Kamata – Definicioni i saj dhe argumentet e qarta nga Kurani dhe Suneti që e ndalojnë

Definicioni i kamatës (norma e interesit) në Islam

“Sasia e tepërt të cilën e jep huamarrësi nga sasia që e ka marrur konform kushteve të caktuara.”

Shkruan: Mr. Bashkim ALIU

1 – DEFINICIONI I KAMATËS:

a) NË ASPEKTIN GJUHËSOR:
Pasi ne flasim për kamatën në këndvështrimin Islam, atëherë është e rrugës që të ndalemi së pari në kuptimin etimologjik të kamatës në gjuhën e Kur’anit-gjuhën arabe, sepse në këtë mënyrë do të mund ta kuptojmë edhe më mirë kuptimin e kamatës në terminologjinë e të drejtës Islame.
Kamatës në gjuhën arabe i thonë “er-riba”, ndërsa esenca e kësaj fjale në gjuhën arabe do të thotë shtim, teprim dhe rritje. Nga kjo i thonë edhe kodrinës “er-rebvu”, sepse është ngritur ma tepër se pjesa e rrafshtë e tokës. Në këtë kuptim e ka përmendur edhe Kur’ani famëlartë këtë fjalë. Allahu xh. sh. thotë: “E ti e sheh tokën e tharrë-të vdekur, e kur Ne ia lëshojmë asaj ujin ajo gjallërohet, shtohet dhe nga të gjitha llojet rritë bimë të këndshme”[1]. Pra, kur bie shiu shtohet bari dhe bimët tjera të tokës.

b) NË ASPEKTIN TERMINOLOGJIK:
Juristët Islam për kamatën kanë dhënë definicione të ndryshme, m’varsisht prej qëndrimeve të tyre se cilat gjëra përfshihen në kamatë dhe çka është motiv juridik i kamatës, por të gjitha sillen rreth kuptimit të pjesës së tepërt dhe të shtuar mbi sasinë reale të borxhit pa kompenzim.
Juristi i shquar Islam Ibn Kudame kamatën e definon se është: Shtim në gjëra të caktuara[2].
“Pra, jo çdo shtesë është kamatë sipas Islamit, e jo çdo shtesë në shitblerje është kamatë. Nëse të dy mallrat që shkëmbehen lejohet të ndërrohen me shtesë nuk ka asgjë të keqe. Nëse p.sh., shitet një makinë me dy makina nuk ka asgjë të keqe, ose p.sh., një libër me dy libra, sepse jo çdo shtesë konsiderohet kamatë, madje shtesa që konsiderohet kamatë është nëse marrëveshja midis palëve bëhet për të këmbyer dy gjëra ku shtesa e njërës prej tyre konsiderohet kamatë”[3].
Juristët e shkollës juridike hanefite kamatën e kanë definuar si vijon: “Sasi e tepërt e pasurisë pa kompenzim e cila është kushtëzuar për njërin transaksionues gjat ndrrimit të pasurisë me pasuri”[4].
Në ekonomi kamata definohet si vijon: Sasia e tepërt të cilën e jep huamarrësi nga sasia që e ka marrur konform kushteve të caktuara.

2 – STATUSI JURIDIK I KAMATËS NË ISLAM:

Kamata në Islam është e ndaluar-haram. Kjo dispozitë bazohet në argumente nga burimi i parë dhe më autoritativ i të drejtës Islame-Kur’ani famëlartë, pastaj në thënie të të dërguarit të Allahut Muhamedit s.a.v.s[5], apo në burimin e dytë të të drejtës Islame sunetin-traditën e të dërguarit të Allahut si dhe në koncenzusin e muslimanëve-ixhmanë.
Edhe nëse kanë polemizuar dijetarët Islam për disa forma të transaksioneve se a janë kamatë apo jo, por ata aspak nuk e kan kontestuar faktin se kamata është e ndaluar-haram.

