3 gjërat më të rëndësishme që duhet të dini
E keni dëgjuar edhe më parë: Nuk duhet ta lejoni perfeksionin që të pengojë përparimin tuaj. Por, ju gjithashtu dëshironi që të shkëlqeni në punë dhe, për këtë arsye, përsosmëria mund të duket si rruga më e mirë për rritjen në karrierë.
Megjithatë, perfeksioni mund të jetë një pengesë për të ecur përpara – në shumë aspekte befasuese. Është në avantazhin tuaj që të hiqni dorë nga përsosmëria dhe të gjeni mënyra që të shkëlqeni në punë, pa qenë ideal.
Nëse përpiqeni të jeni perfekt, atëherë nuk jeni të vetmit. Një studim me mbi 41,000 njerëz, i botuar në Psychological Bulletin, zbuloi se perfeksionizmi është rritur me kalimin e kohës, pjesërisht për shkak të krahasimeve që njerëzit bëjnë me njëri-tjetrin në mediat sociale dhe pjesërisht për shkak të mjediseve konkurruese që po krijohen në universitete dhe në mjediset e punës.
Disa aspekte të perfeksionizmit – si për shembull vendosja e standardeve të larta dhe puna drejt objektivave në mënyrë proaktive, mund të jenë të mira për karrierën tuaj – por perfeksionizmi ka një disavantazh madhor. Fiksimi për të mos bërë asnjë gabim, për të mos zhgënjyer të tjerët apo për të mbajtur standarde jashtëzakonisht të larta, mund të ketë pasoja negative.
Sipas një ekzaminimi të 43 studimeve të ndryshme të kryera në harkun kohor të 20 viteve nga York St. John University, perfeksionizmi lidhet drejtpërdrejt me burnout-in, me depresionin, ankthin dhe madje edhe me vdekshmërinë.
Si ju pengon perfeksionizmi për të ecur përpara
Një nga mënyrat për të dalë nga kurthi i perfeksionizmit është duke kuptuar se si ai nuk ju lejon që të ecni përpara.
1. Perfeksionizmi është demotivues
Duke kërkuar që të jeni të përsosur, në fund të fundit do të demotivoni veten. Përpjekja për përsosmëri dhe nxitja e vetes janë mënyra shumë të mira për t’u motivuar, por angazhimi juaj do të reduktohet nëse mundoheni të jeni perfeksionist. Me idealet që janë të paarritshme, nuk do të ndiheni kurrë sikur jeni aq të mirë sa duhet. Kur jeni të zhgënjyer ose të dëshpëruar, do të jetë e vështirë që të përkushtoheni ndaj punës dhe kjo do të ulë efektivitetin tuaj.
Ju do të përparoni më shumë nëse njihni kufijtë dhe bëni më të mirën. Duke ndjekur këtë rrugë, do të jeni në gjendje të investoni energjitë për përgjegjësitë dhe marrëdhëniet tuaja, dhe nga ana tjetër, njerëzit do të ndihen më mirë kur punojnë me ju.
2. Perfeksionizmi ju distancon nga të tjerët
Një tjetër disavantazh i perfeksionizmit është mënyra se si ai ju distancon nga kolegët. Njerëzit mund të mos dëshirojnë të punojnë me ju, sepse ata i kuptojnë pritshmëritë tuaja jashtëzakonisht të larta dhe e dinë se nuk do të mund t’i arrijnë dot. Ata do të duan të shmangin analizimin e tepërt të ҫdo gjëje, e cila është tipari juaj dallues.
Nëse bini në grackën e të besuarit se jeni pothuajse perfekt, kjo rrezikon gjithashtu të frikësojë të tjerët, që e dinë se nuk janë të tillë. Përveç kësaj, nëse nuk pranoni gabimet tuaja, atëherë nuk do të dukeni të vërtetë përpara kolegëve, të cilët do të fillojnë të mos t’ju besojnë më.
Sigurisht, ju duhet të jeni profesionist dhe nuk është nevoja që ta ndani mungesën tuaj të përsosmërisë me të gjithë të tjerët, por gjithashtu duhet të arrini ekuilibrin e nevojshëm ku të keni kurajën profesionale për t’u shprehur nëse keni nevojë për ndihmë dhe nëse nuk dini diҫka. Kjo do të thellonte marrëdhëniet tuaja me kolegët dhe do të ndërtonte besueshmërinë.
3. Perfeksionizmi zvogëlon efektivitetin tuaj
Një tjetër arsye pse perfeksionizmi është një pengesë për rritjen tuaj në karrierë është sepse ai zvogëlon aftësinë tuaj për të bërë punë të jashtëzakonshme. Nëse nuk jeni në gjendje të ecni përpara ose të mbyllni punët, do të kufizoni aftësinë për të marrë pjesë në projekte ose për të arritur rezultate të mëdha.
Nëse nuk mund t’i pranoni gabimet, nuk do të jeni në gjendje të mësoni se çfarë mungon ose çfarë shkoi keq, në mënyrë që të përmirësoheni. Përpjekja për të bërë punë të mirë është avantazh për karrierën tuaj, por nëse ekzagjerohet, do të ngecni teksa vazhdoni të përpiqeni, pa pasur rezultat, për të arritur një standard joreal.
Duhet të pranoni kufizimet dhe duhet të jeni të kënaqur me realizimin e një projekti ku keni punuar mirë, edhe pse mund të keni bërë ndonjë gabim. Në vend që të prisni për ta prezantuar punën tuaj kur ajo të jetë e përsosur, ndihuni komod me përmirësimet e vazhdueshme me kalimin e kohës dhe me përfitimet e karrierës që do të vijnë nga të mësuarit në ҫdo fazë të punës suaj, hap pas hapi. /Forbes/