Ballina Blog Faqe 700

Kultivohet grurë në deponi të hirit

E pabesueshme por e vërtetë. Në mes të deponisë së hirit, në Kosovë kultivohet gruri. Edhe atë hiq më pak se rreth 15 hektarë tokë e kontaminuar janë mbjellë me këtë kulturë bujqësore. Gazeta Tribuna ka gjetur se këtë e kanë bërë Bekir Gërguri dhe Azem Bytyqi, banor të fshatit Dardhishtë të komunës së Obiliqit, të afërt me zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Zona ku po rritet gruri, që dyshohet se mund të jetë kancerogjene për shkak të pranisë së metaleve të rënda është e rrethuar dhe ruhet nga punëtorët e sigurimit të KEK-ut. Aty mund të hyhet vetëm me leje të posaçme nga menaxhmenti, shkruan Tribuna. Ndërkaq, këta të fundit, pranojnë se ajo ekziston por thonë se nuk janë në dijeni se kush e mbolli atë.
Megjithatë, dokumentacionet e siguruara tregojnë se i tërë ky proces nuk ka shpëtuar pa u vënë re nga auditori i brendshëm i kësaj korporate, i cili i ka bërë thirrje urgjente ministrisë së bujqësisë të marrë masa për këtë dukuri shqetësuese për sigurinë e shëndetit të qytetarëve.
Ekspertët e bujqësisë thonë se nuk ka asnjë vend në botë që deponia e hirit të shfrytëzohet për kultura bujqësore pa u konstatuar se nuk ka rrezik për shëndetin./IO/kohaislame

Vërshimet në Klinë kanë dëmtuar rëndë edhe bujqësinë

Përpos dëmeve nëpër objekte të banimit, vërshimet në rajonin e Klinës kanë dëmtuar rëndë sektorin e bujqësisë. Bujqit e dëmtuar ende janë duke pritur ndihmën nga organet komunale dhe ato qendrore për t’i tejkaluar pasojat.

Një numër të madh të pajisjeve bujqësore që Nezir Foniqi nga fshati Zajm i Klinës i ka shfrytëzuar për punë, tashmë nuk i ka të përdorshme.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë edhe këtë vit fermerët e dëmtuar, mirëpo kjo do të ndodhë pas arritjes së raporteve zyrtare nga komunat. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, ka adresuar një varg kritikash për komunat që, sipas tij,

po veprojnë shumë ngadalë për të regjistruar dëmet. Vitin e kaluar janë ndihmuar 288 fermerë të dëmtuar, vlera e të cilave ka kaluar 150 mijë euro.

Kjo ministri është duke punuar në krijimin e një fondi që ka të bëjë me kompensimin e dëmeve, si dhe janë në biseda me kompanitë e sigurimeve me qëllim të krijimit të linjave të veçanta për bujqësi. Këto dy projekte pritet të finalizohen deri në fund të këtij viti.

Sa janë reale zotimet e Thaçit për rritje pagash?

Niveli i zhvillimit ekonomik të Kosovës nuk ka mundësi që të mbulojë premtimin e fundit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për rritje të pagave të të gjitha kategorive të punonjësve në sektorin publik, vlerësojnë ekspertë të fushës së ekonomisë në Prishtinë.

Kryeministri Thaçi në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës, gjatë një fjalimi para deputetëve për gjendjen ekonomike, ka theksuar së do të marrin vendim në kohën e duhur për rritje të pagave për punëtorët e shumë kategorive.

“Jemi duke shqyrtuar mundësinë më të mirë dhe do të marrin vendim në kohën e duhur për rritje të pagave gjatë këtij mandati për punëtorët shëndetësorë, për punëtorët universitarë, për profesorët e shkollave të mesme, fillore, parafillore, për prokurorët, për gjyqtarët, për zjarrfikësit, për shërbyesit civilë, për inspektorët tatimorë, doganierët, për familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës, por do të ketë edhe rritje të pensioneve”, ka theksuar Thaçi.

Për shkak të pamundësive ekonomike për të pasur rritje të pagave, profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë për Radion Evropa e Lirë se zotime të tilla të krerëve të institucioneve janë më shumë premtime elektorale dhe politike, sesa që mund të jenë reale.

“Niveli i pagave varet në rend të parë, prej nivelit të zhvillimit të forcave prodhuese, prandaj propozimi për ngritje të pagash, duhet të shkojë krahas ngritjes së produktivitetit të punës. Andaj duke u bazuar në ecuritë ekonomike në Kosovë, ne nuk kemi rritje të produktivitetit të punës, prandaj është shumë vështirë që të ngrihen pagat. Deklaratat që japin udhëheqësit tanë, më tepër u përkasin deklaratave parazgjedhore, deklaratave politike”, vlerëson Limani.

