Ballina Blog Faqe 690

Turqia në maj shlyen borxhin që i ka FMN-së

Borxhi që i ka Turqia Fondit Monetar Ndërkombëtar është reduktuar në 400 milion dollarë, në maj paguajmë këstin e fundit dhe e çojmë në zero këtë borxh, ka thënë Zëvendëskryeministri Ali Babaxhan.

Zëvendëskryeministri Ali Babaxhan tha se borxhi që Turqia i ka FMN-së do të përfundojë në maj të këtij viti.

Borxhi që i ka Turqia Fondit Monetar Ndërkombëtar është reduktuar në 400 milion dollarë, sqaroi Ali Babaxhan.

Kur erdhëm në pushtet borxhin e FMN-së e gjetëm 23 miliardë dollarë, rikujtoi Babaxhan duke shtuar se në maj do të paguhet edhe kësti i fundit dhe Turqia nuk do ti ketë më borxh FMN-së.

“Kurse rezervat e Bankës Qendrore ishin 28 miliardë dollarë. Sot borxhi që i kemi Fondit Monetar Ndërkombëtar ka zbritur në 400 milionë dollarë. Në muajin maj paguajmë këstin e fundit dhe e çojmë në zero borxhin”, nënvizoi Babaxhan. /trt/kohaislame

Bizneset i shmangen tatimit

Kosova ka shkallën më të lartë të shmangies së tatimit në rajon, thonë përfaqësues të Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Kjo, sipas tyre, vjen si pasojë e inspektimit të pamjaftueshëm të ndërmarrjeve, politikave fiskale jo favorizuese dhe lidhjeve të ngushta në mes ndërmarrjeve dhe zyrtarëve, apo grupeve partiake.

Arbëresha Loxha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, thotë se kompanitë të cilat iu shmangën tatimit, dalin në treg më produkte më të lira, duke dëmtuar në këtë mënyrë konkurrencën e ndërmarrjeve të cilat paguajnë obligimet tatimore.

“Ekonomia jo formale, nxitet nga dobësia e politikave të shpenzimit, mungesës së zbatimit të ligjit si dhe korrupsionit dhe nepotizmit”, thotë Loxha për Radion Evropa e Lirë.

Prezenca e shmangies së tatimit është në nivel të lartë, thotë edhe Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike.

Dhe kjo shmangie, sipas tij, kryesisht ndodh te kompanitë e mëdha, të cilat dëmtojnë në masë të madhe buxhetin e Kosovës.

“Unë jam ithtar i asaj, se një rigorozitet më i madh i të gjitha institucioneve që merren më inkasimin e mjeteve për arkën e shtetit do të mund të shtonte të paktën edhe 20 për qind buxhetin aktual, apo të hyrat aktuale që i ka shteti i Kosovës”, thekson Gashi.

Edhe zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, pohojnë se ka raste kur tatimpaguesit nuk janë të përgjegjshëm karshi obligimeve tatimore, por që administrata ndëshkon kompanitë e tilla.

Valentina Bytyqi- Sefa, zëdhënëse në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë se vitin e kaluar ATK-ja, ka lëshuar afër tetë mijë gjoba për personat që iu kanë shmangur tatimit.

“Sigurisht që në çdo segment ka persona që mundohen t’i ikin tatimit, mirëpo ATK- ja ka planet operative dhe në bazë të planeve dhe ligjit në fuqi për ATK, ekzekuton edhe ndëshkimet për personat të cilët fshehin ose vonojnë deklarimin e tatimeve”

“Vitin e kaluar, ATK-ja ka zhvilluar një mori kontrollash dhe listash përmbushjes, në ç’rast të parregullsive të gjetura, duke përshirë këtu edhe shmangien nga tatimi, fshehje të tatimit dhe raste të ngjashme, janë lëshuar 7,791 gjoba”, shprehet Bytyqi – Sefa .

