Ballina Blog Faqe 704

Kosova humb qindra miliona euro, pa kodin e vet telefonik

Qeveria e Kosovës e ka mirëpritur miratimin e rezolutës në Kuvend për heqjen e kodeve telefonike që tani përdoren dhe shfrytëzimin e kodit telefonik të Shqipërisë pasi Kosova nuk mund ta ketë kodin e saj.

Ata thonë se nuk do të ndalen së insistuari që Kosova ta ketë kodin e saj. Por, ekspertë të kësaj fushe thonë se Kosova ka mundur të jetë anëtare e ITU-së, insitucion kompetent për dhënien e kodeve, edhe pa qenë anëtare e OKB-së. Por ,zyrtarët qeveritar thonë se kjo është e pamundur.
“Ne do të bëjmë përpjekje që bashkarisht në Kuvend, të formojmë një komision të caktuar, i cili do t`i shiqoj mundësitë për implementimin e kësaj rezolute të Kuvendit, mirëpo, megjithëkëtë, MZHE, si përgjegjës për këtë sektor te telekomunikacionit dhe së bashku me ART-në, do të kërkoj vazhdimisht dhe do të insitoj që ta ketë kodin e vet shtetëror të telefonisë, thotë Agim Kukaj, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik .
Drejtori i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit. për RTK-në tha se nëse do të ketë marrëveshje ndërmjet dy shteteve, në varësi prej modaliteteve të specifikuara me marrëveshje, ART-ja është e gatshme që ta jetësojë procesin në më pak se 6 muaj kohë. E sipas mediave, edhe Kryeministri i Shqipërisë, në parim, është pajtuar me një gjë të tillë. Por, zyrtarët e ITU-së, më herët kanë deklaruar se është ITU-ja ajo që jep kode telefonike.
Eksperti i kësaj fushe dhe ish-shefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, u shpreh se ideja është për t`u përshëndetur,por nuk është pragmatike. Por, sipas tij, Kosova deri më tani ka mundur të jetë anëtare e ITU-së, gjë që hedhet poshtë nga zyrtarët e Qeverisë.
“Kosova ka mundësi edhe ka pas mundësi deri më tani të jetë anëtare e ITU-së, pa qenë anëtare e OKB-së. Me 2/3 e votave anëtare të të ITU-së, Kosova mund të bëhet. Rasti i Palestinës, Tajvanit, Nue Koka Island dhe Folklands, e dëshmon se nuk janë në OKB, por, kanë kodet që i përdorin. Bie fjala, Palestina e përdor një kod administrativ që në një konference në vitin 1998, në marrëveshje me Izraelin, mirëpo nuk përdoret në tërë territorin e Palestinës. Nuk do të thotë të kesh kod shtetëror që patjetër të jesh anëtar I ITU-së. Për të qenë anëtar i ITU-së, duhesh me qenë anëtar i OKB-së dhe Kosova nuk nuk është mirëpo ka vende që nuk janë anëtare të OKB-së, mirëpo kanë kode”, thotë Shyqyri Haxha, Ish kryeshef i PTK-së.
“ Mendoj që janë deklarata të pamenduara dhe të pastudiuara mirë të z. Hoxha. Vendimet në bordin për cështjen e numeracionit merren me koncensus, dmth nëse ndonjë anëtar I ITU-së, e stopon apo bllokon iniciativën nuk merret vendimi për kod telefonik. Në kohën e UNMIK-ut, ne kemi kërku që në cfarëdo forme ta marrim kodin telefonik edhe si kod gjeografik, edhe si kod administrativ por edhe si kod shtetëror. Të gjitha përpjekjet kanë dështuar sikru edhe përpjekjet si ministri e transportit dhe telekomunikacionit, në atë kohë që ta marrim kodin e telefonisë”, tha Kukaj.
Sipas të dhënave, Kosova humb qindra miliona euro, duke mos pasur kodin e vet dhe duke përdorur kodet e shteteve të tjera. /Indeksonline/kohaislame

Japonia i dhuroi Kosovës 43 kamionë për mbledhjen e mbeturinave

Qeveria japoneze ia ka dhuruar Kosovës 43 kamionë për mbledhjen e mbeturinave. Të martën paradite, në terminalin doganor në Han të Elezit, ka arritur kontigjenti i parë 14 kamionësh.

