Ballina Blog Faqe 691

A është Gjermania e vetmja përfituese e krizës?

Në Gjermani nuk ndjehet shumë nga kriza e euros. Disa madje i mbajnë gjermanët si përfitues të krizës, që fitojnë nga problemet e të tjerëve. Sa qëndron kjo tezë?
Ndërsa në vendet në jug të eurozonës kriza është bërë një gjendje e zakonshme, në Gjermani situata duket ndryshe. Ish-kampionja e botës në eksport ende shkëlqen me një suficit tregtar, mallrat e saj janë të kërkuara në të gjithë botën. Rritja ekonomike e saj është e qëndrueshme, tregu i saj i punës robust. Ministri i Financave është i kënaqur me të ardhurat e larta tatimore dhe buxheti duket se do të jetë i balancuar.

Vuajtja e njërit, gëzimi i tjetrit?
Shpesh dëgjon të thuhet, se kjo nuk është çudi. Për shembull euroja e dobët ul çmimin e eksporteve gjermane dhe mungesa e bonitetit të shumë vendeve të tjera të eurozonës ka shkaktuar një kërkesë të madhe për bonot gjermane. Kjo bëri që vitin e kaluar të jepeshin letra gjermane me vlerë me norma interesi negative. Investitorët paguajnë madje, që të lejohen t’i japin hua paratë Gjermanisë.
Dhe më e mira, thonë përkrahësit e teorisë të përfitimit nga kriza, nuk ka ardhur akoma: sikur kriza të kapërcehet dhe kandidatët e falimentimit ta marrin veten në skajin jugor të Evropës, ata do të mund t’i kthejnë kreditë, që u ka dhënë Brukseli, kur kanë qenë në vështirësi. Gjermania, si donatori më i madh i BQE-së, EFSF-së dhe ESM-së, mund të gëzohej pastaj çdo vit për të ardhura shtesë në vlerë miliardash.

Ministri i Financave mund të gëzohet
A konsiderohet Gjermania fituese e krizës në Evropë? “Pjesërisht po, pjesërisht jo,” thotë Heike Joebges, ekonomiste në Universitetin Teknik dhe Shkencor (HTW) në Berlin. është e vërtetë megjithatë, se Gjermania “në krahasim me vendet e tjera konsiderohet si një port i sigurtë dhe kjo është arsyeja, se përse obligacionet qeveritare gjermane blihen me aq dëshirë. Për këtë arsye renditet kanë rënë dukshëm”. Kështu Ministri i Financave të Berlinit përfiton nga kriza e euros. Joebges thotë në bisedë me DW, se ne “paguajmë vetëm një të tretën e asaj, që na është dashur të paguanim para krizës.”
Profesori i ekonomisë nga Tübingeni, Joachim Starbatty, e sheh çështjen ndryshe: Sipas tij, kërkesa për obligacionet e qeverisë gjermane, është rezultat i arratisjes së kapitalit nga vendet në krizë. Përparësia në dukje ekonomike, që Gjermania ka nga ikja e një kapitali të tillë, së shpejti do të zhduket. Sepse në këtë largim të kapitalit, thotë Starbatty për DW, “ne duhet t’i kthejmë paratë në mënyra të tjera, për shembull në formën e paketave të shpëtimit.”
Starbatty e konsideron çështjen, nëse Gjermania po përfiton nga kriza, përgjithësisht një “perspektivë të rreme.” Ai e sheh problemin në thelb: “Ata kanë jetuar përtej mundësive të tyre dhe kjo tani u hakmerret. Bankat ndodhen thellë në borxh, firmat gjithashtu. Njerëzit kanë shpenzuar shumë para, shtetet kanë shpenzuar shumë para. Dhe tani kjo para duhet të rifitohet.”

