Ballina Blog Faqe 692

BQK: Ekonomia e Kosovës, në rënie

“Investimet e huaja direkte dhe eksportet shënuan rënie të theksuar gjatë vitit 2012, ndërsa importet gjithashtu u karakterizuan me ngadalësim të rritjes”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore mbi indikatorët ekonomikë të Kosovës.

Investimet e huaja direkte të cilat deri në shtator të 2012-s arritën vlerën prej 167 milionë eurove, kanë shënuar rënie substanciale prej 41.3 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2011. BQK-ja vlerëson se rënia e këtyre investimeve, përveç përkeqësimit të ambientit të përgjithshëm ekonomik në Evropë, në masën më të madhe i adresohet ngadalësimit të procesit të privatizimit gjatë vitit 2012.

/koha/kohaislame

Ndihmat sociale të pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave

Në Kosovë janë rreth 31 mijë familje me 148 mijë anëtarë që përfitojnë ndihmë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj.

Përfituesit e këtyre ndihmave thonë se ato janë të pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave më elementare. Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se kërkesa e familjeve të tilla, ka shënuar një rënie të vogël.

Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e sociale, shumë familje në Kosovë mbështeten me ndihma sociale nga shteti. Por shuma që marrin ata, nga 40 deri në 80 euro në muaj, vlerësohet është shumë e ultë për të mbuluar koston e jetesës.

Jashar Llumnica, i cili ka familje tre-anëtarëshe, thotë se ndihma prej 55 eurosh në muaj, është e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat më elementare.

“Është vështirë shumë, por me një ndihmesë të dikujt ia del, se vështirë me 55 euro, për një person në muaj janë të pamjaftueshme, e jo për tre. Është vështirë se ne kemi rrymë, mbeturina, ushqimi, 200 me i pasë nuk dalin. Na ndalin rrymën, edhe pse jam me asistencë sociale dhe person i verbër”, tha ai për Radio Kosovën.

Edhe Zymer Krasniqi, një tjetër banor i Prishtinës që jeton me ndihma sociale bashkë me familjen e tij gjashtë anëtarëshe, ankohet për shumën e vogël që marrin, krahasuar me nevojat që kanë.

“Të ardhura kam vetëm ndihmën sociale, 75 euro, veç Zoti e din se nuk e beson as qeveria, askush tjetër si mundet një familje gjashtë anëtarëshe me jetu me 75 euro. Që nuk na ndihmon edhe dikush prej të afërmve tonë është katastrofë për neve”, theksoi Krasniqi.

Dhënia e mbështetjes sociale për familjet e varfra bëhet në përputhje me Ligjin për skemën e ndihmës sociale në Kosovë, të miratuar në vitin 2003 dhe të plotësuar në maj të vitit 2012, thotë Behxhet Gaxhiqi, këshilltar i ministrit të punës dhe mirëqenies sociale.

“Nëse i referohemi statistikave, brenda kësaj periudhe gjithsej janë 31 mije e 111 familje në asistencë sociale, me 148 mijë anëtarë. Fondi total nuk ka ndryshuar, kuotat janë 28 milionë të planifikuar për vitin 2013, ashtu sic ka qenë edhe vitin e kaluar dhe kjo ndarje bëhet konform rregullave dhe buxhetit, sic e parasheh planifikimi buxhetor për vitin 2013”, tha ai për transmetuesin publik.

Të drejtë për të përfituar asistencë sociale kanë personat që nuk kanë marrëdhënie pune dhe që përmbushin edhe një varg kriteresh tjera. Gaxhiqi thotë se gjatë periudhës pesëvjeçare numri i përfituesve të ndihmave sociale ka pësuar rënie nga viti në vit.

“Në vitin 2007 numri i familjeve që kanë jetuar me ndihma sociale ka qenë 37 mijë e 500 familje, në vitin 2008/2009 numri i tyre ka rënë në rreth 35 mijë, një vit më vonë në 34 mijë kurse aktualisht janë 31 mijë sosh”, thekson Gaxhiqi.

Përfituesit e ndihmave sociale kërkojnë që shuma e ndihmave sociale të rritet sa më parë dhe familjet e varfra të mbështeten edhe me ndihma tjera. Por zyrtarë të Ministrisë thonë se rritja nuk është planifikuar të ndodhë as gjatë këtij viti.