“Ky donacion e kapërcen shumën prej 4,5 milionë eurosh”, ka theksuar Nezakete Hakaj, udhëheqëse e Divizionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. “Sot ka arritur kontigjenti i parë prej 14 kamionësh, ndërsa deri në fund të shtatorit do të arrijnë edhe 29 të tjerë”, ka thënë Hakaj. Ajo ka nënvizuar se kamionët e dhuruar janë të rinj e të papërdorur, të prodhuesit japonez “Mitsubishi”. Hakaj e ka falënderuar Qeverinë japoneze për donacionin e vlerësuar në funksion të menaxhimit më cilësor të mbeturinave. Ndërkaq, Shefqet Zeka, zëdhënës i MMPH-së, i ka thënë “Kohës Ditore” se kamionët e dhuruar janë të dedikuar për komunat e rajonit të Prishtinës dhe të Prizrenit. “Dhjetë kamionë janë të dedikuar për komunat e rajonit të Prishtinës, ndërsa 33 për ato të rajonit të Prizrenit”, ka sqaruar zëdhënësi Zeka./koha/kohaislame

Kosova, djep i investimeve turke

Gjatë ditës së hënë, ministri i Financave i Republikës së Turqisë, Mehmet Shimshek dhe ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza nënshkruan marrëveshjen e satë me radhë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Marrëveshja e fundit u bë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, në lidhje me tatimin mbi të ardhurat.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ministri Hamza falënderoi ministrin turk për kontributin e shtetit të tij për Kosovën në të gjitha segmentet. Turqia, tha Hamza, është ndër partnerët kryesorë të Kosovës, në shkëmbimet tregtare dhe ekonomike dhe se bashkëpunimi në mes të këtyre dy vendeve është i shkëlqyeshëm.
Tha edhe se marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim tërheqjen e investitorëve dhe lehtësimin e punës së bizneseve të të dy shteteve.
“Kjo është vizitë në një ditë të shënuar për Kosovën, ku edhe solemnisht po përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Nënshkruam edhe një marrëveshje tjetër shumë të rëndësishme për bashkëpunimin tonë, thellimin e bashkëpunimit tonë, që është marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë, që ka për qëllim tërheqjen investitorëve, lehtësimin e punës së bizneseve të të dy shteteve”, tha Hamza.
Kjo, sipas tij, nuk është marrëveshja e fundit.
“Ne i kemi filluar negociatat edhe për një marrëveshje të re shumë të rëndësishme dhe presim që në një afat kohor optimal ta finalizojmë suksesshëm, siç është marrëveshja për tregti të lirë”, shkruan gazeta Express.
Në anën tjetër, ministri i Financave i Republikës së Turqisë, Mehmet Shimshek tha se kjo ditë historike për Kosovën po kurorëzohet edhe me një marrëveshje shumë të rëndësishme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë.
Ai tha se rritja ekonomike e Kosovës, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti i Kosovës nuk janë të rëndësishme vetëm për Kosovën, por janë të rëndësishme për gjithë Ballkanin dhe rajonin.
Shimshek po ashtu tha se Turqia ka qenë gjithmonë pranë Kosovës dhe se përkrahja e saj do të vazhdojë dhe në të ardhmen.
“Marrëveshja që e kemi nënshkruar sot, është një marrëveshje e rëndësishme, meqë do të lehtësojë punën e investitorëve dhe realisht do të rrisë ekonominë”, tha Shimshek.
Turqia, tha ministri turk, i stimulon firmat dhe biznesmenët turq që të vijnë në Kosovë dhe Kosovën ta shohin si një djep të investimeve për Evropën.
“Në saje të reformave të cilat janë bërë nga ministria, Kosova është shndërruar në një qendër të tërheqjes së vëmendjes së investitorëve”.
Marrëveshja e eliminimit të tatimit të dyfishtë dhe marrëveshja të cilën planifikojnë ta nënshkruajnë mbi sigurimin e tregut të lirë, sipas Shimshekut, do të jenë marrëveshje të cilat do të kontribuojnë pa masë në zhvillimin ekonomik.
Shimshek, po ashtu tha se Kosova dhe Turqia kanë lidhje shumë të rëndësishme, të bazuara mbi historinë dhe kulturën tonë të përbashkët. Ai po ashtu përgëzoi popullin e Kosovës për të arriturat pas shpalljes së pavarësisë./ndx/kohaislame

