Kontrollimi i dialogut të brendshëm – Cilësia e domosdoshme për sukses

Kontrollo dialogun e brendshëm

Njeriu është krijesë komunikative. Nëse ai nuk bisedon me të tjerët, ai mund të flasë me veten. Të biseduarit me vetveten është një proces i pandalur. Ne bisedojmë me vetveten për shpresat, dhimbjet, aspiratat dhe për zhgënjimet tona. Ngjashëm, ne bisedojmë me vetveten për shkaqet dhe rrënjët e sukseseve tona të ndryshme në këtë jetë. Duket se me bisedën tonë me vetveten, ne përpiqemi të kristalizojmë qoftë situatën tonë të mirë, qoftë atë të keqe në kohën momentale.

Ne gjithashtu përpiqemi t’i konfirmojmë vetvetes se jemi plotësisht në dijeni për atë që e kemi bërë, çfarë nuk kemi bërë dhe çfarë kemi aftësi të bëjmë. Me fjalë të tjera, biseda me vetveten është jashtëzakonisht e rëndësishme kur kemi të bëjmë me ndryshimin, vetëbesimin dhe mungesën e vetëvlerësimit, si dhe shumë çështje të tjera.

Pyetja që duhet t’i bëjmë vetvetes është: Si mund t’i shfrytëzojmë këto bashkëbisedime për të na ndihmuar në flakjen e shprehive tona të këqija dhe përfitimin e shprehive të reja (të mira)?

1. Shfrytëzo dialogun e brendshëm
Besoj se shfrytëzimi i dialogut të brendshëm bazohet në faktorët vijues:

a. Ndjenja e mirënjohjes ndaj Allahut

Ndjenja e mirënjohjes ndaj Allahut të Madhërishëm për të gjitha begatitë që na ka dhuruar. Pa marrë parasysh sa të vështira janë rrethanat tona, ne përsëri gëzojmë begati të mëdha nga Allahu. Ato janë të shumta, saqë nuk kemi mundësi as t’i numërojmë, e as nuk e
dimë si të ofrojmë falënderime dhe mirënjohje për bekimet e tilla.

Mirënjohja është e rëndësishme për të ndierë se posedojmë energjinë dhe aftësinë për të bërë vepra të mira dhe për të flakur gjërat inferiore. Nëse një person ndien se ai është i paaftë, i dobët, i dëshpëruar dhe i varfër, ai do të kërkojë arsyetime për vetveten. Kjo do t’ia ulë moralin një personi të tillë dhe do ta lë pa ambicie, pa dëshirë për të aspiruar për gjëra të larta ose pa performance të mirë.

Është shumë e dobishme në këtë rast që gjithmonë të besojmë se kemi aftësi, potencial dhe mundësi të pashfrytëzuara. Ky besim duhet të na nxis të bëjmë më tepër përpjekje.

b. Koncentrohu në vullnetin tënd

Gjatë dialogut të brendshëm është me rëndësi të përqendrohemi në çështjen e vullnetit tonë.

Duhet të kuptojmë se mos përparimi ynë shpesh nuk vjen si shkak i mungesës së resurseve dhe potencialit të kufizuar, mirëpo vjen nga vullneti i dobët dhe mungesa e vendosmërisë së palëkundur. Ky është një problem global.

Gjatë historisë, njerëzimi ka pasur potencial ndryshues dhe mungesë të vullnetit të fortë dhe menaxhimit të mirë. Për rrjedhim është me rëndësi të përqendrohemi në dialogun brendshëm me shprehjet vijuese:

  • Unë mund të lexoj më tepër dhe kryej më tepër akte të adhurimit.
  • Askush nuk mund të dalë midis meje dhe asaj që e synoj.
  • Mund të më ndodh të ngec ose te mos e realizoj një qëllim fisnik, mirëpo kjo është normale.
  • Sikur të mos kishte pasur dështime, nuk do të kishte vlerë sprova, përpjekja dhe ngritja në këmbë pas rrëzimit.

Hezitimi dhe shtyrja e gjërave janë dy sëmundje të dëmshme dhe të rrezikshme prej të cilave vuajnë shumë njerëz. Duhet t’i flakim ato.
Gjithmonë duhet të kujtoj se jam i aftë të arrij shumë gjëra të mira dhe ka shumë gjëra të mira dhe të bukura që vijnë drejt meje me lejen e Allahut.

c. Mbylle fletoren e së kaluarës.