Ndryshe, nga numri i përgjithshëm i familjeve që përfitojnë ndihma sociale, rreth 77 për qind janë shqiptarë, 11 për qind serb, kurse pjesa tjetër pjesëtarë të minoriteteve tjera. Ndërkaq komuna që përfiton më shumë është Prishtina, ku është i përqendruar numri më i madh i popullatës.kohaislame

Investohet në prodhimtarinë e mishit.

Për herë të parë, Ministria e Bujqësisë, sivjet po investon edhe në sektorin e mishit.

Për të shtuar kapacitetet prodhuese në këtë industri, kjo ministri ka ndarë një fond prej 700 mijë eurosh, përmes të cilit do ta përkrah trashjen e viçave dhe rritjen e zogjve për mish, duke investuar në ndërtimin e fermave për majmëri dhe në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës përcjellëse në fermat ekzistuese.

Përveç shtimit të prodhimtarisë në këtë sektor, zyrtarë të kësaj ministrie thonë se gradualisht synojnë ta arrijnë edhe zëvendësimin e produkteve të importit me produktet e mishit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, tregon se investimet kryesisht ndërlidhen me kompletimin e infrastrukturës së brendshme të fermave që merren me rritjen e bagëtisë dhe brojlerëve për mish. “Investimet e pranueshme ndërlidhen me përmirësimin e infrastrukturës, rregullimin e sistemit të ushqimit, ujit, ventilimit, ndriçimit dhe ngrohjes. Pastaj, me deponitë për silazh, për plehra, për ushqim voluminoz dhe për nevoja të tjera fermerëve që janë aktiv në këtë fushëveprimtari. Kufiri më i lartë i investimeve të pranueshme në ndërtimin e stallave për majmërinë e viçave dhe rritjen e brojlerëve, arrijnë deri në 25 mijë euro”, thotë zëdhënësi Behramaj.

Ai tregoi se periudha për aplikim është hapur në Ministrinë e Bujqësisë dhe fermerët që aplikojnë për të përfituar grante investive për trashjen e viçave dhe prodhimtarinë e brojlerëve, duhet që të jenë të regjistruar si fermerë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, të kenë kafshë me matrikuj të Kosovës, të dëshmojnë se posedojnë së paku 0,3 hektarë tokë bujqësore, të kenë dëshmi mbi vlerësimin e ndikimit mjedisor ata që aplikojnë për ferma me mbi 10.000 zogj, etj.

Aktualisht industria e mishit të viçit është më shumë nënprodhim i industrisë së qumështit, sepse vetëm pak ferma janë përqendruar në majmëri me numër relativisht të vogël të krerëve. Mishi i kuq, sidomos ai i viçit është prodhim më i popullarizuar dhe ofron mundësi reale për zëvendësimin e importit. Kjo prodhimtari karakterizohet me therjen e hershme të krerëve dhe shumica e viçave të therur janë më të ri se 8 muaj dhe kjo ekonomikisht nuk është shumë efikase. Gjithashtu, edhe prodhimi e mishit të pulës aktualisht është më i bazuar në pula që janë të destinuara për prodhimin e vezëve dhe në pulat e ekonomive familjare.

Me prodhimtarinë e brendshme në industrinë e mishit, vlerësohet se arrihet të përmbushen rreth 50 për qind të nevojave të përgjithshme konsumuese në Kosovë.kohaislame

Kosova nuk po e përmbushë planin ekonomik

Afër dy vjet që nga miratimi, Plani për zhvillim ekonomik të Kosovës, prioritet për periudhën 2011-2014, nga ekspertë të çështjeve ekonomike, vlerësohet i papërmbushur, derisa zyrtarë të ministrive thonë të kundërtën.

