Ballina Blog Faqe 707

IPKO-ja është gati për rrjetin 3G

Sektori i telekomunikacionit në Kosovë është në rritje të vazhdueshme, dhe si treg në zhvillim ka shumë potencial për t’u avancuar edhe më tej. Sfidë kryesore paraqitet krijimi i infrastrukturës së duhur ligjore. Kështu mendon Robert Erzin, drejtor ekzekutiv në IPKO. Ai nuk i frikësohet privatizimit të PTK-së dhe ardhjes së konkurrencës së re. Në intervistë për “Kohën Ditore” ai thotë se mirëpret zhvillimin e konkurrencës, por që ajo të jetë e ndershme në treg. Po ashtu ai tha se IPKO-ja është gati për rrjetin 3G. Raporti i IPKO-s me PTK-në thotë të jetë korrekt edhe pse prishja e marrëveshjes për shfrytëzimin e rrjetit optik i detyroi ata të ndërtojnë rrjet më vete. Erzin thotë se nuk ka vend për operatorë të tretë mobil. Pret që vitin e ardhshëm të ulen çmimet e telefonisë mobile.

Sipas tij, prej vitit 2007 e deri më sot IPKO ka investuar rreth 242 milionë euro në tregun kosovar, duke mbetur investimi më i madh i huaj direkt në Kosovë, ndërsa ky trend i rritjes së investimeve kapitale në treg po vazhdon ende, pasi që për dallim prej vitit 2011, kur ne kemi investuar 11.4 milionë euro, këtë vit ne do ta përmbyllim me 18.4 milionë euro investime, të cilat do t’i përdorim për të përfunduar projektin e fibrave optike në tërësi, zgjerimin e rrjetit fiks dhe mobil, përmirësimin e rrjetit dhe sistemeve të teknologjisë së informacionit, si dhe për të ofruar më shumë shërbime të reja, dhe shërbime me vlerë të shtuar.

Erzin sqaroi arsyet pse IPKO ndërtoi rrjetin e vet optik. Vendimi, tha ai, është marrë pas anulimit të marrëveshjes nga PTK-ja, sepse ne kemi menduar se rrjeti i fibrave optikë është i rëndësisë strategjike për ne, dhe se ne nuk mund të përballemi me kufizimet e planit të biznesit të një kompanie tjetër.

Erzin i tha “Kohës” se IPKO-ja mban 25 për qind të tregut të telefonisë mobile, apo përkthyer në numër të përdoruesve aktivë, ne kemi mbi 450.000 konsumatorë. Mirëpo këto shifra i referohen raportit të tregut të publikuar nga ART për tremujorin e fundit të vitit 2011, dhe me siguri se numri i konsumatorëve aktivë që ne kemi sot është më i madh se kaq.koha/kohaislame

Egjipti kërkon 4.8 miliardë dollarë kredi nga FMN

Kryeministri i Egjiptit, Hisham Kandil deklaroi se nuk do të heqin dorë nga asnjë pjesë të kredisë prej 4.8 miliardë dollarë që do të marrin prej Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN.

Në deklaratë e tij që bërë për agjencinë e lajmeve Anadolli, AA, Kandil tha se si arsyetim për këtë vendim është se deficiti buxhetor i Egjiptit i llogaritur për vitin 2012-2013 është 135 xhunejh (e barabartë kjo me 22 miliardë dollarë) dhe se kjo shifër do të rritet në qoftë se rriten edhe shpenzimet e të ardhurave shtetërore.

Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Llagard (Christine Lagarde) javën e kaluar kishte zhvilluar kontakte në Kajro në lidhje me kërkesën e Egjiptit për kredi. Udhëheqja e Egjiptit, e cila kapërcen nga një periudhë të trazirave pas regjimit të Mubarakut, nga FMN-ja kishte kërkuar 4.8 miliardë dollarë kredi me qëllim të stabilizimit të deficitit buxhetor në rritje dhe për të forcuar rezervat revizore të vendit. Parashikohet që një delegacion i FMN-së në shtator të vizitoj sërish Kajron në lidhje me këtë kërkesë./trt/kohaislame

PANAIRI I USHQIMEVE HALLALL HAPET NË STAMBOLL ME 11 TETOR

Panairi i Prodhimeve Hallall dhe të Shëndetshme do të zhvillohet ne Stamboll, në datat 11-14 tetor 2012 në të njëjtën kohë me Panairin e 14-të të MÜSİAD-it dhe Kongresit të 16-të të Forumit Ndërkombëtar të Biznesit (IBF).

