Ballina Artikuj Çfarë është bereqeti dhe si mund ta fitojmë në jetën tonë?

Çfarë është bereqeti dhe si mund ta fitojmë në jetën tonë?

Bereqeti

Bereqet do të thotë shtim dhe zhvillim. Bereqet në pasuri, pra shtim i pasurisë. Bereqet në shtëpi do të thotë lumturia, harmonia, qetësia etj. Ndërsa në ushqim do të thotë, edhe pse është pak, por ka dukje, pra shpenzimi i tij ka bereqet.

Bereqeti në fëmijë është shumica e tyre, e morali i tyre i lartë. Në familje, mirëkuptimi e dashuria ndërmjet tyre; në kohën, koha e lirë dhe zgjatja, e kryerja e planeve të bëra. Në shëndet, shëndeti i plotë. Në jetë, zgjatja e saj dhe veprat e mira gjatë jetës. Në dije, thellimi e njohja e saj. Pra, bereqeti përmbledh të gjitha anët e mira, e mirësitë e shumta. Nuk është diçka anormale të kërkojmë bereqetin… por si?!

A fitohet bereqeti ashtu sikur fitojmë për të jetuar? Apo kjo është dhuratë nga All-llahu që ia jep disave e disave jo?! Apo e ka bërë All-llahu i Madhëruar të përgjithshme, çdokush mund ta arrijë atë?! Apo i ka zgjedhur disa prej robërve të Tij, e i ka veçuar, e nuk i takon askujt tjetër përveç tyre?!


Mrekullitë e Isait, birit të Merjemes, alejhi selam

Isait, alejhi selam, i dhuroi All-llahu bereqet: “më ka dhënë bereqet”. Ejani pra të shikojmë bereqetin që All-llahu i ka dhënë këtij të dërguari të nderuar.
Nga bereqetet që i ka dhënë është: zbritja e sofrës nga qielli, në të cilën hëngrën populli i tij. I ka dhënë mundësi të ngjallë shpendë nga balta me lejen e All-llahut, i shëron memecët dhe të verbërit me lejen e All-llahut, i ngjalli të vdekurit me lejen e All-llahut, e në fund ngrihet për të zbritur përsëri në tokë, për të vënë drejtësi, e t’i japë fund padrejtësisë dhe fitneve. Të thyejë çdo kryq e të vrasë derrat, dhe se ai nuk është vrarë e as kryqëzuar sikur thonë të krishterët, porse All-llahu, subhanehu ve teala, e nderoi dhe e ngriti pranë Tij.
E ditën e gjykimit do të jetë dëshmitar kundër atyre të cilët gënjyen për të dhe shpifën ndaj tij.


Çështje të cilat sjellin bereqet:

I kemi shkurtuar këto në 16 pika:

1. Kur’ani:
All-llahu i Madhëruar e ka quajtur atë të bereqetshëm, ku ka thënë: “Ky është libër të cilin e kemi zbritur të bereqetshëm……”
Ndërsa Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë:
“Mos i bëni shtëpitë tuaja varre, shejtani largohet nga ajo shtëpi në të cilën lexohet sureja Bekare.” (Sahih el-Xhamia 7227)

2. Devotshmëria dhe imani:
Nuk ka dyshim se imani dhe devotshmëria janë nga çështjet që sjellin bereqet. All-llahu i Madhëruar thotë:
“Edhe sikur banorët e fshatrave të besonin e të bëheshin të devotshëm, do t’u hapnim atyre bereqet nga qielli dhe toka.”
Bashkëshorti gjen bereqet me devotshmërinë e tij në bashkëshorten, fëmijët dhe rizkun e tij.

3. Dhikri – Përmendja e All-llahut:
Në fillim të çdo pune përmendim All-llahun. Ka thënë Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem:
“Nëse futet njeriu në shtëpinë e tij, e përmend All-llahun e Madhëruar, gjithashtu edhe tek ushqimi i tij, thotë shejtani: nuk keni sot as vend për të fjetur e as darkë. E nëse futet në shtëpi e nuk e përmend All-llahun e Madhëruar, shejtani thotë: gjetëm vend të fjetjes; gjithashtu edhe tek ushqimi i tij, nëse nuk e përmend All-llahun, shejtani thotë: e gjetëm darkën.” (Sahih el-Kelim)

4. Grumbullimi rreth ushqimit:
Është bërë i bereqetshëm ai ushqim rreth të cilit grumbullohen njerëzit. Ka thënë, salallahu alejhi ve selem:
“Ushqimi i dy vetave mjafton për tre, e i tre vetave mjafton për katër.” (Sahih et-Tergib 2129)
E shohim këtë më shumë në iftarin e muajit Ramazan, për arsye se numri i të grumbulluarve shtohet.

5. Syfyri:
E kjo për thënien e të Dërguarit, salallahu alejhi ve selem:
“Me të vërtetë në syfyr ka bereqet.”
Bereqeti i kësaj është: shpërblimi i agjërimit, sevapi i madh, mbajtja e agjërimit me lehtësi dhe devotshmëri në adhurim të All-llahut.

6. Uji i zemzemit:
Ky burim i dalë nga brendësia e shkretëtirës, nga një tokë e thatë që nuk kishte asnjë lloj uji, e as ndonjë mal me burime afër. Asnjëherë nuk është ndërprerë.
Ka thënë për të Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem:
“All-llahu e mëshiroftë Umu Ismailin. Sikur të kishte lënë burimin Zemzem – apo ka thënë – sikur të mos e kishte mbledhur, do të ishte bërë burim i përhapur.” (Sahih el-Xhamia 8079)

7. Vaji i ullirit:
Pema e ullirit është pemë e bereqetshme. E ka thënë këtë All-llahu i Madhëruar në Kuran ku ka thënë në suren Nur:
“…E llamba e futur në një enë qelqi, ena e qelqit si të ishte yll që shkëlqen, e ndezur nga një pemë e bekuar, nga ulliri, as nga lindja e as nga perëndimi (nuk i merr rrezet), vaji i të cilit digjet vetvetiu edhe pse nuk e ka prekur zjarri fare.”
Ashtu sikur e dimë, vaji i ullirit është shërues i një sërë sëmundjesh.

