Kur një musliman shpenzon para bujarisht për të ndihmuar nevojtarët, kjo kënaq Allahun i cili e shpërblen atë me lumturi në këtë jetë dhe në tjetrën. Por nëse me këtë pasuri individi bëhet mendjemadh, egoist dhe mosmirënjohës ndaj Krijuesit, atëherë atë do ta ndjek stresi dhe dënimi. Andaj, paraja konsiderohet thikë me dy teha.
Historia e Karunit në Kur’anin fisnik është një shembull i influencës së tmerrshme që paratë dhe pasuria mund të kenë mbi qeniet njerëzore me dobësi të pashërueshme.
A mundet që paraja vetëm me tërheqshmërinë e saj të sjell sigurinë, paqen e mendjes dhe shpirtit? Fakte nga e kaluara dhe e tashmja thonë se jo, veçanërisht kur njerëzit grumbullojnë pasurinë e tyre në mënyra të paligjshme (haram).
Karuni ka jetuar në kohën e Musait, alejhis-selam. Ai ishte një njeri i keq i cili grumbulloi një pasuri shumë të madhe duke shfrytëzuar dhe shtypur popullin e tij. Thesari i tij u shtua dhe u shtua, por ai nuk ishte kurrë mirënjohës ndaj Zotit të tij. Ai jetoi si një tiran mendjemadh i cili nuk kujdesej për askënd.
Shumë nga njerëzit e tij, të cilët dëshironin jetën tjetër më tepër sesa jetën e kësaj bote, e këshilluan atë të mos sillej me arrogancë por të bënte të mira.
Megjithatë, Karuni nuk i dëgjoi ata. Ai nuk e mori vesh që e gjithë ajo që ai kishte ishte një begati nga Allahu. Karuni ka thënë me mendjemadhësi:
“Ai (Karuni) tha: ‘Më është dhënë vetëm në sajë të dijes sime’.” [el-Kasas: 78]
Kur Karuni ecte në pronën e tij, ata njerëzit të cilët dëshironin jetën e kësaj bote e admironin atë dhe dëshironin të bëheshin të njëjtë si ai në pasuri dhe madhështi. Por të tjerë më të ditur i treguan atij që shpërblimi i Allahut është për ata që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe janë të durueshëm.
Megjithatë, ai nuk i kushtoi kujdes kësaj dhe kështu meritoi dënimin e Allahut. Ai u takua me një fund të tmerrshëm që nuk i ka kaluar askujt nëpër mendje:
“Po ne atë dhe pallatin e tij i shafuam në tokë dhe veç Allahut nuk pati ndonjë që ta mbrojë e as vetë nuk pati mundësi të mbrohet.” [el-Kasas: 81]
Historia përsërit vetveten dhe histori të tilla ndodhin dhe kanë ndodhur. Madje edhe në jetën tonë bashkëkohore mund të shohim njerëz që veprojnë si Karuni.
Nëse qëniet njerëzore do merrnin në konsiderim gabimet e të tjerëve dhe do përpiqeshin të mësonin diçka nga ato, jeta do të bëhej më e mirë. Të pasurit duhet të ndihmojnë të varfërit. Ata duhet të ndajnë një pjesë të pasurisë së tyre për nevojtarët për t’i bërë ata të kënaqur dhe që vet të shpërblehen me Xhenet. Ndërkohë ata janë të lirë të gëzojnë çfarë posedojnë, pa devijime. Me të vërtetë ata me këtë do të jetojnë në paqe.
Historia e Karunit është në Kur’an si një shembull për çdo kënd të mësojë. Ai është i përshkruar me zbukurimet dhe rrobat e tij kur shfaqej përballë atyre njerëzve që mblidheshin për të parë.
Kjo, ngase ai fshihej prapa mureve të pallatit të tij gjatë gjithë kohës, duke u gëzuar me veten dhe thesaret e tij, e kur dilte, të gjithë e vështronin atë të mahnitur.
Si në çdo shoqëri, njerëzit ndryshonin në opinionet rreth tij. Grupi i të humburve, të cilët ishin të mashtruar nga paraqitja dhe nuk i interesonte e vërteta mbrapa saj, e admiruan atë. Ata e kishin zili dhe dëshironin për vete një pasuri të tillë.
Megjithatë, një grup i dytë, i cili përfshin besimtarët me mendjet e ndritura, i doli para duke e paralajmëruar dhe e këshilluan atë.
Por të gjitha thesaret, ari, rojet dhe robërit nuk e mbrojtën këtë burrë. Njerëzit u kthyen në drejtim të pallatit dhe papritmas nuk e gjetën atë. Pallati nuk ishte më. Megjithëse ndërtesa ishte e fortë dhe e rrethuar me mure të larta, nuk mundi t’i rezistonte fatit të saj. Toka e gëlltiti atë dhe Karuni u shkatërrua, me gjithë pasurinë dhe mendjemadhësinë e tij.
Shtëpitë e mëdha, paratë e shumta, luksi ose autoriteti nuk janë të mira po nuk pati besim dhe bindje ndaj Allahut.
Çfarëdo fuqie që një njeri mund të gëzojë nuk mund as ti bëjë mirë e as të dëmtojë veten e tij. Nuk mund kurrë të shkaktojë stres ose të sjellë lumturi pa vullnetin e Allahut, subhanehu ve teala.
Pas këtij fundi të tmerrshëm të Karunit, ata të cilët dikur ishin magjepsur nga lavdia e pasurisë së tij u kthyen në vete. Ata patën një goditje të fortë dhe nuk mund të besonin syve të tyre.
Dhe si rrjedhojë, ndjenjat e tyre ndryshuan:
“E ata që dje lakmonin të ishin në vendin e tij filluan të thonë: A nuk e shihni se Allahu me të vërtetë i jep begati e komoditet atij që do nga robërit e vet, e edhe ia mungon atë atij që do, e sikur Allahu të mos bënte mëshirë ndaj nesh do të na rrafshonte në tokë edhe neve, sa habi sesi jobesimtarët nuk gjejnë shpëtim.” [el-Kasas: 82]
Gjithë bukurisë së kësaj jete do t’i vijë fundi herët ose vonë. Vetëm besimtarët që punojnë shumë për të kënaqur Allahun dhe duke iu larguar të vepruarit keq, ose të pendohen, do të jetojnë në Parajsën e përhershme — Xhennet.
Dr. Hanan Abdu el-Tahavi
Përktheu: (Ammar) Ardit Kraja











