Ballina Blog Faqe 168

Inspektorët në terren për të verifikuar nëse ka ngritje të çmimeve të pajisjeve ngohëse

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njoftoi të shtunën se përmes Inspektoratit të Tregut dhe në bashkëpunim me inspektorët e tregut komunal, kanë inspektuar disa operatorë ekonomikë me qëllim të verifikimit nëse ka pasur manipulime dhe ngritje të çmimeve të pajisjeve ngrohëse, të cilat do të subvencionohen nga Qeveria.

Sipas njoftimit, numri më i madh i inspektimeve janë realizuar në Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjakovës, Mitrovicës dhe disa komuna më të vogla si Hani i Elezit, Dragash e Kaçanik.

“Inspektorët e tregut kanë arritur të sigurojnë çmimet aktuale dhe i kanë detyruar operatorët ekonomik që të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm me ç’rast do të vërtetohet nëse ka ngritje të pajustifikueshme të çmimeve të pajisjeve në veçanti pompave termike, inverter, kaldaja, stufa etj”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, ministria bën të ditur se inspektorët e tregut kanë njoftuar bizneset që do të inspektohen dhe do të ndërmerren masa në çdo rast kur konstatohet që ka ngritje të çmimeve të pa arsyeshme.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë falënderon të gjithë konsumatorët që vazhdojnë të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit https://konsumatori.rks-gov.net/, nr tel: 0800 11000  dhe siguron qytetarët se do të jetë aktive në bashkëpunim me inspektorët e tregut në komuna”./buletiniekonomik

Bujaria që largoi Shejhul-Islamin nga Shqipëria ! -JUSTINIAN TOPULLI

Në Shtetin Osman dikur, ai që mbante pozitën e atij që sot në shumë vende muslimane njihet si kryemyfti, quhej Shejhul-Islam. Një nga më të njohurit e tyre ka qenë edhe Shejhul-Islam Mustafa Sabri (rahmet pastë!).
Shejh Mustafa Sabri (1869-1954) ka qenë një dijetar i rrallë i kalibrit të lartë, që bashkoi mes dijeve fetare dhe atyre mondane. Ai shquhet për replikat e tij akademike në mbrojtje të fesë dhe peripecitë që hoqi nga pushteti i xhon turqve, për shkak të qëndrimeve refuzuese që mbante ndaj tyre.
Ajo që duam të ndalemi këtu është një periudhë interesante e jetës së tij që ai ka kaluar në Shqipëri. Shejh Teufik Islam Jahja, shqiptar nga Gjakova, i cili e ka njohur personalisht Shejh Mustafa Sabrin, ka lënë një biografi të shkurtër rreth jetës së tij.
Ai përmend se Shejhul-Islam i Shtetit Osman kishte njohje me Ismail Qemalin dhe disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, për shkak të problemeve politike e fetare me “turqit e rinj” vjen dhe vendoset në Shqipëri për pak kohë. Ismail Bej Qemali i rezervoi atij një banesë në Tiranë dhe u dha porosi të gjithëve që të plotësonin kërkesat e tij dhe ta nderonin atë.
Autori i biografisë në fjalë ndër të tjera thotë:
“Shpesh herë ai, Allahu e mëshiroftë, më thoshte:
“Unë u largova nga vendi juaj për shkak të bujarisë suaj të madhe, e cila nuk mund të përshkruhet me fjalë. Një ditë shkova në berberhane dhe pasi përfundova i zgjata dorën berberit t’i bëja pagesën. Ai më tha: “Jo. Jo. Ju jeni mysafir i Shqipërisë dhe i gjithë shqiptarëve. Ne kështu jemi urdhëruar.”
Prandaj dhe vendosa të largohem nga bujaria e vendit tuaj. I shkrova një letër Ismail Bej Qemalit ku i dhashë lamtumirën dhe e falënderoja atë dhe kolegët e tij, si dhe i tregova atij se bujaria e tyre e tepërt më detyroi të largohesha nga vendi fshehtas.”
Ka kaluar një shekull nga ajo kohë dhe shumë gjëra kanë ndryshuar…
Justinian Topulli

Përgjegjësia sociale tek organizatat muslimane jofitimprurëse

Organizatat jofitimprurëse janë jetike për strukturën komunale të komunitetit musliman amerikan. Shumica e organizatave jofitimprurëse muslimane janë xhami. Të tjerët kanë role të tjera specifike, si shërbime ligjore, shërbime sociale, klinika falas, qendra të davetit ose programe të tjera. Nëse jeni i përfshirë në një organizatë jofitimprurëse, si anëtar bordi, për shembull, një nga qëllimet më të rëndësishme është rritja e organizatës jofitimprurëse.

Pra, nëse jeni në bordin e një xhamie, për shembull, dëshironi të siguroheni që pjesëmarrja të rritet, donacionet të rriten dhe çdo shërbim që i ofroni komunitetit të rritet me kalimin e kohës. Pra, nëse misioni juaj është të bëni një punë të mirë që i sjell dobi Islamit, komunitetit musliman dhe njerëzimit, ju dëshironi të bëni më shumë prej saj dhe të siguroheni që puna juaj do të vazhdojë shumë pasi të mos jeni më i përfshirë. Vetë donatorët shpesh i shohin donacionet e tyre si investime dhe pëlqejnë të shohin rritje si ajo që duan të shohin kur investojnë për veten e tyre në tregjet ndër të bursës. Ndërsa për disa mund të duket si ofendim nocioni se një organizatë jofitimprurëse është si një biznes, ngjashmëritë janë thjesht shumë të mëdha për t’u injoruar.

