Ballina Blog Faqe 703

Merkel – Evropa të vazhdojë me reformën e dhembshme

Kancelarja Angela Merkel u ka tërhequr vërejtjen haptas fqinjëve të Gjermanisë në eurozonë, që kanë probleme, duke u thënë atyre se vazhdimi i reformave të dhembshme dhe politikat e ashpra buxhetore, janë e vetmja mënyrë për zgjidhjen e krizës së vështirë ekonomike në Evropë, e cila po thellohet, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze, Independent.

Këto komente kancelarja gjermane i bëri në fjalimin e saj në Federatën e Industrisë Gjermane, në një ditë të trazirave në bllokun euro.

Qeveria në Spanjë u ballafaqua me protesta masive në kryeqytetin Madrid, kundër kursimeve, ndërsa raportohet se Greqia ka mungesë prej miliarda eurosh në plotësimin e kushteve të ndihmës financiare.

Njëherësh, agjencia e rejtingut, Standard and Poor’s, përsëri e ka theksuar gjendjen e zymtë të ekonomisë së Bashkimit Evropian, duke parashikuar se eurozona nuk mund të kthehet në rritje deri së paku në vitin 2014.

Kundër këtij sfondi të errët, zonja Merkel ka këmbëngulë se “duhet të marrim frymë thellë për ta kapërcyer krizën” dhe ka shtuar se “duhet të bëjmë përpjekje që Evropës t’i mundësojnë dalje nga kriza më e fortë se kur ajo filloi”.

E përditshmja londineze, Independent, shkruan se kancelarja gjermane e ka pranuar se disa reforma të rënda në Evropën Jugore kishin ndihmuar, por tha se atje ka ende punë për tu bërë.

Tregjet, theksoi ajo, kanë dyshime lidhur me aftësinë e tyre për t’i paguar borxhet.

Komentet e saj ishin disi nën hije të vazhdimit të krizës në Spanjë dhe Greqi.

Qeveria në Athinë të martën e ka pranuar se do t’i duhen ndërmjet 13 e 15 miliardë euro fonde më tepër, nëse i jepet zgjatje dyvjeçare për planin e borxhit, të cilin ajo e ka kërkuar.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar, po ashtu, një raport të fundjavës, i cili pretendon se kushtet e ndihmës për Greqinë ishin në rrezik, për shkak të deficitit prej 20 miliardë eurosh, shumë dy herë më e madhe se sa mendohej.

“Disa thonë se kjo shumë është 14 miliardë, disa 20, e disa të tjerë thonë 30 miliardë”, ka thënë një zyrtar, shkruan e përditshmja Independent.

Sipas tij, shuma e vërtetë do të mund të dihej, pasi i ashtuquajturi “treshi” i inspektorëve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisioni Evropian, ta përfundoj vlerësimin për progresin e Greqisë në plotësimin e synimeve të reformave të veta.

Vendimi ndoshta mund të merret në nëntor të këtij viti.

Nëse Spanja do të kërkoj një ndihmë të re, që shkon mbi 100 miliardë euro, e premtuar nga ministrat financiar të eurozonës, për ta mbështetur sektorin e sëmurë bankar spanjoll, mbetet çështje kryesore.

Spanja është nën presion për të kërkuar program ndihmës të kufizuar nga Banka Qendrore Evropiane, e cila do të lejoj që banka të blej fletobligacione spanjolle dhe ta ulë çmimin e borxhit afatshkurtër.

Nga ana tjetër, kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, e ka hedhur poshtë idenë për uljen e pensioneve, që llogaritet se është ngarkesa më e madhe financiare e Spanjës.