2. 1. ARGUMENTET E KUR’ANIT:

Për ndalueshmërinë e kamatës në Islam dëshmon Kur’ani famëlartë dhe kjo shihet në ajetet[6] vijuese:
2.1.1. “Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngriten ndryshe vetëm se si ngritet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit. Këtë ngase ata thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata!” e Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit ku do të mbesin përgjithmonë. Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëpremë e mëkatar”[7].
Ky ajet është tekst i qartë në ndalimin e kamatës duke mos bërë dallim ndërmjet sasisë së madhe dhe të vogël të kamatës. Poashtu, ajeti në fjalë e demanton thënien e idhujtarëve se kamata është një formë e shitblerjes apo tregtisë, për atë pse të jetë haram, sipas tyre!? Mirëpo, Allahu xh. sh. në këtë ajet bëri me dije se Ai e lejoi shitblerjen dhe tregtinë legale, por e ndaloi kamatën e cila është padrejtësi ndaj njerëzve dhe nuk është ashtu thjesht siç pretendon dikush si transaksionet tjera ekonomike.
Në këtë ajet të ndershëm përbuzen krerët e kamatës duke e shembëlluar gjendjen e tyre kur do të ringjallen prej varreve të tyre ditën e gjykimit me gjendjen e ngritjes së të çmendurit të cilin e ka prekur djalli. Nuk ka dyshim se ky cilësim dhe shembëllim i protagonistëve të kamatës është nënçmim dhe qortim i rreptë i tyre për këtë veprim. Ibn Abbasi thotë: “Ai që e ha kamatën do të ngritet ditën e gjykimit i çmendur e i ngulfatur”[8].
Allahu xh. sh. në këto ajete poashtu tregoi se Ai është në ndihmë të besimtarëve të sinqertë të cilët e ndjekin rrugën e Allahut të madhërishëm dhe të cilët kur u vin një urdhër prej Tij, ata me plotë bindje i nënshtrohen urdhërit dhe e zbatojnë atë urdhër me shpejtësi. Në të njejtën kohë, Allahu xh. sh. u kërcënohet me dënim të rëndë atyre që e marrin kamatën pasi e njohën se Allahu e ka ndaluar këtë.
Allahu xh. sh. në këto ajete tregoi se kamata është diçka e kalueshme dhe jo stabile, nuk ka jetë të gjatë në dorë të krerëve të kamatës sepse Allahu e zhduk kamatën, “qoftë përmes eliminimit të plotë të saj nga dora e kamatdhënësit, apo përmes privimit të bereqetit të pasurisë së marrë nga kamata”[9].

2.1.2. “O ju që besuat, kinie frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqert, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E nëqoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj, askë nuk e dëmtoni, as vetë nuk dëmtoheni”[10].
Ky ajet është argument i qartë për ndalimin e kamatës sepse ky ajet kërkon në mënyrë imperative të lehet kamata, ndërkaq mënyra imperative tregon se një veprim është i domosdoshëm, gjegjësisht domosdoshmëria e lënies së transaksioneve me kamat, apo braktisjen e kamatës.
Për ndalimin e kamatës, flet edhe fakti se ky ajet përmban kanosje të fortë dhe kërcënim të madh për ata që vazhdojnë të punojnë me kamatë pasi e kupton se kamata është haram. Kërcënimi i këtillë i ashpër drejtohet vetëm për veprat të cilat janë të ndaluara-haram sipas sheriatit. Transmentohet se Ibn Abbasi përkitazi me këtë ajet ka thënë: “Ditën e gjykimit do t’i thuhet atij që e han kamatën: Merre armën tënde për luftë, pastaj lexoi: “E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij””[11].
Në lidhje me këtë ajet, apo më saktë thënë në lidhje me luftën e konfliktin e shpallur nga ana e Allahut për kamatmarrësit, komentatori bashkëkohor i Kur’anit Sejjid Kutbi-Allahu e mëshiroftë, thot: “Leja për luftë nga Allahu dhe i dërguari i Tij është më përfshirëse se luftimi me shpatë e top nga imami(pushtetari). Kjo luftë i është shpallur-siç tha Treguesi më i vërtetë- çdo shoqërie e cila kamatën e ka bërë bazë të sistemit të vet ekonomik dhe social. Kjo luftë është shpallur në formën e saj të gjithanshme, përfshirëse dhe masive. Luftë mbi nervat dhe zemrat, luftë kundër bereqetit dhe mirëqenies, luftë kundër lumturisë dhe rehatisë. . . Luftë e ngacmimit dhe grindjes, luftë e mashtrimit dhe shtypjes, luftë e mërzisë dhe frikës. . . Luftë rrënuese dhe asgjësuese e cila ngritet dhe rritet për shkak të sistemit të mallkuar kamator. . . Kamatëmarrësit të cilët janë pronar të kapitalit botërorë, janë pikërisht ata të cilët i ndezin këto luftëra në mënyrë direkte apo indirekte. . . Kjo luftë është gjithmonë e ndezur. Atë Allahu ua ka shpallë atyre që merren me kamatë. Ajo veç është e shpallur dhe tani po e hanë të njomën e të thatën në jetën e lajthitur njerëzore. “[12].