Megjithatë, kjo dëshirë dhe nevojë për t’u rritur mund të zbutet me gjëra që nuk janë saktësisht në misionin e një organizate muslimane. Gjëja më e madhe është të kesh përgjegjësi sociale. Termi “përgjegjësi sociale” vjen nga bota e biznesit. Është ideja që biznesi ka një rol përtej fitimeve dhe rritjes. Një organizatë me përgjegjësi shoqërore ka detyrime ndaj punonjësve, fqinjëve, mjedisit, shitësve dhe punonjësve të shitësve. Ju dëshironi që organizata juaj, fitimprurëse ose jofitimprurëse, të jetë një shërbyes i mirë i komunitetit. Investitorët filluan të marrin në konsideratë të drejtat e njeriut, mjedisin dhe ndikimet e tjera sociale të kompanive ku investojnë.

Përgjegjësia shoqërore nuk ka të bëjë me aktivizmin social apo politik. Organizata të ndryshme punojnë drejt rezultateve të ndryshme dhe shumë prej tyre nuk do të përfshihen në asgjë politike. Por politika sigurisht që mund të bashkohet në fotografi.
Koncepti i përgjegjësisë sociale është i pazhvilluar në mesin e organizatave jofitimprurëse muslimane amerikane. Është koha që të fillojmë ta trajtojmë atë. Në vazhdim do ti përmendim disa fusha me të cilat mund të fillojmë.

– ‘’Pagat e varfëra’’
Një nga shembujt e profilit më të lartë të papërgjegjshmërisë sociale për shumë xhami ka qenë pagesa e imamit. Disa vite më parë, m’u kërkua të ndihmoja në një mosmarrëveshje në një xhami dhe mësova se organizata kishte punësuar një imam me mbi 20 vite përvojë në shërbim ndaj komunitetit, i cili paguhej shumë pak. Ishte e turpshme. Paga e ulët e këtij imami nuk ishte një incident i izoluar. Ndërsa në vitet që pasuan, paga e imamit është rritur, të paktën në zonën time, paga e ulët për të gjithë punonjësit ka vazhduar.
Çështjet shpesh shkojnë përtej pagesës, por edhe kushteve rraskapitëse të punës, pa kufizime në numrin e orëve apo përgjegjësive që mund ti kryejnë. Imamët që kanë ardhur nga vendet tjera (emigrantë) janë veçanërisht të cenueshëm ndaj abuzimit nga punëdhënësit e xhamive. Largimi nga kushtet e padrejta apo edhe mbrojtja e të drejtave të tyre ndaj një punëdhënësi nuk është aq e lehtë për t’u bërë sa do të ishte për vendasit.
Një parim themelor duhet të jetë që organizatat muslimane të sigurojnë që punonjësit të bëjnë një jetë të dinjitetshme dhe që kushtet e tyre të punës, orët dhe përgjegjësitë të jenë të drejta, diçka më e mirë se sa një punonjës individual mund të negociojë vetë. Ka shqetësime buxhetore për ta bërë këtë, si dhe për faktin se zakonisht është e mundur të gjesh punonjës, duke përfshirë imamë dhe mësues, të gatshëm të punojnë për shumë pak. Organizatat muslimane duhet të vendosin që kushtet e pagave dhe të punësimit duhet të jenë të përgjegjësi shoqërore.

– Jini të përgjegjshëm me zekatin
Për fat të keq; Zekati është gjerësisht subjekt i abuzimit nga organizatat jofitimprurëse muslimane, shumë prej të cilëve kanë vendosur se fakti i thjeshtë që një organizatë është jofitimprurëse do të thotë se ata mund të pranojnë Zekatin për çfarëdo që duan. Kjo privilegjon ata që fondet e Zekatit t’i përdorin në dëm të nevojtarëve të vërtetë. Nocioni se fisabililah – në rrugën e Allahut (i cili është ndër kategoritë të cilëve u takon Zekati) mund të nënkuptojë praktikisht çdo gjë, është diçka që e trajtova në një postim të mëparshëm me shejh Usman Umerjee të cilin duhet ta lexoni nëse nuk e bërë tashmë (në një afat të shkurtër edhe ky artikull do të jetë i gatshëm edhe në shqip).
Mungesa e kritereve të duhura për përdorimin e Zekatit është e dëmshme për shoqërinë, veçanërisht për të varfrit, dhe përbën abuzim shpirtëror nga organizatat jofitimprurëse muslimane. Zekati është një akt adhurimi i detyrueshëm për muslimanët, kriteret e të cilit janë të vendosura në Kuran. Fondet e Zekatit duhet të trajtohen ndryshe nga fondet e tjera. Mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë është që organizatat islame të miratojnë politika të rrepta për Zekatin dhe të sigurohen që të mos i harrojnë ata të cilët janë më meritorët që t’u ipet Zekati.