Historia e shkuar e një personi mund të jetë një burim i madh i mendimeve negative që i konfirmojnë se ai nuk është i kualifikuar për të kryer gjëra të mëdha dhe vendimtare. Të marrim shembullin e një studenti universitar, i cili bëri përpjekje të mëdha të kryejë provimet me rezultate të mira për të pasur mundësi të regjistrohet në studimet postdiplomike. Ai i analizoi fjalët që ia përsëriste vetes dhe zbuloi se shumica e tyre ishin fjalë negative. Për shembull: “Unë jam i vetmi student që kam ngelur në klasën e pestë të shkollës fillore. Edhe pse kam pasur një mësues privat të matematikës në klasën e
nëntë, nuk e kam kaluar testin e matematikës. Babai im së bashku me disa mësues më kanë këshilluar të studioj në një shkollë të lartë sepse fakulteti do të ishte i vështirë për mua. Nuk mund të lexoj më teper se gjysmë ore, pa marrë parasysh sa nevojë kam për të lexuar.”
Studenti i përsëriste në vetvete shprehjet e tilla (negative) çdo herë që kërkonte të arrinte sukses në studimet e tij. Natyrisht se kjo e privoi nga vendosmëria per të vazhduar studimet e tij. Është e kërkuar të izolohet infrastruktura emocionale e studentit nga kujtimet dhe ngjarjet e tilla. Ai duhet të përpiqet t’i harrojë ato sa herë që i kujtohen. Në fakt, ai duhet t’i largojë ato duke i thënë vetes: “Çdo gjë që më ka ndodhur mua, u ka ndodhur shumë njerëzve të mëdhenj dhe gjenial gjatë historisë. Çdo gjë që ka ndodhur është histori e kaluar dhe tashmë jam i porsalindur!”

2. Rishikoje kornizën e të menduarit

Është e qartë se intelekti ynë bie në një masë të hutisë kur ka të bëjë me përvojat tona, të dhënat dhe informacionet që i marrim.
Duket se me qëllim të kufizimit të përmasave të asaj hutie, ne përpiqemi të gjejmë një grumbull bindjesh mbi të cilat mbështetemi për të kuptuar realitetin dhe për të zhvilluar qëndrime të përshtatshme ndaj asaj që e shohim, dëgjojmë dhe vuajmë. Grumbulli i bindjeve paraqet koncepte të rëndësishme, të cilat i shohim si një aksiomë prej të cilës i interpretojmë të gjitha veprimet, të thënat dhe ngjarjet që lidhen me ne. Megjithatë, aksiomat shpesh janë të gabuara, kanë të meta ose bazohen në emocione. Gjithashtu aksiomat zakonisht nuk i nënshtrohen debatit dhe ekzaminimit. Të marrim dy shembuj më poshtë:
Një vajzë jetonte në rrethana të vështira familjare. Babai i saj e rrihte nënën e saj dhe e ofendonte pothuajse çdo ditë. Pastaj ai u martua me një grua tjetër, ndërkaq refuzonte t’i jepte divorcin gruas së tij të parë, nënës së saj. Babai i saj e braktisi nënën e saj dhe fare nuk u kushtonte kujdes fëmijëve të tij. Vajza mbushi njëzet e shtatë vjet dhe kurrë nuk u martua, edhe pse e kërkonin për martesë shumë djem të rinj, të cilët ishin të mirë dhe të ndershëm. Ajo kishte marrë qëndrim që t’i refuzonte të gjitha ofertat për martesë. Arsyetimi i vetëm i saj ishte:”Të gjithë burrat janë të këqij. Nëse pranoj të martohem me ndonjërin prej tyre, ata do të jenë si babai im. Nëse bëj një gabim të tillë, do të jetë katastrofë për mua.” Vajza jo vetëm që e mori në konsideratë aksiomën për burrat që martohen dhe nuk i trajtojnë mirë gratë, por ajo gjithashtu i interpretoi të gjitha sjelljet e burrave në pajtim me këtë aksiome. Nëse vëllai i saj fjalosej me bashkëshorten e tij, ajo gjithmonë ia linte fajin atij, meqë vëllai i saj ishte burrë dhe të gjithë burrat sipas saj janë të këqij. Nëse një person përmendej përpara saj dhe lavdërohej nga njerëzit për sjelljen e mirë si kryefamiljar, ajo thoshte: “Ky është mendimi yt. Ti nuk e di atë që fshihet.” Ose thoshte: “Ky është rast shumë i rrallë.”
Një herë ajo e dëgjoi një statistikë që thoshte se 20% e burrave në një vend të caktuar i rrahin gratë. Ajo menjëherë komentoi: Kjo është statistikë e pavërtetë. Burrat që i rrahin gratë nuk janë më pak se 80%. Dëshiroj që gratë të bëhen të forta derisa përqindja e burrave që rrihen nga gratë të arrij 80%.”
Vajza ndërtoi një grumbull bindjesh të gabuara lidhur me marrëdhëniet bashkëshortore, sepse përvoja e saj personale e bëri të mendonte se të gjithë burrat janë njësoj. Për t’u martuar, një vajzë e tillë duhet t’i ndryshojë bindjet.

