këtë, thotë ai, duhet të vetëdijesohen bizneset. “Ekziston një mungesë e vetëdijes së disa kompanive ta caktuara se fiksimi i çmimeve është konkurrencë e padrejtë. Këto kompani, për shkak të ekzistimit të formave të ndryshme të konkurrencës jo legale, mendoj që përmes caktimit të çmimeve po mendojnë rregullimin e konkurrencës, por kjo dhe çdo formë tjetër e tillë e pengon konkurrencën e lirë dhe pasojat i bartë vetë konsumatori”, sqaron Zeka.  /Rel/kohiaslame

Kriza shtyn evropianojugorët të vijnë në Gjermani

Sikur kriza ekonomike të mos ekzistonte për Gjermaninë, sepse niveli i papunësisë tek të rinjtë është më i ulti në vendet e BE-së. Gjithnjë e më shumë njerëz vijnë nga shtetet në krizë të kërkojnë punë në Gjermani.
Agjencia federale gjermane e punës ka vërjtur se në Gjermani është rritur dukshëm numri i të punësuarve që vijnë nga Spanja dhe Greqia, por edhe nga Italia dhe Portugalia. Punë në Gjermani kanë marrë në muajin maj të këtij viti 11,5 përqind më shumë spanjollë dhe gati 10 përqind më shumë grekë, krahasuar me një vit më parë. Tek italianët dhe portugezët niveli i rritjes është gati pesë përqind.
Rritje në nivele të ulta

“Vetë rritja e kësaj shifre nuk është e papritur,” mendon Herbert Brücker, ekspert i migracionit në Institutin për studimin e tregut të punës dhe profesioneve në Nyrenberg. “Mua më befason niveli i ulët i kësaj shifre.” Sepse po të mbledhësh bashkë të katër vendet e Evropës jugore, atëherë arrin në një shifër prej 30 mijë migrantësh. Për krahasim, numri i polakëve që kanë marrë një punë vitin e kaluar është rritur me 160 mijë, ai i rumunëve me gati 100 mijë. Kështu që shifrat nga Evropa jugore nuk kanë ndonjë peshë të madhe.
Me çfarë ka të bëjë kjo? Me atë se në Spanjë dhe Greqi, kur ke një punë i ke të ardhurat shumë më të mëdha se në Poloni dhe Rumani. Studiuesi i migracionit Brücker, ka parë se “niveli i rrogave tek migrantët e punës është një arsye shumë më e madhe se sa papunësia”. Prandaj evropiano- jugorët e papunë shpresojnë më mirë që të gjejnë punë në vendin e tyre se sa të bëjnë planë për të ardhmen jashtë vendit.

Pengesa të mëdha
Ose ata shohin se megjithë të dhënat joshëse të tregut të punës, nuk është edhe aq e lehtë të gjesh një punë në Gjermani. Nga njëra anë atyre u mungojnë njohuritë bazë të gjuhës gjermane, të cilat janë të domosdoshme në shumë profesione. Nga ana tjetër, në këto vende ka shumë që mbarojnë shkollën e lartë, që vijnë në Gjermani me pretendime të mëdha dhe kërkojnë të bëjnë vetëm punë të paguar mirë. Një arsye pse punëdhënësit gjermane shpesh vendosin të mos marrin aplikues për punë nga Spanja dhe Greqia, thotë Brücker.
Tek zanatet, për shembull punët e dorës ose në sektorin e tregtisë, ekziston një pengesë tjetër. Në shumë vende sistemi i shkollimit është shumë teorik dhe nuk përmban përvojën praktike. Me sistemin e saj të dyfishtë, Gjermania është e vetme në nivel ndërkombëtar, duke gërshëtuar shkollat profesionale me praktikën e vazhdueshme në punë.
Pretendimet duhen ulur

Papunësia në Spanjë është e lartë
Kështu Gjermania është pak atraktive për spanjollët dhe grekët e papunë. “Në mënyrë që e gjithë kjo të funskionojë, duhen bërë kompromise nga të dyja palët,” mendon Brücker. Migrantët duhet të ulin pretendimet e marrjes menjëherë të një vendi pune që i përgjigjet kualifikimit të tyre. Dhe punëdhënësit gjermanë duhet të pranojnë edhe dëftesa të tjera që nuk i përshtaten sistemit gjerman të arsimit.
Ose shikohen mundësi të tjera: Në muajin korrik në Shtutgart u zhvillua një konferencë gjermano- spanjolle për arsimin në të cilën ministrja gjermane e Arsimit, Annette Schavan i premtoi kolegut spanjoll José Ignacio Wert Ortega, që të ndihmojë Spanjën në ndërtimin e një sistemi të dyfishtë arsimor. Të njëjtën gjë ajo e premtoi edhe për Greqinë.
Sistemi i dyfishtë- Model në Evropë

Një rrugë tjetër ka ndjekur koncerni teknologjik Siemens. Që prej fillimit të muajit gusht sipërmarrja është duke arsimuar 29 nxënës nga 14 vende, sipas modelit gjerman. Në fillim të shkollimit që zgjat 3,5 vjet, bëhen gjashtë javë kurs gjuhe. Gjatë mësimit jepen edhe mësime në anglisht. Por provimet jepen në gjuhën gjermane.
Megjithëse projekti pilot i Siemensit nuk është i përqëndruar në shtetet e krizës të Evropës jugore, atje u tregua interesim i madh për të. Një në tre nxënësit vjen nga Greqia, Spanja apo Portugalia. Koncerni kërkon të japë sinjalin e duhur. “Nuk është shumë. Por ai mund të merret si shembull,” thotë drejtori i projektit Martin Stöckmann.
Kështu që valë e madhe punonjësish nga Evropa jugore që do të kërkonin punë në Gjermani nuk do të ketë, mendon Herbert Brücker. Migracioni do të rritet edhe pak këtë vit, “por në princip e ka arritur kulmin”.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
38.5 ° C
38.5 °
38.5 °
24 %
3.6kmh
0 %
Sat
39 °
Sun
32 °
Mon
32 °
Tue
28 °
Wed
31 °