– Çfarë është në të vërtetë ‘fi sebiliLah’?
Shumë organizata jofitimprurëse nuk mund të mbijetojnë pa vullnetarë. Vullnetarët janë mbështetësit më të fortë të çdo organizate jofitimprurëse. Ne si shoqëri i pëlqejmë vullnetarët dhe duam të inkurajojmë sa më shumë prej tyre. Në të njëjtën kohë, thirrja e njerëzve për të ofruar ekspertizën e tyre vullnetare mund të jetë shfrytëzuese. Mund të mos jetë gjithmonë e qartë se ku të vihet kufiri i vullnetarizmit. Megjithatë ka njëfarë qartësie. Askush nuk do të kundërshtonte nëse një inxhinier i zërit del vullnetar për të instaluar sistemin e zërimit të xhamisë. Sidoqoftë, një imam që mban mësim për fëmijët e komunitetit duhet të paguhet për shërbimin. Të pyesësh dikë që ofron ekspertizën e tij pikërisht në atë që po bën, ku aftësitë e tij nuk janë të tregtueshme jashtë kontekstit në të cilin ai ofron shërbimin është abuzive.
Një imam duhet të ketë mundësinë të dalë vullnetar si njerëzit e thjeshtë. Është e rëndësishme si komunitet të zhvillojmë kritere se kur është e përshtatshme të mbështetesh te vullnetarët dhe kur është e gabuar të kërkosh prej dikujt të jetë vullnetar. Një qëllim kryesor këtu, përtej përgjegjësisë sociale, është parandalimi i abuzimit shpirtëror. Politika duhet të drejtohet nga ndjenja e asaj që është e drejtë dhe jo nga ‘kërkesat e tregut’. Organizatat islame paguajnë honorare të mëdha për figurat karizmatike dhe të njohura kombëtare, por shpesh presin shërbime ‘fisebililah’ nga imamët vendas, madje edhe nga ata që mund të jenë në prag të varfërisë. Ata mund të të përgjigjen me kënaqësi, por a është e drejtë të përfitohet nga situata të ngjashme?

– Qartësia dhe gjykimet e vlerave
Nuk është plotësisht e qartë cila është vija midis inkurajimit të vullnetarizmit dhe shfrytëzimit ekonomik të njerëzve me zemër të mirë. Në fakt, shumica e asaj që është përgjegjësi sociale nuk është ende e qartë për organizatat muslimane. Çdo standard në lidhje me çka është përgjegjësi sociale apo jo përfshinë gjykime të vlerave që shkojnë përtej hallallit dhe haramit. Disa mund të jenë politike. A duhet që organizata të blej produkte vetëm nga prodhuesit vendor apo të importojë nga jashtë? A duhet të përdoren vetëm hotelet e besimtarëve dhe sallat e banketeve? A duhet që organizata jofitimprurëse të blejë vetëm letër të ricikluar? A duhet të aplikojnë organizatat për grante nga agjencitë e sigurisë dhe organizatat e qeverive të huaja për t’u marrë me “ekstremistët” në komunitetin musliman? A duhet komuniteti musliman që ta pasojë gjithmonë BDS-në (Boycott, Divestment, Sanctions; përpjekje globale për t’i dhënë fund mbështetjes për shtypjen e Izraelit ndaj palestinezëve dhe për t’i bërë presion Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar.) në përkrahje të çështjes palestineze? A është e udhës që një 10 vjeçar t’iu prijë 500 besimtarëve në namazin e teravive për 30 netë rresht gjatë muajit të Ramazanit e të mos kompenzohet?
Cilado qoftë përgjigja juaj ndaj këtyre pyetjeve, nuk ka ende standarde të qarta se si të edukohen donatorët dhe antarët e bordeve të organizatave muslimane rreth asaj se çka është e çka nuk është përgjegjësi sociale.

Solli në shqip:
Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org

The Times: Si Putin mund të presë arterien e kapitalizmit perëndimor

Presidenti rus Vladimir Putin është në gjendje të shkaktojë dëme të mëdha në ekonominë perëndimore dhe të paraqesë një kërcënim ekzistencial për Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, shkruan një artikull në gazetën britanike The Times, duke vënë në dukje se kabllot nëndetëse thelbësore për sistemin bankar global janë objektivi kryesor i regjimit të frustruar të Putinit.

Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, mendjet e vendimmarrësve rusë të frustruar nga dështimi në fushëbetejë po kthehen te perspektiva e ndonjë ngjarjeje djallëzore që ndryshon kushtet e konfliktit me një goditje.

Putin duket se po lë të kuptohet se mund të jetë një shpërthim bërthamor që tërheq vëmendjen.

Vihet në dukje se nëse Putini dëshiron të paraqesë një sfidë ekzistenciale për NATO-n, ose ta paralizojë atë dhe ta bëjë atë të duket joefektive për kandidatët e mundshëm për anëtarësim, si Ukraina, ka dobësi të tjera që mund të shfrytëzohen, siç është lufta ekonomike nënujore.

Sabotimi i kabllove me fibra optike

Hapi tjetër i Rusisë mund të jetë sulmi ndaj një gazsjellësi aktiv, siç është ai midis Norvegjisë dhe Evropës Perëndimore.

Por një gjë edhe më e rëndësishme, sipas artikullit, është sabotimi rus i kabllove optike nëndetëse që lidhin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën Perëndimore nëpërmjet Britanisë së Madhe.

Thuhet se ka më shumë se një milion kilometra kabllo nënujore që mbajnë 95 për qind të komunikimeve globale dhe përpunojnë triliona transaksione financiare çdo ditë.