2.1.3. “O ju të cilët besuat, mos e hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin e) Allahut ashtuqë të gjeni shpëtim. Dhe ruajuni zjarrit që është përgatitur për pabesimtarët”[13].
Ajeti tekstualisht dëshmon për ndalimin e ngrënies së kamatës së shumëfishuar ashtu që shpëtimi u kushtëzua me të paturit frikë nga Allahu për ngrënien e kamatës.
Komentatori i shquar i Kur’anit Fahrudin Er-Razi përkitazi me këtë ajet thotë: “Dije se të paturit frikë Allahun në këtë ndalesë është i domosdoshëm ndërkaq shpëtimi mvaret prej kësaj. Për atë, nëse e han kamatën dhe nuk frikohet, atëherë nuk ka shpëtim dhe kjo është fakt se kamata është prej mëkateve të mëdha e jo të vogla”[14].
Për sa i përket fjalës: “që e shumëfishoni”, komentatorët e Kur’anit kanë përmendur dy variante: a-Shumëfishimi përmes prolongimit afat pas afati ashtu që çdo afat ka këstin e shtimit mbi kryet e pasurisë;b-Sasia me të cilën i shtojnë pasuritë e tyre[15].
Këtu duhet përmendur edhe atë se disa njerëz duke u thirrur në këtë ajet, apo thënë më saktë në fjalën”të shumëfishuar”, kanë pretenduar se e ndaluar është vetëm kamata e shumëfishuar, por jo edhe kamata e vogël.
Mirëpo, duhet theksuar se pretendimi i tyre është i gabuar dhe nuk qëndron assesi, sepse ajeti në fjalë nuk dëshmon për atë që pandehën ata duke u bazuar në faktet vijuese:
A) “që e shumëfishoni”, thjesht përshkruan realitetin e atëhershëm ekziatues në këtë drejtim, e nuk është për ta precizuar ndalesën, gjegjësisht për të precizuar se e ndaluar është kamata e shumëfishuar. Njëri nga komentatorët e vonshëm dhe të njohur të Kur’anit, imam Esh-Sheukani thotë: “Fjalët “që po e shumëfishoni”, nuk është për ta precizuar ndalesën që është mëse e njohur se kamata është e ndaluar në çdo sasi, por ka ardhur në kontekst të asaj që ka qenë zakon atëbotë në kamatë. Kjo, ngase ata jepnin borxh me kamatë deri në një afat të caktuar, e kur të skadonte afati, e shtonin një sasi të caktuar që e pranonin të dy palët me kusht që tu shtihet afati i pagesës së borxhit. Këtë e bënin disa herë rreshtazi ashtu që huadhënësi me kamatë merrte sasi të shumëfishuar nga ajo reale e borxhit që e kish dhënë në fillim. Shprehja e hiperbolizuar në këtë ajet flet për shkallën e kërcënimit”[16].
Juristi i njohur Islam i kohës tonë Dr. Vehbe Ez-Zuhajli përkitazi me këtë thotë: “Nga ajo që u përmend, e me theks të veçant nga fjalët e të lartmadhrishmit në ajet: ” atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj. . . “, kuptohet se kamata-edhe nëse është në sasi të paktë psh. , 1%, apo 5%, apo 7%- fetarisht është e ndaluar, qoftë se i referohet kamata inidividit, bashkësisë, kompanisë apo shtetit. Ndërkaq ata që bazohen në ajetin: “. . . mos e hani kamatën që po e shumëfishoni”[Kaptina Ali Imran, 130], për ta legalizuar kamatën në sasi të vogël, është argument i pa qëndrueshëm sepse ky ajet ka zbritur në etapën e tretë e ndalimit të kamatës, pastaj u derogua me ajetin: “. . . dhe e ndaloi kamatën. . . “, i cili është prej ajeteve të fundit që ka zbritur për kamatën. Poashtu, atributi “që po e shumëfishoni” nuk është kusht, por është për të treguar realitetin ekzistues te arabët injorant në mënyrë përbuzëse dhe refuzuese, poashtu. Poashtu, ndalimi i kamatës, qoftë në sasi të madhe apo të vogël, qoftë për konsumim apo për prodhim e investim, është e konstatuar me koncenzusin e muslimanëve, sepse lejimi i sasisë së vogël të kamatës është rrugë për sasinë e madhe”[17].
B) Ka edhe shumë argumente tjera të cilat flasin për ndalimin e kamatës, qoftë në sasi të madhe apo të vogël, fjala vjen si ajeti: ” O ju që besuat, kinie frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqert, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. . . “, dhe ajeti: ” E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj, askë nuk e dëmtoni, as vetë nuk dëmtoheni”.
Këto dhe ajete tjera flasin për obligueshmërinë e braktisjes së kamatës pa marrë parasyshë a është në sasi të madhe apo të vogël.
C) Në Islam ajo që është e ndaluar në sasi të madhe, poashtu është ndaluar edhe në sasi të vogël, fjala vjen si alkooli, po kështu është edhe kamata [18]