Burimet për rritjen e pagave jashtë rritjes së prodhimit, bën të ditur profesor Limani, mund të mbështeten vetëm me politikën fiskale dhe tregtinë e jashtme. Prandaj, siç thotë profesor Limani, për të siguruar mjete për rritje të pagave, qeveria duhet të rrisë importin.

​​Sidoqoftë, për ekspertin e ekonomisë Limani, çdo vendim, i cili nuk është në harmoni me procedurat që i përshtaten procesit buxhetor, mund të sjellë probleme gjatë zbatimit të premtimit për rritje pagash.

“Është një shpatë me dy tehe. Për arsye se, në një anë, mund të ngritë vlerën e mjeteve buxhetore, ndërsa, në anën tjetër, e destabilizon ekonominë e tregut, i zhvlerëson prodhuesit vendor dhe e rritë bilancin e pagesave që do të jetë negativ. Do të thotë efikasiteti negativ do të jetë shumë më i madh se sa rritja e pagave”, shpjegon Limani.

Paga mesatare në Kosovë llogaritet në bazë të pagës mesatare në sektorin publik, për shkak se mungojnë të dhënat për pagat në sektorin privat. Paga mesatare në sektorin publik në Kosovë, sipas të dhënave të dhjetorit të vitit 2011 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 368 euro.

Në anën tjetër, sekretari i Odës ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, konsideron se rritja e pagave nuk është tabu, por rritja e tyre, duhet të bëhet konform rritjes ekonomike në vend.

​​“Po mendoj që ndoshta premtimi është për vitin tjetër, pasi që buxheti i këtij viti është i miratuar. Dhe, ne duhet t’i shohim projeksionet e rritjes ekonomike të vitit tjetër edhe ato të inflacionit, pastaj ne mund të krijojmë një kulturë të përshtatjes së pagave me atë të inflacionit që të mos na ndodhë që rritja e pagave të na zhvlerësohet nëse ka inflacion në të njëjtën kohë. Në këtë formë, duhet të gjejmë mekanizma që kjo të funksionojë në mënyrë të standardizuar dhe sipas kornizës buxhetore dhe zhvillimore që e ka vendi”, shprehet Rukiqi.

Qeveria e Kosovës, në vitin 2011, kishte ngritur pagat për punonjësit e sektorit publik prej 30 deri në 50 për qind. Ky vendim ishte marrë në kundërshtim me atë që kishte thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar./rel

Konsumatori kosovar gjendet përballë një marketingu agresiv dhe të ekzagjeruar.

Konsumatori kosovar jo rrallë herë gjendet përballë një marketingu agresiv dhe të ekzagjeruar. Në fletushkat e shumta, të cilat shpërndahen kudo në vende ku qytetari mund t’i gjejë, shfaqen çmime të produkteve të ndryshme që tregojnë se janë çmime më të lira dhe me zbritje të mëdha.

Kështu, të paktën, thonë qytetarët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë dhe përfaqësues të Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Dyqane të shumta, të cilat merren me shitjen e produkteve të ndryshme, tregojnë përmes fletushkave se kanë çmime më të lira dhe zbritje, por jo çdo herë ato çmime janë të sakta apo edhe produktet e tilla mund t’i blesh me ato çmime, thotë Njomza Riza, qytetare.

“Te fletushkat që çdo herë i sheh para banesës, të interesojnë t’i shfletosh dhe të shohësh se çfarë produktesh ka. Shumë herë thonë se ka çmime të lira dhe në zbritje, por kur shkon për t’i blerë, ato çmime nuk janë, apo ndoshta ai produkt i cili në fletushkë shfaqet të jetë i lirë, kur të shkosh nuk është fare”, thotë Njomza.

Marketingu në fletushka nga kompani të ndryshme tregtare shumë herë bëhet edhe në mënyrë joprofesionale dhe me gabime të shumta, shprehet Arlinda Zajmi, një qytetare tjetër.

“Po ka pasur raste kur, sipas fletushkave ka pasur zbritje, kurse në dyqan kur kam shkuar, nuk ka vlejtur ajo zbritje. Madje ka pasur raste kur tek arka, kur e kam krahasuar çmimin me atë të fletushkës, në faturë ka figuruar ndryshe. Po ashtu në fletushka jepet marketing ‘ paguaj një e tjetrën e merr falas’, por ka ndodhur që kanë thënë se artikulli që jepet falas, ka mbaruar”, tregon Arlinda.

