Ballina Blog Faqe 702

Kosova me udhëzues online të tregtisë ndërkombëtare

Prishtinë, 4 mars – Zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për zhvillim ndërkombëtar lansuan sot në Prishtinë “Udhëzuesin e tregtisë ndërkombëtare në Kosovë”. Ky udhëzues i paraqitur në mënyrë elektronike, ka për qëllim të ndihmojë eksportuesit dhe importuesit e mallrave dhe shërbimeve në Kosovë për të kryer transaksione ndërkombëtare të tregtisë.Udhëzuesi i tregtisë ndërkombëtare në Kosovë prej sot do të jetë në dispozicion të të gjithë të interesuarve që janë të përfshirë në tregti ndërkombëtare. Në ueb faqen zyrtare të tij, gjenden të dhëna rreth procesit të eksportit, të importit dhe tregtisë me shërbime.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se ky udhëzues, ndonëse duket hap i vogël, është substancial për ata që veprojnë në ekonominë e Kosovës.

“Ky udhëzues ka rëndësi të shumëfishtë pozitive, në rend të parë ka karakter edukativ, në rend të dytë ka karakter të ndërmarrësisë dhe mbi të gjitha ka karakter të përmirësimit të imazhit të Kosovës përmes një hapi të rëndësishëm drejt internacionalizimit të ndërmarrësisë kosovare dhe lehtësimit të procedurave për eksport dhe import”, tha Gerxhaliu, transmeton RTK.

Edhe zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cyneid Ustaibo, vlerësoi se udhëzuesi ka rëndësi të madhe, në funksion të rritjes së shkëmbimeve tregtare me vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Tani me këtë dokument bizneset mund t’i kuptojnë më lehtë dhe mund t’i përmbushin më shpejt obligimet që dalin nga transaksionet tregtare”, tha Ustaibo.

Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, theksoi se udhëzuesi përmban tërë informatat që iu nevojiten bizneseve për eksport dhe import.

“Ky udhëzim përmban të dhëna për procedurat e Doganave, Bankave dhe institucioneve tjera financiare, zgjidhjen e problemeve dhe mosmarrëveshjeve, si dhe eksportin dhe importin e mallrave. E gjithë kjo është qenësore që të kemi një biznes transparent në Kosovë”, tha Shauket.

Kurse, sipas drejtorit të Doganave, Naim Huruglica, ky udhëzues për herë të parë në mënyrë më të organizuar do të japë ndihmesë për punën që bëjnë ata që eksportojnë dhe importojnë.

Ndryshe, udhëzuesi http://itg-rks.com ofron informata në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht./koha

Emiri i Katarit blen gjashtë ishuj grek

Me qëllim ndërtimin e një kompleksi turistik për familjen e tij dhe për vizitorë të huaj, emiri i Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al-Thani ka blerë gjashtë ishuj në detin Jon.

Sipas mediave greke, për ishullin Oksia, që ka një sipërfaqe prej 500 hektarësh ai ka dhënë 5 milion euro, ndërsa për 5 ishujt e tjerë që janë vetëm 160 hektarë, ka paguar edhe 3,5 milionë euro të tjera. Të gjithë ishujt ndodhen në lindje të Qefalonisë në detin Jon, pranë ishullit legjendar të Itakës, transmeton TCH.

Emiri i Katarit pasuria, e të cilit shkon në mbi 50 miliard euro, ka 24 fëmijë me tre gratë e tij dhe përderisa në këtë zonë ndodhen 18 ishuj thuhet se ka për qëllim që t’u bëjë pothuajse të gjithë fëmijëve dhuratë nga një ishull.

I njohur në Greqi pasi kalon një pjesë të madhe të pushimeve të tij pikërisht në këtë zonë turistike, ai kishte kohë që kishte bërë ofertën e tij dhe për pak burokracia greke ndoshta mund të kishte humbur një prej investuesve më të mirë në vend, në këtë moment të vështirë, pasi bashkia e Itakës i kërkonte të kufizonte sipërfaqen e ndërtimit në një prej ishujve ku do ndërtojë vilën e tij, në vetëm 250 metra katrorë, ndërkohë që ai kishte kërkuar që vetëm banja e tij të kishte këtë sipërfaqe.