Realiteti është se shumica e grave ndiejnë një masë të lumturisë dhe kënaqësisë, e cila i bën të vazhdojnë jetën me bashkëshortët dhe me familjet e tyre.
Ky është tregimi i një djali të ri, të cilit nuk i pëlqente të studionte ose të mësonte. Ai merrte shumë këshilla nga babai dhe nga axhallarët për rëndësinë e marrjes të paktën të një kualifikimi universitar. Megjithatë, ai ishte i vendosur të linte shkollimin posa ta merrte diplomën e shkollës së mesme. Ketë e arriti, por pasi ngeli një vit. Mesatarja e notave të tij ishte shumë e ulët. Askush nuk dinte për dëshirën e tij që ta linte shkollën dhe të hynte në fushën e biznesit, derisa vëllai i tij më i madh u ul me të dhe e pyeti se cilat
ishin ambiciet e tij. Përgjigja e tij ishte: “Biznesi mund të më bëj të pasur për pesë vjet, ndërkaq shokët e mi do të vazhdojnë studimet në universitet, e nuk dihet nëse arrijnë t’i mbarojnë, por nëse i mbarojnë prapë do të jenë duke kërkuar punë në kompani të ndryshme.”
Vëllai i tij më i madh zbuloi se kjo ide i kishte lindur pas bisedave me kushërinjtë e ti, të cilët kishin arritur sukses të madh në tregti me lëndë druri. Ai kishte përshtypje se shume lehtë mund të arrinte ambiciet e tij në biznes. Në takt, vëllai i tij më vonë zbuloi se kushërinjtë e tij e kishin bindur atë të mos e vazhdonte shkollimin i kishin premtuar fonde të nevojshme per ta nisur biznesin dhe ashtu ndodhi. I riu mori paratë nga kushërinjtë e tij dhe filloi tregtinë me lëndë druri, sipas këshillës së tyre. Pas tri vjetësh, i riu bankrotoi dhe u burgos për shkak të dëshirës së tij të madhe për t’u pasuruar shpejt!
Problemi i këtij të riu është i njëjtët me problemin e vajzës, e cila refuzoi të martohej. Formimi i bindjeve të gabuara çon në sjellje të problemeve emocionale.
Për rrjedhim, për të sjellë ndryshim në jetën tonë, ne kemi nevojë të kontrollojmë aksiomat mbi të cilat i bazojmë pikëpamjet tona për jetën. Nëse nuk i rishikojmë ato aksioma seriozisht dhe shkencërisht, ne do të kufizojmë veten dhe do të privojmë veten nga rrugëtimi në rrugën e lirisë, rigjallërimit dhe ndryshimit. Ndoshta nuk i kam dhënë meritën e saj temës që e diskutuam, sepse kjo është nga çështjet më esenciale dhe më të rëndësishme në fushën e ndryshimit.

Ndrysho ose do të humbësh | Autor: Dr.Abdul Kerim Bekkar

Artikulli paraprakPas 50 vitesh kërkesë hapet Xhamia në Ljubljanë
Artikulli tjetërShfrytëzoje imagjinatën për të ngritur veten dhe për të ndryshuar statusin tënd