8. Nata e Kadrit:
Çdokush prej nesh e di se çfarë bereqeti ka kjo natë. I mbledh pjesëtarët e familjes kujdestari i tyre, e u flet për bereqetin dhe dobitë e mëdha që ka kjo natë.
Ka thënë All-llahu i Madhëruar:
“Me të vërtetë Ne e zbritëm (Kuranin) në një natë të bereqetshme dhe Ne me të vërtetë ua kemi tërhequr vërejtjen.”

9. Dy festat e Bajrameve:
Të cilat fillojnë me faljen e namazit të Bajramit. E falënderojnë All-llahun për mirësitë e shumta që u ka dhënë, u jep bereqet në këto mirësi, ua shton e ua zgjeron ato.
Për këtë ka thënë Umu Atijeh, radiallahu anha:
“Ishim të urdhëruara që të dilnim ditën e Bajramit, edhe shërbëtoret, edhe femrat me të përmuajshmet, qëndrojnë pas njerëzve, bëjnë tekbir kur ata bëjnë tekbir, bëjnë dua kur ata bëjnë dua, shpresojnë bereqetin e kësaj dite dhe pastërtinë e saj.” (Sahih el-Bukhari)

10. Ushqimi hallall:
Ushqimi hallall është ushqimi më i mirë në të cilin All-llahu lëshon bereqet.
Ka thënë Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem:
“O ju njerëz! All-llahu është i Mirë dhe nuk pranon vetëm se të mirën.” (Sahih el-Xhamia 2744)
All-llahu i Madhëruar nuk lëshon bereqet në mallin haram dhe nuk u sjell pronarëve të tij gjë tjetër përveç fukarallëkut dhe pakësimit.

11. Shtimi i falënderimit:
E kjo është e qartë nga thënia e All-llahut të Madhëruar:
“…E po të falënderoni, padyshim Ne do t’ua shtojmë.”
E shtimi këtu përfshin çdo gjë: qoftë në pasuri, në shëndet, në jetë e të gjitha mirësitë e All-llahut, të cilat nuk kanë të numëruar e as që mbaron llogarimi i tyre.

12. Sadakaja:
Të cilën e shumëfishon All-llahu i Madhëruar nga dhjetë e deri në shtatëqind fish. E ia shumëfishon ende atij që do.
E nuk ka dyshim se sadakaja sjell bereqet në pasurinë e njeriut e shton atë.
Ka thënë All-llahu i Madhëruar:
“…Shembulli i atyre që shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugë të All-llahut është sikur shembulli i një fare, e cila çel shtatë kallinj, në çdo kallinj ka njëqind kokrra; All-llahu ia shton atij që do; All-llahu është i Gjithëdijshëm.”
Ka thënë Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem:
“Një e mirë është e barabartë me dhjetë të mira, deri në shtatëqind fish. Edhe e keqja, sikur kjo, vetëm nëse fal All-llahu për të.”

13. Respekti dhe vizita e të afërmve:
Siç ka thënë i Dërguari, salallahu alejhi ve selem:
“Vizita e të afërmve dhe morali i mirë i ndriçojnë shtëpitë dhe e shtojnë jetën.” (Sahih Tergib 2524)

14. Të zgjuarit herët:
E kjo kur njeriu zgjohet herët dhe i fillon punët e tij qysh në mëngjes.
Ka thënë i Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ve selem:
“I është dhënë bereqet umetit tim në të ngriturit herët.” (Sahih el-Xhamia 2841)

Shumë persona flasin për shkakun e suksesit të tyre në jetë, mbas ndihmës së All-llahut të Madhëruar, është kryerja e punëve të tyre qysh herët në mëngjes.

15. Martesa:
Edhe kjo është një nga shkaqet e sjelljes së bereqetit.
Disa nga të parët tanë të mirë (selefus-salih) kërkonin të martoheshin me qëllim që t’u shtohej rizku. Sepse ata e kuptuan këtë nga thënia e All-llahut të Madhëruar:
“E martoni nga mesi juaj ata që janë të pamartuar, martoni edhe salihunët (të përkushtuarit) dhe robët e robëreshat tuaja. Nëse janë të varfër, All-llahu do t’i pasurojë nga begatitë e Tij. All-llahu është i Gjithëdijshëm.”
Gjithashtu thënien e All-llahut të Madhëruar:
“Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e rizkut. Ne ju furnizojmë juve dhe ata.”

16. Planifikimi:
Si ka mundësi që ndonjëri të pengojë planifikimin, duke menduar se çdo gjë lehtësohet me bereqet?
A gjejmë sot ne familje që planifikojnë për të ardhmen e për të ardhmen e fëmijëve të tyre, apo thjesht i lënë çështjet ashtu?
Nuk ka dyshim se ne kemi nevojë ta rishikojmë këtë pikë. Kemi nevojë të planifikojmë e të përgatitemi për të ardhmen, e pastaj t’i mbështetemi All-llahut dhe të kërkojmë prej Tij, subhanehu ve teala, bereqetin.


Marrë nga: www.islamway.com
Përktheu: F. Gurra

Artikulli paraprakStatistikat e Mirëqenies Sociale, Maj 2025
Artikulli tjetërNjë shembull nga Kur’ani për paranë dhe pasurinë – Historia e Karunit