Njëherësh, kundërshtimi i furishëm ndaj intervenimit të Bankës Qendrore Evropiane në tregun e fletobligacioneve, i paraqitur nga anëtaret e Parlamentit gjerman dhe Jens Weidmann, shef i lartë në Bundesbank, ka sinjalizuar se Gjermania nuk dëshiron që Spanja të vazhdoj me kërkesën për ndihmë të BQE-së./rel

Shqipëria me 55 multimilionerë, Maqedonia me 35

Shqipëria rezulton me numrin më të madh të multi – milionerë në Ballkan, ndërsa Maqedonia ka 35 multi-milionerë.

Kjo bëhet e ditur përmes një studimi mbi pasurinë të “World Ultra ëealth 2012-2013”, ku Shqipëria radhitet e 37-ta në Evropë sa i përket numrit të të pasurve milionerë, duke lënë pas shumë vende të Evropës dhe Ballkanit. Sipas raportit, Në Shqipëri janë 55 multi – milionerë, ndërsa vlera e përbashkët e pasurisë së tyre arrin në mbi 7 miliardë dollarë amerikan.

Raporti bën të ditur se në Maqedoni ka 35 multimilionerë, por edhe kjo shifër nuk është e pakët, pasi që Maqedonia radhitet në kuotat e larta, para Malit të Zi me 21 multi – milionerë, dhe pas Bullgarisë dhe Qipros që numërojnë nga 45 multi – milionerë.

Studimi ka përfshirë 53.441 persona të tillë që numërohen aktualisht në mbarë Evropën, ndërsa për Shqipërinë nuk ka pasur lëkundje sa i përket numrit të multi – milionerëve, për shkak se nuk ka lëvizur pasuria dhe bizneset e tyre. Derisa në shumë vende të tjera të Evropës, janë larguar nga lista e multi – milionerëve mbi 1.050 veta, që nuk gëzojnë epitetin multi – milionerë, për shkak të krizës financiare dhe ekonomike.

Numrin më të madh të multi-milionerëve në Europë e ka Gjermania, e cila renditet në vendin e parë në raport me 15 770 multi-milionerë, e ndjekur nga Britania, Zvicra dhe Franca, ndërsa në vendin e fundit është Malta me 16 super të pasur. (INA)/kohaislame

Banka Islamike në Xheda premton ndihmë për financim të projekteve në Kosovë

Një delegacion ndërministror i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, vizitoi Bankën Islamike për Zhvillim në Xhide, Mbretëria e Arabisë Saudite, me ç`rast zhvilloi bisedime përmbajtësore rreth mundësive të kësaj Banke për financimin e projekteve zhvillimore të Kosovës, veçmas në fushën e shëndetësisë, infrastrukturës dhe programeve humanitare.

MSH përmes një njoftimi lëshuar për media bën të ditur se është mbështetur pjesëmarrja në realizimin e projektit të Qendrës Emergjente Klinike Universitare, Projekti i ndërtimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë si dhe disa qasje konkrete humanitare. U dakordua që një delegacion i Bankës Islamike për Zhvillim, të vizitojë Kosovën në javën e parë të nëntorit, për tu njohur më afër me detajet e projekteve dhe marrjen e obligimeve konkrete për realizimin e tyre si dhe të hulumtohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të Kosovës me këtë institucion të rëndësishëm financiar, për çka nga ana e Kosovës nevojat janë të mëdha ndërsa nga Banka Islamike për Zhvillim u tregua një gatishmëri e madhe për ndihmë. Pas bisedave intensive me nënkryetarët e Bankës, me drejtorë dhe ekspertë të departamenteve, delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës, u prit edhe nga Kryetari i Bankës Islamike për Zhvillim, Dr. Ahmad Mohamed Ali Al-Madani./kosovasot/kohaislame

Në Kosovë, 44 për qind të papunë

Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë dhe familjeve, në Kosovë 44 për qind e popullatës është e papunë.

Kjo e dhënë është nxjerrë nga totali i asaj që llogaritet si popullsi ekonomikisht aktive. 61 % e popullatës jeton në fshatra, që është larg nga përqindja mesatare e shteteve të BE-së nga viti 2010, e cila arrin në 20 %. Nga të dhënat e regjistrimit për përqindjen e të emigruarve në vendet e jashtme, të bëra nëpërmjet një formulari, i cili nuk ishte standard, del se ka emigruar 22 % e popullatës.