“Lufta në det, jo në Donbass”

Rusia ka një departament të mbikëqyrjes kabllore, një Drejtori të Përgjithshme për Kërkimet Nënujore dhe anije të pajisura me drone nënujore që lundrojnë në Detin Irlandez.

Nëse ambicia politike e Putinit është të ndajë aleancën perëndimore, ai ndoshta do ta bëjë më së miri duke shfrytëzuar mundësinë për të ndërprerë lidhjet e internetit përtej Atlantikut.

Po, kabllot e prishura mund të rregullohen dhe komunikimet mund të ridrejtohen përmes satelitit, por kabllot nëndetëse janë venat dhe arteriet e sistemit kapitalist dhe duken joshëse nëse Putin vendos të përshkallëzojë trazirat e tij globale.

Gazeta e mbylli shkrimin me fjalët: “Të mos harrojmë, mes gjithë pisllëkut dhe baltës së Donbasit, luftën në det”./tesheshi/

Bankat shtrenjtojnë kreditë/ Goditen ekonomitë familjare dhe bizneset

Për shkak të rritjes së  inflacionit në Eurozonë, Banka Qendrore Evropiane pas 11 vitesh ka rritur normën e interesit të kredive.

E nga kjo rritje nuk ka shpëtuar as Kosova, pasi që norma e interesit për biznese në muajin gusht është rritur në 6.05%.

Kështu kanë bërë të ditur nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

“Norma efektive për kredi të lëshuara për korporatat jo financiare në fund të muajit gusht 2022 ishte 6.05% për dallim prej fundit të vitit 2021 kur ishte 5.72%, ndërsa për ekonomitë familjare në muajin gusht 2022 ishin 5.89% për dallim prej fundit 2021 që ishte 5.95%.”, thuhet në përgjigjen e shoqatës

Se kësti i kredive të ardhshme mund të rritet për shkak të Euribor-it e thonë edhe nga Shoqata e Bankave.

“Për kreditë ekzistuese, shumica e të cilave janë me norma fikse, nuk ndryshon kosto/interesi/kësti; ndërkaq për kreditë me norma variabile të interesit, mund të ndryshojë norma e interesit, varësisht nga ndryshimi kushtet e kontratës së kredisë dhe normës referente, kryesisht Euribor-it e që është jashtë kompetencave të bankave në Kosovë, pra varet nga zhvillimet tjera ekonomike në nivel të Bashkimit Evropian”, bëjnë të ditur nga shoqata.

Ndërsa të pyetur se cila bankë komerciale në Kosovë e ka bërë ngritjen e normës së interesit, nga Shoqata e Bankave kanë thënë se për dallim prej bizneseve, për ekonomitë familjare nuk ka pasur ngritje të interesit.

“Pra, siç mund të shihet nga të dhënat e lartshënuara, për dallim nga viti 2021, në fund të muajit gusht 2022 kemi një rritje të lehtë të normave të interesit për kredi të korporatave jo financiare, përderisa kemi një rënie të lehtë të normave të interesit për kredi të ekonomive familjare”, thonë nga shoqata.

Raifeissen Bank, i ka njoftuar klientët e saj të cilët kanë kredi se do të përballën ngritje të interesit të kredive.

“Ju njoftojmë se norma e interesit për asetin e financuar me Lizing do të ndryshojë, ndryshimi do të reflektohet dukem filluar nga këstet e muajit shtator. Ky ndryshim vjen si pasojë e rritjes së normës në EURIBOR-it në tregun evropian. Ditëve në vijim do e pranoni planin e ri të amortizimit me ndryshimet e reflektuara”, thuhet në mesazhin që banka i ka dërguar klientit të saj.

Ngritja e interesit të kredive nga bankat komerciale në Kosovë, nga njohësit e ekonomisë po shihet si një goditje për bizneset dhe qytetarët e Kosovës.

Njohësi i ekonomisë Mustaf Kadriu, tha se ngritja e interesit të kredive është treguesi më i mirë se vendi po përballet me krizë ekonomike.

“Hezitimi i ekonomive familjare që të marrin kredit po ashtu edhe të bizneset gatishmëria e tyre për të marrë kredi dhe rritja e normës së  interesit vlerësojë se është një tregues i mirë që kemi krizë ekonomike”, tha ai.

E për të dalë nga kjo krizë ai thotë se Qeveria duhet që të lehtësoj të bërit biznes në Kosovë.

“Ekonomitë familjare si rezultat që nuk kanë siguri financiare nuk janë të interesuara të investojnë dhe të gjithë interesimin e kanë të mbushja e shportës e jo të investimi, dhe në këtë drejtim bankat funksionon sipas ekonomisë së tregut dhe interesit financiar dhe në këtë drejtim Qeveria duhet të ia lehtësoj të bërit biznes bankave komerciale që ato të reflektojnë te kësti i kredive  dhe interesi”, deklaroi Mustafa.

Se rritja e interesit të kredive nga bankat komerciale në Kosovë është një goditje për bizneset e thotë edhe Skender Krasniqi nga Oda e Afarizmit Kosovë.

“Kjo ndikon shumë, në vend të ulen ato e të rritet përkrahja është ka rritet goditja që po iu bëhet qytetarëve dhe bizneseve. Dhe po shpresojmë se Qeveria do ta dëgjon zërin e bizneseve që t’iu dal në ndihmë”, tha ai.

