“Ambiciozët” – Justinian Topulli

Ambicia është një dëshirë e fortë e shoqëruar me këmbëngulje për të bërë apo arritur diçka, ajo vjen edhe në kuptimin e një dëshirë dhe etje të tepruar për nder, për favore, lajka, popullaritet dhe sigurisht edhe për para e pushtet.

Shpesh në këtë botë ata që ja dalin të jenë në krye të shumë punëve nuk janë njerëzit më të mirë, më të arsimuar, më të urtë e të zgjuar, më të diturit e më të ndershmit, por më ambiciozët që e kanë që në fillim të qartë se çfarë duan të arrijnë dhe ku duan të shkojnë. Dhe që të jesh ambicioz nuk ka nevojë të kesh të gjitha ato cilësi superiore që përmendëm, mjafton dëshira e zjarrtë dhe fokusi i qartë dhe sigurisht përpjekja e palodhur për t’ia arritur qëllimit.

Shpesh njerëzit e denjë duke pasur më shumë se një rrugë zgjedhje nuk janë të vendosur dhe as të fokusuar në një drejtim të caktuar, çka u humbet atyre rastin të dalin në krye. Ata shpesh edhe për shkak të skrupujve moralë që kanë, të cilat të kufizojnë në mjetet dhe rrugët e përdorura, nuk i konkurrojnë dot ambiciozët e padenjë, të cilët nuk njohin limite dhe as kufij dhe qëllimi për ta justifikon edhe mjetin më të padenjë.

Kjo botë sprove si ligj themelor të arritjes dhe suksesit ka pikërisht parësore përpjekjen dhe këmbënguljen, dëshirat dhe aftësitë nuk mjaftojnë për t’ia arritur qëllimit. Madje edhe në botën tjetër fitohet më së shumti për shkak të veprave dhe përpjekjes, por sigurisht jo me mjete të padenja.

Në një shoqëri si kjo e jona, kam bindjen se është pikërisht ky një nga problemet themelore që ne kemi, ku ambiciozët e padenjë i kemi me shumicë, dhe të cilët nuk lënë gjë pa bërë, për të arritur synimet të tyre edhe pse mund të jenë nga më mediokrit apo edhe njerëzit më të ulët e të pavlerë. Ndërkohë që njerëzit e denjë edhe pse jo të paktë në numër, në shumicën e rasteve nuk e kanë kurrë ambicien e mjaftueshme për të dalë në krye, duke u lënë kështu shteg të padenjëve të vihen në ballë të punëve dhe duke i bindur të tjerët dhe mashtruar veten se ata janë njerëzit e duhur për të cilët kanë nevojë shoqëria!

Nëse kuajt nuk kanë ambicien e gomarëve për të qenë në ballë, nuk kanë pse të qahen pse ata qëndrojnë pas veshgjatëve.
Autor: Justinian Topulli
Artikulli paraprakKu ta gjej sekretin e suksesit?
Artikulli tjetërSaudi Aramco, sërish kompania më e vlefshme në botë