Situata do të përmirësohet, sepse duhet të përmirësohet

Ekonomistja nga Berlini Joebges thekson se fitimi më i madh i Gjermanisë do të jetë kapërcimi i krizës: “Nëse vendet do ta kthejnë ndihmën e shpëtimit, ne në fund do të kemi një fitim të madh.” Tek ky argument eurokritikut Starbatty i duhet të marrë frymë thellë. “Është si të shpresosh për një ditë, që nuk vjen kurrë.” Ai nuk pret, që kandidatet evropianë për falimentim ta marrin veten së shpejti.
Heike Joebges nuk është aq pesimiste. Kriza do të tejkalohet, sepse ajo duhet të kapërcehet, të paktën nga perspektiva gjermane: “Kritikët më të mëdhenj duhet ta kenë gjithmonë parasysh se Gjermania, si një vend kreditor, është shumë i interesuar, që kriza të kapërcehet. Dhe nëse stabilizimi i vendeve të krizës do të arrihet, atëherë nga kjo priten një sërë të ardhurash shtesë.”

Vlerësimi i euros bekim dhe mallkim
Heike Joebges përmend edhe një tjetër arsye, përse Gjermania është në gjendje kaq të mirë gjatë krizës: Dobësia e vendeve të Evropës jugore, të kërcënuara nga falimentimi, ka bërë që monedha e përbashkët të jetë relativisht e dobët. Euro kohët e fundit ka humbur disi në vlerë kundrejt dollarit. Kjo, thotë Joebges, i vjen përshtat kombit eksportues, Gjermanisë. Nëse euro do të kishte më shumë vlerë, kjo do të shtrenjtonte eksportet dhe do ta ngarkonte ekonominë gjermane, që varet nga eksportet.
Dhe pa euron, thotë ekonomistja e HTW në Berlin, gjermanët do të vuanin më shumë nga kriza në Evropë, sepse sikur “Gjermania të kishte ende markën gjermane, vlera e saj do të rritej shumë dhe ne do të ishim në gjendje të kishim eksporte të larta.”
Për Joachim Starbattyr ky nuk është një argument bindës: “Gjermania ka qenë gjithmonë vend me monedhë të fortë. Rritja e vlerës së parasë nuk është në parim diçka e padëshirueshme, sepse çdo rritje e vlerës rrit fuqinë blerëse të konsumatorëve vendas, të fuqisë punëtore vendase.” Kjo nga ana e vet do të nxisë zhvillimin ekonomik në Gjermani. Një rritje e vlerës mund të jetë më shumë një bekim, se sa një mallkim./dw

Bumi energjitik ndikon tek ekonomia

Bumi i prodhimit të gazit natyror dhe i naftës në Shtetet e Bashkuara ka ndryshuar pikëpamjen për energjinë në mbarë botën. Pjesëmarrësit në konferencën vjetore HIS-CERA në Houston diskutuan për shtimin përherë e më tepër të karburanteve jo-konvencionale në mbarë botën, pra lëndët djegëse që nuk nxirren nga thellësitë e tokës dhe që i kanë dhënë drejtim rritjes ekonomike dhe zhvillimit në shekullin tonë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus njofton nga Houston-i.

Falë shtimit të prodhimit të gazit natyror në Teksas dhe në disa shtete të tjera amerikane, e ardhmja e enrgjisë në SHBA duket e mirë. Por transporti, sektori i ekonomisë që përdor më tepër energjinë, vazhdon të mbështetet kryesisht tek nafta dhe produktet e saj. Drejtuesi i kompanisë General Motors, Daniel Akerson, thotë se pajisja e konsumatorëve me stacione për furnizimin me gazit natyror në shtëpi mund të ndihmojë në këtë aspekt.

“Në se mendojmë se kjo do të shtonte shitjen e këtij produkti dhe në se do të nxirrnim fitime, sigurisht që do ta bëjmë këtë gjë.”

Por zoti Akerson thotë se kjo do të ndodhë, vetëm në se qeveria amerikane mbështet krijimin e më tepër stacioneve të furnizimit me gaz në mbarë vendin.

“Duhet nxitja e qeverisë për industrinë e energjisë, në mënyrë që të ndërtohet infrastruktura e nevojshme. Ne nuk mundet ta kontrollojmë këtë pjesë të ekuacionit. Por njëkohësisht, ne nuk mund të prodhojmë, pa patur siguri tek mbështetja infrastrukturore”.

Ngaqë makinat dhe kamionët që përdorin gazin natyror si karburant janë të shtrenjta, kryeekonomisti i Institutit Amerikan të Naftës, John Felmy, thotë se çdo ndryshim duhet të fillojë me automjetet e mëdha. Ai thotë se ka kuptim të nxitet eksporti i gazit natyror të lëngshëm, për t’i dhënë prodhuesve një shtysë për t’u zgjeruar.