2.1.4. “Dhe për shkak të mizorisë së atyre, që ishin jehudi, dhe për shkak se penguan shumë nga rruga e Allahut, Ne ua ndaluam (ua bëmë haram) disa (lloje ushqimesh) të mira që u ishin lejuara. Edhe për shkak të marrjes së kamatës edhe pse e kishin të ndaluar atë dhe ngrënies së pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë. Ne kemi të përgatitur dënim të mundimshëm për ata që nuk besuan prej tyre”[19].
Allahu xh. sh. në këtë ajet tregon se ua ka ndaluar ebrejve kamatën, poashtu ia ka ndaluar edhe kësaj popullate-muslimanëve. Në ajet qortohen ata të cilët e hanë kamatën dhe kërcënohen se për ata është përgatitur dënim i mundimshëm.

“Dhe çka të jepni nga pasuria për ta shtuar e rritur (me kamatë), në pasurinë e njerëzve, ajo nuk do të shtohet tek Allahu, e çka të jepni nga sadakaja (bamirësia) me qëllim që t’i afroheni Allahut, të tillët janë ata që u shumëfishohet (shpërblimi)”[20].
Ajeti në fjalë flet për atë se ai që i jep dikuj një sasi pasurie me qëllim që kjo sasi t’i kthehet ma tepër se sa që e ka dhënë, gjegjësisht të përfiton prej tyre pa mund dhe pnunë. Ky person nuk ka shpërblim te Allahu dhe Allahu xh. sh. nuk pajtohet me nji veprim të këtillë për atë edhe ndaloi një veprimtari të këtillë të flliqt. Edhe pse ky ajet tekstualisht nuk argumenton ndalueshmërinë e kamatës në mënyrë të prerë, në anën tjetër konsiderohet prolog për ndalimin përfundimtar të kamatës pasi që i përbuzi qartë ata të cilët e hanë kamatën.

2. 2. ARGUMENTET E SUNETIT:

Suneti-tradita i të dërguarit të Allahut xh. sh. është përplotë argumente të cilat e dëshmojnë faktin se kamata është e ndaluar në Islam. Këto hadithe në disa forma e shprehin ndalueshmërinë e kamatës në Islam, e në përgjithësi mund të ndahen në tre grupe:
a) Hadithe të cilat flasin për ndalimin e kamatës në përgjithësi;
b) Hadithe të cilat flasin për ndalimin e kamatës së xhahilijetit-injorancës në veçanti;
c) Hadithe të cilat flasin për ndalimin e kamatës së shitblerjes-buju’ë.
Poqese fillojmë t’i renditim hadithet të cilat e përbuzin kamatën në tërësi, do të na duhej mjaft kohë dhe hapësirë, e ne me këtë rast do të përmendim vetëm disa prej tyre sa për ilustrim duke vënë theks në hadithet të cilat dëshmojnë për statusin juridik të kamatës në Islam.