Anulohen fluturimet ndërkombëtare të Egypt Air

Kompania ajorore kombëtare egjiptiane, Egypt Air,ka deklaruar se si pasojë e grevave të ekipit të fluturimit, janë anulluar fluturimet ndërkombëtare të kësaj agjencie për 12 orë.
Sipas burimeve informative bëhet e ditur: “Si pasojë e grevave të ekipit shoqërues të fluturimeve ndërkombëtare të agjencisë kombëtare Egypt Air, duke qenë se disa fluturime në mëngjes janë ndikuar nga këto greva, kjo kompani ka vendosur për anullimin e fluturimeve ndërkombëtare nga Kairo nga ora 4 e mëngjesit deri në orën 4 pasdite me orën lokale(2 deri 14 me orën e Greenwich). Egypt Air duke theksuar se fluturimet brenda vendit nuk janë ndikuar nga këto greva ka deklaruar: “Po merren të gjitha masat për të mbajtur nën kontroll situatën”.

UNDP lanson projektin e punësimit në Kosovë

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansoi këto ditë një publikim të ri në takimin e Bordit Ekzekutiv, në selinë në Nju Jork. Publikimi tregon arritjet transformuese të zhvillimit në vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, transmeton Qik-u. Pjesa më e madhe e këtyre sukseseve janë të bazuara në politikat e reja inovative sociale, që adresojnë nevojat e të varfërve dhe të margjinalizuarve në këtë rajon, përfshirë romët, të rinjtë, të papunët afatgjatë dhe njerëzit me aftësi të kufizuar.

Publikimi ofron shembuj të gjallë të strategjive që synojnë avansimin e objektivave sociale, ekonomike dhe mjedisore. Si rezultat i këtyre strategjive shpeshherë inovative, UNDP – gjithmonë në partneritet me qeveritë, sektorin privat dhe shoqërinë civile – ka ndihmuar në krijimin e vendeve të punës, në plotësimin e nevojave të grupeve më të prekura, menaxhimin në mënyrë të përgjegjshme të mjedisit dhe në sigurimin për parandalimin dhe riaftësimin pas krizave dhe fatkeqësive.

Njëra nga storiet e publikuara është edhe ajo e projektit të punësimit (ALMP) të UNDP-së në Kosovë. Edhe fotoja e përzgjedhur për kopertinë është marrë nga po nga i njëjti projekt./koha/kohaislame

Plane për hapjen e një banke me vlera islame në Gjermani

Oferta financiare të bazuara në vlera islame. Me këtë parim synon të thithë klientë banka Kuveyt Türk, banka e parë konforme ndaj fesë islame, që do të hapë një filiale në Gjermani.
Heqje dorë prej bizneseve financiare spekulative dhe oferta financiare të bazuara në vlera. Në kohët e krizës financiare në Evropë shumëkush është pro një ideje të tillë. Dhe ky është edhe parimi i bankës nga Stambolli Kuveyt Türk, banka e parë konforme ndaj fesë islame, e cila do të hapë një filiale në Gjermani.