Përfaqësues të Organizatës joqeveritare“Konsumatori”, ndërkaq thonë se ka manipulime të mëdha me çmime nga dyqane tregtare. Kryetari i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, shprehet:

“Është shumë evidente që ka mashtrime, pasi që është e pamundur që çmimet të zbriten deri në 70 apo 80 për qind, janë të pamundshme. Ata në shikim të parë vërehet se janë çmime mashtruese”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Kaçaniku.

Por, sipas tij, kjo dukuri e cila është mjaft e përhapur në Kosovë dhe e cila po e mashtron konsumatorin, duhet të hetohet nga mekanizma adekuat.

Ai thotë kanë ftuar inspeksionet dhe prokuroritë, e në veçanti inspektorët e financave, që t’i hetojnë këto zbritje, të cilat shprehin mashtrime dhe po ashtu konkurrencë jo të drejtë.

“Manipulimet pareshtur vite me radhë që i janë bërë konsumatorit, nuk guxojnë të kalojnë pa u ndëshkuar”, vlerëson Kaçaniku./rel

Turqia në maj shlyen borxhin që i ka FMN-së

Borxhi që i ka Turqia Fondit Monetar Ndërkombëtar është reduktuar në 400 milion dollarë, në maj paguajmë këstin e fundit dhe e çojmë në zero këtë borxh, ka thënë Zëvendëskryeministri Ali Babaxhan.

Zëvendëskryeministri Ali Babaxhan tha se borxhi që Turqia i ka FMN-së do të përfundojë në maj të këtij viti.

Borxhi që i ka Turqia Fondit Monetar Ndërkombëtar është reduktuar në 400 milion dollarë, sqaroi Ali Babaxhan.

Kur erdhëm në pushtet borxhin e FMN-së e gjetëm 23 miliardë dollarë, rikujtoi Babaxhan duke shtuar se në maj do të paguhet edhe kësti i fundit dhe Turqia nuk do ti ketë më borxh FMN-së.

“Kurse rezervat e Bankës Qendrore ishin 28 miliardë dollarë. Sot borxhi që i kemi Fondit Monetar Ndërkombëtar ka zbritur në 400 milionë dollarë. Në muajin maj paguajmë këstin e fundit dhe e çojmë në zero borxhin”, nënvizoi Babaxhan. /trt/kohaislame

Bizneset i shmangen tatimit

Kosova ka shkallën më të lartë të shmangies së tatimit në rajon, thonë përfaqësues të Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Kjo, sipas tyre, vjen si pasojë e inspektimit të pamjaftueshëm të ndërmarrjeve, politikave fiskale jo favorizuese dhe lidhjeve të ngushta në mes ndërmarrjeve dhe zyrtarëve, apo grupeve partiake.

Arbëresha Loxha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, thotë se kompanitë të cilat iu shmangën tatimit, dalin në treg më produkte më të lira, duke dëmtuar në këtë mënyrë konkurrencën e ndërmarrjeve të cilat paguajnë obligimet tatimore.

“Ekonomia jo formale, nxitet nga dobësia e politikave të shpenzimit, mungesës së zbatimit të ligjit si dhe korrupsionit dhe nepotizmit”, thotë Loxha për Radion Evropa e Lirë.

Prezenca e shmangies së tatimit është në nivel të lartë, thotë edhe Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike.

Dhe kjo shmangie, sipas tij, kryesisht ndodh te kompanitë e mëdha, të cilat dëmtojnë në masë të madhe buxhetin e Kosovës.

“Unë jam ithtar i asaj, se një rigorozitet më i madh i të gjitha institucioneve që merren më inkasimin e mjeteve për arkën e shtetit do të mund të shtonte të paktën edhe 20 për qind buxhetin aktual, apo të hyrat aktuale që i ka shteti i Kosovës”, thekson Gashi.

Edhe zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, pohojnë se ka raste kur tatimpaguesit nuk janë të përgjegjshëm karshi obligimeve tatimore, por që administrata ndëshkon kompanitë e tilla.

Valentina Bytyqi- Sefa, zëdhënëse në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë se vitin e kaluar ATK-ja, ka lëshuar afër tetë mijë gjoba për personat që iu kanë shmangur tatimit.