1) Xhabiri r. a. thotë: “I dërguari i Allahut e mallkoi atë që e ha kamatën, atë që e jep, atë që e shkruan aktin e kamatës dhe dëshmitarët, dhe tha: “Të gjithë këta janë të barabartë”[21].
Të argumentuarit e hadithit për ndalimin e kamatës është shumë i qartë sepse i dërguari i Allahut nuk mallkon për një vepër e cila nuk është e ndaluar dhe nuk sjell mëkat, por pasi vepra e tillë është haram dhe mëkat, i dërguari i Allahut ndaloi duke i mallkuar ata që e bëjnë këtë vepër.
Ky hadith, sikur që shihet, i përfshinë të gjitha palët në mallkim, edhe atë që e jep po edhe atë që e merr, edhe atë që e shkruan edhe atë që dëshmon për këtë kontratë.
Mirëpo, nga ky rregull i përgjithshëm bëjnë përjashtim ata që japin kamatë në borxhin që e kanë marrë prej tjetrit, nëse detyrohen që të huazojnë me kamatë për raste të domosdoshme jetike dhe nuk gjejnë asnji i cili do tu japë borxh pa kamatë. Në këtë rast ai që jep kamatë në borxhin e marrë prej dikujt, insha Allah nuk përfshihet në këtë mallkim sepse për një gjest të këtillë ka qenë i detyruar nga kërkesat kryesore jetike.
Në lidhje me këtë dijetari shquar Islam i këtij shekulli Dr. Jusuf El-Kardavi thotë: “Në qoftë se ndokush është i obliguar të marrë hua me kamatë për arsye jetike, atëherë mëkatar është vetëm ai që huazon me kamatë:
1. Këtë e kushtëzon nevoja e vërtetë, e jo vetëm qëllimi për diçka më luksoze. Nevoja duhet të jetë aq e domosdoshme saqë pa të mund të shkatërrohet, si psh. ushqimi, veshmbathja dhe ilaçet.
2. Lejimi vlen aq sa ka nevojë, p.sh. në qoftë se mjafton nëntqind dinarë, nuk lejohet të merren njëmijë dinarë hua.
3. Njeriu duhet të orvatet maksimalisht që të largohet nga kriza materiale nëpërmjet metodave të tjera, e vëllezërit musliman obligohen që t’i ndihmojnë. Nëse nuk ka kurrfarë mundësie tjetër, atëherë të marrë pa e tepruar dhe pa e kapërcyer nevojën. Zoti mëshiron dhe falë!
4. Nëse vepron kështu, atëherë le të mos kënaqet por ta urrejë mënyrën e tillë derisa Zoti t’i sigurojë ndonjë rrugëdalje”[22].

2) Ebu Hurejre r.a. transmenton se i dërguari i Allahut s. a. v. s. ka thënë: “Largohuni prej shtatë mëkateve shkatërruese. I thanë: O i dërguar i Allahut, cilat janë këto mëkate? (Ai) Tha: “Përshkrimi i Zotit shok(shirku), magjia(sihri), mbytja e njeriut që e ka ndaluar Allahu me përjashtim nëse këtë e kërkon drejtësia(e fesë), keqpërdorimi(ngrënia) i pasurisë së jetimit, ngrënia e kamatës, ikja nga fushbeteja dhe shpifja ndaj grave të ndershme besimtare”[23].
Hadithi në fjalë argumenton se kamata është e ndaluar sepse i dërguari i Allahut i urdhëroi muslimanët që të largohen nga kamata, e kjo është më fuqishme se thjesht vetëm ndalimi. Poashtu, i dërguari i Allahut s. a. v. s. konfirmoi se kamata është prej mëkateve të mëdha të cilat janë shkatërruese për njeriun i cili e bën mëkatin e tillë, dhe kamata në këtë hadith renditet pranë mëkateve tjera të rrezikshme si: magjia, vrasja, keqpërdorimi i pasurisë së jetimit etj. Fakti se kamata është prej mëkateve të mëdha, mjafton si dëshmi për ndalueshmërinë e saj në Islam.

3) Ebu Hurejre r. a. transmenton se i dërguari i Allahut s. a. v. s. ka thënë: “Kamata është mishërim i shtatëdhjetë lloje mëkatesh, më e lehta është që ta martojë njeriu nënën e vet”[24].
Ky hadith largon nga kamata dhe e bën njeriun që të jetë alergjik e mjaft i ndieshëm ndaj kësaj duke e krahasuar kamatën me martesën e njeriut nënën e vet, edhe atë këtë e paraqet si mëkat më të lehtë. Mendoj se ilustrimi i mëkatit të kamatës me këtë ndalesë, gjegjësisht martesën e njeriut nënën e vet, mjafton dëshmi për tu kuptuar pozita e kamatës në Islam.

