Bujaria që largoi Shejhul-Islamin nga Shqipëria ! -JUSTINIAN TOPULLI

Në Shtetin Osman dikur, ai që mbante pozitën e atij që sot në shumë vende muslimane njihet si kryemyfti, quhej Shejhul-Islam. Një nga më të njohurit e tyre ka qenë edhe Shejhul-Islam Mustafa Sabri (rahmet pastë!).
Shejh Mustafa Sabri (1869-1954) ka qenë një dijetar i rrallë i kalibrit të lartë, që bashkoi mes dijeve fetare dhe atyre mondane. Ai shquhet për replikat e tij akademike në mbrojtje të fesë dhe peripecitë që hoqi nga pushteti i xhon turqve, për shkak të qëndrimeve refuzuese që mbante ndaj tyre.
Ajo që duam të ndalemi këtu është një periudhë interesante e jetës së tij që ai ka kaluar në Shqipëri. Shejh Teufik Islam Jahja, shqiptar nga Gjakova, i cili e ka njohur personalisht Shejh Mustafa Sabrin, ka lënë një biografi të shkurtër rreth jetës së tij.
Ai përmend se Shejhul-Islam i Shtetit Osman kishte njohje me Ismail Qemalin dhe disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, për shkak të problemeve politike e fetare me “turqit e rinj” vjen dhe vendoset në Shqipëri për pak kohë. Ismail Bej Qemali i rezervoi atij një banesë në Tiranë dhe u dha porosi të gjithëve që të plotësonin kërkesat e tij dhe ta nderonin atë.
Autori i biografisë në fjalë ndër të tjera thotë:
“Shpesh herë ai, Allahu e mëshiroftë, më thoshte:
“Unë u largova nga vendi juaj për shkak të bujarisë suaj të madhe, e cila nuk mund të përshkruhet me fjalë. Një ditë shkova në berberhane dhe pasi përfundova i zgjata dorën berberit t’i bëja pagesën. Ai më tha: “Jo. Jo. Ju jeni mysafir i Shqipërisë dhe i gjithë shqiptarëve. Ne kështu jemi urdhëruar.”
Prandaj dhe vendosa të largohem nga bujaria e vendit tuaj. I shkrova një letër Ismail Bej Qemalit ku i dhashë lamtumirën dhe e falënderoja atë dhe kolegët e tij, si dhe i tregova atij se bujaria e tyre e tepërt më detyroi të largohesha nga vendi fshehtas.”
Ka kaluar një shekull nga ajo kohë dhe shumë gjëra kanë ndryshuar…
Justinian Topulli
Artikulli paraprakPërgjegjësia sociale tek organizatat muslimane jofitimprurëse
Artikulli tjetërInspektorët në terren për të verifikuar nëse ka ngritje të çmimeve të pajisjeve ngohëse