“Ideja është një bankë islame që ndjek parimet e depozitave dhe të fesë islame”, thotë Zaid el-Mogadedi, themelues dhe drejtor ekzekutiv i “Institute for Islamic Banking and Finance” (IFIBAF) në Frankfurt në bisedë me Deutsche Welle. Të ndaluara janë ndër të tjera investime në lojërat e fatit, pornografi, tregtinë e armëve apo në firma që prodhojnë dhe tregtojnë mish derri dhe alkool, apo janë të zhytura në borxhe. Të gjitha produktet financiare që ofrohen kontrollohen prej një komisioni etike.

Martin Schulte mendon se për të kuptuar konceptin e një banke islamike duhet hedhur një vështrim në konceptin islamik për paranë: “Paraja nuk jep fryte, pra vetëm dhënia e parave si kredi nuk sjell ndonjë përfitim për ekonominë e përgjithshme. Paraja është vetëm një mjet këmbimi, që vetë nuk ka ndonjë lloj force ekonomike.” Sipas tij në rast se bazohemi në këtë koncept, nga bankat mund të ofrohen produke që kanë kuptim për ekonominë e përgjithshme dhe mund ta plotësojnë shumë mirë biznesin konvencional të bankave edhe nga perspektiva makroekonomike./dw

Vizione për ekonominë siriane

Ekonomia në Siri gjendet përtokë. Me ndihmë nga jashtë ajo duhet të ngrihet sërish në këmbë, kur regjimi i Assadit t’i përkasë së kaluarës. Bashkësia ndërkombëtare planifikon për ditën X.
“Assadi duhet të largohet, koha e tij ka marrë fund”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle të martën (04.09.2012) në një takim të miqve të Sirisë në Berlin. “Ne duhet të jemi të pregatitur për këtë ditë”. Qeveria gjermane dëshëron të kontribuojë për këtë. Përfaqësues nga 60 vende zhvilluan konsultime në Ministrinë e Jashtme gjermane, se si mund të ndihmohet rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë siriane pas rrëzimit të regjimit. Në takim merrnin pjesë edhe pjesëtarë të opozitës siriane dhe ekspertë të ekonomisë.
E qartë është se pa ndihmë nga jashtë, rimëkëmbja nuk do të jetë e mundur. “Populli sirian disponon rezerva natyrore si për shembull naftë, por vetëm ne nuk ia dalim të rimëkëmbim ekonominë”, tha Abdelbaset Sieda, president i Këshillit Kombëtar sirian, në opozitë. Për këtë arsye Sirisë i duhet një plan Marshall, pra ndihmë nga jashtë në fazën kalimtare, pas marrjes fund të regjimit të Assadit. “Pa një ekonomi të fortë ne i hapim dyert dhe portat ekstremizmit”, paralajmëroi Sieda.
Biznesmeni sirian Ayman Tabaa është larguar pak kohë më parë nga atdheu i tij. Ajo që dikur ishte e vetëkuptueshme është sot për të një privilegj, për shembull një mëngjes i thjeshtë. “Sot nuk kam më frikë se mund të bie viktimë e bombave në Aleppo ndërkohë që mbaj rradhën për bukë”, thotë Ayman Tabaa.

Ndihmë emergjente dhe perspektiva afatgjata
Ministri i Jashtëm Westerwelle nuk përjashtoi në takimin në Berlin pranimin nga Gjermania të refugjatëve sirianë. Ai theksoi megjithatë se: “Prioriteti është fare qartë ndihma në Siri.” Por mungesa e zonave të sigurta në vend e bën këtë thuajse të pamundur për momentin. Ushqimet, uji dhe medikamentet, do të jenë ndihmat e para emergjente pas përfundimit të luftimeve. Në takim u diskutua edhe për perspektivat afatgjata për ekonominë siriane. Qeveria gjermane tha se është e interesuar që në Siri “të ekzistojnë shanse të ndershme ekonomike pas vitesh me radhë sundimi të nepotizmit”, theksoi Westerwelle.

