Realiteti i parë dhe më i rëndësishëm i botës moderne që duhet të njihet është fakti që ekzistojnë asimetri të mëdha të pushtetit politik, forcës ushtarake dhe niveleve të zhvillimit teknologjik dhe ekonomik në pjesë dhe shtete të ndryshme të botës. Sundimi i huaj nuk është diçka e re në histori. Megjithatë, sundimi kolonial europian, i cili pati ndikim mbi një pjesë të madhe të botës për më shumë se katër shekuj, kishte diçka unike në të. Për herë të parë në historinë e njerëzimit, gjatë kësaj periudhe, ka ndodhur një transferim fizik në shkallë të gjerë i burimeve nga kolonitë tek sundimtarët kolonialë – ato që quheshin “vendet nënë”. Si pasojë, barazpesha globale e mëparshme u shkatërrua dhe u shfaq një rregullim i ri global që krijoi autoritetin e hemisferës perëndimore dhe margjinalizoi të gjitha rajonet, kulturat dhe njerëzit e tjerë. Gjatë shekullit të njëzet, ndonëse procesi i kolonizimit u duk sikur u anulua, fuqitë perëndimore fituan më shumë terren për shkak të strategjive selektive dhe të njëanshme të zhvillimit. Si rezultat, sot, gjejmë një marrëdhënie të fortë qendër-periferi që është e mbështetur në fushat politike, ekonomike dhe teknologjike të sistemit global, dhe që është përgjegjëse kryesore për krijimin e deformimeve dhe padrejtësive serioze.
Le të hedhim një vështrim mbi disa anomali. Deri në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, të ardhurat për person në Evropë, Amerikë, Botën Mysilmane dhe pjesën tjetër të Botës së Tretë ishin brenda një diference prej 1:2; në disa pjesë të botës, kjo ishte në favor të Botës Mysilmane. Nga shekulli i nëntëmbëdhjetë e tutje, tendenca ndryshoi deri në agimin e shekullit të njëzet e një, kur 87 përqind e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të botës prodhohet në 22 shtete të pasura, ndërsa pjesa tjetër e botës, e cila përfshin rreth 170 shtete dhe më shumë se katër të pestat e njerëzimit, mundohet të mbijetojë me 13 përqindën e mbetur. Në vitin 1800, pjesa e Europës në prodhimin botëror të industrisë ishte vetëm 28.1 përqind; ajo e Amerikës, më pak se një përqind; ndërsa ajp e pjesës tjetër të botës – të ashtuquajturës Bota e Tretë e sotme – ishte pothuajse 67.7 përqind. Vlen të theksohet se pjesa e Botës Mysilmane ishte rreth 40 përqind e PBB-së botërore. Ky ndryshim i thellë ka shtrembëruar plotësisht balancën e pushtetit në botë dhe ka krijuar një situatë ku liberalizimi dhe globalizimi vetëm sa theksojnë këto diferenca.
Shpërndarja e pasurisë është shumë e pasaktë, jo vetëm globalisht, por gjithashtu brenda rajoneve dhe midis individëve. Ekzistojnë padrejtësi të mëdha të pasurisë dhe të ardhurave brenda botës të zhvilluar dhe të pa zhvilluar. Dymbëdhjetë miliarderë vetëm, sipas një ankete të CNN në shtator 2003, kishin një pasuri prej 955 miliardë dollarë, që është më shumë se pasuria totale e pothuajse 30 përqind të shteteve të Botës së Tretë, ku jetojnë mbi 1.2 miliardë njerëz. Ndërsa mbi një miliard njerëz në botë jetojnë me më pak se një dollar në ditë, Bashkimi Evropian u jep qytetarëve të tij një subvencion prej 2 dollarë për lopë në ditë dhe ky subvencion, në Japoni, është 7.5 dollarë për lopë në ditë. Edhe në shtetin më të pasur të botës, SHBA, me një PBB që është 26 përqind e PBB-së botërore, mbi 12 përqind e njerëzve jetojnë nën kufirin e varfërisë.