Një familje mesatare kosovare ka 5.85 persona, ndërsa në shtete të BE-së ky numër është ndjeshëm më e ulët dhe ka mesatare prej 2.4 personave.

Për dalim nga dekadat e shkuara, shkalla e lindjeve në dekadën e fundit është zvogëluar ndjeshëm. Por, prapëseprapë, Kosova mund të krenohet se ka gjysmën e popullatës më të re se sa 26 vjeçare, kurse në vende të Bashkimit Evropian kjo mesatare para dy vjetësh ishte 40 vjeç./koha/kohaislame

Rashiq pasuron kishën serbe me buxhetin e Kosovës

Në konton e kishës ortodokse serbe çdo muaj dredhen mijëra euro nga buxheti i Kosovës në emër të qirasë mujore për objektin 804 metra katror ku është e vendosur Agjencia Kosovare Kundërkorrupsion(AKK), i cili nuk është pronë e kishës, por e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq i jep këto para në emër të një shtëpie të vogël prej 203 metra katror pronë e kishës e cila gjendet në oborrin e kësaj prone që e shfrytëzon një departament i Ministrisë së Punës.

Ministria për çdo muaj në llogari të kishës derdh hiq më pak se 9 mijë e 63 euro, por në realitet kjo shumë është dashur të jetë shumë herë më e vogël. Madje edhe vetë përfaqësues të kishës kanë kërkuar kompensim shumë më të vogël se sa ajo që po i bën ministri Rashiq.

Nga dokumentet që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se kisha ortodokse serbe përmes një dokumenti ka kërkuar nga AKK-ja pagesën e qirasë lidhur me shfrytëzimin e parkingut pesë ari nga parcela 5141-1 me sipërfaqe prej 12.54 ari dhe atë për 3 euro në muaj për metër katror.

Ndërkaq Ministria e Punës që drejtohet nga Rashiq ka vendosur që të paguajë qira mujore në vlerë prej 9 euro për metër katror për shfrytëzimin e objektit që gjendet në parcelën 5127-3 në të cilën është shtëpia 203 metra katror si dhe hapësirën prej 804 metra katror në parcelën 5127-2 në të cilën është vendosur AKK-ja.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni thotë për gazetën “Zëri” se pagesa e qirasë për objektin prej 804 metra katror që është ndërtuar në parcelën 5127-2 është e pajustifikueshme, ngase për një gjë të tillë nuk është kërkuar një gjë e tillë, madje as nga vetë kisha. “Një përcaktim i tillë i çmimit nuk është i bazuar as ne vlerën e tregut për lokacionin ku ndodhet objekti. Gjithashtu duhet të theksohet se sa i përket hapësirës ku është e vendosur AKK-ja është kontestuese dhe si i tillë vendimi i Ministrisë së Punës paragjykon të drejtën pronësore të kishës në këtë rast si qiradhënës për hapësirën kontestuese”, tha ai.

Në vendimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të nënshkruar nga Nenad Rashiq thuhet se caktohet shuma për pagesën e qirasë mujore në vlere prej 9 euro për shfrytëzimin e objektit që ndodhet në rrugën “Nazim Gafurri”. “Në parcelën 5127-3 gjendet sipërfaqja prej 203 metra katror si dhe në parcelën 5127-2 gjendet parcela prej 804 metra katror të cilën momentalisht e shfrytëzon AKK-ja”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga ministri Rashiq.