“Në se i hedhim një vështrim operacioneve të gazit në mbarë vendin, tani për tani vihet re një numër jashtëzakonisht i madh eksplorimesh për shpimet për gaz. Ndërkohë, shpimet për zbulimin e rezervave të reja të gazit nuk kanë ndodhur, për arsye të çmimit relativisht të ulët të këtij produkti.”

Ai thotë se eksportimi i gazit do të pakësonte edhe deficitin tregtar të SHBA, do të krijonte vende të reja pune dhe do të kishte vetëm një ndikim të vogël tek çmimi që paguajnë konsumatorët. Por ky zhvillim nuk është i mirë vetëm për Shtetet e Bashkuara. Biznesmenë si Mikhail Smirnov i kompanisë ruse Cryogenmash dëshiron t’i shesë gaz natyror të lëngshëm kompanive amerikane.

“Ne jemi entuziastë për këtë projekt, ngaqë do të rritej ndjeshëm numri i tregtuesve private të gazit dhe i klientëve privatë, të cilët do të kenë nevojë për gaz të lëngëzuar në sasi të vogla”.

Në konferencën e Hjustonit erdhën zyrtarë të energjisë nga shumë vende, për të mësuar mbi mënyrat e shtimit të prodhimit të gazit natyror në vendet e tyre.
Për shumë vende, shfrytëzimi i rezervave të gazit natyror lidhet me luftën kundër varfërisë, thotë Arsenio Mabote, Drejtor i Institutit Kombëtar të Naftës në Mozambik.

“Kur ka burime energjie, mund të gjenerosh, për shembull, energji elektrike, dhe të furnizosh me të popullsinë… dhe kjo sjell zhvillim.”

Ekspertët thonë se vendet në mbarë botën do të kenë nevojë për energji nga një numër burimesh, përfshirë naftën, gazin natyror, qymyrin dhe burimet e ripërtëritshme, për të plotësuar kërkesat në dekadat e ardhshme./voa

Bursa Ndërkombëtare e Turizmit: Dëshirë për udhëtim e frikë nga kriza

Në Berlin deri të dielën zhvillohet panairi më i madh në botë i udhëtimeve, ITB me më shumë se 10.000 ekspozues nga 188 vende. Industria e turizmit është në rritje në mbarë botën.
Në Berlin pas javësh me re, dëborë dhe shi, ndrin sërish dielli nga një qiell i ndritshëm blu. Atë e kemi sjellë ne, thotë ministrja e Turizmit nga Indonezia, dhe qesh. Republika e Azisë Juglindore, si vend partner në Bursën Ndërkombëtare të Turizmit (ITB), është e përfaqësuar këtë vit me 120 ekspozues në panair.
Ata duan të prezantohen si një destinacion ekologjik dhe t’u tregojnë gjermanëve, se vendi ka më shumë se sa vetëm ishullin Bali. Aty vazhdojnë të shkojnë dy të tretat e pushuesve gjermanë në Indonezi. Turizmi në Indonezi në vitin e kaluar ka pësuar një rritje prej 5.2 për qind.

Dega e turizmit shënon rritje
Vendi përfiton nga nga një prirje, që mund të vërehet në të gjithë botën. Organizata Botërore e Turizmit, UNWTO, njoftoi disa javë më parë, se në vitin 2012 ka patur për herë të parë më shumë se një miliardë udhëtarë me destinacion turizmin. Deri në vitin 2020 priten madje 1,6 miliardë udhëtarë. “Kjo natyrisht e vë infrastrukturën, politikën, por veçanërisht ne, industrinë, firmat në degë të ndryshme të industrisë, para sfidash të reja”, thotë Michael Frenzel, Kryetar i Shoqatës së Industrisë së Turizmit gjerman (BTW ) ..