Në anën tjetër, numri i bizneseve që kanë deklaruar tatimin mbi vlerën e shtuar në vitin 2012, sipas zyrtarëve ATK-së, është 10,833 ndërsa të hyrat e grumbulluara vetëm nga TVSH-ja, arrijnë në 129.9 milionë euro./za/kohaislame.com

Myftiu Tërnava takoi kryetarin e Bankës Islame për Zhvillim

Myftiu Tërnava takoi kryetarin e Bankës Islame për Zhvillim

Gjatë vizitës në Arabinë Saudite, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava vizitoj në Xheda edhe Bankën Islame për Zhvillim ku mori pjesë në Forumit Ekonomik “Xheda2013. Në margjina të Forumit, Myftiu Tërnava pati një takim pune me Kryetarin e Bankës Islame për Zhvillim. dr. Ahmed Muhamed Ali.
Me këtë rast Myftiu Tërnava e falënderoj, dr. Ahmed Muhamed Ali dhe Bankën Islame për përkrahjen e Kosovës sidomos për financimin e dy projekteve të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës, financimi i rrugës Prishtinë – Mitrovicë , dhe financimin e ndërtimit të Emergjencës në QKUK. Myftiu gjithashtu theksoi se në të ardhmen pret që Banka Islame për Zhvillim të përkrah më fuqishëm projektet zhvillimore në Kosovë.
Kryetari i Bankës Islamike shprehu interesimin për arritjet e Kosovës në fushën e infrastrukturës e ekonomisë si dhe për stabilitetin financiar të Kosovës.
dr. Ahmed Muhamed Ali në takim me Myftiun tha se pret që Kosova në të ardhmen të jetë anëtare e Bankës Islame për zhvillim./BIK/kohaislame

Kosovarët çdo ditë e më të varfër

Kosovarëve sa vjen e u vështirësohet jeta. Çdo muaj në treg shtrenjtohet nga një produkt elementar sa që të ardhurat personale nuk i mbulojnë shpenzimet e shportës së konsumit të përgjithshëm në Kosovë.
Vetëm në tre vjetët e fundit çmimet e produkteve janë rritur mbi 20 për qind, ndërsa pagat kanë mbetur të palëvizura.

Nëse llogaritet ndryshimi në çmimet e artikujve elementarë që Agjencia e Statistikave të Kosovës i ka si bazë për matjen e inflacionit, shihet se në shkurt të vitit 2010 për 25 artikuj një qytetar ka paguar 42 euro. Ndërkaq, për të njëjtën sasi të artikujve në shkurt të këtij viti u është dashur të paguajnë 51 euro, shkruan Tribuna.

Njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se institucionet e vendit nuk kanë mekanizma të mirëfilltë për kontroll të inflacionit në tregun e brendshëm, por ai lëviz varësisht prej ndryshimeve në tregun e jashtëm.

Financat tronditën nga Qipro

Në pritje te debatit në Parlamentin qipriot për planin e shpëtimit të bankave dhe kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, bursat europiane dhe ato aziatike kanë nisur ditën me rënie. Bursa e Londrës shënoi rënie me 1për qind, ndërsa ato në Francë dhe Itali janë nën 2 për qind. Më herët bursa e Japonisë Nikei ra me 2.7 për qind ndërsa ajo e Hong-Kongut dhe Australisë pësuan rënie me 2 për qind. Euro humbi terren ndaj dollarit. Monedha e përbashkët u këmbyer me 1.2 dollarë, duke shënuar nivelin më të ulët të këtyre tre muajve.
Pakti prej 10 miliardë eurosh, për të cilin është renë dakort me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar u kërkon klientëve të bankave të paguajë vetëm një here, një taksë çka detyroi ata te tërheqin shuma te mëdha prej bankomateve. Kjo është hera e parë që Eurozona me 17 anëtarë sanksionon, cenimin e kursimeve të njerëzve, për të financuar një plan shpëtimi.