Më tej në këtë vendim thuhet se qiraja ndaj Kishës Ortodokse serbe për shfrytëzimin e objektit në vlerë prej 9063 euro në muaj duhet të paguhet nga një janari i këtij viti.
Në anën tjetër zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP), kanë thënë se objekti për të cilin ministria i paguan qira kishës është pronë e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike. “Ngastra 5127-2 me kulturë-ndërtese në sipërfaqe prej 440 metra katror është në emër të Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike”, thuhet në shkresën që drejtori i AKP-së Xhevat Azemi i ka dërguar drejtorit të AKK-së Hasan Pretenit. /Zëri/kohaislame

Mercedes nuk i shet vetura Qeverisë

Me 730 mijë euro institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës kanë blerë sivjet vetura të markave të ndryshme, mirëpo asnjë prej tyre nuk është Mercedes. Drejtues të gjigantit gjerman të automobilave “Daimler” patën konfirmuar në fillim të këtij viti për gazetën “Zëri” se kompanitë private (përfaqësuesit e autorizuar) nuk do të mund t’i shesin vetura Mercedes nëpërmjet tenderëve publikë institucioneve të Kosovës prej janarit 2012, gjë që tanimë po ndodh.

Sivjet nuk u është shitur asnjë veturë Mercedes institucioneve kosovare dhe në mungesë të tyre janë blerë vetura të markave tjera, si: Wolksvagen, Peugeot, KIA, Ford etj. Një vendim të tillë “baba” i veturave simbol të kualitetit dhe qëndrueshmërisë e ka marrë për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit në Kosovë, gjë që e potencon edhe “Transparency International” në raportet e publikuara.

Zyrtarët e kompanisë “Daimler Ag” kanë bërë të ditur se kanë vendosur me Kosovën të bëjnë biznes vetëm si transaksione të drejtpërdrejta, gjë që, sipas tij, garanton një shkallë të lartë të transparencës në proceset biznesore. “Ne kemi vendosur të bëjmë biznes me institucionet qeveritare dhe organizatat ndërkombëtare vetëm si transaksione të drejtpërdrejta me një numër vendesh, ku përfshihet edhe Kosova. Kjo na garanton një shkallë të lartë të transparencës në proceset biznesore”, ka theksuar më herët për gazetën “Zëri” Ute West von Vellberg, menaxher i lartë për komunikime, integritet dhe çështje ligjore në “Daimler Ag” në Shtutgard të Gjermanisë.

Zgjim Mita nga autosalloni “Mita”, diler i autorizuar i Mercedesit në Prishtinë, konfirmon për “Zërin” se gjatë këtij viti nuk e kanë shitur asnjë veturë Mercedes për institucionet e Kosovës.“Nuk e kemi shitur asnjë Mercedes sivjet për institucionet”, shprehet Mita.

Në pamundësi të shitjes së veturave Mercedes për institucionet, autosalloni “Mita” ka filluar të shesë edhe vetura franceze Renault, siç thonë drejtuesit, për ta rritur qarkullimin financiar të kompanisë.

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë për “Zërin” se mosshitja e veturave Mercedes për institucionet e Kosovës është vazhdimësi e imazhit negativ që ka vendi përballë kompanive serioze. “Largimi i Mercedesit që të marrë pjesë në tenderët publikë në Kosovë për shkak të korrupsionit është tregues i pastër se çfarë imazhi kemi karshi investitorëve të huaj”, shprehet Abdixhiku.

Sipas të dhënave në ueb-faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) më së shumti para publike për blerjen e veturave ka shpenzuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), 167 mijë e 400 euro nga “Kosova-Motors”, vetura të markës Ford. Kurse Ministria e Diasporës, për blerje të veturave ka shpenzuar rreth 121 mijë euro. /Tg/kohaislame

Oda Gjermani-Kosovë: Të hetohet i gjithë privatizimi, të vihet drejtësia në vend

Një kërkesë tronditëse për privatizimin vjen nga dhoma ekonomike Gjermani-Kosovë, e cila kërkon rishikim e tërë procesit të privatizimit nëpërmjet hetimit të tij.

“Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, kërkon një hetim dhe auditim të të gjithë procesit të privatizimit të aseteve shoqërore, që nga privatizimi i parë në vitin 2002 e deri në fund të vitit 2012!”, thuhet në një komunikatë të kësaj Ode.