Një fushë potenciale investimesh është sektori i naftës dhe gazit natyror. Prodhimi është reduktuar me gati 50 për qind që prej fillimit të luftës civile, bëri të ditur ish-zëvendësministri sirian i naftës, Abdou Husameddin. Shumë sipërmarrës dhe punëtorë kanë braktisur vendin, ata duhet të rikthehen që biznesi të ringjallet.

Plane në sirtar
Gjermania drejton së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe “Grupin e punës për rindërtim ekonomik dhe zhvillim”, i cili u themelua në shkurt 2012 nga grupi i miqve të popullit sirian. Sekretariati ndodhet në Berlin. Synimi i punës së këtij grupi është të pregatisë sa më mirë të jetë e mundur rendin e ri ekonomik dhe rindërtimin. Bashkësia ndërkombëtare kërkon të jetë e pregatitur për ditën X dhe të mos i rëndojë sirianët me oferta ndihma të pakoordinuara dhe joeficiente.
Këto planifikime duhet t’ia bëjnë më të lehtë opozitës siriane krijimin e një profili në politikën ekonomike dhe duke rritur kështu kredibilitetin e saj. Westerwelle u bëri thirrje grupeve të ndryshme opozitare në Siri të bashkëpunojnë në frymën e pluralizmit dhe demokracisë. Vetëm kështu mund ata mund të përfaqësojnë “një alternativë kundrejt regjimit të padrejtësisë” dhe të zhdukin frikën për atë ç’mund të ndodhë me Sirinë pas Assadit./dw

Konkurrentët e lusin Volkswagenin të mos e shtojë prodhimin

Derisa kompania gjermane Volkswagen planifikon të shtojë prodhimin e automjeteve, prodhuesit tjerë kanë telashe të mëdha për shkak të kërkesës së ulur për automjetet e tyre. Për këtë arsye disa prodhues me nam i kanë dërguar një apel ‘solidariteti” grupacionit gjerman të automobilave që të mos i zgjerojë kapacitetet e veta, ndonëse Volkswagen zotëron 23.9 për qind të tregut evropian.

Prapa apelit për “solidaritet” qëndrojnë kompanitë Fiat, Peugeot-Citrone, Renault dhe Opel, të cilat në Bruksel po lobojnë që të zvogëlohen kapacitetet në auto industri, por edhe barrierat që ndalojnë mbylljen e fabrikave dhe largimin e punëtorëve.

Për dallim nga repartet e Volkswagenit që punojnë normalisht, fabrika e Fiatit në Napoli do të mbyllet së shpejtim kurse Peugeot planifikon të largojë nga puna 14 000 punëtorë, në mënyrë që të zvogëlojë humbjet në shumë prej 819 milionë eurove në gjysmën parë të këtij viti.

Problem shtesë për këto kompani evropiane paraqesin dhe automobilat e vegjël nga Azia, kështu që përkundër uljes së çmimeve, Peugeot humb mesatarisht 780 euro për një automobil të shitur, kurse Fiati 142 euro.

Dhe derisa ata flasin për konkurrencën nga Azia, Volkswagen pikërisht atje shet më së shumti automobila, andaj nuk habi fakti që mesatarisht fiton 916 euro për secilin automobil të shitur. Audi dhe Porsche, ndërkaq, që i janë bashkuar Volgswagenit, realizojnë fitim mesatar prej 4 242, përkatësisht 16 826 eurove për çdo automjet të tyre të shitur./koha/kohaislame

Borxhi amerikan, 16 trilionë dollarë

Departamenti amerikan i Thesarit konfirmon se borxhi kombëtar për herë të parë ka tejkaluar 16 trilionë dollarë. Kjo është e barabartë me 50 mijë dollarë borxh për çdo burrë, grua dhe fëmijë në Shtetet e Bashkuara, bën të ditur VOA.