Përveç vilave personale ai ka projektuar ndërtimin e një kompleksi turistik. 60-vjeçari Al-Thani, një personazh i shumëpërfolur në Greqi, është një nga udhëheqësit më liberalë të Gjirit Persik, me lidhje politike dhe biznese në Europë dhe në mbarë botën, duke përmendur edhe financimin e kanalit Al Jazeera. Por ai shpeshherë shfaqet si një njeri i thjeshtë, madje e kanë etiketuar edhe si “emiri me pantofla” që blen vetë peshqit e tij në tregun vendas në mëngjes kur vjen me pushime.

Ai gjithashtu ka premtuar se do të çoje ujë në ishullin e Odiseut, për të cilin deri tani asnjë qeveri në Greqi nuk ka ndërtuar një ujësjellës nga zonat përreth, ndërsa në kuadrin e programit të privatizimeve që ka shpallur Athina zyrtare, qeveria greke pret nga ai edhe oferta të tjera biznesi. /tch/kohaislame

Turqia ta rrisë vëllimin tregtar me Arabinë Saudite deri në 20 miliardë dollarë

Ministri i Ekonomisë Zafer Çallajan pati takime në Arabinë Saudite.

Ministri Zafer Çallajan i cili shkoi në Xhide i shoqëruar nga 100 afaristë, mbajti një fjalim në Forumin e Biznesit Turqi-Arabi Saudite.

Pas forumit ai bëri deklarata për kanalin televiziv TRT Haber ku tha se Turqia do ta rrisë edhe më shumë vëllimin tregtar me Arabinë Saudite.

Duke vënë në dukje se vëllimi tregtar me Arabinë Saudite është rritur në përmasa që nuk mund të krahasohen me të kaluarën, Ministri Çallajan tha se megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme dhe shtoi: “Për 5 vitet e ardhshme ne synojmë që vëllimin tregtar me Arabinë Saudite ta rrisim deri në 20 miliardë dollarë”.

Ai i dha një këshillë të rëndësishme edhe sipërmarrësve turq me veprimtari në Arabi Saudite të cilëve u tha: “Në vitet e ardhshme kompanitë turke duhet ta shfrytëzojnë mirë tregun e ndërtimit me vlerë 1 milionë dollarë në Arabinë Saudite”.

Ministri turk i Ekonomisë gjithashtu bëri të ditur se ata duke u takuar me biznesmenët turq dhe sauditë një herë në gjashtë muaj do të kërkojnë rrugët për shtimin e mëtejshëm të bashkëpunimit./trt/kohaislame.com

Cilësia e produkteve vendore

Produktet, të cilat prodhohen në Kosovë vazhdojnë të mos e kenë fituar ende besimin e plotë nga konsumatorët, pavarësisht faktit se shumica nga këto prodhime plotësojnë standardet e Bashkimit Evropian, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve.

Sipas tyre, prodhimtaria vendore në Kosovë është në drejtim të duhur, por duke ecur me hapa të ngadalshëm drejt marrjes së tregut. Ata thonë se ende mungon vetëdijesimi dhe informimi i duhur i kosovarëve për cilësinë e produkteve vendore.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përveç vetëdijesimit dhe informimit të qytetarëve, mungon edhe një mbështetje institucionale për prodhimet vendore.

“Prodhimtaria në Kosovë ka filluar pas luftës. Shumë produkte prodhohen në Kosovë, po fatkeqësisht nuk po arrijnë të marrin tregun e Kosovës për arsye të konkurrencës. Konkurrenca është e ashpër, e padrejtë dhe jo në kushte të barabarta me produktet që importohen dhe kjo për arsye se politikat tregtare, prodhuese dhe fiskale në vendet e tjera e që e kanë tregun Kosovës, janë shumë më të favorshme se në Kosovë”, shpjegon Shahini.

Bizneset prodhuese, shton Shahini, duhet të investojnë edhe në publik, duhet të bëjnë marketing për produktet e tyre, pasi që, siç thotë ai, në këtë mënyrë do të jenë më afër konsumatorit.

Fakti se importi i produkteve ushqimore nga vendet e ndryshme të botës vazhdon të mbetet shumë i lartë, tregon se prodhimet vendore konsumohen më pak nga qytetarët e Kosovës.

Sidoqoftë, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se parapëlqejnë produktet vendore, e në veçanti, pas rastit të fundit, kur u urdhërua largimi nga tregu i disa llojeve të qumështit të importuar dhe produkteve të tyre, të cila, sipas analizës së parë, kanë rezultuar si të dyshimta.

