Thellimi i promovimit të harmoniës dhe integrimit global, duke shtuar një dimension moral në shoqëri dhe ekonomi në mbarë botën, mund të sjellë një kontribut të rëndësishëm. Nëse çdo vend përpiqet t’i shërbejë vetëm interesave të vet, çfarë mund të ndodhë? Ndoshta ndonje situatë si bombardimi i një vendi për të kontrolluar burimet e tij të naftës dhe për të përdorur të ardhurat nga nafta e atij vendi për të marrë kontrata për rindërtimin e tij që është shkatërruar qëllimisht dhe pa mëshirë.
Theksi që po i vihet tani promovimit të zhvillimit të të gjitha shteteve për të eleminuar varfërinë dhe minimizuar papunësinë është shumë i mirëpritur. Megjithatë, norma e kursimeve në mbarë botën ka rënë ndjeshëm në çdo vend, si në ato të zhvilluara ashtu dhe në ato në zhvillim. Kjo nuk do të thotë se rënia e normës së kursimeve është shkaku i vetëm i papunësisë. Megjithatë, është një nga shkaqet kryesore. Nëse norma e kursimeve rritet, mund të jetë e mundur të nxisim investimet pa krijuar presione inflacioniste. Kjo duhet t’i ndihmojë të gjitha vendet në mbarë botën të rrisin punësimin dhe të minimizojnë krimin, tensionet dhe pasigurinë sociale. Është dimensioni moral që mund të na ndihmojë ta arrijmë këtë. Nëse vazhdojmë me theksin e tepërt aktual në shërbimin e interesave të vetes dhe injorojmë rolin e vlerave morale në shpërndarjen dhe alokimin e burimeve, atëherë krimi, tensionet dhe pasiguria sociale do të vazhdojnë të rriten pa pushim.
Futja e një dimensioni moral është gjithashtu jashtëzakonisht erëndësishme për promovimin e harmoniës familjare dhe shoqërore. Pa këtë, siç u theksua më herët, as tregu, as shoqëria dhe as qeveria nuk mund të funksionojnë efektivisht. Nëse anëtarët e familjes nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë për njëri-tjetrin, familja nuk mund të mbetet e integruar. Këtë mund ta shohim të ndodhë në botën perëndimore, në mënyrë të ndjeshme më shumë se në vendet e tjera. Francis Fukuyama e përmend këtë fenomen si “shkatërrimin e madh” në librin e tij, The End of Order (1997). Nëse familjet bëhen të çintegruara, atëherë fëmijët nuk janë në gjendje të marrin dashurinë dhe afeksionin dhe llojin e edukatës që të dy prindërit mund t’u ofrojnë fëmijëve të tyre. Statistikat tregojnë se fëmijët nga familje të prishura nuk janë në gjendje të përfundojnë shkollën dhe, nëse e përfundojnë shkollën, nuk janë në gjendje të mbarojnë kolegjin dhe universitetin. Kështu, nëse cilësia e elementit njerëzor bie në çdo shoqëri, ajo shoqëri mund të mos jetë në gjendje të bëjë një përparim të rëndësishëm në zhvillim, pa përmendur realizimin e dëshirës për të arritur ose ruajtur supremacinë në fushat e shkencës dhe teknologjisë.
Një sërë faktorësh, ekonomikë, moralë, shoqërorë, psikologjikë, politikë dhe historikë, ndikojnë në alokimin dhe shpërndarjen e burimeve, që është shqetësimi kryesor i ekonomisë. Prandaj, është një gabim të merren parasysh vetëm variablat ekonomikë dhe të injorohen variablat e tjerë. Nga të gjithë këto variabla, ato moralë janë të veçantë për rëndësinë e tyre për shkak të ndikimit të konsiderueshëm që kanë në sjelljen njerëzore në përgjithësi dhe shijet dhe preferencat në veçanti.
Nëse kërkohet mirëqenia e të gjithë njerëzve pavarësisht nga mungesa relative e burimeve, atëherë nuk ka asnjë mundësi tjetër përveçse të injektohet një dimension moral në ekonomi dhe gjithashtu të adoptohet një analizë multidisiplinare. Qasja aktuale sekulare, bashkë me theksin kryesor vetëm në variablat ekonomikë, mund të mos na ndihmojë të realizojmë qëllimin e sigurimit të mirëqenies për të gjithë. Kjo përfshin mirëqenien e madhe të kafshëve, zogjve dhe insekteve. Këta përbëjnë një pjesë thelbësore të një mjedisi të shëndetshëm dhe kujdesi për ta është thelbësor për realizimin e mirëqenies njerëzore.
Umer Chapra