Zyrtarët thanë se më vonë këtë vit vlera e borxhit ka të ngjarë të arrijë në 16.4 trilionë dollarë që është kufiri maksimal i borxhit. Dhe nëse ligjvënësit nuk e miratojnë legjislacionin e ri për të rritur kufirin e borxhit, Amerika nuk do të jetë në gjendje për të marrë hua për të paguar faturat e saj./voa/kohaislame

Kosova prodhon kuadro në shpërputhje me nevojat e tregut të punës

Kosova brenda një viti nxjerr në treg të punës deri në 8 mijë kuadro të diplomuar nëpër fakultete të ndryshme dhe kolegje private.

Për të njëjtën periudhë shkollën e mesme e mbarojnë rreth 30 mijë nxënës, në profile të ndryshme, që po ashtu llogariten të gatshëm për punë në sektorë të ndryshëm, më sekondare të shoqërisë, shkruan sot “Koha Ditore”. Këto shifra janë bërë të ditura nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë. Këshilltari për arsim i ministrit Buja, Ragip Gjoshi, po ashtu, ka treguar se në klasat e para të shkollës fillore sivjet do të regjistrohen 29 mijë nxënës, në shkollat e mesme 30 mijë e 553, kurse në arsimin e lartë publik e privat, rreth 26 mijë veta, afërsisht 16 mijë veta në universitet publike dhe 10 mijë në ato private. Të dhënat, edhe sipas Gjoshit, tregojnë se Kosova nuk ka deficit kuadrosh, por ka telashe në punësimin e tyre. Nga ana tjetër, statistikat e fundit të Departamentit të Punës dhe të Punësimit në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale tregojnë se aktualisht janë rreth 266 mijë persona të regjistruar si të papunë, që kërkojnë vende pune. Prej tyre, 154 mijë janë të pakualifikuar, rreth 10 mijë janë gjysmë të kualifikuar, afër 23 mijë janë të kualifikuar, derisa 73 mijë prej tyre e kanë të mbaruar shkollën e mesme.

Me shkollë të lartë, po sipas këtij raportit, presin të punësohen 1.600 veta. Raporti tregon se në Kosovë tashmë janë të regjistruar rreth 4.500 persona si të papunë, e që kanë të kryer fakultete. Nga të papunët e regjistruar, gjysma e tyre janë femra. Shumica syresh vijnë nga rajoni i Prishtinës, Mitrovicës e Prizrenit, por nuk janë larg as rajonet e tjera të Kosovës. Më së shumti të papunë, apo 118 mijë janë të grupmoshës, 25-39 vjet. Të regjistruarit si të papunë u përkasin të gjitha komuniteteve. 27 mijë janë të komuniteteve joshqiptare. Çdo muaj si të papunë paraqiten rreth 2 mijë persona. Personat në listën e të papunëve e që gjejnë punë janë kryesisht ata që kanë mbaruar shkollën e mesme dhe që janë të pakualifikuar. Vetëm rreth 15 për qind e numrit të përgjithshëm të tyre, që çregjistrohen si të papunë kanë shkollim universitar.

Sipas një raporti të vitit 2011, i hartuar nga i njëjti departament i MPMS-së, numri më i lartë i punësimeve u është referuar personave me shkollë të mesme, ose 2.942 të punësuar, pastaj “të pakualifikuar” me 2.717 persona, si dhe me universitet 1.011 të punësuar. Në raport theksohet se nga të kualifikuarit me përgatitje superiore gjatë 12 muajve të vitit 2011 janë 25.8 për qind./koha/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
18.5 ° C
18.5 °
18.5 °
63 %
1kmh
0 %
Thu
37 °
Fri
37 °
Sat
37 °
Sun
37 °
Mon
37 °