Pasuria ekonomike asimetrike shoqërohet dhe theksohet nga pushteti politik asimetrik dhe forca ushtarake. Shpenzimet e SHBA për makinerinë e saj luftanike janë të barabarta me shpenzimet e mbrojtjes së të gjitha shteteve të tjera të botës së bashku. Forcat ushtarake amerikane janë të stacionuara në rreth 40 shtete të botës, me një ndikim në çdo cep të globit. Teknologjia ka arritur një gjendje ku një objektiv kudo në botë mund të goditet nga Komanda Ushtarake e SHBA e vendosur në Florida. Shumica e shteteve të botës varen nga sistemet dhe furnizimet ushtarake të SHBA për mbrojtjen e tyre; në fakt, SHBA përfaqëson 48 përqind të eksporteve botërore të armëve dhe sistemeve mbrojtëse.
Në një botë të tillë, konkurrenca dhe liberalizimi do të kontribuojnë kryesisht në dëm të të varfërve dhe të pa privilegjuarve. Për më tepër, ata që mbështesin liberalizimin e tregtisë insistojnë në çlirimin e tregjeve të kapitalit dhe fluksin e mallrave dhe shërbimeve vetëm: ata nuk besojnë në lëvizjen e lirë të punëtorëve. Kjo është arsyeja pse liberalizimi është bërë një mjet për neokolonializmin dhe një metodë për krijimin e sundimit të të fuqishmëve mbi të dobëtit – sidomos të shtetit që sot krenohet se është një superfuqi.
Në këtë gjendje, përveç nëse ka masa mbrojtëse për të dobëtit, globalizimi mund të quhet me siguri një garë midis të pa barabartëve. Ky proces do të përkeqësohet nëpërmjet të cilit, çdo mjet ekonomik dhe politik që mbetet në duar të shteteve të varfra të botës, do të zvogëlohet më tej, nëse nuk do të shkatërrohet. Ky është shqetësimi i njerëzve në Botën e Tretë, si dhe i atyre që mendojnë për drejtësi dhe lojë të ndershme kudo në botë.
Realiteti i dytë që duhet të njihet është se globalizimi i sotëm po ndodh në mungesë të një infrastrukture të drejtë dhe të pranueshme juridiko-politike dhe ekonomike në nivel global. Arkitektura ligjore, politike, ekonomike dhe financiare e botës nuk është në përputhje me kërkesat e një procesi globalizimi të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të drejtë. Qeverisja e mirë nuk është vetëm një virtyt kombëtar, por është po aq e rëndësishme për komunitetin global. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organet e saj dhe infrastruktura e Bretton Woods, të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore, reflektojnë dhe përjetësojnë ekuacionin e pushtetit që ekzistonte në kohën e krijimit të tyre. Rënia e Bashkimit Sovjetik ka shtuar më tej përmbysjen e balancës së pushtetit në favor të vetëm superfuqisë që ka mbetur. Institucione të reja, që mund të siguronin siguri dhe drejtësi për të gjitha shtetet dhe popujt e botës, janë të dukshme vetëm nga mungesa e tyre.
Në një mjedis të tillë, procesi i globalizimit mund të jetë i suksesshëm dhe të bëhet një bekim vetëm nëse ekziston një infrastrukturë globale që siguron qeverisje të mirë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje për të gjithë, dhe angazhim nga të gjithë për të respektuar proceset e njohura për shpërndarjen e drejtësisë ndërmjet shteteve dhe popujve të botës. Ndërkohë që flitet për demokratizimin si pjesë e axhendës së globalizimit, nuk përmendet fare demokratizimi dhe llogaridhenia e aktorëve globalë – Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore, Traktati i Jo-Përhapjes së Armëve Bërthamore (NPT), etj. Po ashtu, nëse populli i një shteti, me vullnetin e tij të lirë, zgjedh një kulturë alternative, një strategji politike ose një rend ekonomik dhe nuk është i gatshëm të ndjekë modelin liberal të SHBA dhe Europës, zgjedhja e tij anashkalohet me pamundësi për ta kundërshtuar. Demokracia nuk do të thotë më vullneti i popullit të çdo shteti ajo thjesht do të thotë “dorëzim ndaj dëshirave dhe preferencave të fuqive dominuese.” Kjo e bën të gjithë procesin e demokratizimit një mashtrim. Për më tepër, demokracia nuk mund të imponhet nga jashtë, ajo mund të evoluojë vetëm nga brenda. Po ashtu është problemi me liberalizimin e detyruar dhe hapjen e imponuar. Ato janë kontradiktore në vetvete.