Plani nuk është finalizuar ende, por lajmi ndikoi jo pak të depozituesit, të cilët u vunë në radhë tek bankomatet për te tërhequr kursimet e tyre. Partia e presidentit të Qipros, “Grumbullimi Demokratik” ka 20 deputetë në Parlamentin me 56 anëtarë dhe asaj do t’i duhet edhe mbështetja e partive të tjera për të miratuar dhe finalizuar marrëveshjen. Zëdhënësi i një prej partive në koalicionin qeverisës tha se për të votuar paktin, kërkohen garanci se Qipro do të përballojë problemet me të cilat përballët.

Udhëheqësi i opozitës Jorgo Lilikas deklaroi se presidenti i Qipros, Nikos Anastasiades “ka tradhtuar votën popullore”. Megjithatë, presidenti paralajmëroi se Qipro duhet te zgjedhe te stabilizoje financat ose te dëshmoj kolapsin e sistemit financiar. Nikos Anastasiades e cilësoi krizën qe ka përfshirë vendin e tij me te renden prej pushtimit te Turqisë ne vitin 1974.

Shumë banka dhe biznese ruse kanë depozita të konsiderueshme në Qipro dhe pikërisht për këtë, presidenti Vladimir Putin e cilësoi këtë takse të pandershme, aspak profesionale dhe te rrezikshme. /Telegrafi/

Beqaj: Rryma nuk do të shtrenjtohet

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj gjatë një konference për media ka thënë se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ai përjashtojë mundësinë e ngritjes së tarifave të energjisë, pasi Qeveria ka hequr dorë nga fitimet e saj.
Ministri Besim Beqaj me këtë rast tha se ditëve të fundit është diskutuar shumë rreth çmimeve të energjisë deri në atë masë sa që ka pas njerëz që kanë bërë vlerësime se sa për qind do të rritet çmimi i energjisë. “Ne para disa ditëve kemi marrë një shkresë nga rregullatori për kontributin që Qeveria duhet të japë në çmimin e energjisë dhe unë do ta informoj publikun sot se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ky është një fakt të cilin e kemi bërë sot në konsultim me Rregullatorin”, tha ai.

Sipas tij, është pritur të ketë një rritje të fitimit të saj, por Qeveria ka hequr dorë, kështu që realisht pritet që shumë shpejt Zyra e Rregullatorit të Energjisë të vjen me vendimin që nuk ka rritje të çmimit të energjisë. “Prandaj kisha lutur të gjithë ata të cilët deri tani kanë manipuluar me çmimin e energjisë që do të ketë rritje, 11 për qind, 13 për qind apo 30 për qind , ky nuk është fakt dhe kjo nuk është e vërtetë. Pra nuk do të ketë rritje sepse Qeveria ka marrë obligim që fitimet e saj të cilat janë të prezantuara në fatura dhe në rritje të çmimit të energjisë të mos i zbatojë. Kjo është një informatë të cilën desha ta ndajë me qytetarët”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-së tha se i mirëkupton shqetësimet e qytetarëve gjatë këtyre ditëve sa i përket faturave dhe ka bërë me dije që Qeveria është shumë koshiente në trajtimin e gjitha ankesave një nga një, ndërsa ka garantuar ata edhe njëherë që asnjë faturë që është e fryrë apo e rritur nuk do të paguhet nga qytetarët, por KEK do t’i rimburësojë të gjitha ato fatura. “Prandaj unë kërkoj mirëkuptim nga qytetarët dhe mirëkuptimi është që të mos bien pre e lojërave politike të cilat janë prezente dhe fuqinë e argumentit gjithmonë sa i përket mbrojtjes së tyre do ta kenë në raport me Qeverinë. Unë pres që edhe KEK-u i cili monitorohet për punën e vet nga Zyra e Rregullatorit të jetë shumë përgjegjës dhe gjitha lëshimet të cilat janë konstatuar nga ZRRE të shkojnë në vendin e vet”, theksoi ministri Beqaj.

