Monopoli në tregun e arkave fiskale: ATK tregon se a kanë aplikuar operatorë të rinj

Në thirrjen e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) të bërë fiks para një muaji, me anë të së cilës ftonte kompanitë që të aplikojnë për autorizim si operatorë ekonomik me të drejtë shitjeje, instalimi dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale të çfarëdo lloji, deri më tani nuk ka aplikuar askush.

Nga ATK-ja kanë thënë për Buletinin Ekonomik se deri më sot nuk kanë pranuar asnjë kërkesë nga çfarëdo operatori për autorizim si operator ekonomik për këtë shërbim.

“Ju njoftojmë se deri në këto momente nuk kemi asnjë kërkesë për autorizim si Operator Ekonomik me të drejtë shitje, instalimi dhe mirëmbajtje të PEF/SF”, thuhet në përgjigjet e ATK-së.

Si rrjedhojë, monopoli në tregun e arkave fiskale duket se do ‘të vazhdojë’ edhe për një kohë, deri në autorizimin e ndonjë operatori tjetër, përcjell Buletini Ekonomik.

Deri tani, në tregun kosovar operojnë vetëm katër kompani, të cilat janë të licencuara për pajisjen e bizneseve e arka fiskale, ku prej tyre për pajisje me printerë fiskal është e licencuar vetëm një kompani, kurse për sisteme fiskale të derivateve dy operatorë.

As operatorët aktual, që janë tashmë të autorizuar për shitjen, instalimin dhe mirëmbajtjen e PEF/SF-ve, nuk obligohen që të ri-autorizohen sërish nga ATK-ja, pasi sipas ATK-së, ata veqse janë të autorizuar.

Mirëpo, nga ATK-ja vazhdojnë me thirrjen se “mundësia për të qenë Operator Ekonomik ka qenë dhe është e hapur për të gjithë pa përjashtim, pra tregu ka qenë dhe është i hapur”.

Ndryshe rreth një muaj më parë, Buletini Ekonomik pati bërë një hulumtim të gjatë, me ç’rast kishte gjetur se tregu i arkave fiskale në Kosovë deri më tani praktikisht është dominuar nga një kompani e vetme.

Bizneset në Kosovë tani për tani printerin fiskal mund ta blejnë vetëm tek një kompani prej katër sa janë të licencuara për shitjen e arkave fiskale nga ATK-ja. Këtë eksluzivitet e ka vetëm kompania “Enternet”, e cila përveç kësaj ka pronarin e njëjtë me kompaninë tjetër të arkave fiskale – “Gekos”.

Hulumtimi i Buletinit Ekonomik ka nxjerrë në pah se prapa kompanisë “Gekos” qëndron i njëjti pronar që zotëron 100% të aksioneve në kompaninë tjetër të licencuar për shitjen e arkave fiskale, “Enternet”. Madje dyshohej edhe për marrëveshje të fshehta mes kompanive.

Krahas Enternet dhe Gekos, të licencuar për operim me arka fiskale janë edhe dy kompani tjera; “Dukagjini” Sh.p.k, dhe “Service Global” për derivate. Mirëpo, bazuar në gamën e produkteve që ofrojnë por edhe në pronësinë e përbashkët, atëherë del se “Gekos” dhe “Enternet” zotërojnë pjesën më të madhe të tregut.

Këto dy kompani ‘konkurente’ në tregun e arkave fiskale, ishin pajisur me licencë nga ATK-ja duke pasur pronarin e njëjtë.

Në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik, ATK-ja kishte pranuar se “ Enternet”, është e vetmja kompani për shitjen e printerëve fiskal, mirëpo nuk ishte përgjigjur rreth çështjes së pronësisë së përbashkët mes “Gekos” dhe “Enternet”.

Sipas ATK-së, çdo operator ekonomik i autorizuar ka të drejtë të certifikojë në çdo kohë çfarëdo lloji apo modeli të Pajisjeve Elektronike Fiskale, si: arka fiskale, printerë fiskal apo sistem fiskal, dhe se ATK-ja si mbikëqyrse e tyre nuk mund t’ua përcaktojë numrin e modeleve të këtyre pajisjeve. Pra, ATK-ja thotë se numri dhe lloji i modeleve të Pajisjeve Elektronike Fiskale që mund të certifikohen nga operatorët ekonomik (OE) është i pakufizuar.

Kujtojmë se dyshimet për monopol dhe si pasojë çmimet e larta të arkave fiskale kanë qenë shqetësim i kahmotshëm i bizneseve kosovare. Ato vazhdojnë të paguajnë çmime marramendëse për t’u pajisur me një arkë fiskale. Arka fiskale më e lirë në treg është 325 euro, ndërsa bizneset duhet të paguajnë edhe për mirëmbajtje 110 euro në vitin e parë dhe 70 në të dytin. /Buletini Ekonomik/

Artikulli paraprak“Fitch Ratings” rrit parashikimin për rritjen ekonomike të Turqisë në vitin 2021
Artikulli tjetërVendet arrijnë ‘marrëveshje historike’ për të ulur kostot tregtare