Gjermanët mbeten kampionë botërorë në udhëtim
Me pushime fitohen të holla dhe këtu gjermanët vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm, sepse ata kanë shumë dëshirë të udhëtojnë. Vetëm një e treta e turistëve gjermanë mbetet në vendin e tyre, dy të tretat shkojnë në vende të largëta. Gati 64 miliardë euro kanë dhënë turistët gjermanë vitin e kaluar për udhëtime jashtë vendit, që janë të 2,2 miliardë euro shumë se një vit më parë.
Destinacionet më të njohura ishin Spanja, Italia dhe Turqia. Edhe këtë verë nuk do të ndryshojë ndoshta asgjë. Megjithatë, parashikon Jürgen Büchy, President i Shoqatës gjermane të Udhëtimit, do të ketë një rikthim për Greqinë. Vendi pas një rënieje të madhe të vizitorëve në vitin e kaluar po e rimerr veten dhe ka një rritje dyshifrore në shumë firma udhëtimesh.
“Kjo na gëzon jashtë mase, sepse Greqia është një nga destinacionet kryesore për industrinë e turizmit në Gjermani”, thotë Büchy. “Mikpritja e vazhdueshme dhe cilësia e produktit në zonat e pushimeve në ishujt, e meriton, që pushuesit të fitojnë përsëri besimin në këtë vend dhe të kthehen atje.”

Afrika e Veriut humbet përsëri
Një zhvillim, që u bë i dukshëm në vitin 2012, edhe në Tunizi dhe Egjipt. Në 2013 tashmë duket ndryshe. Deri tani, vendet e Afrikës Veriore nuk kanë qenë në gjendje, që të arrijnë shifrat e prenotimeve të vitit të kaluar. Rënie regjistrohen në Qipro, Maltë, Australi, si dhe në Afrikën Lindore dhe Jugore, sidomos në Kenia, Namibi dhe Afrikën e Jugut. Gjermanët janë të ndjeshëm ndaj krizave. Nevoja e tyre për siguri është shumë e lartë. Për pushimet e tyre ata japin më shumë para, por pushimi duhet të jetë i përsosur.
Kështu që në segmentin e udhëtimeve luksoze ka një kërkesë në rritje dhe jo vetëm për destinacionet e veçanta, të njohura si të tilla si Maledive, Seychellet, Mauritius dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Edhe në destinacionet tradicionale ofrojnë cilësi të lartë për konsumatorët, thotë Jürgen Büchy. “Ky segment është në rritje në të gjithë operatorët dhe destinacionet.”
Kjo bën që të mbushen arkat e agjencive të udhëtimit dhe organizatorëve. Pas një rritje të shitjeve prej 5.5 për qind në një rekord prej rreth 24,4 miliardë euro në vitin e kaluar, Shoqata gjermane e Udhëtimeve për vitin 2013 pret një rritje prej 3-4 për qind./dw

Venezuelë – Vdekja e Chavezit rrit cmimin e naftës

Çmimi i naftës u rrit në Azi pas vdekjes së presidentit venezuelian, Hugo Chavez, që hap edhe një periudhë paqartësie në Venezuelë, prodhuesi kryesor i naftës në Amerikën Latine, thanë shpërndarësit.

Çmimi i një fuçie naftë “light sweet crude” (WTI) u rrit me 19 centë duke arritur në 91,01 dollarë, ndërkohë që një fuçi naftë bruto ”Brent North Sea” u rrit 53 centë duke vajtur në 112,14 dollarë.

”Vdekja e Chavezit, 58 vjeç, e çon vendin dhe rajonin drejt paqartësisë, përpara zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale brenda 30 ditëve”, theksoi Jason Hughes, shpërndarës në IG Markets në Singapor./trt/kohaislame

Kujt i konvenon skandali i qumështit? A po zgjerohet hendeku biznesor mes Shqipërisë dhe Kosovës

Ishte kjo deklaratë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, bazuar në dyshimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës që përhapi alarmin lidhur me rrezikun e konsumimit të disa markave të qumështit të prodhuara në vend dhe atyre të importit.

Por kur ende nuk kemi një përgjigje të saktë lidhur me nivelin mbi normat e lejuara nga BE të Aflatoksinës në këto parti qumështi, ministri i Bujqësisë, Genc Rruli deklaron se cështja e Aflatoksinës është një luftë e pandershme tregtare.