Ai tha se Qeveria është për trajtim të interesave të qytetarëve por në asnjë moment nuk do të lejojë që të manipulohet më masën për masa të tilla, siç është çmimi i energjisë, ndërsa e quajti këtë lajm të mirë për qytetarët e vendit me çka mbyllen ato manipulime dhe kalkulime të shumë njerëzve në llogari të institucioneve. /Telegrafi/

As 200 milionë euro për PTK-në

Kryeministri Hashim Thaçi po qëndron për vizitë në Norvegji, kurse një nga arsyet e shkuarjes së tij në këtë vend skandinav thuhet të jetë edhe ftesa investitorëve të këtij vendi për të investuar në Kosovë.

A do të jetë në mesin e këtyre investitorëve edhe operatori i fuqishëm i telefonisë mobile norvegjeze Telenor mbete të shihet gjatë ditëve të ardhshme.

Sipas gazetës Zëri, oferta më e lartë financiare për privatizimin e PTK-së nuk do të shkojë as në 200 milionë euro. Sipas burimeve të kësaj gazetei, të afërta me procesin e privatizimit, kompanitë konkurrente në garë për blerjen e të PTK-së, gjatë takimeve që i kanë zhvilluar me këshilltarin e transaksionit nuk janë shprehur të gatshme të ofrojnë më shumë se 200 milionë euro për 75 për qind të aksioneve të kompanisë.

Sipas këtij burimi, 100 për qind të aksioneve të PTK-së i kanë vlerësuar rreth 250 milionë euro, kështu që shumica prej kompanive konkurruese janë shprehur të gatshme që të ofrojnë më pak se 200 milionë euro për 75 për qind të aksioneve.

Në anën tjetër, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) që disa herë është duke e shtyrë afatin për dorëzimin e ofertave financiare për PTK-në, me arsyetimin se investitorëve po u nevojitet kohë për kompletimin e dokumentacionit.

Nuk dihet nëse kompania norvegjeze Telenor është në mesin e kompanive që kanë konkurruar për privatizimin e Post-Telekomit të Kosovës, por është e mundshme që Thaçi të ketë kontakte edhe me drejtues të kësaj kompanie.

Telenor ka privatizuar dhe tash sa kohë operon në tregun e telefonisë mobile në Serbi, ku është operatori i dytë për nga fuqia në tregun e këtij vendi fqinj.kohaislame

 

Sfidat e turizmit në Shqipëri

Në Berlin këtë javë është hapur Panairi i Turizmit 2013, ITB. Në mesin e 10.000 ekspozuesve nga 188 vendet të botës, është edhe Shqipëria. Intervistë me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.

DW: Zoti Bumçi, rreth 70 vjet më pare nje turist gjerman arriti ne konkluzionin se Shqipëria ka një të ardhme turistike? (Durch Albaniens Schluchten – botuar në vitin 1939). Duke pasur parasysh gjithë këtë periudhë kohore, a është tani sa duhet të jetë Shqipëria një vend turistik?

A.Bumçi: Absolutisht jo. Sepse që nga koha që turisti gjerman shkroi këtë deklaratë deri sot ka qenë në mes periudha e komunizmit gati 50 vjeçare dhe e bëri të pamundur zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Vendi po ashtu nuk arriti të ecte as me hapin e vendeve përreth, sepse kur ato vende zhvilloheshin në këtë drejtim, ne ishim të izoluar në bunkerin tonë. Kjo është edhe arsyeja pse Shqipëria nuk është në atë stad zhvillimi që duhet të ishte. Por nga ana tjetër ky konstatim nuk na lejon që të shohim nga afër zhvillimet e bëra në këto vite, sepse ka një pritshmëri si në vendet përreth të cilat kanë tjetër histori zhvillimi në vendet e tyre.

DW: Por a duhet ta vizitojë një i huaj Shqipërinë sot dhe pse?