4) Semure ibn Xhundub transmenton se i dërguari i Allahut s. a. v. s. ka thënë: “Kam parë natën e (Miraxhit) dy njerëz (meleq). Erdhën dhe më nxorën në tokën e shenjtë. Pastaj u nisëm dhe arritëm te një lumë prej gjaku. Në këtë (lumë) qëndronte një njeri. Ai qëndronte në mes të lumit, e në (breg të lumit) qëndronte një njeri tjetër, përpara të cilit gjindeshin gurë. Sa herë njeriu, i cili gjindej në mes të lumit, tentonte të dalë, njeriu (nga bregu i lumit) e gjuante me gurë në gojë dhe e kthente në vendin ku qëndronte. Kështu vepronte sa herë që dëshironte të dalë, e gjuante me gurë në gojë dhe njeriu kthehej përsëri aty ku qëndronte.
Pyeta: Kush është ky?
(Meleku) M’u përgjegj: Ai që gjendet në mes të lumit është njeriu që ka ngrënë kamatën”[25].
Hadithi në fjalë flet për rrezikun e kamatës si mëkat duke nisur nga fakti se i dërguari i Allahut dënimin e atij që e han kamatën e pa në miraxh.

5) Ibn Mes’udi transmenton prej të dërguarit të Allahut s. a. v. s. se ka thënë: “Çdo një që merr kamatë shumë, në fund përsëri pasuria do t’i pakësohet”[26].
2. 3. TË ARGUMENTUARIT E IXHMASË-KONCENZUSIT:

Para se të tregojmë se kamata është e ndaluar edhe me pëlqimin e gjithë muslimanëve, duhet të themi disa fjalë për këtë argument të të drejtës Islame-Ixhmanë.
El-Ixham në gjuhën arabe ka dy kuptime: a) vendosmëria për diçka; b) pëlqimi unanim.
Ndërkaq në aspektin terminologjik, el-ixhma është: “Pëlqimi i njëzëshëm i ekspertëve Islam-muxhtehidëve të popullit të Muhamedit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] pas vdekjes së tij në ndonji periudhë kohore për një dispozitë juridike Islame”[27].
Dijetarët e Ehli Sunetit janë të mendimit se Ixhmaja-Koncenzusi është argument legjitim i sheriatit-të drejtës Islame, dhe këtë konstatim e mbështesin në argumente të shumta të Kur’anit dhe Sunetit.
Nisur nga kjo, gjithë muslimanët janë unanim në konstatimin se kamata në tërësi është e ndaluar-haram. Këtë koncenzus të muslimanëve e kanë përcjellur disa dijetar. Dijetari i shquar El-Maverdi thotë: “Muslimanët janë unanim në ndalimin e kamatës në bazë të argumenteve në Kur’anit, sunetit dhe koncenzusit, edhe pse kanë patur dallime në disa çështje periferike dhe në mënyrën e ndalimit të saj, saqë thuhet se Allahu xh. sh. nuk e ka lejuar në asnji ligj prostitucionin dhe kamatën, në të cilën gjë aludon ajeti: ” Edhe për shkak të marrjes së kamatës edhe pse e kishin të ndaluar atë. . . “, gjegjësisht në librat e më parshme”[28].

