Çdo epokë ka praktikat dhe steriotipet e veta. Në kohët bashkëkohore, “globalizimi” duket se është bërë një i tillë, të paktën një pjesë e konsiderueshme e komunitetit intelektual dhe politik të botës mendon kështu. Megjithë rezervat, zhvillimet e dy dekadave të fundit sugjerojnë se globalizimi nuk duket më të jetë thjesht një praktikë apo një steriotip, ai po merr pozicionin e një kuadri për një riorganizim të botës. Si i tillë, është detyrë e umetit mysliman në veçanti dhe e popujve të botës së tretë në përgjithësi që të kenë një kuptim më të thellë të asaj që po ndodh. Ata duhet të jenë në gjendje të ndajnë thelbin nga mbeturinat; të identifikojnë ato aspekte të globalizimit që janë të dobishme, dhe si të tilla të dëshirueshme dhe të pranueshme, dhe ato që janë të dëmshme dhe që duhet të kundërshtohen, modifikohen ose përshtaten me kushtet, nevojat dhe aspiratat e tyre. Pretendimi për pashmangshmëri dhe universalitet duhet të merret me rezervë. Megjithatë, përgjigja duhet të jetë pozitive dhe krijuese, pasi izolimi dhe vetë mjaftueshmeria nuk janë opsionet më të mira.
Globalizimi nuk është diçka e re. Sa i përket umetit mysliman, ekzistenca e tij bazohet në disa vlera universale, parime besimi dhe parime, të cilat ofrojnë themelet intelektuale dhe konceptuale për globalizimin. Myslimanët besojnë në Allahun, Zotin e botëve dhe Krijuesin e qiejve dhe të tokës. Ata besojnë në të gjithë Profetët e Allahut dhe Kurani dëshmon se këta Profetë dhe pasuesit e tyre i përkasin një umeti.
Kurani e bën shumë të qartë se, edhe pse njerëzit janë ndarë në fise dhe kombe – diçka natyrore dhe e pashmangshme – kjo është bërë vetëm për njohje të ndërsjellë. Të gjithë njerëzit, racat dhe grupet etnike janë të barabartë dhe e vetmja bazë për epërsi, madhështi dhe udhëheqje është përsosmëria morale. Kurani thotë: “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj dhe fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush te Allahu është ai që është më i devotshmi. Allahu është i Gjithëditur, i Mirinformuar” (49:13).
Prandaj struktura konceptuale e Islamit dhe umetit mysliman, madje edhe sipas përkufizimit të saj, ka një dimension global. Në fakt, mund të thuhet me të drejtë se Islami ofron, në mënyrë të përkryer, themelet intelektuale dhe morale për një strukturë konceptuale të përshtatshme dhe të qëndrueshme për globalizimin duke e udhëhequr atë në drejtimin e duhur, për të siguruar barazi dhe drejtësi për të gjithë.
Historikisht, umeti mysliman është shembulli më i mirë i një komuniteti universal. Që nga përmbytja në kohën e Profetit Nuh a.s deri në ditët tona, përhapja e këtij umeti ka qenë dhe mbetet globale. Sot, ekzistojnë rreth 57 shtete të pavarura myslimane të banuara me nga 900 milionë njerëz, dhe mbi 400 milionë myslimanë të tjerë janë të shpërndarë në pjesët e tjera të botës. Si pasojë, në çdo pjesë të botës ka një prani myslimane – në shumicën e rasteve, një prani mjaft domethënëse.
Globalizimi si një proces politik, ekonomik, kulturor dhe teknologjik nuk është shumë i ri. Gjatë historisë ka pasur valë globalizimi, ku mjetet kryesore për këtë proces kanë qenë migrimi, tregtia dhe pushtimet. Ajo që është vërtet e re në kohët tona, megjithatë, është shtrirja, diapazoni, shpejtësia dhe, më në fund, struktura që do ta mbushë tendencën aktuale drejt integrimit global me karakteristika të liberalizimit, deregulimit, privatizimit dhe kontureve hegjemoniste të kapitalizmit dhe të fuqisë amerikane. Këta faktorë të kombinuar e bëjnë globalizimin e sotëm, në një masë të madhe, një fenomen unik. Në këtë kontekst kufijtë e kohës dhe hapësirës po zhduken dhe e gjithë bota, dashur pa dashur, po bëhet një qytet global.
Aspektet më domethënëse të fazës bashkëkohore lidhen me revolucionet në teknologjitë që kanë të bëjnë me transportin dhe komunikimin, veçanërisht me proceset e transferimit të menjëhershëm të informacionit. Ndërveprimet dhe vendimmarrjet e shpejta globale përmes sistemeve të reja të informacionit po kanë efekte të thella në të gjithë matricën e marrëdhënieve botërore, duke përfshirë lëvizjen e mallrave, shërbimeve dhe rrjedhën financiare. Këto përfaqësojnë zhvillime me pasoja të thella, morale, ideologjike, ekonomike, kulturore dhe politike.
Duke pasur parasysh paradigmën dominuese të fuqisë dhe civilizimit, Amerika dhe Europa mbeten aktorë kryesorë në ndërtimin e këtij rendi të ri botëror. Fuqia ushtarake amerikane dhe shtrirja e saj, ndikimi politik, forca ekonomike, komandimi mbi teknologjinë dhe pothuajse kontrolli total mbi mediat, duke u afruar me kontrollin virtual të mendimeve, i kanë dhënë globalizimit një identitet të veçantë euro-amerikan. Në emër të promovimit të liberalizimit, privatizimit, ekonomisë së tregut dhe modernizimit, po vendoset dominimi i normave perëndimore, i sistemeve të vlerave të jetës, i institucioneve socio-ekonomike dhe, në fund, i interesave politike dhe ekonomike në të gjithë botën. Krahas aktorëve shtetërorë, në fushë janë edhe tre aktorë të tjerë të fuqishëm, të cilët janë:
Korporatat shumëkombëshe,
OJQ-të ndërkombëtare dhe
Mediet.
Së bashku, ata po luajnë një rol vendimtar në sjelljen e asaj që mund të përshkruhet si shfaqja e një hiper-imperializmi, të cilit i është dhënë një emër i butë: ‘globalizimi.’
Nuk ka asgjë të gabuar me globalizimin në vetvete; megjithatë, kur injorohen realitetet thelbësore që përbëjnë kontekstin e globalizimit, lindin probleme serioze. Një qasje e mençur dhe e ndershme nga udhëheqja myslimane ndaj adresimit të këtyre realiteteve është e domosdoshme. Kjo qasje duhet të fokusohet në identifikimin e zgjidhjeve të drejta dhe të qëndrueshme që do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe në zbutjen e vuajtjeve të atyre që janë të prekur nga këto procese të globalizimit dhe ndikimet e tij negative.
Khurshid Ahmad