Për ngritjen e normës së interesit të kredive nga bankat komerciale në Kosovë, FrontOnline, ka pyetur edhe Autoritetin e Konkurrencës së a kanë filluar hetimet, por në përgjigjet e tyre thuhet se nuk kanë filluar procedurat për hetim.

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka filluar ndonjë procedurë të veçantë hetimore ndaj ndonjë banke e as bankave në tërësi lidhur me paralajmërimet për ngritjen e interesit të kredive”, thonë në AKK-ja./FrontOnline/

 

Zhvillimi ekonomik i Kosovës, në stagnacion

Kosova ka ngecje, ose ka fare pak investime. Ka mungesë të energjisë elektrike si pasojë e mungesës së kapaciteteteve të bollshme prodhuese dhe stabilimenteve aktuale të prodhimit të rrymës të amortizuara skajshmërisht, ka mbi gjysmën e minierave të plumb-zinkut dhe të mineraleve të tjera jashtë procesit të punës, ka inflacion në nivele rekorde, ka varfëri, ka shifra enorme të papunëve, ka migrim tronditës të popullsisë, ka ecuri jashtëkontrollit të ngritjes enorme të çmimeve, si dhe ka probleme shpërthyese sociale. Për të mos qenë e tëra zi, Kosova ka ende diasporë të fuqishme dhe potente financiarisht dhe akoma të ndërlidhur emocionalisht me vendlindjen, si dhe ka edhe sektorin goxha të efektshëm të ndërtimtarisë.

Kosova, deshëm s’deshëm ta pranojmë, ka kohë që gjendet në stagnacion evident të zhvillimit ekonomik. Nuk duhet shumë hulumtime, apo analiza komplekse për të parë se Kosova ka ngecje të tejdukshme të shumë indikatorëve që tregojnë zhvillimin ekonomik të një vendi: ka ngecje, ose ka fare pak investime, ka investime të jashtme sa për të thënë, ka mungesë të energjisë elektrike si pasojë e mungesës së kapaciteteteve të bollshme prodhuese dhe stabilimenteve aktuale të prodhimit të rrymës të stërvjetëruara dhe të amortizuara skajshmërisht, ka mbi gjysmën e minierave të plumb-zinkut dhe të mineraleve të tjera jashtë procesit të punës, ka inflacion në nivele rekorde, ka varfëri, ka shifra enorme të papunëve, ka migrim tronditës të popullsisë, ka ecuri jashtëkontrollit të ngritjes enorme të çmimeve, si dhe ka probleme shpërthyese sociale.

Për të mos qenë e tërë zi, Kosova ka ende diasporë të fuqishme dhe potente financiarisht dhe akoma të ndërlidhur emocionalisht me vendlindjen, si dhe një sektor goxha të efektshëm, atë të ndërtimtarisë, i cili njëkohësisht është edhe diktueshëm i fortë financiarisht.

Prandaj, s’ka si të jetë ndryshe, pos siç ka konstatuar Banka Botërore: rritja ekonomike për Kosovën në këtë vit është vetëm 3.1 për qind, që i bie ngecje, ose thënë më së buti ngadalësim i rritjes ekonomike.

“Pas një ngadalësimi të investimeve dhe konsumit privat, rritja reale e prodhimit të brendshëm bruto të Kosovës për vitin 2022 pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind”, ka vlerësuar institucioni prestigjioz financiar ndërkombëtar këto ditë në raportin “Mbrojtja sociale për rimkëmbje, në kontekstin aktual”.

Në fakt, BB nuk ka bërë ndonjë vlerësim të ri dhe të panjohur për njohësit e rrethanave zhvillimore. Që më herët, guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, pati thënë para Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës se parashikimet e zhvillimit ekonomik të Kosovës gjatë këtij viti janë diku mbi 3 për qind. Kjo, sipas tij, ka ndodhur për shkak të dobësimit të fuqisë blerëse të kosovarëve, zvogëlimit të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto dhe pasojave që ka lënë pandemia dhe lufta ruso-ukrainase.

“Përderisa rreziqet nga pandemia janë zvogëluar, rritja e rimëkëmbjes ekonomike pritet të ngadalësohet nga pasojat e tashme të dy krizave. Së pari janë pengesat ende evidente nga zinxhiri i furnizimit nga pasojat e pandemisë dhe presionet shoqëruese të inflacionit, të kombinuara me efektet e kombinuara të luftës në Ukrainë, që e përforcoi edhe më tej rritjen e çmimeve, dobësimin e fuqisë blerëse dhe rënien e besueshmërisë”, pati theksuar Mehmeti.

Sipas tij, inflacioni në Kosovë është i importuar dhe çdo masë e tyre vetëm do të pengonte rritjen ekonomike. Ai në vazhdimësi, në paraqitjet e tija publike, ka vlerësuar se presioni i inflacionit dhe rënia e fuqisë blerëse kanë ndikuar në rënien e parametrave zhvillimor në këtë vit. Në këtë mënyrë, guvernatori Mehmeti, ka përgënjeshtruar kryeministrin Kurti, që proklamonte publikisht 4.9 për qind rritje ekonomike për këtë vit.