Më tej në komunikatë thuhet se kërkesa – për Hetim dhe Auditim e procesit të privatizimit – nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare vie para së gjithash, kur kemi parasysh zhvillimet e fundit në vend, nxjerrja në pah e implikimeve të zyrtarëve të lartë të spektrit politik në afera korruptive, të cilat po e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës karshi partnerëve ndërkombëtarëe, karshi investitorëve potencial si dhe karshi vet qytetarëve të Kosovës.

Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, hetimin e privatizimit e sheh si mundësi të shpërtimit të vendit nga skandalet. “Ne kemi besim të plotë në përfaqësuesit e institucioneve kompetente shtetërore si dhe ato ndërkombëtare se do ta zbardhin të vërtetën, për të shpëtuar vendin nga skandalet e tjera të mundshme”.
“Në këtë vazhdë, ne kërkojmë nga institucionet e larta shtetërore që të hapen “dosjet” e shitjeve, e të zgjidhen të gjitha kontestet, në mënyrë që ata që degraduan këtë proces jetik për vendin të japin përgjegjësi karshi institucioneve kompetente”, thuhet në komutesë.

Kërkesa e Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, buron, para se gjithash nga bindja jonë e thellë se procesi i privatizimit është një proces i domosdoshëm për zhvillimin e vendit, thithjen e investimeve dhe rivitalizimin e ekonomisë.
Gjithashtu, ne shprehim bindjen tonë të thellë, se pak kush në Kosovë është kundër privatizimit, por shumëkush, është kundër formës abuzive dhe përvetësuese të aseteve të vendit. BS.kohaislame

Kujtesë: Dita kur Sorosi e gjunjëzoi valutën britanike

George Sorosin disa e njohin si promotor të tregut të lirë, ndërsa të tjerët e sulmojnë si një zhongler të pamëshirshme të bursave. Ai e sheh veten si një filantrop i cili angazhohet për liri në të gjitha sferat e shoqërisë – si në ekonomi ashtu dhe në politikë. Në Kosovë, si dhe në tërë rajonin e Evropës Juglindore, ai është i njohur si themelues i Fondacionit për Shoqëri të Hapur, që me mjete financiare ndihmon shumë organizata joqeveritare që për synim mëtojnë të kenë krijimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Sa i përket burimeve financiare, ky nuk është problem për Sorosin. Revista për ekonomi, “Forbes”, e vlerëson pasurinë e 82-vjeçarit në 14 miliardë dollarë amerikanë.
Paratë nuk i kanë pikur Sorosit. Ai i ka fituar ato përmes afarizmit në bursa. Por, si e bëri këtë?

Le të kthehemi në vitin 1992. Atëherë Bashkimi Evropian kishte vetëm 12 anëtarë, pra ishte një mini-union. Gjermania atëherë ishte ri-bashkuar territorialisht dhe politikisht, gjë që i ka kushtuar shuma të mëdha parash.

Bashkimi gjerman e ndryshoi strukturën e atëhershme politike dhe ekonomike të Evropës, meqë shteti ishte futur në borxhe, e kjo shkaktoi inflacionin. Për ta parandaluar rritjen e mëtejshme të çmimeve, Banka Federale Gjermane (Bundesbank) ka rritur normën bazike të kamatave – shumën e interesit për kreditë që ajo bankë ia jep bankave tjera. Kështu, marka gjermane u bë më e shtrenjtë.

Kjo atëherë ishte e mundur, pasi nuk ishte valuta e përbashkët e euros dhe bankat kombëtare bankat ishin të pavarura në vendimet e tyre. Por, vendet e BE-së ishin megjithatë të lidhura ngushtë në aspektin monetar në kuadrin e Sistemit Evropian të Devizave (EWS). Një element kyç i këtij sistemi ka qenë stabilizimi i shkëmbimit të ndërsjellë të disa valutave, përbrenda një kornize të paracaktuar.