“Sigurisht që në çdo segment ka persona që mundohen t’i ikin tatimit, mirëpo ATK- ja ka planet operative dhe në bazë të planeve dhe ligjit në fuqi për ATK, ekzekuton edhe ndëshkimet për personat të cilët fshehin ose vonojnë deklarimin e tatimeve”

“Vitin e kaluar, ATK-ja ka zhvilluar një mori kontrollash dhe listash përmbushjes, në ç’rast të parregullsive të gjetura, duke përshirë këtu edhe shmangien nga tatimi, fshehje të tatimit dhe raste të ngjashme, janë lëshuar 7,791 gjoba”, shprehet Bytyqi – Sefa .

Në anën tjetër, numri i bizneseve që kanë deklaruar tatimin mbi vlerën e shtuar në vitin 2012, sipas zyrtarëve ATK-së, është 10,833 ndërsa të hyrat e grumbulluara vetëm nga TVSH-ja, arrijnë në 129.9 milionë euro./za/kohaislame.com

Myftiu Tërnava takoi kryetarin e Bankës Islame për Zhvillim

Myftiu Tërnava takoi kryetarin e Bankës Islame për Zhvillim

Gjatë vizitës në Arabinë Saudite, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava vizitoj në Xheda edhe Bankën Islame për Zhvillim ku mori pjesë në Forumit Ekonomik “Xheda2013. Në margjina të Forumit, Myftiu Tërnava pati një takim pune me Kryetarin e Bankës Islame për Zhvillim. dr. Ahmed Muhamed Ali.
Me këtë rast Myftiu Tërnava e falënderoj, dr. Ahmed Muhamed Ali dhe Bankën Islame për përkrahjen e Kosovës sidomos për financimin e dy projekteve të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës, financimi i rrugës Prishtinë – Mitrovicë , dhe financimin e ndërtimit të Emergjencës në QKUK. Myftiu gjithashtu theksoi se në të ardhmen pret që Banka Islame për Zhvillim të përkrah më fuqishëm projektet zhvillimore në Kosovë.
Kryetari i Bankës Islamike shprehu interesimin për arritjet e Kosovës në fushën e infrastrukturës e ekonomisë si dhe për stabilitetin financiar të Kosovës.
dr. Ahmed Muhamed Ali në takim me Myftiun tha se pret që Kosova në të ardhmen të jetë anëtare e Bankës Islame për zhvillim./BIK/kohaislame

Kosovarët çdo ditë e më të varfër

Kosovarëve sa vjen e u vështirësohet jeta. Çdo muaj në treg shtrenjtohet nga një produkt elementar sa që të ardhurat personale nuk i mbulojnë shpenzimet e shportës së konsumit të përgjithshëm në Kosovë.
Vetëm në tre vjetët e fundit çmimet e produkteve janë rritur mbi 20 për qind, ndërsa pagat kanë mbetur të palëvizura.

Nëse llogaritet ndryshimi në çmimet e artikujve elementarë që Agjencia e Statistikave të Kosovës i ka si bazë për matjen e inflacionit, shihet se në shkurt të vitit 2010 për 25 artikuj një qytetar ka paguar 42 euro. Ndërkaq, për të njëjtën sasi të artikujve në shkurt të këtij viti u është dashur të paguajnë 51 euro, shkruan Tribuna.

Njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se institucionet e vendit nuk kanë mekanizma të mirëfilltë për kontroll të inflacionit në tregun e brendshëm, por ai lëviz varësisht prej ndryshimeve në tregun e jashtëm.

Financat tronditën nga Qipro

Në pritje te debatit në Parlamentin qipriot për planin e shpëtimit të bankave dhe kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, bursat europiane dhe ato aziatike kanë nisur ditën me rënie. Bursa e Londrës shënoi rënie me 1për qind, ndërsa ato në Francë dhe Itali janë nën 2 për qind. Më herët bursa e Japonisë Nikei ra me 2.7 për qind ndërsa ajo e Hong-Kongut dhe Australisë pësuan rënie me 2 për qind. Euro humbi terren ndaj dollarit. Monedha e përbashkët u këmbyer me 1.2 dollarë, duke shënuar nivelin më të ulët të këtyre tre muajve.
Pakti prej 10 miliardë eurosh, për të cilin është renë dakort me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar u kërkon klientëve të bankave të paguajë vetëm një here, një taksë çka detyroi ata te tërheqin shuma te mëdha prej bankomateve. Kjo është hera e parë që Eurozona me 17 anëtarë sanksionon, cenimin e kursimeve të njerëzve, për të financuar një plan shpëtimi.