Në institucionet përkatëse që merren me trajtimin e ecurive zhvillimore, por edhe ndër zyrtarë dhe analistë, sikur, po anashkalohet edhe një fakt, që drejtpërdrejt dhe tërthorazi ka ‘dorë” në ngecjen ekonomike të vendit. Është fjala, për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, me të cilën, qëkur ka filluar pandemia dhe kriza energjetike në vendet perëndimore dhe hapja goxha e vrullshme e dyerve të këtyre vendeve edhe për kosovarët, po ballafaqohen shumë sektorë ekonomik dhe biznese të vendit.

Ndërsa, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke insistuar në depolitizimin e ekonomisë thotë se “bordet politike janë pengesë të zhvillimit ekonomik”. Ai e vlerëson si problem të madh faktin se “Kosova është shndërruar në një shtet social”.

Sipas tij, Kosova meriton më tepër, meriton sektor privat më të fuqishëm, dhe meriton një qasje më të mirë në sundimin e ligjit që do të përmirësonte imazhin e Kosovës për investitorët e huaj.

“Duhet të kuptohet që ekonomia është një lokomotivë që duhet të përcillet nga mbrapa dhe jo t’i dilet përballë e të pengohet zhvillimi ekonomik”, është shprehur këto ditë për media Safet Gërxhaliu.

Njohësi i zhvillimeve ekonomike, Florin Aliu, duke kundërshtuar deklarimet e ministrit të Financave për rritje ekonomike, përmes një statusi në facebook (rritja ekonomike në Kosovë më 2021 ishte 10.7 për qind, më e larta që nga shpallja e pavarësisë, ndërkohë rritje ka shënuar edhe BPV-ja, duke arritur në rreth 8 miliardë), ka thënë se “shëndetin e ekonomisë e masim përgjithësisht me inflacion dhe me rritje ekonomike”.

“Në momentet e këtij niveli të inflacionit, rritet shpejtësia e qarkullimit të parasë. Pra, për shkak se fuqia blerëse e parave bie dhe paga zhvlerësohet, njerëzit dhe bizneset priren t’i shpenzojnë paratë e tyre sa më shpejt që të munden. Kjo krijon përshtypjen se vëllimi nominal është rritur, por jo ai real”, thotë ai.

“Tani kostoja e prodhimit është rritur sepse inputet e tyre kushtojnë më shumë dhe për rrjedhojë, bizneset kanë rritur çmimet e produkteve të tyre, dhe kjo të jep përshtypjen se vëllimi i tyre është rritur që është e vërtetë në terma nominalë, por jo në atë real. Por, duhet pasur parasysh se edhe sasia e shitjes dhe e prodhimit ka rënë dhe këtë e dëshmon rënia e BPV-së në 6 muajt e fundit në Kosovë”, ka vlerësuar ai.

Gjithsesi, në rënien e parashikimeve të zhvillimit ekonomik, ndikim të veçantë dhe të ndjeshëm ka pasur edhe rënia e investimeve kapitale në Kosovë, edhe në nivelin qëndror edhe në atë lokal. Në nivelin qëndror deri në muajin gusht, sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar vetëm 9 për qind investimet kapitale (janë të pashfrytëzuara diku mbi 700 milionë euro të dedikuara për investime kapaitale).

Edhe në nivelin komunal, në shumicën absolute të komunave, kanë dështuar investimet kapitale. Buxheti i shtetit të Kosovës këtë vit ka qenë mbi 2.7 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi 720 milionë euro janë planifikuar për shpenzime kapitale.

Nga të dhënat e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve del se për projekte kapitale janë shpenzuar vetëm pak mbi 79 milionë euro. Sipas raportit, në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, për të njëjtin qëllim janë shpenzuar rreth 129 milionë euro, kurse në vitin 2020 rreth 92 milionë euro.

Nga vlerësimet e Institutit GAP, i cili monitoron punën e institucioneve të Kosovës, shihet se realizimi i investimeve kapitale në gjysmën e parë të vitit 2022 është më i ulëti në dekadën e fundit. Duhet konstatuar se investimet në përgjithësi, pra edhe ato kapitale, edhe investimet e jashtme, edhe ato në projekte industriale dhe energjetike, në këto vitet e pasluftës kanë qenë fare simbolike dhe goxha shumë të dështuara, përkatësisht të papërmbushura në asnjë objektiv.

Edhe në vitet kur përqindjet e investimeve kapitale ta zëmë, në të dy nivelet, edhe në atë qendror, edhe në nivelin lokal, ishin goxha të imponueshme, ato shifra u arritën me pagesat ndaj punëkryesve të autostradave, siç ishin Rruga e Kombit ,ose autostrada Ibrahim Rugova, dhe autostrada për në Shkup, ose autostrada Arbën Xhaferi.

Investimet kapitale, bie fjala, më 2012 – 40 për qind në nivel qendror dhe 25 për qind në nivelin lokal, janë kryesisht para të autoudhës së kombit, sikundër që janë edhe ato të vitit 2013, me 32 për qind investime kapitale dhe me 29 për qind sosh lokale, ndërsa investimet kapitale të vitit 2016 duhet atribuar pagesave për autostradën Prishtinë – Shkup. Sepse realisht nuk ka pasur ndonjë investim tjetër për t’u përmendur, qoftë për ndonjë projekt industrial, prodhues apo energjetik, që do të gjeneronte vende të reja pune, por edhe të ardhura aq të nevojshme për Kosovën e varfër.