www.bashkimaliu.com


1 Kaptina El-Haxhxh, 5.
2 Shih: El-Mugnij, vëll. V, fq. 421.
3 „Komenti i Shejh Ibnu Uthejminit mbi kapitullin e kamatës dhe këmbimit monetar, në librin Esh-Sherh El-Mumti ala Zad El-Mustekni me autor Musa Bin Ahmed El-Makdesi”, Kamata lufta me Allahun, fq. 64.
4 El-Kasanij, Bedai’ es-sanai’, vëll. VII, fq. 46.
5 S. A. V. S. [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]- shkurtesë që do të thotë: Paqa dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të. Përdoret kur përmendet emri i të dërguarit të fundit të Allahut Muhamedit s. a. v. s.
6 Përkthimi i ajeteve është marrë nga: Kur’ani, përkthim me komentim në gjuhën shqipe. Përktheu dhe komentoi Sherif Ahmeti.
7 Kaptina El-Bekare, 275-276.
8 Cituar sipas: Ibn Kethir, Tefsiru-l-Kur’ani-l-adhim, vëll. I, fq. 308.
9 Shih: Ibn Kethir, Tefsiru-l-Kur’ani-l-adhim, vëll. I, fq. 309, dhe Ali Sabuni, Revaiu-l-bejan, vëll. I, fq. 359.
10 Kaptina El-Bekare, 278-279.
11 Cituar sipas: Ibn Kethir, burimi i përmendur, vëll. I, fq. 312.
12 Sejjid Kutub, Kamata në pikëvështrimin Kur’anor, fq. 54, 55.
13 Kaptina Ali Imran, 130-131.
14 Shih: Et-Tefsiru-l-kebir, vëll. IX, fq. 3.
15 Shih: Ebu Bekër El-Xhassas, Ahkamu-l-Kur’an, vëll. II, fq. 37.
16 Shih: Tefsiru Fet’hi-l-Kadir, vëll. I, fq. 567.
17 Dr. Vehbe Ez-Zuhajli, El-Mua’melat el-malijje el-mua’sire, fq. 247.
18 Shih: Dr. Refik El-Misrij, El-Xhamiu fi usulir-riba, fq. 260.
19 Kaptina En-Nisaë, 160-161.
20 Kaptina Er-Rrum, 39.
21 Hadithin e transmenton Buhariu në Sahihun e tij prej Ebu Xhuhfes, Kitabu-l-bujuë, babu: Mukilur-riba. Shih: Ibn Haxher El-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll. IV, fq. 368, hadithi nr. 2086; dhe Muslimi në Sahihun e tij, itabu-l-musakat, babu: Lea’ne akilur-riba ve mukilehu. Teksti i përmendur është transmentim i Muslimit. Shih: Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll. XI, fq. 22, hadithi nr. 1598.
22 Shih: Hallalli dhe Harami në Islam, fq. 240.
23 Hadithin e transmenton Buhariu në Sahihun e tij, kitabu-l-hudud, babu: Men edhhere el-fahishe ve et-tuhme bigajri bejjine. Shih: Ibn Haxher El-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll. XII, fq. 188, hadithi nr. 6857; dhe Muslimi në Sahihun e tij, kitabu-l-iman, babu: Bejanu-l-kebair ve ekberiha. Shih: Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll. II, fq. 70, hadithi nr. 145.
24 Hadithin e transmenton Ibn Maxhe në koleksionin e tij „Es-Sunen”, kitabu et-tixharat, babu: Et-Teglidh fi er-riba. Hadithin e vlerëson të saktë-sahih hadithologu i njohur Muhamed Nasiruddin Albani. Shih: Sahihu Sunen Ibn Maxhe, vëll. II, fq. 27, hadithi nr. 1844.
25 Hadithin e transmenton Buhariu në Sahihun e tij, kitabu-l-bujuë, babu: Akili er-riba, ve shahidihi ve katibihi. Shih: Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, vëll. V, fq. 264.
26 Hadithin e transmenton Ibn Maxhe, kitabu et-tixharat, babu: Et-Teglidh fi er-riba. Hadithi është i saktë-sahih. Shih: Sunen Ibn Maxhe, fq. 245.
27 Shih: El-Muëxhemu-l-vesit, vëll. I, fq. 135, El-Xhurxhani, Et-Taërifat, fq. 10, Dr. Vehbe Ez-Zuhajli, Usulu-l-Fikhi-l-Islamij, vëll. I, fq. 490.
28 El-Havi El-Kebir, vëll. V, fq. 74. Poashtu, shih për përcjelljen e koncenzusit: Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll. XI, fq. 8, dhe Ibn Kudame, El-Mugnij, vëll. VI, fq. 52, dhe Es-Sana’ni, Subulus-selami sherhu bulugu-l-merami, vëll. III, fq. 65.

mare nga/ mesazhi(pik)com

Artikulli paraprakARMËT FINANCIARE TË SHKATËRRIMIT NË MASË
Artikulli tjetërBASHKIMI ARIT ME ARGJEND NË ZEKAT – Hoxhë Irfan Salihu