A.Bumçi: Një i huaj ka dy arsye për ta vizituar Shqipërinë. E para kurioziteti i destinacionit që nuk e njeh ende këtë vend i cili është në mes të Europës dhe jo në ishujt e Paqësorit apo në Afrikë, pra në vende që duhet të paguajë shumë shtrenjët për të shkuar atje. Sot në Tiranë je për një orë nga Vjena dhe për një orë e 20 minuta nga Mynihu. Një turist gjerman do të vinte tek ne për të zbuluar pikërisht sekretin e fundit të Europës sepse nuk ka vend në Europë, aq më pak vende me bregdet, që të jenë ende të panjohura si Shqipëria. Pra një destinacion i paeksploruar. Kjo është pra arsyeja e parë, tërheqja. E dyta është çfarë ofron Shqipëria. Ajo ofron një produkt të veçantë jo sepse ne nuk kemi karakteristika të njëjta me vendet fqinjë, por ato vijnë në një vend me intensitet që nuk e kanë vendet fqinje. Kemi bregdetin, malet dhe trashëgiminë kulturore të cilat vijnë në hapësira gjegografike shumë të vogla.

DW: Por si mund të arrihet kjo, thjesht vetëm nga kurioziteti? Të gjitha këto që ka Shqipëria një i huaj nuk i di. Shpesh dëgjojmë që vendit tonë i mungojnë prospektet apo mundësi të tjera për t’ja ofruar qytetarëve të huaj, veçanërisht atyre europianë që ata të bëhen kureshtarë për këtë vend. A është punuar në këtë drejtim zoti ministër?

Promovim jo sa duhet

A.Bumçi: Për këtë në kemi bërë një promovim, por jo promovim “agresiv“. Kjo për dy arsye. Arsyeja kryesore është që vendi nuk ka qenë gati. Nëse ne do të fillonim këtë ta bënim fuqishëm para shtatë- tetë viteve më parë, kur ne erdhëm në qeverisje mendoj se vendi nuk do t’mund ta përballonte një fluks të madh turistik dhe kjo do të ishte negative për vendin tonë. Ne deri në 2007 kemi pasur ndërprerje të konsiderueshme të energjisë elektrike, mungesë të një infrastrukture bazë, të rrugëve të furnizimit me ujë të pijshëm, etjer. Pra një vend që i mungon infrastruktura bazë nuk është i gatshëm që të presë turistë siç është sot ku ka një bum zhvillimi në drejtim të hotelerisë dhe të shërbimeve të tjera për turistët. Pra gjykuam që produkti të bëhej gati dhe për këtë kemi investuar sikur ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Janë ndërtuar akset e rrugëve kryesore dhe ato rurale, rrugët ku janë zonat arkeologjike, kështjellat apo parqet e shumta arkeologjike.

Çështjet e njohjes së problemeve të Sqipërisë kanë qenë shumë të thella. Një vend që deri vonë ishte i panjohur ose me paragjykimet e një vendi që eksportonte kriminalitet, një vend që tregohej me gisht si vend trafikimi. Ne e hoqëm Shqipërinë nga harta e skafeve dhe e bëmë vendin anëtar në NATO që do të thotë shumë për një të huaj. Sepse të jesh vend anëtar i NATO-s do të thotë se kemi të bëjmë me imazhin e një vendi që bën pjesë në një aleancë të sigurtë, pra një vend i maturuar dhe që mori liberalizimin e vizave. Rol luan edhe fakti qe tani kemi një rritje të madhe të investimeve në Shqipëri dhe të gjitha këto kanë sjellë në përmirësimin e imazhit të vendit që ndihmon edhe turizmin.

DW: Cilat janë disa nga problemet me të cilat përballet turizmi aktualisht dhe a ka konkretisht projekte për përmirësimin e këtyre problemeve? Në panairin aktual në Berlin si u vlerësua stenda e Shqipërisë, ishte në nivelin e duhur për të përballuar me konkurencën e madhe dhe a kishte interes, veçanërisht nga gjermanët?