Në vitet e tjera, në periudhën janar-qershor pra, sipas një raporti hulumtues të publikuar të GAP-it, nuk shihet se ka pasur ndonjë shifër edhe aq të theksueshme investimesh kapitale (më 2014 -24 për qind, më 2015-25 për qind, më 2017 – 20 për qind, më 2018-26 për qind, më 2019-16 për qind, më 2020 11 për qind, më 2021- 19 për qind dhe më 2022 vetëm 9 për qind, që, gjithsesi, është më i ulëti në dekadën e fundit, siç thuhet edhe në raportin e publikuar nga Instituti GAP.

Sipas GAP-it, realizimi i investimeve kapitale, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë local, ndodhet në këtë pikë për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore si dhe politikave qeveritare. Gjithsesi me politikat qeveritare aludohet te fokusimi i Qeverisë Kurti 2 në skema sociale.

Kritike ndaj ngecjes së investimeve kapitale në këta muajt e shkuar, ka qenë vazhdimisht edhe opozita. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke hedhur akuza të rënda për huqjen e investimeve kapitale gjatë kësaj qeverisjeje, kohë më parë kishte thënë se “Kosova ka nevojë për zhvillim, e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale”.

Sidoqoftë, në Kosovë, në këto vite janë shënuar huqje dhe dështime edhe në investimet e tjera, e sidomos në investime të huaja direkte (IHD), të cilat bazuar në të dhënat e Bankës Qendrorë të Kosovës (BQK), në periudhën janar-prill të 2022, në Kosovë kanë qenë rreth 173.3 milionë euro. Dhe, sipas të dhënave konkrete, nga gjithë kjo shumë e investimeve të huaja direkte, rreth 85.3% e tyre janë investime në aktivitete të patundshmërisë.

Ndërsa, në vitin 2021, IHD kanë qenë rreth 415.3 milionë, nga të cilat rreth 92.6% në aktivitete të patundshmërisë, e që ngjashëm duken edhe vitet paraprake. Kjo, sipas Edison Jakurtit, njohës i zhvillimeve ekonomike, nënkupton që IHD-të tek ne janë blerjet e shtëpive, banesave, lokaleve, trojeve, etj. nga diaspora, që nënkupton prapë se këto investime nuk janë në sektorë produktiv që krijojnë vende të reja pune dhe që e stimulojnë zhvillimin.

Për të qenë më konkret dhe për të parë rrjedhën e investimeve të jashtme, po i paraqesim të dhënat e ecurive të ardhjes së kapitalit ndërkombëtar –investimeve të jashtme nëpër vite: -Më 2004 në Kosovë janë regjistruar 42,9 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta, më 2005-107,6 milionë, më 2006- 294,8 milionë, më 2007- 440,7 milionë, më 2008 -366,5 milionë më 2009- 291,4 milionë, më 2010 -365,8 milionë euro, më 2011 – 394, 6 milionë më 2012 – 230 milionë dhe më 258,9 milionë euro.

Të dhënat pra dëshmojnë se me vite Kosova ka dështuar në thithjen e investimeve të jashtme, ndërkohë që në vitet e fundit nuk ia doli që ta sjellë këtu asnjë investitor të madh strategjik, asnjë projekt madhor të tyre. Ç’është më keq, pati edhe raste kur ikën investitorët potencial.

Në këtë mënyrë, Kosova mbeti me trendin më negativ të investimeve të huaja krahasuar me shtetet e rajonit, si Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria. Dhe ky trend negativ ka vazhduar me vite të tëra.

Njohësit e rrethanave investuese në Kosovë, interesimin e investitorëve të jashtëm për ta shtrirë kapitalin e tyre te ne, e shohin te bërja të infrastrukturës më të mirë ligjore. Në fakt, pas miratimit të Ligjit për investimet strategjike, që ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017, janë thjeshtësuar dukshëm procedurat për investitorët e huaj potencialë.

Sipas këtij ligji, vëllimi i investimit për të fituar statusin e investitorit strategjik është nga 10 deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori. Edhe Ligji për investimet e huaja, i miratuar qysh më 2013, e që kishte për qëllim të rregullojë mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja, dhe t’u ofrojë atyre të drejta dhe garanci themelore, ka qartësuar shumë investitorët e huaj, sidomos në drejtimin e dhënies së sigurisë që investimet e tyre do të mbrohen në mënyrë të drejtë në pajtim me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.

Qeveria aktuale duhet të jetë shumë më këmbëngulëse të vazhdojë për t’u ofruar masa edhe më lehtësuese investitorëve të interesuar. Të jetë më e vëmendshme në monitorimin e saktë të zbatimit të ligjeve, duke themeluar në raste të nevojshme edhe mekanizma të rinj për përcjelljen e zbatimit të këtyre ligjeve për t’u dhënë garanci investitorëve të huaj që tashmë janë në Kosovë, por edhe investitorëve potencialë, të cilët e shohin Kosovën si destinacion për investim. Institucionet duhet të fokusohen në investimet në sektorët strategjikë siç janë prodhimi, teknologjia e informacioni, energjetika e pastaj përpunimi. Të kërkojë investitorët e jashtëm që ishin këtu dhe u dëbuan për shkaqe të njohura dhe të panjohura, t’u ofrojë atyre mundësi të reja, projekte atraktive për t’u kthyer në Kosovë. Ndërsa mundësi të reja duhet të ishin sundimi i ligjit, promovimi i vlerave dhe politikave atraktive për investitorët e huaj, luftimi i njëmendtë i korrupsionit dhe ekonomisë së fshehtë dhe rikthimi i imazhit të mirë të Kosovës në botë. Nuk është lehtë të bëhen shpejtë të gjitha këto punë, por janë të arritshme dhe të realizueshme nëse do të kishte vendosmëri institucionale dhe vullnet politik./buletiniekonomik/

Çka duhet të përmbajë një plan i mirë biznesi?