Qëndresa Gashi thotë se konsumon prodhimet vendore dhe se mendon se janë më cilësore se ato që importohen.

“Janë më cilësore produktet tona se sa të huajat, sidomos pas lajmeve të fundit që kishte të bënte më qumështin që dyshohej në cilësinë e tij”, thotë ajo.

Ngjashëm mendon edhe Fjolla:

“Konsumoj produktet vendore. Më të mira janë produktet tona se sa ato që importohen dhe që i konsumojmë”, thotë ajo.

Ndërsa, Gafurr Sylejmani mendon se tani produktet vendore kanë filluar të jenë më cilësore.

“Më shumë iu besoj produkteve vendore sesa produkteve të huaja. I preferoj edhe i blej. Nuk kanë qenë shumë cilësore, por tani janë më të mira”, thotë ai.

Nivelin e ulët të konsumimit të produkteve vendore e thekson edhe Selatin Kaçaniku nga organizatat joqeveritare “Konsumatori”. Sipas tij, arsyet e moskonsumimit të prodhimeve vendore janë nga më të ndryshmet.

“Ne pretendojmë se fajtori kryesor është mospërmbushja e obligimeve të institucioneve të shtetit karshi konsumatorit. Këto obligime janë edukimi, informimi dhe vetëdijesimi i konsumatorit për të konsumuar produkte vendore”, shprehet Kaçaniku.

BQK: Ekonomia e Kosovës, në rënie

“Investimet e huaja direkte dhe eksportet shënuan rënie të theksuar gjatë vitit 2012, ndërsa importet gjithashtu u karakterizuan me ngadalësim të rritjes”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore mbi indikatorët ekonomikë të Kosovës.

Investimet e huaja direkte të cilat deri në shtator të 2012-s arritën vlerën prej 167 milionë eurove, kanë shënuar rënie substanciale prej 41.3 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2011. BQK-ja vlerëson se rënia e këtyre investimeve, përveç përkeqësimit të ambientit të përgjithshëm ekonomik në Evropë, në masën më të madhe i adresohet ngadalësimit të procesit të privatizimit gjatë vitit 2012.

/koha/kohaislame

Ndihmat sociale të pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave

Në Kosovë janë rreth 31 mijë familje me 148 mijë anëtarë që përfitojnë ndihmë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj.

Përfituesit e këtyre ndihmave thonë se ato janë të pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave më elementare. Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se kërkesa e familjeve të tilla, ka shënuar një rënie të vogël.

Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e sociale, shumë familje në Kosovë mbështeten me ndihma sociale nga shteti. Por shuma që marrin ata, nga 40 deri në 80 euro në muaj, vlerësohet është shumë e ultë për të mbuluar koston e jetesës.

Jashar Llumnica, i cili ka familje tre-anëtarëshe, thotë se ndihma prej 55 eurosh në muaj, është e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat më elementare.

“Është vështirë shumë, por me një ndihmesë të dikujt ia del, se vështirë me 55 euro, për një person në muaj janë të pamjaftueshme, e jo për tre. Është vështirë se ne kemi rrymë, mbeturina, ushqimi, 200 me i pasë nuk dalin. Na ndalin rrymën, edhe pse jam me asistencë sociale dhe person i verbër”, tha ai për Radio Kosovën.

Edhe Zymer Krasniqi, një tjetër banor i Prishtinës që jeton me ndihma sociale bashkë me familjen e tij gjashtë anëtarëshe, ankohet për shumën e vogël që marrin, krahasuar me nevojat që kanë.

“Të ardhura kam vetëm ndihmën sociale, 75 euro, veç Zoti e din se nuk e beson as qeveria, askush tjetër si mundet një familje gjashtë anëtarëshe me jetu me 75 euro. Që nuk na ndihmon edhe dikush prej të afërmve tonë është katastrofë për neve”, theksoi Krasniqi.

Dhënia e mbështetjes sociale për familjet e varfra bëhet në përputhje me Ligjin për skemën e ndihmës sociale në Kosovë, të miratuar në vitin 2003 dhe të plotësuar në maj të vitit 2012, thotë Behxhet Gaxhiqi, këshilltar i ministrit të punës dhe mirëqenies sociale.