Me zbatimin e këtij plani, Qeveria kishte synuar që brenda periudhës së ardhshme afatmesme të arrihet norma e rritjes reale ekonomike vjetore rreth 7-8 për qind për vit dhe një ulje të numrit të personave të regjistruar si të papunë prej rreth 8-10 për qind për vit, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në bazë të zhvillimeve ekonomike që kanë ndodhur gjatë këtyre dy vjetëve, këto prioritet deri më tani nuk kanë arritur të përmbushen, thotë eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, duke shtuar se rritja ekonomike nuk në Kosovë nuk ka qenë më shumë se tre për qind, ndërsa papunësia ka mbetur e njëjtë në 44.9 për qind,
“Ai plan më shumë ka qenë për nevoja meditaike, është një plan i papërgatitur mirë. Një strategji që ka pasur disa parametra dhe që nuk ka qenë i bazuar në asnjë argument që mund të gjejë mbështetje”, shprehet Shatri.
Në bazë të planit të Qeverisë për zhvillim ekonomik 2011-2014, arritja e këtyre synimeve ishte paraparë të bëhet duke orientuar përcaktimet e Qeverisë në krijimin e mundësive për zhvillimin e tregut të lirë dhe rritjes së konkurrueshmërisë, fuqizimit të sektorit privat, përkrahjes për gjenerimin e punësimit, përmirësimin e imazhit të Kosovës për investime të huaja dhe ofrimin e një ambienti më të sigurt dhe stabil për biznes.
Nisur nga kjo, Shatri thekson se një plan, i cili nuk mbështetet përmes politikave buxhetore, nuk mund të arrihet të realizohet.
“Të gjitha ato programe qeveritare afatshkurta, deri në ato afatmesme që kanë qenë, nuk janë marrë me seriozitet dhe nuk janë mbështetur përmes politikave buxhetore. Çdo program zhvillimor, nëse nuk mbështetet edhe me buxhet, atëherë nuk është një program serioz dhe nuk ka seriozitet në zbatimin e tij”, thekson Shatri.
Sidoqoftë, zyrtarë të ministrive të ndryshme vazhdimisht kishin theksuar se janë duke përmbushur të gjitha obligimet dhe janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet që dalin nga ky plan.
Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të cilët me këtë plan kishin prioritet krijimin e një ambienti më të favorshëm për biznes, ishin deklaruar se kanë bërë reforma thelbësore dhe lehtësime të mëdha për bizneset.
Në anën tjetër, zyrtari i Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Menderes Ibra, thotë për REL se të gjitha veprimet konform këtij plani, janë ndërmarrë.
“Ministra e Financave i ka përmbushur dhe është duke i përmbushur, pasi që aty është një dinamikë kohore e realizimit të atyre veprimeve, por mund të them se kjo ministri i ka përmbushur të gjitha obligimet e saj karshi këtij plani”, deklaron Ibra. /Ind/kohaislame

Bizneset po heqin dorë nga kreditë

Biznesi i kompanive vendore po rrezikohet për shkak të normave të larta të interesit bankar, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve.

Këta të fundit thonë se nuk po arrijnë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre për shkak të mungesës së mjeteve financiare, derisa ofertat e bankave për kredidhënie nuk janë aspak të favorshme për bizneset.

Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale.

Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.

Faik Konushevci, udhëheqës u kompanisë “Sole Kosova”, e cila merret me përpunimin e mishit dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve, tregon se normat e larta të interesit po ngufatin biznesin e tij.

“Normat e larta të interesit të bankave janë pengesë shumë e madhe për ne. Këto norma janë shumë të larta dhe të pa përballueshme për biznesin privat në Kosovë. Ndikojnë drejtpërdrejtë në çmimin e konsumatorit dhe në zhvillimin e biznesit”, shpjegon Konueshevci për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se bankat në Kosovë janë plotësisht komerciale dhe nuk ndihmojnë aspak bizneset.

Normat e larta të interesit nga bankat komerciale kritikohen edhe nga përfaqësues të kompanisë “ASK Foods”, në Gjilan e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve.

Pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori bankar nuk ka qenë shumë mbështetës për biznese për shkak të normave të larta të kredive.

Krahasuar me vendet e rajonit, Namoni thotë se bankat komerciale në Kosovë kanë normat më të larta të kredive.

“Duke marrë parasysh normat e kredive që ofrohen në rajon, në Kosovë janë më të lartat. Kjo na bën që në shumicën e rasteve të mos jemi konkurrent me rajonin për shkak të normave të larta të interesit që aplikohen nga bankat komerciale në Kosovë”, thotë ai.

Sipas përfaqësuesve të biznesit, ulja e normave te interesit do të kishte ndikime pozitive.

Fillimisht, ulja e normave të interesit, thonë ata, do të krijonte rritje në nivelin e investimeve private, gjë që do të rezultonte edhe me vende të reja te punës.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi thotë për Radion Evropa e Lirë se normat e larta të kredive ka bërë që shumë biznese të mos heqin dorë nga kredimarrja.