Rritja e normës bazë të forcës valutore gjermane, detyroi edhe vendet tjera të ndërmarrin hapin e njëjtë, në mënyrë që të parandalojë rënin e vlerës së monedhës së tyre nacionale. Në atë kohë funti britanik ishte më i vlefshmi, ndërsa dollari amerikan humbte në vlerë – gjë e cila vetëm se e shtonte presionin ndaj Evropës. Këtë dobësi diti si ta shfrytëzonte George Soros.

Ai ka lindur në vitin 1930, në Hungari. Ndonëse familja e tij ishte çifute, ia doli mbanë të mbijetonte regjimin nazist. Pas luftës, familja u vendos në Britani, ku Sorosi përfundon Shkencat Ekonomike, ndërsa më 1956 largohet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje atje shkon me 5000 dollarë në xhep. Por, fal aftësive të tij në bursë, shpejtë bëhet një pasanik.

Në vitin 1992 Sorosi vëren se në çfarë presioni të madh gjendet Qeveria britanike, pjesërisht edhe për shkak të gjendjes së keqe të Thesarit të Shtetit – për çka erdhi në përfundimin se Londra ose duhet ta ulë vlerën e funtit, ose të tërhiqet nga EWS. Së bashku me disa investitorë tjerë ai mblodhi një sasi të madhe parash të cilat synonin ta dobësonin valutën britanike. Për këtë qëllim, një sasi të madhe të funteve që kishte nisi t’i këmbente me markat gjermane dhe frangat franceze.

Banka Kombëtare Britanike ka reaguar dhe ka filluar që në sasi të mëdha të blinte funtet, në mënyrë që të stabilizonte kursin e këmbimit. Por, pa sukses. Prandaj, më 16 Shtator 1992, norma bazë e kamatave britanike rritet nga 10 për qind deri në 12 për qind, në mënyrë që të tërhiqte investitorët për të investuar në funte. Për vetëm një orë më vonë interesi u rritë madje në 15 për qind. Por, Sorosi dhe afaristët e tjerë nuk e pranojnë këtë ofertë. Ata presin. Në orën 19:00 të kësaj dite, ministri i financave të Britanisë deklaron se vendi del nga EWS-ja. Kjo ditë në historinë e Britanisë së Madhe ka hyrë si “E mërkura e zezë”. Ndërsa, Soros për një ditë fiton një miliardë dollarë dhe shndërrohet në legjendë.

Deri në pensionimin e tij në vitin e kaluar, si 81 vjeçar, Sorosi ishte gjatë gjithë kohës aktiv në gjetjen e dobësive të shteteve të caktuara dhe afarizmit kundër tyre. Ndërsa, shpejtë u bë edhe një shembull për shumë “nxënës”. Në kohët e krizës financiare dhe të borxheve, ata shpesh janë shpallë fajtorë. Politikanët me dëshirë e drejtojnë gishtin tek ata dhe i cilësojnë si fajtorët kryesor për interesin kamator të cilin shtetet me borxhe duhet ta paguajnë në tregun financiar. Por, këta politikanë harrojnë se afaristët nuk janë shkaktarë të krizave, por që atë krizë e shfrytëzojnë për përfitimet e tyre. Prandaj, është detyrë e politikës që zhonglerëve në bursa, që për një sekondë fitojnë miliarda, t’ua caktojnë disa rregulla të qarta.

Në dy dekadat e fundit është shumëfishuar vëllimi i afarizmit me bursa – me ndihmën e konstrukteve të veçanta financiare është i mundur basti, si në rritje ashtu edhe në rënie të normave të këmbimit të valutave, si te çmimi i lëndëve të para, prodhimeve të ushqimit, apo obligacioneve qeveritare. Njëjtë, si para 20 viteve, as sot nuk ka mekanizma që mund ta ndalojnë këtë. Kështu, mbetet tek shtetet që të vendosin rendin tek llogaria shtetërore, përndryshe në fund do të gëzohen vetëm afaristët apo agjentët e bursave.