Person developing a business plan

Sabeer Bhatia bashkë me Jack Smith janë themeluesit e “Hotmail”, që njihet si web-i i parë që iu dha qasje njerëzve për të pasur email personal.

Në një intervistë dhënë për librin “Founders at Work”, Sabeer Bhatia, flet mbi atë se çka e bën një plan biznesi të jetë përmbajtësor.

“Sigurohuni që pasi ta keni shkruar planin tuaj të biznesit, dikush ta ketë lexuar dhe kritikuar atë dhe t’ju bëjë pyetje. Nuk ka pse të jetë një plan biznesi me faqe me shkëlqim dhe shumë informacione.

Në thelb duhet të jetë një plan që thotë se çfarë do të bëjë kompania, çfarë problemi do të zgjidhë, sa i madh është tregu që synoni, cilat janë burimet e të ardhurave për kompaninë, cila është “exit-strategjia” për investitorët tuaj, sa është shuma e parave që kërkoni për idenë tuaj, si do t’i tregtoni ato, njerëzit që ju nevojiten, cilat janë rreziqet e teknologjisë, rreziqet e marketingut, rreziqet e ekzekutimit.

Kjo është baza e një plani të mirë biznesi.  Shumë njerëz e kanë ndoshta në kokën e tyre, por nuk e shkruajnë atë.”/buletiniekonomik

Rëndësia e menaxhimit të operacioneve

Mund të propozojmë, për të përfunduar, disa arsye pse rekomandohet që kjo lëndë të jetë e pranishme në planet përkatëse të studimit, si administrimi i biznesit ose financa dhe të ngjashme:

  • Së pari, sepse ky aktivitet është çelësi i çdo kompanie. Edhe nëse ofrojmë një shërbim, këshillohet që të kemi procese të qarta dhe efikase. Prandaj, drejtori i operacioneve është një nga pozicionet më të kërkuara.
  • Prodhimi është aktiviteti kryesor dhe ku mund të krijohen humbje të mëdha. Menaxhimi efikas mund të nënkuptojë ndryshimin midis fitimit të parave ose humbjes së tyre. Prandaj, është e rëndësishme për mbijetesën e kompanisë.
  • Është e lidhur ngushtë me drejtimet e tjera. Me atë financiar sepse kërkon investime. Me atë të burimeve njerëzore, sepse ka nevojë për personel për proceset e prodhimit. Me blerje për furnizime dhe me shitje për të ditur se çfarë të prodhojë. Për këtë arsye, menaxhimi i operacioneve është imperativ./definebusinessterms/

Pse brenda një viti, Kosova pati një rënie kaq të madhe të rritjes ekonomike?

Njohësi i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thekson se sipas raportit të Bankës Botërore, në vitin 2021 rritja ekonomike në Kosovë ishte 10.5%.

Ibrahimi bën të ditur se sipas të njëjtit institucion, rritja ekonomike në vitin 2022 pritet të jetë 3.1%.

Ai pyet se çfarë ndodhi që brenda një viti kemi një rënie kaq të madhe të rritjes ekonomike.

“Çka ndodhi që brenda një viti të kemi një rënie kaq të madhe të rritjes ekonomike? Cfarë bëri mirë qeveria në 2021 e ku huqi në 2022?” shkruan Ibrahimi në Facebook.

Ibrahimi bën edhe një parashikim se si do të jetë rritja ekonomike për kete vit.

“parashikimi im më optimist është që rritja për vitin 2023 të jetë rreth 1% ndërsa parashikimi më realist është se do të kemi recesion”

 

12.8% e të punësuarve në Kosovë punojnë në vende pune të paqëndrueshme

“Përveç shkallës së ulët të punësimit në Kosovë, 12.8 për qind e personave të punësuar punonin në vende pune të paqëndrueshme”, thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë 2021, të përgatitur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Punëtorët në punë të paqëndrueshme janë ose persona të vetëpunësuar pa punonjës, ose ata që punojnë pa pagesë në një biznes familjar. Këto dy grupe punëtorësh kanë gjasat më të ulta të kenë një marrëveshje formale pune në krahasim me punëtorët me pagesë dhe rrogë.

“Meshkujt kanë më shumë gjasa të mbajnë punë të tilla të paqëndrueshme (14.9 % e meshkujve të punësuar krahasuar me 6.8% të femrave të punësuara).

Shprehur në numra absolutë, 53,040 persona nga 414,704 të punësuar i përkasin kategorisë së punësimit të paqëndrueshëm.

“Të punësuarit në fusha profesionale kanë më pak gjasa të jenë të punësuar në punë të paqëndrueshme, si dhe personat me nivel të lartë arsimimi”, thuhet tutje në raport./Buletini Ekonomik/

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
26.5 ° C
26.5 °
26.5 °
44 %
0.5kmh
0 %
Mon
35 °
Tue
38 °
Wed
39 °
Thu
37 °
Fri
37 °