Madhësia e tregut botëror të prodhimeve hallall ka arritur në 2,1 trilionë dollarë. Firmat turke duan të marrin një pjesë më të madh nga ky treg kaq i madh, 15 herë sa eksporti total i Turqisë.

Kompanitë turke do të takohen në Panairin Ndërkombëtar të Ushqimeve Hallall dhe të Shëndetshme që do të organizohet në qendrën e panaireve CNR Expo në Stamboll në datat 11-14 tetor.

Organizimi në të njëjtën kohë i dy aktiviteteve me përmasa të mëdha do ti sjellë një sinergji të madhe këtij sektori. Firmat turke, të cilat synojnë një pjesë më të madhe nga pasta e këtij tregu gjigand, që zmadhohet çdo vit e më shumë, blerësit që do të vijnë nga jashtë shtetit, drejtuesit e marketeve dhe supermarkteve të njohura, shitësit me shumicë, shpërndarësit, shitësit me pakicë, furnitorët, prodhuesit, importuesit dhe eksportuesit në javën e dytë të tetorit do të takohen në Stamboll nën çatinë e qendrës së panaireve CNR Expo.

Panairi organizohet me kontributin e kompanisë, Sine Fuarcılık Organizasyonu, një firmat pjesë e holldingut CNR, Shoqata e Mbikëqyrjes dhe Çetifikimit të Ushqimeve dhe Lëndëve të Nevojshme (GİMDES), Këshilli Botëror i Prodhimeve Hallall (WHC) si dhe KOSGEB.

Në panair do të ekspozohen prodhimeve hallall të sektorëve të ndryshëm si ushqim, pije freskuese, kozmetikë, produkte medikale, pastrim, higjienë, moda islame, tekstil, veshje për mbulimin e kokës dhe trupit, materiale të nevojshme për të realizuar pelegrinazhin në Mekë etj.

Pritet që panairi të vizitohet nga një numër i madh profesionistësh që do të vijnë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzia, Indonezia, Filipinet, Singapuri, SHBA, Arabia Saudite, Gjermania, Holanda, Franca, Algjeria, Maroku, Kanadaja dhe Japonia.

Investimet zgjerojnë sipërfaqet në hortikulturë

Hortikultura është njëri ndër sektorët me rëndësinë më të madhe strategjike dhe ekonomike në fushën e bujqësisë. Kultivimi i pemëve dhe perimeve është njëra prej prodhimtarive më intensive dhe më në rritje në zinxhirin e prodhimtarisë bimore, por, sipas fermerëve, probleme të mëdha po ju paraqiten në plasimin e kësaj prodhimtarie në treg.
Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se çështjet tregtare dhe problemet tregtare nuk janë fushëveprim i kësaj ministrie, ndërsa për zgjerimin e sipërfaqeve të reja në pemishte, vreshta dhe sipërfaqeve të reja në perimkulturë, tregojnë se deri më tani kanë investuar mbi 4 milionë euro.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, thotë se krahas zgjerimit të sipërfaqeve të reja, me këto investime po tentojnë që në njërën anë të zëvendësojnë importin me prodhimet vendore dhe në anën tjetër të shtojnë prodhimtarinë dhe të rrisin edhe eksportin e këtyre prodhimeve në vendet e rajonit. “Me investimet e ministrisë, deri më tani kemi ngritur 191 serra të reja, 221 ngastra me pemishte dhe 471 ngastra me vreshta të reja. Por, kemi investuar gjithashtu edhe në infrastrukturën përcjellëse dhe mekanizmin bujqësor tek shumë ferma që veprimtari kryesore e kanë hortikulturën dhe janë mbi 1 mijë projekte që kemi përkrahur deri më tani në sektorin e hortikulturës”, tha Behramaj.

Ai thotë se prioritet për Ministrinë e Bujqësisë lidhur me hortikulturën është krijimi i mundësive për të realizuar vjelje të hershme, që fermerët të dalin më herët në treg me prodhimet e tyre, si dhe rritja e qëndrueshmërisë dhe zgjatja e jetës së prodhimtarisë sezonale për furnizimin e tregut edhe jashtë pikut sezonal.