Plani nuk është finalizuar ende, por lajmi ndikoi jo pak të depozituesit, të cilët u vunë në radhë tek bankomatet për te tërhequr kursimet e tyre. Partia e presidentit të Qipros, “Grumbullimi Demokratik” ka 20 deputetë në Parlamentin me 56 anëtarë dhe asaj do t’i duhet edhe mbështetja e partive të tjera për të miratuar dhe finalizuar marrëveshjen. Zëdhënësi i një prej partive në koalicionin qeverisës tha se për të votuar paktin, kërkohen garanci se Qipro do të përballojë problemet me të cilat përballët.

Udhëheqësi i opozitës Jorgo Lilikas deklaroi se presidenti i Qipros, Nikos Anastasiades “ka tradhtuar votën popullore”. Megjithatë, presidenti paralajmëroi se Qipro duhet te zgjedhe te stabilizoje financat ose te dëshmoj kolapsin e sistemit financiar. Nikos Anastasiades e cilësoi krizën qe ka përfshirë vendin e tij me te renden prej pushtimit te Turqisë ne vitin 1974.

Shumë banka dhe biznese ruse kanë depozita të konsiderueshme në Qipro dhe pikërisht për këtë, presidenti Vladimir Putin e cilësoi këtë takse të pandershme, aspak profesionale dhe te rrezikshme. /Telegrafi/

Beqaj: Rryma nuk do të shtrenjtohet

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj gjatë një konference për media ka thënë se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ai përjashtojë mundësinë e ngritjes së tarifave të energjisë, pasi Qeveria ka hequr dorë nga fitimet e saj.
Ministri Besim Beqaj me këtë rast tha se ditëve të fundit është diskutuar shumë rreth çmimeve të energjisë deri në atë masë sa që ka pas njerëz që kanë bërë vlerësime se sa për qind do të rritet çmimi i energjisë. “Ne para disa ditëve kemi marrë një shkresë nga rregullatori për kontributin që Qeveria duhet të japë në çmimin e energjisë dhe unë do ta informoj publikun sot se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ky është një fakt të cilin e kemi bërë sot në konsultim me Rregullatorin”, tha ai.

Sipas tij, është pritur të ketë një rritje të fitimit të saj, por Qeveria ka hequr dorë, kështu që realisht pritet që shumë shpejt Zyra e Rregullatorit të Energjisë të vjen me vendimin që nuk ka rritje të çmimit të energjisë. “Prandaj kisha lutur të gjithë ata të cilët deri tani kanë manipuluar me çmimin e energjisë që do të ketë rritje, 11 për qind, 13 për qind apo 30 për qind , ky nuk është fakt dhe kjo nuk është e vërtetë. Pra nuk do të ketë rritje sepse Qeveria ka marrë obligim që fitimet e saj të cilat janë të prezantuara në fatura dhe në rritje të çmimit të energjisë të mos i zbatojë. Kjo është një informatë të cilën desha ta ndajë me qytetarët”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-së tha se i mirëkupton shqetësimet e qytetarëve gjatë këtyre ditëve sa i përket faturave dhe ka bërë me dije që Qeveria është shumë koshiente në trajtimin e gjitha ankesave një nga një, ndërsa ka garantuar ata edhe njëherë që asnjë faturë që është e fryrë apo e rritur nuk do të paguhet nga qytetarët, por KEK do t’i rimburësojë të gjitha ato fatura. “Prandaj unë kërkoj mirëkuptim nga qytetarët dhe mirëkuptimi është që të mos bien pre e lojërave politike të cilat janë prezente dhe fuqinë e argumentit gjithmonë sa i përket mbrojtjes së tyre do ta kenë në raport me Qeverinë. Unë pres që edhe KEK-u i cili monitorohet për punën e vet nga Zyra e Rregullatorit të jetë shumë përgjegjës dhe gjitha lëshimet të cilat janë konstatuar nga ZRRE të shkojnë në vendin e vet”, theksoi ministri Beqaj.

Ai tha se Qeveria është për trajtim të interesave të qytetarëve por në asnjë moment nuk do të lejojë që të manipulohet më masën për masa të tilla, siç është çmimi i energjisë, ndërsa e quajti këtë lajm të mirë për qytetarët e vendit me çka mbyllen ato manipulime dhe kalkulime të shumë njerëzve në llogari të institucioneve. /Telegrafi/

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
28.4 ° C
28.4 °
28.4 °
57 %
2.1kmh
7 %
Sun
25 °
Mon
34 °
Tue
34 °
Wed
33 °
Thu
34 °