“Mundësia e financimit të bizneseve prej bankave është shumë e vogël për shkak të kostos së kredive. Kjo vërehet edhe nga raportet e Bankës Qendrore ku shihet se po bie kreditimi i bizneseve, ndoshta këtu në pozitë të mirë është vetëm tregtia, pasi që bizneset tjera po heqin dorë nga shfrytëzimi i kredive për shkak të nivelit të lartë të kamatave”, shprehet Rexhepi.

Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës i publikuar në fund të vitit të kaluar thuhet se kredimarrja ka shënuar rënie.

Duke u bazuar në rezultatet e anketës së shtatorit 2012, të realizuar në bankat, të cilat operojnë në Kosovë, ngadalësimi i kredidhënies është rezultat i rënies së kërkesë për kredi.

Po ashtu, deri në një masë, sipas raportit të BQK-së, ka ndikuar edhe shtrëngimi i kushteve për kredidhënie nga ana e bankave, gjë që u reflektua në rënie të ofertës për kredi.

Nisur nga kjo gjendje e sistemit bankar të Kosovës, eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi thotë se duhet që bankat komerciale të kenë oferta më të mira për kredidhënie.

“Fakti se kredimarrja është e shtrenjtë ka rrezikuar edhe sistemin bankar, meqenëse që në fund të vitit të kaluar tri banka kanë afaruar me humbje që nuk kanë ndodhur vitet e mëhershme, që do të thotë se bankat kanë filluar të kenë probleme të brendshme”.

“Shumë më e pranueshme do të ishte që ato vetë në konkurrencë në treg të përmirësojnë ofertën të ulin kamatat, kushtet e kreditimit dhe kjo të përshpejtojë një cikël të zhvillimit”, shpjegon Rexhepi./rel

Gazsjellësi i ri do të kalojë nëpër fundin e Detit Adriatik

Greqia, Shqipëria dhe Italia nënshkruan më 13 shkurt në Athinë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit Transadriatik (TAP – “Trans Adriatic Pipeline”), nëpër të cilin mund të kalojë tranzit gazi azerbajxhanas për në Evropë, deklaroi Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras.

Projekti TAP ofron një rrugë më të shkurtër, kosto të ulët ndërtimi dhe kalimin e gazit tranzit përmes numrit më të vogël të mundshëm të vendeve, shtoi Kryeministri grek.

Alternativa të projektit TAP mund të jenë gazsjellësit “Nabucco” dhe ITGI (Interconnector Turkey-Greece-Italy). Ende nuk është marrë vendimi se cili nga projektet do të fillojë të zbatohet në praktikë.

Gazi i Iranit edhe në Pakistan

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, nis sot vizitën dyditore në Iran.

Ai do të takojë homologun e këtij vendi, Mahmud Ahmadinejad, me të cilin do të nënshkruajë marrëveshje për ndërtimin e tubacionit të gazit, i cili do ta çojë gazin iranian në Pakistan.

Teherani i ofron Islamabadit shitjen e 21.5 milionë metrave kubë gaz në ditë, si dhe kredi prej 500 milionë dollarësh për ndërtimin e seksionit të tubacionit në Pakistan.

Rafineria e naftës pritet të ketë kapacitet për të përpunuar rreth 400,000 fuçi në ditë.

Projektet kanë pasur problem me tërheqjen e investitorëve për shkak të kundërshtimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qumështi vendor, i sigurt

Qumështi i cili prodhohet në Kosovë është i sigurt për konsum, kështu kanë dalë mostrat e marra në katër prodhues vendorë. Rezultatet kanë treguar se alfatoksina ka dalë të jetë negative. Burime të gazetës “Zëri” brenda Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës (AUVK) bëjnë të ditur se qumështi dhe produktet e qumështit që prodhohen në Kosovë janë të sigurta për konsum.
“Analizat janë marrë te katër prodhues dhe në të gjitha mostrat alfatoksina ka dalë të jetë në bazë të parametrave të lejuar në Kosovë. Kështu që konsumi i prodhimeve vendore është tejet i sigurt”, tha burimi i besueshëm i gazetës brenda AUVK-së.

Sipas këtij burimi, inspektorët e AUVK-së kanë marrë mostrat e të gjithë prodhuesve vendorë, por edhe te të gjitha kompanitë që kanë importuar qumësht në vendin tonë, por sipas tij, një pjesë e analizave ende nuk janë të gatshme.

Në anën tjetër, zyrtarë të AUVK-së bëjnë të ditur se inspektorët e AVUK-ut vazhdojnë të mbajnë të bllokuara nëpër pikat kufitare, por edhe nëpër depo të kompanive private më shumë se 300 mijë litra qumësht me përmbajtje kancerogjene.

