Kjo është një pozitë e vështirë që po përjeton njerëzimi në ditët e sotme, pavarësisht lirisë politike dhe pavarësisë së vendeve të Botës së Tretë (vendëve ne zhvillim), ato janë robëruar sërish, nëpërmjet mekanizmave ekonomikë dhe financiarë dhe manovrave politike. Të gjitha organet vendimmarrëse botërore janë në duart e fuqive perëndimore. Ata që pretendojnë se mbrojnë demokracinë nuk kanë zemër të shohin demokraci në institucionet kryesore botërore. Shikoni Kombet e Bashkuara. Asambleja e Përgjithshme, me 191 vende të pavarura, nuk ka rol në vendimmarrjen reale. Këshilli i Sigurimit është peng i pesë vendeve me të drejtë vetoje dhe secili prej tyre mund të bllokojë çdo vendim. Sa i përket teknologjisë bërthamore, ndërsa traktati për mos-përhapjen e armëve bërthamore (NPT) përcaktoi parimin që teknologjia bërthamore do të ndahej për qëllime paqësore me të gjitha vendet e botës, ai nuk u zbatua kurrë. Ideja ishte të mbahej një monopol i përhershëm mbi të, sepse fuqia bërthamore mund të shërbente si pengesë edhe në duart e vendeve më të vogla. Banka Botërore, FMN, Organizata Botërore e Tregtisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shikoni cilëndo nga këto institucione dhe do të shihni që kontrollohen, menaxhohen dhe manipulohen nga vendet e pasura të botës. Ata marrin vendimet dhe rreth 170 vendet e tjera të botës nuk kanë rëndësi. A është kjo drejtësi? A është kjo demokraci?
Çfarë është globalizimi? Tregtia ndërkombëtare ndërmjet të gjitha skajeve të globit ka ndodhur për shekuj me radhë. Historia e Profetit Nuh (bekimi i Allahut qoftë mbi të) dhe përmbytja historike është pjesë e traditave fetare dhe kulturore të njerëzve në të gjitha pjesët e botës, edhe pse në disa raste është kthyer në një aspekt të mitologjisë. Lëvizja e njerëzve dhe ndarja e përvojave të tyre është instrumenti i parë madhor i globalizimit. Tregtia, migrimi dhe pushtimet kanë qenë rrugët historike drejt globalizimit që nga kohët e lashta. Tregtia e lirë u bë doktrina e botës kapitaliste në zgjimin e revolucionit industrial. Atëherë, çfarë ka të re në çlirimin dhe globalizimin për të cilat po brohorit Perëndimi? Me një fjalë, është pax-Amerikana. Globalizimi sot nënkupton hegjemoninë ekonomike, politike dhe kulturore të fuqive dominuese. Qeveritë, korporatat shumëkombëshe dhe OJQ-të janë sundimtarët e rinj. Janë pesëqind korporata shumëkombëshe kryesore që kontrollojnë 70 për qind të tregtisë totale botërore. Sigurisht, ato kontrollojnë gjithashtu kërkimin shkencor, teknologjinë, inovacionin, informacionin dhe më shumë. Pothuajse 97 për qind e kërkimeve, teknologjisë dhe inovacionit botëror janë në duart e vendeve perëndimore, përfshirë Japoninë. Pjesa e Botës së Tretë ( vendet e ekonomive në zhvillim) është vetëm 3 për qind.
