Koncepti i parasë dhe bankimit sipas Islamit

Mësimet islame sigurojnë filozofi dhe plan për njerëzit, që të jetojnë me të.
Bazuar në universalizmin e mësimeve islame, që ato janë të aplikueshme në çdo kohë dhe çdo vend, edhe ligjet mbi ekonominë dhe financat islame duhet të bazohen në burimet e Sheriatit dhe të gjejnë aplikim në të gjitha kohët.

Konceptet e financimit dhe investimit, si një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së njeriut, shkojnë larg deri tek qytetërimet e hershme, e kjo tregon se kjo sferë është e pandashme me jetën e njeriut. Pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë në përgjithësi është koncepti i parasë dhe i bankimit si mjete kyçe për zhvillim në nivel mikro dhe makro.

Koncepti i parasë

Funksioni kryesore i bankave është të merren me para, gjegjësisht me kursime dhe huazime. Prandaj, para se të shpjegojmë për bankat dhe funksionimin e tyre, duhet t’i referohemi parasë si koncept. Është mirë që të kuptohet koncepti dhe roli i parasë, në mënyre që të kuptohet dallimi në mes bankimit islam dhe bankimit konvencional.
Përkufizimi tradicional i parasë thotë se paraja ka shumë funksione: është një njësi që ka rol llogaritjeje, është ndërmjetës i këmbimit, vlerë për kursim, standard për pagesa të vona dhe një komoditet (produkt)¹, i cili mund të shitet dhe mund të jepet me qira, dhe fitimi që del nga aktiviteti i shitjes së parasë për një çmim të ndryshëm apo nga dhënia me qira e parasë, është kamata (interesi), e cila konsiderohet edhe veçoria kryesore dalluese ndërmjet bankimit islam dhe atij konvencional.²

Nga perspektiva ekonomike islame, paraja konsiderohet si një ndërmjetës i ndërrimit të mallit, si vlerë për kursim dhe mjet për pagesa të vona.³ Paraja duhet të funksionojë si një mjet që ndihmon prodhimin dhe tregtinë, e kurrsesi jo të konsiderohet produkt që mund të shitet a të jepet me qira dhe prej saj të fitohet kamatë pa bërë asnjë aktivitet ekonomik. Konsiderimi i parasë si një produkt në vetvete, është një mënyrë për ta bërë të varfrin më të varfër dhe të pasurin më të pasur pa bërë asgjë, po vetëm duke pritur kohën dhe duke marrë fitimin me çdo kusht. Dhënia e parasë me kamatë, do të thotë që ata (kredidhënësit) do të marrin më shumë para në të ardhmen, sepse ligji i garanton kredidhënësit kapitalin bazë dhe kamatën mbi shumën bazë. Kjo tregon se në sistemin financiar, bazuar në kamatë, paraja parashihet të lëvizë vetëm në një drejtim dhe gjithmonë të fitohet prej saj, pa marrë parasysh përfundimin e projektit.⁴
Në sistemin financiar islam, paraja i dorëzohet ligjit të ngritjes së vlerës dhe humbjes së vlerës. Paraja duhet të qarkullohet dhe të futet në biznes a prodhim, nga të cilat aktivitete mund t’i rritet vlera ose edhe mund t’i bjerë. Kur projekti përfundon me fitim, investitori merr prapë kapitalin bazë plus fitimin, që do të thotë se vlera e parasë së investuar është rritur, ndërsa, nëse projekti përfundon me humbje, investitori bartë një pjesë të rrezikut dhe bart humbjen, që do të thotë se parasë i ka humbur vlera.

Diskutimet rreth konceptit dhe rëndësisë së parasë si dhe nevoja për futjen e parasë në transaksionet ekonomike, kanë qenë edhe në fokusin e interisimit të dijetarëve të hershëm myslimanë të kohëve të ndryshme. Ekzistojnë shënime e të dhëna për mendimet e hershme rreth financave. Një dijetar shumë i njohur, i cili ka diskutuar konceptin dhe rolin e parasë, ka qenë edhe Gazaliu, autor i librit të njohur ‘Ihja Ulumuddin’. Edhe pse kontributi i tij ka qenë më shumë në filozofi dhe sufizëm, ai ka dhënë kontribut edhe në shkencat e tjera, si në sociologji dhe ekonomi. Në fushën e ekonomisë, ai ka shtjelluar edhe nevojën e themelimit të një sistemi monetar të mirëfilltë.