Zëdhënësi i AUVK-së Lamir Thaçi thotë se aktualisht në fuqi është vendimi i AUVK-së për të larguar nga tregu qumështin “Meggle“ me 3.2 për qind yndyrë me datë të skadimit 23.06.2013, e që ka origjinë nga Bosnjë dhe Hercegovina, qumësht “Fast“ me 3.5 për qind yndyrë me datë skadimi 03.06.2013 me origjinë nga Shqipëria, qumështi “Primalat” 3.8 për qind yndyrë me origjinë nga Shqipëria, me datë të skadimit 05.08.2013, qumësht “Primalat” me 1.5 për qind yndyrë me datë të skadimit 10.03.2013, qumësht “Primalat” me 1.6 për qind yndyrë me datë të skadimit 04.04.2013, si dhe qumështi “Primalat” me 3,5 për qind yndyrë e më datë të skadimit 01.08.2013. Sipas zyrtarëve të AUVK-së, nga tregu është hequr edhe qumështi “Zott” me 3.5 për qind yndyrë e me datë skadimi 10.06.2013 me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Po ashtu AUVK ka hequr nga tregu edhe qumështin ”Dukat” me 2.8 për qind yndyrë me datë skadimi 12.05.2013, si dhe të gjitha seritë e qumështit “Dukat” për kafe me 3.8 për qind yndyrë. Thaçi thotë se AUVK-ja ka bërë analiza edhe të të gjitha llojeve të qumështit që importohen në Kosovë, por sipas tij deri më tash analizat nuk kanë përfunduar. “Inspektoret e AUVK-së janë në gatishmëri 24 orë dhe ata nuk lejojnë që në vendin tonë të futet qoftë një litër qumështit i dyshimtë”, tha ai. /Zëri/T

Ambienti i pafavorshëm falimenton bizneset

Nga 9,449 biznese sa janë regjistruar vitin e kaluar, mbi 1,100 biznese janë mbyllur, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa arsyet e mbylljes, sipas tyre, janë vullnetare.

Një nga bizneset shërbyese që tashmë ka falimentuara, është një dyqan i floktarisë në Prishtinë. Fadil Mahmuti ka qenë pronar i këtij dyqani dhe me mjetet e fituara, është kujdesuar për familjen e tij gjashtë-anëtarëshe.

Ai tregon se ngarkesat e larta tatimore e kanë detyruar të çregjistrojë biznesin e tij, pasi thotë se më shumë është dashur të paguajë obligime, sesa që ka fituar.

“Obligimet, tatimet. Zanatlinjtë e kanë 9 për qind, ndërsa ëmbëltoret e kanë 3 për qind. Çfarë dallimi, ëmbëltorja i shet 200 kafe, unë i bëj 12 euro në ditë, ndërsa paguaj nëntë për qind, ndërsa zanatet tjera 3 për qind”, shprehet Fadil Mahumti.

Që nga viti 2000 e deri më tani, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, janë regjistruar 120 575 biznese.

Po sipas të dhënave zyrtare, në nëntëmujorin e vitit 2011, janë shuar 934 ndërmarrje, ndërsa në vitin 2010 kanë falimentuar 1400.

Por, njohës të çështjeve ekonomike shpjegojnë se kamatat e larta të kredive, ekonomia joligjore, mungesa e një angazhimi më serioz të autoriteteve kompetente karshi sektorit privat, janë disa nga arsyet e shuarjes së bizneseve.

Naser Grajçevci vlerëson se numri prej mbi 1100 bizneseve të shuara është shumë i lartë, krahasuar me numrin e bizneseve aktive në vend. Kjo, sipas tij, paraqet ambientin e pavolitshëm të të bërit në biznesit në Kosovë.

Ai, gjithashtu, konsideron se numri më i madh i bizneseve që mbyllen janë biznese të vogla, pasi, siç shprehet ai, kompanitë e mëdha po gllabërojnë bizneset e vogla dhe po humbin arsyeshmërinë e ekzistimit të tyre.

“Konkurrenca jolegale që bëhet dhe prapë kjo konkurrencë në të shumtën e rasteve është pasojë e funksionimit jo të mirë të institucioneve kryesore që kanë për qëllim të mbrojnë këtë konkurrencë”.