Bum i numrit të vizitorëve

A.Bumçi: Mendoj se është koha që ne të fillojmë fushatën e promovimit të turizmit të Shqipërisë dhe gradualisht do të kërkojme fondet e duhura për të arritur që kjo fushë të ketë frutet e saj. Pavioni i Shqipërisë nga vëzhgueist e huaj dhe nga operatorë të ndryshëm është vlerësuar më mirë se në vitet e mëparshme, pra kemi një përmirësim ndërsa përshtypjet e vetë operatorëve shqiptarë që janë pjesë e Panairit në Berlin ishin se ka një interes në rritje nga operatorët dhe agjencitë turistike gjermane në krahasim me një vit më parë. Kjo është shumë e rëndësishme. Rritja e interesit nga të huajt për turizmin në Shqipëri nga viti në vit është shumë e madhe edhe në krahasim me Greqinë apo Kroacinë, kuptohet jo në vlera absolute sepse Kroacia ka 11-12 milionë turistë në vit, por si rritje vjetore e ka 4 deri në 5 për qind. Ne në vitin 2012 kemi pasur 26 për qind vizitorë më shumë se në 2011. Kemi pasur 18,6 për qind vizitorë më shumë në 2011 se sa në 2010. Pra rritja është marramendëse. Kuptohet është rritje kryesisht nga rajoni por edhe nga vendet e Europës. Pra ka rreth 70 mijë vizitorë me pashaportë gjermane që sigurisht në mesin e tyre ka edhe shqiptarë që kanë marrë nënshtetësinë gjermane. Por ka një rritje të ndjeshme të qytetarëve zvicerianë, francezë, britanikë, amerikanë e të tjerë që vijnë vizitojnë Shqipërinë. Kjo ka ndodhur pa promovim agresiv dhe kjo është shumë e rëndësishme.

DW: A po punohet me vendet fqinjë edhe për shkëmbim turistësh apo projekte të tjera të përbashkëta?

A.Bumçi: Sigurisht që po punohet në disa drejtime. Mbi të gjitha për dy arsye. E para sepse vendet fqinje janë destinacione të njohura dhe ne përfitojmë nëpërmjet paketave të përbashkëta. Turistët vijnë nga Korfuzi dhe mund të qëndrojnë një ditë ose një natë e më pas vendosin të qëndrojnë më shumë. Kjo vlen edhe për ata që vijnë nga Mali i Zi. E dyta sepse për shumë vende Ballkani perëndimor është një destinacion turistik dhe paketat duke qene mikse bëhen më tërheqëse sepse nga vija e largët, nga Amerika kur vjen në Ballkan nuk dëshiron të qëndrosh në një vend dhjetë ditë, por dëshiron të shohësh edhe Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë. Pra të qëndrosh nëpër këto vende është shumë më tërhqëse. Për këtë arsye po zhvillohen paketa turistike të përbashkëta që janë duke u shtuar dhe përmirësuar. Këtu do veçoja si shumë pozitive për zonën e Alpeve të veriut në Shqipëri projektin „Majat e Ballkanit“ që është në bashkëpunim me GTZ-n gjermane. Ky projekt është përzgjedhur nga Këshilli botëror i turizmit dhe udhëtimeve për dhënien e çmimit „Turizmi i së nesërmes“ që ndahet në prill. Ne jemi në listën e tre vendeve kryesore për këtë çmim dhe shpresojmë të përzgjidhemi, të jemi fituesit. Por edhe në vendin e dytë apo të tretë po të jemi është për ne një vlerësim i madh. Kjo do të ishte e rëndësishme edhe për Kosovën dhe Malin e zi si vende në kufi.

DW: Zoti ministër, sa merret parasysh edhe mbrojtja ekologjike e mjedisit, kur bëhet fjalë për ndërtimet, veçanërisht në qytetet apo vendet turistike?