“Duke kuptuar qartë se çështja e Aflatoksinës nuk lindi si një problem dhe përkujdesje ndaj mbrojtjes, shëndetit të konsumatorit, por si një luftë e pandershme tregtare mes vendeve të rajonit ne kemi për detyrim politik, por dhe profesional të mbrojmë nga goditje të tilla jo vetëm thjesht industrinë tonë moderne të përpunimit dhe të ambalazhimit të qumështit, por çka është më e rëndësishme të mbrojmë dhe interesat e jo më pak se 20 mijë fermerëve shqiptarë”, tha Ruli.

Ministri ka mbrojtur përfshirjen në këtë alarm, abuziv sipas tij, të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, duke thënë se reagimi i autoriteteve shqiptare ishte korrekt, pasi pala shqiptare nuk bëri mbrojtje të njëanshme të produktit vendas, në dëm të sigurisë së shëndetit të konsumatorëve.

Ndërsa ministri i Jashtëm Edmond Panariti shkoi dhe më tej duke e quajtur alarmin e autoriteteve kosovare thjesht spekulative dhe pengesë artificiale për qarkullimin e lirë të mallrave mes dy vendeve.

“Javën që vjen kam ndërmend që me ministrin Hoxhaj të nënshkruaj një protokoll të bashkëpunimit ekonomik me Republikën e Kosovës. Qëllimi është që ne të krijojmë hapësira sa më të mëdha të një tregu të përbashkët, ku te kemi qarkullim të lirë të mallrave, përfshirë këtu edhe produktet me origjinë shtazore, pa pengesa artificiale, siç ishte kjo pengesa e fundit, e cila ishte bërë thjesht për qëllime tregtare”, tha Panariti.

Këto deklarata u bënë gjatë një konference të organizuar me rastin e 85-vjetorit të krijimit të Shërbimit Veterinar Shqiptar.

Si u ngrit alarmi vetëm mbi dyshimet që hodhën specialistët kosovarë

Më 22 shkurt mbërriti nga Kosova informacioni se disa parti të disa markave të qumështit prodhim shqiptar rezultuan me nivel të aflatoksinës shumë më të lartë se norma e lejuar e Bashkimit Evropian.

Lajmi u publikua menjeherë në media, ndërkohë që ishte njoftuar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për bllokimin nga Kosova të një sasie qumështi.

Menjeherë pas kesaj Ministria e Bujqesise reagoi nëpërmjet një deklarate per shtyp, ku theksoi se bllokimet e bera nga AUV ne Kosove jane ende ne proces analizimi.Tre ditë më vone, Ministria e Bujqesise dhe AKU mblodhën mostra te qumeshtit, per t’i analizuar prane Institutit të Sigurise Ushqimore dhe Veterinare ne Tirane për të verifikuar rezultatet e Kosovës, ndonëse u hodhen dyshime se ne kete laborator nuk kishte reagente. Nje dite me pas drejtori i AKU-së del ne konference per shtyp, ku deklaron se pas analizave te bera ne Institutin e Sigurise Ushqimore dhe Veterinare ne Tirane, sasia e Aflatoksines ne qumesht rezultoi e njejte si ne Kosove, mbi normat e lejuara te BE-se.

Por ne asnje rast nuk u publikua niveli i aflatoksines dhe niveli se kur ajo përbënte rrezik për jetën e konsumatorit.Analizave iu nënshtruan vetëm markat e dyshuara në Kosovës dhe jo të gjithë llojet dhe as nënproduktet e qumështit. Mostrat e qumështit të këtyre markave u nisen per t’u analizuar ne laboratorine e akredituar ne Breshia te Italise.

Ndonese ne kushte dyshimi iu kerkua subjekteve, që në mënyre vullnetare të tërhiqnin nga tregu produktet e dyshuara, ndërsa një ditë më pas Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një urdhëresë ndaloi konsumin e qumështit ne çerdhe dhe kopshte. Këto alarme bënë që konsumatorët të braktisnin përdorimin e këtyre markave të qumështit, ndërsa pasojat mbërritën jo vetëm në fabrikat e përpunimit, por edhe në fermat blegtorale, ku qumështi mbeti stok.

Sipërmarrësit deklaruan se kjo bëhet për arsye konkurrence dhe se autoritetet nuk duhet të japin alarme pa patur në dorë prova që tregojnë dëmin në shëndetin e konsumatorit.