“Është përvoja, bizneset e vogla ballafaqohen me mungesë të përvojës. Por, ajo që ka qenë numër një në këto vitet e pasluftës, është mungesa e përkrahjes financiare dhe klimës jo të favorshme kreditore që kemi në Kosovë”, thekson Grajçevci për Radion Evropa e Lirë.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se politikat jo të favorshme për zhvillimin e sektorit privat, ekonomia joligjore dhe sistemi bankar, paraqesin si pengesa kryesore që çojnë drejt falimentimit të bizneseve në vend.

Aleanca Kosovare e Biznesit, vitin e kaluar ka bërë një analizë, për ndikimin e normave të interesit për kredi te ndërmarrjet private, thotë Agim Shahini, udhëheqës i këtij asociacioni.

“Arsye e tretë është interesi i lartë bankar, i cili sipas një hulumtimi që ka bërë AKB-ja, para një viti, rezulton se arsye e tretë, që ndikon në falimentimin e bizneseve, është mos përmbushja e detyrimeve ndaj bankave komerciale”.

“Kjo i detyron bizneset të falimentojnë. Prandaj gjithë kjo klimë jo e favorshme për rritjen e bizneseve të vogla dhe atyre mikro, që këto ndërmarrje dominojnë në Kosovë, kanë nevojë për mbështetje, për politika të mira, për kredi me afat më të gjatë dhe me interes më të ulët. Dhe, në këtë formë do të rritet mënyra e konkurrencës së drejtë, por edhe bizneset do ta marrin vetë veten”, vlerëson Shahini.

Ndryshe, në raportin e fundit të Bankës Botërore, Kosova është radhitur më mirë në fushën e të bërit biznes.

Madje, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka bërë shumë reforma në lehtësimin e procedurave në këtë fushë.

Por, Naser Grajçevci, dikur drejtor në Agjencinë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se Banka Botërore ka 10 fusha ku e mat të bërit biznes në vende të ndryshme të botës, por ato fusha, sipas tij, janë shumë formale.

Shumë gjëra, thotë ai, ndryshojnë në mes asaj që shkruhet dhe asaj që realizohet në praktikë:

“Edhe tash ne kur radhitemi shumë më mirë se herët tjera, në aspektin e promovimit biznesor për investitorët e huaj, mund të jetë shumë pozitive, por ambienti i biznesor, i cili është për një analizë shumë të thellë, sesa në këtë formën sipërfaqësore, mund të themi se është shumë larg për të dëshiruar”.

“Investitorët e huaj vijnë këtu dhe ballafaqohen me shumë pengesa, qoftë pengesa burokratike, abuzive, elemente korruptive dhe në këtë mënyrë, ata detyrohen të ikin nga ky vend, i cili ka shumë nevojë për investime”.

Ndryshe, për krijimin e një ndërmarrjeje të re dhe për vazhdimin e suksesit, Naser Grajçevci shprehet se në rend të parë duhet hartohet plani i biznesit.

Pa e krijuar këtë plan të detajuar, thotë ai, është e sigurt se bizneset janë më pranë dështimit se sa arritjes së suksesit.

Papunësia, pasojë e nepotizmit në Kosovë

Pritjet e kosovarëve, 5 vjet para shpalljes së  Pavarësisë, ishin se me formimin e shtetit do të përmirësoheshin dukshëm kushtet sociale, por edhe pas 5 vjet të krijimit të  shtetit, sfida më e madhe e tij vazhdon të jetë zhvillimi ekonomik.

Të rinjtë e Kosovës, pavarësisht përfundimit të shkollimit universitar dhe diplomimit në lëmi të caktuara, vazhdojnë të jenë të papunë. Shkak për këtë dukuri, sipas tyre, është nepotizmi. Njësoj si ata theksojnë edhe organizatat e shoqërisë civile, por edhe ekspertë ekonomie. Avni Zogiani nga organizata antikorrupsion “Çohu”, që përfaqëson shoqërinë civile ka thënë se ky problem qëndron te deformimi i tregut, heqja e kritereve profesionale dhe vendosja e kriterit nepotik, transmeton KTV. Se kriteri i familjarizimit është kusht për t’u punësuar nëpër institucione shtetërore, e thotë edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Musa Limani. Ndërkaq, refuzimi i kërkesës për punë mbetet brengë kryesore për qytetarët./kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
33.5 ° C
33.5 °
33.5 °
27 %
2.6kmh
0 %
Mon
32 °
Tue
36 °
Wed
28 °
Thu
32 °
Fri
31 °