Kjo zbulon një situatë shumë shqetësuese. Miliona njerëz vdesin para kohe për shkak të tuberkulozit, malaries, fruthit, tetanozit, kollës së mirë dhe AIDS-it. Përveç disa mijëra vetëve, B të tjerët nuk marrin trajtim të duhur në botën e varfër. Në fakt, vetëm AIDS-i vret më shumë njerëz në Afrikë sesa sëmundjet e tjera të mëdha, përfshirë kancerin. Kërkimet e kompanive farmaceutike janë të përqendruara në sëmundjet e të pasurve. Çmimet që kërkohen për ilaçet e nevojshme për të luftuar sëmundjet në vendet e varfra janë aq të larta saqë janë jashtë mundësive të shumicës së njerëzve që vuajnë. Barazia dhe mirëqenia njerëzore sakrifikohen në altarin e interesave të të pasurve dhe të fuqishmëve. Hendeku midis vendeve të pasura dhe të varfra po zgjerohet gjithnjë e më shumë, veçanërisht midis shumë të pasurve dhe shumë të varfërve. E njëjta gjë ndodh me hendekun midis rajoneve të pasura dhe rajoneve të varfra dhe midis njerëzve të pasur dhe të varfër brenda çdo vendi.
Një nga shembujt më të dukshëm të çnjerëzimit është roli i industrisë farmaceutike. Këto korporata shumëkombëshe nuk janë të gatshme të ndërmarrin kërkime dhe të zhvillojnë vaksina dhe ilaçe që mund të ofrojnë kujdes shëndetësor të lirë dhe efektiv për miliona njerëz në vendet ne zhvillim. Është një lojë fitimi, jo e njerëzimit apo shërbimit. Është shumë intriguese që nuk po bëhen përpjekje për të promovuar kujdesin parandalues, i cili është shumë më i lirë dhe i thjeshtë. Disa nga sëmundjet që vrasin të varfrit mund të kontrollohen vetëm nëse ka kujdes të mjaftueshëm parandalues, duke përfshirë edhe ndryshimin e zakoneve. Studime të ndryshme kanë treguar shkencërisht atë që ne gjithmonë e kemi ditur në mënyrë kulturore dhe intuitive: asnjë ndryshim tjetër nuk do të shpëtonte më shumë jetë sesa nëse njerëzit do të lanin duart para se të preknin ushqimin dhe të pastronin gojën pas ngrënies. Ata kanë nevojë të filtrojnë ujin që pijnë, të ushqejnë foshnjat në mënyrë higjienike, të përdorin rrjeta kundër mushkonjave, të shmangin pijet alkoolike dhe drejtimin e makinës në gjendje të dehur, dhe të praktikojnë marrëdhënie seksuale brenda kornizës së martesës dhe moralit. Kjo mund ta shpëtojë njerëzimin nga rreth 90 për qind e katastrofave shëndetësore.
Mendoni për një moment, zgjidhja nuk është thjesht më shumë vaksina apo më shumë ilaçe, por së pari është adoptimi i parimeve të thjeshta të kujdesit shëndetësor që Islami dhe të gjitha fetë i kanë mësuar. Ne, myslimanët, i kemi mësuar këto si pjesë e higjienës personale, e sjelljeve të përditshme, moralit dhe zakoneve tona. Larja e duarve është Sunet i Profetit (paqja qoftë mbi të). Të hash ushqim të thjeshtë, të hash më pak se sa të ndihesh i ngopur, gjidhënia janë pjesë e kulturës sonë. Alkooli dhe lëndët e tjera dehëse janë të ndaluara në Islam. Perëndimi e inkurajon pirjen, por shqetësohet për drejtimin në gjendje të dehur! Ata kanë frikë nga vdekja në rrugë, por të dehurit mund të qeverisin vende, të komandojnë ushtri dhe të luajnë me fatin e njerëzimit. Islami e godet problemin në rrënjë. Çfarë është nje marrëdhenie intime e sigurt? Është ajo marrëdhënie brenda martesës. Nuk po përpiqem ta thjeshtoj çështjen, por fakt është që këto gjëra janë zgjidhjet e vërteta, jo mënyra joshese e jetesës së një kulture të degjeneruar që i verbon njerëzit ndaj realitetit dhe i poshtëron duke e bërë tërheqëse të ndaluarën dhe duke i nënshtruar arsyen pasionit.