A.Bumçi: Ne kemi ardhur duke e përmirësuar këtë pikë që është pa dyshim një nga kriteret tona bazë në fushën e turizmit. Sigurisht që dëmtimet më të mëdha në fushën e mjedisit ndodhën në kohën e komunizmit me industrinë e rëndë në atë kohë që shkatërroi zona të tëra të Shqipërisë dhe me hapjen e tokave të reja me shkatërrimin e pyjeve. Tani kjo industri pothuajse nuk ekziston fare në këto përmasa dhe kemi një rikthim të pyjeve për shkak edhe të lëvizjes së popullsisë nga vendet malore dhe për shkak se pyjet janë të reja dhe ka një prezencë të madhe të shtetit atje. Kemi investuar në tregtimin e ujrave të zeza që është shumë e rëndësishme. Sot liqeni i Pogradecit është një liqen i një cilësie të njëjtë siç është në anën maqedonase. E njëta gjë po bëhet edhe përgjatë gjithë bregdetit nga Velipoja në Ksamil. Qytetet tona janë në fazën e rilindjes, të përmirësimit. Qytetet kryesore kanë ndryshuar shumë në aspektin e arkitekturës dhe të mjediseve. Ne si ministri në bashkëpunim me Bashkimin Europian kemi zbatuar shtatë projekte në zonat historike dhe në qytetet kryesore si të Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Beratit, Himarës, Krujës, Tiranës e tjerë.

Kemi një zbukurim të qyteteve shqiptare.
Elementi tjetër është që nëse nuk ka shumë parqe branda qytetit mendoj që nuk është një problem për tu ekzagjeruar sepse ne kemi qytete të vogla dhe në pak minuta udhëtim me makinë del jashtë qytetit dhe je në zona vërtet të gjelbëruara kodrinore e malore, ku mund të shijosh natyrën. Pra nëse nuk kemi parqe brënda në qytet siç ka këtu në Gjermani, ka pak më larg në periferi të qyteteve. Gjithashtu shumë atraktiv turizmin në Shqipëri e bëjnë edhe vendet apo monumentet historike kulturore siç janë muzeumi i Skëndërbeut dhe pazari tipik në Krujë, kalaja e Shkodrës ajo e Lezhës, kishat e shumta dhe kjo vlen edhe për destinacionin tjetër në jug Sarandë – Gjirokastër ku është Butrinti. Pra në Shqipëri bëhen pushime të gjalla dhe aktive./dw

 

Kosovarët më shumë në kredi sesa buxheti i shtetit

Pavarësisht kamatave të larta për kredi në Kosovë, kosovarët vazhdojnë të “zhytën” në borxhe. Shuma e kredive prej 1.7 miliard eurove e kalon buxhetin e shtetit të Kosovës brenda një viti.

Sipas statistikave në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), kreditë janë rritur për 4.4 për qind krahasuar me një vit më parë.
Edhe pse janë kamatat më të larta në rajon, nga 11 deri në 14 për qind për marrjen e një kredi, qytetarët e vendit vazhdojnë të marrin kredi edhe pse të ardhurat e tyre mujore janë më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit.

Por, krahas kredive edhe depozitat kanë shënuar rritje sipas statistikave të BQK-së.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Besnik Kada ka deklaruar për Telegrafin se kreditë janë rritur deri në fund të janarit më shumë se 72 milionë euro.

“Gjithsej kreditë në fund të janarit 2013 shënojnë rreth 1.7 miliard euro duke shënuar rritje për 72.5 milionë euro ose për 4.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka thënë Kada.

Kurse depozitat nëpër bankat që veprojnë në Kosovë janë rritur më shume sesa kreditë, sipas statistikave të BQK-së depozitat janë rritur për 6.7 për qind krahasuar me një vit më parë.

“Depozitat shënojnë nivelin prej 2.2 miliardë euro duke u rritur për 142.2 milionë euro ose për 6.7 për qind”, ka treguar zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada.