“Nëse i referohemi statistikave, brenda kësaj periudhe gjithsej janë 31 mije e 111 familje në asistencë sociale, me 148 mijë anëtarë. Fondi total nuk ka ndryshuar, kuotat janë 28 milionë të planifikuar për vitin 2013, ashtu sic ka qenë edhe vitin e kaluar dhe kjo ndarje bëhet konform rregullave dhe buxhetit, sic e parasheh planifikimi buxhetor për vitin 2013”, tha ai për transmetuesin publik.

Të drejtë për të përfituar asistencë sociale kanë personat që nuk kanë marrëdhënie pune dhe që përmbushin edhe një varg kriteresh tjera. Gaxhiqi thotë se gjatë periudhës pesëvjeçare numri i përfituesve të ndihmave sociale ka pësuar rënie nga viti në vit.

“Në vitin 2007 numri i familjeve që kanë jetuar me ndihma sociale ka qenë 37 mijë e 500 familje, në vitin 2008/2009 numri i tyre ka rënë në rreth 35 mijë, një vit më vonë në 34 mijë kurse aktualisht janë 31 mijë sosh”, thekson Gaxhiqi.

Përfituesit e ndihmave sociale kërkojnë që shuma e ndihmave sociale të rritet sa më parë dhe familjet e varfra të mbështeten edhe me ndihma tjera. Por zyrtarë të Ministrisë thonë se rritja nuk është planifikuar të ndodhë as gjatë këtij viti.

Ndryshe, nga numri i përgjithshëm i familjeve që përfitojnë ndihma sociale, rreth 77 për qind janë shqiptarë, 11 për qind serb, kurse pjesa tjetër pjesëtarë të minoriteteve tjera. Ndërkaq komuna që përfiton më shumë është Prishtina, ku është i përqendruar numri më i madh i popullatës.kohaislame

Investohet në prodhimtarinë e mishit.

Për herë të parë, Ministria e Bujqësisë, sivjet po investon edhe në sektorin e mishit.

Për të shtuar kapacitetet prodhuese në këtë industri, kjo ministri ka ndarë një fond prej 700 mijë eurosh, përmes të cilit do ta përkrah trashjen e viçave dhe rritjen e zogjve për mish, duke investuar në ndërtimin e fermave për majmëri dhe në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës përcjellëse në fermat ekzistuese.

Përveç shtimit të prodhimtarisë në këtë sektor, zyrtarë të kësaj ministrie thonë se gradualisht synojnë ta arrijnë edhe zëvendësimin e produkteve të importit me produktet e mishit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, tregon se investimet kryesisht ndërlidhen me kompletimin e infrastrukturës së brendshme të fermave që merren me rritjen e bagëtisë dhe brojlerëve për mish. “Investimet e pranueshme ndërlidhen me përmirësimin e infrastrukturës, rregullimin e sistemit të ushqimit, ujit, ventilimit, ndriçimit dhe ngrohjes. Pastaj, me deponitë për silazh, për plehra, për ushqim voluminoz dhe për nevoja të tjera fermerëve që janë aktiv në këtë fushëveprimtari. Kufiri më i lartë i investimeve të pranueshme në ndërtimin e stallave për majmërinë e viçave dhe rritjen e brojlerëve, arrijnë deri në 25 mijë euro”, thotë zëdhënësi Behramaj.

Ai tregoi se periudha për aplikim është hapur në Ministrinë e Bujqësisë dhe fermerët që aplikojnë për të përfituar grante investive për trashjen e viçave dhe prodhimtarinë e brojlerëve, duhet që të jenë të regjistruar si fermerë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, të kenë kafshë me matrikuj të Kosovës, të dëshmojnë se posedojnë së paku 0,3 hektarë tokë bujqësore, të kenë dëshmi mbi vlerësimin e ndikimit mjedisor ata që aplikojnë për ferma me mbi 10.000 zogj, etj.

Aktualisht industria e mishit të viçit është më shumë nënprodhim i industrisë së qumështit, sepse vetëm pak ferma janë përqendruar në majmëri me numër relativisht të vogël të krerëve. Mishi i kuq, sidomos ai i viçit është prodhim më i popullarizuar dhe ofron mundësi reale për zëvendësimin e importit. Kjo prodhimtari karakterizohet me therjen e hershme të krerëve dhe shumica e viçave të therur janë më të ri se 8 muaj dhe kjo ekonomikisht nuk është shumë efikase. Gjithashtu, edhe prodhimi e mishit të pulës aktualisht është më i bazuar në pula që janë të destinuara për prodhimin e vezëve dhe në pulat e ekonomive familjare.