Maqedonia në kaos dhe depresion ekonomik

Indeksi i shpenzimeve të jetesës, normat e varfërisë, nivelet e papunësisë dhe normëa e inflacionit tregojnë shenja të përkeqësimit të gjendjes ekonomike në Maqedoni.

Për shembull, gazeta londineze “The Economist” kombinon nivelin e papunësisë dhe normën e inflacionit për të llogaritur të ashtuquajturin Indeksin e Mizerjes. Duke përdorur këtë metodë, “The Economist”, në fillim të vitit 2012 tregoi se në Maqedoni jetohet jetë më e varfër në botë.

Në konkurrencë me 92 vende tjera, Maqedonia e meritoi vendin e parë, për shkak të papunësisë enorme dhe inflacionit të lartë.

E njëjta pasqyre është dhënë edhe nga Instituti për demokraci sociale “Progres”, pas anketës së fundit telefonike, ku janë përfshirë 1116 të anketuar.

Sipas këtij instituti, tre të katërtat e familjeve në Maqedoni mund të mbulojnë me buxhetin e tyre mujor vetëm shpenzimet për ushqim dhe faturat e shtëpisë. Më shumë se gjysma e qytetarëve konsiderojnë që pushteti e shpenzon buxhetin në dobi të tij dhe jo në dobi të qytetarëve, ndërsa dy të tretat e qytetarëve mendojnë se qeveria po e menaxhon keq problemin e varfërisë dhe të papunësisë.

Bie bruto-prodhimi vendor

Në tremujorin e dytë të këtij viti, ekonomia e Maqedonisë ka shënuar rënie për 0.9 për qind. Të dhënat për rritjen negative të bruto-prodhimit vendor, janë dhënë zyrtarisht nga Enti Shtetëror i Statistikës, por, tashmë rënia e ekonomisë vendore është pranuar edhe nga drejtuesit e institucioneve shtetërore.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, Zoran Stavreski tha se, Qeveria e ka parashikuar BPV negativ në tremujorin e dytë të vitit dhe i ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme.

“Në këtë fazë qeveria mbetet e orientuar ndaj gjetjes së zgjidhjeve që shikojnë përpara, ndaj përkrahjes së ekonomisë, mbrojtjes së biznes bashkësisë, qytetarëve dhe kategorive sociale, deklaroi Stavreski.

Ai theksoi se, për Qeverinë në këtë periudhë është më me rëndësi t’i ndihmohet ekonomisë, të përmirësohet likuidieti i saj, të mbrohen pagat e të punësuarve dhe të mos ketë largime më të mëdha.

“Informata që e publikoi Enti shtetëror për statistikë për tremujorin e dytë të vitit ishte në ndonjë mënyrë e pritur dhe paraprakisht e paralajmëruar edhe nga ana e jonë. Qeveria vërejti në pritjet se tremujori i dytë do të jetë negativ. Për këtë shkak ka ndërmarrë masa me të cilat ka intervenuar në disa sfera”, është shprehur Stavreski.

Sipas tij, rënia ekonomike në Evropë, po ndikon edhe në vendet e rajonit.

“Eurozona është në recesion me minus 0.8 për qind në kuartalin e dytë, njëjtë sikur Maqedonia. Në fakt, kjo tregon se ka ndërlidhje të plotë dhe pasoja nga ndodhitë në eurozonën mbi Maqedoninë, dhe këtu të gjitha vendet në fqinjësi janë në gjendje negative. Kjo është arsyeja për shkak të cilës Maqedonia, e cila është tërësisht e orientuar kah ekonomia evropiane, në dy kuartalet e para kishte shkallë negative”, ka shtuar Stavrevski.