Përndryshe, buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2013 është 1 miliard e 586 milionë euro kurse më 2012 ka qenë 1 miliard e 520 milionë euro.kohaislame

OECD parashikon çmimin e një fuçie nafte në nivelin 270 $

Çmimi i naftës do të rritet deri në 2.5 herë – një parashikim të tillë ka bërë Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Ajo ka llogaritur se aty nga viti 2020 një fuçi nafte bruto e Detit të Veriut e markës Brent do të kushtojë 270 $ kundrejt çmimit aktual prej 110 $.
Stimulator i ngritjes së çmimeve të naftës do të bëhet rritja serioze e kërkesën për të në Azi. Në radhë të parë në Kinë, Indi dhe Indonezi. Në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) venë në dukje se gjatë 20 viteve të fundit vëllimi i konsumit të naftës në këto vende është dyfishuar dhe janë mëse të bindur se ai do të vazhdojë të rritet. Përveç kësaj, rritja drastike e çmimeve të naftës mund të ndodhë për shkak të problemeve që presupozohet të lindin me ofertën. Ekspertët e Organizatës ndërkombëtare kanë evidentuar se vendburimet e reja të lëndës hidrokarbure nuk janë aq të pasur sa ato të vjetra. Ndërsa kosto e zhvillimit të tyre është shumë më e shtrenjtë tani për kompanitë e naftës.
Deri në momentet aktuale rekordi historik i çmimit të një fuçie nafte ka qenë një çikë më pak se 150 $. Për këtë arsye shumë ekspertë e kanë të vështirë të imagjinojnë kuotat e naftës në nivelin 270 $. Megjithatë, edhe kjo është plotësisht e mundur, shprehet analisti kryesor i sektorit të naftës dhe gazit të “Gazprombank”, Aleksandër Nazarov:

– Kur ne flasim për parashikimet afatgjata, natyrisht, nuk mund të përjashtohet kurrsesi mundësia e oshilacioneve të theksuara të çmimeve. Sepse, në qoftë se do të krahasojmë periudhën kohore prej 10 vitesh (nga viti 2003) dhe atë që po ndodh tani, dallimi është pothuajse i njëjtë si çmimi aktual i naftës dhe 270 $ për fuçi, që parashikohet nga kolegët.

Parashikimi i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim është në kontrast të theksuar me vlerësimet e organizatave të tjera të autoritetshme ndërkombëtare. Kështu, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë mendon se deri në vitin 2020 çmimi i naftës do të rritet deri në 120 $ për fuçi. Edhe parashikimet e ekspertëve ruse janë shumë më të ulëta se ato të pretenduara prej 270 $ për fuçi. Shumica e specialistëve të kësaj dege besojnë se në 8 vitet e ardhshme ndonjë rritje të mprehtë të çmimeve të lëndës hidrokarbure nuk do të ketë, edhe pse maksimumi historik i tyre mund të rifreskohet disi. Ja mendimi i ekspertit të kompanisë ruse të investimeve “Veles Capital”, Vasili Tanurkov:

– I gjithë problemi konsiston në faktin, se çmime të tilla kaq të larta të naftës do të ushtrojnë presion, në radhë të parë, mbi ekonomitë e vendeve të zhvilluara. Dhe ngadalësimi ekonomik në sfondin e rritjes së çmimeve të naftës do të ndodhë kudo, domethënë jo vetëm në vendet e zhvilluara. Prandaj çmimi prej 270 $ duket si një vlerësim mjaft ekstrem. Ne parashikojmë që çmimi i naftës aty nga viti 2020 të arrijë në rreth 200 $ për fuçi.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Energjisë shprehet se nafta në përgjithësi nuk do të shtrenjtohet dhe deri në vitin 2020 do të mbetet në nivelin e tanishëm. Dikasteri energjetik amerikan ndërkohë pranon se konsumi i naftës në botë do të rritet. Por oferta duhet të rritet në mënyrë proporcionale.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
20.5 ° C
20.5 °
20.5 °
60 %
2.1kmh
0 %
Tue
33 °
Wed
27 °
Thu
31 °
Fri
33 °
Sat
33 °