Ende pa përgjigjet e analizave nga Italia, Ministria e Bujqësisë nxorri disa ekspertë për të qetësuar tregun, të cilën thanë se qumështi nuk është i dëmshëm. Sipas tyre, sasia e Aflatoksinës në të është më e lartë se standardet e Bashkimit Europian, por është shumë larg nivelit që përbën rrezik për shëndetin. Madje u tha se niveli i Aflatoksines eshte i njejte ne te gjitha llojet e qumeshtit qe prodhohet ne Ballkan, pra mbi nivelin e lejuar të Bashkimit Europian dhe se SHBA e ka normën e lejuar 10 herë më të lartë./ak

Lista rekorde e miliarderëve botëror, Slim i pari

Revista Forbes ka botuar listën për vitin 2013 të njerëzve më të pasur duke shënuar një rekord miliarderësh prej 1 mijë e 426 sosh.Vlera totale e listës është 5.4 trilionë dollarë, që është rritur nga 4.6 trilionë sa ka qenë.

Listës i janë shtuar 210 miliarderë të rinj nga 42 vende.

Gjashtëdhjetë persona kanë rënë që prej rangimit të fundit, ndërsa tetë kanë vdekur.

Numri i grave miliardere është rritur nga 104 në 138.

Pasuria e manjatit meksikan Carlos Slim është 73 miliardë dollarë, duke e bërë atë personin më të pasur në botë- pozitë kjo që e mban që nga viti 2010.

Ai pasohet nga bashkëthemeluesi i Microsoft-it Bill Gates, pasuria e të cilit ka një vlerë prej 67 miliardë dollarësh.

Pronari i Credit Bank të Moskës Roman Avdeev është renditur në vendin e njëjtë me bankierin e Arabisë Saudite Sulejman Al Rajhi, si njerëzit më të pasur me më së shumti fëmijë.

Nëntëmbëdhjetë nga 23 fëmijët e Avdeevit janë të adoptuar.

Dhjetë personat më të pasur në botë (emri, shtetësia, pasuria)

1. Carlos Slim Meksikë 73 mld $

2. Bill Gates SHBA 67 mld $

3. Amancio Ortega Spanjë 57 mld $

4. Warren Buffet SHBA 53,5 mld $

5. Larry Ellison SHBA 43 mld $

6. Charles Koch SHBA 34 mld $

7. David Koch SHBA 34 mld $

8. Li Ka-shing Kinë 31 mld $

9. Liliane Bettencourt Francë 30 mld $

10. Bernard Arnault Francë 29 mld $

Kosova me udhëzues online të tregtisë ndërkombëtare

Prishtinë, 4 mars – Zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për zhvillim ndërkombëtar lansuan sot në Prishtinë “Udhëzuesin e tregtisë ndërkombëtare në Kosovë”. Ky udhëzues i paraqitur në mënyrë elektronike, ka për qëllim të ndihmojë eksportuesit dhe importuesit e mallrave dhe shërbimeve në Kosovë për të kryer transaksione ndërkombëtare të tregtisë.Udhëzuesi i tregtisë ndërkombëtare në Kosovë prej sot do të jetë në dispozicion të të gjithë të interesuarve që janë të përfshirë në tregti ndërkombëtare. Në ueb faqen zyrtare të tij, gjenden të dhëna rreth procesit të eksportit, të importit dhe tregtisë me shërbime.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se ky udhëzues, ndonëse duket hap i vogël, është substancial për ata që veprojnë në ekonominë e Kosovës.

“Ky udhëzues ka rëndësi të shumëfishtë pozitive, në rend të parë ka karakter edukativ, në rend të dytë ka karakter të ndërmarrësisë dhe mbi të gjitha ka karakter të përmirësimit të imazhit të Kosovës përmes një hapi të rëndësishëm drejt internacionalizimit të ndërmarrësisë kosovare dhe lehtësimit të procedurave për eksport dhe import”, tha Gerxhaliu, transmeton RTK.

Edhe zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cyneid Ustaibo, vlerësoi se udhëzuesi ka rëndësi të madhe, në funksion të rritjes së shkëmbimeve tregtare me vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Tani me këtë dokument bizneset mund t’i kuptojnë më lehtë dhe mund t’i përmbushin më shpejt obligimet që dalin nga transaksionet tregtare”, tha Ustaibo.

Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, theksoi se udhëzuesi përmban tërë informatat që iu nevojiten bizneseve për eksport dhe import.

“Ky udhëzim përmban të dhëna për procedurat e Doganave, Bankave dhe institucioneve tjera financiare, zgjidhjen e problemeve dhe mosmarrëveshjeve, si dhe eksportin dhe importin e mallrave. E gjithë kjo është qenësore që të kemi një biznes transparent në Kosovë”, tha Shauket.

Kurse, sipas drejtorit të Doganave, Naim Huruglica, ky udhëzues për herë të parë në mënyrë më të organizuar do të japë ndihmesë për punën që bëjnë ata që eksportojnë dhe importojnë.

Ndryshe, udhëzuesi http://itg-rks.com ofron informata në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht./koha

Emiri i Katarit blen gjashtë ishuj grek

Me qëllim ndërtimin e një kompleksi turistik për familjen e tij dhe për vizitorë të huaj, emiri i Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al-Thani ka blerë gjashtë ishuj në detin Jon.

Sipas mediave greke, për ishullin Oksia, që ka një sipërfaqe prej 500 hektarësh ai ka dhënë 5 milion euro, ndërsa për 5 ishujt e tjerë që janë vetëm 160 hektarë, ka paguar edhe 3,5 milionë euro të tjera. Të gjithë ishujt ndodhen në lindje të Qefalonisë në detin Jon, pranë ishullit legjendar të Itakës, transmeton TCH.

Emiri i Katarit pasuria, e të cilit shkon në mbi 50 miliard euro, ka 24 fëmijë me tre gratë e tij dhe përderisa në këtë zonë ndodhen 18 ishuj thuhet se ka për qëllim që t’u bëjë pothuajse të gjithë fëmijëve dhuratë nga një ishull.

I njohur në Greqi pasi kalon një pjesë të madhe të pushimeve të tij pikërisht në këtë zonë turistike, ai kishte kohë që kishte bërë ofertën e tij dhe për pak burokracia greke ndoshta mund të kishte humbur një prej investuesve më të mirë në vend, në këtë moment të vështirë, pasi bashkia e Itakës i kërkonte të kufizonte sipërfaqen e ndërtimit në një prej ishujve ku do ndërtojë vilën e tij, në vetëm 250 metra katrorë, ndërkohë që ai kishte kërkuar që vetëm banja e tij të kishte këtë sipërfaqe.

Përveç vilave personale ai ka projektuar ndërtimin e një kompleksi turistik. 60-vjeçari Al-Thani, një personazh i shumëpërfolur në Greqi, është një nga udhëheqësit më liberalë të Gjirit Persik, me lidhje politike dhe biznese në Europë dhe në mbarë botën, duke përmendur edhe financimin e kanalit Al Jazeera. Por ai shpeshherë shfaqet si një njeri i thjeshtë, madje e kanë etiketuar edhe si “emiri me pantofla” që blen vetë peshqit e tij në tregun vendas në mëngjes kur vjen me pushime.

Ai gjithashtu ka premtuar se do të çoje ujë në ishullin e Odiseut, për të cilin deri tani asnjë qeveri në Greqi nuk ka ndërtuar një ujësjellës nga zonat përreth, ndërsa në kuadrin e programit të privatizimeve që ka shpallur Athina zyrtare, qeveria greke pret nga ai edhe oferta të tjera biznesi. /tch/kohaislame

Turqia ta rrisë vëllimin tregtar me Arabinë Saudite deri në 20 miliardë dollarë

Ministri i Ekonomisë Zafer Çallajan pati takime në Arabinë Saudite.

Ministri Zafer Çallajan i cili shkoi në Xhide i shoqëruar nga 100 afaristë, mbajti një fjalim në Forumin e Biznesit Turqi-Arabi Saudite.

Pas forumit ai bëri deklarata për kanalin televiziv TRT Haber ku tha se Turqia do ta rrisë edhe më shumë vëllimin tregtar me Arabinë Saudite.

Duke vënë në dukje se vëllimi tregtar me Arabinë Saudite është rritur në përmasa që nuk mund të krahasohen me të kaluarën, Ministri Çallajan tha se megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme dhe shtoi: “Për 5 vitet e ardhshme ne synojmë që vëllimin tregtar me Arabinë Saudite ta rrisim deri në 20 miliardë dollarë”.