Nevojën për të pasur tregje dhe shitore, Gazaliu e shpjegon në këtë mënyrë:
“Nga nevoja për produkte dhe mjete lind nevoja për shitje, sepse zakonisht fermerët jetojnë në vende ku pajisjet e nevojshme për punën e tyre nuk janë në dispozicion, metalpunuesi dhe zdrukthëtari jetojnë në vende ku kultivimi i prodhimeve bujqësore nuk është i mundshëm. Kështu, fermeri ka nevojë për të dytë, kurse ata të dy kanë nevojë për fermerin. Njëra palë duhet t’i japë palës tjetër atë që ka në dispozicion, në mënyrë që të marrë nga pala tjetër atë që i nevojitet, dhe kjo merret një formë e këmbimit të mallrave. Porse, nganjëherë mund të ndodhë që zdrukthëtari të kërkojë produkte ushqimore nga fermeri në këmbim të mjeteve që ai prodhon, por fermeri nuk ka nevojë për mjetet e ofruara në atë kohë dhe nuk i merr ato. Mund të ndodhë edhe e kundërta, që fermeri të kërkojë mjete nga zdrukthëtari në këmbim të gjërave ushqimore, po ky i fundit të ketë ushqim të mjaftueshëm në atë kohë dhe të mos i duhen ato prodhime. Prandaj, interesat e të dyja palëve janë të paplotësuara. Si rezultat lind kërkesa për një vend shitjeje, i cili i  bashkon të gjitha mjetet në një vend, pronari i të cilit i merr ato të gatshme dhe ua shet atyre që kanë nevojë për to. E njëjta gjë aplikohet edhe tek dyqanet, pronarët e të cilave blejnë misrin a prodhime të tjera nga fermerët dhe i mbajnë ato të gatshme për ata që kanë nevojë për prodhime të tilla. E tërë kjo çon në formimin e tregjeve dhe depove të ndryshme. Kur fermerët nuk kanë mundësi të gjejnë dikë që ka nevojë për prodhimet e tyre, ata ua shesin ato me një çmim më të lirë tregtarëve, të cilët në parashikimet e tyre për të bërë profit, i blejnë ato dhe presin për ata që do të kenë nevojë më vonë. E njëjta gjë vlen për të gjitha prodhimet dhe komoditetet”.⁵

Nevojën e futjes se monedhës në procesin e ndërrimit të mallrave, Gazaliu e shpjegon si nevojë për të vënë drejtësi në tregti, duke marrë shembuj të thjeshtë:
“Për shkak të nevojës së ndërrimit të mallit, lind nevoja për të pasur një mjet. Sepse, si do ta dijë dikush që dëshiron të blejë ushqim në këmbim për një rrobë, kundërvlerën e saktë të ushqimit. Transaksionet e këtij lloji kërkohen në produkte të ndryshme, si p.sh rroba të shiten për ndërrim me ushqim, një shtazë të shitet për një këmbim me një rrobe. Përderisa janë gjëra që nuk janë të barabarta me njëra- tjetrën, lind nevoja për të pasur një udhëheqës të drejtë (një mjet) për të ndërmjetësuar të dy palët, duke i barazuar njërën me tjetrën, në mënyrë që të kërkohen shuma specifike. Pasi kërkesa për një ndërmjetës të tillë do të jetë e vazhdueshme, ky ndërmjetës duhet të jetë i qëndrueshëm, dhe gjërat më të qëndrueshme janë ato metalike, ndërmjetësi duhet të jetë i bërë nga ari, argjendi dhe bakri. Kjo kërkon shtypje, gdhendje dhe validim dhe, më tutje, kjo kërkon të ketë vend për shtypje (farkim) të parave dhe këmbimore.

Autor: Dr. Islam Hasani

DITURIA ISLAME
______________________________________________

[1] Saiful Azhar Rosly, Critical Issues on Islamic Banking and Financial Markets, ( Kuala Lumpur : Dinamas, 2005), f. 45.
[2] Gail E. Makinen, Money, Banking, and Economic Activity (New York: Academic Press, 1981) f. 8-13.
[3] Shelag Heffernan, Modern Banking (West Sussex: John Wiley & Sons Ltd, 2005), f. 324. [4] Saiful Azhar Rosly, Critical Issues on Islamic Banking and Financial Markets, ( Kuala Lumpur : Dinamas, 2005), f. 45.
[5] Sabri Orman, “Abu Hamid al- Ghazali on the Formation and Development of Economic, Social and Political Life”, Al-Shajarah, Vol. 10. No. 1. 2005. p. 15.
Artikulli paraprakGjermani: Kush e ka rrogën më të lartë se kancelari?
Artikulli tjetërProgrami ekonomik: “Kërcim i madh përpara”