Kosova ka kushte shumë të favorshme për zhvillimin e këtij sektori thonë edhe fermerët, pasi që, sipas tyre, hortikultura dallon për nga potenciali zhvillimor me sektorët e tjerë.

Xhavit Mulaj nga fshati Llukë e Epërme të komunës së Deçanit, i cili është kultivues i materialit fidanor të dredhëzës, tregon se përmes granteve që ka përfituar, ka arritur që t’i zgjerojë sipërfaqet e mbjella me këto fidane. “Me grantin që kam fituar kam arritur që t’i shtojë sipërfaqet e mbjella me fidane të dredhëzës, ndërsa në të njëjtën kohë kam ngritur edhe një serrë, e cila më ka mundësuar që këto fidane t’i kultivojë edhe gjatë kohës kur temperaturat janë më të ulëta”, thotë Mulaj, duke shtuar se kanë vështirësi gjatë plasimit të prodhimeve në treg.

Ministria e Bujqësisë, gjatë këtij viti ka miratuar edhe 246 projekte të reja të fermerëve në sektorin e hortikulturës, të cilat do t’i mbështes me mbi 1.3 milion euro.

Ishujt grekë në shitje!

Dy vjet më parë gjermanët i kishin sugjeruar grekët që t’i shesin ose t’i japin me koncesion disa nga 6000 ishujt që Greqia ka në Detin Egje, prej tyre 227 të pabanuar. Por me krenari, grektë asokohe kishin refuzuar këshillën e gjermanëve. Sot situata ka ndryshuar.
Greqia është futur në borxh të thellë për të shpëtuar nga falimentimi. Prej dy vjetësh ajo mbahet me fondet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian. Paratë alokohen me rata duke përcjellë reformat e imponuara nga huadhënësit.

Megjithkëtë, krizes nuk i shihet fundit. Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, tha të enjten për Le Monde se Greqia është e gatshme të shes disa ishuj të pabanuar. “Duhet të dalim nga kjo situatë, andaj qeveria greke është e gatshme të shes disa ishuj të pabanuar, derisa kjo nuk do të krijonte probleme për sigurinë kombëtare”, ka thënë Samara.

Rrudhet xhepi i diasporës

Të ardhurat nga diaspora kanë rënë për qindra mijëra euro, nëse krahasohen të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për këtë fillimvit me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ku del se ka rënie për 6 milionë euro. Për rënien e remitencave ka dalë edhe një raport i UNDP-së, ndërkohë që ekspertët vlerësojnë se rënia është si pasojë e krizës në vendet ku kemi diasporën.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë tremujorit të parë të vitit 2012 dërgesat e mërgimtarëve kapin shumën 119.1 milionë euro, që është 4.8 për qind më pak së në të njëjtën periudhë kohore. Në tremujorin e parë të vitit të kaluar shifra e dërgesave ishte 125.1 milionë euro. Ndërsa shifra totale e remitencave ndër vite sipas raportit të BQK-së është: në vitin 2011 totali i remitencave ishte 584. 8 milionë euro, në vitin 2010 584.3 milionë euro, në vitin 2009, 585.7 milionë euro, në vitin 2008, 608.7 milionë euro, në vitin 2007, 515.6 milionë euro, në vitin 2006, 467.1 milionë euro, në vitin 2005, 418.0 milionë euro dhe në vitin 2004, 357.0 milionë euro.

Në një hulumtimin për të hyrat nga remitencat në vitin 2011 në Kosovë nga Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara thuhet se shenjat nga jashtë janë burimi më i madh i të hyrave për amvisëritë në Kosovë, pas fitimeve nga punësimi i rregullt, dhe bëjnë më shumë se 20 për qind të të hyrave të përgjithshme. Sipas këtij hulumtimi, në vitin 2011 shuma e përgjithshme e remitencave në Kosovë ishte 379.6 milionë euro, që është më pak se 14 për qind për shkak të krizës ekonomike në Evropë, në krahasim me 442 milionë euro sa janë shënuar në vitin 2010, dhe është parë se remitencat kanë rritur standardin e atyre që i kanë marrë.

Drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, thotë për Zërin se kjo po ndodh për shkak se mërgimtarët janë orientuar më shumë tek kursimet për shkak të krizës. “Rënia e remitencave është një tregues që diaspora jonë është orientuar më shumë në kursime në kohët e krizës së eurozonës dhe normalisht se do të ndikojë në rënien e fuqisë blerëse të kosovarëve, meqenëse Kosova është mjaft e varur nga paratë që i merr nga jashtë”, tha Abdixhiku.

Si problem tejet të madh Abdixhiku e konsideron edhe rënien e eksportit dhe investimeve nga jashtë. /Telegrafi/ kohaislame

Bankat dyfishojnë fitimet

Vlera neto e kredive të dhëna për klientët nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë është rritur lehtë ndërmjet periudhës mars e qershor të këtij viti. Sipas raportit të Bankës Qendrore të publikuar në fund të javës së kaluar, vlera e tërësishme e kredive të bankave ka arritur në 1 miliard e 613 milionë euro deri më 30 qershor.

Krahasuar me muajin mars, vlera e kreditimit është për 37 milionë euro më e lartë. Krahas kreditimit, edhe vlera e depozitave të klientëve në banka është rritur ndjeshëm. Deri në fund të qershorit vlera e depozitave të klientëve në banka arriti në 2 miliardë e 105 milionë euro, apo rreth 15 milionë euro më shumë sesa në tremujorin e parë të vitit, shkruan koha.
Me gjithë rritjen e lehtë të vlerës së kreditimit dhe depozitave, bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë dyfishuar profitin ndërmjet periudhës mars-qershor të këtij viti. Profiti i shënuar deri në fund të qershorit kap vlerën prej 16 milionë e 298 mijë eurosh, nga 8 milionë e 672 mijë euro sa ishte në mars.
Profitin më të lartë e ka shënuar “Pro-Credit Bank”. Kjo bankë e ka dyfishuar profitin brenda tre muajve, nga 5 milionë euro sa ishte në mars, në 10.4 milionë euro në fund të qershorit./Indeksonline/kohaislame

SHBA hedhin çdo vit në koshin e plehrave 165 miliardë $

Në Shtetet e Bashkuara çdo vit hidhen në koshin e plehrave deri në 40% të produkteve ushqimore me shumë rreth 165 miliardë $.

Te dhëna të tilla përmbahen në raportin e lëshuar të martën nga organizata jo-qeveritare mjedisore amerikane Këshilli për mbrojtjen e burimeve natyrore.

Sipas fjalëve të shkencëtarëve, një familje mesatare amerikane prej katër vetësh hedh çdo vit produkte ushqimore me shumë prej 2.275$. Në vitin 1970 kjo shifër ishte 50% më e ulët.

Pjesën më të madhe të gjërave që përfundojnë në koshin e plehrave e përbëjnë produktet që prishen shpejt, të tilla si frutat dhe perimet. Megjithatë, sipas fjalëve të ekspertëve, produktet ushqimore gjenden shpesh në koshin e plehrave jo sepse janë prishur, por për shkak se janë të tepërta, të panevojshme./koha/kohaislame

Bankat në Kosovë nuk i ulin normat e interesit

Edhe përkundër faktit se bankat komerciale që veprojnë në Kosovë janë mjaft profitabile dhe me një qëndrueshmëri stabile, normat e kamatave të kredive vazhdojnë të jenë të larta, thonë njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë. Sipas disa organizatave joqeveritare që merren më këtë çështje, normat e kredive sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Ibrahim Rexhepi, njohës i ecurive ekonomike në Kosovë, thotë se bankat në Kosovë janë komerciale, që përballë kanë vetëm interesin, dhe në asnjë mënyrë nuk e ndajnë fatin me ekonominë dhe kredimarrësit e tyre.

Ai madje dyshon se ka marrëveshje të fshehta në mes institucioneve bankare për të mbajtur nivelin e lartë të kamatave.

“Nuk ka ndonjë veprimtari aq profitabile në Kosovë, ku një investim mund të kthehet në 12 deri 15 për qind në fitim. Çka do të thotë se investimet nuk mund të mbulojnë as nivelin e kamatave që kërkojnë bankat. Prandaj, edhe bankat kanë riorientuar plasimin e mjeteve, kanë përzgjedhur veprimtaritë që mund të financojnë dhe në këtë rast është tregtia”, shprehet Rexhepi.

Normat e interesit të kredive në Kosovë janë të më të lartat në rajon, vlerëson edhe Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Ai konsideron se vetëm konkurrenca e fortë në tregun bankar, mund t’i detyrojë bankat që të ulin kamatat e kredive.

Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale.

“Unë pajtohem se tetë banka në numër janë të mjaftueshme për numrin e popullsisë dhe kapacitetin e ekonomisë së Kosovës. Por, këto banka janë shumë konservative në dhënien e kredive dhe nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të furnizuar ekonominë, sektorin e biznesit në Kosovë”.

“Nëse analizojmë këto tetë banka që operojnë në Kosovë, deri në 85 për qind të kapitalit të tyre është kapital i depozituesve. Kjo krijon një garanci se sistemi është i shëndoshë dhe pa probleme në sigurimin e mjeteve”, thekson Bektashi.

Ndryshe, kamatat e kredive i përcaktojnë bankat në bazë të politikave të tyre, ndërsa Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në politikat e bankave.

Bektashi shpjegon se cilat janë mundësitë që të institucionet shtetërore të ndikojnë në uljen e kamatave të kredive.

“Në Unionin Evropian ka shtete që kanë banka partneritet publiko-privat dhe përmes kapitalit shumë të madh që kanë ato banka mikse, drejtpërdrejt ndikojnë në uljen e normave të interesit”.

“Disa shtete madje përdorin edhe subvencione për disa sektorë kyç, siç është sektori i bujqësisë, blegtorisë apo disa degë të veçanta të industrisë, ku shteti subvencionin më qëllim që të fusin investime të reja”, shprehet Bektashi.

Edhe Ibrahim Rexhepi e sheh të nevojshëm sigurimin e një kontrolli më të mirëfilltë të sistemit financiar nga autoritetet kompetente.

“Forma më e mirë, jo që të ulet, por së paku që të ketë një mbikëqyrje më të madhe në sistemin bankar, qoftë edhe më mundësi të ndërhyrjes së herëpashershme, me qëllim të stabilizimit të rrjedhave, është forcimi i Bankës Qendrore të Kosovës”.

“Do të thotë që ajo të ketë komponentin për sistemin monetar, në mënyrë që në momente të caktuara të ndikojë në qetësimin apo uljen e kamatave”, thotë Rexhepi.

Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale dhe përbëjnë 76.0 për qind të aseteve totale të sektorit financiar.

Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet përmes 300 degëve dhe nëndegëve.

Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.

Nga totali i kredive afër 70 për qind janë kredi për ndërmarrjet. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë, sektori i industrisë dhe ekonomitë familjare./koha/kohaislame

Versioni i ELKOS-it për PTK-në

Zyrtarët e kompanisë Elkos thonë se do të ishin ende në garë për PTK’në, sikur t’u merrej parasysh nga Qeveria kërkesa për shtyrje të procedurave të parakualifikimit.

Ata brenda dy javësh synonin të hynin në konzorcium me Franc Telekomin, por kërkesa nuk iu mor parasysh.
Kompania Elkos ka mundur të jetë në garë për privatizimin e Post-Telekomit të Kosovës, sikur t’i pranohej një kërkesë për zgjatje të procedurave të parakualifikimit.
Kjo kompani, e cila ishte e vetmja vendore në garë për PTK-në, i kërkoi këshilltarit të transaksionit, dy javë kohë, pasi ishte në bisedime me Franc Telekomin, për një konzorcium të mundshëm.
Por Bekim Abazi, menaxher i këtij projekti, thotë se Qeveria përkundër kërkesës, i shpalli kompanitë e parakualifikuara pas tri ditësh. Ai thotë se nuk mbahet mend që me një shpejtësi të tillë, të shpalleshin fituesit.
Si pasojë, Elkos u eliminua nga gara me arsyetimin se nuk kishte përvojë në fushën e telekomunikimeve, kriter ky që synonin ta përmbushnin duke e futur në konsorcium Franc Telekomin, raporton Express.
“Kemi bërë kërkesë për shtyrje të afatit deri në shtator. Deri në këtë kohë, pritej të finalizohej marrëveshja me Franc Telekomin. Por kërkesa jonë nuk u mor parasysh dhe u eliminuam për mungesë përvoje”, ka thënë Abazi./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
scattered clouds
27.5 ° C
27.5 °
27.5 °
54 %
3.6kmh
40 %
Sat
27 °
Sun
32 °
Mon
32 °
Tue
30 °
Wed
30 °