Manual për një karrierë të suksesshme në administratë dhe akademi

Nga Ergys Mertiri

Ajo që shumë njerëz e quajnë një karirerë akademike apo edhe profesionale, në fakt nuk ka të bëjë dhe aq me rrugëtimin e studiuesit në fushën e dijes, sesa me aftësitë e tij për t’u ngjitur lart në hierarkinë e burokracisë së institucioneve akademike, të cilat natyrisht, kërkojnë aftësi të tjera nga ato të një studiuesi të mirëfilltë. Në Shqipëri këto aftësi janë edhe më interesante sesa në vende të tjera normale.

Që të kesh një karrierë akademike në Shqipëri nuk ka nevojë të biesh përmbys mbi libra e të punosh fort, duke realizuar produkte me vlerë në fushën studimore. Përkundrazi, këto bëhen pengesë pasi, ata që kanë në dorë shpërndarjen e tagrave, posteve, titujve shkencorë apo vendeve të punës, nuk para i pëlqejnë njerëzit me kapacitet dhe skrupulozitet intelektual. Për të bërë karrierë shkencore, si dhe çdo karrierë tjetër, nevojitet më shumë aftësi për t’iu qepur pas eprorëve, për t’iu servilosur atyre, për t’i ndihmuar ata në realizimin e orekseve dhe nevojave të tyre individuale, për ti ndihmuar ata që të sundojnë lehtë hapësirën që posti u ka dhënë në përgjegjësi.
E nëse ke qenë “i zoti” të shërbesh në këtë fushë dhe ke arritur të ngjitesh lart, është e nevojshme të dish të sillesh fiks si shefat të cilët ta kanë shtruar udhën për të pasur karrierën e “ndritshme” që ti gëzon. Kështu, një drejtues i talentuar nuk është ai që rrit dhe përmirëson performancën e institucionit që drejton, madje ai as që duhet të ketë për qëllim ta realizojë këtë. Qëllimet e tij janë të tjera:

1. Të sigurojë jetëgjatësinë e vet në karrige.

2. Të sigurojë bindje dhe nënshtrim nga i gjithë stafi që ka në varësi.

3. Të garantojë përmbushjen e nevojave të veta kompleksive për të qenë i adhuruar, i vlerësuar, i respektuar dhe mbi të tjerët.

4. Në mjaft raste edhe të garantojë nevojën për përfitime e privilegje të natyrës korruptive, qofshin këto favore financiare, honorifike, seksuale apo çfarëdo.

Pra, ai duhet të përpiqet të krijojë kushtet e favorshme për të sunduar, jo për të udhëhequr. Në çdo rast duhet kuptuar se institucioni që ti drejton është një feud i vogël që të është dhuruar për arsye koniukturash të caktuara dhe, që feudi të funksionojë siç duhet, nevojitet që feudali të kujdeset pikë së pari për hierarkinë. Kujdes, “hierarkinë” jo strukturën!

Hierarkia sipas feudalizmit burokratik të administratës moderne shqiptare nuk ka të bëjë me kurrfarë holizmi, por një lloj individualizmi, i cili krijon llojin e duhur të marrëdhënieve ku duhet të bëhet dallimi i qartë midis liderit dhe vartësve në çdo aspekt të mardhënieve midis tyre, përtej marrëdhënieve të punës. Në njërën anë kemi liderin dhe grupin që i shërben, ndërsa nga ana tjetër të gjithë ata që punojnë, binden, nënshtrohen e nuk hapin gojë të kërkojnë asgjë.

Ky lloj sistemi nuk është ndërtuar për të prodhuar efikasitet në punë, por për ti krijuar komoditetin e duhur liderit të sundojë, si dhe të realizojë “lumturinë” e vet kompleksive në shfrytëzimin e postit. Për t’ia arritur gjithë kësaj ai kujdeset që, pikë së pari, të eleminojë nga organika e tij, çdo njeri më të aftë se vetja. I afti bëhet pengesë për lehtësinë e sundimit, për lumturinë e brendshme të liderit, si dhe për përmbushjen e nevojës së tij për t’u ndjerë superior. Së dyti ai kujdeset që ata njerëz të aftë që nuk i përjashton nga puna, ti mbajë nën presion që të jenë gjithmonë të nënshtruar.

Kështu, ai jo vetëm përmbush nevojën jetike për superioritet, por edhe pengon çdo ide profesionale të padëshiruar që mund të depërtojë për të turbulluar mekanizmin e tij të punës. Së treti, ai u jep tagra dhe privilegje të paaftëve e servilëve, të cilët, jo vetëm ledhatojnë ndërgjegjen e shefit, i përmbushin atij nevojat dhe dëshirat vetjake, por edhe e ndihmojnë atë për të lehtësuar sundimin, kryesisht duke iu kundërvënë të aftëve, të cilët guxojnë ta ballafaqojnë punën në institucion me të vërteta profesionale turbulluese.

Në këtë mënyrë garantohet, jo vetëm sukses i plotë në administrimin e institucionit, por edhe jetëgjatësi dhe stabilitet.

Kur shikon sot studiues, intelektualë, historianë, gjuhëtarë apo shkrimtarë të rinj, që performojnë me aq sukses në riprodhimin e tezave, ideve, pikëpamjeve madje edhe profileve publikë të shefave të tyre (pa u “ifentkuar” aspak nga prurjet shkencore të këtyre njëqind viteve të fundit), nuk mund të mos ngazëllehesh nga talenti që kanë shfaqur shefat dhe paraardhësit e tyre në farkëtimin e brezit të ri dhe kujdesin e plotë për të trashëguar me përpikmëri mediokritetin që ripërtyim për dekada me rradhë! Për rrjedhojë, nuk mund të mos mendosh se të ardhmen e kemi të sigurt!

 


 

 

 

 

Ju Rekomandojmë
Artikulli paraprakE nëse keni frikë varfërinë, Allahu do t’ju pasurojë nga mirësia e Tij
Artikulli tjetërMilionerët bëjnë thirrje që të rriten taksat për super të pasurit