Me prodhimtarinë e brendshme në industrinë e mishit, vlerësohet se arrihet të përmbushen rreth 50 për qind të nevojave të përgjithshme konsumuese në Kosovë.kohaislame

Kosova nuk po e përmbushë planin ekonomik

Afër dy vjet që nga miratimi, Plani për zhvillim ekonomik të Kosovës, prioritet për periudhën 2011-2014, nga ekspertë të çështjeve ekonomike, vlerësohet i papërmbushur, derisa zyrtarë të ministrive thonë të kundërtën.

Me zbatimin e këtij plani, Qeveria kishte synuar që brenda periudhës së ardhshme afatmesme të arrihet norma e rritjes reale ekonomike vjetore rreth 7-8 për qind për vit dhe një ulje të numrit të personave të regjistruar si të papunë prej rreth 8-10 për qind për vit, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në bazë të zhvillimeve ekonomike që kanë ndodhur gjatë këtyre dy vjetëve, këto prioritet deri më tani nuk kanë arritur të përmbushen, thotë eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, duke shtuar se rritja ekonomike nuk në Kosovë nuk ka qenë më shumë se tre për qind, ndërsa papunësia ka mbetur e njëjtë në 44.9 për qind,
“Ai plan më shumë ka qenë për nevoja meditaike, është një plan i papërgatitur mirë. Një strategji që ka pasur disa parametra dhe që nuk ka qenë i bazuar në asnjë argument që mund të gjejë mbështetje”, shprehet Shatri.
Në bazë të planit të Qeverisë për zhvillim ekonomik 2011-2014, arritja e këtyre synimeve ishte paraparë të bëhet duke orientuar përcaktimet e Qeverisë në krijimin e mundësive për zhvillimin e tregut të lirë dhe rritjes së konkurrueshmërisë, fuqizimit të sektorit privat, përkrahjes për gjenerimin e punësimit, përmirësimin e imazhit të Kosovës për investime të huaja dhe ofrimin e një ambienti më të sigurt dhe stabil për biznes.
Nisur nga kjo, Shatri thekson se një plan, i cili nuk mbështetet përmes politikave buxhetore, nuk mund të arrihet të realizohet.
“Të gjitha ato programe qeveritare afatshkurta, deri në ato afatmesme që kanë qenë, nuk janë marrë me seriozitet dhe nuk janë mbështetur përmes politikave buxhetore. Çdo program zhvillimor, nëse nuk mbështetet edhe me buxhet, atëherë nuk është një program serioz dhe nuk ka seriozitet në zbatimin e tij”, thekson Shatri.
Sidoqoftë, zyrtarë të ministrive të ndryshme vazhdimisht kishin theksuar se janë duke përmbushur të gjitha obligimet dhe janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet që dalin nga ky plan.
Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të cilët me këtë plan kishin prioritet krijimin e një ambienti më të favorshëm për biznes, ishin deklaruar se kanë bërë reforma thelbësore dhe lehtësime të mëdha për bizneset.
Në anën tjetër, zyrtari i Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Menderes Ibra, thotë për REL se të gjitha veprimet konform këtij plani, janë ndërmarrë.
“Ministra e Financave i ka përmbushur dhe është duke i përmbushur, pasi që aty është një dinamikë kohore e realizimit të atyre veprimeve, por mund të them se kjo ministri i ka përmbushur të gjitha obligimet e saj karshi këtij plani”, deklaron Ibra. /Ind/kohaislame

Bizneset po heqin dorë nga kreditë

Biznesi i kompanive vendore po rrezikohet për shkak të normave të larta të interesit bankar, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve.

Këta të fundit thonë se nuk po arrijnë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre për shkak të mungesës së mjeteve financiare, derisa ofertat e bankave për kredidhënie nuk janë aspak të favorshme për bizneset.

Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale.

Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.

Faik Konushevci, udhëheqës u kompanisë “Sole Kosova”, e cila merret me përpunimin e mishit dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve, tregon se normat e larta të interesit po ngufatin biznesin e tij.