Realiteti i tretë është se globalizimi ka nevojë për një mentalitet të veçantë dhe një qasje të bazuar në angazhimin dhe respektin për vlera dhe parime universale. Globalizimi me një mentalitet provincial ose nacionalist dhe në kërkim të ambicieve hegjemoniste të një kombi, sistemi ose qytetërimi nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një kërcënim për njerëzimin. Ai mund të ketë sukses dhe të bëhet një bekim për njerëzimin vetëm nëse është i rrënjosur në vlera universale të përbashkëta dhe angazhimin për proceset dhe traditat e respektimit të shumëllojshmërisë dhe pranimit të ndryshimeve dhe dallimeve si autentike. Kjo kërkon një qasje shumë të ndryshme psikologjike dhe morale. Kërkon një qasje të bazuar në vlera dhe të orientuar për të arritur idealet e përbashkëta të drejtësisë dhe lojës së ndershme për të gjithë. Kjo nuk është e mundur në një klimë të obsesionuar me interesat kombëtare, shqetësimet rajonale, njëanshmërinë, arrogancën kulturore dhe ambiciet imperialiste. Tregtia e lirë është një virtyt vetëm nëse është gjithashtu tregti e drejtë. Po ashtu është edhe me çdo aspekt tjetër të kontaktit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ajo që dëshmohet sot, përkundrazi, është një globalizim pa ndryshimet e kërkuara në psikologjinë dhe mendësinë e liderëve, dhe në dinamikën për përdorimin e pushtetit në nivel global. Paradigma dominante është thelbësisht e gabuar. Ndryshimet brenda kësaj paradigme nuk mund të sjellin rezultate. Ajo që nevojitet është ndryshimi i vetë paradigmës. Pa një shpërndarje të re morale dhe ideologjike, ëndrra për një rend global të drejtë do të mbetet e paplotësuar.
Kjo e çon diskutimin në dimensionin e katërt të rëndësishëm. Paradigma e re që mund të sigurojë një globalizim të shëndetshëm dhe të drejtë, dhe një prosperitet universitar dhe të përbashkët, duhet të bazohet në vlerat e (a) lirisë me përgjegjësi, (b) individualizmit të zbutur me shqetësim social dhe solidaritet, (c) konkurrencës me bashkëpunim dhe mëshirë, (d) efikasitetit dhe motivit për fitim me drejtësi dhe lojë të ndershme, dhe (e) pushtetit me sundim të ligjit dhe përgjegjësi. Përfshirja e këtyre kërkesave kërkon një ndryshim të madh paradigmatik nga rendi i dominueshëm i qytetërimit të Perëndimit, i cili mbetet njëanshëm, megjithëse kJO njëanshmëri është e rrënjosur në një realitet të pjesshëm. Njëanshmëria e Perëndimit buron nga theksimi i lirisë, individualizmit, motivit për fitim, konkurrencës, liberalizimit, efikasitetit dhe pushtetit, pa përfshirë brenda modelit koordinatat e tjera të përgjegjësisë, solidaritetit, bashkëpunimit, mëshirës, drejtësisë dhe përgjegjësisë.
Së fundi, çështja qendrore: nese globalizimi do të zhvillohet në kontekstin e epërsisë së një fuqie aktualisht një superfuqie – dhe një sistemi ekonomik, kapitalizmit, apo do të ndodhë në kuadrin e një bote pluraliste ku kultura, feja dhe sisteme socio-ekonomike të ndryshme mund të zhvillohen pa sundimin e një ose disa lojtarëve të fuqishëm? Lëvizja e lirë, dialogu, konkurrenca dhe interaksioni në nivel global mund të çojnë në liri, mirëqenie dhe mundësi për të gjithë, vetëm nëse kjo ndodh në një peisazh të vërtetë diversiteti, shumëllojshmërie, respektimi të sundimit të ligjit dhe epërsia e vlerave të përbashkëta. Kjo nuk është e mundur nëse vetëm disa dominojnë, ndërsa të tjerët janë të detyruar të ndjekin dhe të dorëzohen.
Khurshid Ahmad