Britania voton për dalje nga BE-ja, Cameron dorëhiqet

Mbretëria e Bashkuar ka votuar në mënyrë vendimtare në një referendum për largimin nga BE-ja; një rezultat ky shpërthyes që nxiti kryeministrin britanik David Cameron të paralajmërojë dorëheqjen e tij në favor të një “lidershipi të ri” në vend.

“Qytetarët britanikë kanë votuar për largimin nga BE-ja dhe vullneti I tyre duhet të respektohet”, tha lideri konservator në një koferencë jashtë zyrës së tij në Downing Street 10, pak kohë pasi u shpall rezultati për largim.

ameron, që ka bërë fushatë të fortë për mbetjen në BE, tha se shpreson se kryeministri i ri do të zgjidhet në tetor.

“Negociatat për daljen nga BE-ja duhet t’i fillojë një kryeministër i ri”, tha ai në konferencen me gazetarë.

Mediat britanike, përfshirë BBC-në, kanë deklaruar të premten në mëngjes fitoren në referendum të idhtarëve të daljes së Britanisë nga BE-ja.

Rezultatet jo përfundimtare nga katër të pestat e vendvotimeve tregojnë se 52 përqind e britanikëve kanë votuar për dalje nga Bashkimi Evropian, kundrejt 48 për qind të mbetjes, një margjinë dallimi prej 1.27 milionë votash.

Nëse rezultatet do të jenë zyrtare, kjo do të jetë goditja më e madhe ndaj BE-së që prej krijimit të saj dhe do të hap edhe çështje të tjera, në mesin e 27 vendeve të tjera anëtare rreth të ardhmes së projektit evropian.

Kjo shënon një shpërthim shkatërrues për bllokun politik dhe ekonomik, që ka kaluar dekada të tëra për të shtuar numrin e anëtarëve, që tani përfshinë 28 shtete me mbi 500 milionë banorë, por është përballur me kriza financiare dhe ndarje rreth cështjes së emigrantëve dhe me përcpetimet e të qenurit të “ftoftë dhe hilexhinj”

Paundi britanik, euro dhe bursat gjithandej botës ranë pas lajmit.

Lideri i Partisë britanike për Pavarësi (UKIP), Nigel Farage, ka përgëzuar rezultatin e referendumit të Britanisë së Madhe, duke e quajtur ‘fitore të njerëzve të mirë’ dhe duke parashikuar se kjo do të çojë në shpërbërjen e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se blloku “është i vendosur që të mbajë unitetin e 27 vendeve” dhe të parandalojë dalje të tjera. Me Britaninë aktualisht janë 28 shtete anëtare të BE-së.

Ai tha se udhëheqësit e BE-së, do të zhvillojnë një Samit javën e ardhshme pa Britaninë dhe do të “fillojnë reflektimin e gjërë për të ardhmen e BE-së”.

Ministri i jashtëm i Francës, Jean Marc Ayrault, tha se është “urgjente për Evropën që të reagojë dhe të rikthejë besimin e qytetarëve”. Ai gjithashtu është shprehur i“trishtuar për Britaninë e Madhe”.

Në Berlin, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, tha se vota e Britanisë për largim nga BE-ja është “një ditë e dhimbshme për Evropën dhe Britaninë”.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë citon Steinmeier të ketë thënë se “lajmet nga Britania janë “trishtuese”

Shtëpia e Bardhë tha të premten në mëngjes se presidenti Barack Obama ishte njoftuar për rezultatin e referendumit, dhe se pret që të ketë rastin të flas më kryeministrin Cameron për këtë çështje gjatë ditës.

Ligjvënësi i BE-së, Manfred Weber nga Partia Popullore Evropiane, më e madhja në Parlamentin Evropian, tha se “vendimi i Britanisë për t’u larguar nga BE-ja shkakton dëme për të dyja palët”. Por, ai kërkoi që vendimit të zbatohet shpejt.

Referendumi u vendos si një votë këshilldhënëse, por që nuk është detyrim ligjor.

Analistët politikë thonë se me këtë margjinë të gjërë të mbështetjes për dalje dhe me pjesëmarrje masive prej 72 për qind, tani ka një trysni mbi politikanët britanikë që formalisht të fillojnë procesin dy vjeçar të negociatave për daljen nga blloku 28 anëtarësh. (REL)

Artikulli paraprakSkocia dhe Irlanda e Veriut paralajmërojnë referendume për pavarësi dhe bashkim
Artikulli tjetërMinistri Hoti nënshkruan garancinë shtetërore për autobusët e Prishtinës