Ai i dha një këshillë të rëndësishme edhe sipërmarrësve turq me veprimtari në Arabi Saudite të cilëve u tha: “Në vitet e ardhshme kompanitë turke duhet ta shfrytëzojnë mirë tregun e ndërtimit me vlerë 1 milionë dollarë në Arabinë Saudite”.

Ministri turk i Ekonomisë gjithashtu bëri të ditur se ata duke u takuar me biznesmenët turq dhe sauditë një herë në gjashtë muaj do të kërkojnë rrugët për shtimin e mëtejshëm të bashkëpunimit./trt/kohaislame.com

Cilësia e produkteve vendore

Produktet, të cilat prodhohen në Kosovë vazhdojnë të mos e kenë fituar ende besimin e plotë nga konsumatorët, pavarësisht faktit se shumica nga këto prodhime plotësojnë standardet e Bashkimit Evropian, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve.

Sipas tyre, prodhimtaria vendore në Kosovë është në drejtim të duhur, por duke ecur me hapa të ngadalshëm drejt marrjes së tregut. Ata thonë se ende mungon vetëdijesimi dhe informimi i duhur i kosovarëve për cilësinë e produkteve vendore.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përveç vetëdijesimit dhe informimit të qytetarëve, mungon edhe një mbështetje institucionale për prodhimet vendore.

“Prodhimtaria në Kosovë ka filluar pas luftës. Shumë produkte prodhohen në Kosovë, po fatkeqësisht nuk po arrijnë të marrin tregun e Kosovës për arsye të konkurrencës. Konkurrenca është e ashpër, e padrejtë dhe jo në kushte të barabarta me produktet që importohen dhe kjo për arsye se politikat tregtare, prodhuese dhe fiskale në vendet e tjera e që e kanë tregun Kosovës, janë shumë më të favorshme se në Kosovë”, shpjegon Shahini.

Bizneset prodhuese, shton Shahini, duhet të investojnë edhe në publik, duhet të bëjnë marketing për produktet e tyre, pasi që, siç thotë ai, në këtë mënyrë do të jenë më afër konsumatorit.

Fakti se importi i produkteve ushqimore nga vendet e ndryshme të botës vazhdon të mbetet shumë i lartë, tregon se prodhimet vendore konsumohen më pak nga qytetarët e Kosovës.

Sidoqoftë, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se parapëlqejnë produktet vendore, e në veçanti, pas rastit të fundit, kur u urdhërua largimi nga tregu i disa llojeve të qumështit të importuar dhe produkteve të tyre, të cila, sipas analizës së parë, kanë rezultuar si të dyshimta.

Qëndresa Gashi thotë se konsumon prodhimet vendore dhe se mendon se janë më cilësore se ato që importohen.

“Janë më cilësore produktet tona se sa të huajat, sidomos pas lajmeve të fundit që kishte të bënte më qumështin që dyshohej në cilësinë e tij”, thotë ajo.

Ngjashëm mendon edhe Fjolla:

“Konsumoj produktet vendore. Më të mira janë produktet tona se sa ato që importohen dhe që i konsumojmë”, thotë ajo.

Ndërsa, Gafurr Sylejmani mendon se tani produktet vendore kanë filluar të jenë më cilësore.

“Më shumë iu besoj produkteve vendore sesa produkteve të huaja. I preferoj edhe i blej. Nuk kanë qenë shumë cilësore, por tani janë më të mira”, thotë ai.

Nivelin e ulët të konsumimit të produkteve vendore e thekson edhe Selatin Kaçaniku nga organizatat joqeveritare “Konsumatori”. Sipas tij, arsyet e moskonsumimit të prodhimeve vendore janë nga më të ndryshmet.

“Ne pretendojmë se fajtori kryesor është mospërmbushja e obligimeve të institucioneve të shtetit karshi konsumatorit. Këto obligime janë edukimi, informimi dhe vetëdijesimi i konsumatorit për të konsumuar produkte vendore”, shprehet Kaçaniku.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
23.5 ° C
23.5 °
23.5 °
69 %
2.1kmh
0 %
Tue
34 °
Wed
27 °
Thu
32 °
Fri
32 °
Sat
25 °