“Normat e larta të interesit të bankave janë pengesë shumë e madhe për ne. Këto norma janë shumë të larta dhe të pa përballueshme për biznesin privat në Kosovë. Ndikojnë drejtpërdrejtë në çmimin e konsumatorit dhe në zhvillimin e biznesit”, shpjegon Konueshevci për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se bankat në Kosovë janë plotësisht komerciale dhe nuk ndihmojnë aspak bizneset.

Normat e larta të interesit nga bankat komerciale kritikohen edhe nga përfaqësues të kompanisë “ASK Foods”, në Gjilan e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve.

Pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori bankar nuk ka qenë shumë mbështetës për biznese për shkak të normave të larta të kredive.

Krahasuar me vendet e rajonit, Namoni thotë se bankat komerciale në Kosovë kanë normat më të larta të kredive.

“Duke marrë parasysh normat e kredive që ofrohen në rajon, në Kosovë janë më të lartat. Kjo na bën që në shumicën e rasteve të mos jemi konkurrent me rajonin për shkak të normave të larta të interesit që aplikohen nga bankat komerciale në Kosovë”, thotë ai.

Sipas përfaqësuesve të biznesit, ulja e normave te interesit do të kishte ndikime pozitive.

Fillimisht, ulja e normave të interesit, thonë ata, do të krijonte rritje në nivelin e investimeve private, gjë që do të rezultonte edhe me vende të reja te punës.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi thotë për Radion Evropa e Lirë se normat e larta të kredive ka bërë që shumë biznese të mos heqin dorë nga kredimarrja.

“Mundësia e financimit të bizneseve prej bankave është shumë e vogël për shkak të kostos së kredive. Kjo vërehet edhe nga raportet e Bankës Qendrore ku shihet se po bie kreditimi i bizneseve, ndoshta këtu në pozitë të mirë është vetëm tregtia, pasi që bizneset tjera po heqin dorë nga shfrytëzimi i kredive për shkak të nivelit të lartë të kamatave”, shprehet Rexhepi.

Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës i publikuar në fund të vitit të kaluar thuhet se kredimarrja ka shënuar rënie.

Duke u bazuar në rezultatet e anketës së shtatorit 2012, të realizuar në bankat, të cilat operojnë në Kosovë, ngadalësimi i kredidhënies është rezultat i rënies së kërkesë për kredi.

Po ashtu, deri në një masë, sipas raportit të BQK-së, ka ndikuar edhe shtrëngimi i kushteve për kredidhënie nga ana e bankave, gjë që u reflektua në rënie të ofertës për kredi.

Nisur nga kjo gjendje e sistemit bankar të Kosovës, eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi thotë se duhet që bankat komerciale të kenë oferta më të mira për kredidhënie.

“Fakti se kredimarrja është e shtrenjtë ka rrezikuar edhe sistemin bankar, meqenëse që në fund të vitit të kaluar tri banka kanë afaruar me humbje që nuk kanë ndodhur vitet e mëhershme, që do të thotë se bankat kanë filluar të kenë probleme të brendshme”.

“Shumë më e pranueshme do të ishte që ato vetë në konkurrencë në treg të përmirësojnë ofertën të ulin kamatat, kushtet e kreditimit dhe kjo të përshpejtojë një cikël të zhvillimit”, shpjegon Rexhepi./rel

Gazsjellësi i ri do të kalojë nëpër fundin e Detit Adriatik

Greqia, Shqipëria dhe Italia nënshkruan më 13 shkurt në Athinë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit Transadriatik (TAP – “Trans Adriatic Pipeline”), nëpër të cilin mund të kalojë tranzit gazi azerbajxhanas për në Evropë, deklaroi Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras.

Projekti TAP ofron një rrugë më të shkurtër, kosto të ulët ndërtimi dhe kalimin e gazit tranzit përmes numrit më të vogël të mundshëm të vendeve, shtoi Kryeministri grek.

Alternativa të projektit TAP mund të jenë gazsjellësit “Nabucco” dhe ITGI (Interconnector Turkey-Greece-Italy). Ende nuk është marrë vendimi se cili nga projektet do të fillojë të zbatohet në praktikë.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
31.5 ° C
31.5 °
31.5 °
40 %
5kmh
8 %
Sun
31 °
Mon
34 °
Tue
34 °
Wed
33 °
Thu
34 °