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Maqedonia ka shkallën më të lartë të papunësisë. Në vitin 2012 ajo ka arritur në 31.2 për qind. (M.Mellova/INA)/kohaislame

“Imitimi i Amerikës e fundos Evropën”

Pabarazia sociale është problemi më i madh i qytetërimit perëndimor. Joseph Stiglitz, fitues i Çmimin Nobel për Ekonomi, shkroi gjerësisht për këtë në librin e tij më të fundit. Pikëpamjet që përfaqëson ai, e të cilat janë pranuar përgjithësisht brenda ekonomistëve kryesorë në botë, Stiglitz i shpjegon në një intervistë për “Euronews”, ku jep edhe këshilla për pushtetarët evropianë.

Sipas tij, ka mënyra për të dalë nga kriza, por ky synim nuk arrihet me metodat që i thonë politikanët në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara. Evropa, vlerëson ai, aktualisht është në një situatë shumë më të mirë se Amerika, por janë udhëheqësit e saj që po e shtyjnë Evropën thellë në humnerë.

“Jam i shqetësuar se si çdo herë e më shumë shtete në Evropë po e imitojnë Amerikën. Kjo tashmë ka ndodhur në Britaninë e Madhe, e cila në bazë të shkallës së pabarazisë në shoqëri është e dyta sot në botë, pas Shteteve të Bashkuara”, thotë Stiglitz.

Një shoqëri e cila është e ndarë në 1 për qind të pasur dhe në 99 përqindëshin të cilëve ekzistenca u rrezikohet në këtë apo atë mënyrë, nuk mund të ketë një ekonomi produktive. Kjo më së shumti ndikon tek brezi i ri, anëtarët e të cilit – në qoftë se nuk lindin në familjet e pasura – nuk kanë pothuajse asnjë shans për sukses.

“Masat e kursimit të cilat i theksojnë shtetet evropiane, vetëm se e thellojë hendekun e pabarazisë sociale. Kërkesa tashmë thuajse nuk ka, e kur shteti kursen, ato bien edhe më shumë. Nëse kërkesa bie, ekonomia nuk mund të rritet, papunësia është në rritje, pagat në rënie, ndërsa shkurtohet mirëqenia sociale”, shpjegon Stiglitz.

Vendet evropiane duhet të kenë parasysh faktin që dukshëm e kanë harruar: nuk e ka shkaktuar deficiti ekonominë e dobët, por ekonomia e dobët e ka shkaktuar deficitin.

“Prioritet duhet të jetë nxitja e rritjes ekonomike. Kjo mund të arrihet në shumë mënyra, me investimet e qeverisë në infrastrukturë, teknologji, arsim…”, thotë Stiglitz.

Ai gjithashtu propozon konsolidimin e borxhit, që do të zvogëlonte normat e interesit dhe do të lironte mjetet për investime produktive. Një rol shumë të madh ka Banka Qendrore Evropiane (BQE), të cilën Stiglitz e vlerëson si të vetmin institucion që mundet brenda natës të ndërmarrë masa të dobishme dhe të rëndësishme.

Kjo bankë, thotë nobelisti, duhet që në kushte më të favorshme të blejë bonot e shteteve të rrezikuara dhe kështu të mundësojë mjetet për investime që do të nxisin rritjen ekonomike. Por, kjo nuk duhet të kushtëzohet me masat e reja të kursimit, të cilat Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i imponojnë si në rastin e Greqisë.

“Kohët e fundit nga BQE thanë se janë të gatshëm për të blerë bonot, por nuk thanë se nën çfarë kushtesh. Nëse këto janë kushtet e kursimit, atëherë ata thonë se shtetet me borxhe duhet të bien në depresion. ‘Për t’ju shpëtuar, së pari duhet t’ju vrasim’. Kjo nuk ka kuptim, apo jo?”, deklaron Stiglitz. /Tg/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
32.5 ° C
32.5 °
32.5 °
22 %
1kmh
0 %
Thu
36 °
Fri
37 °
Sat
38 °
Sun
38 °
Mon
37 °